Kosova drejt UNESCO-s -Mustafa: Lajm shumë premtues nga Parisi/
PRISHTINË, 12 Tetor 2015/ Kryeministri kosovar, Isa Mustafa vlerëson se, lajmi i sotëm nga Parisi se Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ka përfshirë në rendin e ditës kandidimin e Kosovës për anëtarësim, është shumë premtues.
“Kosova ka punuar shumë për këtë me shumë vende mike, është punuar shumë në Nju Jork, në Paris dhe në qendra të tjera botërore, që vendi ynë të anëtarësohet në këtë agjenci të OKB-së”, thekson ai.
Lajmi i sotëm, vijon Mustafa, është një konfirmim i gëzueshëm se integrimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është një proces i cili ka marrë hov dhe i pandashëm. “Qeveria dhe në veçanti MPJ, e cila ishte shumë e suksesshme në këtë proces, do të vazhdojë edhe më tutje lobimin e fuqishëm”, paralajmëron kryeministri i Kosovës.
Në 28 shtator bëhej e ditur se, edhe Principata e Monakos nënshkroi si bashkësponsorizuese kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. “Tani janë bërë 47 shtete që janë rreshtuar përkrah neve në kërkesën që çështja e anëtarësisë sonë të shqyrtohet nga Bordi Ekzekutiv në tetor”, bënte të ditur zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi nga Nju Jorku. “Po ecim përpara hap pas hapi”, shprehej ai.
Në 12 shtator zv/ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi bënte të ditur se Kosova bëri hapin e parë drej anëtarësimit në UNESCO.
“Kërkesa për plikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord të bashkësponsoruesëve në historinë e re të UNESCO-s”, dekaronte zv/ministi i Jashtëm kosovar, Selimi.
Zv/ministri i Jashtëm Selimi bënte të ditur se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vet agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara. “OKB në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, shtonte ai.
Sipas raportimeve, Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, për Kosovën do të bisedojë të mërkurën e javës së ardhshme, më 21 tetor pasi që kjo temë u fut sot në pikën e 43-të të rendit të ditës së mbledhjes 197 të Këshillitet.
Për t’u pranuar Kosova në UNESCO vendoset me dy të tretat e shumicës së vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate ndërkombëtare e cila të mbahet gjatë nëntorit./b.j/