-2015-ta në tre vendkalimet kufitare me rritje fluksi 26.75% për njerëzit e 14.1% për automjetet krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 të automjeteve/
-Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Janar 2016/ Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, bën të ditur Policia e Kosovës për korrespondentin në Prishtinë të Gazetës Dielli.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Në 2015-tën, për personat, në Vërmicë-Morinë kishte 4680444 hyrje-dalje – 2540986 hyrje e 2139458 dalje; në Qafë Prush 262017 hyrje-dalje – 158759 hyrje e 103258 dalje; në Qafë Morinë 469777 hyrje-dalje – 255281 hyrje e 214496 dalje.
Për automjetet, në Vërmicë-Morinë kishte 1532933 hyrje-dalje -791049 hyrje e 741884 dalje; në Qafë Prush 119887 hyrje-dalje – 65166 hyrje e 54721 dalje; në Qafë Morinë 197167 hyrje-dalje – 105612 hyrje e 91555 dalje.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën.
Statistikat janë njoftuar nga Major Baki Kelani, Shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fluks fundjave në hyrje kalohet për 03-05 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, nuk ka pritje, kalohet për më së shumti tre minuta.
Kosovë-Opozita proteston kundër qeverisë
-“Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, ka bërë thirrje opozita/
-Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”/
FOTO: Sot ne protesten e Opozites, e cila ne fund degradoi ne dhune dhe flake nga bombat molotov qe u hodhen kunder godines qeveritare/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Janar 2016/ Opozita e bashkuar ka organizuar sot ardhje nga gjithë Kosova për t’u mbledhur në Prishtinë në ora 14:00 te Biblioteka Kombëtare “për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër qeverisë antikushtetuese”.
Ndërsa, qeveria e Kosovës nga mbledhja e pasditës së djeshme, e dyta brenda ditës, u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë.
“Numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”, theksonte në një njoftim Lëvizja Vetëvendosje në mesnatën e mesit të dhjetorit 2015, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të natës kishte mbajtur seancë në sallë alternative, derisa deputetët e opozitës kishin qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në 21 dhjetor 2015, qeveria kosovare deklaronte se, “shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.
“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, theksonte deklarata.
Para protestës së sotme në Prishtinë, liderët e opozitës kanë deklaruar se, “në 9 janar është dita e protestës gjithëpopullore, kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës dhe kundër shkelësve të Kushtetutës” dhe se, “qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit”.
“Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, ka bërë thirrje opozita.
Në një deklaratë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.
Policia e Kosovës “apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”.
AAK: POLICIA PO I PENGON PROTESTUESIT
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njofton: Policia e Kosovës, ka filluar t’i ndalojë qytetarët që janë nisur për protestë pa asnjë arsye. Ata kanë ndaluar kolonën me makina e autobusë në udhëkryqin e Klinës, gjoja për të legjitimuar qytetarët.
I bëjmë thirrje policisë së Kosovës që të mos ndërhyjë me arsyetime banale, dhe të lejojë qytetarët që të qarkullojnë të lirë dhe të mbërrijnë në protestë, sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligj, dhe policia nuk mund ta shkelë atë.
Është moment i ndjeshëm dhe policia duhet t’i kontribuojë mbarëvajtjes së protestës, shprehet AAK.
Kosovë-Qeveria nis vitin 2016 me plan pune të miratuar
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë të vitit 2016, në 8 janar/
-Rritja e pensioneve, vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin 2016/
-Komision për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990/
-Qeveria e Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës nisi vitin 2016 me rritje pensionesh, me plan pune të miratuar në fundvitin 2015, njofton nga mbledhja korrespondenti i gazetes Dielli.
Rritja e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ishte vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin e ri 2016, në mbledhjen e mbajtur sot paradite, ku u paralajmërua edhe formimi i një komisioni për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, në rrethanat e okupimit, në lëvizjen për liri e pavarësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014.
Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e parë për këtë vit, kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, çështjen e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet për ligjin për pagat.
Sipas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, çdo pensionisti i cili ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontributiv i cili është sot 140 euro të ngritët në 158 euro si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera.
Kryeministri Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës.
“Në mungesë të dokumentacionit të kompletuar për këtë pjesën tjetër të përvojës qoftë gjatë okupimit, qoftë gjatë luftës dhe me këtë po arrinë baza e pensionit kontributdhënës në 158 euro. Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen dhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimi në pensionet kontributdhënëse”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se efektet e këtij vendimi më pas do të jenë në përputhje me nivelin e shkollimit dhe kualifikimeve.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se afati që kjo të përfundohet është deri në fund të shkurtit me kusht që shtesën tjetër për pensione ta marrin nga 1 janari i këtij viti.
Lidhur me çështjen që hapi në mbledhjen e sotme të qeverisë ministrja Edita Tahiri që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së punonjësve të cilët kanë punuar në institucionet e Kosovës në kohën e okupimit, kryeministri Mustafa tha se mbetet çështje në të cilën duhet të punohet, duhet të përcaktohen kritere dhe të gjithë atyre pastaj që kanë punuar në atë periudhë dhe kanë kontribuar t’ju njihet ajo përvojë e punës, dhe që në kritere të përcaktohet se në çfarë forme do të identifikohet ajo përvojë dhe do të dëshmohet përvoja e tillë.
Kabineti qeveritar miratoi edhe konkluzionet e dala nga takimi i Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të qeverisë u mor vendimi për themelimin e Grupit Negociator për përkrahje Buxhetore lidhur me Reformën e Administratës Publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 68-të, të parën në vitin 2016, të cilin e nisi me plan pune të miratuar.
Plani vjetor i punës së qeverisë së Kosovës për vitin 2016, i miratuar në mbledhjen e fundit të 2015-tës, në 30 dhjetor, është koordinuar dhe përgatitur nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, pas pranimit të propozimeve fillestare nga të gjitha ministritë.
Plani vjetor i punës përmban 5 prioritete strategjike të qeverisë, objektivat sektoriale dhe planet e ministrive, përfshirë dokumentet strategjike dhe programin legjislativ për 2016-tën.
Në mbledhjen e miratimit u theksua se, plani i punës për 2016-ën është instrumenti kryesor i cili shërben për zbatimin e prioriteteve dhe të politikave të përcaktuara në programin e punës së qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe mekanizmi institucional vjetor i cili shërben për të zbatuar në praktikë planin katër vjeçar të qeverisë 2015-2018, i cili buron nga programi i saj politik.
Po ashtu, Plani vjetor i punës së qeverisë për 2016-tën është në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit qeverisës, duke nisur nga prioritetet e vendosura edhe dokumentet tjera të rëndësishme të qeverisë së Kosovës si Strategjia kombëtare për zhvillim 2015-2020, programi i reformave ekonomike etj, drejt integrimit evropian.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, ka më shumë se një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Ndërsa, për nesër në Prishtinë, opozita kosovare ka paralajmëruar protestë. “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
KOSOVË-KRYEMINISTRI MUSTAFA NJOFTON PENSIONISTËT ME VENDIMIN E QEVERISË PËR RRITJEN E PENSIONEVE
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti në takim drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi. Ky takim vjen menjëherë pas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve.
Kryeministri Mustafa i ka njoftuar pensionistët për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës për rritjen e pensioneve bazë të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro, duke e konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm që merret në fillim të këtij viti.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për kontributin e madh që pensionistët kanë dhënë për Kosovën, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për të gjithë pensionistët kosovarë.
Pas takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, mbajtën konferencë për gazetarë.
“Sot kemi marrë një vendim i cili përcakton bazën dhe njeh përvojën e punës pas 15 viteve punë, ashtu siç e përcakton ligji, dhe krijohet baza e re e pensionit kontributdhënëse e cila është 158 euro. Mbi këtë bazë do të bëhen kalkulimet e tjera të nevojshme për kategorizimin e mëtutjeshëm të bazuar në kualifikimet shkollore të cilat do t’i sjellin pensionistët kontributdhënës”, tha ministri Abrashi.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi kryeministrin Mustafa, ministrin Abrashi dhe qeverinë në përgjithësi, për përpjekjet e tyre që pensionistët kontributpagues njëherë e përgjithmonë t’i realizojnë të drejtat e tyre. “Ligji për skemat pensionale është miratuar dhe ka hyrë në fuqi më 20 qershor 2014, por që erdhi deri te 1 janari i vitit 2016 i cili do të aplikohet. Ligji dhe udhëzimi administrativ i parasheh kategorizimin. Ne arritëm një marrëveshje me Kryeministrin dhe Ministrin që të fillohet me 158 euro bazë, ndërsa pjesa tjetër, diferenca për kategorizim të paguhet sipas kategorive, koeficientëve dhe ato kurdo që të mbërrijnë dokumentet në Ministri, realizimi i kompensimit të bëhet nga 1 janari. Ka edhe shumë çështje të tjera që do t’i bisedojmë, siç është çështja e përvojës së punës, çështja e kompensimeve të marra nga Serbia, por edhe çështje tjera që bashkë me Ministrinë duhet t’i realizojmë për këto kategori”, tha kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës./b.j/
Kosova drejt zgjedhjes së Presidentit të Republikës
– Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Mandati im përfundon më 6 prill 2016/
-Shtypi: PDK e LDK duan votimin e Thaçit për president më 11 shkurt/
-Sipas marrëveshjes PDK-LDK për bashkëqeverisje, Hashim Thaçi është zëvendëskyeministër i parë dhe ministër i Jashtëm derisa të zgjedhet President i Kosovës, pas mandatit të Presidentes aktuale/
– Kushtetuta: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Janar 2016/ “Mandati im përfundon më 6 prill 2016”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një intervistë në shtypin e Prishtinës në prag të festës së Vitit të Ri, ndërsa sot në një kryetitull gazete theksohet se, “PDK e LDK duan votimin e Thaçit për president më 11 shkurt”.
Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë dakorduar që 11 shkurti të jetë data kur do të hidhet në votim në Kuvend kandidati i tyre konsensual për president, Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të afërta me dy partitë kanë bërë të ditur se ka marrëveshje edhe për rikompozim të disa resorëve kryesorë në qeveri.
“Liderët e dy partive, Thaçi e Mustafa, janë marrë vesh që votimi të bëhet në pjesën e parë të periudhës së paraparë me ligj (Ligji për presidentin v.j.), që i bie në muajin shkurt, si dhe janë marrë vesh për ndërrimin e udhëheqësve të dy ministrive, asaj të Jashtme dhe asaj të Brendshme”, kanë bërë të ditur burimet nga mazhoranca, cituar nga gazeta.
“LDK-ja e sigurt: Thaçi president”, është kryetitulli në ballinë te Zëri.
Sipas kësaj gazete, koalicioni qeverisës PDK-LDK duket krejt i qetë para zgjedhjes së ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, në postin e presidentit të Shtetit, duke u bazuar në marrëveshjen për koalicion. Të dyja partitë janë të bindura se pavarësisht “rebelimit” të disa ligjvënësve të mazhorancës, do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme që kreut të PDK-së Hashim Thaçit, t’ia sigurojnë një mandat pesëvjeçar në krye të Shtetit.
Këta deputetë, që janë kundër Thaçit president, thonë se nuk kanë ndërruar qëndrim dhe se nuk do të kishte logjikë që të votojnë kundër liderit të tyre për kryeministër, pikërisht për shkak të koalicionit me PDK-në, e të votojnë pro Hashim Thaçit për president.
Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës sigurojnë se do ta realizojnë marrëveshjen e koalicionit qeverisës, për ta zgjedhur kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, në postin e presidentit, ashtu siç janë marrë vesh, përfundon citimi nga gazeta.
Atifete Jahjaga u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 7 prill 2011, pasi Behgjet Pacolli në fundin e marsit la postin e presidentit kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.
Me atë rast Kuvendi miratoi një Rezolutë në mbështetje të Memorandumit të Marrëveshjes në mes të Behgjet Pacollit, Isa Mustafës (LDK) dhe Hashim Thaçit (PDK), të nënshkruar më 6 prill 2011. Marrëveshja ishte lehtësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë në atë kohë, Christopher Dell.
Marrëveshja përfshinte edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta, dhe sipas saj zgjedhjet presidenciale, por edhe ato parlamentare do mbaheshin më herët se që ishte e përcaktuar me Kushtetutë. Por, ndryshime kushtetuse për zgjedhjen e presidentit nuk u bënë dhe do të zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës.
Komisioni për ndryshime kushtetuese kishte dërguar që në pranverën e hershme njëmbëdhjetë amendamente për ndryshimin e Kushtetutës në Parlament dhe prej andej ato ishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte kërkuar një opinion të presidentes lidhur me këto ndryshime. Presidentja Jahjaga në përgjigjen e saj ka theksuar se propozimi për shkurtimin e mandatit të saj nuk është në pajtim me Kushtetutën.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka mandatin e plotë meqë ndërprerja e mandatit do ishte jokushtetues, sipas vendimit që Gjykata Kushtetuese mori në 6 Korrik 2012 në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas Kushtetutës, “Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë”, zgjedhja “duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
“Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë”, përcakton Kushtetuta.
Sipas marrëveshjes PDK-LDK për bashkëqeverisje, Hashim Thaçi është zëvendëskyeministër i parë dhe ministër i Jashtëm derisa të zgjedhet President i Kosovës, pas mandatit të Presidentes aktuale Atifete Jahjaga.
Në një situatë të “ngrirjes” politike, në mbrëmjen e 19 nëntorit 2014, dy partitë më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK arritën pajtimin në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara të Kosovës. Plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, në 8 dhjetor të atij viti u konstituua Kuvendi, i cili të nesërmen zgjodhi qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa-lideri i LDK-së.
“Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”, përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, prandaj Hashim Thaçi nëse zgjedhet President gjatë ushtrimit të këtij funksioni nuk mund të jetë lider i PDK-së.
Kosovë-Dimër me dëborë
-Javë me reshje, pas dëborës së parë në 2016-tën/
-Trafik në kushte dimri, pa pritje e pa kolona në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri/
-Në rrugët e Kosovës, në 24 orët e fundit 109 aksidente/
PRISHTINË, 4 Janar 2016-B.Jashari/* Në Kosovë, këtë javë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të kohë pas kohëshme të shiut dhe dëborës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë pesë ditëve temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 1 gradë celsius, kurse maksimalet e ditës nga zero ditën e hënë deri 8 gradë celsius të premten. Do të fryjë erë kryesisht nga jugu dhe verilindja me shpejtësi 1-6 metra në sekondë.
Kosova është mbuluar dje bardh nga dëbora e parë e vitit 2016. Reshjet nisën në orët e herëshme para mëngjesit.
Trafiku zhvillohet në kushte dimri. Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë-Morinë, ku kalohet nëpër autostradë, dhe në Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, nuk ka pritje e kolona, kalohet për 1 deri në 5 minuta, sipas njoftimeve në këto momente të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Në Kosovë, në 24 orë kanë ndodhur 109 aksidente në trafikun e zhvilluar në kushte të reshjeve të dëborës dhe si pasojë e pakujdesisë dhe mungesave të pajisjeve dimërore për automjetet.
Në kryeqytet, Prishtinë, në katër raste të aksidenteve zingjirore janë përfshirë 44 autovetura, bën të ditur Policia e Kosovës.
Sipas raportit të 24 orëve të fundit, të dërguar nga Policia, në asnjërin nga 109 aksidentet nuk ka pasur humbje jetësh, ndërsa në 19 kishte të lënduar, e në 90 të tjerat ka vetëm dëme materiale.
Referuar kushteve atmosferike si dhe numrit të lartë të aksidenteve, Policia e Kosovës bën apel tek të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë dispozitat ligjore, të iu përmbahen kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, të posedojnë pajisjet dimërore, përfshirë edhe gomat, që të parandalohen aksidentet dhe të ketë një siguri më të madhe në trafik.
Në të kundertën, Policia e Kosovës paralajmëron se do të merr masa ligjore ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.
Në mëngjesin e 27 nëntorit 2015, më pak se një muaj para ardhjes së dimrit me kalendar, kryeqyteti Prishtina zbardhi me dëborën e pare të këtij dimri, të reshur edhe në anë tjera të Kosovës.
* Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Reshje dëbore në Kosovë, mbrëmja e 3 janarit 2016
- « Previous Page
- 1
- …
- 199
- 200
- 201
- 202
- 203
- …
- 245
- Next Page »