TIRANE, 5 Prill/ATSH/- Pas prezantimit të projektit të sheshit “Skënderbej”, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një postim në ‘Facebook’, Basha tha se se qeveria vazhdon me fasada betoni ndërsa papunësia rritet.
“Rrisin taksat dhe falimentojnë biznesin e mbyllin vende pune. Rrisin faturat e energjisë dhe të ujit, vjedhin të ardhurat, ndërkaq hiqen si çlirimtarët e Kastriotit. Por çfarë është realisht “investimi” në shesh? Shkatërrim i gjelbërimit, tender për xhepat e tyre dhe dy kulla betoni për oligarkinë dhe veten e tyre. Ky është meraku i madh i pashait të korrupsionit dhe jo vetmia e Gjergj Kastriotit”, shkruan Basha.
Ndërkaq, kreu i opozitës ka vijuar bashkëbisedimin me fermerë, mjekë, mësues inxhinierë e profesionistë të tjerë në Fier
Banorët e fshatit Fermë, Radostinë, Dermenas, etj shprehën shqetësimin për infrastrukturën rrugore, kanalet e vaditjes dhe kullimit në të cilat nuk është vënë asnjëherë dorë, mungesën e subvencioneve dhe shërbimin e munguar shëndetësor.
Basha ndërsa ka shpalosur programin për bujqësinë ka theksuar se ashtu siç infrastruktura u kthye në prioritet të investimeve në vitet 2005-2013, në qeverisjen e tij prioritet do të jetë bujqësia.
“Synimi ynë është që në vitin e parë në qeverisje ne të jemi me 150 milionë euro me buxhet për bujqësinë, për të subvencionuar bujqësinë, për të subvencionuar punën, bujkun, jo grumbulluesin, jo 4-5 veta që kanë lidhje me qeverinë. Po drejtpërdrejtë bujkun dhe blegtorin”, tha ai.
Arsimi, shëndetësia, taksat e larta dhe tarifat ishin në qendër të bashkëbisedimit që Basha zhvilloi me mjekë dhe mësues, inxhinierë, avokatë, noterë etj.