-Derisa edhe në javën e tretë pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të së dielës së 6 Tetorit 2019 vijohet me numërime dhe rinumërime votash, dy partitë opozitare fituese të zgjedhjeve – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pa pritur rezultatet përfundimtare dhe certifikimin e tyre po zhvillojnë takime drejt marrëveshjes për bashkëqeverisje që Kosova sa më shpejtë të ketë Qeverinë e re/
-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka rifilluar me procedimin e zarfeve me fletëvotime të ndërprerë para 10 ditësh për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me zarfet e ardhura nga Serbia dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme/
-Krijimi i Qeverisë së re të Kosovës – sa ishin vonesat pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të viteve 2014 dhe 2017/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*
PRISHTINË, 23 Tetor 2019/ Në Kosovë, derisa edhe në javën e tretë pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të së dielës së 6 Tetorit 2019 vijohet me numërime dhe rinumërime votash, dy partitë opozitare fituese të zgjedhjeve vijojnë bisedimet për krijimin e Qeverisë së re.
Sot, në vijim të kordinimit për të arritur në marrëveshjen finale të qeverisjes u takuan grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje përbërë nga nënkryetari Besnik Bislimi, anëtarët e kryesisë Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës përbërë nga Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku.
Takimi i mbajtur në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje është i dyti në radhë, pas atij të mbajtur më 18 Tetor. Ky takim do të pasohet nga takime të tjera gjatë dy javëve të ardhshme. Synimi i takimi është përafrimi programor në çështjet e zhvillimit ekonomik, shtetit të së drejtës dhe rendit, arsimit, shëndetësisë, politikave sociale dhe politikës së jashtme.
Takimi i ardhshëm mbahet të hënën me 28 Tetor, në orën 15:00 në zyrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njoftoi mbrëmjen e sotme LVV.
Javën e kaluar dy partitë me përqindjen më të lartë të votave në një deklaratë e përbashkët njoftonin se, në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe LVV-së, në 18 Tetor në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re.
Palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme, bënte të ditur njoftimi i dërguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon me njoftimin se “rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta”, ndërsa bën të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke përfunduar rinumërimi i 530 vendvotimeve pas 314 vendvotimeve të rinumëruara më parë, për të cilat ka vendosur.
Sot zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ekspertë të forenzikës me veshje-masa mbrojtëse kanë hapur dyert e sallës me zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia. Salla ka qenë e mbyllur 10 ditë që nga 13 Tetori, kur 12 zyrtarë verifikues të fletëvotimeve u dërguan për trajtim mjekësor, pasi si u rapotua hapja e pakove-zarfeve me vota nga Serbia helmoi, u shkaktoi alergji, temperaturë dhe vështirësim frymëmarrje 26 zyrtarëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se gjatë ditës së sotme, e mërkurë, ka vijuar me procedimin e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Ky proces, siç dihet, ka qenë ndërprerë me datën 13 tetor, për shkak të ankesave shëndetësore të zyrtarëve që kanë punuar me zarfet e ardhura nga Serbia dhe dyshimeve për praninë e një materie të rrezikshme. Prokuroria dhe Policia kanë filluar zhvillimin e hetimeve dhe kanë marrë provat dhe dëshmitë e nevojshme (material të dyshuara si të kontaminuara) dhe procesi i hetimeve është duke vazhduar.
Pas verifikimeve dhe kontrolleve nga organet kompetente të zhvilluara gjatë këtyre ditëve, sot është konstatuar se tashmë nuk ekziston rrezik i mëtejmë për procedimin e këtyre zarfeve të mbetur dhe nën masa të caktuara mbrojtëse, mund të procedohen më tutje.
Përkundër komplikimeve që janë shfaqur gjatë këtij procesi, KQZ është e përkushtuar që ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor, sigurinë e zyrtarëve operues dhe po ashtu edhe procesin e zbardhjes së këtij rasti.
KQZ falënderon organet kompetente për bashkëpunimin e ofruar gjatë kësaj kohe.
Ende nuk dihet kur do përfundojnë numërimet e rinumërimet e votave dhe kur do shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, derisa në rezultatin preliminar dy partitë opozitare fituese kanë rezultat të afërt me barazimin – Lëvizja Vetëvendosje 25,49% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 24,82% të votave.
Ishte edhe një kërkesë për rinumërim të tërësishëm të votave, të cilën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka dorëzur Nisma Socialdemokrate, koalicioni i së cilës me 4,96% të votave në rezultatin preliminar nuk e kalon pragun prej 5% për të hyrë në përbërjen e ardhëshme të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa mbrëmjen e sotme Nisma Socialdemokrate deklaroi se koalicioni i saj pas rinumërimit të vendvotimeve ka arritur të kalojë pragun – ka 5.5% të votave dhe do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila përmbante 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote, ndërsa sipas të dhënave ende jopërfundimatre pjesëmarrja në votime ishte 44,05%.
I gjithë procesi po monitorohej dhe vazhdon të monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota, janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mes të cilëve korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI.
Dy partitë opozitare fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe pa pritur rezultatet përfundimtare dhe certifikimin e tyre po zhvillojnë takime drejt marrëveshjes për bashkëqeverisje që Kosova sa më shpejtë të ketë Qeverinë e re.
Prandaj, nuk pritet të ketë reprizim vonesash të pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në Kosovë të viteve 2014 e 2017.
Në vitin 2014, në 9 Dhjetor, 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 8 Qershorit, Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme miratoi Qeverinë e re të Kosovës.
Ndërsa, në vitin 2017, Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të 11 Qershorit nisi punën pas tre muajsh në 11 Shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi, pasi u votu në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 Shtator. Megjithatë, në fillim të kësaj jave, shtypi i Kosovës në një kryetitull balline paralajmëronte se egziston “Rreziku për një ngërç tjetër politik”. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që së paku pas 15 ditëve t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 6 Tetorit. Por, sipas analistëve, nëse nuk do të ketë një dakordim të shpejtë mes LVV-së e LDK-së pas certifikimit të rezultateve në Kosovë mund të përsëritet ngërçi politik i 2014-s”, theksonte gazeta Zëri.
*Per me shume fotografi shih ne FB