• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAHRI OMARI: EDHE NË VARR DO T’I SHËRBEJ ATDHEUT!

February 10, 2019 by dgreca

10 SHKURT- Kujtojmë Editorin e DIELLIT Bahri Omari me rastin e 110 Vjetorit të Diellit dhe 130 vjetorin e Lindjes/

1 Omari BahriNGA DALIP GRECA/1 Omari Familja

Në foto: Familja Omari me 1941 ne Bari te Italisë/Me 10 Shkurt 1889 lindi në Gjirokastër Bahri Omari, një ndër intelektualët idealist, që për fat, rrethanat jetësore do ta sillnin në moshën 26 vjecare në SHBA, për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli” në kohë kritike, kur fatet e Shqipërisë ishin në duart e Shqiptarëve të Amerikës, Kur VATRA vepronte në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Në kohën e Bahri Omarit si editor i Diellit dhe Kol Tromarës si Kryetar i VATRËS, Perëndia kishte zgjedhur Shqiptarët e Amerikës që të shpëtonin Shqipërinë. Kështu shkruante Dielli i 3 Qershorit 1917, Ku dy “kokat” e Vatrës, udhëhiqnin fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, që i priu dhe siguroi mbrojtjen e Pavarësisë së humbur në Konferencën e Paqes në Paris. Por ndërsa Kol Tromarën e Bahri Omarin, Perëndia i vuri në krye të shqiptarëve të Amerikës për të shpëtuar Shqipërinë, e cila ua shpërbleu tragjikisht duke u dhënë plumbin për të vetmin faj se e deshën Atdheun, ndaj patën lënë Amerikën që të bënin Shqipërinë!

1 Bahri Andon FrasheriU kthyen, pa e ditur se po firmosnin aktin e fundit të tragjedisë së tyre. Dhe të dy, ashtu si dhe bashkëluftëtari i tyre Vatran Aqif Përmeti, u përballën me gjyqin absurd special, ku atdhetarët akuzoheshin për tradhëtarë dhe ata u dënuan me pushkatim. Bahri Omari në fjalën e fundit para Trupit Gjykues tha :”Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi(Sipas Testamentit të ish Kryeprokurorit Bedri Spahiu). Edhe në qeli në pritje të pushkatimit, Bahri Omari do të tregonte shpirtin fisnk. Kur i biri e vizitoi në qeli, i tregoi se po bënin përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, ai edhe pse nuk besonte tek falja e komunistëve, e porositi të birin: Kini parasysh edhe Kolën(Tromarën) se ai nuk ka kënd…Natyrisht që vendimi nuk ndryshoi. Të 17-ët e dënuar nga gjyqi special u pushkatuan me 14 prill 1946. Sipas dëshmisë të Astrit Bishqemit, të birit të Tahsim Bishqemit(pushkatuar), i cili ndoqi i fshehur skenën e pushkatimit tek Kodra e Priftit dhe kishte dëgjuar zërin e fortë të Bahri Omarit, drejtuar Kryeprokurorit Bedri Spahiu, kur iu kërkuan të kthenin shpinën nga skuadra e pushkatimit:Dëgjo Bedri Spahiu, unë nuk jam tradhtar dhe nuk e kthej kurrizin. Ta dish se dhe nga varri, Bahri Omari, do të punojë për Shqipërinë!(referuar librit”Bahri Omari-Jeta dhe veprimtaria”, e autores Donika Omari.

… Por le të kthehemi pas në kohë.

***

BAHRI OMARI, NGA HIMARA NE SHBA

Bahri Omari ishte i biri i Iliaz Omarit, vëlla i vetëm i dy motrave nga një familje atdhetare gjirokastrite. U arsimua në Gjirokastër dhe Janinë, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në Mekteb-i Mylkije. U diplomua në shkencat administrative më 1910. Pat punuar nëpunës i administratës në Kurvelesh, ndërsa pragshpallja e pavarësisë e gjeti si nënprefekt në Himarë. Këtë post e mbajti edhe pas shpalljes së qeverisë së Vlorës,ku u shqua në përballjen me armë në dorë kundër andartëve grekë ”vorio-epiriotë.”

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të kohës së Luftës Ballkanike, Bahri Omari zgjodhi rrugën e emigrimit. Mbërriti në Amerikën e Veriut, fillimisht në Bufalo, dhe u vu në dispozicion të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës.

***

Bahri Omari erdhi në krye të Diellit në këto rrethana: Paqja mes Kostë Çekrezit, editorit që e bëri Diellin të përditshëm që me 8 nëntor 1915, dhe Komisionit të Vatrës, nuk qe e qëndrushme. Komisioni që u mblodh me 19 Dhjetor 1915, nuk e pranoi, por e hodhi poshtë kandidaturën e Kostë e Çekrezit me argumentin se ai kishte shkelë konditat me të cilat qe marrë vesh me Komisionin, të cilat ishin botuar edhe në numrin 528 të gazetës.

Detyra e Editorit të Diellit iu nga ngarkua përkohësisht kryetarit të asaj kohe, Fan S Nolit. Kështu vendosi Komisioni me shumicë votash dhe Noli nuk e refuzoi detyrën deri në Kuvendin e radhës. Për rreth 7 muaj gazeta Dielli u editua nga Imzot Fan S. Noli.

Kryetari i Vatres dhe editori Noli, nuk do të merrte rrogë të vecantë si editor, por iu gjet një ndihmës Editor, Andon Frashëri me një rrogë 40 dollarë në muaj.

BAHRI OMARI DHE RAUF FICO, DY KANDITATËT PËR EDITOR

Diskutimin për dy kandidatura për editor të Diellit gjenden në rekordin e Vatrës, mbajtur nga Komisioni që drejtonte VATRËN. Rekordi që ndodhet në arkivin e federatës mbanë datën 7 Maj 1916. U la që dy kanditë të rinj të parqiteshin para Komisionit për t’u intervistuar se çfarë platformash mendonin për ta bërë gazetën më të fuqishme. Një muaj më vonë, në një rekord tjetër të Federatës e Vatra, që mbanë datën 8 qershor 1916, informohemi se ishin paraqitur dy kandidatura për tu shqyrtuar; ajo e Bahri Omarit dhe e Rauf Ficos. Do të zgjidhej njëri prej tyre. U mor vendimi që Kuvendi vjetor të mblidhej sipas Kanunores me 2 deri 4 Korrik 1916 dhe aty të vendosej edhe për editorin e ri.

Në seancën e ditës së katër të Kuvendit, që i kishte nisë punimet të dielën me 2 Korrik, u shtrua para delegatëve kandidatura e Bahri Omarit si editor i Diellit. Ai u pranua njëzeri. Kandidatura e dytë, ajo e Rauf Ficos, që më vonë do të bëhej një nga diplomatët më të zëshëm të Shqipërisë, nuk u hodh në votë për dy arsye; së pari Omari mori shumicën e votave, së dyti, sepse miqtë e kandidaturës së dytë argumentuan se z. Fico ndodhej në Elbasan dhe nuk mund të vinte në këtë kohë trazirash nga Shqipëria në Amerikë. U vendos që rroga e editorit të ishte 70 dollar në muaj, ndërsa e menaxherit të Diellit 50 dollarë në muaj(Kuvendi zgjodhi Mahmud Përmetin menaxher) dhe ndihmës editor u rizgjodh Andon Frashëri, rroga e të cilit u caktua që të lihej aq si ishte edhe në kohën e Nolit, 40 dollar në muaj.

Edhe një vit më pas, në Kuvendin e 1-13 korrikut 1917, kur kandidatura  e Bahri Omarit kishte përballë kandidatin Kostë Çekrezi, Omari doli sërish fitues me 40 vota nga 32 që mori Çekrezi.

Nën drejtimin e Bahri Omarit Dielli vijoi të kryej misionin e tij informues dhe të rrisë patriotizmin në radhët e shqiptarëve të Amerikës, të përçjellë frymën vatrane në çdo koloni ku jetonin shqiptarët. Rritjes së frymës Kombëtare gazeta i jepte përparësi duke i parapërgatitë shqiptarët e Amerikës për sakrifica në emër të Atdheut që vuante nën pushtim dhe egërsinë e fqinjëve për ta ndarë copash Shqipërinë. Evokimi i figurave kombëtare ishte një formë që Dielli e përdori për të rritë shpirtin patriotik. Përmes gazetës mësojmë se shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës po përgatiteshin për të kryer detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë në mungesë të Shtetit.Për këtë qëllim Komisioni kishte shtruar detyrën që të dërgohej në Evropë Mehmet Konica me kredenciale për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Vatra kishte kohë që vepronte në vend të shtetit të munguar shqiptar.

Nën drejtimin e Bahri Omari Dielli përveçse vazhdoi të publikohej si gazetë e përditshme, u zmadhua edhe në format dhe doli me gjashtë shtylla(Kolona). Kjo ndodhi me 30 Dhjetor 1916.

Bahri Omari përcolli ngjarje dhe zhvillime të vrullshme që po ndodhnin përgjatë luftës botërore. Hyrja e Amerikës në luftë në prill të vitit 1917 e kishte bërë Vatrën të intensifikonte veprimtaritë për t’i paraprirë sigurimit të pavarësisë së humbur. Dielli dhe vatranët duartrokitën ngritjen e Flamurit shqiptar nga ushtria franceze në Korçë. Me këtë rast gazeta e Vatrës shkroi se Shoqëria korçare “Arsimi” organizoi një miting madhështor në Boston, duke pasur edhe mbështetjen e Vatrës, ku drejtues dhe  folës kryesor ishte Kristo Kirka, ndërsa Thoma Natsi drejtoi muzikën.

BAHRI OMARI NGJATJETON VATRANËT

Në numrin e parë të Diellit të drejtuar prej Bahri Omarit, 7 Korrik 1916, publikohet editoriali me titull  ”Mirë se ju gjeta”!. Mënyra e komunikimit të editorit me vatranët në vecanti dhe lexuesit në përgjithësi është i hapur dhe i sinqertë: “ Dëshira e madhe që kam patur kurdoherë se si t’i shërbej atdheut dhe Kombit m’u kurorëzua me redaksinë e Diellit, me shërbimin më të ëndërruar, e çila është arma më e madhe në botë. Shtypi është,siç duan ta thonë disa shkrimtarë të dëgjuar, e katërta fuqi përmi të tri fuqitë që janë në qeveritë konstitucionale. Me rëndësinë e madhe që ka shtypi, është i zoti të sjellë fitim a dëme të mëdha si pas qëllimit që ka përpara…”

Editorit zotohej para lexuesëve që në editorialin e parë: ”Do të derdhim të gjitha fuqinë për mbrojtjen e Atdheut dhe e vetmja politikë që do të ndjekë Dielli do të jetë përlindja shqiptare.

Editori Omari u jepte fjalën vatranëve se se do të ndiqte vetëm rrugën kombëtare dhe se Diellin do të përpiqej ta zmadhonte e ta zbukuronte me qëllim që të kishte një vend të ndritshëm midis gazetave më të mira të kohës. Ai ndjehej krenar për shqiptarët e Amerikës, të cilët meritojnë, siç shkruante ai, më të madhen lavdi për zhvillimet dhe përparimet që kanë rrëfyer e po rrëfejnë në fushën kombëtare ; cilësitë patriotike të shqiptarëve të Amerikës janë shumë më të larta se mburrjet tona:shpresa jonë është lidhur gjithë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e asaj patriotizme.

Editori i paralajmërontë shqiptarët e Amerikës se beteja për ta bërë Shqipërinë do të ishte e gjatë dhe e vështirë sepse: “Shqipëria është vendi ku përplasen valët e intrigave dhe lakmive të fqinjëve dhe është bërë një “Top” në duart e diplomacisë evropiane, prandaj ne shqiptarët, sipas vendit gjeografik që kemi(të lakmuar nga të tjerët)  duhet të punojmë më shumë se kombet e tjerë të Ballkanit… Për atdhetarët e vërtetë, dëshpërim nuk ka kurrë, mundimet tona do t’i përhapin ret’ e zeza që po mbulojnë horizontet e Atdheut.

NJË LEKSION EDHE PËR POLITIKANËT E SOTËM

Shumë nga editorialet e Bahri Omarit, edhe pse janë të shkruara një shekull më parë mbeten leksione për politikën dhe në ditët e sotme. Ndiqeni editorialin e 20 Korrikut 1916” Sëmundjet morale”. Nën këtë titull editori zbërthen atë që e quan sëmundje epidemike të shqiptarëve: Sëmundja e politikës. Ai konstatonte se çdo shqiptar sheh një farë autoriteti në veten e tij, duke e gjetur veten të aftë që të bisedojë nga çdo pikpamje mbi politikën e përgjithshme, dhe më shumë për politikën e vendit të tij. Editori e zbërthen dukurinë në kompleksitetin e saj dhe mbanë qëndrim kritik: Shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke e bazuar gjykimin tonë mbi ca fjalë të thata liksht dëgjuar andej- këtej, pa patur as të paktën ndonjë njohuri për biografinë e atij njeriu që dënohet ose cnderohet. Tjetri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh brockulla, dhe në daç t’i mbushësh mendjen, atë çast të merr nëpër këmbë dhe të shpall të paditur…

Leksioni i editorit ka vlera edhe sot: “Më e madhja çudi është kur përdorin fjalët e reja, pa i kuptuar i pëlçasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vendeve tona, e cila bren gjendjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani` në kombet e qytetëruar. Më të shumtët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë tërhequr vëmendjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre që e kanë për detyrë.

Editori B. Omari, gjykon se shqiptarët po trashëgonin një sëmundje greke, se më shumë ndër grekër ishte e përhapur kjo sëmundje. Ku është e keqja? Kjo sëmundje, shkruan Omari, ndalon njerinë të përparojë në punën e tij. Sëmundja politike të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin, të nervozohesh. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë, këshillonte editori Omari.

Editori përpiqet që përmes Diellit të edukojë shqiptarët. Për Bahri Omarin, padija ndahet në dy: Një është ai që s’di dhe e tregon padijen. Tjetri është ai që s’di dhe s’ia ka për pesë.

Editori e quan mjerim të madh për shqiptarët që shiten si  të ditur, kur nuk dinë asgjë. Ai godet veset e shqiptarëve, krekosjen, egoizmin, sharlatanizmin, dhe u kërkon shqiptarëve të përkrahin idealizmin sepse kështu i shërbejnë atdheut dhe Kombit.Ai kërkon një qeverisje shqiptare me themele e moral të fortë se morali i prishur kalbëzon rërnjët e qeverisë dhe e rrokullis në humnerë.

PENA E HIDHËT NDA ARMIQËVE DHE TRADHËTARËVE

Nën penën e Bahri Omari Dielli e solli në fokus shqetësimet e Shqipërisë për mbijetesë, i grisi maskën “qytetërimit” Europian, efektet e të cilit i provuan në kurriz shqiptarët: Kur u shkel Shqipëria prej fqinjëve të saj, sa i mori në sy Europa të drejtat e Shqipërisë që i ripej lëkura prej qeverive barbare nën maskën e qytetrimit? Më në fund Europa i gostiti dhe me nga një thelë nga trupi shqiptar. Pyesim: Ku është qytetërimi? Ku janë mbrojtësit e atyre principeve të nacionaliteteve, ku janë autorët italianë që i kanë kryer në shesh këto principe? Sa serbfolës ka në Kosovën Shqiptare?  Nuk mjaftoi ç’iu dha këtij barbari sllav po dhe ta madhojmë më? Neve bërtasim se e dimë që shpata do kërcasë në kokën tonë. Se Serbi s’e ka synë veçse në Adriatik, dhe ëndrron Durrësin. Përfundimi i analizës së Omarit është: Qytetërimi përdoret në duart e të mëdhenjëve si vegël për t’u edukuar të vegjëlve dëshirat e tyre me veshjen e drejtësisë Kurdoherë idealet dhe qëllimet janë bërë dëshmorë të padrejtësisë dhe t’interesit(Dielli  25 Korrik 1916.)

Bahri Omari është i ashpër jo vetëm me armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, por edhe me tradhëtarët shqiptarë. Ai e cilëson Esad Pashë Toptanin si Neronin e Shqipërisë. Në editorialin me titull ”Neroni i Shqipërisë”, botuar në Diellin e 1 gushtit 1916, ai shkruan:Esat Pashë Toptanit këtij gjakpirësi, s’i arritën të bënte sehir ngjarjet tragjike të mëmëdheut të tij, tani do dhe t’i verë zjarrin, si Neroni Romës. Ky gjeneral i famshëm! Ky mbrojtës i Shkodrës për të kurorëzuar veprat e tij  do dhe t’i verë flakën Atdheut! Ky faqezi, pasi vizitoi fortesën e Verdunit dhe dëftoi mendjet strategjike të tij, tani bredh oborreve të Evropës duke vënë Shqipërinë, këtë mëmëz të dashur të shqiptarëve, si plaçkë pazari që të mbushë qesen, të ngopet me napolona, me flori.

Pena e Omarit është e mbushur me idhnim: Më së fundi ky vagabond zuri të ngjyrosë ne ngjyrën e tij edhe shqiptartë e shkëlqyer të Amerikës, që ti bëjë vegla të tij. Ky tradhëtor i Kombit zuri të mburret se mund të sjellë nag Amerika më shumë se 15 mijë shpirtë dhe të lëftojë,të dëftojë trimërinë e tij! Por te shqiptarët e Amerikës s’arrijnë djallëzitë e tij. Shqiptarët amerikanë jan’ aq të lartë sa s’mund t’i arrijnë kurrë pabesia e një lajkamadhi e tradhëtori. ..(Të plotë e lexoni në gazetën Dielli ne Print)

Filed Under: Featured Tagged With: 130 Vjetori, Bahri Omari, dalip greca, i lindjes

KRIZA KOMBËTARE, FAJSIA E POLITIKËS DHE PËRGJEGJËSIA E MEDIAS

February 8, 2019 by dgreca

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk kanë evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës dhe e pronës, është përzjerë krimi me shtetin dhe politikën, amoraliteti sundon mbi moralin…./

dalip-ok

NGA DALIP GRECA/

Që shqiptarët po përjetojnë krizën më të thellë Kombëtare, kjo nuk mund të diskutohet.Brezat që do të vijnë do t’u bëjnë gjyqin atyre që na drejtojnë dhe që na kanë çuar në këtë krizë totale. Nuk është vetëm mundësia e humbjes së territoreve, që mezi i siguruan paraardhësit patriotë përgjatë shekujve, por edhe boshatisja e trojeve,emigrimi masiv, varfëria ekstreme, kriminaliteti, përdhunimi, amoraliteti, vjedhjet, vrasjet, përçarja kombtare. Gjithçka është në krizë. Shqipëria e ka humbë orientimin dhe duket se ecën symbyllazi, duke imituar somnambulët, ndërsa Kosova po përpëlitet mes ekzistencës së shtetit, ruajtjes së integritetit dhe politkbërsëve rrahagjoksë “patriotë”, që akuzojnë njeri-tjetrin për tradhëtarë.

Shqipëria dhe Kosova që vetëqeverisen si shtete të pavarura janë për momentin model më i keq që nuk të japin krenarinë e të qenurit shqiptar për mënyrën e të bërit politikë, ku parlamentet e të dy vendeve kthehen në arena përleshjesh, ku jo kultura-por fjalorët banalë shiten për moral, ku deputetët tanë shahen me libër shtëpie, ku forca dhe jo logjika, përplasin pozitën me opozitën ose e kundërta, ku i pari i shtetit nuk e ka për gjë që ta shesë banalitetin e fjalorit të vet për modernizëm, fjalor që do t’ia kishin zili edhe shtetarët e politikanët në Rwanda e gjetkë.

Si mund të predikojnë politikanët tanë se synojnë të shkojnë në Europë kur sillen si harbutë dhe të paedukuar? Në cilën Europë duan të shkojnë këta? Në Shqipërinë Europiane gjithçka duhet të jetë europiane, që nga sjellja, nga jetesa, nga mënyra e të folurit, nga bindja ndaj rregullit dhe ligjit. Por tek ne secili që merret me politikë vepron sipas motos “Ligji jam unë”! etj…

Shqipëria prej 106 vitesh shtet i pavarur, Kosova prej 11 vitesh shtet më vete, sillen rreth vetes si gurët e mullirit pa drith. Mjafton të hapësh TV në Tiranë apo Prishtinë dhe nëse ke nerva, dëgjo broçkullat e politikanëve dhe gazetarëve, që sillen rreth vetes dhe marrin poza të diturish, të dëgjosh gazetarët opinionbërës, që hiqen si kompentë në të gjitha fushat. I shihni me kujdes; janë po ata që bëjnë opinione për politikën; janë po ata që gjykojnë krimin dhe kriminelët, japin opinione për rendin, për dashurinë, për etikën, për veshjen, për krehjen, për turizmin…për gjithçka. Janë po ata….. sikur nuk ka të tjerë Shqipëria! Madje disa prej tyre duken si të punësuar nëpër studio televizive.

A e ndjenë media shqiptare përgjegjësinë që ka në trazicionin tejet të zgjatur të Shqipërisë postkomuniste? Në një shoqëri demokratike media ka rol të pazëvendësushëm në demokratizimin e shoqërisë dhe funksionimin e një shteti. Ajo mund ta mbajë drejt timonin e  drejtësisë ose mund ta hedhë vendin në anarki me anësitë politike dhe me paaftësitë e saj(Kujtoni vitin e mbrapshtë 1997, ku media i priu anarkisë). Paraardhësit tanë, që janë marrë me gazetari, na kanë lënë pas mësimin se jo kushdo mund ta luaj rolin e gazetarit, veçanërisht tani, kur interneti bën këdo gazetar. Ish Editori i Diellit, Bahri Omari, në kohën e tij konstatonte se Gazeta është instrument të cilin po nuk e përdore mirë, jep pemët më të hidhura për një Komb. Derisa gazetarija, timoni më i fortë, që drejton qytetarët, mbetet në duar gjysmakësh të paditur,apo mercenarë të paguar, nuk është e mundur të shpëtojmë nga anarkia shoqërore. Komenti është i tepërt. Sot media është e modernizuar por shfrytëzimi që i bëjmë ne shqiptarët është më së shumti primitiv(ndiqni komentet në rrjetet sociale)…Shihni gazetat e varfëra shqiptare që sajojnë skoupe të paqenë, shihni dhe nivelin shumë të ulët të komenteve në publikimet online të lexusve militantë, dhe binduni për krizën e përbashkët të medias dhe ndjekësve të tyre që për model kanë njeri-tjetrin.

Shqipëria ka hyrë në dekadën e tretë të Demokracisë postkomuniste por mjerisht mentaliteti dhe psikologjia e të bërit politikë nuk ka evoluar krahasimisht me fillim vitet ’90. Jemi atje ku e nisëm, të varfër në ekonomi, të varfër në shpirt, të pasur në banalitete e të sunduar nga krimi. Demokracia në Shqipëri duket se vuan nga sëmundja e pashërushme e shekullit; të jep idenë e një të sëmuri me kancer; atje është vrarë shpresa, është ligjëruar vjedhja e votës,instrumenti bazë i demokracisë.

Shiheni efektivitetin e polikbërsve shqiptarë dhe mateni me atë çfarë është arritur në Shqipëri në këto 28 vite demokraci: Vendi ynë është bërë më i varfër, edhe pse pakica e pasur dhe e kriminalizuar, nuk dinë se ç’kanë. Pasuritë e dyshimta kurrë nuk u hetuan pasi Drejtësia jonë së bashku me politikën kanë bërë Padrejtësi…se Drejtësia jonë, ashtu si politika, janë militante, janë dhe të kriminalizuara. Pa e pastruar me rrënjë kancerin nga demokracia shqiptare nuk ka shërim të Shqipërisë, nuk ka demokraci reale.

Po kush merret me politikë në Shqipëri?

Mjafton të shihni Parlamentin që kemi sot, duke llogaritur dhe ata që u përzunë si kriminelë. Fatkeqsisht Shqipëria vuan mungesën e elitës Kombëtare në udhëheqje, e cila është zëvendësuar nga militantët. Fatkeqsisht Shqipëria jonë po prodhon elitë false, shitblerja e diplomave të universiteteve apo plagjitarurat pasuniversitare, janë tregues i degradimit të shoqërisë. Mjerisht bëhen politikanë ata që nuk i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve, bëhen ata që s’kanë asgjë të përbashkët me artin e të bërit politikë, bëhen ata që delegon bota e krimit, e cila dërgoi në Parlament edhe kontigjente të drejtëpërdejta të kriminalizuara.

Ka ardhë koha që shqiptarët të reflektojnë dhe të bëhen zotë të vetvetes dhe të votojnë ata politikanë që u duhen, që nuk e kanë shitë veten dhe shpirtin, që kanë karakter të pastër, që vetingun nuk presin t’ua bëjnë të tjerët por ia bëjnë vetes çdo ditë, ata që nuk betohen për Partinë që i ka bërë të pasur, por që janë idealistë dhe betohen dhe luftojnë për Kombin. Një shoqëri që nuk nxjerr në krye elitën idealiste, është e destinuar të dështojë.

Gati një shekull më parë , ish editori i gazetës “Dielli” në SHBA, Bahri Omari, tek krahasonte politikbërjen në Amerikë me atë në Shqipëri konstatonte se në Shqipëri të gjithë duan të bëjnë politikë, të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, të gjithë kritikojnë, por sa efekt ka kritika dhe kush e bën atë?.

Në Shqipëri konstatohet se populli merret me politikë dhe politikanët merren me biznes. Deri kur?

Deri atëherë, kur votuesit të mos mendojnë të shesin votën, qoftë edhe për të mbajtë shpirtin gjallë, pra as për një thes miell e as për 50 mijë lekë, kur votuesi të denoncojë jo vetëm vjedhësin kundërshtar politik, por edhe militantin apo udhëheqësin e vet. Kur vota të marrë shenjtërinë e vet e paprekshmërinë, vetëm atëhere do të kthehet Demokracia reale, ajo për të cilën luftuam në fillimin e proceseve.

 

Le t’i mbyllim këto radhë me konstatimin e Bahri Omarit, gazetarit që e drejtoi Diellin e përditshëm nga 7 korriku 1916 deri në 3 nëntor 1919:  Në Amerikë, kritikat i bëjnë ata njerëz që janë të zotë, krerët e punëve, dhe populli mban sehir dhe bën gjykimin e vet. Po ne shqiptarët, u bëmë të gjithë politikanë, kritikanë, shkrimtarë të klasit të parë, kurse s’kemi haber fare nga çështja. Kështu çgjaksohet njeri dhe tjetri dhe pastaj mbushen zemrat me inate dhe mërira.

Shikoni se ç’ndodh në Shqipëri 100 vite më pas këtij konstatimi dhe nëse mundni, i hiqni një presje Bahri Omarit të ndjerë, i cili edhe para Prokurorit dhe gjykatësitë, tek dënohej me pushkatim, edhe para skuadrës së pushkatimit, deklaroi: ” Unë edhe në varr do t’i shërbej Shqipërisë!”. Edhe pse e lanë pa varr, ai ende na mëson se duhet t’i shërbejmë Kombit. Po ku t’i gjejmë idealistët e këtij kalibri?!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Kriza Kombetare

ME 27 JANAR 1990, DIASPORA SHQIPTARE NË SHBA I DHA LAMTUMIRËN NIK MRNAÇAJ

January 27, 2019 by dgreca

27 JANAR 1990- Ishte një ditë e ftohtë dimri 27 Janari i viti 1990. Komuniteti shqiptar ishte tronditur nga një ngjarje e pazakontë; 5 ditë më parë ishte përcjellë lajmi se një aksident i pazakontë në rrethana të dyshimta kishte marrë jetën e të riut Nik Mrnacaj. Me 27 Janar u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj…./

35 1 dielli f 135-2 Nikolla Humbje10 Mrnacajmarnacaj1 Nik mrnacaj 11 a Hymnet1 a dom pjetri5 Mrnacajt

***

Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumtë në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”!, Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” si dhe parrulla të tjera.

Shkëpusim nga kronika e Diellit(editor në atë kohë ishte Eduard Liço) : “Ndërmjet atyre që merrnin pjesë në këtë demonstartë na zuri syri edhe bashkëkombasin tonë Tom Christo nga New Hampshire, i cili është kandidat për Senatin Amerikan, profesori amerikan nga New Jersey John Cardino… Ishte i pranishëm edhe Reverand Sassu, përfaqësuesi i Kishës Orthodokse Rumune në New York. Krahas fjalimeve, u recituan edhe poezi nga tribuna e protestës, ku më së shumti duartrokitje fitoi poezia e Zef Pashko Dedës, shkruar enkas për këtë rast.

Shqiptarët e New York-ut, shkruante Dielli, ishin mbledhur me mijëra, po kishin ardhë edhe nga qytete të tjera, të afërta dhe të largëta. Nga Chicago kishte ardhë Rev. Jusuf Azemi me shumë shokë të tjerë; nga Detroiti Ekrem Bardha me shokë dhe bashkëpunëtorë të tij të Këshillit Kombëtar Republikan  Shqiptaro-American; nga Connecticut Ligori dhe Kostandin Vangjeli,Ali Demiral ; nga Nju Jorku Dr. Turdiu me zonjën dhe vajzat, Luan Isufi me zonjën, Ramiz Dani, Abdulla Kaloshi, Seid Kryeziu, Rexhep Krasniqi, Nerim Kupi, vëllezërit Bytyçi dhe shumë të tjerë.Po ashtu kishin ardhur edhe nga Florida e shtete të tjera të Amerikës. Në krye të turmës binte në sy një grupim energjik i të rinjëve me në krye Nikoll (Nik) Mrnaçaj, që i jepnin ritëm demonstrimit. Nikolla kishte motive të forta për të dalë në krye të protestës: Vuajtjet e fisit të tij në Shqipëri, kalvari në burgje dhe kampet e internimit, burgosja dhe vdekja e axhës së tij, Nikolla Mrnaçaj nga torturat e diktaturës,e kishin mbushur shpirtin e tij, dhe e kishin bërë aktiv në demonstratat antikomuniste në SHBA. Atë e gjeje kudo ku demnstrohej, në Washnigton, New York, Michigan etj…(Lexoje te plote en Diellin ne Print)

Filed Under: Politike Tagged With: 27 janar 1990, dalip greca, NIK MRNACAJ, u percoll

FUSHATA E 110 VJETORIT TË GAZETËS “DIELLI” PO MERR PËRKRAHJE

January 26, 2019 by dgreca

Fushata për 110 vjetorin e Gazetës Dielli, e hapur nga editori në mbledhjen e  zgjeruar të kryesisë së Vatrës me 24 Jnar 2019, krahas dhuruesëve të parë po merr mbështetës të tjerë.

– Ja dhuruesit e rinj: Ambasador Mal Berish $ 200.00, Gazetari Sinan Kamberaj $200.00, Anëtari i kryesisë Marjan Cubi $300.00. Alfons Grishaj $250.00, Mondi Rakaj $250, Uka Gjonbalaj $200.00,Asllan Bushati $200.00.

Dielli

Bashkatdhetarë, doni të dhuroni?

Dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

I falenderojmë dhuruesit e deritanishëm.

Përsërisim thirrjen e Editorit të ditës së enjte, 24 Janar 2019:

***

VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI

 

– NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

 

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, AGIM REXHAJ $500.00, DALIP GRECA $200.00-GARA ËSHTË E HAPUR!

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019, gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.
Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00. Gara mbetet e hapur!
Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!
Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

 

Filed Under: Featured Tagged With: Alfons Grisha e Mondi Rakaj, asllan Bushati, dalip greca, dielli, Mal Berisha, Marjan Cubi, Sinan Kamberaj

VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI, PRIN AGIM REXHAJ

January 25, 2019 by dgreca

– NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!/

1 agim1 Marjana1 Nazo

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, AGIM REXHAJ $500.00, DALIP GRECA $200.00-GARA ËSHTË E HAPUR!/

Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019,  gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.

Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi  $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00. Gara mbetet e hapur!

Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e  bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës

Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.

Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!

Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!

Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të  përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Filed Under: Featured Tagged With: agim Rexhaj, dalip greca, dielli, i prine gares, Marjana Bulku, Nazo veliu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT