– Gazetari i parë shqiptar i diplomuar në Columbia University me 1926, ndërroi jetë me 18 Shtator 1978-
– Zbardhim lajmin e pasaktë të Diellit,që e “vdiq” 22 vjet para se të ndërronte jetë realisht gazetari, shkrimtari,studiuesi, gjuhëtari, piktori që u lind në Mallakastër dhe mbylli sytë në Californi ….
– Qyteti i Ballshit ka bërë vlerësimin e parë për intelektualin e shquar mallakastriot, që iku fëmijë prej Shqipërie dhe i mbylli sytë në vendin e ëndrrave, i djegur nga malli për vendlindjen, duke e shpallur Nelo Drizarin “Qytetar Nderi”. Por kaq është fare pak për vlerësimin e njeriu të përmasave të Nelo Drizarit….Kemi NDERA KOMBI qe e turperojne kombin, e pra ai mbetet NDER I KOMBIT edhe pa dekrete….
Gazeta Dielli e dha njoftimin e vdekjes të shkrimtarit, gazetarit, studuesit, piktorit Nelo Drizarit gati dy muaj me vonesë, me 1 nëntor 1978.Njoftimi thoshte se Nelo Drizari nderroi jete nga nje goditje ne zemer, ne shtepine e tij ne qytetin Carmen te Kalifornise ne moshen 76 vjecare, me daten 18 Shtator 1978. Në fakt gazeta Dielli e kishte”vdekur” gabimisht Nelo Drizarin 22 vite para se të vdiste realisht, me 4 Janar 1956, kur Gazeta Dielli, që ai e kishte vdrejtuar për 3 vjet, publikonte në faqen e parë një lajm me 7 radhe. Ja lajmi:”ka nja dy javë që mësuam një lajm të hidhur se Z. Nelo Drizari, ka nja dy vjet që paska vdekur. Këtë lajm të hidhur e botojmë me shumë rezervë, dhe njëkohësisht i lutemi z. Drizari, po të jetë i gjallë, ose cdo shqiptari tjetër që ka dije të saktë mbi z. Drizari, të merret vesh me zyrën e Vatrës për një cështje me rëndësi që i përket zotit Drizari.
Ky lajm e zemëroi shumë Drizarin, i cili në numrin e 1 Shkurtit 1956, përgjigjej: Nelo Drizari është gjallë.
Nën këtë titull vinte përgjigja e ashpër: Dikush më njoftoi se Dielli i 4 Janarit paska botuar një lajm pa themel mbi jetën time. Duket qartazi që lajmi bazohet në cpifje fantastike, ndoshta i përhapur nga ndonjë njeri pa skrupulla morale dhe etike.
Lavdi Zotit, sot gëzoj shëndet të mirë dhe shullehem në Diellin e ngrohtë të këtij shteti të bukur(California), të cilin Perëndia e ka pajisur me pasuri njerëzore dhe male të gjelbërt e të lartë si dhe me lugina të gjera pjellore.
Njëkohësisht sot po merrem me një art të ri që e kam fituar këtu: Vizatime – oil painting, lanscape and sea-scape të shkencës toksore dhe detare, si dhe me shkrimet e mia.
Kap këtë rast që t’ju uroj shqiptarëve të Amerikës gëzim e lumturi gjatë vitit 1956.
Nelo Drizari
San Francisco, California.
Editori i Diellit, në të njtin numër të gazetës, përpiqet të shfajsohet, duke sqaruar se lajmi nuk ishte dashakeqës dhe nuk e kishte shkruar ndonjë i paskrupullt, por ai vetë Qerim Panariti…
Cfarë kishte ndodhë?
Shtypshkronja që pat botuar fjalorin e Zotit Nelo Drizari disa vite të shkuara, dëshironte ta ribotone, por meqenëse dëshironte t’i shtonte fjalë të reja, i shkroi Diellit, që mundësisht t’i përkthente në shqip fjalët e reja pasi Drizari sipas tyre kishte ndërruar jetë dy vite të shkuara. Editori sqaronet s enuk e kishte besuar lajmin e vdekjes ndaj botoi në Dielli njoftimin e pasakët për vdekjen e tij.
Gjithësesi marrdhëniet e Nelo Drizarit me Vatrën e Diellin vazhduan edhe për shumë vite të tjera.Ai ishte një nga pjestarët e delegacionit të Vatrës në Romë me rastin e 500 vjetorit të Vdekjes së Skënderbeut(kohë kur ai botoi dhe librine tij historik”SCANDERBEG”) dhe një vit më pas, ishte një ndër ligjëruesit në seminarin e 60 vjetorit të Diellit me 28-30 nëntor 1969, ku arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e Amerikës festuan së bashku në Boston dhe Nju Jork. Po kush ishte Nelo Drizari? Lexojeni shkrimin e nxjerrë nga arkivi i Diellit.
***
NELO DRIZARI, GAZETARI I PARË SHQIPTAR
Nga Dalip Greca
Ndër gazetarët që hapën seksionin shqip te “Zëri i Amerikës” ishte edhe editori i “Dielli”-t për vitet 1936-39, i pari gazetar, që kreu studimet për gazetari në “Columbia University” në New York, Nelo Drizari, me origjinë nga Mallkastra. Ai editoi “Dielli”-n për rreth 3 vite, ishte autor i të parit fjalor shqip – anglisht dhe anglisht – shqip, që më 1926, ishte autor i gramatikës, shkroi edhe romanin “Four Seas to dreamland”, (“Katër stinët për në vendin e ëndrrave”), “Xhek London dhe ëndrra e pamundur”, “Kopshti piktoresk i magjepsjes” si dhe librin “Skenderbeu”. Nelo Drizari shkroi edhe poezi, dha ndihmesën e tij në gazetarinë amerikane, duke u bërë avokat i Shqipërisë përballë sulmit të gazetave e agjensive, ish me pikpamje monarkiste, besnik i Mbretit Zog, dishepull i Konicës. Në arkivin e “Vatra”-s ndodhet dhe rekomandimi që “Vatra” i dha ish editorit të “Dielli”-t, Nelo Drizari, kur nisi punën tek “Zëri i Amerikës”.
****
Nelo Drizari, editori i “Dielli”-t, në vitet 1937-39, kryetar i degës së “Vatra”-s për New York, më 1928, ishte themeluesi i seksionit shqip të emisionit “Zëri i Amerikës”, ishte gazetari i parë shqiptar në Sh.B.A., i diplomuar në “Columbia University” dhe profesor në atë universitet, sekretar i shoqërisë “Përparimi” dhe kryetar i “Lidhja e Studentëve shqiptarë në Amerikë”. Drizari u dallua si gazetar, romancier, gjuhëtar, studiues dhe piktor. CV-së së tij duhet t’i shtojmë edhe një fakt: Drizari qe i pari që futi gjuhën shqipe në programet shkollore te “Columbia University”, ku ish studenti u rikthye si pedagog i gjuhës shqipe. Në vitin 1934 ai do të botonte fjalorin e parë anglisht-shqip dhe më 1947 doracakun “Shqipja e folur dhe e shkruar”.
SEKRETAR I SHOQËRISË “PËRPARIMI” DHE KRYETAR TEK “LIDHJA E STUDENTËVE”
Nelo Drizari është ndër intelektualët më përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës në shekullin e shkuar. Emri i tij ndeshet që nga fletoret (gazetat) e para të shoqërive shqiptare në Amerikë e deri tek “The New York Times”. Në shtypin e shqiptarëve të Amerikës emri i Drizarit gjendet që në vitin 1916. Në numrin e parë të revistës së përmuajshme “Përparimi”, me editor Vangjel D. Nasse, që kishte nisë botimin në New York më 1916, mësojmë se Zenel H. Drizari ishte emëruar sekretar i saj. Nelo është përftim nga emri i tij i lindjes Zenel. Detyrën e sekretarit të shoqërisë “Përparimi”, duket se nuk e mbajti gjatë. Nuk dihen arsyet e largimit të tij si sekretar, por, në numrin e shtatorit 1916, nuk e gjejmë emrin e Nelos si sekretar, kurse në këtë numër botohet një njoftim, që përcjell shënimin se “ish sekretari i “Përparimi”-t z. Zenel Drizari, përfaqëson “Përparimi”-n në Watertbury, Connecticut. U lutemi shqiptarëve të atjeshëm t’i dorëzojnë pajtimet tek ai dhe të merren vesh me përfaqësonjësin tonë për çdo marrëdhënie me “Përparimi”- n. Nelo Drizari, në kohën që kryente studimet, ishte tepër aktiv në jetën shoqërore. Ai ishte pjesë e shoqatës të krijuar nga studentët shqiptarë të Amerikës, “Lidhja e Studentëve Shqiptarë”, krijuar që më 22 shkurt 1918 dhe i pranishëm me shkrimet dhe këshillat e tij në revistën “Studenti”, organ që kishte botim stinor, pra një numër në çdo stinë. Shoqata, që e kishte qendrën në “American Int. College”, Springfield, Mass, kishte për iniciator Qerim Panaritin, që ishte editori më jetëgjatë i “Dielli”-t. Panariti ishte iniciatori i takimit themelues dhe kryesues i mbledhjes themeluese, i ndihmuar si sekretar nga djali i patriotit të madh, Petro Nini Luarasi, Skënder Luarasi. Parashqevi Qiriazi, e pranishme në mbledhjen themeluese, ish editore e revistës “Ylli i Mëngjesit” u zgjodh kryetare nderi e shoqatës së studentëve.
Në kronikën nga mbledhja themeluese, revista “Studenti” veçon diskutimin e Nelo Drizarit, i cili qe shprehur se ishte detyra e studentëve që ta forconin këtë shoqatë, e cila do të jetë shumë e dobishme për djalërinë shqiptare. Në Kuvendin e parë Nelo Drizari u zgjodh me shumicë votash nënkryetar i Lidhjes së Studentëve, ndërsa në Kuvendin e dytë, atë të vitit 1919, u zgjodh kryetar, ndërkohë që Lumo Skëndo (Mid’hat Frashëri) ishte kryetar nderi në vend të Parashqevi Qiriazit. Nelo ishte një nga kontribuesit kryesorë me shkrime. Në numrin e parë të revistës, që botohej katër herë në vit, në botimin e “Stina e Dimrit”, Nelo Drizari prezantohet me essene “Bëhu mjeshtër i vetes sate”, ku zbërthen idenë se përparimin e njeriut në jetë e ka në dorë vetë njeriu, edhe pse fati ka pjesën e vet. Përveç kësaj, gjejmë dhe një artikull shkencor të Nelos nga fusha e Astronomisë, ku, në dy faqe të revistës, sjell interpretimin e ndërtimit të gjithësisë, të planetit tonë, Tokë dhe marrëdhëniet me planetet e trupat e tjerë të gjithësisë. Bie në sy interpretimi shkencor dhe shpjegimi i qartë për çdo lexues. Ja, si e shpjegon ai ndërtimin e tokës:
“Dheu është rrumbullak në formë portokalle. Sikur të bësh një shpofkë përmes Dheut, do të gjejmë se Dheu është afro 8000 mila i trashë. Dheu rrotullohet pas boshtit të vet rreth 19 mila në një sekondë ose 50 herë më shumë se plumbi i manxerrit…”. Për Hënën shkruan se ajo është 2,200 mila e trashë dhe vozitet prej fuqisë së Dheut… Dielli është 50,000 mila i trashë ose 110 herë më i madh se Dheu dhe është 93 milionë mila larg Dheut.”
Me këtë gjuhë të kuptueshme spjegon edhe qiellin, yjet dhe gjithçka që na rrethon në afërsi ose në largësi të padukshme.
Duket se në këtë numër të parë Nelo ka mbajtur peshën kryesore të revistës, pasi ka edhe një shkrim, që, edhe pse është me një tjetër emër, i përket atij për nga stili dhe gjuha. Artikulli botohet në rubrikën pjesa satirike dhe nënshkruhet nga N (Nelo) Suloi (mbiemri i tij i vërtetë – Sula). Artikulli titullohet “Ambicja”. Në rreshtat e kësaj reviste gjejmë gjurmët edhe të një libri, që deri më tash nuk gjendet, por që vetë Nelo e paralajmëron. Librin e kishte gati, madje ai cakton dhe numrin e faqeve të librit (150). Libri kishte në fokus rregullat e mbledhjeve bashkë me disa nome, që u përkasin shoqërive me sistem parlamentar. Libri, paralajmëronte Nelo, është i nevojshëm për çdo shqiptar, veçanërisht për anëtarët e shoqërive dhe për pjestarët e qeverisë.
ISHTE FËMIJË KUR MORI RRUGËN “PRAPA DIELLIT”
Pat lindur në Drizar të Mallakastrës më 1902. Kur ishte vetëm dhjetë vjeç, mori rrugën drejt emigrimit në vendin e largët, “prapa Diellit”, siç shpreheshin vetë emigrantët e parë të ardhur nga Shqipëria. Shpjegimi i shprehjes “prapa Diellit” nuk vinte aq shumë nga largësia, se sa nga pozicioni i udhëtimit, kur vapori që i mbartëte, çante përpara dhe Dielli mbetej pas. Si çdo emigrant tjetër, Nelo, që ishte kërthi ende i parritur, fillimin e pat tepër të vështirë. Si mund ta nxirte jetesën me punë krahu një fëmijë shëndetlig? Provoi punë të vështira, që qenë tepër të rënda për djaloshin e parritur, për të cilin edhe shëndeti qe problematik. Emigranti i ri kaloi çaste tepër të rënda me shëndetin. Madje kaloi deri në paralizë të gjymtyrëve, ç’ka paraqitet edhe në një libër të tij autobiografik. Kjo qe periudha më e vështirë e tij, ku përballoi depresionin e shkaktuar nga sëmundja, por, në këto rrethana, i gjendet pranë i vëllai, që e ndihmoi pa u kursyer. Kjo duhet të ketë qenë edhe periudha kur ai u rikthye në Shqipëri, shkoi në Drizar dhe pas një pushimi pranë familjes, rikthehet në Amerikë. Endrra e tij thurej rreth shkollimit në shkollat amerikane. Merr një hap të vështirë për të kryer studimet në një nga universitetet me emër, në atë të Columbias. Studioi për gazetari dhe me një vullnet të jashtzakonshëm përballoi programin mësimor dhe arriti të diplomohej. Padyshim, është gazetari i parë shqiptar i diplomuar në një universitet amerikan. Në kohën që studionte, Nelo nisi të siglojë me emrin e tij artikujt e parë në shqip dhe anglisht. Emri i tij ndeshet gjithnjë e më shpesh në faqet e gazetës “Dielli”, e cila aso kohe kishte editor Aqile Tasin dhe kryeredaktor Faik Konicën. Ato që bien në sy në artikujt e Nelos, janë stili i veçantë, gjuha e pasur dhe e pastër si dhe një raport i barazpeshuar mes fakteve dhe interpretimit. Nelo nuk është nga ata që endin lumë fjalësh e s’thonë asgjë, përkundrazi, artikujt e tij dallojnë për gërshetimin e fakteve me analizën. Me interes është një esse e botuar në tre numra të “Dielli”- t me titullin “Tre shtete”. Esseja nis të botohet në “Dielli”-n e 15 majit 1926, vazhdoi me 18 maj dhe përfundoi me 22 maj. Në konceptin e tij, baza e shtetit është shtëpia, ku lind dhe rritet fëmija. Për të shtëpia ka qenë dhe mbetet themeli i çdo shteti. Këtë pjesë të parë të essesë ai e titullon “Shtëpia”. Në numrin pasues botohet pjesa e dytë e saj me titull “Shkolla”, ku Drizari e sheh shkollimin si mjet bazë për përparimin dhe bashkimin e Kombit nën frymën e rilindasve. Pjesa e tretë e essesë është ajo me titull “Shteti”. Që në fillim autori shtron pyetjet: “ Sikur të mos ketë frikë njeriu nga varja dhe burgu, a mund t’u përgjigjet kanuneve të shtetit? Me një fjalë, sikur të hiqet fuqia e qeverisë, a mund të mos vrasë një vrasës dhe të mos vjedhë një kusar? Nelo Drizari ishte idhtar i një shteti të fortë, ku ligji vë rregull. Ai ishte ithtar i Mbretit Zog dhe mbeti i tillë.
Nelo e vazhdon bashkëpunimin me “Dielli”-n dhe merr përsipër që të ndikojë në edukimin e shqiptarëve të Amerikës, shumica e të cilëve ishin të pa arsimuar. Në një shkrim me titull “Përshesh me mejtime”, botuar në numrin e qershorit 1926, Nelo e vlerëson “Dielli”-n si gazetën më të përparuar të kohës. Gjuha, që përdoret te “Dielli”, s’është e trazuar si ndonjë përshesh i qelbur me fjalë të marra nga gjuhët e huaja. “Dielli” është rritur me kujdes aq të matur dhe delikat, sa kujdesja e një nuseje të stërvitur për foshnjën e mjeshtrit të gjuhës. Ky koncept i tij për gazetën e bën atë të dedikuar dhe bashkëpunëtor të rregullt. Është adhurues i Faik Konicës dhe përcjell gati të gjitha veprimtaritë publike e kulturore të Ministrit të Shqipërisë nëWashington dhe i komenton ose i përshkruan në faqet e “Dielli”-t.
VATRAN DHE EDITOR I “DIELLI”-T
Në Federatën “Vatra”, Nelo Drizari është anëtarësuar në qershor 1921 dhe ka vazhduar deri në tetor të vitit 1940, pa i ndërprerë kontaktet deri në fund të jetës së tij. Për saktësimin e këtyre datave na ndihmoi një letër e lëshuar nga sekretari i Vatrës në shtator 1942, një letër zyrtare që ruhet në arkivin e Federatës. Kjo letër duhet të jetë kërkuar nga zyrat amerikane, siç është rregulli kur dikush punësohet në zyrat e shtetit. Është koha kur atij iu besua krijimi i seksionit shqip të radios “Zëri i Amerikës”, detyrë që e mori nga viti 1942, deri në vitin 1948. Po në atë letër është saktësuar se Nelo ka kryer edhe detyrën e editorit të gazetës “Dielli” nga maji i vitit 1937, deri në dhjetor 1939.
Drizari ka kryer edhe detyrën e kryetarit të degës së Federatës “Vatra” në New York. E dëshmon këtë edhe letra që i drejtoi editorit të gazetës “The New York Times” dhe që u botua aty me 23 shtator 1928, letër që mban titullin: “Shqipëria e sheh Mbretin e ri Zog si uzurpator dhe si patriot”, ku gazeta vendos si nëntitull: “Uzurpator e konsiderojnë ata që kërkojnë trazira, – thotë udhëheqësi shqiptar, këtu në Amerikë (kupto Nelo Drizari), i cili e sheh monarkun si Skënderbeun modern.” Letra në fund është nënshkruar nga Nelo Drizari me funksionin e kryetarit të degës së Vatrës, të New York-ut. Ka dhe një dëshmi tjetër që vërteton se Nelo Drizari ishte aktiv në “Vatra”, madje ishte zgjedhur edhe delegat i Kuvendit të saj për vitin 1922. Për këtë dëshmon një protestë e tij e vonshme, botuar në “Dielli”-n e 16 marsit 1978, pak muaj para se të ndërronte jetë, ku ankohet për mungesën e emrit të tij si delegat, në një fotografi të Kuvendit të vitit 1922, ku ai, Drizari, ishte delegat, që përfaqësonte, përveç degës së New York – ut, edhe dy degë në Ohio dhe Indiana. Drizari i mbajti lidhjet me “Vatra”-n edhe pse detyra e tij ishte specifike. Në vitin 1969 e gjejmë në veprimtaritë triditore të “Vatra”-s me rastin e 60 vjetorit të gazetës “Dielli”, ku ai mbajti një ligjëratë dhe ishte në panelin drejtues të ngjarjes së madhe që mblodhi bashkë shqiptarët e Amerikës dhe ata të Italisë, përfshi arbëreshët.
DËSHMI E DRIZARIT: KONICA NUK ISHTE KUNDËR LUFTËS SË VLORËS
Është thënë shpesh se Faik Konica nuk e kishte të lehtë të pranonte një ngjarje të rëndësishme kombëtare, ku ai vetë s’kishte marrë pjesë. Kështu është thënë jo vetëm për Kongresin e Manastirit, për Shpalljen e Pavarësisë, por edhe për Luftën e Vlorës, Kongresin e Lushnjës etj.. Po sjellim dëshminë e Drizarit, dëshmi, e cila ka vlerë të dyfishtë dhe vërteton se ai ishte aktiv te “Vatra” që në moshën studentore, por edhe dëshmon se Konica nuk ishte kundër Luftës së Vlorës, siç është shkruar shpesh. Nelo boton në gazetën “Dielli” të 16 marsit 1978, letrën, ku shpreh pakënaqësinë e mospërmendjes së emrit të tij si delegat në Kuvendin e vitit 1922. Ja çfarë shkruan ai:
“Në “Dielli”-n e 16 janarit 1978, Barney Kirka përmend një numër të vogël delegatësh në Kuvendin e motit 1922 dhe më në fund bënte këtë shënim: “Mungojnë emrat e të tjerëve”. Vura re se një nga emrat që mungon është imi. Natyrisht, të gjithë emrat janë radhosur në raportin zyrtar dhe duhet të ndodhet në koleksionin përkatës të “Dielli”-t. Atë mot, megjithë që isha student në “Columbia University” dhe ndodhesha pa ndonjë përvojë aq shumë të shquar në sheshin politik, vendosa që të përfaqësoja tri degë të “Vatra”-s; degën e madhe të New York-ut, si dhe dy degë të tjera në shtetet Ohio e Indiana. Kriza ekonomike që kish lënë shumë anëtarë pa punë, i kish shtërnguar disa degë të largëta të bënin kursime. Bisedimet e zjarrta e zgjatën atë kuvend historik më shumë se kurdoherë më parë. Një nga ngjarjet kryesore ndodhi kështu: Një grusht delegatësh, të frymëzuar keq nga përshpëritje të nënrrogozta si dhe nga informata të çala, ishin kthyer çuditërisht kundër Faik Konicës. Kundërshtimet e tyre bazoheshin kryesisht në një intervistë që Faik Konica kish dhënë, kur ish në Evropë. Editori i revistës italiane, pa ndonjë shkak ose tjatër, kish lënë të kuptohej sikur gjoja udhëheqësi shqiptar kish lëvduar ushtrinë sunduese italiane gjatë çlirimit tëVlorës.
Dhe kur Hasan Bitincka, disa të tjerë dhe unë, propozuam që Faik Konica të zgjidhej kryetar i “Vatra”-s, salla e Kuvendit buçiti me kundërshtime të ndezura si dhe me brohoritje të përzemërta. U kuptua pra se këtu po mbillej fara e përçarjes, ndërkohë që Shqipëria ndodhej në rrezik nga kombet lakmuese të Ballkanit.
Pasi menjëherë e shpjeguam se editori i revistës i kish shtrëmbëruar fjalët e Faik Konicës, bisedimet e kundërta u kthyen në bisedime të buta bashkimi. Faik Konica u zgjodh kryetar i “Vatra”-s dhe kryeeditor i “Dielli”-t. Andon Frashëri, me pëlqimin e tij u zgjodh editor dhe Aqile Tasi ndihmëseditor. Edhe disa muaj më vonë, kur “Vatra” dhe “Dielli” kishin marrë udhën e mbarë nën kryesin’ e tij, disa prej nesh ishim mbledhur rreth tryezës së bukës në Boston. Atë mbrëmje, me gëzim se “Vatra” ishte forcuar aq shumë, sa i dëgjohej zëri kudo në botë për të mirën e Shqipërisë, darka mbaroi me kënaqësi të madhe.
Gjithashtu, në ziafet e sipër, kryetari i “Vatra”-s përsëri lëvdoi çlirimtarët e Vlorës, duke përmendur me një bukuri të ëndshme letrare disa këngë kreshnikore që pasqyronin trimëritë e trashëguara të popullit shqiptar.
Një nga këngët legjendare që përmendi ish dhe kënga e Mallakastrës (11 fshatra historike sipër lumit të Vjosës), që nis kështu:
O more Rrapo Hekali,
Kur thërret sa tundet mali,
Tundet mali, tundet fusha,
Ja vure pallën te gusha…
Nelo komenton: Mallkastriotët, me Rrapo Hekalin përpara, i kishin shpallur luftë një pashai, i cili egërsisht u kishte zaptuar mallra shumë të çmueshme. Gjithashtu, edhe me çlirimin e Vlorës, lebërit dhe mallakastriotët, me armët e tyre në duar dhe me gunat e dhirta, u vërsulën me trimëri kreshnikore përmbi gardhet e telta e të elektrifikuara të ushtrisë zaptuese dhe ia vunë pallën te gusha armikut.
KUR INTERVISTOI ALEKSANDËR MOISIUN
Nelo Drizari pat fatin të takonte dhe të intervistonte aktorin e madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiun, gjatë turneut, që trupa e teatrit të tij bëri në Sh.B.A.. Po ndalemi gjatë tek përshkrimet e Drizarit, pasi, pas shkrimit, zbulohet adhurimi që ai kishte për aktorin e madh. Pritjen e ngrohtë që i bënë amerikanët aktorit me origjinë shqiptare, Nelo e përcjell me një ndjenjë ngazëllimi:
“Kur erdhi për të parën herë Aleksandër Moisiu në Amerikë, nëntor 1927, bota tha se erdhi vetëm për katër javë. Por lojërat e tij aktoriale muarën bujë të madhe. Populli kërkonte kohë dhe rast që të shihte këtë aktor të famshëm. Programi i Reinhardit ishte që të loste një dramë në javë, që ashtu të mbeste vent për të tjera. Kërkimi i popullit e shtërnguan që ta zgjaste kohën dhe ta mbajë protagonistin deri më 8 të këtij muaji (shkurt 1928).”
Duke përcjellë atmosferën që e rrethonte aktorin e famshëm gjatë shfaqjeve, Nelo shkruan për lexuesit e “Dielli”-t:
“Moisiu është me të vërtetë njeri i dashur. Tri herë që e kam bashkuar backstage pas lodrave, jam habitur me sjelljet e admironjësve të tij. Shumë njerëz, shumica përbëhej prej grashë, suleshin si turma të tërbuara për t’i shtërnguar dorën Moisiut. Të tjerë loznin rolin e gjujtsave për dhurata (souvenir hunters). Të fundit kërkonin nënshkrimin e tij mbi programe, fytyra ose libra, që kishin lidhje me Moisinë. Aktori i madh i priste me buzëqeshje dhe kalorësi të shquar dhe u mbushte dëshirën, kur nuk nxitohej për të shkuar gjëkundi. Këto sjellje të këndshme, kjo kalorësi e shquar, së bashku me talentin e tij, kanë fituar miq të ngushtë dhe admironjës të shumtë. Megjithë që thonë disa se Moisiu është i sertë, natyra e tij m’u duk si e butë. Moisiu ngjan sikur është nga raca nordike, nga raca anglo-saksone ose teutonike. Ata që nuk e dinë se edhe në Shqipëri ka plot njerëz të këtij tipi, s’e besojnë se të atin e kishte shqiptar dhe të ëmën italiane.
Kjo është e vërtetë. Moisiu u lind në Trieste më 1890. I ati ishte Kostandin Moisiu nga Durrësi, i cili kishte tregëti në Vienë dhe më vonë në Fiume, në Hungari.
Foshnjërinë e tij Aleksandër Moisiu e shkoi në Shqipëri. Në Durrës ky vajti në shkollë dhe më parë se të nisej për në Vjenë, dinte shqip mirë. Që kur e dërgoi i ati në Vjenë, në shkollë s’pati rast të përdorte gjuhën e Atdheut, gjuhën shqipe. Ashtu që sot mban mend vetëm disa fjalë të rralla.”
Autori i shkrimit e merr në mbrojtje aktorin me origjinë shqiptare nga ata shqiptarë, që e përflisnin se ai e kishte humbur identitetin shqiptar dhe nuk ndjente asgjë për racën e vet. Nelo kundërshtonte:
“Por s’munt të themi që Moisiu ka humbur edhe ndjenjat ose dhembshurinë për Shqipërinë. Jo! Sa kohë që ish në Vjenë, ky shoqërohej me shqiptarët. Veç kësaj Moisiu vajti në Shqipëri për disa muaj pas Luftës Ballkanike. S’ka dyshim që Moisiu ndjen gëzim të nxehtë kur bashkohet me ndonjë shqiptar. Gjithashtu ay mbahet madhështor kur kujton që i ati ishte shqiptar.
Nga ana tjetër janë dhe disa sende të tjera që duhen marrë ndër sy. Moisiu është një artist i mësuar në vende kulturale të Evropës. Ky përballi shpenzime dhe zor të madh duke tretur mësimet në gjuhë të huaj. Moisiu i është vënë artit të dramës me gjithë mish dhe shpirt. Me fjalë të tjera bëri ca sakrifica, pra e hodhi lumin. Si një shkencëtar, ose muzikant, ose çpikës, që le mënjanë çdo gjë tjetër për të realizuar idealin, ashtu edhe Moisiu, mori ndër sy të arrijë në kulmin e fushës që zgjodhi; domethënë të bëhet një aktor i shquar.
Si aktor i shquar, artist i mbaruar, pranohet me brohoritje në qarqet e huaja. Domosdo, gjermanët e quajnë të tyrin. Por bota e dramës interesohet në interpretimin, talentin dhe personalitetin e Moisiut dhe jo aq për kombësinë e tij. Kudo që vete trimfon, Kudo bën përshtypje të shkëlqyera, sepse ka zotësi dhe talenti i tij s’kufizohet vetëm si tragjedian. Moisiu është edhe komedian i mbaruar. Nga këto shkaqe, Moisiu s’mund të dalë sheshit dhe të thotë “Unë jam shqiptar!” Kur e ka sjellë rasti, ay e ka thënë pa ndrojtur se si qëndron fisi i tij.”
Drizari tregon se si e takoi aktorin e madh dhe si e priti ai:
“Desha ta ndjek, desha të fjalosem me të edhe një here, më parë se të nisej për në Evropë me vaporin “New York” e shkova ta takoja. Për fat të mirë erdhi me mua edhe zoti Paul Linke, shkrimtar i ri gjerman dhe mik i ngushtë i Moisiut. Në backstage një varg njerëzish po prisnin. Moisiu, posa na pa, na qasi në odën e tij, odë e vogël që ka çdo theatër për kryeaktorin dhe na priti me një ngrohtësi gjeniale. Megjithëqë ishte i lodhur, u gëzua pa masë, kur mori vesh se shqiptarët i dëshirojnë përparim të madh dhe interesohen për triumfin e tij. Në këtë çast fytyra e tij u çel, kur dëgjoi prapë se shqiptarët e nderojnë, jo vetëm si artist, por e njohin edhe si shqiptar nga ana e të atit. Atij i ndriti fytyra.
Keni parë fytyrën e ndonjë të riu, që lëvdohet prej prindëve për ndonjë gjë të mirë që ka bërë? Keni vënë re se sa bukur tingëllojnë fjalët bravo …, të lumtë… dhe na nderove? Ashtu dhe Moisiu. Veçanërisht Moisiu u gëzua, kur pa që gazeta “Dielli” kishte bërë fjalë kaq herë për të.
Në përshëndoshjen e fundit Moisiu më siguroi, që dëshiron t’u falet nderit shqiptarëve për interesin dhe dashurinë, që rrëfejnë dhe mbahet kryelartë kur kujton që ati i tij ishte shqiptar dhe vjetët e foshnjërisë i shkoi në Shqipëri. Kur hapi derën dhe doli jashtë, populli gjerman e priti me “Hoch Moissi!..”Hoch Moissi”! (Rroftë Moisiu!)”
Brenda qenies së tij, Nelo Drizari ndjen një sëmbim në zemër, që Moisiun shqiptar e gëzonin kombe të tjerë, shtete të tjerë. Ai shkruan:
“Kur Moisiu shkoi përmes turmës gjer te automobili, m’u kujtuan ca shqiptarë të histories, pemët e punërave të të cilëve janë shijuar prej Botës, ajo botë që i rriti dhe i nderoi. Kur do të vijë koha që Shqipëria t’i mbajë për vete djemtë e saj?”
Për ironi të fatit edhe vetë Nelo, do të mbetej larg vendit të vet.
DRIZARI: LIBRIT TË KONICËS I KANË HEQUR DISA KAPITUJ
Kur Qerim Panariti botoi librin e Faik Konicës “Shqipëria, Kopështi Shkëmbor i Europës Juglindore”, Nelo Drizari reagoi me shqetësim, jo publikisht, por në letërkëmbim me miqtë e tij.
Më së miri këtë shqetësim të tij e shpreh letra, që i dërgoi Refat Gurrazezit, menjëherë sapo u botua libri. Është koha kur vetë Nelo sapo ka përfunduar librin e tij për Skënderbeun. Ai i shkruan Gurrazezit:
“Libri për kreshnikun tonë me famë kombëtare është gati për shtyp. Sa dëshiroj me gjithë zemër sikur të ishte gjallë zoti Faik Konitza. Besoj se do ta lëvdonte.”
Kur vjen fjala për librin e Konicës, Nelo Drizari shpreh mospajtimin e tij me librin, që u redaktua nën kujdesin e Panaritit. Ai është i bindur se libri është censuruar, ngaqë e ka parë me sytë e tij origjinalin në Legatën Shqiptare, treguar nga vetë Konica. Ai pohon se libri kishte dhe kapituj të tjerë, që janë hequr nga botimi i Panaritit. Ja pjesa e letrës, ku ai shpreh shqetësimin e vet:
“Sa për librin e Konitzës “Albania: The Rock Garden of Europe” e bleva fare rishtas. Kur e këndova më ra pika. Kuptova që nuk është libri i tij i plotë. Është vetëm një kaptinë nga disa kaptina që më kish dëftuar në zyrën e Legatës. Një nga kaptinat e tij ish ajo që ka dalë në shesh nën emrin “An Albanian Letter”, gjoja e shkrojtur nga Hito Sadik. Ku janë të tjerët?”
Nelo e nxit mikun e tij Gurrazezin, i cili, ashtu si Drizari, qe një nga ithtarët e Konicës në të gjallë të vet, që të bënte ç’ishte e mundur për të rënë në gjurmë të origjinalit për ta shpëtuar atë ashtu siç e pat lënë Konica. Ai i shkruan mikut të tij se duhet të gjendet me doemos ish sekretarja e Konicës, zonja Charlotte, e cila i pat daktilografuar kapitujt e librit të Faikut. Ai shfaq idenë se Peter Tykoja, ish kryeredaktor i “Dielli”-t, mund të binte në gjurmët e ish sekretares së Faikut, nga që ai jetonte në Washington.
BESNIK I MONARKISË
Edhe pse nuk e jetoi monarkinë shqiptare, Nelo Drizari e shihte veten me bindje monarkiste. Ndoshta u bë i tillë nga që ishte idhtar i Konicës dhe, në kohën kur Konica ishte Ministër, ai ishte mbështetës i tij, por ndoshta ishin edhe bindjet e tij se pa një shtet të fortë, pa ligj, shqiptarët nuk mund të civilizohen dhe të shkëputen nga rebelimet, që sillte liberalizmi i Nolit. Në një letër, që ai i pat dërguar Zogut, kur ky ishte në mërgim, Drizari e ka lënë me shkrim se ishte besnik i Mbretit, edhe pse ai pat rënë nga froni. Në letrën e 17 shkurtit 1941, Drizari sqaron pozicionin e tij:
“Kjo letër i është drejtuar Madhërisë Tuaj, në mënyrë për të sqaruar pozicionin tim në lidhje me Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Unë kam marrëdhënie me këtë shoqatë, si editor i gazetës së saj “Dielli”, por edhe për shkak të sulmeve të mia të forta në gazetë kundër pushtimit fashist të Shqipërisë dhe, për pasojë, për shkak të besimit tim të sinqertë në rrugën e jetës amerikane. Shkëlqesia Juaj ndoshta e siguroi mbështetjen e çiltër të shumicës së madhe të shqiptarëve në Sh.B.A. dhe Kanada.”
Drizari, në letrën e tij, i kujton Mbretit Zog I besnikërinë e tij dhe kontributin që dha kur motrat e Zogut, princeshat, vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Citojmë:
“Unë , si një anëtar i Partisë Mbretërore, vura në dispozicion të gjitha pushtetet e mia për të lehtësuar misionin dhe qëndrimin e tyre.
Shërbëtor i Shkëlqesisë Tuaj
Nelo Drizari, d.v-17 shkurt 1941”
Adhurimi i tij për Mbretin Zog shfaqet më së ploti në letrën, që Nelo Drizari i dërgoi në “New York Times”, letër që botohet me titullin “Shqipëria e sheh Mbretin e ri Zog si uzurpator dhe si patriot”. Nelo shkruan për qëndrimet e të dy palëve, atyre që e duan dhe atyre që e shajnë Mbretin, të parët duan ligjin dhe rregullin, të dytët anarkinë.
HAPAT E PARA NË POEZI
Në fakt, Nelo Drizari e nisi krijimtarinë nga poezia. Që në numrin e parë të revistës “Përparimi” gjejmë të botuar poezinë e tij “Shqipëria e plagosur”. Poezia ka 6 strofa me nga katër vargje secila dhe është e shkruar me rime të kryqëzuar ABAB.
Djemt’ e mi ju shqiptarë,
Ku e keni nënën tuaj?
Të gjithë me sy e keni par’,
E kanë zaptuar të huaj.
Poezia ka nota vajtuese për fatin e Shqipërisë së robëruar, por finalja e saj përmban shpresën se djemtë e rinj, ku Nelo Drizari përfshin edhe veten, nuk do t’i harrojnë vuajtjet e Nënës dhe se ata do ta sjellin ndryshimin:
Ne djemtë e rinj që jemi sot,
Të gjitha i kemi shkruar,
Kur kujtojmë na venë lot,
Asnjë s’kemi harruar.
Në numrin e korrikut 1916 botohet edhe një tjetër poezi e Nelos, që titullohet “Shpresa jonë”. Është shkruar me të njejtin stil e në të njejtën frymë, ka gjashtë strofa e 20 vargje të rimuar me të njëjtën rimë :
Do vijë dita ne të shohim,
Shqipërinë të madhuar,
Ku është ora ne të shkojm’,
Në luftë të gjithë të bashkuar.
Një poezi interesante është ajo që i kushtohet udhëtimit të tij drejt vendlindjes. Kjo poezi duhet të jetë shkruar në momentin, kur ai është kthyer përkohësisht për të parën herë nga Sh.B.A., në Shqipëri. Duket se bashkë me të në udhëtimin me anije nga Greqia në Vlorë, ai rastësisht ka udhëtuar së bashku me Atin e Pavarësisë, Ismail bej Qemalin:
Veja prej botës së Perëndimit,
Me vapor që shkonte pran’ një mali,
Mbi Detin shkumor të Joanisë,
Gjatë bregdetit të Shqipërisë,
Kur po çelej drita e Agimit.
Me ankth e mituri të një djali,
Të malluar për njerëzit e tija,
Pyeta sa larg është Shqipëria?
M’u qas e më tha se sa ish ora,
Dhe se nuk ishim aq larg nga Vlora.
Cili ish, vallë ky plak i shkreti,
Ky mjekërthinjur me pamje krali?
Festëkuqi, që më tha “Tyt eti,
Të fala nga Ismail Qemali!”
GJUHËTARI DHE PËRKTHYESI
Është i konsiderushëm kontributi që ka dhënë Nelo Drizari në fushën e gjuhësisë. Ai ka meritën se qe i pari që bëri të njohur gjuhën shqipe në një Universitet Amerikan, siç ishte “Columbia University”. Ishin të shumtë studentët e tij amerikanë, ndër ta edhe njerëz të shquar, që mësuan gjuhën shqipe, u bënë miq të Shqipërisë dhe vizituan vendin e shqiponjave. Duhet saktësuar se pedagog i gjuhës shqipe Nelo u bë para se të bëhej editor i “Dielli”-t dhe jo më pas, siç është shkruar kohët e fundit në shtypin e Tiranës. Kësaj periudhe i përket edhe hartimi i librit “Fjalori Anglisht – Shqip dhe Shqip – Anglisht” , të cilin Nelo Drizari e botoi më 1934. Vlerat e këtij fjalori i përcaktoi në parathënien, që shkroi Faik Konica, i cili nuk i kurseu lëvdatat. Pas fjalorit, Nelo do t’u ndihte studiuesve të gjuhës shqipe edhe me veprën e tij gjuhësore “Shqipja e folur dhe e shkruar”, një libër xhepi shumë praktik për përdorim të përditshëm. Vetë Nelo Drizari, përmes përcjelljes, shprehet me adhurim për gjuhën shqipe, për të cilën janë interesuar disa prej personaliteteve të përmasave botërore si Jokli, Han, Majer etj..
Nelo Drizari i dha freski “Dielli”-t përmes përkthimeve të tij, madje ai solli në faqet e gazetës, që do të editonte vetë për dy vjet, edhe zëra të fuqishëm të letërsisë amerikane, por ai shkroi dhe vetë letërsi aty.
I vlefshëm është edhe kontributi i tij i përkthimeve në gjuhën angleze. Vlen të veçohet përkthimi në gjuhën angleze në vitin 1945 i dramës “Besa”, të Sami Frashërit, e cila u vu në skenë për vite me radhë nga amatorët emigrantë shqiptarë në Sh.B.A.. Penës së tij si përkthyes i përkasin edhe shumë poezi popullore që shoqërojnë gramatikën e tij.
Gjuhës shqipe Drizarit i shërbeu edhe gjatë ushtrimit të detyrës të ngarkuar nga Ministria e Mbrojtjes për organizimin e seksionit shqip në Institutin e Gjuhëve të Huaja, në Monterey të Kalifornisë.
VEPRAT
Duke e përmbledhur krijimtarinë e Nelo Drizarit, evidentojmë faktin se ai e nisi krijimtarinë letrare me vargëzim, por suksesin e arriti në prozë. Në prozën e tij dallon publiçistika, artikujt studimorë dhe krijimtaria e mirëfilltë letrare. Romani në gjuhën angleze “Song of Irena”, i shqipëruar kohët e fundit nga nipi i tij në Londër, Zaho Sula, “Kënga e Irenës” është padyshim një kontribut i jashtzakonshëm i një shkrimtari shqiptar në një vend të huaj. Mjedisi, tema dhe ngjarjet kanë autoktoni shqiptare. Ngjarjet dhe personazhet lëvizin në një mjedis tepër të dashur për autorin e romanit, në Mallakastrën e tij roman, që i zhvillon ngjarjet në vitet ’30 të shekullit të shkuar. Romanin, Nelo Drizari ia kushtoi brezit të ri amerikan, që ka qenë i bekuar me një trashëgimi të madhe të lirisë. Libri, që përshkohet nga një vel romantik, u botua më1957.
Përpara këtij romani, Nelo kishte shkruar dhe një roman tjetër me temë, personazhe e subjekt shqiptar. Kjo vepër deri tani nuk ka gjurmë, por e dëshmon këtë një letër, që ai ia ka dërguar Elias Mitchell, kryetar i “Vatra”-s. Letra mban firmën e Nelo Drizarit dhe mbi nënshkrim gjendet shprehja e dashur e vatranëve “Juaji me Besë”.
Letra është nisur më 25 prill 1947 nga New York-u. Që në hyrje të saj, Nelo i lutet kryetarit të “Vatra”-s, që të shtrojë para Këshillit, kërkesën e tij për botimin e romanit me fragmente në gazetën “Dielli” dhe sponosorizimin e tij. Ja letra:
“Tue kujtue traditën e “Dielli”-t në lidhje me botimet letrare, edhe tue kujtuar sa me gëzim i këndojin këndonjësit, dëshiroj të shtroj një proponim për konsideratën tuaj. Kam një novellë romantike që merret me luftën burrërore për çlirimin e Shqipërisë prej zgjedhës fashiste dhe naziste. Novela, e cila e ka emrin “Bijtë e Korbës”, pasqyron edhe kontributin bujar të shqiptarëve të Amerikës. Kjo vepër letrare menjëherë munt të nisë të botohet në “Dielli” dhe të vazhdojë në një kohë të gjatë, gjersa të mbarohet.”
Më pas, Nelo parashtron kushtet e tij, ku shpërblimi që kërkon është simbolik, vetëm 700 dollarë në tre këste. Nuk gjendet përgjigja e kryetarit të “Vatra”-s, as edhe gjurmët e romanit të Drizarit.
Romani tjetër “Four Seas to dreamland”, e para vepër e tij e përkthyer në gjuhën shqipe “Katër ditë për në vendin e ëndrrave”, është një tjetër libër që dëshmon mjeshtrinë e shkrimtarit. Kjo vepër është klasifikuar si një vepër e ndërmjetme, ku gërshetohet letërsia dokumentare me atë artistike. Libri është i ndërtuar me 30 kapituj. Në pëlhurën e rrëfimeve është mbështjellë jeta e vetë shkrimtarit. Autori përshkruan bukur aventurën e një djaloshi, që ka lënë fshatin e lindjes dhe endet larg në vendin e ëndrrave së bashku me vëllanë. Djaloshi – personazh, që është vetë autori, digjet nga ëndrra për integrim dhe shkollim, por sëmundja ia ndërpret dhimbshëm në mes. Ai kthehet në vendlindje pranë familjes, ku klima, ajri dhe dashuria familjare bëjnë magjinë, e shërojnë nga e keqja. Ai i rikthehet vendit të ëndrrave dhe triumfon. Libri u botua në vitin 1969 dhe ato vite ishte ndër veprat e rekomanduara për nxënësit e shkollave amerikane.
Me shumë interes është edhe esseja e Nelos “Xhek London dhe ëndrra e pamundur”. Një vit para se të mbyllë sytë, Nelo Drizari u dhuroi lexuesve librin e tij kushtuar misionit katolik Carmel të Kalifornisë, i titulluar “Kopshti piktoresk i magjepsjes”.
I vlerësuar është kontributi i Drizarit edhe në fushën e studimeve të epokës Skënderbejane me librine tij “Scanderbeg; his life, correspondence, orations, victories, and philosophy” (Skënderbeu, jeta, korrespondenca, oratoria, fitoret dhe filozofia e tij.”. Emri i Drizarit është përfshirë edhe në hartimin e disa veprave me kolektiv autorësh si “Historia e dramës moderne”, “Fjalori i Kolumbias për letërsinë moderne amerikane”, “Enciklopedia e Collierit” etj.. Ndërsa trashëgimia publiçistike e tij është e pasqyruar jo vetëm në gazetat dhe revistat shqiptare të Amerikës si “Dielli”, “Përparimi” , “Studenti”, por edhe në gazetat e revistat prestigjioze amerikane si: “The New York Times”, “Boston Globe”, “Brooklyn Eagel Magazine”, “Current History Magazine” etj.
Nelo ishte i pasionuar edhe pas pikturës. Ai ka hapur ekspozita personale në San Francisko, Oakland etj..
PËRSE ISHTE I NDALUAR NË SHQIPERI?
Edhe Nelo Drizari, si shume vatranë, ishte i ndaluar në Shqipërinë e diktaturës komuniste. Ata që studionin nëpër arkiva dhe shkruanin për “Vatra”-n dhe vatranët, nuk e përmendnin kurrë Nelo Drizarin, edhe pse ai kishte dhënë aq shumë për kulturën tonë kombëtare, edhe pse kishte qenë në krah të Konicës dhe Nolit. Arsyen duhet ta thonë vetë studiuesit, edhe pse merret me mend se kush ishte shkaku. Nelo Drizari nuk i kishte bërë asgjë të keqe Shqipërisë, veç mirë. Nuk ishte marrë as me diktatorët, që udhëhoqën dhe pergjakën Shqipërinë. Ai nuk e kishte jetuar regjimin e Ahmet Zogut, sepse erdhi fëmijë në Amerikë, por e adhuronte atë, thjesht sepse njihte temperamentin e shqiptarëve, bajraktarizmin e tyre, egon për të qenë të gjithë udhëheqës dhe askush i udhëhequr, të gjithë komandantë dhe askush ushtar, njihte mosbindjen dhe rebelimin alla shqiptar. Ai thjesht besonte tek forca e ligjit dhe tek aftësitë e Ahmet Zogut. Kur i shkruan gazetës “The New York Times”, Nelo i njeh Mbretit të shqiptarëve meritën e vendosjes së rendit përmes ligjit, çarmatosjen e malësorëve, njeriun që i doli zot mbrojtjes së qeverisë, që doli nga Kongresi i Lushnjës; po kështu, Zogu, sipas Drizarit, ishte ai që i doli zot kryeqytetit gjatë rebelimit më 1923, po kështu i njeh Mbretit të shqiptarëve meritën e ruajtjes së qetësisë në situata të vështira, siç ishte rasti, kur u plagos para se të hynte në Parlament etj.. Për të gjitha këto Nelo Drizari u shpall i padëshiruar në Shqipëri.
Qyteti i Ballshit bëri vlerësimin e parë për intelektualin e shquar mallakastriot, që iku fëmijë prej Shqipërie dhe i mbylli sytë në vendin e ëndrrave, i djegur nga malli për vendlindjen, duke e shpallur Nelo Drizarin “Qytetar Nderi”. Por kaq është pak për vlerësimin e njeriu të përmasave të Nelo Drizarit.