TREGIM NGA NAUM PRIFTI*/
Sekretari trokiti në dhomën e vogël që Skënderbeu e përdorte si studio dhe e lajmëroi se nipi me gjithë familjen dhe me ata që e shoqëronin, kishin arritur te porta e Kështjellës dhe po prisnin.
-Futini brenda! – Vetëm kaq tha Skënderbeu dhe sërish u përkul mbi tryezë për të vazhduar punën që kishte nisur. Ai nuk doli vetë t’i priste dhe nuk shfaqi asnjë gëzim kur dëgjoi lajmin e ardhjes së nipit.Ftohtësia dukej qartë në zërin dhe në fytyrën e tij, gjë të cilën sekretari e vuri re.
Kur dera u mbyll, Skënderbeu deshi të vazhdonte punën dhe sërish mori pendën, mirëpo frazat s’po i dilnin të qarta dhe mendimet iu turbulluan. Penda gërvishte mbi letër dhe karakteri i shkrimit ndryshoi.Nervozizmi ndihej edhe në lëvizjen e dorës. Kur vuri re se disa fjalë i kishte shkruar nga dy herë dhe shkronjat kishin dalë të shtrembëra, e zhubrosi letrën, e bëri shuk dhe e hodhi në shportë. U ngrit në këmbëdhe shikoi nga dritarja.Jo më kot kishte zgjedhur si studio dhomën nga juglindja. Atë e rrihte dielli më gjatë, ishte më e ngrohtëdhe me më shumë dritë se të tjerat. Nga dritaret e saj shtrihej një panoramë e larmishme, që përmblidhte valëzimet e kodrave, fushën tej poshtë, kënetën dhe hapësirat e Adriatikut.Ndryshe nga ana lindore, që kufizohej nga faqja shkëmbore dhe e ashpër e malit, këtej syri tëçlodhej në madhështinë e mjegulltë të detit.
Deti atë ditë ishte i mbushur me avuj dhe një qiell gri e i ftohtë rëndonte mbi shpatullat e maleve. Vetëtimthi e ndjeu se asnjë peizazh tjetër, i ndezur nga ngjyrat e vjeshtës a i praruar nga rrezet e verës, nuk do t’ia shkartiste mendimet që i zienin në kokë. E dinte prej disa ditësh se Gjergj Balsha do të vinte, pasi kishte marrë një letër të shkurtër prej tij për fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Kështjella që zotëronte qe pushtuar nga turqit thuajse befasisht.Ndërsa Balsha dhe kapedanët e tjerë kishin dalë për gjah larg kështjellës, turqit kishin brofur papriturdhe kishin shtënë në dorëkështjellën. Të zotët e shtëpisë kishin ngelur përjashta, të huajt qenë futur brenda.
Pushtimi i kështjellës së Modricës e tronditi Gjergj Kastriotin, sepse, veç të tjerave, krijonte njëtëçarë në unazën e mbrojtjes.Prej andej turqit e kishin shumë më të lehtë të ndërmerrnin sulme drejt brendësisë së tokës arbërore.Skënderbeu kërciste dhëmbët nga inati, kur kujtonte sesi kishte rënë ajo kështjellë në duart e osmanllinjve. Për turp! Pa u shkrehur një top, pa u ndezur një fitil, pa flakëruar një shpatë, pa u hedhur një shigjetë, pa u thyer një shtizë. Të gjithë kapedanët e vjetër, të cilët prej më shumë se dymbëdhjetë vitesh po luftonin kundër turqve, e kishin quajtur të gabuar emërimin thuajse general të një djaloshi të ri e të pa sprovuar, që deri në atëkohë nuk ishte dalluar për asgjë. Gjergj Katrioti kishte thënë se do të shihte zotësinë e gjithsecilit dhe sipas aftësive do t’u caktonte postet dhe detyrat. Mirëpo në dy raste kishte devijuar nga ky parim. Rënia e kështjellës së Modricës u dha shkak feudalëve dhe princëve të kujtonin edhe njëherë thyerjen e ushtrisë arbërore para kështjellës së Beratit.Ndonse Skënderbeut nuk I kishin thënë gjë drejtpërsëdrejti, ai e ndiente qortimin nga vështrimet e oborrtarëve, të princëve dhe kapedanëve.Gjithsesi kunati axhami e kishte shlyer paaftësinë për humbjen e kështjellës së Beratit me jetën e vet, ndërsa nipi, djali I motrës kishte ardhur në kështjellën e Krujës me gjithë arsenalin e gjahut, me kuaj e pajisje njëlloj sikur të shkonte për verim.Ndërkohë komentet e oborrtarëve nëpër oda e korridore nuk shternin.
-Sikur të ishte dikush tjetër, Gjergji nuk kishte për ta pranuar.
-E ka nip. Nipi duhet më shumë se djali!
-Edhe sikur të dojë, s’ka çfarë t’i bëjë, se rrezikon prishjen e marrëdhënieve me të motrën.
-Gjergji i vogël nuk i afrohet as në thua daiut të vet.
-Në të ngrënë dhe në luks ia kalon.
-Edhe për të prishur para s’ia gjen shokun.
Skënderbeu nuk i dinte të gjitha sa thuheshin por i merrte me mend, aq më tepër se ato ditë një pjesë e mirë e princërve dhe e feudalëve ndodhej në kështjellën e Krujës. Skënderbeu i kishte thirrur për të biseduar për traktatin që propozonte Senati i Venedikut. Të ftuarit e fundit priteshin të vinin atë mëngjes dhe pasdite do të hapej kuvendi.Por derisa të hapej mbledhja, ai duhej të merrte një vendim për Gjergj Balshën.Ku mund ta çonte këtë komandant pa kështjellë?A mund t’i besonte ndonjë detyrë tjetër më pak të rëndësishme? Ta linte fare pa përgjegjësi? Mos kishte këtu ndonjë tradhti?Sa herë i afrohej ky dyshim, e largonte me ngulm.
-Nuk është e mundur! – bërtiti me zë të lartë. – Si mund të ma bëjë këtë gjë?
I kujtohej se kur ia kishte besuar kështjellën e Modricës dhe rrethinat e saj, kishte peshuar sinë kandar cilësitë e mira dhe dobësitë e Gjergjit të vogël, dhe peshorja nuk anonte në asnjë krah, sepse, për çudi, virtytet dhe veset plekseshin si një gërshet. Më së fundi Skënderbeu kishte arsyetuar se, sido që të vinte puna, Gjergji i Balshajve do t’i qëndronte besnik gjakut të vet. Tradhtia e Hamzait, djali të vëllait, kishte qenë e ushqyer si nga etja për pushtet, ashtu edhe nga nxitjet e pareshtura të turkeshës, nënës së tij.Ndërsa Gjergji i ri pikërisht për shkak të nënës nuk kishte për të tradhëtuar kurrë.
I kaloi edhe një herë nëpër mend ngjarjet që lidheshin me rënien e këshjellës së Modricës. Atë ditë komandanti i kështjellës kishte dalë për gjah. Gjer këtu s’kishte asgjë të jashtëzakonshme a të dyshimtë, sepse gjahu ishte një nga pasionet më të forta të feudalëve.Ai kishte marrë me vete gjithë garnizonin e tij.Po pse e kishte marrë tërë garnizonin pas?A nuk mund t’i linte një pjesë të ushtarëve në kështjellë? Dhe po atë ditë turqit vijnë papritur dhe hyjnë si krushq. Një palë ikin nga njëra anë e një palë vijnë nga ana tjetër.Pse kishte qenë e hapur porta kryesore e këshjellës?
Skënderbeu i njihte turqit dhe manevrat e tyre.Agjentë sekretë, të mbuluar me petkun diplomatik, ose tregtarë të huaj kryenin misione të ngarkuara nga turqit dhe merrnin shpërblime. Për turqit ishte krejt e natyrshme që atë gjë që s’mund ta fitonin me gjak ose me trimëri, ta blinin me para. Ata kishin dërguar një raguzian te Vrana Konti me propozimin e një shumë kolosale prej 300.000 dukatash, nëse dorëzonte kështjellën e Krujës. Vrana Konti e kishte hedhur poshtë me neveri atë propozim, por dikujt tjetër mund t’i ishte prishur mendja.
Skënderbeu doli nga dera e studios dhe, pasi përshkoi korridorin, hyri nësallën e ngrënies. Ia mori mendja se aty do ta gjente nipin dhe nuk u gabua. Ai po u tregonte vajzave dhe grave që ishin aty disa anekdota të kohës dhe atopo shkriheshin së qeshuri. Sapo hyriSkënderbeu, Gjergj Balsha u mundua t’i jepte fytyrës një pamje të pikëlluar.Gratë e vajzat u shpërndanë.
-Ç’qe kjo që bëre? – e pyeti Skënderbeu, pa i dhënë as dorën.
-Një fatkeqësi, asgjë më shumë…
-Si del për gjah, kur turqit ishin aq pranë?
-Nuk kishim asnjë dijeni. Ata erdhën fare papritur.
-A nuk keni dyshim mos i ka lajmëruar njeri për daljen tuaj në gjueti?
Gjergj Balsha ngriti supet.Mundtë kishte ngjarëdhe ashtu por ai s’kishte dijeni.
-Pse e nxorre gjithë garnizonin jashtë kështjellës?
-Shkuam për të gjuajtur drerë dhe ju e dini mirë se kjo gjueti…
-Unëe di se kur është kohë lufte, nuk dilet për gjah, – i tha rreptë Skënderbeu.
-Dajo, po marr guximin t’ju them se, po të vazhdoni të më pyesni në këtë mënyrë, nuk do të pranoj të përgjigjem.
Skënderbeu nuk lëshoi pe.
-Unë mendoj se duhet të përgjigjesh dhe të përgjigjesh mirë. – Gjergj Kastrioti e nënvizoi fjalën “mirë” dhe ajo mori një nëntekst të fortë. – Jo vetëm para meje, po kundrejt gjithë atyre që do të pyesin. Mos të duket diçka e vogël pushtimi i një kështjelle? Përgjegjësia dhe nderi prej fisniku u detyrojnë më shumë nga sa pandehni.
-Unë s’kam asnjë faj! – bërtiti Balsha i ri i fyer, duke përpjekur dorën në tryezë. – Gjithçka ndodhi krejt rastësisht.
-Shumë rastësi kanë ngjarë brenda një dite…- tha me ironi Skënderbeu.- Ju dilni për gjah, turqit vijnë papritur. Ardhjen e tyre nuk e lajmëron kërkush, tymtarët flenë, britësit nukndodhen në vendin e tyre, në kështjellënuk ka asnjë ushtar dhe turqit futen drejt nga porta e madhe.
Gjergj Balsha e pa se daja ishte shumë i zemëruar dhe biseda kishte nisur ters. Ktheu kokën nga dritarja, sikur donte t’i thoshte: “Mjaft më! Unë e ndiej gabimin vetë.”Fytyra e mbushur e Gjergj Balshësme nofullat katrore dhe sytë e vegjël e të shndritshëm tregonin qartë se ai kujdesej veçanërisht për sofrën.Jaka e bardhë e këmishës vinte në dukje ngjyrën e kuqe të lëkurës.
-Kush urdhëroi të hapej porta? – e pyeti Skënderbeu.
-Askush. Ishte e hapur.
-Kur dolët për gjah, nuk porositët të mbyllej?
-Habitem si u vete mendja të dyshoni, – tha Gjergj Balsha me duart drejt vetes së tij ndërsa sytëi vërtiste sa nga njëra anë te tjetra.
-Hapja dhe mbyllja e portës bëhet vetëm me urdhër të komandantit të kështjellës dhe ti e di këtë qëkur ishefoshnjë. Atëherëkush urdhëroi të mos mbyllej porta, kur dolët jashtë? –gjënoi Skënderbeu.
-Unë! – thame inat Gjergj Balsha.
Skënderbeu me duart prapa filloi të bënte ecejake nëpër dhomë.Hyri një kështjellar dhe i kumtoi diçka.Skender i dha shenjë të mos largohej.
-Mos edhe kjo është rastësi? – epyeti Skënderbeu.
-Sigurisht! Pse, mos kisha dëshirë të mbetesha pa kështjellë dhe të vija këtu për të kërkuar strehë e bujtje?
Skënderbeu e mbërtheu në vend me një vështrim të rreptë.
-Gjergj Balsha, o njeri i dobët, ti ke rënë në marrëveshje me turqit, ti ke lënë hapur portën, ti e ke shitur kështjellën.
Kaq e papritur ishte kthesa dhe akuza, sa Gjergj Balsha brofi izverdhur dhe vuri dorën në brez.
-E shoh se qëndrimi im këtu qenka i tepërt dhe i padëshirueshëm, prandaj do largohemqë këtë çast, -tha duke u drejtuar nga dera.
-Nuk do tëlëvizësh pa u përgjigjur për tradhtinë, – gjëmoi Skënderbeu dhe pastaj, duke u kthyer nga ushtari, i dha urdhër.-Futeni në burgun e kështjellës dhe jepjani gjyqit!
Vendimi i Skënderbeut e mpiu Gjergj Balshën dhe ai nuk rezistoi kur e çarmatosën. Vetëm kur po e hiqnin nga salla, ktheu kokën dhe bërtiti:
-Nuk do t’jua harroj këtë poshtërim!
Lajmi i burgosjes së Gjergj Balshës dhe akuza për tradhëti u përhap menjëherë gjer në skutat më të thella të kështjellës.
Në derë u ndje trokitja e butë e gishtrinjve të së shoqes dhe ajo hyri menjëherë në dhomë.Dukej e tronditur dhe përmbahej me zor.
-Më ndjeni, zot, që ju ndërpreva.
Ajo qëndroi një çast duke fërkuar duart si për të gjetur aty fillin e bisedës e si për të kërkuar fjalët më të përshtatshme. Gjergji pyeti veten: “Ka ardhur vetë, apo e ka dërguar ime motër? Ka shumë të ngjarë ta ketë dërguar Jella, s’do të vijë vetë ose ngaqëështë zemëruar”.
-Në kështjellë nuk flitet për gjë tjetër, veçse për atëqë ndodhi … -Zëri i dridhej lehtë dhe në sytë e butë shihej një dëshpërim i sinqertë.
-Në kështjellë edhe më përpara flisnin për atë. – Ai u ngrit në këmbë dhe po përpiqej të mbërthente përpara pasqyrës tokëzën e togës.
– Por ç’do të thonë të tjerët për këtë veprim?
Ai nuk u përgjigj menjëherë dhe kjo vonesë nuk iu duk shenjë e mirë së shoqes.
-Unë bëra atë që duhej të bëntë çdokush në vendin tim.
-Gjergji është gjaku tuaj!
-Andronika! – ai nuk e thirri me emrin përkëdhelës “Donika”, siç e thërriste shpesh, dhe asaj iu ndrysh zemra. – A thua të ketë gjak ai njeri? – Dhe pas pak vazhdoi. – Edhe një pikë gjak arbëri të kishtë në trup, nuk do ta bënte atë që bëri.
Donika vuri re se i shoqi ishte tepër i prerë eipalëkundur.
-Pse je kaq i bindur në fajësië e tij? Gjithçka mund të ketë ndodhur rastësisht ose nga pakujdesia.
Skënderbeu u kthye nga Donika.
-Një dyshim i vogël akoma më vërtitet në kokë. Por qoftë tradhti a pakujdesi, faji mbetet faj.
-Ka të ngjarë të jetë pakujdesi! – i tërhoqi vëmendjen ajo.
-Po atëherë pse nuk bëri atë që do të bënte gjithkush në vendin e tij? Të përpiqej të fitonte me nder atë që humbi me turp? Pse nuk luftoi, kur u kthye?Kapidani i mirë e braktis i fundit anijen ose mbytet bashkë me të.
Biseda u mbyll dhe Donika, para se tëdilte i tha:
-Ende nuk është krejt e sigurt.
Skënderbeu e njihte mirë të nipin, ia njihte dobësitë dhe të metat, po kishte shpresuar se jeta, përpjekjet, detyra dhe përgjegjësia do ta burrëronin. Me sa duket, ai ishte si ato dardhat skallangure, që nuk piqen kurrë.Megjithatë ishte kureshtar tëdinte prapaskenën dhe arsyet qëi kishte hyrë asaj rruge. E dinte që kishte njerëz, të cilët do të thoshin se ishte detyruar ta dënonte nipin për tëmbyllur gojët e botës, por ajo nuk ishte arsyeja e vërtetë .
Që atë pasdite Gjergj Balsha pohoi para hetuesisë fajin. Dëfteu se kishte rënë në marrëveshje të fshehtë me turqit dhe ua kishte dorëzuar kështjellën për 30.000 dukata. Për ta paraqitur si rastësi dhe pakujdesi, ishte organizuar gjahu dhe braktisja e këshjellës!
-Edhe tokës i vjen rëndë nga kjo fytyrë, që guxoi të shiste atdheun. Hiqeni prej këtej dhe niseni të shoqëruar për në Napoli! Do t’i lutem mikut tim mbretit të Napolit, ta mbajë në burgjet e tij, meqëne këtu s’kemi burgje, – urdhëroi Skënderbeu.
* Botoi Dielli, numer special me rast e 100 vjetorit te Pavaresise, 28 Nentor 2012