REPORTAZH I VITIT 2010 – NE 100 VJETORIN E NENES TEREZE/
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”./s.s./
NE FOTO:Sot ne Katedralen Nene Tereza ne Prishtine. Foto:Behlul Jashari
Kosovë-Policia feston 16 vjetorin, institucion i besimit të madh
-Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999 është hapur Shkolla e policisë dhe ka filluar trajnimi për pjesëtarë të Policisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ “Policia e Kosovës, vazhdon padyshim, të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin tonë”, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
Ai mori pjesë në ceremoninë solemne të festimit të 16 vjetorit të Ditës së Policisë së Republikës së Kosovës, ku vlerësoi lartë profesionalizmin dhe sukseset e arritura.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se, “roli i Policisë, sikurse edhe i organeve tjera të sigurisë dhe të drejtësisë, jo vetëm tek ne por edhe në aspekte globale po sfidohet me probleme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”.
“Tani ne po përfundojmë Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale të vendit tonë. Kemi synim të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen në anëtarësim tonë në Interpol dhe Europol”, u shpreh Mustafa.
Duke theksuar se Policia e Kosovës është bërë faktor i rëndësishëm i besimit në funksionimin e shtetit të Kosovës, kryeministri Mustafa ka siguruar se qeveria do të ofrojë të gjithë përkrahjen e nevojshme për zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Policisë kosovare.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.
Kosovë: Nënë Tereza – simbol i dashurisë dhe bamirësisë
-Në Kaçanik u mbajt sot manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza/
-Festa e Nënë Terezës nesër në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shtator 2015/ Në qytetin e Kaçanikut është mbajtur sot manifestim në nderim të figurës së humanistes Nënë Tereza, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.
Manifestimi me temën “Nënë Tereza – simbol i dashurisë dhe bamirësisë” u mbajt nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. Ai çmoi lart figurën e Nënës Tereze, duke e cilësuar atë flamurtare të madhe të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe simbol universal të bamirësisë.
“U zgjodh Kaçaniku për të nderuar këtë figurë të madhe të kombit tonë dhe të njerëzimit, sepse Nënë Tereza, ajo vasha e dikurshme e ndrojtur, Gonxhe Bojaxhiu, ishte bijë e këtyre trevave, Kaçanikut, Shkupit, Prizrenit, bijë e traditave të fuqishme të tolerancës fetare dhe solidaritetit, që janë të rrënjosura në kulturën dhe shpirtin tonë”, u shpreh Veseli.
Ai vijoi se, Nënë Tereza ishte bijë e këtij populli, që shpirtin solidar të tij e shndërroi në një lëvizje botërore të humanizmit dhe bamirësisë.
“Nënë Tereza ishte një luftëtare e madhe e shpresës njerëzore. Kjo bijë e kombit, gjithë jetën luftoi kundër barbarive që krijoi shekulli XX, duke mbajtur kështu gjallë idealin e një bote më të mirë, më solidare dhe më të drejtë”, tha Veseli.
Nënë Tereza, shtoi kreu i Kuvendit kosovar, në shekullin e urrejtjeve ideologjike e fetare zbuloi dimensionin humanist të religjionit dhe idenë e madhe se dashuria për zotin ka kuptim vetëm duke qenë dashuri për njerëzit.
“18 vite pas vdekjes së bijës sonë të madhe, bota vazhdon të përballet ende me probleme dhe kriza të mëdha. Urrejtja, e ndërtuar mbi abuzimin e ideve politike dhe fetare, është duke bërë kërdinë në shumë pjesë të botës, duke shkatërruar jetën e milionave njerëzve dhe duke i zhytur në mjerim social miliona të tjerë. Në këtë situatë, mesazhi jetësor i Nënë Terezës, bëhet më aktual se kurrë. Bëhet i domosdoshëm. Dhe ky mesazh është se religjioni duhet të ketë vetëm një aleat- humanizmin”, tha kryetari Veseli.
Duke nderuar sot Nënë Terezen, shtoi kryetari i Kuvendit, ne frymëzohemi me idealin e saj të bamirësisë. “Sot, kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë të ikur nga terrori i luftës në Siri, këtë frymëzim duhet kthyer në vepra konkrete, duke ndihmuar që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai vijoi se, askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. “Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj është moment që me aq sa kemi mundësi, të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur. Kështu e vazhdojmë misionin e bijës sonë të madhe, Nënës Terezë. Kështu, e nderojmë më së miri vetë atë”, theksoi kryetari i Kuvendit kosovar, Veseli.
Festa e Nënë Terezës mbahet nesër në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
Programi:
Ora 11:00 mesha solemne në Katedralen “Nënë Tereza” të cilës do t’i prijë Imzot Dodë Gjergji – Ipeshkëv i Kosovës.
Ora 20:30, Koncerti i Himnit të Nënë Terezës, në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë.
Trepça, pasuri e një rëndësie të përjetshme për Kosovën
-Haradinaj: Është urgjente njohja e ndërjesllë e Kosovës dhe Serbisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ “Trepça është një pasuri e një rëndësie të përjetshme për Kosovën”, ka deklaruar sot Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai gjatë një vizite në Kombinatin Trepça, tha se Kosova në asnjë situatë nuk guxon ta humbas pronësinë mbi Trepçën, por se duhet të gjendet një partner publiko-privat, që do ta aktivizonte këtë gjigand të fjetur të ekonomisë kosovare.
“Administrimi i mëtutjeshëm i Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është zhvillim, as i Trepçës e as i ekonomisë së Kosovës përmes saj, por administrim i gjendjes së saj egzistuese, që është koncept i gabuar e i papranueshëm”, tha Haradinaj.
“Riaktivizimi i Trepçës në gjithë kapacitetin e saj, nënkupton zhvillim për tërë vendin, prandaj institucionet e Kosovës duhet të merren urgjentisht me këtë çështje. Situata siç është tani është e papranueshme”, u shpreh lideri i partisë opozitare AAK.
Po sot, Ramush Haradinaj, në një tryezë politike me temën “ndërtimi i raporteve shqiptaro-serbe” që u mbajt në Mitrovicë, e ku morën pjesë përsonalitete të rëndësishme nga jeta politike si përfaqësues diplomatikë nga shumë vende, tha se është urgjente njohja e ndërjesllë e Kosovës dhe Serbisë. Çdo vonesë në këtë proces, tha ai, po krijon vakum dhe keqkuptime të shumta. Haradinaj tha se në këtë proces rol vendimtarë mund të luaj faktori ndërkombëtar.
Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se BE-ja po tregohet e pasuksesshme në Ballkan. “Rasti I Kosovës e cila vazhdon akoma të jetë në një fazë tranzicioni, rasti i moszgjidhjes së çështjës së emrit të Maqedonisë si dhe Greqia, janë vetëm disa shembuj mossuksesi të BE-së në Ballkan”, citohet Haradinaj në njoftimin e AAK-së.
Haradinaj tha se konferenca e sotme është një rast i mirë që të harrohen tabutë dhe gjërat të thuhen hapur.
“Kosova duhet ta përfundojë atë që quhet fazë e tranzicionit dhe të përfshihet seriozisht në të gjitha proceset integruese”, përfundoi ai.
Kosovë- Vendosen modalitetet për transformimin e FSK-së
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Shtator 2015/ Për javën e ardhshme është në axhendë vendosja e modaliteteve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, paralajmëron sot shtypi në Prishtinë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po punon me përkushtim për transformimin e FSK-së. Po bisedohet edhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, për të marrë përkrahjen e tyre për shndërrimin e FSK-së në FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës v.j.), sepse ajo do të jetë forcë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, citon gazeta Koha Ditore përgjigjen e Zyrës për komunikim publik, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Koalicioni qeverisës PDK-LDK, së bashku me partnerët e tjerë po punon në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, bënte të ditur në 29 gusht kryeministri Isa Mustafa, duke theksuar edhe vlerësimin e përbashkët me zv/kryeministrin e parë, Hashim Thaçi.
“Unë dhe z. Thaçi kemi vlerësuar se nuk ka arsye të prolongohet transformimi i FSK-së dhe që ky transformim të varet nga vullneti i një subjekti politik”, shprehej ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës, ritheksonte se FSK është forcë multietnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. “Me veprimet dhe aksionet e saj, pjesëtarët e FSK-së kanë treguar përkushtim në të gjitha situatat emergjente dhe rreziqet në çdo pjesë të vendit tonë dhe për çdo njeri. Janë treguar shembull në misionet humanitare”, shkruante Mustafa në ‘facebook’.
“Në rast të mungesës së mirëkuptimit për amendamente Kushtetuese, të cilat e tranformojnë FSK-në në FAK, Qeveria do të procedojë me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi FSK-në, me të cilin FSK do të merr të gjitha përgjegjësitë që ishin të parapara për FAK. Ndërsa, do ta ndryshojmë emrin e Ministrisë së FSK-së”, përfundonte kryeministri Mustafa.
Në 27 maj 2015, qeveria e Kosovës miratoi draftamendamentet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. “Draftamandamentet do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. Miratimi i këtyre draftamendamenteve i hap rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës”, u theksua me atë rast.
Kryeministri Mustafa theksonte se është esenciale që nuk po ndërtohen forca të armatosura mbi baza etnike, as mbi baza etnike të shumicës shqiptare, as mbi baza etnike të etniteteve tjera, për të cilat ka pasur trumbetime mjaft të mëdha në opinion së fundi. “Është një forcë unike, në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që përfshinë të gjithë pjesëtarët e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, ju ftoj që ne të procedojmë këto amendamente, ndërsa në Kuvend ne poashtu do të punojmë bashkërisht me të gjithë deputetët, edhe me përfaqësuesit e komuniteteve që të kemi pajtueshmërinë e tyre më vonë për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Mustafa në mbledhjen e qeverisë.
Vendimi për aprovimin e draftamendamenteve është aprovuar me dy vota kundër të dy përfaqësuesve të Listës Serbe në qeveri, zëvendëskryeministrit Branimir Stojanoviç dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç.
Ndërsa në 20 korrik, nga Kuvendi u njoftua se, “sa i përket propozim-amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të propozuara nga qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, me kërkesë të shumicës së përfaqësuesve të subjekteve politike, Kryesia vendosi t’u japë kohë partnerëve të koalicionit të zhvillojnë konsultimet”.
Por, opozita deklaroi se ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pasi nuk u pajtua “me vendimin e mazhorances që t’i tërheq nga pika e rendit të ditës ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”. Gjatë këtyre zhvillimeve, sipas raportimeve të medias në Beograd, serbët në Kuvendin kosovar “penguan formimin e Ushtrisë së Kosovës”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 226
- 227
- 228
- 229
- 230
- …
- 245
- Next Page »