– PËRCJELLJE NGA EDITORI I NJË ARTIKULLI 42 VITE PASI U SHKRUA-/
Nga Dalip Greca/
Studiuesi Idriz Lamaj, autor i qindra artikujve, i disa librave historikë, monografive e dokumenteve origjinale historike si librat:(“Dokumente engleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe Gucisë 1879-1880)”, “Komiteti Shqipëria e Lirë”,”Xhaferr Deva-Në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të Mërgatës”, “Për Vatrën dhe Vatranët” etj… mbetet një arkiv i pasur dokumetar,plot letra, letërkëmbime të personaliteve që jetuan në Mërgatën e kohës së tij. Një pjesë e bibliotekës të tij të pasur i është dhuruar Vatrës, ndërkohë që edhe dosjet e dokumentacionit të emigrimit të një pjese të madhe të emigracionit shqiptar që erdhën në SHBA me ndërmjetësimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Kishës, po ashtu janë sistemuar në Vatër. Përse e bëmë këtë hyrje që nuk ka lidhje me artikullin që po botojmë? Arsyeja është se unë i kërkova mikut tim Idriz Lamaj që t’më siguronte sa më shumë letra dhe dokumente të editorëve të Diellit me të cilët ai ka pasë letërkmëbim. Xhevat Kallajxhiu, ish editori 10 vjeçar i Diellit(në kohë pas pensioni), është një figurë me përmasat e rilindasve, që më ka tërhequr shumë, dhe një pjesë të materialeve m’i ka dërguar Lamaj dhe Tonin Mirakaj. Në Diellin e shkurtit 2021, studiuesi Lamaj botoi arikullin”Xhevat Kallajxhiu-Editor i Diellit në kohë të vështirë”, ndërtuar edhe mbi letërkëmbime të Kallajxhiut me personalitete me peshë të Mërgatës. Pas shkrimit i kërkova z. Lamaj kopje të letërkëmbimeve me qëllim pasurimi të arkivit të Vatrës për studiuesit që vijnë pas nesh. Në kërkim e sipër ai gjeti dhe artikullin që po publikojmë sot.
Artikulli u shkrua për gazetën Dielli me porosi të editorit të atëhershëm të Diellit, Xhevat Kallajxhiu, cili i kërkoi Lamajt, që të shkruante diçka për Çamërinë. Kërkesa e tij u bë dhjetor 1977. Artikulli u shkrua, por për arsye politike të kohës nuk u botua në Dielli. Disponojmë letërkëmbimin e plotë mes Kallajxhiut dhe Lamajt.
E pyeta studiuesin Lamaj:Përse nuk e publikoi Kallajxhiu në Dielli 42 vite të shkuara artikullin? Përgjigja e tij: “Në dhjetor të vitit 1977, z. Kalljaxhiu me kërkoi të shkruaja diçka për Çamërinë, duke më lënë të kupotja që ishte një temë jo shumë e preferuar për ndjenjat e Vatrës ndaj regjimit komunist në Tiranë dhe duhej trajtuar me kujdes. Unë i kisha dërguar disa shënime për të cilat i pata lënë dorë të lirë për përdorimin e tyre, sipas pozitës në të cilën ndodhej…. Kallajxhiu më shkroi me 6 janar 1978: “… çështjen e konfliktit kufitar shqiptaro-grek e kam mbyllur dhe s’do të bëjë më fjalë. Prandaj edhe shënimet që me keni dërguar ju, do t’i ruaj me një anë, nuk do t’i përdor tash …”
Patët qejfmbetje nga vendimi i editorit për t’mos e botuar materialin e përgatitur prej jush?-, e pyeta sinqerisht Idrizin.
Përgjigja: Aspak.Me z. Kalljaxhiu kam pasë miqësi dhe letërkëmbim të pasur;e kemi kuptuar fort mirë njëri-tjetrin dhe rrethanat poltike të kohës….
Kur ma përcolli artikullin Idrizi përveç letërkëmbimit më editorin e atëhershëm, më shkroi: Nëse e sheh se ka vlera për sot, botoje, por theksoje të lutem-Merita i takon Xhevat Kallajxhiut, i cili ma porositi, por nuk mundi ta btojë për shkak të situatës politike dhe përplasjeve të kohës.
….Pasi ta lexosh, i dashur lexues i Diellit, më gjyko nëse kam bërë mirë që e kam botuar pas 40 e ca vjetësh, apo jo. Në gjykimin tim shkrimi mbetet një dëshmi e fortë që nuk e vjetron koha. Faleminderit Xhevat Kallajxhiu, që e porosite artikullin! Faleminderit Idriz Lamaj që pate mirësinë ta ruaje dhe ia dërgove Diellit!
***
DESHMIT E MASAKRAVE GREKE NË ÇAMËRI NË MEMORANDUMIN E VITIT 1947
PËRGATITI: IDRIZ LAMAJ/Gazeta Dielli
Memorandumi i Komitetit Antifashist i emigrantëve Çamër në Shqipëri:
– Ne, Komiteti i Emigrantëve çamër në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të Kombeve të Bashkuara (U. N. O.), në emër të emigrantëve çamër në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen grekët për të çfarosur minoritetin shqiptar në Greqi.
Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar aleatëve të mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, na kërkojmë drejtësi përsa parashtrojmë:
Rregjimet shoveniste greke, prej 32 vjetësh me radhë, duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzorë, dhe duke mos përfillur aspak traktatet ndërkombëtare, kanë përdorur kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje.
Qysh prej pushtimit grek të Çamërisë me 13 shkurt 1913, Banda e D. Janaqit e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit, masakroi pa më të voglën arsye, 72 burra të krahinës të Paramithisë në përruan e Selanit.
Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit shqiptar dhe zbulojnë orjentimin që mori politika greke kundrejtë popullësisë tonë. Ndjekjet, përsekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet, nën pretekstin e çarmatimit gjatë viteve 1914 – 1921, veprimtaria terroriste e komitëxhinjëve, provokacioni i 1921-së i Gjen Barias, të gjitha këto tregojnë realitetin e mjerimeve në të cilën u vu popullata jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopsi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithija, Margelleçi, Arpica, Grykohori etj., janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrenjtë këtë terror.
Me 1922-23, qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit musliman të Çamërisë në shkembim me grekët e Azisë së Vogël, duke i konsideruar si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës u has në rezistencën tonë dhe me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke konstatuar kombin shqiptar të popullësisë tonë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë Greke.
Por megjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marrura nga nga qeveria greke në Lozan, me 16 janar 1923, prapë grekët vazhduan politikën e tyre të çfarosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qendrimin në Çamëri të elementit shqiptar, ç’pronësuan qindra famlije në 6. 000 hektarë tokë pa më të voglin shpërmblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar etj.
Qeveria e Athinës instaloi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekë dhe ta krijoj mundësinë e emigrimit të popullatës autoktone shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisnin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovica, Shëndellia u braktisën krejt nga banorët shqiptarë.
Në këto rrethana ne nuk gëzuem asnjë të drejtë kombëtare dhe na pengohesh akoma edhe gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës kombëtare dhe përparimit, përkrahesh fanatizmi dhe injoranca, në vend të shkollave hapeshin edhe subvencionoheshin klubet fetare në gjuhë arabe. 95 përqind të popullatës sonë qendrojshin akoma analfabetë. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duarët e fajdexhinjëve grekë, akaparatorëve: Koçoni, Pituljet, Kaflla, Zhulla, Ringa etj., që varfëruan dhe skllavëruan gjithë vendin.
Në luftën kundër fashizmit, dhe tamam në përfundim të saj, forcat gjakatare të Llakës së Sulit, të komanduara nga Gjeneral Napoleon Zervas, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët shqiptar muslman të Çamërisë. Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe karakterit të luftës aleate antifashiste. Masakrat në Çamëri edhe gjatë pushtimit gjerman, u kryen nga autoritetet dhe bandat e tyre të vendit, të cilëve u vinin urdhërat prej Athinës për të zhdukur elementin Shqiptar në Greqi. Ja një fakt konkret; me largimin e forcave gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një përfitim i tillë u siguroi forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjitha krahinat e Çamërisë.
Forcat e Divizionit të 10-të të E. O. E. A., nën komandën e Kolonel Vasil Kamaras dhe pikërisht ato të regjimentit të 16-të të këtij divizioni të udhëhequra nga avokat Stavropullos Balluni Zoto, kriminelët me damkë Pretezenjt etj., me 27 qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjentë të Zervos, filluan masakrat më të tmershme. Burra, gra dhe femijë të pambrojtur qenë objektivi i monarko-fashstëve grekë. Numëri i të masakruarëve në qytetin e Parathimisë dhe rrethe arrin në 600 veta.
Me 20 Korrik 1944, forcat e regjimentit 40-të nën Komandën e Agores hynë në Pargë, ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.
Forcat e E.O.E.A, – së nën komanden e Theodhor Vitos, Ilija Kaqo, Hristo Mavrudhi, Hristo Kaqo, Hari Dhiamanti etj., mbasi rrethuan qytetin e Filatit, me 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjez hynë në qytet. Po në atë ditë hynë dhe në Spatër. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë çfarë gjetën. Në mbrëmjen e natës 23, duke u gdhirë 24 shtatori i 44-s, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj e të tjerë. Me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat, 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit, të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin mbledhur nga katundent e tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u çnderuan prej kriminelëve të Zervos. Pak ditë më vonë kriminelët grekë grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur, dhe me vendimin e qjyqit fallco: Koçinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptar të pa fajshëm u maskruan. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46-të vetave të vrarë dhe të therur me thika dhe 45 të tjerë në fushë të Filatit tek ara e Xhelo Metos…
Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnja në djep. Gratë dhe vajzat u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpetuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura. Nga ato del qartë kriminaliteti dhe qellimi i veprimeve kriminale në Çamëri. Ja disa shembulla:
Sanie Bollati, në Paramithi është djegur me benzinë mbasi ju pren sisat dhe i nxorën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe bënë copa copa në Paramithi. Në shtepinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra, dhe Çili Popova (nga Popova), i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brënda, muarën gratë dhe vajzatë më të bukura dhe tilluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër.Ulurimat e vajzave, të grave arrinin kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare etj., ishin objekt i këtyre poshtërsive.
Hilmi Beqirin nga Filati, mbasi e plagosën para familjes së tij e lanë dhe ikën. Familja, për ta sigurar, e strehon tek dentisti Mavrudhiu, ai e mban për disa orë, por më vonë lajmron ta marrin dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vet largohet për tek Shuaip Metja, ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marrin, më parë i xjerrin dhëmbët e floririt me daltë dhe pastaj e vranë.
Malo Muho, plak 80 vjeçar i sëmurë prej katër vjetësh, vritet me sopatë para së shoqes. Trutë i ranë në prehër të së shoqes, e cila pasi ja mblodhi, e mbuloi me jorgan dhe iku.
Në Spatar, Abdyl Nurqe merret, çohet në Filat zbathur, zvarriset nëpër rrugë të qtetit, dhe më në fund vritet para shtëpisë së Nidh Tafeqit.
Familja e Lile Rustemit nga Sullashi e përbërë prej 16 vetash, shumica fëmijë, zhduket krejtësisht pa shpëtuar as edhe një.
Xhelal Minit nga Paramithija i presin kokën me bajoneta mbi trupin e Myfti Hasan Abdullahut.
Sali Muhedini, Abedin Bakos, Muhamet Pronjës dhe Malo Sejdiut ju presin gishtërinjtë, hundën, gjuhën dhe këmbët. Dhe, kur këta ulurijnë nga dhëmbja e madhe, andartët Zervistë këndojnë këngën e Komandantit të tyre, dhe kënaqeshin kur shikonin këto tmerre. Më në fund i varën në çengal të kasapëve.
Eshref Himi, qytetar nga Paramithija,deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:
“Të Martën, më 27 Qershor 1944, në orën 7 të mëngjezit, hyjnë në Paramithi ushtria greke e komanduar nga Kolonel Kamara, Major Kranja, Kapiten avokat Nikolla Çenos, etj. Porsa hynë në qytet, u dha urdhëri që askush të mos lëvizte nga vendi sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin në asnjë mënyrë. Pas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe fëmijë, kurse nga ana tjetër filloi vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë.
Pasi me mbajtën 4 ditë në burg, vazhdon Eshrefi, me lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur Kisha e At Jorgjit, munda të njof 5 nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të 5 viktimat e njohur prej meje janë: Met Qere, Sami Asim, Mahmut Kupi, Adem Beqiri e Haki Mile. Pas dy ditësh me shpunë pas “Galatajt” në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollas ku kishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh pasi ishin bërë copa copa. Ngado shiheshin kufoma njerzish. E quajtura Sanije Bollati, pasi pësoi tortura të frikshme e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjdi ndodhi të mërkurën në mengjez”.
Deshmitë Eshref Himit janë të tmershme dhe vazhdojnë njëra pas tjetrës. Ai përfundon në burg:
“Në burg gjeta 380 përsona ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urie. 4 përsona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe mandej na përcuallën për në Prevezë prej kah shkuam në Janinë dhe qendruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të pa parashikuara”
Dervish Sulo nga katundi Spatar të Filatit përshkruan në këtë mënyrë masakrat në Spatar:
“Në mëngjezin e një të shtundje të shtatorit 1944 e gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit Spatar. Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani, 50 vjeçare, u çnderua, ia pren flokët mandej veshët dhe më në fund e vranë në baçen e saj në afërsi të Muços. Në shtëpinë tonë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skropojna prej tetë vetash, gra burra dhe fëmijë. Pasi çnderuan gratë, të cilave iu shpuan gjirët me thika, të gjithë u masakruan.
“Në shtëpinë e Damit Muhametit u vranë 5 gra dhe tre fëmijë. Në shtëpinë e Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër. Në shtëpinë e Dule Sherifit ju pre koka plakut 80 vjeçar, Sulejman Dhimicës dhe së shoqes së tij. Në shtëpinë e Meta Brahos u dogjën të gjallë 20 përsona, gra, fëmijë dhe burra. Kije Nurçia, 76 vjeçare, u therr me thikë. Në vreshtin e Zules dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 përsona të masakruar. Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderua Hava, Ajshja dhe Nazo Arapi, mandej kjo e fundit u masakrua.”
Viktimat dhe humbjet sipas statistikave të deritanishme, gjatë masakrimeve të 1944 – 1945 të shqiptarëve në Greqi, arrijnë numrin 2, 877, të ndarë si vijon:
Filati dhe rrethe 1286, Gumenica dhe rrethe 192, Paramithi dhe rrethe 673, dhe Magelliç e Perg 626. Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria me përjashtim të disa grave që edhe sot janë dëshmitare të gjalla të kësaj masakre rëqethëse në Paramithi, në Perg, në Spatar dhe në Filat. Nga goja e tyre del qartë gjenocidi i grekëve kundër shqiptarëve në Çamëri.
Kjo kasaphanë e frymëzuar prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shoviniste dhe fetare përfundoi në shpërnguljen me forcë të afro 23, 000 çamëve, qe u strehuan në Shqipëri në kondita të tmerrshme. 68 katunde me 5, 800 shtëpi u grabitën, u shkatrruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve, del të jenë grabitur në Çamëri nga forcatë fashiste të Zervës, 17, 000 kokë bagëti të imta, 1, 200 të trasha, 21, 000 kv bereqet dhe 80, 000 kv. Vaj, gjithashtu edhe prodhimi i vitit 1944-1945, që arrin në 11, 000, 000, kgr. bereqet dhe 3, 000, 000 kgr vaj. Gjatë emigracionit 110, 000 kokë bagëti e imtë dhe 2, 400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.
Shihet qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoi popullata e jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit.
Në mbështjetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni i UNRRA-së në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordimin në favor të emigrantëve, 1, 450, 000 dollarë si ndihmë imediate ndaj gjendjes sonë të vështirë.” Përfundon një paragraf i memoramdumit në fjalë….
***
PROVOKACIONI I GUSHTIT
Propaganda e regjimit komunist të Tiranës ka shkruar gjër e gjatë për Provokacionin e Gushtit të Vitit 1949 duke dhënë një motiv plotsishtë të kamufluar të realitetit të ngjarjeve historike të asaj kohe që natyrishtë, populli shqiptar i pagoi shtrenjtë. Prej vitit 1945 deri në vitin 1949,regjimi i ri komunist në Shqipëri, i dirigjuar në secilën fushë nga jugosllavët, mbështeti lëvizjen komuniste në Greqi për marrjen e pushtetit në dorë. Natyrisht, armatimi dhe trajimi i forcave komuniste greke në territorin e shtetit shqiptar mbahej sekret dhe drejtohej nga jugosllavët. Konfliktet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë lidhur me udhëheqjen e Federatës ose Konferedatës komuniste Ballkanike (në të cilën duhej të përfshihej Greqia), dhe disa faktor të tjerë, sjellin ndërhyrjen politike amerikane në shpetimin e Greqisë nga rënia nën regjimin komunist; gjë që shkaktoi menjëherë ndërhyrjen sovjetike në Ballkanë, dhe solli si rezultat “prishjen e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare”, për arsye të mosaftësisë së tyre në realizimin e planeve sovjetike në zgjërimin e pushtimit territorial të Ballkanit.
Tani të kthehemi të PROVOKACIONI I GUSHTIT TË VITIT 1949, sipas Memorandumit të Komitetit Antifashistë të Emigrantëve Çamër në Shqipëri, botuar në Tiranë në vitin 1947, dhe të ribotuar prej Shoqërisë Çamëria në Hartford, Connecticut të SH. B. A., me 1949:
– Me 2 Gusht 1949, forca të rregullta të ushtrisë greke të përbëra nga 3 batalione, të përforcuara me artileri dhe 15 aeroplanë bombarues, sulmuan tokën shqiptare, në sektorin e Bozhigradit, në një front prej 700-800 metra gjërsi. Rojet kufitare të ushtirisë shqiptare bënë një qëndresë heroike, u hodhën në kundërsulm, e dëbuan ushtrinë greke dhe rivëndosën situatën. Në luftimet e 2 gushtit, në mbrojtje të atdheut mbetën në fushë të luftës, kapiteni Memo Nexhipi nga Dukajt e Tepelenës, aspirant Ferid Bresari nga Vendresha e Skraparit dhe 4 ushtarë të rojeve kufitare.
Më 3, 4 e 5 gusht ushtria greke në reparte të rregullta të këmbësorisë, artilerisë dhe aviacionit kreu provokacione në sektorin e Bozhigradit, Leskovikut e Sarandës. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë në tokën shqiptare 12 ushtarë grekë, u kapën 2 oficerë dhe u rrëzuan nga artileria shqiptare 2 aeroplanë, njëri në sektorin e Bozhigradit dhe tjetri të Sarandës. Në këtë rast u kap i gjall piloti Panajot Bellafis me gradë nënkolonel.
Më 12 gusht, në ora 3. 00 të mëngjezit, forcat greke, të mbështetura nga artileria dhe aeroplanat sulmuan sektorin e Bilishtit. Në orën 13.00 po të asaj dite, një brigadë e ushtrisë greke e mbështetur nga artileria dhe 6 aeroplana sulmuan tokën shqiptare drejt primadës 32-34, po në sektorin e Bilishtit. Në të dy këto raste forcat shqiptare qëndruan trimërisht dhe i dëbuan jashtë kufirit duke i shkaktuar humbje të rënda ushtrisë greke.
Me 13 gusht, nga disfatat e pësura më parë, dy brigada të ushtrisë greke, të mbështetura nga artileria e rëndë, sulmuan më tërbim duke kaluar kufirin në sektorin e Bilishtit, por forcat shqiptare, të përqëndruara mirë në pozitatë e tyre, i thyen keqas dhe i vunë në ikje duke lënë 26 ushtarë të vrarë. Të nesërmën, më 14 gusht, brigade e 41 e Divizionit të 9 të ushtrisë greke, duke patur në dispozicion artilerinë dhe një skuadër aeroplanash, iu vërsulën përsëri Bilishtit nga të gjitha anët. Ushtria shqiptare jo vetëm që përballoi me sukses sulmin, por u hodh mbi llogoret e armikut: Ushtria greke u tërhoq duke lënë 60 të vrarë dhe shumë të plagosur. Këtu, jo vetëm ushtria e rregullt shqiptare, por edhe populli i thjeshtë i vëndosur deri në vdekje në mbrojtje të Atdheut, tregoi një qendresë heroike në mbrojtjen e kuotës 1309, dhe theu sulmet e batalioneve greke.
Edhe ditët e tjera, në sektorin e Llapanicës, në atë te Posta e Gurit, ose në Trestenik e vënde të tjera, u bënë luftime të ashpra. Tafil Ferati, MuharremVeizi, Myftar Shato Leskaj, Nasi Remarçka, etj. luftuan fyt përfyt dhe mbetën në tabe (llogore) të armikut. Këta atdhetarë të devoçëm, dhe shumë si këta, paguan me gjakun e tyre avanturat e politikës të Enver Hoxhës, dhe i treguan armikut grek se kufiri i shtetit të sotëm shqiptar nuk kapërcehet pa gjak.
Ç’prej datës 2 gusht deri në ora 12 të datës 15 gusht, forcat shqiptare iu shkaktuan forcave pushtuese greke më tepër se 300 të vdekur dhe qindra të plagosur.
Keto të dhëna i kemi marrë me rezervë nga shtypi zyrtar i Shqipërisë: Zëri i Popullit”, 4, 7, 14, 16 gusht 1949; “Luftëtari”, 18 dhe 22 shtator 1949; Komunikatë e ATSH, në “Zëri i Popullit”, 6 gusht 1949;Komunikate operative e Ministrisë se Forcave të Armatosura të RPSH, 7 gusht 1949. Kam bë edhe një krahasim të shpejtë në të dhënat e studimeve MILITARY REPORT ON ALBANIA, të asaj përiudhe.
Me u marrë me këto luftime që padyshim i shkaktuan Shqipërisë dëme të mdha materiale dhe humbje njerzore duhet një prencizitet dhe kujdes i veçantë.
***
Shënimi i redaksisë së ‘Diellit’ (16 Qershor 1978, fq. 7-të) thotë më të drejtë:"… hyrja e ushtrive greke në tokat shqiptare më 1949, u shkaktuan nga veprimi i çmëndur i regjimit të Tiranës, që ndihmonte çetat komuniste greke dhe e kishte bërë Shqipërinë si qendër strehimi dhe strevitje për to.” Këtu nuk duhet të dyshojmë aspak se, sikur forcat ushtarake greke mos të thyheshin nga forcat shqiptare, ato (grekët) do të aneksonin Shqipërinë e Jegut. Nga disa dokumente të Kombeve të Bashkuara shihet se Greqia, nën protekstin e shtypjes së forcave rebele komuniste greke kishte për qëllim të realizonte ëndrrën e vjetër shoveniste të ‘Vorio Epirit’.
Gjithashtu, verifikohet me një duzinë dokumentash arkivore, intervenimi i shpejtë i qeverisë amerikane pranë Mbretit të Greqisë për shuarjen e konfliktit me Shqipërinë. Kemi kaluar nëpër duar shumë shkrime në të cilatë shihet qartë se qeveria amerikane asnjëherë nuk iu ka vu veshin shpifjeve, propagandës, as sulmeve të çthurura dhe të ulta të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij diktatorial. Por, para dhe mbas Gushtit të vitit 1949, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bë presion të fortë ndaj çdo kërcënimi që i është kurdisur shtetit shqiptar,dhe në secilën veprimtari diplomatike kanë mbrojtë integritetin territorial të Shqipërisë së sotme.
Ata që polemizohen për të kaluarën e hidhur më mirë të vështrojnë në episodin e tashëm tragjik të marrëdhënieve miqësore midis regjimit staliniste të Shqipërisë dhe Greqisë impërialiste.
Shtypi zyrtar i Greqisë dhe diplomatët e saj herë mbas here, derdhin lotë si shtrydhje qelbi për përsekutimet e minoritetit mikroskopik grek në Shqipëri. Enver Hoxha me turp përulet sot para Athinës, ashtu siç është përulur para Beogradit dhe Moskës, dhe me gojën e tij pohon gënjeshtrën kur thotë: “… minoriteti grekë në Shqipëri ka përjetuar shumë ditë dhe vite të vështira.” Shoku Enver le të pyesë miqtë e tij në Athinë, çfarë ditësh dhe vitesh përjetuan dhe përjetojnë shqiptarët në Greqi?
….Populli shqiptar kurrë nuk do të harrojëÇAMERINË E MASAKRUAR NGA GREKËT(Idriz Lamaj)
Dhjetor 977