• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA, PJESMARRËSE DHE NJË NGA SPONSORËT E DEMONSTRATËS NË WASHINGTON

April 6, 2014 by dgreca

Një nga pikat e rendit të ditës të Këshillit të Vatrës, organizuar me 5 prill, ishte dhe mbështetja që Federata i jep demonstratës që organizojnë shoqatat dhe fondacionet me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi për të dënuar politikën diskriminuse që ndjek prej vitesh Gjukonovici me qeverinë malazeze në drejtim të mohimit të drejtave më elementare të shqiptarëve dhe asimilimit. Në takimet e organizuara nga komisioni i demonstratës Vatra është përfaqësuar me zv/kryetarin e saj z. Asllan Bushati.

Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, tha se kjo demonstratë është shumë e rëndësishme për të drejtat e bashkadhetarëve tanë që jetonë në trojet e veta në Mal të Zi, ku të drejtat e tyre janë nëpërkëmbur dhe asimilimi po rrezikon të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta. Z. Bucaj tha se ky solidaritet i Vatrës  dhe i shumë shoqatave të tjera këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një sinajl edhe për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, i cili me moskordinimin mes vetes kanë ndihmuar asimilimin e shqiptarëve.

Po ashtu dr. Gjon Bucaj, bëri publik, një propozim që i ka bërë anëtarit të Ansamblesë Kombëtare të Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj, për t’u vënë në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikan, për të organizuar një vizitë në Mal të Zi për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.

Për demonstratën e së martës-8 Prill 2014 në Washington, iu bë thirrje vatranëve në Nju Jork dhe degëve të tjera, vecanërisht asaj në Washington, që të bëhen pjesë e demonstratës.

Në fund të takimit u organizua një fushatë simbolike për të sponsorizuar udhëtimin drejt Washingtonit.

Grupit të vatranëve pjesmarrës në demonstratën e Washingtonit do t’i prijë zv/kryetari i Vatrës, Asllan Bushati.

Të dashur vatranë bëhuni mbështetës të kësaj demonstrate për të mbështetur bashkatdhetarët tanë në Mal të Zi dhe për t’i thënë ndal asimilimit!

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, demonstrata e washingtonit, Vatra

RRUSTEM GECAJ PËRFUNDOI RINOVIMIN E SHTËPISË SË VATRËS

April 4, 2014 by dgreca

Të premten me 4 prill 2014, Rrustem Gecaj, biznesmeni i njohur për bujari e atdhetari, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Lluka e Deçanit, përfundoi rinovimin e Shtëpisë së Vatrës.Zoti Gecaj e kishte marrë zotimin me 22 shtator 2013, gjatë një vizite që bëri në Shtëpinë e Vatrës ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.Vatrës i takon një shtëpi më e bukur, më e bollshme; i prishni këto dhomëza, i jepni hapësirë më shumë, historia e vatrës duhet të preket- qe shprehur ai dhe po aty kishte shtuar: Unë do ta marr përsipër që ta bëj! Unë do ta rinovoj Shtëpinë e Vatrës! Publikisht  Vatra e dha njoftimin gjatë një darke që shtroi për nder të Presidentit të Shqipërisë z. Bujar Nishani, ku ishte i pranishëm edhe z. Rrustem Gecaj.

Puna për rinovimin e ndërtesës nisi në fillim të muajit Mars 2014 dhe vazhdoi për një muaj. Rinovimi i katit të parë ishte tërsor dhe preku edhe sistemin elektrik, atë hidraulik, u rrëzuan muret,u vu shitrak, u bë plastër,  u zhvendosen tubacionet, u shtruan dyshemetë, u ndërhy në sistemin e ngrohejes, në atë elektrik etj. Çdo ditë punuan 5-7 dhe më shumë punëtorë, përveç specialistëve hidraulikë e elektrikë. Riparimi përfshiu edhe mjediset e jashtme të dy kateve të sipërme dhe bejzmentin.Vetë zoti Gecaj i udhëhoqi punimet duke ardhur çdo ditë në Shtëpinë e Vatrës së bashku me djalin , Avniun. Janë shpenzuar me dhjetëra mijëra dollarë, por z. Gecaj nuk jep shifra. I kam bërë si për shtëpinë time, thotë. Vatra është shtëpia e të gjithë Shqiptarëve, tha për Diellin Rrustem Gecaj. Ai jo vetëm pagoi punëtorët dhe specialistët për një muaj, por të gjitha materialet i bleu vetë. Puna u bë me cilësi. Ganiu që drejtoi punimet, tha për Diellin se ndjehej i gëzuar që Bosi, Rrustemi, mbeti shumë i kënaqur nga cilësia e punës. Porosia që na pat dhënë ishte e prerë:-Djema, bëni punë si në shtëpinë time, si në shtëpitë tuaja. E dua me cilësi gjithçka. Në fakt , shton Ganiu, na doli shumë punë, sidomos në shtrimin e floorit. Materiali ishte i kalbur. Na u desh që të hiqnim deri dhe trarët.Por, gjithësei jemi të kënaqur, që puna na doli shkëlqyshëm.

-Ka qenë shumë I preukupuar me Shtëpinë e Vatrës, baba Rrustem,s’ka lanë ditë pa ardhur e pa I kontrollua punimet, ndërkohë që nuk I sheh kështu punimet në objektet e veta. Donte që gjithçka të ëbhej mirë, më tregon djali, Avniu, që po ashtu, ka qenë I përditshëm në shtëpiën e Vatrës.

Gjatë ditës së Premte, me 4 prill, kishin ardhë për ta falenderuar z. Rrustem Gecaj, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i shoqëruar nga zv/kryetari Asllan Bushati, nga anëtari I Advisary Board Zef Përnocaj, editori i Diellit.

Z. Gecaj që shoqërohej nga djali i tij Avniu dhe z. Rasim Hasanaj, tha se ndjehej i gëzuar që kishte mundur të jepte kontributin e vet për Vatrën Kombëtare. Ndjehem mirë, tha ai, që ju jeni të kënaqur nga puna. Dr. Gjon Buçaj e falenderoi z. Gecaj në emër të vatranëve dhe tha se vatranët nuk do ta harrojnë kurrë këtë dhuratë tepër të vlefshme. Ky kontribut do të shënohet në rekordet e Vatrës 102 vjeçare.

Dje në shtëpinë e Vatrës kishte edhe vizitorë të largët. Kishte ardhë për vizitë edhe gazetari i TV Vizion Plus,Tiranë,  Saimir Sulaj i shoqëruar nga ish gazetari i Zërit të Amerikës Shaqir Saliu. Edhe ata e takuan biznesmenin atdhetar Rrustem Gecaj dhe e përgëzuan për kontributin e tij me vlera kombëtare.

Te shtunen me 5 prill Keshilli i Vatres do ta zhvilloi takimin ne sallen e re.

Më gjërësisht rreth puëns për rinovimin e Shtëpisë së Vatrës dhe veprimtarisë së Rrustem Gecaj do të lexoni në Diellin e printuar.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, e rinovoi, Rrustem gecaj e mbajti fjalen, Shtepine e Vatres

VATRA, LISI RRËNJËTHELLË NË TOKËN E LIRISË

April 1, 2014 by dgreca

EDITORIAL I DIELLIT/

Federata Panshqiptare e Amërikës VATRA, me 28 prill të vitit 2014 do të mbushë 102 vjetë jetë në tokën e bekuar të Amerikës, ndërsa zëri i saj, regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve, DIELLI, me 15 shkurt 2014 festoi ditëlindjen e 105-të. Duket se Vatra dhe Dielli, përbëjnë binomin historik të shqiptarëve të Amerikës dhe janë të mosvdekshëm, thënë ndryshe –të përjetshëm.Në këtë jetëgjatësi për më shumë se një shekull, Vatra dhe Dielli kanë ngrohur shpirtrat e shqiptarëve dhe kanë mbajtur gjallë idenë Kombëtare. Nuk kishte ngjarje Kombëtare ku nuk dëgjohej zëri i  Vatrës, këshilla që vinte prej saj, ishte orientim Kombëtar. Kur mblidhej Kuvendi i Pavarësisë në Vlorë, kreu i Vatrës, Faik Konica këshillonte: Hidhini sytë nga Perëndimi, jo nga Lindja! Kur do të përzgjidhej princi –Mbret për të qeverisur Shqipërinë, Vatra udhëzonte, një princ të dërguar dhe përkrahur nga Evropa! Kur Shqipëria humbi shtetin, kishte Vatrën që luante rolin e shtetit të munguar.

Vatra dërgoi ambasadorë në Evropë; Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtullin dhe Mithat Frashërin në Zvicër, pagoi jo vetëm ata por edhe diplomatë amerikanë dhe europianë për të lobuar për çështjen shqiptare. Dita 3 qershor 1917 ka hyrë në historinë Kombëtare si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë nga Shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës. I pari që e dha sinjalin e një fushate të madhe ishte delegati i Vatrës në Zvicër dr. Turtulli, i cili krahas një letre mallëngjyese kishte dërguar Një mijë dollarë për të çelë fushatën, që do të çonte në shpëtimin e Shqipërisë, që kërcënohej nga zhbërja. Kaq u desh. Vatranët e kuptuan detyrën e tyre. Vatra do të mbetej e turpërua për jetë nëse nuk i përgjigje ftesës dhe dhuratës të dr. Turtullit. U vendos që e Diela e 3 Qershorit të shpallej Dita e Shpëtimit të Shqipërisë. Dr. Turtulli këshillonte që së paku të mblidheshin 40 mijë dollarë nga kjo fushatë. U vendos që kjo të mos ishte vetëm fushatë e Vatrës, por të ftoheshin edhe shoqëritë e tjera, përfshi dhe ato fetare. Qëllimi ishte që të siguroheshin të ardhura të mjaftueshme që të ngrihej një komitet për Shpëtimin e Shqipërisë. U caktuan delegatët Mehmet e Konitza dhe dr. Turtulli që në bashkëpunin me shqiptarët e Amerikës të ngrinin Komitetin. Puna e Komitetit syntonte që të sigurohej një Shqipëri me kufijtë e saj ethnografik në Konferencën e Paqes dhe pas paqes të organziohet një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët.

Komisioni organizator i fushatës përbëhej nag Kryetari- Kol Tromara, Sekretari- Loni Kristo, Kontrollorët- Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi dhe Fan S. Noli. Në Thirrjen që nënshkroi kryetari Tromara e sekretari Loni Kristo, bëhej thirrje që të niste fushata me qëllimin final të grumbulloheshin 40 miëj dollarë që për kohën ishte shumë e madhe. Të nxitur edhe nga poezia e Nolit” Jepni për Nënën”, shqiptarë mblodhen gati katërfishin e asaj shume që synonin.Në thirrje shkruhej”Perëndia na zgjodhi ne shqiptarët e Amerikës si shpëtimtarë të Shqipërisë”!

Editori i Diellit, Bahri Omari, në komentin e tij e përqaste misionin e shqipatrëve të Amerikës me atë të francezëve më 1871, kur Bismarku kishte kërkuar në Versajë 5 miliardë franga dëmshpërblim për të liruar vendet e pushtuara. Bismarku kishte pandehë se këtë shumë nuk kishin ku e gjenin francezët, por ai nuk kishte llogaritur shpirtin patriotik të popullit francez, që e pagoi shumën në një kohë të shkurtër. Kështu dhe ne shqiptarët e Amerikës, shkruante Bahri Omari, nuk do ta lëmë Atdheun tonë peng!Dhe Shqiptarët e Amerikës nuk u turpëruan-mblodhën rreth $160 mijë.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës shkoi në kryeqytet por arka e shtetit ishte bosh. Mithat Frashëri vjen tek shqiptarët e Amerikës dhe vatranët e presin me bujari.Organizojnë Huanë kombëtare dhe mbledhin gati 198 mijë dollarë. Shumë tepër e madhe për kohën.Edhe sot ndodhen fletët origjinale të Huasë Kombëtare, që tepëruan, të cilat mbajnë emrin e Minsitrit të Financave N. Coba dhe të arkëtarit të Vatrës G. Katundi. Por detyrat e Vatrës nuk mbaruan me kaq. Shtypshkronja e Diellit, që u ble në nëntor 1913 dërgoi qindra mijëra libra për shkollat shqipe në Shqipëri për dy dekada, më 1920 dërgoi bandën muzikore të Vatrës në mbrojtje të kufijëve jugorë të Shqipërisë nga grekërit dhe në Luftën e Vlorës kundër italianëve.

Kontributet e Vatrës kanë vazhduar për vite e vite. Gazeta e saj Dielli ka kryer detyrën e vet në ndriçimin e mendjeve të shqiptarëve dhe është kthyer në shkollë kombëtare. Natyrisht që në më shumë se një shekull jetë Vatra ka pasë edhe ulje-ngritjet e saj. Ka pasë sulme, kurthe, intriga nga brenda dhe jashtë, për ta shpërbërë atë, por jetgjatësia e saj tregon se rrënjët janë ngulur thellë në tokën e lirisë-Vatra është lisi rrënjëthellë në tokën e lirisë. Armiqtë dhe kundërshtarët e luftonin, skepticistët fërkonin duart dhe shpresonin se “Vatra” dhe “Dielli” do të shuheshin shpejt, se misioni i tyre kishte mbaruar, se Vatra me kalimin e viteve ishte plakur dhe e kishte lënë koha pas. Veçanërisht e vështirë ishte mbijetesa e Vatrës gjatë luftës së ftohtë. Lufta kundër saj ishte e shumfishtë, nga kundërshtarët helenikë, nga shteti komunist me emisarët e vet, sigurimi i shtetit shqiptar, nga UDB-jugosllave dhe shërbëtorët e Tiranës dhe Beogradit.Megjithë përpjekjet e mëdha të Tiranës komuniste për të përcarë diasporën shqiptare në Amerikë, duke vënë përballë nacionalistët- Legaliteti, Balli,Blloku Indipendent, të prirur nga Vatra me Diellin –nga njëra anë, dhe përkrahësit e sistemit nga ana tjetër-me Organizatën Shqipëria e  Lirë + Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara,- me gazetën”Liria”, nacionalizmi qëndroi, Vatra nuk ra, kështjella falso e Shqipërisë së Lirë- u rrëzua. Por Vatra ia arriti që të mbahej gjallë nga atdhetarët nacionalistë. Kombi, për Vatrën, mbetet detyrë mbi gjithçka.

Pas shembjes të sistemit komunist Vatra, shpresoi se demokracia do të ishte reale në Shqipëri, por nuk rreshti së kërkuari dënimin e krimeve të komunizmit, dekomunistizimin e shoqërisë, integrimin e ish të përndjekurëve politikë, kthimin e pronave tek pronarët e vërtetë, luftën pa kompromis kundër korrupsionit etj.

Viti i 100 vjetorit të themelimit ia shtoi fuqitë Vatrës. Degët e reja që u ngritën në Washington D.C dhe Michigan, ishin shenja premtuse të kthesës drejt rritjes numerike të saj dhe rritjes cilësore.Festimi madhështor me  më shumë se 1000 pjesmarrës, nxori në pah fuqinë në rritje të Vatrës. Më pas lindën degët e reja si në Jacksonville në Florida, Hudson Valley, South Florida, Queens, dhe në prag të Kuvendit, habia ishte dega e S Westchester që u përfaqësua me një grupim të vogël në “promovimin e ditëlindjes”  së saj me shampanjë dhe një kek, ku ishte shkruar emri”dega e South Westchester”. Para Kuvendit u paraqit një listë me shumë emra, por as sot nuk janë depozituar fletët e regjstrimit dhe pagesat për shumicën e anëtarëve të pretenduar. Çuditërisht dega nuk u ndje mirë me emrin e pagëzimit , një ditë prej ditësh ndërroi edhe emër dhe vendosi që të krijonte struktura më vete.Madje dhe të registrohej si e atillë.

Një nga thashethemet që po shpërndajnë disa nga ideatorët e saj është se” Federata Vatra na qenka e paligjshme! “ Shih kur të na mohojnë ndonjë ditë se nuk kanë egzistuar as themeluesit e Vatrës, të na mohojnë edhe Nolin e Konicën! Çfarë nuk pritet!

Historia e Vatrës është publike dhe e njohur në Shtetin Amerikan së paku këtu  e 102 vite të shkuara. Për ata që nuk e dinë, po e shfletojmë: Vatra me atë emër simbolik aq kuptimplotë për shqiptarët, që ka për Kumbarë Faik Konicën, Fan Nolin, Kristo Floqin dhe Paskal Aleksin së bashku me delegatët e shoqërive- Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska,- që u bënë themeli i Federatës, arriti që të realizoi bashkimin e shqiptarëve të Amerikës. Fara e bashkimit ishte hedhë qysh me Albanian e Konicës, vazhdoi (më 9 tetor 1909 erdhi Konica si editor ) me Diellin dhe u konkretizua në pragun e Pvarësisë së Shqipërisë me themelimin e Federatës. Mëma e Vatrës ishte shoqëria më e fuqishme e asaj kohe, që kishte dhe gazetën më të zëshme” Diellin”- shoqëria Besa-Besën. Editori i atëhershëm i Diellit Kristo Floqi u bë inisiator dhe Chairman i takimit të parë të 24 Dhjetorit 1911. Vendtakimi ishte në 724 Washington Street, ku u bisedua me hollësi për bashkimin e shoqatave.Kjo mbledhje, me propozimin e Marko Adams, konfirmoi komisionin katërsh, Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi. Komisioni u mblodh me 13 shkurt 1912 dhe zgjodhi si sekretar të vet Atë Fan S Noli. Në Thirrjen që hartoi komisioni binte në sy qartësia çfarë synohej për të krijuar një bashkësi që t’i përgjigjej kohës së shqetësuar që kalonte Kombi. Mbledhja e dytë u caktua me 3 mars 1912, takimi tjetër me 17 Mars, ku Komisioni i Bashkimit u takua me Delegatët e dërguar nga Shoqatat, të cilët do të trasonin rrugën e vështirë për të arritur bashkimin. Delegatët ishin: Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska. Takimi i 24 Marsit ishte më i frytshëm, aty u arrit dakordësia edhe për gazetën Dielli, e cila do të ishte gazeta e Shoqatës që lindëte prej bashkimit. Po aty u caktuan Faik Konitza dhe Kristo Floqi, që të gjenin një avokat amerikan dhe ata të ishin përgjegjës për Kanunoren e përkohshme.

Takimi tjetër, ku do të miratohej edhe Kanunorja e përkohshme u la që të organizohej me 31 Mars. Komisioni dhe delegatët u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit në adresën: 227 Tremont Street, Boston Mass. Në atë takim u bë pagëzimi i Shoqatës së bashkur me emrin e shumëpëlqyer”Vatra”. U përdor termi”Federatë” me qëllim që të mos kishte qejfmbetje nga kryetarët e shoqatave bashkuese.

Miratimi i Kanunores u la për takimin e 9 prillit. Komisioni i bashkimit dhe delegatët u mblodhën në Kishën Shën Gjergji nën drejtimin e Fan S Noli.Ky takim u mor me Kanunoren; fillimisht u lexua Kanunorja në anglisht , më pas edhe në shqip. Leximi u përsërit nyje për nyje, madje disa herë. Pas shumë bisedimeve u votua një pjesë e kanunores, e cila përmblidhte fillimin, qëndrimin e qëllimin e Federatës VATRA, si dhe detyrat e Komisionit Qendror, i cili do të formohej nga një sekretar i përgjithshëm, një arkëtar i përgjithshëm dhe kontrollorët, gjithsej 5 vetë. Nuk u përfunduan diskutimet gjatë atij takimi që zgjati deri në 10 të natës, kështu që u la të vazhdohej me14 prill. Është interesant fakti i mungesës të dy personave në këtë takim; editori i Diellit, Kristo Floqi,nuk kishte arritur të mbërrinte në kohë nga që vazhdonte të kërkonte të holla për Diellin nëpër koloni, ndërsa dr. Kost Kotta, qëlloi që atë ditë i duhej të ishte në çeljen e shkollës shqipe në Southbridge (jemi në vitin 1912!).

Mbledhja arriti që ta votonte të gjithë Kanunoren dhe u dhanë porosi për takimin tjetër që do të mbahej me 28 prill 1912 në Kishën e Shën Gjergjit.

Vjen kështu dita historike e 28 prillit 1912, ku Komisioni i bashkimit dhe delegatët deklaruan:” E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”,” Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”. U zgjodh komisioni i përkohshëm për drejtimin e Federatës: Sekretar At Fan Noli, arkëtar- Lambi Çikozi, Manager i Diellit- Kristo Kirka. Organizator të degëve Faik Konitza, Kristo Floqi. Mbikqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil. U la për detyrë që më 12 Maj të niste organizimi i degëve.

Në Klaendarin e Vatrës përshkruhen ditëlindjet e degëve, me 12 Maj lindi dega e parë e Vatrës. Detyrën për organizimin e kësaj dege e kishte At Fan Noli. Ishin të pranishëm dhe folën edhe Faik Konica e Kristo Floqi. Kryetar i degës së parë u zgjodh Kristo Kirka.Pleqësia e degës përbëhej nga Kristo Aristidi-arkëtar,Ilia Zografi-sekretar, anëtarë-pleq; Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar. Të dielën pasuse, me 19 maj u organizua dega nr. 8 në South Framingham-Milford, Mass, me kryetar Kristo Kosta –Gjyrezi, po atë ditë u organizua edhe dega në Brockton Mass,  si dhe dega nr 5 në Worcester, me 26 maj u themelua dega nr. 2 në Lynn, Mass, dega nr. 9 në Hudson-Marlboro, Mass, me 2 qershor lindi dega nr. 4, Manchester, N. H, dega në Tauton, Mass, me 9 qershor u themelua dega Nr. 13 në Lonsdale, R.I, dega nr. 12 në Natick, me 16 qershor lindi dega nr. 7 Biddeford-Saco. Po atë ditë u krijua dega në Cochituate, Mass, , po atë ditë u themelua edhe dega nr. 10 në Southbridge, Mass. Vazhdoi krijimi i degëve me ritme të shpejta. Shqiptarët e prisnin si një sihariq të gëzuar krijimin e  çdo dege dhe mezi i prisnin organizatorët. Gati në çdo javë krijoheshin dy ose më shuëm degë.Në kalendarin e Vatrës janë shënuar ditëlindjet e 65 degëve edhe pse numri i tyre më pas iu afrua 80-tës.

VATRA u njoh zyrtarisht prej Shtetit të Massachusetts dhe mori diplomën e saj(Charter), të shënuar prej zotit Albert P. Langtry, sekretarit të Shtetit. Emrat e atyre që bënë aplikatën për njohje dhe që janë shkruar në diplomë, janë Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Çere, Kosta Kotta.

Vatra dhe Dielli kanë kaluar çaste të vështira nga që dhe jetgjatësia e tyre ka shkaktuar zili e lakmi. Kur nuk e kanë bërë për vete Vatrën, janë përpjekur që ta përçajnë.Siç shkruante ish editori i Diellit dhe sekretari i Vatërs për vitet 1958-59, i ndjeri Peter R. Prifti, misteri i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit, ka disa arsye. Arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronin as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.Vatra, do të jetë jetëgjatë sepse “Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.”

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, LISI RRËNJËTHELLË, NË TOKËN E LIRISË, Vatra

BUKURIE OMERBASHA, NJË JETË PLOT DHIMBJE, NJË DASHURI PAFUND PËR JETËN

March 23, 2014 by dgreca

–   Historia e një gruaje që edhe pse qëndroi 17 vite e rrëzuar në shtrat, gjeti forca të ringrihej dhe të riecte sërish.Për 13 vite nuk ia përcaktuan diagnozën në Shqipëri.Pas 17 vitesh u ngrit në këmbë.

 Nga Dalip Greca/

Me 25 Mars u mbush një vit nga dita kur ndërroi jetë Bukurie Omerbashi (Berisha). Bashkëshorti, Mustafai udhëtoi nga Nju Jorku drejt Floridës (Jacksonville) për  t’i bërë  ritet e pasvdekjes; për ta kujtuar e nderuar. Ikja e Bukuries, ashtu si dhe vetë jeta e saj, ishte e veçantë. Iku shumë shpejt, edhe pse vuajtjet nuk i qenë ndarë gjatë të gjithë jetës. Iku jo nga sëmundjet për të cilat mjekohej, por nga një e ligë, që s’dukej, një nga ato sëmundjet që as emrin nuk e përmendim. Sëmundja e keqe qëndronte fshehurazi në trupin e saj dhe e kafshoi për vdekje, tinëz. Deshi të merrte avionin dhe të shkonte në Tiranë, atje t’i mbyllte sytë dhe të shlodhej në përjetësi, por vetë sëmundja ia kishte zënë keqazi pritën; Jo, thanë mjekët në Barnabas Hospital NY, nuk mund të udhëtojë, në asnjë mënyrë jo. Është e rezikshme.I mbylli sytë këtu në Tokën e Premtuar dhe prehet në varrezat në Jacksonville, Florida. Pranë ka fëmijët, nip e mbesa, që shkojnë dhe çmallen shpesh.

Bukuria, e bukur si vetë emri që mbante, ishte ca e pafat në jetë, pasi një  sëmundje e panjohur për kushtet e Shqipërisë e paralizoi, duke e kthyer në një invalide që s’mundëte të çohej në këmbë për gati dy dekada.

Po kush ishte Bukuria? Pat lindur në Fier më 1943, në një familje kosovare , me origjinë nga Mitrovica. Familja u shpërngul nga Fieri në Tiranë më 1946. Në vitin 1957 njohu njeriun me të cilin do të lidhte jetën, intelektualin Mustafa Omerbashi, me të cilin u martua më 1961. Në vitin 1976, prestarja e fabrikës së këpucëve në Tiranë, e ndjeu veten keq. Si me komandë u rrëzua dhe nuk mund të ringrihej më në këmbë. Një sëmundje e padukshme e kishte sulmuar duke e paralizuar. Pas këtij momenti, shtëpi e saj, u bë Spitali Neurologjik në kryeqytet, Tiranë. Mjeksia shqiptare nuk pat arritë që t’ia përcaktonte diagnozën e saktë, kështu që mjekimi ishte pa efekte. Ajo mbeti e paralizuar në shtrat, por pa e humbur shpresën se një ditë do të shërohej. Për 13 vjet Mustafai, nuk rreshti së shkruari letra për kurimin e së shoqes. Ai lutej për ta nxjerrë jashtë shtetit, por një punëtoreje nuk mund t’i vinte radha të kurohej jashtë Shqipërisë. Kështu kaloi në shtratin e lëngimit vite pas vitesh. Pas 13 viteve, më 1989, në agun e përmbysjes së sistemit, u arrit të dërgohej në Budapest të Hungarisë, ku menjëherë iu përcaktua diagnoza dhe u krye operacioni. Sëmundja kishte ardhë nga lëkurët e bagëtive, lënda e parë këpucëve, ku punonte prestarja e palodhur. Me hapjen e vendit, rënien e sistemi komunist, u dërgua në Gjermani nga i shoqi. Në vitin 1993 nisi të hedhë hapat e para Bukuria. Gëzimi saj dhe familjes ishin të pamasë. Ringritja në këmbë përbënte një gëzim të jashtzakonshëm. Kush e besonte, veç Bukuries? Me durimin e një trimëreshe i kaloi çastet e para të vështira derisa nisi të normalizohej në ecje. Fillimisht dikush duhej ta mbante përkrahësh.

Ardhja në Amerikë ishte dhurata më e shtrenjtë për sëmundjet e Bukuries. Gjithësesi organet jetësore të saj kishin kaluar prova të vështira dhe trupi ishte i tejlodhur. Në vitin 2004 iu nënshtrua një operacioni në zemër në Einstein hospital NY. Pas kësaj vështirësitë u shtuan, çdo javë i nështrohej analizave të gjakut. Por edhe në këto kushte ajo e deshte fort jetën. Në Mars të vitit 2013, kur kishte shkuar për kontrollin rutinë të gjakut, doli nga takimi me mjeken, fare e zbehtë, tepër e tronditur. Kishte marrë ljamin e keq. Mjekja ia kishte tëhnë hapur: Më vjen keq zonjë, pak ditë ju mbeten! I shoqi e priste jashtë. Kur e pa të zbehtë e të shqetësuar u trondit. Mustafaj, kur e dëgjoi kumtin e vdekjes së afërt nga e shoqja, u dridh, por iu desh t’i jepte zemër: Jetës nuk i dihet, mos u dëshpro!Ti je trimëreshë, nuk u dorëzove për 17 vjet, ku qëndrove e rrëzuar, por sërish u ringrite!

-Më dërgo në Shqipëri, të vdes atje…!- lutej Bukuria.

Por ajo nuk e dinte se nuk mund të udhëtonte….Dhe Mustafai ia tha:-Nuk mund të udhëtosh, zemër!. Amerika ishte fati ynë. Këtu i kemi edhe fëmijët, edhe nipin e mbesat!

Atë 25 mars 2013 u shua ëndrra amerikane e Bukuries.U përcoll me dhimbje e lot. Ishte këputur një jetë, pas së cilës Bukuria qe e dashuruar thellësisht.

Mustafai, bashkëshorti i saj i përkushtuar, e ndjenë thellë humbjen: Bukuria ishte e jashtzakonshme. Vetëm një grua trimëreshë si ajo mund ta përballonte atë jetë plot vuajtje, ku mbeti në krevat pa u ngritur, qoftë edhe për një moment, jo pak, por për 17 vjet-, u paralizua më 1976 dhe nisi të çapëlonte më 1993! Kishte kurajo të jashtzakonshme. Kishte një dashuri të pakufishme për njerëzit. E donte jetën marrëzisht, edhe pse ajo ia kufizoi mundësitë e shijimit, duke i marrë për shumë vite këmbët.Pika e dobët e Bukuries, mbesat Kely, Seida, Nensy dhe nipi Arby. Sa i donte. Një gjyshe e mrekullueshme. Një grua shembullore, një nënë e përkushtuar, e përmallur dhe tepër e dashur. Edhe ndaj kafshëve kishte dashuri, edhe për lulet kujdesej si askush, pastërtore, sa miqtë dhe mikeshat që na vinin në shtëpi, çuditeshin me rregullsinë e mbajtjes së shtëpisë.Kishte shije të veçanta. Po përpiqem që të jetoj me kujtimet e saj. Edhe për lulet kudesem sikur të ishte ajo vetë…. Bukuria kishte një dashuri të jashtzakonshme për jetën, edhe pse vetë jeta qe e kursyer me atë. Një jetë plot dhimbje, një dashuri pa fund për jetën. Mendoj se dashuria e pafund e mbajti gjallë atë….Rrëfimi i bashkëshortit është i dhimbshëm.

-Po shkoj, më tha Mustafaj, tek u nis drejt Jacksonville me 19 mars, do të takohem me Bukurien. Më ka Marrë malli!…

Sot, e diele 23 Mars 2014,Mustafai me te gjithe familjaret jane duke e kujtuar ne Jacksonville, duke vendosur lule mbi varr dhe duke sjelle kujtimet per te ndjeren Bukurie.

( Ne Foto: Ulur, Kely, Seida, Nensy, Arby (mbesat dhe nipi). Lart, Ramazan, Mirela, Mustafa, Bukurie, Loli dhe Vahidi.)

Filed Under: ESSE Tagged With: Bukurie Omerbasha, dalip greca, Mustafa

PRESIDENTJA E KOSOVËS KA NDERUAR VATRËN ME MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE

March 14, 2014 by dgreca

Të premten, 14 Mars 2014, në Konsullatën e Kosovës në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes/

 Të premten me 14 Mars, në Konsullatën e Kosovës, në 42 St, avenuja e dytë, në New York, u organizua ceremonia e dorëzimit të Medaljes Presidenciale të Meritave, akorduar Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, me motivacionin ”Shoqatës Vatra në Amerikë.-Për angazhimin dhe veprimtarinë Atdhetare, për promovimin e mirëkuptimit dhe ndihmës për afirmimin e çështjes së Kosovës.”

Me këtë rast Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nag dy nënkryetarët Agim Rexhaj e Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca, u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës , ambasador Bekim Sejdiu. Në takim ishte i pranishëm dhe konsulli Korab Mushkolaj.

Z. Sejdiu në fjalën e tij të mirëseradhjes në Konsullatë, tha se Vatra na ka inspiruar për veprimtari atdhetare. Pesha historike e saj, kontributi i vatranëve, shërbesat që ka kryer  Vatra për kombin, përfshi dhe çështjen e Kosovës, i japin asaj vlera të veçanta. Duke folur për lidhjet e Konsullatës me komunitetin, ambasador Sejdiu, veçoi faktin se vizitën e parë në komunitet në fillimet e shërbimit diplomatik në Amerikë, e realizoi pikërisht në Vatër.

Ai tha se ndjehej i gëzuar që po i dorëzonte Medaljen e Presidentes së Kosovës  Federatës Vatra. Kryetari i Vatrës , dr. Gjon Buçaj, e falenderoi Konsullin e Kosovës për ceremoninë e organizuar. Kryetari i Vatrës, tha se e vlerësonte shumë nderimin që i ka bërë Vatrës, Presidentja Atifete Jahjaga, duke e nderuar atë për veprimtarinë e saj Kombëtare, veçanërisht në drejtim të Kosovës. Vatra, nuk është vetëm e vatranëve, por i përket Kombit shqiptar. E vlerësojëm shumë, këtë vlerësim, tha dr. Buçaj.Më pas ai tregoi për veprimtaritë e Vatrës dhe riorganizimin e saj.

Më pas ka përshëndetur zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili pasi falenderoi ambasador Sejdiun për punën e shkëlqyer që ka bërë në komunitetin shqiptar, tregoi se në Vatër, që 30 vite të shkuara ku ai vendosi kontaktete e para me vatranët, ai vetë kishte gjetë një avokate të shkëlqyer të mbrojtjes së Kosovës. Nuk kishte demonstratë, ku Vatra të mos ishte pjesëmarrse  aktive. Dihen dhe tashmë lidhjet e ngushta të Vatrës me president Rugovën. Vatra, çështjen Kombëtare e ka parësore.

Zv. Kryetari i Vatrës z. Asllan Bushati në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi ambasadorin Sejdiu, dhe velërsimin që i ka bërë Vatrës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli dhe për lidhjet dhe kontributin e tij në drejtim të Kosovës. Z. Bushati, tha se sapo ksihte ardhur në Amerikë, dha kontribut real në drejtim të luftës së Kosovës. Konkretisht ai dha kontribut në stërvitjen e vullnetarëve të Batalionit Atlantiku.

Takimi vazhdoi për dy orë dhe u diskutua çështje të ndryshme që shqetësojnë shqiptarët e Amerikës, qëndrimet e Vatrës, shqetësimet e saj për Shqipërinë dhe Kosovën, korrupsionin, mosdënimin e krimeve të komunizmit, mosintegrimin e ish të përndjekurëve, problemet e pronave, zgjidhja e çështjes çame, u debatua për rrugët e bashkëpunimit, por edhe për problemet e integrimit ndërshqiptar në rajonin e Ballkanit.(Korresp. i Diellit)

Filed Under: Komunitet Tagged With: agim Rexhaj, asllan Bushati, atifete jahjaga, Bekim Sejdiu, dalip greca, dekorate, Gjon Bucaj, Presidentja e Kosoves, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT