• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME LIBËR E SNAJPER, KUNDËR KRYEMINISTRIT

April 1, 2017 by dgreca

 

2 Ben Blushi KMShkruan: Adil FETAHU*/

Në shtator të vitit 2020,  kishte shkuar një grup prej 60 ushtarësh shqiptarë në një mision paqëruajtës në qytetin Herat të Afganistanit, nën komandën e ushtrisë amerikane. Njëni prej ushtarëve shqiptar  ishte përzgjedhur për ta mësuar zanatin e snajperistit (në tekstin e mëtejshëm  do ta quajmë Snajperi, a.f.). Devizë mësimore e kursit të snajperëve ishte: “Armiku më i mirë është armiku që ke vrarë”. Kur e kishte kryer me sukses kursin e snajperit, komandanti i vet i kishte uruar, duke i thënë se në Shqipëri ka shumë nevojë për të vrarë dhe me siguri do të gjesh një punë të mirë. Duke marrë parasysh mundësinë e vrasjes me snajper deri në 2000 metra largësi,  në Shqipërinë e vogël zakonisht armiqtë janë shumë më afër, dhe mund të vritën më lehtë. Në grupin e ushtarëve shqiptarë ishte edhe ushtari me emrin Winston Harasani,  stërgjyshi i të cilit  dikur (1614) paska ardhur si mercenar në Shqipëri prej qytetit Harasan të Afganistanit, dhe  paska vu themelet e Tiranës, duke ndërtuar fillimisht midis fushës: një han për të bujtur, një furrë buke, një hamam për t’u larë, dhe një xhami për t’u falur. Atëherë ai vend  quhej Teheran, por shqiptarët më vonë ia  shkurtuan emrin dhe e quajnë Tiranë.  Winstoni  shoqërohej me dy djem me mjekrra, kishte pranuar islamin dhe ishte përfshirë në  një organizatë terroriste antiamerikane  që quhej: “Organizata Transbotërore e Zemërimit Inteligjent – OTZI”, e cila synonte të bënte luftë inteligjente kundër Amerikës, do të thotë ta shkatërrojë Amerikën pa luftë të armatosur, por duke bojkotuar  të gjitha prodhimet materiale, teknologjike, shkencore e kulturore të Amerikës. Bile, OTZI  kishte pretendime ta zëvendësojë OKB-në. Në grupin terrorist ishte edhe një vajzë liberale afgane, Anila,  e cila qeshte kur dëgjonte se në Shqipëri, si vend aleat i Amerikës në pushtimin e Afganistanit,  i kishim kthyer xhamitë në kinema, kurse imamët i kishim bërë rrobaqepës e berberë.  OTZI pretendonte se Amerika nuk është shtet i së drejtës, por është e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve tjera. Sipas ndarjes botërore të punës që ka bërë Amerika: gjermanët  prodhojnë makina; zvicëranët  prodhojnë ilaçe; holandezët prodhojnë birra; francezët prodhojnë verë; italianët prodhojnë makarona; rumunët prodhojnë grurë; belgët prodhojnë çokollata; argjentinasit prodhojnë mish; brazilianët prodhojnë sheqer;  kolumbianët prodhojnë kokainë; arabët prodhojnë naftë; japonezët prodhojnë kompjuterë; kinezët prodhojnë kinezë;  rusët prodhojnë konflikte; serbët prodhojnë luftë; ndërsa shqiptarët prodhojnë kanabis. Sipas OTZI-t, Amerika praktikisht është një fuqi koloniale, e cila ka nënshtruar popujt e vegjël, prandaj përmes solidaritetit  botëror të bojkotit inteligjent të gjithçkajes amerikane, atë duhet kthyer në shtëpi.  Pas pak kohe, OTZI u ngrit në një gradë më të lartë të nxehtësisë së urrejtjes  dhe mori emrin “Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik”, me akronime të njëjta,  ndërsa Winstoni kërkoi ta qanin me emrin Otzi. Grupi  i snajperëve, ditën e parë të punës praktike, kishte vrarë 9 bujqë afganistanezë, të cilët ishin duke punuar në arat e tyre, duke mbledhur hashash.  Për shkaqe humanitare, Snajperi shqiptar e kishte zgjedhur ta vrasë  atë më të vjetrin nga radhët e bujqëve. Pas disa ditëve, ishin vrarë katër ushtarë amerikanë ndërsa Otzi kishte dezertuar nga ushtria, e cila po e kërkonte gjithandej.

Me të kthyer në Shqipëri (2021),  për shkak të aftësive që kishte fituar, Snajperi ishte caktuar në Gardën e Republikës, në eskortën personale të Kryeministrit. Për sherr të tij, Otzi filloi të komunikonte me Snajperin përmes postës elektronike, së cilës sigurimi i shtetit i kishte rënë në gjurmë. Këshilltari i Kryeministrit, Kim Kurani, e kishte kontaktuar Snajperin dhe e kishte udhëzuar se si të vepronte, në mënyrë që të arrinin ta arrestonin Otzi-n, së fundi  edhe duke e ftuar në çaj, mirëpo plani iu dështoi. Në mesazhin e fundit që Otzi i kishte dërguar Snajperit, i kishte thënë: “Thuaju miqve tu se Otzi nuk e pi çajin e ftohtë”. Me qenë se në Shqipëri ishin afruar zgjedhjet, Kryeministri kishte sajuar një skenar sipas të cilit duhej të fitonte zgjedhjet edhe për mandatin e katërt. Këshilltari Kim Kurani e kishte ftuar Snajperin, të cilit i kishte bërë shantazh se mund të arrestohej nën akuzën si pjesëtar i një organizate terroriste antiamerikane. Dhe  për të shpëtuar nga burgu, i kishte lënë një zgjidhje të vetme, që “ta vriste” Kryeministrin. Snajperi që e çmonte shumë Kryeministrin, u trand nga sa dëgjoi, por shpejt u qetësua kur Këshilltari i kishte shpjeguar, se ky skenar është me kërkesën e vet Kryeministrit, dhe nuk kërkonte ta vriste, por si specialist që ishte duhej vetëm ta plagoste, pa rrezik për jetë. Kjo do ta kthente Kryeministrin  në viktimë-hero  të terrorizmit, dhe do bënte që nga mëshira populli ta votonte edhe për një mandat, gjë që do të ishte në interesin e përgjithshëm publik dhe në interesin privat të Kryeministrit. Pasi Kryeministri të plagoset dhe të fitojë zgjedhjet, ty askush nuk të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film elektoral, i destinuar për shijen e votuesve, në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen,  i kishte thënë Kim Kurani. Snajperit i dhanë  pushim dyjavor, për t’u qetësuar e përgatitur për të zbatuar planin. Pastaj  Kim Kurani e aranzhoi një takim të Snajperit me Kryeministrin ku u morën vesh për hollësitë e zbatimit të skenarit. Në kërkesën e Snajperit që Kryeministri të mos lejojë njeri t’i afrohej, që të mos ketë viktima anësore, ai i kishte thënë: “Kjo është e sigurtë, se tani njerëzit nuk më afrohen edhe kur unë dua”.Të nesërmën Kryeministri do të mbante një fjalim në oborrin e një shkolle në periferi të Tiranës, ndërsa Snajperin e kishin  vendosur në një objekt të përshtatshëm në afërsinë e nevojshme. Sipas marrëveshjes, kur Kryeministri  kishte ngadalësuar ligjërimin, Snajperi e shenjon në kraharor, duke ditur se aty ishte i veshur me antiplumb. Kryeministri rrëzohet, dhe krijohet panikë, ikje,  tollovi në oborr e rreth tij. Snajperi po mendonte se Kryeministri qëllimisht nuk po ngritej edhe për pak kohë, që efekti i atentatit të zgjatej si në film, por shpejtë vërenë se me autoambulancë po e dërgonin në spital. E kishte vrarë përnjëmend. E kishte goditur në qaftë. Natyrisht, njerëzit që e kishin sjellë Snajperin në vendin e caktuar, e arrestuan duke e grushtuar, me akuzën se ka vrarë Kryeministrin. Në hetuesi Snajperi pranoi vrasjen, duke u arsyetuar se e kishte pushuar nga puna dhe i kishte shkaktuar varfërimin e familjes. Në burg kishte kohë të mendohej për gjithë veprimin, dhe në aspektin moral i gjente vetes një justifikim që i jepte qetësi ndërgjegjës, se kishte vrarë njeriun të cilin gjysma e Shqipërisë do donte ta vriste, madje ai vet kishte kërkuar “ta vriste”. Vrasja e Kryeministrit nuk binte në asnjë nga tri kategoritë e vrasësve dhe  të vrasjeve, që ishin: 1) vrasje nga pasioni – hakmarrësit; 2) vrasje për para – profesionistët; dhe 3) vrasje për popullin – heronjët. Unë nuk isha asnjë prej tyre, arsyetohej Snajperi. Po, për konsideratën që kishte ndaj Kryeministrit, kurrë nuk e tregoi të vërtetën e asaj vrasje, sepse po ta tregonte, do ta vriste për herë të dytë, meqë shqiptarët do ta konsideronin KM si një makijavelist i cili sajon gjithçka për të fituar vota e për të mbajtur pushtetin.

Kjo është fabula e romanit më të ri të politikanit, deputetit e shkrimtarit Ben Blushi,  titulluar: “KM,Kryeministri”. Autori e vënë ngjarjen në kohën e ardhshme (vitet 2020/21), por duke krahasuar realitetin aktual midis Afganistanit e Shqipërisë, gjenë  shumë ngjajshmëri: Afganistani prodhon opium, Shqipëria prodhon kanabis, si prodhime kryesore agrare që  me prodhimet e tyre mbajnë fshatarët  në punë  të përkohshme, dhe të rinjët perëndimorë – në eufori të përhershme. Në Shqipëri të gjithë merren me kanabis. Fara vjen nga jashtë, tokën e punojnë fshatarët (të cilët fitojnë pak e rrezikojnë shumë, a.f.), transportin e bëjnë grumbulluesit, shitjen e bëjnë trafikantët, mbikëqyrjen e bënë policia, ndërsa fitimet më të mëdha i merr qeveria, dhe kjo është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura e për të mbajtur popullin në qetësi. Kështu, Shqipëria e ka fituar statusin e saj në Evropë si një arë kanabisi të cilësisë së lartë, thotë autori i romanit. Kur përshkruan vetitë e shqiptarëve, autori thotë se shqiptarët nuk janë të egër, por dukën të vrazhdë; nuk janë armiqësorë, por dukën dinakë;  nuk janë punëtorë, por dukën të fjetur;  nuk janë të çmendur por dukën të marrë; nuk janë perëndimorë por dukën lindorë; dhe në përgjithësi gjithmonë dukën sikur janë – ata që s’janë.

Ben Blushi si politikan dhe deputet, edhe në letërsi është i preokupuar me zgjedhjet në Shqipëri. Në romanin e tij paraprak “Kandidati”, zgjedhjet për kryebashkiak të Basenit (lexo:Elbasanit) i fiton kandidati  Kadim Sadini (lexo: Qazim Sejdini), i cili kishte vdekur dy ditë pasi kishte paraqitur kandidimin për t’u zgjedhur.  Ndërkaq, në romanin “KM Kryeministri”, për të fituar zgjedhjet për një mandat të ri, ndaj Kryeministrit duhet të bëhet atentat nga një organizatë terroriste, që pastaj populli do ta votojë nga mëshira, që siç e thotë autori në romanin “Kandidati”, Shqipëria mbetet një parajsë për  gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për  gjithë të gjallët që zgjedhin.

Sado që autori bënë akrobacione letrare, duke trilluar histori në paraqitjen e ngjarjeve në kohë të ndryshme, që herë i përgjigjet kohës kur kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha, e herë   kohës së Edi Ramës, askush nuk e beson se personazhi i Kryeministrit është vetëm fantazi e autorit, e jo aludim në personin konkret. Aq më tepër që autori ka një opsesion ndaj të dy kryeministrave të përmendur. Blushi ka zgjedhur mënyrën për të larë hesapet me kundërshtarët politik përmes librave, dhe nuk i ka dalë keq; është “hesapë, me hesapë”, se duke i shpotitur letrarisht ata, po fiton materialisht për vete, nga shitja e librave.  Bile, edhe unë me këtë vështrim, po e ndihmoj shitjen. Veçse e tepron me ironinë, cinizmin dhe karikimin e ngjarjeve e të personaliteteve në të cilat aludon. Sipas trajtimit që  i bënë popullit shqiptar,  si një turmë me vetitë më të këqija (fq.91-93) Blushi me partinë e tij të sapoformuar, nuk do të duhej të kalonte pragun zgjedhor për të hyrë në Parlament. Sado që në kontekst letrar, vet e ka thënë një të vërtetë: “Askush më shumë se unë nuk është tallur kaq keq me vendin e vet” (fq.73 e romanit “Kandidati”). Si romancier (sidomos me romanet “Kandidati” dhe “KM Kryeministri”, që janë të ngjajshëm),  ka krijuar profilin e vet, dhe sadoqë nuk është shumë bindës në krijimtarinë e tij, artistikisht dhe me fantazi nuk qëndron keq.

Pas botimit të romanit “KM Kryeministri”, ka pasur reagime gjithfarësh, pro e kontra, madje edhe batuta, por edhe fyerje. Në një emision televiziv, Edi Rama kishte ironizua Blushin, duke thënë: “Meqë iku nga partia, mund ta thyejë heshtjen, por Blushi ka patur dy kryetarë partie: Fatos Nanon dhe mua. Me Nanon u bë tre herë ministër, dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri tre libra. Tani që është akoma me mllefin ndaj PS, do t’i sugjeroja ta bëjë edhe një libër tjetër,  sepse kur ta bëjë partinë e tij,  s’do të bëjë më as punë as romane”. Në replikën e tij përmes profilit të vet në facebook, Blushi ishte  më i paskrupullt, kur kishte shkruar: “Paska folur Edi Rama për romanet e mia! Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat”!

Nivel i ulët i komunikimit, që s’i bënë nderë, as s’i ka hije askujt!

*Ben Blushi: KM/ KRYEMINISTRI (roman), botoi “MAPO”, 2016, fq.224

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ben Blushi, KM, romani

TRANSPLANT

March 18, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot webet shqiptare i dominon debati i Blushit.
Një grup analistësh që janë gati të qajnë. Gati ta shqyejnë. Gati ta pështyjnë. Në përjetësinë e tyre prej monarkësh.
Ndaj monarkëve që u ofrojnë ca fonde mbijetese.
Një grup i përjetshëm.
Me të njëjtat çështje.
Përse nuk bëhet Shqipëria? Përse do bëhet Shqipëria?
Kush janë të korruptuarit? Na thuaj emra! Kush janë të paaftit? Na thuaj emra! Edhe pse shifrat mund të flasin më shumë se emrat. Jo, ne duam emra. Duam emra me qëllim që të ta kthejmë reston ty faqe të gjithëve. Të demaskojmë në sy të shqiptarëve. Se sa i pabesë që je. Se si po na hedh poshtë. Ne që të bëm ky që je etj.
Blushi ky debat i përtashëm i shqiptarëve. Që vetëm debat nuk dinë të bëjnë.
Blushi kjo dhimbje koke për rilindasit. Dhe një lloj kënaqësie nën hije e socialisteve.
Blushi kjo opozitë e padëshiruar prej disa opozitarëve. Të alarmuar se po u merr pozitat.
Temat…, reforma në arsim, reforma në drejtësi, reforma në shëndetësi.
Pagat, përkrahja sociale, ndërtimet.
Mbi të gjitha dinjiteti.
Dinjiteti ynë… Çfarë paradoksi. Ne jemi të mbimbushur nga dinjiteti. E kemi vështrimin thikë me dy presa. Të shohim nën vetulla. Plot krenari. E kemi gjakun plot dekorata. Plot medalje. Plot ngrefosje. Plot mburrje. Na ziejnë afshet.
Njëshkolonë.
E kemi treguar për dyzetë e pesë vite. Po e tregojmë tani. U bënë njëzetë e pesë. Duhet thyer rekordi.
Reforma për dinjitet.
Një vend që të bëjë demokraci, do popull. Do shoqëri civile … Do edhe intelektualë.
Gjithsesi, përballë këtij luksi studiosh. Të gjitha janë zero, forca të mbaruara. Një mekanizëm shoqëror i ndryshkur. Mjafton të shikosh një lajm vrastar. Demoralizues…., pikëllues pa asnjë diskutim.Një djalë i vogël, një shqiptar ndërron jetën në një klinikë në Bergamo të Italisë. Punë transplanti. Fonde të munguara. Indiferencë shtetarësh etj. Janë të gjitha pasoja të një debati bosh, gati treçereshekullor i paaftësisë për të konkluduar.
I atyre që flasin për reforma dhe vetëm reforma nuk bëjnë.
Do popull që të bëhet një vend. Do shoqëri civile.
Përpara se të dëgjoni studiot, lutuni për shpirtin e atij djali të mirë. Lutuni dhe u thoni atyre politikanëve që postojnë statute me ‘të.
Se lavdia nuk fillon mbi vdekjen, por me jetën përkrah. Nuk thuhet u preftë në paqe. Por u prehtë në paqe.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ben Blushi, Ilir Levonja, Transplant

A u bind Zoti Blushi se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen me zgjidhje ushkurësh?

May 20, 2015 by dgreca

Vizita që i bëri deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ben Blushi Lagjes së Trimave në Kumanovë është vizitë që zuri vendin e merituar në mediet e vendit. Krahas asaj se ishte vizitë tejet domethënëse për banorët e terrorizuar nga një shtet terrorist mediet aktualizuan qëndrimin e z. Blushi se “zgjidhja e mundshme e problemit etnik në Maqedoni do të bëhet përmes martesave të shqiptarëve dhe maqedonasve”.
Ajo që më bëri përshtypje nga deklaratat e tij kanë të bëjnë me konstatimin e z. Blushi se “banorët e Kumanovës u sulmuan nga një shtet i pabesë” dhe se kjo “ditë e shëmtuar në historinë e Ballkanit modern, që nga koha e luftërave në Bosnjë dhe në Kosovë u përsërit në Kumanovë për arsye që ende janë të pashpjegueshme”!
Fillimisht desha të theksoj se pabesia mund të vij nga dikush që nuk e pret. Sa u përket shqiptarëve Maqedonia ka pasur një politikë konsekuente të aplikimit të terrorit shtetëror dhe shqiptarët e kanë pritur dhe presin vetëm të këqija nga ky shtet terrorist.
Po sqaroj për lexuesit që nuk e dinë se me shtet terrorist në shkencat politike definohen ato shtete që nuk synojnë legjitimitetin e popullit në përgjithësi, apo të një grupi të caktuar etnik, racor, kulturor apo fetar në veçanti.
Që nga themelimi i saj, Maqedonia nuk e ka dëshiruar legjitimitetin e shqiptarëve. Përkundrazi, që nga fillimi i funksionimit të këtij shteti Maqedonia ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarë.
Madje, ky diskriminim vazhdoi edhe pse më 18 janar 1994 Maqedonia nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racial dhe Paktin Lidhur me të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.  Përkundër zotimeve se nuk do të kryej asnjë veprim apo praktikë të diskriminimit racial kundër personave, grupe personash apo institucionesh dhe se do tё sigurojë që të gjitha autoritetet publike dhe institucionet publike, kombëtare dhe lokale, t’i përmbahen këtij detyrimi dhe u zotua se do të heq diskriminim racial, që me Konventat ndërkombëtare nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferenca që bazohet në racën, ngjyrën, prejardhjen ose origjinën kombëtare e etnike,  gjuhën apo fenë Megjithatë,  në praktikë diskriminimi racial ndaj shqiptarëve në Maqedoni vazhdoi me intensitet edhe më të madh.
Përkundër nënshkrimit dhe ratifikimit të Kartës Evropiane për gjuhët nga shteti i Maqedonisë (25 korrik 1996) gjuha shqipe, si kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politikë shqiptarë,  nuk u zyrtarizua në nivel shtetëror. Asgjësimi i gjurmëve ilire, që dëshmonin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje, vazhdoi, ashtu siç vazhdoi ndërrimi i toponimeve dhe imponimi që toponimet të shkruhen dhe shqiptohen vetëm në gjuhën maqedonase. Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e flamurit kombëtar dhe simboleve tjera me të cilat identifikohen shqiptarët; u shkatërrua Instituti për Trashëgimi Kulturore Shqiptare, si i vetmi institucion ku duhej të përcaktohej mënyra e sistemimit të vlerave historike dhe kulturore, pa gjykuar për statusin politik të shqiptarëve, dhe u krijua «Muzeu i Lirisë»,  hipokrizi e pashembullt  për një popull të robëruar!…
Të gjithë e dinë se për shkak të dhunës dhe politikës së diskriminimit racial, që Maqedonia aplikonte ndaj shqiptarëve, shpërtheu Lufta e vitit 2001. “Marrëveshja e Ohrit” përfundoi luftën por nuk ndërtoi paqen!
–         Në vend të rregullimit të statusit të dëshmorëve të kombit dhe përkujdesjes 
 institucionale të familjarëve të tyre, kemi privilegje të panumërta për “branitelët maqedonas”;
–         Në vend të riparimit të dëmeve materiale të luftës në territoret shqiptare, u zhdukën gjurmët e 500 milion eurove, që Konferenca e Donatorëve në Bruksel i ndau Maqedonisë për zonat e dëmtuara nga lufta e vitit 2001;
–         Në vend të ndarjes proporcionale të buxhetit, nuk u bë asnjë investim në vendbanimet shqiptare;
–         Në vend të paqes dhe sigurisë, u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptare (mbi 500 shqiptarë u vranë dhe u plagosën në rrethana ende të pandriçuara pas përfundimit të luftës);
–         Në vend të respektimit të ligjit për amnisti, term që nuk është adekuat për luftëtarët e lirisë, kemi burgosje masive të ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
– Në vend të lirimit nga burgu i shqiptarëve që padrejtësisht janë dënuar, ndodhi montimi i procese të reja gjyqësore gjatë të cilëve u dënuan me burg të përjetshëm me dhjetëra persona të pafajshëm…
Zoti Blushi e di se Maqedonia është nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve. Neni i 16 i kësaj konvente përcakton qartë se “asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi …”
Megjithatë, që nga përfundimi i luftës së vitit 2001 dhe ardhjes së VMRO-së në pushtet, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit u ushtrua dhunë dhe terror shtetëror në Tanushë, në Brodec dhe në Kumanovë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarako-policore maqedonase, u vranë, u plagosën dhe u arrestuan me dhjetëra shqiptarë në prezencën e familjarëve të tyre. Posaçërisht fëmijët shqiptarë përjetuan tmerret, duke qenë dëshmitarë të dhunës shtetërore edhe ndaj prindërve të tyre.

Vizita e z. Blushi në Lagjen e Trimave në Kumanovë është një vizitë me vlerë të madhe simbolike për popullin e terrorizuar. Shpresoj se ai gjatë kësaj vizite e kuptoi hendekun e madh ndëretnik që ka krijuar pushteti maqedonas përmes politikës së diskriminimit racial kundër shqiptarëve. Shpresoj se ai është bindur se në Maqedoni problemet ndëretnike nuk zgjidhen përmes martesave por përmes instalimit të një shteti demokratik që do të respektojë diversitetin etnik, kulturor dhe fetar.

Zotit Blushi, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si intelektual me peshë në hapësirën kulturore shqiptare mund të kërkojë që institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës të ngrenë zërin në të gjitha institucionet ndërkombëtare kundër torturës dhe institucionet politike të BE-së dhe të kërkojnë krijimin e një komisioni të veçantë ndërkombëtar për hetimin e tërësishëm të asaj që ndodhi në Kumanovë.
Në Kumanovë janë ekzekutuar njerëz të grupit të armatosur shqiptar që u dorëzuan;
Në Kumanovë janë ekzekutuar edhe njerëz që nuk kanë pasur lidhje me grupin e armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar çnjerëzisht të arrestuarit, pjesëtarë të grupit të armatosur;
Në Kumanovë janë torturuar njerëz që nuk kanë lidhje me grupin e armatosur vetëm e vetëm për të pranuar veprat që nuk i kanë bërë.
Bashkimi Evropian e ka për obligim të ndriçojë këtë krim të rëndë që pushteti i VMRO-së dhe BDI-së e bënë kundër shqiptarëve në Kumanovë.
Ajo që është tepër urgjente e që z. Blushi mund të ndikojë të bëhet është krijimi i një ekipi mjeko ligjor të ekspertëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të kërkojnë ndihmën e BE-së në këtë drejtim për të vërtetuar pohimet se të dorëzuarit janë ekzekutuar dhe gjymtuar pas dorëzimit. Ky është hapi i parë i domosdoshëm për ndriçimin e një pjese të asaj që ndodhi gjatë terrorit shtetëror në Kumanovë.

Bardhyl Mahmuti
20 maj

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmati, Ben Blushi, Kumanova

BEN BLUSHI NE FOTO ME EKSTREMISTET, ANTISHQIPTARET E SFEVA

May 4, 2015 by dgreca

Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA( Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase. Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit). Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik.(E dergoi historiani Arben Llalla)

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Ben Blushi, me SFEVA

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT