Bujar Leskaj
Protesta e datës 7 korrik 2022, ishte një protestë e veçantë në llojin e vet, politike e qytetare, paqësore e me vrull, pasi jo vetëm që dëshmoi se sa shumë e duan lirinë dhe demokracinë aq shumë të rrezikuar shqiptarët, por edhe u tregoi të gjithëve, brenda e jashtë Shqipërisë, ridimensionimin aktual të politikës shqiptare, sipas vullnetit të sovranit, të papërfillur kaq vite.
Ata mijëra njerëz që përmbytën bulevardin, sfiduan regjimin, vranë indiferentizmin dhe dëshmuan revoltën e një populli që kërkon e dëshiron ndryshimin.
Secili në atë bulevard kishte nga një arsye për të protestuar e të gjitha arsyet së bashku, përbënin etjen e një populli që nuk pajtohet me keqqeverisjen, mashtrimin, mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies nga sekti Rama në pushtet.
Secili prej nesh protestoi kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; protestuan kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…
Dhe ajo llavë opozitare që kërkonte drejtësi duhet të bëjë të reflektojë edhe më skeptiku, në radhët e PD ose jo.
Njerëzit përmbytën sheshin në protestën e thirrur nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar, PD dhe Shoqëria Civile dëshmuan atë që kemi thënë këtu e muaj të tërë tashmë: kundërshtarë nuk kemi ata që deri dje i kishim në krah, por Ramën dhe sektin e tij! Protesta e 7 korrikut dëshmoi se ato që na bashkojnë si shqiptarë, që na bashkojnë si opozitarë, janë jashtëzakonisht më shumë se ato që mund të na kenë ndarë këta muaj.
Dhe bashkimin e kemi dashur gjithmonë realisht, për të qenë më të fortë, për të sfiduar këtë sekt që shqiptarëve u ka vrarë shpresën dhe për t’u ringritur si Feniksi për Shqipërinë, shqiptarët; për demokratët.
Shumë mësime mund të nxirren nga protesta e 7 korrikut:
Së pari, Partisë Demokratike nuk duhet t’i mjaftojë vetëm lufta në parlament dhe faktorizimi i saj përpara ndërkombëtarëve, por edhe protestat në rrugë e sheshe, në mënyrë që zëri dhe vullneti i sovranit të dëgjohen realisht. Dhe, në këtë kontekst, protestat duhet të jenë të vazhdueshme, të larmishme, në kohë dhe në qytete e krahina të ndryshme.
Së dyti, Partia Demokratike duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Frontin për Shpëtimin Kombëtar në një front të gjerë opozitar, jo vetëm me forcat e tjera opozitare, por edhe me Shoqërinë Civile dhe mobilizimin real qytetar dhe të reflektohen mendimet e saj.
Së treti, dëshmoi, përtej mirënjohjes për organizatorët në bazë edhe kërkesën imediate për një lidhje të ngushtë me strukturat e partisë në bazë, riorganizimin e tyre real, përzgjedhjen e njerëzve dhe aktivistëve, të cilët kanë dëshirë të vërtetë të punojnë dhe jo të bëjnë zgjedhje fiktive. Sot më shumë se kurrë PD ka nevojë për analiza të thella, të vërteta dhe përmirësim organizativ e funksional të strukturave në bazë.
Së katërti, pa hequr dorë nga demaskimi i sektit RAMA Partia Demokratike duhet zgjerohet, të shpallë alternativa, të kanalizojë të gjithë energjinë popullore kundër regjimit të sektit Rama, nëpërmjet kauzave dhe çuarjes së tyre deri në fund. Është përgjegjësia historike e Partisë Demokratike për t’u bërë interprete e gjithë energjisë popullore si në vitet 1991, 1992.
Së pesti, Partia Demokratike duhet jo vetëm të jetë në krah të popullit e me popullin, por edhe të jetë zëri i tij me alternativa të qarta politike e qeverisëse.
(PD duhet të deklarohet qartë për shpalljen e minimumit jetik dhe të jetë çdo çast kundër këtij sekti në pushtet, që vetëm varfëri, shpopullim, shpresë të vrarë ka mbjellë!)
Vetëm vazhdimi i protestave paqësore të PD dhe Shoqërisë Cilive të inkuadruara në Frontin për Shpëtimin Kombëtar do ta bëjnë Ramën dhe sektin e tij të reflektojë, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në botë.
Protesta vërtetoi se shqiptarët kërkojnë NDRYSHIMIN në çdo qelizë të jetës së tyre dhe më të bashkuar, më të fortë, më të hapur e pa paragjykime do t’ia arrijnë!
Dhe pa paragjykime brenda e jashtë partiake do t’ia arrijnë!