-Zbatim marrëveshjes Shqipëri-Kosovë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë/
-Rol dhe kontribut i madh i mërgatës shqiptare në historinë e popullit shqiptar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, sot në Prishtinë mori pjesë në nisje të takimeve të grupeve të punës për jetësimin e marrëveshjes Kosovë –Shqipëri për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Ne jemi këtu jo vetëm për të thënë që e mbështesim politikisht, por sepse është detyra e çdo qeverie të kontribuojë për identitetin kombëtar, gjuhën e kulturën shiptare”, u shpreh ajo.
Ministrja Nikolla tha se, edhe pse sot është takimi i parë kur grupet e punës fillojnë t’i bashkërendojnë aktivitetet, gjatë këtij tetëmujori, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së përbashkët mes dy qeverive shqiptare, Ministria shqiptare e Arsimit dhe e Sportit ka ecur në këtë drejtim, duke iu qasur secilës prej dymbëdhjetë neneve të marrëveshjes.
“Në Shqipëri e kemi filluar punën me reformën e teksteve shkollore, duke mundësuar një dokument të përbashkët të vlerësimit të këtyre teksteve”, tha ministrja shqiptare, Nikolla.
Ajo theksoi se duhet të jemi përkrah mësuesve shqiptarë në diasporë, duke i ndihmuar që të performojnë më mirë, të jenë në lartësinë e detyrës, në lartësinë e kërkesave që ka edhe kjo marrëveshje e përbashkët e tre ministrive.
Në nisje të punës së grupeve të ekspertëve ishin të pranishëm edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, mikpritës i takimit.
“Plotësisht e mbështesim intensifikimin e punës së grupeve teknike, meqë marrëveshja që kemi firmosur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive ka qenë një marrëveshje e nevojshme, sepse jemi zotuar se si dy shtete, si dy qeveri të punojmë bashkë në ndërtimin e standardeve të mësimit unik për diasporën”, tha ministri Bajrami.
Ai vijoi se diapsorës duhet t’u ofrojmë një mësimdhënie cilësore në kushtet që ata mund ta marrin në kushtet e akomodimit brenda sistemeve juridike të qeverive të ndryshme.
“Dëshiroj që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë të kërkoj një dinamizim të punës, të shohim një plan konkret të punës, në mënyrë që të fillojmë t’i sendërtojmë përcaktimet e marrëveshjes ndërshtetërore”, u shpreh ministri Bajrami.
Takimin e hapi ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili, pasi i përshëndeti të pranishmit, foli për rëndësinë që ka marrëveshja e përbashkët për organizimin e mësimit shqip në diasporë, për rolin dhe kontributin e madh të mërgatës shqiptare në historinë e popullit shqiptar, për organizimin vullnetar të mësimit shqip në diasporë, por edhe për ndihmën dhe financimin e arsimit shqip në vitet më të rënda të Kosovës.
“Ka ardhur koha që edhe institucionet tona të bëjnë diçka për diasporën tonë, dhe kjo më së miri mund të bëhet përmes organizimit të përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe”, tha ai.
Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë, vijoi ministri Murati, është një aset i jashtëzakonshëm, sepse mban lidhjet me vendin, me trevat shqiptare, por, njëkohësisht, kjo lidhje mund të jetë me përfitim të dyanshëm: mbajtja gjallë e mësimit shqip bëhet që këta njerëz ta kenë vendin më afër dhe të jenë çdoherë urë komunikuese midis vendit ku jetojnë dhe vendit tonë, qoftë në fushën e arsimit, qoftë në fushën e shkencës, në atë të kulturës apo në fushën e investimeve.
“Jemi mbledhur këtu që ta japim përkrahjen politike në punën e këtyre grupeve që do të punojnë për jetësimin e marrëveshjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Marrëveshja parasheh shumë çështje që duhet të trajtohen, që nga kurrikulat, tekstet mësimore, rekrutimi i arsimtarëve, një çështje shumë e ndjeshme, cilësia e mësimit e deri te çështjet që kanë të bëjnë me financimin e programeve, unifikimi i metodologjisë së punës, që përmes futjes së metodologjive të reja në mësimin e gjuhës shqipe ta bëjmë atë më atraktiv, të gjejmë mënyra që t’u qasemi më lehtë nxënësve shqiptarë kudo në diasporë”, tha ministri Murati.
Po ashtu, vijoi ai, në këtë proces pune duhet të involvohet edhe diaspora, që edhe ajo të jetë pjesë e këtyre grupeve punuese.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se ndihet shumë i nderuar që merr pjesë në këtë takim të parë të grupeve punuese që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve për t’u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët.
“Të ndërgjegjësohet i gjithë faktori shqiptar, intelektual për të pasur një gjuhë të përbashkët, një standardizim të gjuhës shqipe në diasporë”, theksoi ambasadori shqiptar Minxhozi.
Takimi me grupet e punës do t’i vazhdojë punimet edhe nesër, kur do të dilet edhe me konkluzione dhe rekomandime.
Në mbledhjen e dy qeverive, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, në Tiranë, në 23 mars 2015, që pasonte të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në Tiranë, në tetor 2015, diskutuan për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Njoftimi i ministrisë kosovare theksonte se, krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.
Policia e Kosovës: Masa të nevojshme për ofrimin e sigurisë së lartë
-Policia: Protestuesit e dhunshëm kanë gjuajtur zyrtarët policorë, automjetet policore me mjete të rrezikshme duke përfshirë edhe koktej molotovi. Në bazë të informacioneve të deritanishme janë lënduar 6 zyrtarë policorë. Një protestues po ashtu ka pësuar lëndime. Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre deri tani kanë arrestuar 2 protestues të dhunshëm/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Policia e Kosovës, deklaroi sot se si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë së lartë, lidhur me vizitën e mbretit të Jordanisë dhe delegacionit mbretëror, që realizohet sot në Republikën e Kosovës.
Me qëllim që kjo vizitë të realizohet sipas planifikimeve operacionale policore, duke filluar nga ora 08:00 deri 14:00, sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë është mbyllur për qarkullim, si dhe ka pasur ndërprerje të përkohshme të disa akseve rrugore përgjatë kohës së kalimit të eskortës së mbretit të Jordanisë.
Lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, referuar vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe me kërkesë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, brenda në sallën e Kuvendit për ofrim të sigurisë në formë kordoni janë vendosur zyrtarët policorë të sigurimit.
Zbatimi i ligjit dhe vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtja e qetë e të gjitha zhvillimeve është prioritet i Policisë së Kosovës.
Në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, disa deputetë kanë filluar të pengojnë mbarëvajtjen e seancës duke u ofruar afër kordonit të zyrtarëve policorë, ku njëri prej tyre ka hedhur mjet të dyshuar (sprej) drejt kordonit policor dhe personaliteteve të cilët kanë qenë të ulur prapa kordonit policor.
Zyrtarët policorë janë detyruar të reagojnë për ta larguar nga afërsia e kordonit deputetin e njohur për policinë si dhe për ta parandaluar hedhjen e mjetit të dyshuar-sprej.
Në ndërkohë brenda në sallën e Kuvendit të RKS-së, nga një deputet është hedhur një mjet i dyshuar, i cili dyshohet se është gaz lotsjellës, e po ashtu edhe një mjet i dyshuar si gaz lotsjellës dhe sprej drejt zyrtarëve policorë është hedhur në korridoret e Kuvendit, pas daljes së deputetëve nga salla e Kuvendit.
Si pasojë e hedhjes së mjetit të dyshuar, gazit lotsjellës dhe sprejit në korridorin e Kuvendit nga vet deputetët, një deputete ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe të njëjtës i është dhënë ndihma mjekësore nga Shërbimet Shëndetësore të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku janë hedhur mjetet e dyshuara, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara.
Gjatë kohës së zhvillimeve brenda në Kuvendin e Kosovës, një grup prej rreth 150 protestuesish janë mbledhur në lokacione të ndryshme për rreth objektit të Kuvendit të RKS-se, të cilët fillimisht kanë qenë duke protestuar të qetë, mirëpo më pastaj të njëjtit kanë filluar të shprehin dhunë të tepruar drejt zyrtarëve policorë duke hedhur mjete të ndryshme si ngjyrë, gurë masiv e mjete të tjera të rrezikshme të cilat mund të konsiderohen edhe mjete vdekjeprurëse.
Edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga ana e Policisë, që protestuesit të jenë të qetë, të njëjtit nuk janë ndaluar dhe kanë vazhduar me hedhjen e mjeteve të rrezikshme, dhe vlerësuar situatën e krijuar zyrtarët policor janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore për shpërndarjen e protestuesve.
Protestuesit e dhunshëm kanë vazhduar me protestimin e tyre në lokacione të ndryshme dhe gjatë gjithë kohës kanë gjuajtur zyrtarët policorë, automjetet policore me mjete të rrezikshme duke përfshirë edhe koktej molotovi.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve të rrezikshme drejt zyrtarëve policorë, në bazë të informacioneve të deritanishme janë lënduar 6 zyrtarë policorë, prej tyre 2 kanë pësuar lëndime të rënda, njëri në kokë nga hedhja e mjeteve të forta dhe që të dy janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në bazë të informacioneve të deritanishme, një protestues po ashtu ka pësuar lëndime dhe të njëjtit i është ofruar ndihma mjekësore.
Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre deri tani kanë arrestuar 2 protestues të dhunshëm të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore. Tek dy personat e dyshuar janë gjetur boca të koktej molotovi.
Nga protestuesit e dhunshëm janë dëmtuar edhe disa automjete policore, ku njëra nga to është dëmtuar nga hedhja e mjetit të dyshuar si koktej molotovi.
Policia e Kosovës përfundon deklaratën duke theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private si dhe krijimit të lirisë së lëvizjes së lire për të gjithë qytetarët.
LËVIZJA VETËVENDOSJE: NUK KA NORMALIZIM PA U TËRHEQUR MARRËVESHJET!
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se, sot deputetët e opozitës pamundësuan sërish vazhdimin e seancave të Kuvendit të Kosovës. Megjithëse Kuvendi u blindua nga qindra policë, opozita vazhdoi protestën e saj brenda Kuvendit për të parandaluar normalizimin e punës së institucioneve. Koalicioni i “Zajednicës” mund të mbajë mbledhje ilegale nëpër bufe e skuta të Kuvendit, por në Kosovë nuk do të ketë normalitet pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Situata po tensionohet si rezultat i insistimit të pushtetit për t’i realizuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ne nuk do të pranojmë diçka të tillë dhe nuk do të ketë shtensionim të situatës pa hequr dorë Qeveria nga besnikëria ndaj Serbisë.
Kosovë-Kuvendi në “sallë alternative” miraton në parim Buxhetin e Shtetit 2016
-Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme, opozita e pamundëson që në fillim seancën në sallën plenare, protesta e përplasje edhe në shesh/
-Para seancës së sotme të Kuvendit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen për 25% të lartësisë së pagesave për çdo familje që merr asistencë sociale në Kosovë dhe vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Kuvendi i Kosovës në seancë pa opozitën sapo miratoi sot në parim projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 me 71 vota pro, 7 abstenime e 1 kundër.
Me kërkesë të qeverisë, e cila u takua edhe në mëngjes, me masa të shtuara të sigurisë Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh sot paradite në seancë të jashtëzakonshme, ku në axhendë e vetmja pikë ishte shqyrtimi i parë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, i cili në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë euro është miratuar nga kabineti qeveritar në 30 tetor.
Seanca është ftuar dje nga Kryesia e Kuvendit përkundër kundërshtimit të opozitës së bashkuar, e cila kishte paralajmëruar se do vazhdojë me pamundësimin e zhvillimit të seancave plenare. Opozita që në fillim pengoi zhvillimin e seancës, dhe derisa gazi lotësjellës përsëri u pa në sallën e seancave plenare ku kishte edhe përplasje me sigurimin, kryeparlamentari Kadri Veseli dha pushim dhe ftoi për një mbledhje të Kryesisë.
Pas pushimit seanca e Kuvendit të Kosovës kaloi në një “sallë alternative”, derisa edhe në ambiente të tjera të ndërtesës opozita hodhi gaz lotësjellës derisa jashtë kishte grumbullime proteste.
Kryeparlamentari Kadri Veseli hapi punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën kryeministri Isa Mustafa në fjalën e tij shprehu papajtueshmëri të plotë të qeverisë me sjelljet e opozitës duke thenë se kjo që ndodhi sot është akt kriminal i idividëve dhe kërkoi përgjegjësi para ligjit.
“Ata që sulmojnë dhe që hedhin gaz losjellës dhe lëndë kimike me të cilat cënojnë shëndetin e deputetëve, duhet të përgjigjen para ligjit”, theksoi Mustafa.
Ai u shpreh se askush nuk të drejtë të cënojë votën e 90 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ata në mënyrë të lirë e të pavrur të ushtrojnë funksionin dhe pozitën e tyre.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi poashtu theksoi se “përsëri sot u ballafaqum me një sulm, jo vetëm veprime opozitare, por edhe fizike çmendurake, kundër koalicionit qeverisës dhe për të penguar punën e Parlamentit të Kosovës”.
“Askush nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin e Kosovës dhe teleranca ndaj veprimeve kriminale duhet të jetë zero”, tha Thaçi.
Në sancën pa opozitën, në emer të Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputeti Naser Osmani, kërkoi shmangie nga rregullorja që të ketë procedurë të përshepejtuar në afatet kohore të shqyrtimit të parë dhe të dytë për Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe kjo u miratua me shumicë 79 vota pro, një kundër e asnjë abstenim.
Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 e prezantoi Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke theksuar se është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Sipas prezantimit të ministrit Hoti, në përgatitjen e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2016 janë marrë parasysh treguesit kryesorë makroekonomikë dhe në harmoni me rregullën aktuale fiskale të deficitit buxhetor. Rritja ekonomike për tre vitet në vazhdim pritet të jetë 4.2% e Bruto Produktit Vendor. Sa i përket të hyrave të përgjithshme janë planifikuar në shumën prej 1 miliard 598 milion euro që paraqet një rritje prej 4.1% krahasuar me këtë vit dhe 19% më tepër se në vitin 2014. Është paraparë rritje e të hyrave nga Doganat dhe ATK, prej 6.2% respektivisht 6.8%. Në këtë drejtim janë marrë parasysh edhe zbatimi i ligjeve që ndërlidhen me pakon fiskale dhe Marrëveshja për Stabilizim-Asociim me BE-në. Sa i përket shpenzimeve janë planifikuar në shumë prej 1 miliard e 680 milionë euro dhe janë 2% më të larta se së vitin 2015. Është ndarë buxhet për të mbuluar koston për rritjen e shumës për asistencë sociale, për zbatimin e Ligjit për skemat penisionale të financuara nga shteti, për reformën në administratën publike, për shëndetësi, arsim, rend e siguri, drejtësi dhe fusha tjera. Buxheti mundëson realizimin e projekteve kapitale që janë në zbatim e sipër.
LËVIZJA VETËVENDOSJE: POLICIA KA RRAHUR BRUTALISHT DEPUTETIN ALBIN KURTI
Opozita jashtë seancës së Kuvendit deklaroi se, “Kadri Veseli thirri seancë të jashtëzakonshme nën masa të rrepta policore. Kuvendi është mbushur me policë brenda dhe jashtë.
Deputetët e opozitës pamundësuan mbajtjen e seancës, ndërsa tash deputetët e koalicionit të ‘Zajednicës’ i janë kthyer byfesë së Kuvendit për të mbajtur takimet e tyre ilegale aty”.
Në anën tjetër, vijon deklarata, jashtë ndërtesës së Kuvendit, njësitet speciale të policisë intervenuan dhunshëm ndaj aktivistëve të opozitës që ishin duke qëndruar jashtë, në shenjë solidariteti me deputetët e opozitës në Kuvend.
“Ky pushtet, është i gatshëm të trazojë gjithë vendin, për t’i qëndruar besnik Serbisë! Kjo nuk do të tolerohet”, shprehet Lëvizja Vetëvendosje.
“Policia sapo ka rrahur brutalisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, duke provuar ta arrestojnë atë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës”, njofton subjekti politik LVV.
Sipas LVV, “deputetët e opozitës janë sulmuar dhunshëm nga policia, tek provuan që të futen në sallën ku po mbahet mbledhja ilegale e koalicionit të ‘Zajednicës’. Deputetja Albulena Haxhiu është lënduar nga dhuna e policisë brenda Kuvendit, dhe po dërgohet për ndihmë mjekësore”.
Kuvendi i Kosovës prej plot dy muajsh nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit bllokohet nga opozita edhe me protesta, gjuajtje me vezë e gaz lotësjellës në seanca e jashtë tyre në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
QEVERIA E KOSOVËS MIRATOI VENDIMIN PËR RRITJEN PËR 25% TË NDIHMËS SOCIALE
Para seancës së sotme të Kuvendit, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendimin për rritjen për 25% të lartësisë së pagesave për çdo familje që merr asistencë sociale në Kosovë dhe vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Është aprovuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kredia ka vlerën 2.6 milionë euro dhe do të përdoret kryesisht për blerjen e pajisjeve mjekësore.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin lidhur me përfitimet e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave, pas përfundimit të mandatit. Sipas këtij vendimi, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe drejtori i AKI-së pas përfundimit të mandatit do të marrin për një vit 70 për qind të pagës, ndërsa zëvendësministrat në periudhën prej 6 muajsh pas përfundimit të mandatit, vetëm nëse nuk marrin të ardhura të tjera nga Buxheti i Kosovës.
Kabineti Qeveritar ka miratuar Koncept-dokumentin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive. Po ashtu, u aprovua propozimi që të parashihet autorizimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që periodikisht të shpall amnisti për grumbullimin e armëve.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për lartësinë e pagesës së shumës mujore për ndihmë sociale.
Sipas këtij vendimi, rritja e ndihmës sociale për çdo familje do të jetë 25% e vlerës aktuale të ndihmës sociale dhe do të filloj të zbatohet nga nëntori 2015.
Aktualisht, nga Skema e Ndihmës Sociale përfitojnë rreth 26 mijë familje me rreth 115 mijë anëtarë, të cilat kanë marrë ndihmë sociale në bazë të numrit të anëtarëve në familje nga 40-120 euro. Sipas legjislacionit në fuqi, shuma mujore e ndihmës sociale përcaktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes dhe kostos së çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, e cila duhet të harmonizohet me indeksin e çmimeve të konsumit të shportës së ushqimit, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Bazuar në një analizë të lëvizjes së çmimeve të shportës së ushqimit, është vlerësuar dhe propozuar që rritja e ndihmës sociale për çdo familje të jetë 25% e vlerës aktuale të ndihmës sociale dhe të filloj të zbatohet nga nëntori 2015. Me këtë propozim do të rritet vlera e pikës nga 1 pikë = 1.00 euro, në 1 pikë = 1,25 euro, që rezulton se familjet do të përfitojnë ndihmë sociale nga 50-150 euro.
Buxheti për mbulimin e kostos së rritjes së vlerës së ndihmës sociale në vlerë prej 25% është planifikuar edhe në Buxhetin për vitin 2016.
Rritja e vlerës së ndihmës sociale, përveç që do të ndikojë në rritjen e mirëqenies së këtyre familjeve, do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shkallës së varfërisë, sidomos asaj ekstreme.
Kryeministri Isa Mustafa, tha se propozimi është shumë i qëlluar, meqenëse edhe mjetet janë siguruar.
Ministri i Administratës Publike ka njoftuar kabinetin qeveritar për Konferencën e Shkollës Regjionale për Administratë Publike në Malin e Zi, ku Kosova është anëtare në cilësinë e vëzhguesit dhe në të ardhmen pretendon të bëhet anëtare me të drejta të plota.
Kosovë-Shqipëri, bashkë për mësimin shqip në diasporë
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Në Prishtinë mbahet nesër takimi i parë i grupeve të punës për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë për mësimin shqip në diasporë.
Hapjen e punimeve në takimin e grupit të punës e bëjnë Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Valon Murati, ministër i Diasporës dhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës.
Tre ministrat do t’i kenë fjalimet e tyre nga ora 10:00, ndërsa pas përfundimit të hapjes mbahet konferencë për shtyp.
Në mbledhjen e dy qeverive, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, në Tiranë, në 23 mars 2015, që pasonte të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në Tiranë, në tetor 2015, diskutuan për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Njoftimi i ministrisë kosovare theksonte se, krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.
Kuvendi i Kosovës dy muaj me bllokada
-Kryesia përgatitje për seancë plenare. Shtypi: Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Përgatitjet për seancën plenare me më shumë se 30 pika në rend dite, janë sot në axhendën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i cili prej plot dy muajsh nga fillimi i sesionit vjeshtor bllokohet nga opozita me edhe me protesta, gjuajtje me vezë e gaz lotësjellës në seanca e jashtë tyre në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Së fundit, në 23 tetor, as në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, u mbajt në orët e para të pas mesnatës. Opozita, e cila qëndronte në seancën plenare, edhe me ndonjë pije, deklaronte se deputetetët e koalicionit qeverisës ishin mbledhur në byfenë e Kuvendit.
Ndërsa, sipas njoftimit zyrtar, “salla në të cilën është mbajtur vazhdimi i seancës nuk është byfeja e Kuvendit, por sallë alternative e sallës kryesore. Një nga arsyet pse seanca është zhvendosur në sallën alternative është se deputetët opozitarë me veprimet e tyre kanë shkaktuar dëmtim në rrjetin e zërimit përmes prishjes së gjashtë mikrofonave”.
Njoftimi theksonte se, “në pamundësi për mbajtjen e seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur me 23 tetor, është marrë vendimi përmes të cilit kërkohen veprime plotësuese, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë për siguri, në mënyrë që të sigurohet shëndeti i deputetëve dhe mbarëvajtja e punimeve të seancës plenare”.
Derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, opozita deklaronte se, “aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit”.
“Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”, shtohej në deklaratë.
Opozita ka paralajmëruar vazhdimin e bllokimit të seancave plenare të Kuvendit, ndërkohë që bojkoton mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ndalemi, nuk do të ketë funksionim normal të institucioneve shtetërore, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, janë shprehur tre subjektet e opozitës së bashkuar edhe në deklaratën e fundit të përbashkët, ndërkohë që në ambientet e Kuvendit para mediave kanë prezantuar edhe një peticion me më shumë se 200 mijë nënshkrime.
Në 10 nëntor, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë-Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjykata njoftoi se, “mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme, me të cilin pezullon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të ‘parimeve të përgjithshme/elementet kryesore’ të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.
“Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”, shtohej në njoftim.
Ndërsa, opozita deklaronte se, “sot, pas dy muajsh të rezistencës aktive të opozitës, pas mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, gjunjëzimi i pushtetit veç ka filluar. Presidentja i dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjet e 25 gushtit ndërkohë që demarkacioni me Malin e Zi, tashmë është i shpallur ‘nul’ dhe në formën aktuale, nuk do të ratifikohet nga askush”.
Në 30 tetor, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në 11 nëntor, qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë theksonte se mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.
“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, theksonte komunikata e qeverisë kosovare.
Kuvendi i Kosovës, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014, në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit.
“Deputetët e koalicionit kërkojnë forcimin e sigurisë në Kuvend”, është një kryetitull balline sot në shtypin në Prishtinë.
Deputetët shumicë në Kuvendin e Kosovës insistojnë në mbajtjen e seancave plenare, pavarësisht bllokadës së opozitës,shkruan Koha Ditore.
Këtë ata do ta bëjnë duke u kërkuar ndihmë Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes forcimit të masave të sigurisë. Gazeta merr vesh se 84 deputetë kanë nënshkruar peticion dhe do t’i drejtohen ekzekutivit për krijimin e kushteve të sigurisë për punë në Kuvend. Kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e së hënës në kryesi. Janë gjithsej 32 pika të cilat do të diskutohen në kuadër të përgatitjeve për seancën e radhës.
Një burim brenda Kuvendit ka thënë se ka vendosmëri për mbajtjen e seancave plenare, qoftë edhe nëse ato nuk mbahen në sallën e dedikuar për seanca.
“Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë insiston në mbajtjen e seancave dhe do ta njohë çdo seancë dhe miratimin e axhendës parlamentare, edhe nëse seanca mbahet jashtë selisë së Kuvendit”, ka thënë burimi. Gazeta nuk ka arritur të vërë kontakt me shefat e grupeve parlamentare të partive në pushtet, PDK e LDK.
Ndërsa, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë thënë se seancat duhet të mbahen. Driton Lajçi, këshilltar i Veselit, as nuk ka pohuar e as mohuar nëse ka ardhur peticioni i pozitës, që për adresë ka qeverinë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 208
- 209
- 210
- 211
- 212
- …
- 245
- Next Page »