• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA ME HIMN SHTETËROR 12 VJET

June 11, 2020 by dgreca

-Himni i Kosovës ka edhe tekstin/

KALENDAR – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË,  11 Qershor 2020/ Në 21 vjetorin e Lirisë, në vitin e 12 vjetorit të shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës sot mbush poashtu 12 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 12 viteve në 11 Qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn Shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime. 

Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin. 

Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”. 
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 Qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe,  nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë,  nga 1 prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.

Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi  menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.

 “Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do  t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.

“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta,  duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.

“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.

“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.

HIMNI I KOSOVËS

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë

Vend i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot

O nënë e jonë

Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë

Çerdhe e dashurisë

Kosova para 12 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 2020-tën e  21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të  Himnit Shtetëror, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri sot nga 116 shtete të botës – anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Filed Under: Politike Tagged With: 12 vjet, Behlul Jashari, Hymni i Kosoves

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, KRENARI E KOMBIT

June 10, 2020 by dgreca

-Në 10 Qershor 2020 në Prizren hapet ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” – shënohet 142 vjetori/

-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë e Presidentit historik në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/

-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Për herë të parë ka dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete shqiptare/

-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare në Prizren janë shënuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar/

-Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren/

-“Kufiri i ëndrrës” – reportazhi futuristik i para më shumë se 22 viteve/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRIZREN, 10 Qershor 2020/ Në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, sot po shënohet 142 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, e cila do të hapet në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në ora 18:00 është veprimtaria e paralajmëruar në një ftesë dërguar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Komuna e Prizrenit për sot në orën 10 ka paralajmëruar homazhe te shtatoret e  Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shtatoret e tre liderëve historikë janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.

Në njoftimin e komunës së Prizrenit theksohet se sivjet do të ketë aktivitete të limituara në kuadër të festave të qershorit, përkatësisht përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 Qershor dhe Ditës së Çlirimit në 12 Qershor. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe me sugjerimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës është vendosur që aktivitetet festive të parapara për këto data të mos organizohen, bën të ditur komuna e Prizrenit.

Në 21 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

***

LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997:

https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0

Police harasses ‘Bujku’ reporters

Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.

***

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 17 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili atëherë ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 22 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 12 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË VITIN 2003: JEMI KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT QË REFLEKTON EDHE NË KOHËN TONË PËR TË MIRË

Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 17 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.

  
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.


Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.

Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.
 

Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.

Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.


Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.

Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.


Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.

Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.


Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.

Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.


Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.


Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.


Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.


Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.

Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.


Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.


Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.


Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 17 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 Qershor 2003, priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, krenaria Kombetare, Lidhja e Prizrenit

Kosova, falënderime për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

June 7, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës, sot mbajti mbledhjen katërt, shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit/

PRISHTINË, 7 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh falënderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhbllokimin e fondeve të MCC-së, të Korporatave të Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Një shumë e konsiderueshme e mjeteve që shkon nga 150 deri më 200 milionë euro tani vazhdojnë të shpenzohen nëpër projekte specifike në dy shtyllat e këtij programi. Besoj se është në interes edhe për kabinetin edhe për qytetarët që të informohen për këtë dhe të shpreh falënderimet tona për këtë mbështetje që vjen në ditët e para të qeverisë së re”, tha kryeministri Avdullah Hoti duke shprehur falënderimet në emër të Qeverisë së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme, të katërt, të  rregullt.

Shtylla e parë e këtij programi, vijoi kryeministri Hoti, është marrëveshja që quhet e pragut, në vlerë prej 49 milionë dollarësh, të cilat mjete investohen nga korriku i këtij viti, pra brenda 2 muajve, ku përfshihen investime në 3000 shtëpi, kryesisht shtëpi të shtresave me të ardhura më të ulëta, për përmirësimin e kushteve të banimit sa i përket mbrojtjes së energjisë, pastaj renovimin e objekteve banesore të mëdha në gjashtë komuna, në Prishtinë, ku janë përfshirë “ndërtesat e soliterave” në Ulpianë, në Mitrovicë, Gjakovë, Lipjan, Graçanicë dhe Viti.

Janë gjithashtu stipendione të plota për 28 gra kosovare që studiojnë në Amerikë, janë paga të plota për 200 gra që punojnë në sektorin e energjisë, janë rreth 2 milionë dollarë që jepen për grante për biznese të grave dhe një pjesë e mjeteve shfrytëzohet për të promovuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe të transparencës duke investuar në digjitalizimin e gjykatave.

Po ashtu, kryeministri Hoti njoftoi se pjesë e dytë e këtij programi është Marrëveshja Kompakt që quhet, që është duke u negociuar në këtë moment nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Amerikane, e që do të ketë vlerë disa fish më të madhe, sesa pjesa e parë.

“Besoj se shuma që do të ndahet për këtë pjesë do të përcaktohet në verën e këtij viti nga Bordi i MCC-së, i cili udhëhiqet nga Sekretari Pompeo. Projekti kryesor në këtë pjesë është gazpërçuesi që e lidh Kosovën me infrastrukturën rajonale të gazit që e diversifikon peizazhin energjetik të Kosovës dhe gjithë ekonominë e Kosovës në fakt, që është projekt i rëndësisë gjeostrategjike në mbështetje nga pala amerikane”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar Qeverinë Amerikane për këtë hap të shpejtë.      

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, falenderime SHBA, qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës miratoi Programin qeverisës 2020–2023

June 5, 2020 by dgreca

-Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive/

PRISHTINË, 5 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e mbajtur sot, e miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale.

Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës.

Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive. Objektivat themelore të Qeverisë janë:

  1. Beteja për ta mposhtur pandeminë dhe
  2. Rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.

Krahas këtyre objektivave, Qeveria do të ketë prioritet:

  1. Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;
  2. Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;
  3. Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;
  4. Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;
  5. Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;
  6. Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për mbështetje financiare në vlerë prej 25,000.00 € (njëzet e pesë mijë euro) për ndihmë familjes së Agon Musliut, që humbi jetën tragjikisht  më datë 3 maj 2020 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e caktuar si Hapësirë karantine.Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm. Tejkalimi sipas këtij vendimi rritet përkohësisht deri në tetë (8) për qind, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar ulet përkohësisht deri në tre (3) për qind. Kërkesa për këtë ndryshim bëhet pasi që Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2020 ndikohen nga situata e krijuar nga pandemia globale “Covid-19”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Programi 2020-23, Qeveria Hoti

Kryeministri Hoti: Prekazi-vend i memories kombëtare

June 4, 2020 by dgreca

Prekaz, 4 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, ditën e tij të parë të punës e ka vazhduar me homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe vizitën te Kulla e Jasharajve.

”Falënderoj kryetarin e Komunës për pritjen. E pamë edhe pamjen e kullave dhe ju premtoj se do të kenë gjithë kujdesin e nevojshëm për të siguruar që ky vend do të mbetet i shenjtë ku kryhen nderimet e nevojshme dhe vend i memories sonë kombëtare për gjeneratat e ardhshme”, tha kryeministri Hoti.



Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se kishte kënaqësinë të pres kryeministrin dhe qeverinë e re, për të bërë homazhe te varrezat dhe për të vizituar kullat. Ai ka uruar qeverinë e re dhe kryeministrin Hoti që të kenë fat, shëndet dhe punët të ecin mbarë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Hoti ne Prekaz, Memoria Kombetare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT