• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Delawie, mbështetje për fondin e ri amerikan në Kosovë

May 25, 2016 by dgreca

-Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që ka fituar mundësinë e krijimit të programit të nismave “Compact” të MCC-së. Vlera e fondit mund të arrijë në mbi 400 milionë euro, varësisht nga projektet e dorëzuara/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Maj 2016/ Ministri në detyrë i Punëve të  Jashtme, Petrit Selimi, njëherësh udhëheqës i ekipit drejtues i programit zhvillimor të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka pritur sot në zyrën e sapo hapur të këtij programi, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie si dhe zyrtarë të Ambasadës amerikane dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Nga ana tjetër, ambasadori Delawie, deklaroi se e ka pritur me pa durim hapjen e zyrës dhe krijimin e ekipit për programin zhvillimor MCC. Ai ka premtuar mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë të Ambasadës amerikane dhe të personelit të USAID-it për zyrën e MCC-së në Kosovë. Ai tha se “zhvillimi i suksesshëm i këtij programi do të sjellë investime të mëdha në fusha kryesore të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare”.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që ka fituar mundësinë e krijimit të programit të nismave “Compact” të MCC-së. Vlera e fondit mund të arrijë në mbi 400 milionë euro, varësisht nga projektet e dorëzuara.

I shoqëruar nga ekonomisti kryesor i programit, Alban Zogaj, ministri Selimi ka shprehur mirënjohje për interesimin e Ambasadës amerikane për nisjen e këtij programi.

“Qeveria amerikane ka investuar mjete të shumta për zhvillimin e Kosovës, program i ri investimi me të vërtetë përbën një mundësi të veçantë për transformimin e ekonomisë kosovare marrë parasysh metodologjinë e funksionimit të tij por edhe madhësinë e resurseve të disponueshme”, ka thënë ministri Selimi.

Shefi i diplomacisë kosovare gjithashtu njoftoi ambasadorin amerikan për progresin në themelimin e Zyrës kosovare të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit, si dhe për programin e punës përmes të cilit synohet përshpejtimi i përfundimit të kontraktimit të programit të nismave “Compact”, që synon investime në fushat kritike të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare.

Këto fusha, ndër të tjera, përfshijnë arsimin, sundimin e së drejtës, bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe inovacionin.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Delawie, Behlul Jashari, Mbeshtetje, për fondin e ri amerikan

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

May 25, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pamje nga Sheshi Ibrahim Rugova në Prishtinë/

-Kuvendi i Kosovës sot në seanca plenare/

-Në Qeverinë e Kosovës pritet emërimi i zëvendëskryeministrit të parë dhe dy ministrave/

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të miraton projektligje dhe dokumente tjera/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Maj 2016/ Kosova bëhet me ligj për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, i cili u votua sot me shumicë në seancën plenare të Kuvendit që kishte në axhendë shqyrtimin e dytë, pas miratimit në parim në 18 maj me procedurë të përshepejtuar.

Në prezantimin e projektligjit në Kuvend ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha  se “lufta kundër terrorizmit lidhet ngushtë me programin e qeverisë së Kosovës, i cili parasheh qasje proaktive për bashkëpunim ndërkombëtar për parandalimin e pastrimit të parave”, ndërsa theksoi se,”bashkëpunimi dhe ndërveprimi më i mirë me policinë dhe prokurorinë, në këtë drejtim, është jetik”.

Sot, Komisioni për Buxhet dhe Financa prezantoi vlerësimin se Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit duhet sa më shpejtë të procedohet dhe theksoi angazhimet që ligji të jetë në harmoni edhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

Pas kësaj, në leximin e dytë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan 37 amendamentet dhe pastaj në tërësi ligjin me 58 vota pro, 7 abstenime e asnjë kundër.

Edhe tre projektligje të tjera ishin në axhendë në lexim të dytë, por pasi u tërhoq nga qeveria u shty shqyrtimi i njërit prej tyre – Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Me shumicë votash u miratuan dy projektligjet tjera – për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Fillimisht sot, Kuvendi i Kosovës, edhe më tej pa opozitën, u mbledh në vazhdimin e seancës plenare,  të filluar në 18 maj me 20 pika në axhendë, 7 prej të clave mbetën të papërfunduara – të pavotuara, në mungesë të kuorumit. Një nga këto pika ishte shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e  Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961).

Para seancave të Kuvendit, u takua qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të, të 22-tën në vitin 2016, ndërkohë që sipas shtypit të sotëm kosovar kryeministrit Isa Mustafa i kanë shkuar në tavolinë edhe zyrtarisht propozimet e PDK-së për plotësimin e pozitave që kishte Hashim Thaçi deri në zgjedhjen President i Republikës.

Ministër i Punëve të Jashtme është propozuar Enver Hoxhaj, i cili e ka udhëhequr këtë dikaster edhe gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi do të kalojë në  pozitën e zëvendëskryeministrit të parë, e në vend të tij është propozuar Gani Koci, aktualisht zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik.

Kuvendi i Kosovës, në përbërjen aktuale është konstituuar në 8 dhjetor 2014, e një ditë më vonë ka votuar qeverinë e re, plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të para afër dy viteve – të 8 qershorit.

QEVERIA E KOSOVËS NË MBLEDHJEN E 89-TË MIRATON PROJEKTLIGJE DHE DOKUMENTE TJERA

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 89-të të rregullt, të 22-tën në vitin 2016, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Performancën Energjetike në Ndërtesa. Ky Projektligj plotëson obligimet që dalin nga Traktati për Energjinë dhe për Efiçiencën e Energjisë Elektrike. Projektligji plotëson edhe rregullon edhe çështje nga Ligji për Ndërtimin dhe është në përputhje më standardet më të larta evropiane që rregullojnë këtë fushë.

Edhe Projektligji për Ndihmën Shtetërore ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Ky Projektligj përcakton parimet dhe procedurat, kushtet e përgjithshme si dhe rregullat për autorizimin, monitorimin dhe revokimin e ndihmës shtetërore, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës. Miratimi i këtij Projektligji është edhe një obligim që del nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për obligimet materiale, llojet e të mirave materiale, mënyrën e përdorimit dhe kompensimit të tyre. Rregullorja ka për qëllim përcaktimin e obligimeve materiale dhe kompensimin e atyre të dëmtuara, shkatërruara apo të humbura, të dhëna për kryerjen e obligimit material në gjendje të jashtëzakonshme. Ky akt nënligjor derivat nga Ligji për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore në Republikën e Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për aprovimin e klasifikimit të vendeve të punës në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Ky klasifikim është përgatitur nga komisioni i përbashkët qeveritar i Ministrisë Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje është aprovuar Propozimi për përzgjedhjen e modelit të përzier për financimin publik të organizatave jo-qeveritare në Republikën e Kosovës. Me këtë synohet krijimi i një kornize transparente për shpërndarjen e fondeve publike për Organizatat e Shoqërisë Civile dhe OJQ-të,  që është përcaktuar si një nga qëllimet kyçe të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.

Qeveria ka aprovuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM: Pika Kufitare Kapi, Zona Kadastrale Sfircë, Komuna e Kamenicës.

Gjithashtu, është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Kabineti qeveritar është informuar nga kryeministri Mustafa për takimin e zhvilluar me udhëheqjen e Ferronikelit, me përfaqësues të Agjencionit Kosovar  të Privatizimit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, ku është biseduar lidhur me tejkalimin e gjendjes në Ferronikel.

“Është fjala për një firmë e cila ka një pozitë mjaftë të rëndësishme, që punëson rreth 1 mijë punëtorë dhe për cilët ne si Qeveri jemi të interesuar të japim mbështetje dhe të nxjerrim nga kjo situatë në të cilën është”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.

Ministri i Administratës Publike ka njoftuar kabinetin edhe për procesin e hartimit të Projektligjet për Pagat për të gjithë përfituesit nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Ligji, pastrim i parave

Një thirrje nga Tirana…

May 24, 2016 by dgreca

Në foto: Behlul Jashari në Tiranë afër tavolinës së mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 23 mars 2015 /

-Raportimet nga Kosova në Shqipëri nisën me thirrje nga Tirana në ditë zgjedhjesh, para 24 vitesh/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI,  Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 24 Maj 2016/Mëngjesin e 24 majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin në Kosovë.

Një telefonatë e hershme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në Prishtinë.Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga kolegë të mi në Tiranë, ku isha në 1 maj dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.

Një maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996.

Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë maji do jetë i hapur kufiri për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…

Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.

U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po  kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”

Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…

Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i Rilindjes, në Tiranë – në telexin e Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmëve të Shqipërisë – ATSH.

Raportimet për zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare kosovare shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe në Kosovën e asaj kohe, që nisi të dalë nga 18 janari 1991, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, duke sfiduar ndalimin e dhunshëm të gazetës Rilindja. Edhe duke vendosur bashkëpunimet e para me ATSH-në edhe me marrjen e botimin e lajmeve nga kjo agjenci kombëtare-zyrtare shqiptare. Ishin këto fillimet e bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri, që nisën e zhvilloheshin përkundër se ishin të ndaluara nga regjimi okupues në Kosovë.

Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH  edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan tashmë gati çerek shekulli, gjysma e këtyre viteve, të paraluftës, luftës, etj, pa pagë –vullnetarisht.

Ndërkohë, në Ditën e Lirisë së Kosovës, në 12 Qershor  2016 bëhet një vit raportimesh korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli, e cila edhe me vite më për  botonte shkrimet e mia marrë nga ATSH.

Shkrimi i parë enkas për Diellin, botuar në 12 qershor 2015, kishte titullin KUR TRUPAT E NATOS HYNE NE KOSOVE, e nëntitullin: Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja para 16 viteve, NATO nisi të hynte në 12 qershor 1999 ora 05 e 17 minuta.  Në atë vit e orë historike me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare – NATO-s kam hyrë në Kosovë dhe raportuar për ATSH-në e Radio Televizionin Shqiptar.

Në vitin 2015, në nëntor, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë më ndau Çmimin Karriera në një veprimtari të organizuar në qytetin e Prizrenit, për të cilën Dielli ka raportuar mes tjerash:

Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore. Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku’ kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm ‘Rilindjen’. Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi ‘Bujku’ që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992. Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Një thirrje nga Tirana…

Kosova para 23 vitesh: Greva e urisë në kërkim të lirisë, në mbrojtje të fjalës shqipe, Rilindjes

May 22, 2016 by dgreca

Në foto: Korrespondenti i Gazetës Dielli në Kosovë, Behlul Jashari flet në një film dokumentar derisa raportonte për ATSH-në në mbrëmjen e 31 majit 1993 nga telexi në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, ku zhvillohej greva e urisë e gazetarve e shkrimtarëve shqiptarë në mbrojtje të fjalës shqipe dhe në kërkim të lirisë/

-Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur./

LIDHJA PER DOKUMENTARIN:

https://www.youtube.com/watch?v=Qn0U61s8GQo

Kosova para 23 vitesh: Greva e urisë në kërkim të lirisë, në mbrojtje të fjalës shqipe, Rilindjes

-Trokëllima e telexit të raportimeve që bëja për ATSH-në hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe, derisa nis rrëfimi: Në mbrojtje të fjalës së lirë, kundër dhunës, Adem Demaçi…/

-Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…/

-Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte/

-Në filmin dokumentar shihet: data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Maj 2016/ Në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Rilindjes, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi serb, në Kosovë para 23 vitesh është zhvilluar greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë.

Dita e fillimit të grevës ishte 24 Maji 1993. Pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

Trokëllima e telexit të raportimeve që bëja për ATSH-në hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe, derisa nis rrëfimi: “Në mbrojtje të fjalës së lirë, kundër dhunës, Adem Demaçi, i dënuar i ndërgjegjës, i cili në ish-Jugosllavi vuajti 28 vjet burg, bartës i Çmimit Saharov, tani kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, më 24 maj 1993 hyri në grevë urie, të cilës së shpejti iu bashkangjitën edhe…”

Derisa zhvillohet greva, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Telexi ishte lidhja e vetme e mundshme dhe me shumë vështirësi e komunikimit nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, edhe në ata mbrëmje të 31 majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, kur dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej nga 24 maji deri në  03 qershor të vitit 1993, në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai, mes tjarash.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe në Kosovën e asaj kohe, që nisi të dalë nga 18 janari 1991, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, duke sfiduar ndalimin e dhunshëm të gazetës Rilindja, edhe duke vendosur bashkëpunimet e para me ATSH-në edhe me marrjen e botimin e lajmeve nga kjo agjenci kombëtare-zyrtare shqiptare. Ishin këto fillimet e bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri, që nisën e zhvilloheshin përkundër se ishin të ndaluara nga regjimi okupues në Kosovë.

Kishte shumë ndalime…

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për ATSH, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në dokumentar shihet: data 31 maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas lirisë epavarsisë u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës.

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë, në 23 maj 2015, u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit, në një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nga Pallati i Shtypit Rilindja në 24 majin 1992, të para 24 viteve, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare kosovare shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”.

 Në Pallatin e Shtypit Rilindja ishte edhe Zyra e Agjencisë Shqiptare të Lajmeve ATSH, të cilën në 1 tetorin e vitit historik të lirisë 1999 korrespondentit në Prishtinë ia dha qeveria e përkohëshme e Kosovës edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova edhe kur kjo dukej thuaja e paimagjinueshme dhe e pamundshme, e ishte me shumë rreziqe dhe e ndaluar nga regjimi okupator – shtetrrethimi që kishte instaluar Beogradi.

E tash, në Kosovën e lirë e të pavarur, pranë Newborn, simbolit të Pavarësisë, valon  një flamur i madh i shtetit të ri me 111 njohje, me ngjyrë ari dhe blu, i ngritur lart në ndërtesën e re qeveritare 18 katëshe – Pallatit me emrin e gazetës tradicionale historike Rilindja, e cila kishte nisur të dalë në 12 shkurt 1945 në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pak kohё pas Konferencës së Bujanit e në frymën e saj, me shkronja plumbi që ishin sjellë me arka nga Shqipëria, nga ishin dërguar edhe qindra mësues për hapje të shkollave shqipe…

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari, Kosova para 23 vitesh: Greva e urisë në kërkim të lirisë, në mbrojtje të fjalës shqipe, Rilindjes

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë nis mbledhjen në Prishtinë

May 16, 2016 by dgreca

-Në takimet e veçanta me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.

 –Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, mbërrinë në Kosovë, ku nesër merr pjesë në sesionin e fundit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, ndërsa në axhendë ka edhe pjesëmarrjen në hapjen e konferencës “MSA – Stimulimi i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”, si dhe takimet me drejtuesit më të lartë institucionalë e politikë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Maj 2016/ Në Prishtinë, në sallën plenare të Kuvendit kosovar, nisi sot pasdite mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, e cila do vazhdojë edhe nesër.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, mbërrinë në Kosovë, ku nesër merr pjesë në sesionin e fundit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim, ndërsa në axhendë ka edhe pjesëmarrjen në hapjen e konferencës “MSA – Stimulimi i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”, si dhe takimet me drejtuesit më të lartë institucionalë e politikë.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, e cila po vazhdon punimet, po merr pjesë delegacioni i Parlamentit Evropian, kryesuar nga Tonino Picula, ku janë edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, si dhe europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward.

Pjesëmarrës janë edhe liderë institucionalë të vendit, ndërsa në takimet e veçanta me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.

Krerët e shtetit kosovar kanë shprehur mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.

 I krijuar në Kuvendin e Kosovës, para më shumë se një muaji Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim ka mbajtur mbledhjen e tij të parë – konstituive, ku miratoi Rregulloren e Punës, si dhe draftaxhendën e takimit të sotëm të parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë-BE.

Këtë vit, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

AXHENDA E MBLEDHJES SË KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR STABILIZIM ASOCIIM (KPSA), BE-KOSOVË:

Të hënën, më 16 maj 2016, në orën 16:00-18:30, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës.

Të martën, më 17 maj 2016, në ora 9:00-12:30, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës.

R E N D I I D I T Ë S

Për të hënën, 16 maj 2016, 16:00-18:30,

1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Miratimi i draft Rregullores së Punë së KPSA-së;
3. Gjendja e marrëdhënieve BE-Kosovë;
4. Dialogu politik dhe funksionimi i institucioneve demokratike;
5. Marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal, duke përfshirë dialogun e lehtësuar mes Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja;
6. Zhvillimi ekonomik në lidhje me sundimin e ligjit, përfshirë luftën kundër korrupsionit.

Për të martën 17 maj 2016, 9:00-12:30

7. Fuqizimi i rinisë dhe anti-radikalizmi;
8. Dialogu social, shëndetësia dhe arsimi;
9. Mbrojtja e të drejtave të njeriut, në veçanti të grupeve vulnerabël dhe e pluralizmit të mediave;
10. Miratimi i rekomandimeve;
11. Çështje të tjera;
12. Data dhe vendi i takimit të radhës së KPSA-së.

PRESIDENTI THAÇI: PËR KOSOVËN ËSHTË HAPUR NJË KAPITULL I RI EVROPIAN

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, të cilët i falënderoi për vizitën e tyre, duke thënë se për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian.

“Ky është vit evropian, është një bazë e fuqishme për shtetin tonë, duke filluar nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fillimi i zbatimit të saj, si meritë dhe punë e institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh obligimet e reja implementuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi shprehu mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.

I pari i vendit theksoi se kulmi i këtij suksesi është arritur me përmbushjen e të gjithë kritereve për rekomandimin për liberalizimin e vizave, me ç’rast u zotua se edhe si President i Kosovës do të mbetet i përkushtuar për kryerjen e të gjitha obligimeve që të ndodhë liberalizimi sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë grupet e veçanta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Këto ditë janë pozitive për Kosovën edhe për sa i përket anëtarësimit të shtetit tonë në UEFA dhe FIFA, prandaj po ndodhin hapa të rëndësishëm për të ardhmen evropiane dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë takim u diskutua edhe për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’rast presidenti Thaçi tha se Kosova vazhdimisht po ofron argumente edhe më bindëse për Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që të kompletohet njohja evropiane e Republikës së Kosovës.

“Kosova ngulmon për zbatimin e të gjitha kritereve dhe reformave demokratike, qoftë në legjislacion, ekonomi apo në politikë, dhe se do të vazhdojë dialogun e brendshëm, sidomos tani pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e institucioneve të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, me theks të posaçëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve të tjera negative.

Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale.

MUSTAFA: MSA-JA, BAZA KONTRAKTUALE E KOSOVËS EVROPIANE

Marrëveshja për Stabilizim Asociim është baza kontraktuale e Kosovës evropiane, tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili do të marrë pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim, duke nisur sot pasdite dhe nesër në Prishtinë.

Në kuadër të këtij delegacioni, të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ëard.

Kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë, me theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, në proceset eurointegruese dhe anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare.

Duke veçuar rëndësinë që ka për Kosovën hyrja në fuqi e MSA-së, kryeministri Isa Mustafa tha se ky dokument kontraktual i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset tjera evropiane, duke pasur parasysh edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Kryeministri poashtu foli për hapat konkret që Qeveria po ndërmerr në zbatimin e MSA-së, në mënyrë që ajo të jap efektet e pritura në të gjitha fushat e jetës.

Kryeministri Mustafa theksoi edhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit dhe stigmatizimit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim.

“Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e vendit janë të përkushtuar në realizimin e reformave eurointegruese dhe në fuqizimin e gjithanshëm të shtetit dhe progresit në Kosovë”, tha kryeministri, duke shprehur mirënjohje për Parlamentin Evropian, për eurodeputeten Lunacek dhe të gjithë pjesëtarët tjerë, për përkrahjen e jashtëzakonshme për proceset në Kosovë.

Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.

VESELI: SHPRESOJMË DERI MË 2018 KOSOVA DO TË APLIKOJË PËR STATUSIN E VENDIT KANDIDAT PËR NË BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Komisionin e Parlamentit Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, i cili, tani, pas nënshkrimit të MSA-së, ka hyrë në një fazë të re dhe më dinamike të marrëdhënieve.

Kryetari Veseli falënderoi europarlamentarët evropianë dhe veçanërisht kryesuesin e delegacionit, Picula, për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe punën e madhe në raport me Kosovën, e cila u kurorëzua me nënshkrimin e MSA-së.

Takimin e sotëm midis dy komisioneve homologe, kryeparlamentari Veseli e cilësoi moment historik për Kosovën dhe Kuvendin e saj, sepse, siç theksoi ai, është hapi i parë institucional i zyrtarizmit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili bëhet në Kuvendin e Kosovës.

Kreu i Kuvendit tha se integrimi në BE është prioritet i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe prioritet nacional i të gjithë spektrit politik në vend, ndërsa institucionet janë të përkushtuara të plotësojnë secilin standard i cili i kërkohet Kosovës në rrugën e saj drejt këtij procesi, me theks të veçantë, në përafrimin e legjislacionit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

“Shpresojmë që brenda mandatit aktual të Kuvendit, pra deri më 2018, do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, theksoi kryetari Veseli.

Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, nga ana e tij, uroi kryetarin Veseli për vendimet shumë të rëndësishme për Kosovën gjatë muajve dhe javëve të fundit, duke konfirmuar vazhdimin e përkrahjes së PE-së edhe në të ardhmen. Ai potencoi angazhimet që duhet ndërmarrë gjatë periudhës në vijim, në funksion të luftës së mëtejmë kundër dukurive negative.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Komisioni Parlamentar, ne Prishtine, nis mbledhjen, për Stabilizim Asociim BE-Kosovë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 175
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT