• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova nderon të rënët për LIRI-Kompleks Memorial në Marinë

October 5, 2018 by dgreca

1 Ballore

-Presidenti Thaçi ndau Urdhrin Hero i Kosovës për 158 dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në Marinë: UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet!/

1 Bashke1

-Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës

2 ok Haradinaj

-Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.-(Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra)

Marinë/Skenderaj, 5 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Heronjve dhe Dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt.
Presidenti Thaçi ka thënë se inaugurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më varrimin e mbetjeve mortore të tre komandantëve të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Abedin Rexhës, Mujë Krasniqit dhe Ilaz Kodrës.
“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.
Kush hyri në radhët e saj, sipas presidentit Thaçi, e ka përmbushur një mision dhe aspiratë shumë shekullore të gjeneratave dhe brezave që pareshtur aspironin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Këta dëshmorë e heronj e mbytën frikën, shpirtin e robit, me armë në dorë, uniformë dhe emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan guximin dhe gatishmërinë për t’iu kundërvënë policisë dhe ushtrisë serbe. Dashuria dhe patriotizmi arritën shkallën më supreme të organizimit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet në botë. Ajo doli nga populli. Në të veproi pjesa më e gatshme e kombit për t’u sakrifikuar për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës. Ishte ushtri e vullnetit dhe gatishmërisë për flijim. Ishte UÇK-ja ajo që e ngriti në pikën më të lartë të ndërkombëtarizimit çështjen e pazgjidhur të Kosovës. UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit shtoi se të rinj dhe të reja, studentë, punëtorë, fermerë, burra dhe gra nga të gjitha trojet kombëtare, me uniformën e UÇK-së, ranë në fushën e nderit.
Në krye të atdhetarëve idealistë, ai tha se kanë qenë edhe tre komandantët e shquar të tri brigadave, Abedin Rexha i brigadës 112, Mujë Krasniqi i brigadës 113 dhe Ilaz Kodra, i brigadës 114.
“Karakterin popullor dhe patriotik të luftës së drejtë të UÇK-së më së miri e tregon edhe fenomeni i rënies së komandantëve të brigadave. Ata qëndruan përballë armikut si Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi, duke rënë në fushëbeteja. Ata qëndruan pranë ushtarëve dhe popullatës civile, duke dhënë shembullin më të mirë se sa e fuqishme ishte dashuria ndaj atdheut, se sa e vlefshme është liria, e cila fitohet me gjak dhe sakrifica. Këta emra dëshmorësh heronj dhe të emra të tjerë anembanë Kosovës janë dëshmia më e mirë që nuk ka asnjë forcë sado desktruktive që arrin ta njollos karakterin dhe qëllimin çlirimtar të UÇK-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se emri, jeta dhe vepra e tyre merr shkëlqim edhe më të madh, aq sa thellohen rrënjët e lirisë, pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot Kosova po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm.
“Po punojmë intenzivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe NATO-n, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë për korrigjimin e kufijve, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë se ky memorial është dëshmi e respektit institucional për ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën.
“Te ky memorial do të përkulen përjetë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë për ta kuptuar se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia. Ky memorial është dëshmi se askush nuk do të ketë forcë dhe argument për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK–së. Komandantët Abedin Rexha, Mujë Krasniqi dhe Ilaz Kodra dhanë jetën në tokën e tyre. Qindra e qindra dëshmorë u sakrifikuan në tokën e tyre, për çlirimin e atdheut të tyre”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se nëse ardhja në jetë është një akt hyjnor, atëherë rënia për liri është akti më sublim dhe më heroik i njeriut.
Duke u bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi i ka nderuar më Urdhrin më të lartë – Hero i Kosovës të gjithë dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë të Skenderajt.

***
Veseli: Duhet të jemi të bashkuar për ta fuqizuar shtetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar në Marinë të Skenderajt se toka e Kosovës është e larë me gjakun e dëshmorëve për tu arritur liria dhe shteti i pavarur e sovran.
Në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, Kryeparlamentari Veseli tha se ëndrra e tyre është frymëzim në rrugën e fuqizimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Veseli theksoi se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit.
Ai ka ftuar për bashkim nga të gjithë, ngase sipas tij, Kosova është tokë e shenjtë.
“Nuk duhet të lejojmë që të cenohet ky shtet, ky sovranitet, ky integritet. Jemi duke bërë punën më të mirë të mundshme. Ajo çka na duhet më shumë është që të jemi të bashkuar, mos t’i hapim fjalë njëri-tjetri, për arsyeje se kjo tokë është e shenjtë, sepse edhe amaneti i kolosëve është i shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica, duhet të punojmë edhe ma shumë”, ka thënë Veseli.
Në këtë ceremoni, Kryeparlamentari Veseli ka paralajmëruar po ashtu se votimi i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të vendit do të jenë brenda ditësh ose javësh në Kuvend.
***
Kryeministri Haradinaj: Sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri.

Skenderaj, 5 tetor 2018- “Populli ynë i ka shumë borxh dëshmorëve, por një varr të dinjitetshëm ia kemi borxh çdo qytetari tonë që ka rënë për liri dhe sot, po përmbyllet një borxh yni që ua kemi pasur të rënëve për liri”. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në inaugurimin e Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt, ku u bë edhe rivarrimi i heronjve Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, ceremoni kjo që u organizua nën patronatin e kryeministrit te Kosovës, Ramush Haradinaj.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve, kryetarë të komunave dhe personalitet tjera të jetës politike, akademike e ushtarake të vendit, kryeministri Haradinaj tha se sot, po zënë vend, në tokën e vet, luftëtarët e kësaj toke, bijtë e këtij populli dhe, gjithë bashkëluftëtarët e tyre, familjet, ndihen të lehtësuar, se më në fund trupat e tyre po rehatohen në tokën e vet, ashtu siç i ka hije, me dinjitet.
Më tutje, kryeministri Haradinaj tha se borxhi tjetër të cilin ua kemi dëshmorëve, është se duhet forcuar liria, për të cilën ata ranë.
“Duhet forcuar shtetin, në ekonomi, politikë të brendshme dhe të jashtme, për të ruajtur Kosovën, për ta ruajtur territorin e vet dhe, kufijtë e vet t’i ruaj të paprekshëm prej kurrkujt, çoftë ai këtu me ne, çoftë tjetër kund, për shkak se këta kufij na i ka lënë amanet këta që po i rahatojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë duhet ditur se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë të lëvizim atë që është mbërri me gjak.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit dhe në veçanti kryeministrin Haradinaj për gjithë organizimin, tha se sot, Marina, hyri në hartën e kombit, si vendi ku pushojnë viganët e lirisë dhe nga sot ky vend bëhet pjesë e kujtesës sonë kolektive se si fitohet liria.
“Sot Marina po e bart peshën e dhimbjes dhe krenarisë tonë për heronjtë tanë që përjetësisht nga kjo tokë do t’i bëjnë roje atdheut, lirisë tonë, ndërgjegjes tonë”, tha kryetari Jashari.
Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta, të pranishmit i përshëndeti Hysni Gucati.
Pas fjalimeve, nga Togu Ceremonial i FSK-së është bërë rivarrimi i Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Mujë Krasniqi, komandant i Brigadës 113 që mbanë emrin e tij dhe Abedin Rexha, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit, në Marinë të Skenderajt.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj bëri homazhe edhe te varret e Heronjve të Kombit, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, deshmoret, Kompleks Memorial, ne Marine

DËSHMORËT E GREHOTIT

September 22, 2016 by dgreca

NGA URAN BUTKA/

Data e 14 shtatorit 1943, është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me  shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.

Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor.

Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindasve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por, në kohë të tjera, shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vendosi Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe, pas ”Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar, u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës” e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço,Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.

H.Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet.

Abaz Ermenji shkruante: “Unë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian”

H.Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja” në qarkune Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpuntori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar.

Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj, si edhe çeta partizane “Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej mëse 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi, në të cilin merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja nr.107/5 dat 17.12 1942.

Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 luftëtarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste shqiptare.

Kjo betejë e përbashkët, e komanduar nga Hysni Lepenica, u tjetërsua nga politika dhe historiografia komuniste. Në dhjetë faqet që ajo zë në botimin “Historia e Luftës NÇ” e vitit 1975, nuk përmendet farë emri i Hysni Lepenicës, si edhe i forcave luftarake të Ballit Kombëtar. Aty thuhet shprehimisht: “Një qëndresë të tillë u përpoqën ta sabotonin H.Lepenica  dhe S.Muço me shokë, ndërsa veprimet luftarake i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu”.

Ky falsifikim u rrëzua nga dokumentët që u gjendën në Arkivin e Shtetit dhe që u botuan prej meje në vitin 1993.

H.Lepenica dhe S.Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët kundër italianëve, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj, ndonëse drejtuesit komuniste se E.Hoxha, H Kapo, M.Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

  1. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës ne këtë kuvend kombëtar është lapidare: “ Ne delegatët e ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N. Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan në? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front N. Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”

Në  Mukje, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N. Ç. në Cepunë, duke i ftuar drejtusit  e tij, që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin:

\

“ Ju njoftojmë se Gjirokastra është në duart e shqiptarëve. Qysh pardje kemi kërkuar  të viheshim në kontakt  me ju për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet. Ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim. Çasti është kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, intereasat e larta  të kombit dhe ato të demokravcisë shqiptare. Në qoftë se nuk i përgjigjeni kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë, me hovin që imponohet nga rasti, na duket se merrni një përgjegjsi të rëndë përpara popullit.

Me prurësin presim një përgjigje të shpejtë.

Komandanti i Përgjithshëm i Fuqive të B.K të Jugut

Hysni Lepenica

Anëtari i Këshillit të Qendrës së BK

Av. Skënder Muço “

 

Kjo letër dëshmon për tolerancën dhe dialogun dhe bashkëpunimin që kërkonte të arrinte H.Lepenicca me përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar në luftën për çlirim, Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejtonte Komitetit Krahinor te Partise Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Gjirokastër, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, luftë e brendshme vëllavrasëse, e urdhëruar nga Partia Komuniste dhe E.Hoxha dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë.

Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes, që kishin arritur më parë. Atje ranë në pritë dhe u vranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj, që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit.Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve komunistë.

Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë dëshmorë për Shqipërinë , ndër ta: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni,i biri i tij, Hasan Gjoni, Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj,Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola, Ibrahim Graca  e të tjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deshmoret, E GREHOTIT, Uran Butka

Presidenti Thaçi përkujton ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave

May 18, 2016 by dgreca

Klinë, 18 maj 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë.Presidenti Thaçi në këtë tubim përkujtimor tha se një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së Kosovës në dekadën e fundit të shekullit që shkoi është ajo e vrasjes së të rinjve shqiptarë në armatën e ish-Jugosllavisë.“Sot përkujtojmë njërin prej djemve që 26 vjet më parë u vra tinëzisht në kazermën ushtarake të Suboticës, djaloshin njëzetvjeçar, Jetullah Desku. Ishte ndjenjë shumë e rëndë për familjet, të cilat i përcillnin djemtë e tyre në gjoja shërbim të rregullt ushtarak dhe pas një kohe ktheheshin në arkivole, të vrarë në lulen e rinisë së tyre”, tha presidenti Thaçi.Ai tha se është botërisht i njohur fakti që shqiptarët nën Jugosllavinë komuniste kanë qenë vazhdimisht popull i persekutuar, i diskriminuar, i ndjekur, i vrarë dhe, së fundmi, u ushtrua edhe gjenocidi e spastrimi etnik nga armata dhe policia serbe.

“Edhe atëherë kur dikush kishte iluzione se fryma e vëllazërim-bashkimit ishte në favor edhe të popullatës shqiptare nën ish–Jugosllavi, ka qenë pikërisht koha gjatë qëndrimit të të rinjve tanë në shërbim ushtarak, ajo që e zbulonte natyrën e vërtetë të Jugosllavisë. Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar si të barabartë në armatën jugosllave, ashtu siç nuk trajtoheshin njëjtë edhe në sfera të tjera të jetës politike, arsimore, kulturore”, tha presidenti Thaçi.

Gjatë periudhës së të ashtuquajturit shërbim ushtarak, presidenti Thaçi tha se shqiptarët ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur me kujdes, veçanërisht nga shërbimi sekret i APJ-së.Presidenti Thaçi tregoi se vrasja e shpeshtuar dhe sistematike u bë veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981.

“Pas këtij viti u bënë shumë arrestime, burgosje, gjykime dhe dënime të rënda të ushtarëve shqiptarë nga gjykatat ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Gjithmonë si procese të kurdisura, me motive gjoja armiqësore ndaj shtetit dhe armatës jugosllave, ato shërbyen që shumë të rinj shqiptarë të kalojnë vite burgjesh të rënda kudo nëpër ish-Jugosllavi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai tha se Jetullah Desku dhe dhjetëra shokët e tij janë viktima të shumëfishta të APJ-së dhe të ish-Jugosllavisë, dhe si të tilla janë njëmend të pakrahasueshme në historinë tragjike të shqiptarëve në atë shtet.

“Ata u vranë në tradhti nga një armatë, e cila përpiqej t’i detyronte të jenë besnikë ndaj saj. Ata ktheheshin në shtëpitë e tyre në arkivolet e bllombuara, të cilat nuk guxohej të hapeshin, me raportimin e rremë për vetëvrasjet e tyre”, tha presidenti Thaçi.

Duke iu drejtuar familjes Desku, presidenti Thaçi tha se vrasja e Jetullahut, 26 vjet më parë, ishte e rëndë për të gjithë qytetarët e Kosovës, por ajo tregoi edhe madhështinë tuaj, me qëndrimin dhe përballimin e dhembjes.

“Ju arritët të tregoni botërisht që Jetullah Desku është vrarë, vetëm se ishte shqiptar. Ju refuzuat që në varrimin e djalit tuaj të merrte pjesë armata jugosllave, autorja e krimit. Ju kërkuat që vrasja e Jetullahut të ndriçohet dhe të emërtohet me emrin e vërtetë vrasje dhe jo vetëvrasje. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që të shpërthejë e vërteta për vrasjen e ushtarëve shqiptarë në kazermat jugosllave. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që në varrimin e Jetullahut të marrin pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, që mijëra qytetarë të solidarizohen me dhembjen tuaj”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se varrimi i Jetullahut u bë manifestim i unitetit politik të shqiptarëve dhe simbol i rritjes së vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës se Jugosllavia e dirigjuar nga politika e Beogradit ka qenë dhe mbetej armiqësore ndaj shqiptarëve.Presidenti Thaçi, i cili në shenjë respekti përmendi edhe emrat e ushtarëve të shumtë shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave, në fund tha se emri, jeta dhe vdekja e Jetullah Deskut dhe gjithë ushtarëve të vrarë në APJ kurrë nuk do të harrohen.Akademia përkujtimore për 26-vjetorin e vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë u mbajt në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.

Filed Under: Kronike Tagged With: deshmoret, e vrare ne Armaten Jugosllave, Presidenti Thaçi

SHABAN BINAKU DHE AVDULLAH HOXHA, DY DESHMORE TE KOMBIT QE I PARAPRINE PAVARESISE

November 29, 2015 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI/*

Mirëmbrëma të nderuar bashkatdhetarë!/

Të gjithë juve që jeni tubuar këtu dhe shqiptarëve kudo që janë, ju uroi Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall në Vlorë më 1912. E përgëzoj  ” VATRËN” për këtë organizim të mirë me rastin e 28 nëntorit, ku jemi tubuar këtu nga të gjitha viset shqiptare për të kremtuar së bashku.

Për lirinë e Shqipërisë, kanë sakrifikuar jetën shumë shqiptarë të cilët ranë në fushëbeteja të ndryshme kundër armiqve tanë. Këta martirë e dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e atdheut, duhet t’ i kujtojmë vazhdimisht që mos ta harrojmë të kaluarën dhe historinë tonë.Më lejoni që sonte para jush t’i them dy-tri fjalë për dy dëshmorë të kombit tonë nga Malësia e Gjakovës, Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, të cilët për shkak të aktivitetit të tyre patriotik dhe luftërave që zhvilluan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, u ndoqën kudo nga ushtria e xhonturqve derisa u ekzekutuan.

Sot, pikërisht, para 105 vjetësh, më 27 Nëntor 1910, dy vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me urdhërin e Durgut Pashës, xhonturqit e pabesë në sheshin e pazarit në Gjakovë, varën publikisht Shaban Binakun e Avdullah Hoxhën, në të njëtën ditë, në të njëjtin vend. Varjen e këtyre dy dëshmorëve të kombit, Qeveria e Xhonturqve e bëri publikisht me qëllim që ta frikësonte masën popullore shqiptare që ishte ngritur kundër këtij pushtuesi për të fituar lirinë dhe pavarësinë.

Trupat e tyre u varrosën në Gjakovë, në oborrin e Tyrbes së Tahir Efendisë, te Ura e Tabakve, ku janë edhe sot. Varja e këtyre dy martirëve shkaktoi zemërim të thellë te populli shqiptar, sidomos në Malësinë e Gjakovës.

Sic thote kanga popullore:

Haj medet po ban Gjakova,

Sot po viret Abdullah Hoxha.

Haj medet po ban konaku,

Sot po virret Shaban Binaku.

Shaban Aga si gjylja e topit,

rrept po shkon rrugës së konopit,

Po bjen hoxha shahadet,

Shaban Aga po i jep gajret,

qendro hoxhë, ishalla mreti nuk na pret

Shaban Binaku i përket  familjes së madhe të Binak Alisë.  Musli Mulosmanaj, i cili sonte është i pranishëm në këtë manifestim është nipi i Shanban Binakut, kurse Servete Hoxha-Mulosmanaj, bashkëshortja e Musliut, është stërmesa e Avdullah Hoxhës.

Shaban Binaku nga natyra ishte një njeri i mençur ku qetësinë e ruante edhe në momentet më të vështira, që është veti e burrave të mëdhenj. U lind në Fang të Bujanit në Malësinë e Gjakovës në vitin 1851 kur kjo anë i takonte Vilajetit të Kosovës, njëri nga katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane. Kishte trashëguar shumë veti të babait të tij, Binak Alisë. Ishte orator i njohur në tubimet e shumta popullore ku udhëhoqi shumë kuvende të rëndësishme në luftë kundër sundimit osman dhe ringjallte shpresën kombëtare, ashtu siç kishin vepruar shumë patriotë para tij.

Shaban Binaku me vëllëzerit dhe kusherinjët e tij mori pjesë në kryengritjen e Slivovës në afërsi të Ferizajt, ku ra heroikisht Mic Sokoli e trima të tjerë. Ai udhëhoqi tubimin e Verrave të Llukës, ku u morën vendime të rëndësishme historike për Shqipërinë.

 

Avdullah Hoxha u lind në fshatin Kovaçë të Malësisë së Gjakovës nga një familje atdhetare. Me profesion ishte hoxhë dhe i përkiste fisit Gash.  Ndoqi rrugën e shumë patriotëve të kësaj ane, ku liria kombëtare për të ishte mbi të gjitha. Së bashku me Shaban Binakun morën pjesë në shumë beteja e kuvende popullore. Këta dy dëshmorë ishin pjesëmarrës edhe në Lidhjen e Pejës dhe në aktivitete tjera për Pavarësinë e Shqipërisë. Ranë për çështjen e Shqipërisë së bashku, në të njëjtën ditë, ashtu siç kishin luftuar kundër perandorisë osmane dhe pushtuesve tjerë serbo-malazez.

 

Të nderuar bashkatdhetar,

në saje të gjakut të tyre dhe të brezave para dhe pas tyre që ranë në fushëbeteja gjithandej Shqipërisë etnike kundër armiqve tonë të shumtë, sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë në dy shtete tona shqiptare: në Shqipëri dhe Kosovë. Duhet të luftojmë gjithmonë për më shumë të drejtat  kombëtrare të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të zi dhe në Luginën e Preshevës, duke mos harruar kurrë as Çamërinë.

Gëzuar kjo festë!

Faleminderit.

 

Mbajtur ne Darken Festive te 103 vjetorit te Pavaresise se Shqiperise, Organizuar nga VATRA- Nju Jork  27  Nëntor, 2015.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Avdulla Hoxha, deshmoret, harry bajraktari, Shaban Binaku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT