Një stuhi e fuqishme dimërore ka mbuluar me borë pjesën më të madhe të zones lindore të Shteteve të Bashkuara, duke i izoluar banorët brenda shtëpive, duke bllokuar shoferët në rrugë dhe duke krijuar kushte që meteorologët i kanë konsideruar me rrezik për jetën.
Trashësia e bores ka arritur mbi 30 centimetra në shumë pjesë të rajonit, përfshirë Uashingtonin. Metereologët thonë se gjendja do të keqësohet edhe më shumë, ndoshta me dyfishin e reshjeve të dëborës, kombinuar me erë të fortë që do ta rëndojë edhe më shumë situatën.
“Kombinimi i borës, erërave të forta dhe kushteve me rrezik për jetën, pritet tp vazhdojnë deri të shtunën në mbrëmje”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit, në një paralajmërim për stuhinë.
Të paktën nëntë persona kanë vdekur deri tani në gjithë vendin si rezultat i stuhisë që po zhvendoset ngadalë dhe që ka prekur një rajon nga Georgia në New England.
Në 10 shtete është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Në Kentucky, autoritetet kanë hapur qendra emergjence përgjatë autostradës, ku makinat kanë ngecur për 10 orë.
Uashingtoni, që është në qendër të stuhisë është mbuluar nga 25 centimetra borë, dhe bora pritet të vazhdojë deri të dielën.
Kjo stuhi mund të jetë një nga 10 më të fuqishmet që është regjistruar ndonjëherë në qytet.
Shkollat u mbyllën të premten jo vetëm në Uashington dhe në Virginia dhe Maryland. Edhe zyrat federale u mbyllën dje në mesditë. Autoritetet madje mbyllën edhe sistemin e transportit publik, një masë e jashtëzakonshme.
Në shkallë vendi, të paktën 6,300 fluturime u anulluan dhe mijëra të tjera patën vonesa.