• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës

October 15, 2015 by dgreca

Kosovë, Kuvendi i bllokuar në seancë me kontrollim të detajuar/

-Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”/
-“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi/
-“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, mblidhet në një seancë tjetër sot të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, përballur edhe me bojkot, me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, ndërsa është paralajmëruar kontrollim i detajuar si masë e sigurisë e preventivës.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë e edhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tash, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkohë, ka pasur kërkesa për marrjen e masave të nevojshme për zhbllokimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryesia e tij në mbledhjen e djeshme për përgatitjet për sot “vlerësoi se veprimet që do të marrë kryesuesi i seancës do të jenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, ndërsa, qëndrimi do të merret duke u bazuar në sjelljen e grupeve parlamentare të opozitës”.

Në mbledhjen e Kryesisë, pa përfaqësuesit e opozitës, po ashtu është marrë vendim “për kontrollim të detajuar të të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin Veseli”.

Ndërsa, subjektet parlamentare opozitare shprehin qëndrimin e përbashkët se, “vendimet e djeshme të Kryesisë së Kuvendit (në mbledhjen e së cilës morën pjesë LDK, PDK dhe Lista Srpska) janë absolutisht të papranueshme”.

“Konsiderojmë se këto janë metoda të shtetit policor që dhunon deputetë, arreston kundërshtarët politikë dhe ndalon deputetët të futen në Kuvend. Kryetari i Kuvendit po e blindon këtë institucion duke e vënë nën mbikëqyrje policore. Policia po i mbivendoset demokracisë. Kjo është e papranueshme”, janë shprehur LVV, AAK e Nisma.

Sipas tyre, trajtimi i tillë ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, është në funksion të bosnjëzimit të Kosovës, duke mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe në funksion të humbjes së integritetit territorial të Kosovës, duke i dhënë Malit të Zi rreth 10 mijë hektarë”.

Më tej në deklaratë shtohet se, “veprimi politik opozitar është tërësisht legjitim, në mbrojtje të shtetit, të integritetit territorial të tij, si edhe në mbrojtje të karakterit qytetar e jo etnik të organizimit tonë shoqëror e shtetëror”.

“Etnizimi i territorit të shtetit, i cili po na servohet përmes këtyre marrëveshjeve, ‘de facto’ është logjikë apartheidi dhe segregacioni në baza etnike, që nuk është as në interesin e shumicës e as të pakicës. Prandaj ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë!”, thekson opozita kosovare

“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës”, përfundon opozita e bashkuar.
“Policia do të futet në Kuvend nëse rrezikohen deputetët”, paralajmëron sot shtypi i Kosovës në një kryetitull në ballinë.
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës vlerësohet me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye Kryesia e Kuvendit ka ndërmarrë masa që shmangin përplasjen fizike mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, shkruan gazeta Koha Ditore.
Në hyrje-daljet e Kuvendit do të ketë kontroll të plotë për secilin deputet dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend. Nëse brenda sallës arrijnë të futen armë të mprehta dhe nëse ka konfrontim fizik, do të autorizohet intervenimi i policisë. Këto masa opozita i ka vlerësuar të papranueshme, duke paralajmëruar se për çdo përshkallëzim të situatës përgjegjësia bie mbi kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e Kosovës.
Një ditë para mbajtjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbledhur sërish anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare. Ai ka kërkuar t’i tregojnë se cilin skenar ta vërë në veprim përballë bllokadës së opozitës. E mungesa e një propozimi konkret, i cili nuk del jashtë Rregullores, herë pas here ka krijuar tension mes Veselit dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Seancë me policë”, është kryetitulli në ballinë i gazetës Zëri, ku theksohet se, “Policia e Kosovës ka gjasa të ndërhyjë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës për t’i larguar deputetët opozitarë në rast se ata tentojnë ta bllokojnë foltoren. Por, pavarësisht këtij kërcënimi, opozita thotë se sërish do ta bllokojë punën e legjislativit”.
“S’do të tërhiqemi”, është kryetitulli i gazetës Epoka e Re, sipas së cilës “nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë se opozita duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës”.
Ndërsa, me një këndvështrim tjetër, gazeta Kosova Sot, mes tjerash shkruan se, “rivaliteti brenda koalicionit përgatit terrenin për rrëzimin e kryeministrit Mustafa” , e gazeta Bota Sot ka kryetitullin “Opozita nuk heq dorë: Skenari i tronditjes vazhdon nën përkëdheljen e SHIK-ut!”. Thekson se Kryesia e Kuvendit urdhëron kontroll të rreptë në Kuvend për të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves, Policia do te futet

DARKA E LAMES

October 15, 2015 by dgreca

-Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet./
-Presidenca: Është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike/
-Presidenti Rugova në 23 tetor 2003: Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Zyra e Presidentes së Kosovs sapo njofton se, “manifestimi tradicional Darka e Lamës, i paraparë të mbahet sot në qytetin e Pejës, është shtyrë për një kohë tjetër për shkaqe organizative dhe teknike”.
Darka e Lamës, është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, ndërsa është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej në kryeqytet.
Vitin e klauar u festua në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë, për herë të parë në këtë qytet, meqë deri atëherë tradicionalisht e institucionalisht Darka e Lamës organizohej vetëm në Prishtinë.
Në Kosovën moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore më 2002, kur Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore.
Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë.
Në Prishtinë, në 23 tetor 2003, në mjediset e hotelit “Grand”, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo fesët e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.
Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.
“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.
“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.
Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.
“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.
“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Darka e Lames, presidenca, Shtyhet

Kosovë-Serbi, bisedime të vështira

October 14, 2015 by dgreca

-Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin mbrëmë në një “darke joformale” në Bruksel/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Tetor 2015/ Me ftesë të ndërmjetësueses së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin mbrëmë në një “darke joformale” në Bruksel.
Darka ishte në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, është theksuar në njoftimin e BE-së.
“Të dy kryeministrat patën një diskutim të hapur për gjendjen aktuale të dialogut, në veçanti sa i përket implementimit të marrëveshjeve të 25 gushtit”, thuhet në njoftim dhe shtohet se “të dy palët e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash”.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Burime nga BE-ja, të cituara nga media, kanë thënë se darka e punës e mbrëmshme nuk paraqet raund klasik të bisedimeve, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, sido që të jetë, ky ishte takimi i 29-të në Bruksel Kosovë-Serbi në nivel të lartë kryeministror, pas të parit të nisur në tetorin e para tre viteve.
Kryeministrat Mustafa e Vuçiç nuk kanë bërë deklaratata pas darkës së përfunduar mbrëmë vonë.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Brukseli për median në Prishtinë ka thënë se, “ka qenë një takim juridik me ballafaqime të mëdha” dhe nuk ishte aspak i lehtë.
“Vërehet një frustrim i madh i përfaqësuesve të Serbisë pas mbështetjes së madhe që ka marr Kosova për anëtarësim në UNESCO, por reagimi ynë ka qenë se Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe organizatat tjera ndërkombëtare, ku do ta forcojë pozitën e shtetit në arenën ndërkombëtare”, citohet Thaçi .
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç citohet nga media në Beograd të ketë deklaruar se bisedimet ishin shumë të vështira dhe pajtimi i vetëm i arritur ishte që të zbatohet gjithë çka e dakorduar me Marrveshjen e Brukselit.
Para më shumë se dy vitesh, në 19 prill 2013 është nënshkruar në Bruksel Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, zhvilluan mbrëmë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 29 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Thaçi e Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

***

SHTYPI: SERBIA OBLIGOHET TË ECË DREJT NORMALIZIMIT GJITHËPËRFSHIRËS ME KOSOVËN

Prishtinë, 14 Tetor 2015/ Gazeta “Koha Ditore” shkruan sot se ka arritur të sigurojë draft-platformën për kapitullin 35. Serbisë i është kërkuar përkushtim maksimal në implementimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën dhe atyre që do të nënshkruhen në të ardhmen, nëse dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, raporton gazeta.
Theksohet se, megjithëse nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja e Kosovës nga Serbia, kapitulli 35 e obligon shtetin serb që të ecë drejt normalizimit gjithëpërfshirës me fqinjin jugor.
Shteti serb duhet të sigurojë se do të kompletojë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, veçanërisht të krijimit të Asociacionit-Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë…
“Serbia siguron transparencë rreth financimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Serbisë do t’i duhet të ndërmarrë edhe veprime të tjera. Këto veprime konsistojnë: rreth policisë; rreth drejtësisë; rreth mbrojtjes civile; rreth marrëveshjeve për zyrat ndërlidhëse; rreth Marrëveshjes për energjetikë, telekomunikacion; rreth doganave; rreth lirisë së lëvizjes/largimit të barrikadës mbi Ibër; rreth bashkëpunimit rajonal; rreth njohjes së diplomave universitare; rreth bashkëpunimit me EULEX-in në Kosovë.
***
Statement by the Spokesperson following tonight’s informal dinner in the framework of the EU-facilitated dialogue/
“In the context of the EU-facilitated dialogue between Belgrade and Pristina, Federica Mogherini, High Representative for Foreign Affairs and Security Policy/Vice-President of the European Commission, hosted an informal dinner tonight with Prime Minister Aleksandar Vučić and Prime Minister Isa Mustafa.

The two Prime Ministers had an open discussion on the state of play in the dialogue, in particular as regards the implementation of the August 25 agreements. Both sides repeated their commitment to the implementation of all the past agreements.”

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, bisedime të vështira

Kosovë-Bllokadë, peticion, protestë…

October 13, 2015 by dgreca

-Kryesia e Kuvendit përgatitje për seancë plenare, opozita paralajmëron vazhdim bllokade, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ku edhe sonte pritet takim kryeministror Kosovë-Serbi-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Në Kuvendin e Kosovës është ftuar për nesër mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi. Por, opozita edhe sot ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit, si dhe protesta, të cilat u zhvilluan edhe gjatë natës së kaluar në Prishtinë pas arrestimit në mbrëmje e deri në lirimin e liderit të parë të LVV-së, Albin Kurti.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.
Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë të 25 gushtit – të raundit të 28-të të takimeve të kryeministrave dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka organizuar edhe peticion dhe ka mbledhur mëse 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare.
“Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme”, thuhej në letrën e opozitës drejtuar qytetarëve javën e kalur.
“E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to”, ka deklaruar sot në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk mund dhe nuk do bëhet tërheqja e nënshkrimeve nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd në Bruksel, që janë ndërkombëtare dhe që bazohen në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013”, ka theksuar qeveria kosovare.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt nomalizimit të marrëdhënieve pritet të takohen sot në darkë në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të nisur në tetorin e para tre viteve me raundin e parë, që pasonte nisjen bisedimeve teknike. Për takimin më të ri, media serbe njofton se kryeministri Vuçiç udhëton sot drejt Brukselit dhe paralajmëron se tema e bisedimeve do të jëtë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjeve.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Bllokadë, Peticion, proteste

Kosova feston për Shqipërinë

October 11, 2015 by dgreca

-Për fitoren historike të futbollit shqiptar/
-Urojnë Mustafa, Veseli, Thaçi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Tetor 2015/ Kosova feston për Shqipërinë, për fitoren historike të kombëtares së futbollit, të sportit shqiptar, qielli mbi Prishtinë përflaket sonte nga fishekzjarret, kryeqyteti kosovar jehon nga thirrjet e gëzimit e sirenat e automjeteve që defilojnë me flamuj kuqezi.
Fishekzjarret në sheshet plot njerëz e kudo para ekraneve televizive janë imazhet e kësaj mbrëmje gëzimi të madh edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Në sheshe ishin bërë organizime dhe vendosur ekrane të mëdha.
“Shqipëria shkruan historinë, kualifikohet në Euro 2016”, “Kuqezinjtë shkruajnë historinë”, “Shqiptarët janë në Francë”, janë tituj të raportimeve të medias kosovare.
“Shqipëria ka mposhtur Armeninë me rezultat të thellë 3 me 0 si mysafire për të siguruar kualifikimin direkt në Evropianin 2016, që mbahet në Francë”, theksojnë raportimet, përfshirë transmetimet e emisionet speciale të radiotelevizioneve kosovare.
Në këto momente në Prishtinë theksohet ideja që heronjtë kuqezi të futbollit shqiptar të kthejnë nga Armenia drejt Shqipërisë nëpër Kosovë e rrugës së kombit drejt Tiranës dhe të gjithë t’i presim dhe t’i urojmë nga afër.
“Ju lumtë djemve të kombëtares, gëzuar të gjithë shqiptarëve”, shkruan në ‘facebook’ kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Urime kombëtares së Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve anë e kënd!”, shprehet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas fitores historike në Armeni.
“Ishte ky një moment i shumëpritur dhe tani një kualifikim meritor për në Franca 2016. Për këtë u punua shumë, dhe një kontribut të spikatur e dhanë edhe futbollistët kosovarë, me lojën e të cilëve ndjehemi krenarë të gjithë shqiptarët”, thekson ai.
“Dekadat e ardhshme në sport do të jenë padiskutueshëm në favorin tonë, sepse tani edhe Kosova po depërton fuqishëm në skenën sportive ndërkombëtare dhe ne zotohemi se përkrahja institucionale nuk do t’u mungojë asnjëherë për sukseset e tyre të mëtejme”, përfundon kryeministri Mustafa.
“Kombëtarja kuq e zi shkruan historinë e futbollit shqiptar me shkronja të arta, kualifikohet për në Evropianin 2016 në Francë”, shprehet sonte zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Festë e jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët anembanë botës. I uroj djelmoshave kuq e zi shumë fat në EURO 2016”, thekson ai.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova feston, per Shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT