• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KADARE: NUK PERJASHTOHET BASHKIMI I KOSOVES ME SHQIPERINE, POR HYRJA E BALLKANIT NE EUROPE ESHTE ME E RENDESISHME

November 20, 2014 by dgreca

Kadare: Pse nuk kam pranuar asnjëherë të jem President

Në një intervistë për “La Repubblica”, Ismail Kadare rrëfen Shqipërinë mes së kaluarës dhe së ardhmes. Shkrimtari, i ndodhur në Tiranë për të prezantuar librin e tij të fundit “Mëngjeset në Kafe Rostand”, flet edhe për marrëdhënien me diktatorin shqiptar Enver Hoxha, patriotin e tij. Në qendër të mendimeve, e ardhmja europiane e Shqipërisë. “Për ne, të hyjmë në Europë është çështje jetë a vdekje”
NGA Giovanni Cedrone, Liljana Maksuti/
Sprova e tij e fundit letrare “Mëngjeset në Kafe Rostand- motive nga Parisi” lajmërohet si suksesi i radhës i një autori që mund të mburret me miliona kopje të shitura në çdo cep të globit.
Ismail Kadare, i ulur në restorant “Juvenilia”, një lokal elegant në zemër të parkut me të njëjtin emër të Tiranës, një vend veçanërisht i dashur nga shkrimtari shqiptar.
Një vend i dashur nga Kadare njësoj si ‘Kafe Rostand’ e Parisit, qytet që e ka pritur me të gjitha nderet kur kërkoi azil politik për të protestuar kundër elitës komuniste shqiptare, e cila po rrënohej në të largëtin vit 1990.
Në librin e fundit, gati një autobiografi, rrëfen episodet më domethënëse të jetës së tij: një portret prekës i së ëmës, refleksione intime mbi disa miq poetë e shkrimtarë si Frederik Rreshpja (poet, që në gjykimin e tij, është autor i “shumë vargjeve brilante dhe befasues”- por i pazoti për të gjetur kohën e tij në kohën e madhe të botës”), miqësia me baronin Pierre–Bordeaux Groult, burrë i kulturës dhe drejtor i përgjithshëm i gazetës, i bindur se populli shqiptar është “më europiani nga popujt ballkanikë” dhe mbi nevojën e Europës për të mbështetur këtë komb “për të mundësuar emancipimin e gadishullit ballkanik”.
Dhe disa faqe të tjera të kushtuara “zonjushave të vogla të letërsisë shqiptare”, shkrimtare shqiptare me talent të madh që kërkojnë të ecin përpara mes mijëra vështirësish në botën e letërsisë botërore, të cilave Kadare u kushton vëmendje të madhe. Shumë histori të vogla që plotësojnë një enigmë të jetës së tij, gjithnjë të rrëfyera me stilin e tij të pangatërrueshëm.
Takimi, është rasti për të folur edhe për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, një marrëdhënie “intime” që as pushtimi italian i vendit nuk arriti ta gërvishte.
Një afri kulturore që shpërfaqet edhe në interesin e madh për Dante Aligierin, “më i studiuari në Shqipëri dhe Francë” pavarësisht se diktatura komuniste druhej kur lexonte në Ferrin e tij gati një evokim të “gulagëve”.
Shkrimtari na pret në hapësirën e kafenesë së rezervuar për të.
Ndjesia është ajo e të hyrit në një vend të pakohë, gati sikur të ishte një nga ato kafenetë letrare të Parisit, ku pëlqenin të kalonin ditët e tyre personazhe si Ernest Hemingway, Pablo Picasso, Jean Paul Sartre apo Samuel Beckett. Janë vite që shkrimtari është mes të parapëlqyerve për “Nobelin” në Letërsi, por edhe këtë vit çmimi prestigjioz i iku nga duart.
Pak rëndësi ka për një autor që ka shkruar faqet më të bukura të letërsisë europiane dhe që me veprën e tij ka edukuar breza të tërë drejt mendimit të lirë.
Në qendër të mendimeve të tij është gjithmonë Shqipëria, e ardhmja e saj, shpresa që vendi të mund të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian “ një çështje jetë a vdekje” sipas Kadaresë, një kalim deciziv për të lënë pas krahësh vitet e vështirë të diktuarës dhe ata po aq të vështirë të tranzicionit, me në sfond çështjen e Kosovës që ka shtrënguar marrëdhëniet me Serbinë, ai afrim që për tani është “e nevojshme të bashkëpunohet nëse Shqipëria do të hyjë në familjen e madhe të kombeve europiane” siç pëlqen të përsëritë.
Panairi i Librit në Tiranë ishte rasti për të prezantuar sprovën tuaj të fundit letrare, “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Për çfarë bëhet fjalë?
Është një libër i shkruar me reflektimet e mia. Ka disa pjesë letrare të nxjerra nga shënimet e mia, nga përmbledhje, nga mendime, nga skica. Vepra që nuk kam mundur t’i shkruaj më parë dhe që nuk di nëse do kem kohë t’i shkruaj. Është e vështirë t’i japësh një përkufizim këtij libri.
Ju jeni i njohur në të gjithë botën për disa prej faqeve më të bukura të letërsisë botërore të ‘900-ës dhe të dhjetëvjeçarëve të fundit, nga “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” te “Kronikë në gurë” te “Piramidat dhe “ E bija e Agamemnonit”, vetëm për të cituar disa. Ku e gjeni frymëzimin për veprat tuaja?
Asnjë shkrimtar nuk do i përgjigjet kurrë kësaj pyetje me të vërtetën. Këto janë sekrete që i përkasin familjes së madhe të shkrimtarëve. Dijeni se kur një shkrimtar flet për këto gjëra nuk thotë kurrë të vërtetën, sepse, edhe po të dojë, nuk mund ta thotë.
Të pyesësh një shkrimtar se cilat nga veprat e tij preferon është pak si të pyesësh një prind se cili është fëmija i tij i parapëlqyer. Por, a ka një vepër me të cilën ndiheni më i lidhur?
Sinqerisht nuk e di. Ndonjëherë ndihem më pranë njërës, herë tjetër më pranë një tjetre. Për shkrimtarët ka vepra që kanë një sukses të jashtëzakonshëm dhe të tjera që kanë më pak fat. Në të vërtetë libri që më ka sjellë më shumë fat, një prej romaneve të mi të parë, është një libër që çmoj mesatarisht. Padyshim që i jam mirënjohës këtij libri, por nuk është ai më i miri që kam shkuar.
Historia dhe gjeografia kanë bërë që si Italia, ashtu edhe Shqipëria të vendosura në qendër të Mesdheut, kanë pasur gjithnjë marrëdhënie të ngushta. Po sot si perceptohet Italia dhe italianët në Shqipëri?
Mendim i shqiptarëve drejt Italisë është një mendim shumë intim. Italia është fqinji ynë, prej më shumë se mijëra vitesh është e lidhur me Shqipërinë. Unë prej kohësh kam shfaqur një lloj pakënaqësie për sjelljen e Italisë drejt Shqipërisë, dhe nuk ka pasur një përgjigje adekuate. Janë dy vende përballë njëri-tjetrit.
Kanë bashkëpunuar qindra herë, me parime dhe me ushtri. Në fund ndodhi që italianët zbarkuan në Shqipëri. Për italianët ishte një “bashkim” një pjesë e shqiptarëve konsideroi “pushtim”, edhe pse nuk mungonin shqiptarët që e mendonin si italianët.
Historia dihet. Me kalimin e kohës vizioni i kësaj afërsie ndryshoi dhe nga ana e Italisë neglizhimi kundrejt vendit fqinj.
Një vend që për katër vite ishte i bashkuar me Italinë: Viktor Emanueli III ishte “Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë” dhe “Perandor i Etiopisë”.
Ku ndërlikim historik dot ë krijonte në mënyrë të paevitueshme , probleme. Mendoj se pala shqiptare ka qenë gjithnjë dashamirëse kundrejt palës italiane.
E theksoj këtë tezë. Populli shqiptar njeh shumë mirë kulturën italiane (pikturën, muzikën, letërsinë) dhe një ndërlikim politik ( pushtimi) nuk e ka modifikuar këtë gjë, domethënë interesin drejt Italisë.
Për shembull Italia dhe Shqipëria, të bashkuara kishin një Mbret dhe kështu një poet të madh zyrtar: ky ishte Dante Aligieri. Me diktaturën komuniste mund të pritje një ftohje ndaj vëmendjes për Danten.
Shqipëria është vendi ish komunist ku Dante Aligieri është më i studiuar. Madje, Aligieri është më i studiuar në Shqipëri sesa në Francë. Kjo dashuri që nuk ndryshon për politikën apo për një pushtim ,është diçka e madhe.
Vepra e plotë e Dante Aligierit është përkthyer tre herë gjatë komunizmit në Shqipëri. Dante është një shkrimtar që ka vënë në vështirësi komunizmin.
Ferri i Dantes paralelizohej me gulagët komunistë dhe gjë që i bënte pak të pëlqyeshëm për regjimin komunist, sepse thelbi i veprës së tij ishte ndëshkimi i krimit: kush kryen krim duhet të paguajë. Për këtë komunizmi nuk e donte.
Po pavarësisht kësaj, është përkthyer në Shqipëri. Unë mendoj se Italia duhet të ishte më e vëmendshme ndaj Shqipërisë. Duhet ta ndihmonte.
Siç ka bërë Franca me Algjerinë, gjithmonë shumë e ndjeshme kundrejt ish kolonisë së saj, pavarësisht se ishte larg, në një kontinent tjetër dhe me një fe myslimane. Ne kemi një komunitet të rëndësishëm shqiptar në Itali.
Shteti me ne është sjellë shumë mirë. Por gjatë komunizmit Italia e dinte se çfarë po ndodhte në Shqipëri, duhet të ishte interesuar më shumë. Italia interesohet për vende shumë më të largëta, si Madagaskari, Angola dhe të tjerë, por jo për Shqipërinë. Ndonjëherë shoh dokumentarë italianë mbi Luftën e Dytë Botërore dhe në disa i kushtohet jo më shumë se 30 sekonda pushtimit italian të Shqipërisë më 1939-n, nga Musolini.
Në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike të Francës ju keni zënë vendin e një prej eksponentëve më të lartë të mendimit liberal të ‘900, Karl Popper-it. Çfarë ndjesie ju ka lënë të zëvendësonte një personazh kaq të rëndësishëm? A ishte një përgjegjësi?
Së pari, dua të them që nuk e konsideroj një përgjegjësi. Së dyti, është se shkrimtarët kanë një karakteristikë: nuk zgjidhen nga populli si politikanët.
Nga ky këndvështrim shkrimtarët përfaqësojnë vetveten dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi, mund të thuhet se një shkrimtar është i “papërgjegjshëm”. Natyrisht po bëj shaka. Sigurisht që për mua ishte një nder i madh që u zgjodha në vend të tij.
Karl Popper përveçse është një filozof i madh ishte një person simpatik, që kam pasur fatin ta njoh personalisht. Ishte një rastësi që unë u zgjodha në vend të tij. Dua të sqaroj: vendet e Institutit francez janë të kufizuara dhe ishte një nder i madh që Shqipëria përmes meje, pati një vend në këtë seli. Gjithsej anëtarët e huaj janë 12: ishte rastësi që më qëlloi mua.
Nuk mund të thuhet se ju mungon modestia…
Nuk është modesti. Përse ta quajmë kështu? Nuk e pranoj konceptin e modestisë kur i referohet shkrimtarëve. Në Shqipëri gjatë komunizmit përdorej shumë shpesh fjala “modesti” që i referohej letrarëve. Shteti i donte shkrimtarët të nënshtruar “kokulur” dhe përsëriste vazhdimisht “duhet të jeni modestë!”. Ajo e modestisë ishte një nga direktivave kryesore të dhëna nga Lenini.
Peter Morgan në librin e tij “ Ismail Kadarè, The writer and the dictatorship 1957-1990” krahason marrëdhënien tuaj me diktatorin shqiptar Enver Hoxha, me atë mes dy mjeshtërve të shahut, të angazhuar në një ndeshje të vështirë. E gjeni veten në këtë krahasim?
Nuk më duket krahasim i saktë. Jo vetëm në rastin tim, por në përgjithësi mes një shkrimtari dhe një diktatori nuk mund të ketë asnjë lloj lidhjeje. E vetmja lidhje mes tyre është fakti që janë të dy “tiranë”, por një i vërtetë dhe një i rremë. Në të vërtetë për një shkrimtar, diktatori është një tiran i rremë. E them në përgjithësi: ndërgjegjja e një shkrimtari nuk mund ta pranojë.
Ju rrëfej dy anekdota për marrëdhënien time me hoxhën: jemi të dy nga i njëjti qytet ( Gjirokastra), nga e njëjta lagje dhe madje nga e njëjta rrugicë që ka një emër vërtet të çuditshëm “ sokaku i të marrëve”.
Ky është një fakt, ju mund ta verifikoni nëse doni. Gjatë regjimit një gazetar suedez, duke bërë shaka, shkroi: dy shqiptarët më të famshëm të botës vijnë nga e njëjta rrugë e quajtur “Sokaku i të marrëve”.
Një batutë e rrezikshme për kohën. Por që shpjegon shumë. Ndërsa episodi tjetër ka ndodhur me time bijë: ajo, gjenetiste, ka marrë pjesë vite më parë në një kongres mjekësor ndërkombëtar i përmbyllur me një ballo siç e do zakoni.
Vallëzoi me një koleg t panjohur të huaj që e pyeti: “Ju nga vini?”. Ime bijë i përgjigjet: “ Vij nga Shqipëria”.
Tipi i kërkon ndjesë sepse nuk dinte asgjë rreth Shqipërisë. Pas pak shton: “Më duket se kam dëgjuar diçka. Ju keni pasur në vendin tuaj një diktator shumë të egër”. “Po”, i përgjigjet vajza. Ai vazhdoi: “E sheh që di diçka rreth vendit tënd? Më vjen madje në mend edhe emri i tij: Ismail Kadare”. Ime bijë duke qeshur, i thotë: Kjo nuk mund të jetë e vërtetë pasi Kadare është im atë. Pjesa tjetër kuptohet vetë.
Çfarë domethënieje ka pasur të bënit shkrimtarin nën një regjim diktatorial si ai shqiptar?
Sipas mendimit tim, nuk është aq e papritur sa mund të duket. Pjesa më e madhe e regjimeve të botës ka qenë, nëse jo krejt diktatoriale, të paktën shumë e ashpër. Letërsia është e mësuar me këtë.
Kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, ju ka propozuar të bëheni Presidenti i Republikës së Shqipërisë, por ju e keni refuzuar. Përse?
Rama nuk ishte i vetmi që ma ka propozuar presidencën e Republikës, edhe të tjerë ma kanë propozuar. Tashmë është bërë zakon.
Duke e ditur që nuk do e pranoja, për ta ishte e lehtë të ma bënin këtë propozim. Një detyrë e tillë nuk është në natyrën time. Shkrimtari nuk është një qenie demokratike, shkrimtari është një qenie vetmitare, punon me kokën e vet. Gjë që është e mirë për letërsinë, por jo për demokracinë. Unë të paktën e mendoj kështu.
Gjatë viteve të fundit, prodhimet tuaja letrare janë përqendruar mbi çështjet ballkanike dhe veçanërisht mbi temën e Kosovës. Libri “Mbi krimet në Ballkan” rrëfen me saktësi dhe përpikmëri çështjen dramatike të Kosovës që ka pasur si epilog lindjen e shtetit kosovar. Për atë që i sheh nga jashtë zhvillimet dramatike është vështirë të kuptojë sesi është pjekur gjithë ajo urrejtje në atë tokë. Ju ç ‘përgjigje i keni dhënë ?
Është e vërtetë, është fatkeqësia jonë e përbashkët. Ndoshta i ka rrënjët e veta në një situatë anomalie në gadishullin Ballkanik. Mes tre gadishujve në jug të Europës ai Iberik, ai Italian dhe Ballkani, më i pafat ka qenë Ballkani sepse edhe pse pjesë e Europës, për pesë shekuj kanë qenë të shkëputur për t’u ribashkuar më pas me të, si fëmija i panjohur që rikthehet tek e ëma. Sipas meje e gjitha kjo ka krijuar këtë anomali që na bën me turp të gjithëve.
Një ditë kjo urrejtje do të zhduket nga Ballkani. Është e pashmangshme qytetërimi europian ka rënë pikërisht aty ku ka nisur.
Në disa ese ju flisni për rivalitetin e gjatë serbo-shqiptar, një rivalitet që ka origjinë të lashtë dhe që siç ka treguar me ato që kanë ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri është ende larg shuarjes. A do të munden këto dy kombe të kenë herët a vonë një marrëdhënie fqinjësie të mirë?
Sipas një kulture humanitare unë duhet të përgjigjesha: po, do të vijë ai moment. Do të ishte bukur të thuhej kështu.
Por nga një këndvështrim “i papërgjegjshëm” mendoj se kjo do të vijë vetëm falë një trysnie ndërkombëtare. Gjë që për mua është fat. Shtetet e vegjël nuk duhet të bëhen servilët e të mëdhenjve, por është e udhës që në disa raste të binden.
Një sjellje e vendosur të Europës perëndimore do të ishte e shëndetshme për të gjithë gadishullin sepse thelbi i problemit që konsiston në atë shkëputje të Ballkanit nga Europa, është kthimi i mëpasshëm në Europë.
Disa e mendojnë se do të ishte një luks të ishim europianë. Por për Shqipërinë të hyjë në Europë është çështje “jetë a vdekje”. Për Shqipërinë dhe për të gjithë shtetet ballkanikë. Do të shpëtojë i pari që do ta kuptojë.
Nuk shihni një paradoks që Shqipëria dhe vendet ballkanike duan të hyjnë në Europë pikërisht tani që BE është në krizë?
E di. Po një krizë kontinentale është një gjë e ndryshme nga kriza e vendeve më të vegjël. Unë, si thuhet, nuk jetoj me një idil për Europën. Unë e di si është Europa. Por unë mbroj gjithmonë tezën që ne ballkanasit duhet të jemi europianë me gjërat e mira dhe më pak të mira të Europës, sepse duhet të njohim që ky qytetërim ka gjëra të mira dhe më pak të mira.
Në këta muajt e fundit, kronikat ndërkombëtare janë mbushur me fakte dramatike të Lindjes së Mesme. Tmerri i pengjeve të ekzekutuar, të të krishterëve dhe të jazidëve në arrati prej tokave të tyre, gratë e përdhunuara dhe të shitura. Si mund të mbrohet bota nga ky kërcënim?

Ka disa lloj kërcënimesh nga të cilat bota mund të mbrohet vetëm me një këmbëngulje shumë të fortë, nuk duhet të jesh agresiv por duhet ët jesh i vendosur për t’u mbrojtur. Sepse kur dy forca përplasen ajo që është më e qytetëruar është me e dobët, ose thënë më mirë, duket më e dobët. I forti, i paqytetëruari, e kupton “çmendurinë” e tij si një forcë.
Në shtator, në Kosovë u arrestuan 15 persona të dyshuar për terrorizëm dhe për aktivitete të lidhura me ekstremizmin fetat dhe me rekrutimin e islamikëve të gatshëm për të luftuar krah ISIS dhe Al Nusra-s në Siri dhe Irak, ndërkohë pak javë më parë shkrime të ISIS u shfaqën në muret e manastirit ortodoks të Deçanit në Perëndim të Kosovës. Besoni se prozelitizmi i ekstremizmit islamik mund të ushtrojë ndikim mbi të rinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë?
Po, besoj te një ndikim i kufizuar dhe për një periudhë kohe të kufizuar. Do të jetë vetëm një valë kalimtare. Një grumbullim moskuptimesh. Disa ofrojnë shpjegimin e parehatisë sociale ndaj kësaj për shkak se çështjet sociale fryhen aty ku nuk duan të shihet e vërteta.
Më 9 nëntor e gjithë Europa kujtoi 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Në atë kohë, Europa shkonte drejt fundit të Luftës së Ftohtë, por sot me krizën e Ukrainës duket se po përsëritet një proces largimi mes Rusisë dhe Perëndimit. Vendet e Lindjes, mbi të gjitha vendet baltike dhe Polonia, i druhen shumë aktivizmit të presidentit rus Putin. Ju besoni se mund të përfaqësojë një kërcenim për paqen botërore?
Po, është e mundur. Por varet nga strategjia e përgjigjes, sesi do të përgjigjet Perëndimi.
Çfarë ideje keni krijuar mbi Putinin?
Për fat të keq, populli rus toleron lider të tillë, sepse zgjojnë iluzione. Duhet të kërkojmë ta kuptojmë Rusinë: ka qenë një vend i madh dhe do të kthejë atë prestigj të së kaluarës. Përse vallë Rusia do të rifitojë prestigjin e saj të lashtë? A është kaq i çmuar? Çfarë sensi do të kishte për një vend tre herë më të madh se Europa të rikthehet në prestigjin e së kaluarës? Është një fatkeqësi gjeografike. Njerëzimi duhet të gjejë një mënyrë për ta evituar. Është një sublimim për një vend që është 300 herë më i madh se një vend tjetër.
Disa muaj më parë, presidenti rus Putin ka krahasuar zgjedhjen e Krimesë për aderimin në Federatën rusë me çështjen që solli pavarësinë e Kosovës. Sipas jush a është e mundur të hiqet një paralele mes dy çështjeve?
Nuk besoj. Nuk mund të bëhet paralelizëm, Kosova është një rast shumë i qartë. Është një popull, vazhdimësi i një populli tjetër dhe i së njëjtës histori. Nuk mendoj se Krimea është vazhdimësi e Rusisë, është një rast shumë i ndryshëm.
Mendoni se një ditë, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë?
Nuk përjashtohet, por kjo nuk është në programin e Shqipërisë. Nuk kemi ngritur çështje të tilla. Hyrja e Ballkanit në Europë është shumë e rëndësishme. Shqipëria dhe Kosova apo bashkim i i dy shteteve duke hyrë në familjen e madhe të Kombeve, do të gjejnë në mënyrë të natyrshme zgjidhjen më të mirë.
Sinqerisht nuk mund të parashikoj se ç ‘zgjidhje do të gjendet, por duke qenë Kosova e ngjitur me Shqipërinë, duke pasur të njëjtën histori , të njëjtën gjuhë dhe një moral të përbashkët historik, nuk ka zgjidhje tjetër. Por kjo do të ndodhë kur nuk do të jetë kaq e rëndësishme.
Në qershor, Shqipëria u bë zyrtarisht një shtet kandidat për të hyrën BE. Ju shpesh keni theksuar në të kaluarën rëndësinë e këtij kalimi dhe keni tregu mbi rezistencat e brendshme mbi rrugën e Shqipërisë drejt Europës. A janë akoma këto rezistenca?
Për fat të keq, po. Janë, por janë të izoluara, të kufizuara, janë jashtë kohe, pa logjikë, pa asnjë arsye.
Në librin Mbi Krimet në Ballkan mund të lexohet edhe një këmbim epistolar mes jush dhe një prej personazheve të historisë së vonë botërore. Shumë prekëse letra e dërguar prej jush Papa Gjon Palit II, i shpallur pak muaj më parë shenjtor. Çfarë kujtimi keni për Karol Vojtilën?
Papa Vojtila ishte shumë pranë Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit për dy arsye: së pari sepse kishte një aspiratë europiane në Ballkan, në një univers ku aspirata europiane ishte parë si armike. Përtej kësaj, sillte në të njëjtën kohë një disidencë të brendshme ndaj komunizmit. Ai i kuptonte shumë mirë vendet ish-komuniste, dhe kjo për kohën kishte rëndësi të madhe. Papa Vojtila është i ngulitur thellë në kujtesën tonë.
Papa Françesku e bëri më 21 shtator udhëtimin e tij të parë në Europë, pikërisht në Shqipëri dhe e tregoi vendin tuaj si shembull i bashkëjetesës paqësore mes besimeve fetare. Ku bazohet harmonia fetare në Shqipëri?
Kjo është një harmoni e vërtetë dhe konkrete, jo një metaforë. Nuk është një vizion romantik, por një realitet. Shqiptarët para se të martohen, nuk pyesin mbi besimin fetar të bashkëshorti, por e kërkojnë vetëm pas martese. As nuk interesohen për besimin fetar të Presidentit të Republikës apo të Kryeministrit. Në këto fakte unë gjej konkretësinë e harmonisë.
Madje edhe në SHBA, besimi fetar i kandidatëve për president ka njëfarë rëndësie në terma elektoralë…

Kjo është e vërtetë. Për shembull në vitet ’30, kur ekzistonte një rivalitet i fortë politik mes monarkistëve dhe republikanëve, asnjë nuk theksonte se kundërshtari i Mbretit ishte një peshkop. Por kjo nuk kishte asnjë rendësi.
Fan Noli ishte peshkopi i Shqipërisë, ishte rivali i Mbretit, por askush nuk i kërkonte çfarë feje kishte. Jam interesuar gjithnjë për Fan Nolin, sepse ai bënte pjesë në familjen e madhe të shkrimtarëve.
Megjithatë detyra e tij peshkopiale nuk ishte as forca as dobësia e tij. Fan Noli nuk ka manovruar kurrë mbi besimin fetar si një instrument për të fituar apo humbur betejat e tij politike.
La Republica/MAPO/

Filed Under: Interviste Tagged With: Ballkani ne Europe, bashkimi, Kadare, Shqiperi Kosove

BASHKIMI

October 8, 2013 by dgreca

– Përsiatje nga Pëllumb Kulla/

Fjalën “bashkim” ne e përdorim shumë. Një ditë më lindi dyshimi se unë e përdor atë pa ia ditur kuptimin.  Befas u kujtova se  këtë fjalë e kisha përdorur gjithë jetën. Dhe po gjithë jetën, nuk ia kisha ditur kuptimin e plotë. Në disa raste e kisha përdorur në shkrimet që botoja dhe në shumicën e herëve në kuvende, ku isha duartrokitur si njeri i gjerë, burrë i urtë e patriot i klasit të parë! Ditën që fillova të dyshoj se, megjithqë ishte fjalë shqipe, unë si shqiptar i thekur, i njohur me letrat e me gjuhën, prapëseprapë nuk ia dija kuptimin, vendosa të përpiqem që t’ia shkoqis domethënien e gjerë “bashkimit” dhe mendova se çfarë duhet bërë që të vihet në jetë ai.

     Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e një vargu meditimesh, vura re se “bashkimi” nuk ishte fare gjë e lehtë. Është, dakord, një fjalë e bukur, festive, e ngrohtë, plot emocion, por gati e parealizueshme.

     Bashkim – do të thotë të jetosh afër, të vëllazërohesh me një njeri a një grup njerëzish,  me të cilët deri tani nuk ke qënë bashkë, nuk i ke dashur fare dhe, në të shumtat e rasteve, i ke urryer. Nuk është e lehtë.

     Bashkim – na i thënkëshin pranimit të gabimeve, fajeve, mëkateve që ke bërë ndaj një tjetri. Nuk qënka kollaj.

     Bashkim – do të thotë të falësh. Të falësh në thellësi të shpirtit dëmin që të kanë shkaktuar, gjakun që të kanë derdhur, shnderimet, vjedhjen që të kanë bërë. Të falësh mëkatarët që, të penduar thellësisht, të dalin përpara me kokë ulur e me lotë në sy. Nuk është fare e lehtë  të falësh dhe zor të gjesh mëkatarë e sidomos të penduar! E sidomos në Shqipëri!

     Bashkim, – do të thotë të shikosh prapa dhe përpara, të ndahesh nga ca grupime e të bësh një afrim tjetër të arsyeshëm, të urtë dhe më afër llojit tënd.

     Bashkimi – është rasti, kur pas faljes së sinqertë je i zoti edhe të kapërdish.

     Bashkim, – është një mënyrë të jetuari në harmoni me një njeri a me një grup njerëzish, që shndërrohet në një nevojë të jetuari, kundër një grupi tjetër, kundër shtetesh të tjera e kundër aleancash armiqësore, që nuk të duan as ty dhe as ata, me të cilët u bashkove dhe sidomos nuk duan t’ju shohin bashkë. E vështirë kjo gjë sidomos aty ku duhet më shumë, në viset shqiptare.

     Bashkim, – do të thotë që, pas kësaj, të punosh ca më shumë se ai tjetri, njeriu me të cilin u  bashkove. Do të thotë të luftosh ca më shumë se ai, të shpenzosh më shumë se ai dhe, në rast nevoje, të japësh jetën para se ta japë ai. A jemi ne të tillë?

     Një njeri fal hasmin për gjakun e vëllait, babait a djalit të vetëm, paraqitet në kuvend, i shtrëngon dorën atij që i ka përvëluar shpirtin, përqafet me të dhe, në prani të njëqind burrave të përlotur që duartrokasin, zotohet që të ndërpresë urrejtjet dhe pusitë. Keni takuar njerëz të tillë? Shumë pak. Ju janë dukur të bukur? Të mahnitshëm, pasi kanë ngritur peshë një mal të tërë dhe ne s’kemi qënë veç soditës të mrekullisë.

     Pra “bashkimi”, vëllezër, është një punë e vështirë. Gazetat e shkruajnë, se nuk dijnë ç’të thonë tjetër, politikanët e thonë për t’u dukur, shkrimtarët e shkruajnë për abetaret e librat e këndimit dhe palët kundërshtare në gjirin e një kombi e tellallosin për t’ua lënë kundërshtarëve doçin në derë, me demek “ne kemi bërë thirrje më shumë se ju”.

     Dhe jo njëherë janë parë shqiptarë, që bashkim i thonë gabimisht ujdive për të përfituar, njerëz që urrejnë bashkatdhetarët më shumë se të huajt, njerëz që pasi janë prishur  nisin ta urrejnë shokun e bashkëpuntorin më shumë se atë, që dikur e luftonin së bashku. Ka shqiptarë që në furrën e urrejtjes gatuajnë më shumë mëri të helmët për shqiptarë të tjerë se sa për pushtuesin, qoftë ky italian, grek, gjerman apo serb. Mjaft që të pranohet kjo e nuk është zor të rreshtohen këtu emra ballistësh, komunistësh, legalistësh, socialistësh, demokratësh, disidentësh, reformatorësh, kolaboracionistësh. Nuk është zor të gjesh emra brenda kufijve të Shqipërisë dhe viseve të saj përtej.

      I zorshëm mbetet vetëm ai, BASHKIMI, që ne e përmendim, e shkruajmë dhe e lexojmë çdo ditë. Më kot…      

    Ju lutem e ju përgjërohem, miqtë e mi, mos e përdorni, mos e lodhni, a ndofta mos e ndotni më këtë element vendimtar për jetën e një kombi. Të punojmë që të piqet, ta shohim të mundur, ta shohim të afërt, që të vërsulemi për realizimin e tij.(Dielli-Arkiv-Tetor 2004)

 

                                                             o    o    o

 

Filed Under: Editorial Tagged With: bashkimi, pellumb Kulla, persiatje

NE QENDER TE 100 VJETORIT, BASHKIMI JO NDARJA

November 14, 2012 by dgreca

4 shekuj në mbrojtje të identitetit kombëtar-shembulli i duhur për ne/
100 vjetrori i shpalljes së Pavarësisë sonë kombëtare është eventi më i madh i historisë moderne shqiptare, prandaj në qendër duhet të jetë bashkimi dhe jo ndarja,evidentimi i përpjekjeve të patriotëve të vërtetë dhe jo i tradhëtarëve, i mendjeve të ndritura dhe jo i mendjeve të shkrurtëra. Por i gjithë viti jubilar u shënua nga shumë incidente mes vetë shqiptarëve nga paaftësia e klasës poltike shqiptare që po tregohet e papërmbajtur dhe e nervozuar që në këtë përvjetor vetë ata të mos mungojnë. Cili është kontributi i tyre real? Nuk kanë asnjë gjurmë që të mund të krenohen. Vula e gjurmëve është 100 vjet më parë me disa prej kolosëve që e ideuan. Të duash të shmangësh Vlorën nga festimet me pretekstin se edhe Amerika kështu veproi dikur, është një naivitet kryekëput. E përse duhet ndjekur shembulli amerikan edhe në festën tonë kombëtare? Një prej momenteve për të cilën duhet të krenohemi për historinë tonë është rikthimi i Mesharit të Gjon Buzukut në Atdhe, pasi është dëshmia e parë e identitetit tonë kombëtar e shprehur në gjuhë. I takonte Akademisë sonë që të organizonte një simpozium të madh për këtë gjurmë të gjuhës sonë, por ajo heshti para akademizmit diletant të një kryeministri të kudondodhur dhe në dukje poliedrik. Në Itali u festua 400 vjetori i gjurmëve të para të shkruara të identitetit, i Fjalorit të Akademisë Crusca 1612, por nuk pamë ndonjë politikan që ta rrëmbente mikrofonin dhe të mbante ligjëratë për gjuhën italiane. Tek ne orientime të njerëzve jokompetentë dhe mediokër e futën në sherr edhe gjuhësinë shqiptare me ëndrrat për ta ndryshuar atë letrare, sepse janë bërë padrejtësi ndaj dialekteve. O tempora o moris!

Një përvjetor nuk synon vetëm një datë, por vazhdimësinë e kontributeve për ta pasuruar gjuhën dhe leksikun e saj, ashtu siç bëri në të vërtetë Akademia italiane. Ishte fjalori i parë, pasi nuk e kishte asnjë prej gjuhëve moderne europiane dhe ky event e vendos Italinë në një prej vendeve që gjenialitetin e vet e kanë të shumëfishtë. U desh shumë punë deri në ditët e sotme që të inventarizohej fjalë pas fjale kjo gjuhë dhe shumë akademikë punoin gratis, nga dashuria për gjuhën. Nuk ishin vetëm filologë, por shkencëtarë dhe artistë që u shëndërruan në leksikografë të mirëfilltë për ta evidentuar këtë pasuri. A nuk e bënë këtë gjë edhe studiuesit shqiptarë në vitet e shekullit të kaluar? E kryen me devotshmëri detyrën për ta mbrojtur gjuhën tonë kombëtare, bile vendosën edhe disa standarte që sot disa pseudostudiues po përpiqen që ta përmbysin. Më datën 16 nëntor do të mbahet në Korçë një Akademi me rastin e përvjetorit të 40 të Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe do të dëshiroja që nga soleminiteti i saj të dilnin me një përgjigje të qartë se gjuha jonë letrare nuk është

 

 

një mall që ta shkëmbejmë në treg apo ta sakatosim sa herë që të ndryshojnë mendjet e politikanëve. Në gjuhë ka një natyrë dialektike të zhvillimit dhe nuk mund të veprohet sipas tekave të një grupi shoqëror që as vetë ata nuk dinë ta flasin atë korrekt atë. Çdo gjuhë ka një të shkuar që hedh bazat e saj, një të tashme dhe një të ardhme. A mund ta pranonin italianët një histori të identitetit të tyre pa veprën e Dantes, Petrarkës apo Bokaços? Jo, asnjëherë. Po të gjitha përpjekjet e shumë studiuesve të tjerë deri në ditën e shndërrimti të gjuhës italiane në letrare kombëtare? Përsëri jo, sepse nuk është kompetencë e politikanëve, por e studiuesve dhe vetëm ata e kanë ekskluzivitetin e mendimit final. Nëse një fjalor shfaqet si një regjistër i thesareve gjuhësore, përdoruesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm që shumë prej tyre do të dalin nga përdorimi, do të zëvendësohen me të rinj, në një ripërtëritje  të vazhdueshme.

Pak ditë më parë në një konferencë për gjuhët e Europës dhe mbrojtjen e tyre ku mora pjesë theksova dy gjëra që duhet t’i kemi parasysh : e para se gjuha është mjeti me të cilin ne shprehim filozofinë tonë kombëtare, pra ai nga i cili ne dallohemi në Europë dhe së dyti se gjuha shqipe si një gjuhë e Bashkimit Europian duhet mbrojtur dhe shpëtuar prej ideve të mbrapshta të kodoshëve politikë. Në konferencë doli edhe një ide tjetër shumë interesante që e ilustroi bukur edhe rektori i UPT, z. Kaçani, lidhur me kalimin nga departament të gjuhëve në një qendër tepër funksionale të tyre, ku të përmirësohet kurrikula, infrastruktura dhe t’i jepet përparësi edhe trajnimeve të stafeve dhe të studentëve. Por në këtë ide, mendoj se nuk duhet lënë jashtë gjuha jonë shqipe dhe do të ishte e udhës që një sasi orësh për ta studiuar do të ishte vendimtare. Shpresoj që kjo ide, duhet provuar nëse është efikase më parë, të implementohet edhe në universitetet e tjera shtetërore shqiptare. Ministria jonë e Arsimit duhet të jetë promotorja e universiteteve tona, pasi është tradita e gjatë e Universitetit të Tiranës, por edhe sepse mbahen nga taksapaguesit shqiptarë. Më tej duhen urgjentisht të rishikohen investimet për to, të paktën tek Korpusi qendror, kanë vite që mungojnë. Universiteti i Tiranës është pasaporta jonë kombëtare, pra nuk duhet ta humbim atë, por ta ngrejmë në standartet e Europës.

 Arjan Th. Kallço

Pedagog i Gjuhës italiane

Universiteti Fan S. Noli, Korçë

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Arjan Kallco, bashkimi, jo ndarja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan
  • MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO
  • Bibla e parë
  • Portretizimi i Isa Boletinit sipas gazetës “Fremdenblatt”(1916)
  • Charles McGonigal…
  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT