• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA DHE TË MBJELLAT E SAJ

January 7, 2014 by dgreca

Ese për 12 vepra të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut/

Zotërimi i mirë i gjuhës standarde shqipe është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e në radhë të parë, detyrë e çdo mësuesi, të çdo lënde. që atë ta zbatojnë dhe ta respektojnë… )  B. Kryeziu/

 Shkruan, Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/

Bahtijar Kryeziu lindi në Roganë të Dardanës, më 1.8.1949. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin në Dardanë. Pas shkollës së mesme, Bahtijari, rend drejt universit për mësim e dije, rend rrugën,  me jo pak sakrifica, për t’u ngjitur drejt majave të dijes e të shkencës, atyre majave të cilave ua mësyjnë shumë e ia dalin pak vetë.

Në Universitetin e Prishtinës, Bahtijar Kryeziu, regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik), Departamenti Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. I pasionuar pas artit dhe shkencës, ai mëson dhe zbulon më të panjohurat. I dashuruar në gjuhën dhe artin e fjalës, me ambicie të mëdha, si pak shokë të tij, Kryeziu, në afat rekord merr diplomën e fakultetit. Në moshën më të bardhë të rinisë (siç themi ne), sa për të plotësuar nevojat elementare ekonomike të asaj kohe të rëndë, po aq edhe për të mbjellë farën e shqipes te brezat e rinj,  Bahtijari, merr ditarin në dorë për të ligjëruar gjuhën e zjarrtë – gjuhën shqipe. Atë gjuhë që e lëruan, e pasuruan dhe e pastruan me aq përkushtim e mjeshtri: bilbili i zëëmbël – Naim Frashëri, babai i shqipes – Kristoforidhi, artisti i fjalës së shkruar – Gjergj Fishta, arushani dhe ustai më i mirë i letrarishtes sonë, mësuesi shumë i respektuar i Kryeziut – akademik Idriz Ajeti, po edhe akademik Besim Bokshi, akademik Gjovalin Shkurtaj, akademik Rexhep Ismajli, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Enver Hysa, prof. dr. Seit Mansaku dhe emra të tjerë, të cilët si dje, ashtu dhe sot janë kryefjala e gjuhës sonë të bukur, asaj gjuhe të cilën Kadare me të drejtë e rendit ndër 10 gjuhët e përparuara në planetin tokë.

Asnjëherë nuk kam menduar t´i rrëfej ato vite, më thotë Bahtjari. Idetë e të krijuarit janë në secilën shkronjë. Që kur isha student unë e kuptova qartë mesazhin e Rilindjes Kombëtare. Dhe në saje të atij mesazhi, unë i caktova vetes detyrat e së ardhmes.

Libri i tokës – shton Bahtijari, është libri më i lashtë. Në atë libër janë të gjitha artet dhe shkencat.

Leximi im fillestar ishte onomastika ( toponimia – emërvendet, patronimia, antroponimia dhe zanafilla e tyre ), fosilet gjuhësore të së kaluarës dhe gjaku  e rrënjët e shqipes. Shkrimet e mia të para dhe më serioze, siç cekëm më sipër, qenë ato për emërvendet, si nga aspekti diakronik, ashtu edhe nga ai sinkronik, si dhe debatet për problemet e gjuhës, në librat tanë, në mjetet e informimit elektronik, në shtypin e ditëve tona etj., pra, sidomos sot, në kohën e një globalizimi edhe gjuhësor dhe të statusit goxha shpërfillës të shqipes, të kësaj shenje  kombëtare.

Gjatë punës sime shumëvjeçare, vazhdon profesor Kryeziu, kam hetuar se emërvendet (toponimet) janë minierë e pashtershme që dëshmojnë për rrënjët dhe shtrirjen e gjuhës shqipe në ato tërthore ku jetojnë ose kishin jetuar bijtë e shqipes- të parët tanë. Profesor doktor Bahtijar Kryeziu është personalitet i nderuar, si në shkencën e albanologjisë, ashtu edhe në veprimtarinë edukativo-arsimore në Universitetin e Prishtinës e më gjerë, këtu e 33 vjet më parë.

Përse i takon epiteti “personalitet” dëshmon fakti se veprat e tij në fushë të gjuhësisë janë vlerësuar lart, nga 40 studiues të shquar fushash të ndryshme albanologjike (akademikë, profesorë doktorë e ekspertë të tjerë). Bahtijar Kryeziu është autor i 12 veprave të botuara, i një libri në botim, i dy veprave në dorëshkrim  (me gjithsej 5 mijë e 7 faqe tekst të shkruar e botuar), pa llogaritur dhe mbi 140 publikime shkencore: në revista, gazeta e botime të veçanta, të botuara në Kosovë dhe jashtë Kosovës.

Nga veprat e botuara të Prof. dr. Bahtijar Kryeziut mund të veçojmë:

Onomastika e Hashanisë (studim monografik), Instituti Albanologjik i Prishtinës,  Prishtinë, 2000, faqe 264.

“Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 1945-2000 I” (Monografi), Gjilan, 2001 (me  bashkautor), faqe 298.

Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve të shkencave dhe arteve të Anamoravës I, Prishtinë, 2003, faqe 583.

“Shkolla fillore “Metush Krasniqi” e Roganës 2000-2005 II”, Gjilan, 2006, f. 219. (me bashkautor).

Fjalor onomastik i Malësisë së Bujanocit, IAP, Prishtinë, 2006, faqe 240.

Si të flasim dhe si të shkruajmë drejt, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2006, faqe 218.

Fjalor i homonimeve të gjuhës shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, 2008, faqe 230 (me bashkautor).

Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën, Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2010 (me bashkautor), faqe 472.

Trajtesa onomastike, “Shkëndija”, Prishtinë, 2010, faqe 266.

Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik, ShB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2011, faqe 271.

Gjuhë amtare – Njohuri për gjuhën Fonetikë, Morfologji, Sintaksë (tekst universitar – botimi II i plotësuar), Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Korçës, Prishtinë, 2011 (me bashkautor), faqe 472.

Për fjalën shqipe, “Shkëndija”, Prishtinë, faqe 263.

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, përveç veprave të zëna në gojë dhe publikimet e tjera, për nevojat e studentëve të Fakultetit të Edukimit, ka botuar edhe katër dispensa: në fushën e gjuhësisë (të kulturës dhe standardit të gjuhës), të shkrimit akademik dhe të metodologjisë së gjuhës amtare. Krahas angazhimit të tij mësimdhënës, punës hulumtuese-shkencore, ai, në institucionet universitare, ka ushtruar edhe detyra me përgjegjësi: për disa mandate ishte shef i departamentit të Programit fillor, një mandat zëvendësdrejtor, dy man­date drejtor i ShLP-së, kurse me themelimin e Fakul­tetit të Edukimit të Prishtinës (2002), dy mandate ishte zëvendësdekan i FE-së – Qendra në Gjilan. Edhe 4 mandate ka qenë anë­tar i Senatit të UP-së, anëtar i Këshillit Shtetëror të Kosovës për Kurrikulën parauniversitare etj. Po ashtu, Kryeziu, ka bërë edhe punën e lektorit dhe të recensuesit të disa veprave, si dhe të recen­sentit për shumë kandidatë për titujt universitarë. Ka marrë pjesë në mbi 46 try­eza shkencore, konferenca, simpoziume, kongrese e tubime të tjera shkencore, në vend dhe jashtë vendi, si dhe mbi 15 herë ka pasur qëndrime studimore në univer­sitete të shteteve të jashtme.

Prof.dr, Bahtiar Kryeziu është anëtar i kryesisë së Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës dhe anëtar i Redaksisë së revistës “Kuturë gjuhe” që e boton kjo shoqatë etj. Shih për këtë, edhe njësia akademike e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, më 3 shtator 2012, profesor Bahtijarin e kishte propozuar për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – një mirënjohje dhe pranim për zotimin e tij që edhe i takon. Ky shkrim do të jetë tepër i shkurtër për të përmbledhur dhe analizuar 12 veprat e prof. dr. Bahtjar Kryeziut dhe për gjithë atë veprimtari të tij aq të gjerë dhe aq të thellë.

Publik i nderuar, pasionantë të gjuhës, është kënaqësi e madhe për mua, të intervistoj një artist të fjalës, një shkencëtar, një publicist, një monografist, një moderator krijues dhe një mbjellës të gjuhës së ëmbël shqipe. Shkencëtarët e gjuhës (që studiojnë rrënjët e shqipes dhe të kombit tonë), jo rrallë, janë heronj të pranuar të dijeve.  Në këtë vazhdë edhe Prof. dr. Bahtjar Kryeziu, vazhdon të hulumtojë pareshtur për çështje të pashkruara, të pazbuluara, të pathëna deri më tashti në shkencën e gjuhës sonë.

Veprat e Bahtiar Kryeziut, si në rrafshin kohor, ashtu edhe në atë hapësinor, janë të mirëfillta, aktuale dhe me interes për gjuhësinë dhe kulturën tonë. Studiuesi i shquar, Emil Lafe, profesor nga Shqipëria, recensent i librit të prof. dr. Bahtjar Kryeziut, “Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik”, duke folur për këtë vepër vlerëson se libri “Shqipja e sotme”që doli nga shtypi, përfaqëson një përmbledhje shkrimesh tematike: “Kundrime gjuhësore”, “Kumtime”, “Gjuha dhe shkolla”, “Gjuha në praktikë”, dhe trajtesat e renditura që zënë një të tretën e vëllimit të librit, u kushtohen çështjeve që diskutohen sot më së shumti lidhur me shqipen standarde, me kërkesat për përmirësime, ndryshime, rishikime etj., dhe që frymëzohen jo rrallë nga motive jashtëgjuhësore.

Me këtë libër prof. dr. Bahtijar Kryeziut pasuron bibliotekën e gjuhësisë Normative Shqiptare me një vepër jo vetëm me vlerë shkencore, por edhe me rreze veprimi të gjerë. Libri u drejtohet të gjithëve e veçmas, kolegëve të tij në fushën e studimit e të mësimdhënies, të cilët do të gjejnë aty pikëpamje, ide, argumente, probleme, shqetësime, rreth të cilave edhe ata vetë kanë shkruar  e  menduar. Me të drejt shkruan Lafe, libri “Shqipja e sotme”,ka vlerë të veçantë për mësuesit e gjuhës, për studentët dhe për ata që merren me probleme praktike të gjuhës standarde në Ente të ndryshme botuese, në gazeta e revista, në administratë etj.

Prof. dr. Bahtiar Kryeziu është një mësues i mirë dhe një autor i librave të mirëfilltë. Mendimi im – vazhdon Lafe, se prof. dr. Bahtjar Kryeziu, ka aftësinë dhe durimin që studentëve të vet t’u krijojë bindjen e shëndoshë se zotërimi i mirë i gjuhës standarde është detyrë intelektuale, detyrë qytetare, e në radhë të pare, detyrë e çdo mësuesi të çdo lënde.

Ndërsa akademik Gjovalin Shkurtaj, profesor nga Shqipëria, i cili, duke folur për veprën e prof. Bahtjarit, shprehet: “Me doktoraturën dhe pastaj monografinë e tij “Onomastika e Hashanisë”, z. Bahtiar Kryeziu hyn “me këmbë të mbarë”në shkencë, duke e vijuar me sukses punën e tij hulumtuese e shtjellimet, jo vetëm në lëmin e onomastikës, po edhe duke shkruar e botuar një varg të tërë veprash: monografi, libra për kulturën e gjuhës dhe për aspekte me rëndësi të shqipes së sotme dhe tekste e parashtresa me vlerë për shkollën shqipe.

Shkenca albanologjike dhe studimet mbi të tashmen janë të zgjeruara në të gjitha fushat e dijeve humanistike: nga arkeologjia, mitologjia e deri te antropologjia e semasiologjia. Rogana (ish-Rogaçica, të cilën profesor Kryeziu e “kryqëzoi” shqip, madje 10 vjet para fillimit të standardizimit të emërvendeve në Kosovë) dhe qytetarët e saj, janë krenar për birin e tyre: shkrimtar, shkencëtar dhe publicist. Gjuha dhe të mbjellat e saj nuk kanë të përcaktuar, as kohë as stinë. Krijuesit e saj të mirëfilltë, janë brenda zemrës së shkronjave dhe gjelbërimit të tyre. E uroj  prof. Bahtijar Kryeziun, për këtë vepër monumentale dhënë gjuhës

Filed Under: ESSE Tagged With: Dortmund, Gjuha dhe te mbjellat e saj, Prof. Bahtijar Kryeziu, Rrustem Geci

FJALA KRYENGRITËSE NË TELEVIZION

December 20, 2013 by dgreca

E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe / dhe të lirë të lësh pas vetes / fëmijët, shtëpinë dhe çdo gjë tjetër. –  Homeri/

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Fjala e thënë me kohë, dhe e peshuar  mirë, forcën e saj e ka në çastin kur thuhet. Njëri nga zërat kryengritës të fjalës në Televizion, padyshim ishte, gazetari, xhiruesi, montazhieri dhe redaktori. Kujtesa e asaj kohe s´guxon të mbetet  e pa thënë. Prandaj,është e nevojshme të shkruhet për atë histori të papërsëritshme të fjalës së popullit. Kosova, e përgjakura e fjalës, dhe e kryengritjes, nga dita në ditë po bëhej me shumë duar. Pushtimit të Kosovës i kishte ardhur fundi. Në ato mëngjese rebelimi, qytete e fshatra nëpër Kosovë, lulëzonin me parullat „Kosova Republikë“! „Dhe dil jashtë nga Kosova, Serbi“! Pushteti i pushtuesit dhe vegëltarët e saj, ishin të paaftë ta mbysnin vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Përkundër shtypjes së egër, dhe dënimeve drakonike, bijtë e saj po ia bënin gjëmën armikut. Rrugët dhe sheshet e Kosovës kudo ishin me kryengritës, dhe të mbytura në gjak. Toka mund të frikohet nga lufta, por, njeriu për liri, kurrrë jo. Demonstratat e vitit 1968, 1981, dhe ato mëpastaj, do t´ia shkulnin rrënjët pushtimit serb në Kosovë.

Jeta e intelektualëve shqiptarë në ato vite ishte me plotë të papritura. Vlimet e brendshme për një Kosovë jashtë pushtetit dhe prangave të serbit zienin kudo në mesin e intelektualve të formuar. Mësuesi në shkollë nxënësit i përgatiste për beteja të reja. E vërteta për Kosovën dhe rreth Kosovës, kudo kërkonte qartësim, rrugën kah do të vejmë. Armiku dhe vegëltarët e saj nuk reshtnin të trumbetonin fuqinë e pushtuesit. Mirëpo, populli është i mençur, ai përherë ka duar dhe grushta. Lavdërimi i disa komentatorëve në RTP ishte i pa zë. Por, populli në çdo çast, di ta hap rrugën e tij dhe ta bëj betejën. Eshtë e ndaluar që Kosova të mos jetë e lirë, e pavarur, dhe mëvete, lexonim në traktet e asaj kohe.

Në Televizionin e Prishtinës, kishte një grup gazetarësh, redaktorësh,  montazhierësh dhe teknikë të përgatitjeve të transmetimit, që nuk i përfillnin urdhërat nga lart, dhe i kundëviheshin politikës gjenocidale serbe, ata ishin; Rexhep Kasumaj, Ismet Begolli, Sherif Konjufca, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi, Bashkim Ramadani, Hamdi Gërvalla, Rrustem Geci, Xhavit Spahiu, Florie Veselaj, Sejdi Bylykbashi, Ismail Kurteshi, Xhafer Krasniqi,Shaip Dubova, Shaqir Sadiku, Nezir Istrefi, Hamdi Sopa, e të tjerë. TVP-ja kurrë s´reshti të publikonte të vërtetën, pse Kosova duhet të jetë e lirë dhe më vete. Në Televizionin e Prishtinës, rrëfen Bashkim Ramadani, ( një kryengritës i fjalës së lirë ), atë kohë, dorë më dorë ( kuptohet në fshehtësi të madhe ) lexonim trakte, broshura, dhe thirrje të grupeve Ilegale për vetëdijësim të popullatës për një kryengritje të përgjithshme. Televizioni i Prishtinës, ishte vatra, që e bëri të shuhet Lidhja e Komunistëve të Kosovës.

Në ato vite të vlimeve të mëdha, Televizioni i Prishtinës, ndihmoi në pajtimin kombëtar, në faljen e gjaqeve, në zvogëlimin e mullinjëve të gjakut, në ndriçimin e vrasjeve në Armatën Jugosllave, dhe kontribuoi dukshëm , në unitetin dhe ndërgjegjësimin politik të njeriut shqiptar të Kosovës.

Në vitet 1981-1991, Kosova po kalonte një nga periudhat më kryengritëse dhe më të përgjakshme të saj. Demonstratat e studentëve, Grevat e minatorëve , Demonstratat e punëtorëve në ndërrmarrjet e Kosovës për kushte të këqija në punë, Marshi i madh i Kosovës, dhe demonstratat për rrogat e papaguara, vlonin në gjithë Kosovën.

Falë grushtave dhe pikave të gjakut, Kosova po absolvonte në drejtim të shkëputjes prej Serbisë. Liria në fakt as s´falet, as s´blihet, por ajo merret dhe fitohet, këndonin rapsodët nëpër demonstrate dhe pajtime gjaqesh. Kosova e atyre viteve nuk frikohej as nga tymi, as nga baroti. Në këtë tokë, 13 mijë vjet të lashtë, është lind, rritë, dhe është qytetëruar populli ynë i përvuajtur. Arbër, s´jemi mbetje pa rrënjë.  Historia jonë herët a vonë, do të shkruhet ashtu s´i duhet.

Në vitet 1981-1990, Televizioni I Prishtinës, ishte ekrani i betejave dhe i vërshëllimave. Nga ajo dritare magjike e quajtur, Televizion, Kosova edhe qahej edhe zemërohej. Nuk ishte e lehtë  në  RTP,  t´i transmetoje lajmet me praninë e policisë në studio. Por, vullneti për liri ishte ma i madh se kërcënimi për vdekje.

Në ngjarjet e vitit 1981 shumë nga punëtorët e RTP-së, ishin pjesëmarrës të demonstratave, në mesin e tyre patëm edhe të vrarë, të plagosur, dhe të burgosur. Komenti i RTP-së i shkruar nga Rexhep Kasumaj, i pari shkrim i hapur i këtij lloji në gazetarinë e Kosovës kundër  politikës  serbiane të asja kohe, ishte një gjëmë për regjimin, dhe Komenti i Bashkim Ramadanit, për braktisjen e shqiptarëve nga Lidhja e Komunistëve, ishin dy maja të fjalës kryengritëse në Televizion. Në periudhën 1981- 1990, po edhe në vitet e pastajme, Kosova gjenocidohej vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Njeriut tonë në atë kohë i digjej shpirti për atë që po ndodhte. Sa mbyllej një varr, hapej një varr i ri. Drejtësia për shqiptarët e shtypur dhe të poshtëruar, nuk ekzistonte. Njerëzit dënoheshin pse kishin një lope të kuqe dhe një të zezë. Shqiptarët në atë peridhë nuk gëzonin kurrfarë të drejtash. Harta e Kosovës në ato vite kudo kullonte gjak. Këtë e kemi parë dhe ndjerë të gjithë.

Në vitet 1981-1990 i gjithë sistemi komandues në Kosovë ishte në duar të pakicës serbe. Demonstratat e pandërprera të studentëve, Grevat e minatorëve, grevat e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet serbe, diferencimet në ndërrmarrje dhe shkolla,vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ushtri, maltretimet e çdoditshme, helmimi i nxënësve, dhe poshtërimi i shqiptarëve vetëm pse ishin shqiptarë, bën që zëri i fjalës kryengritëse dhe fotografisë në Televizion të jetë më i hapur dhe më i drejtpërdrejt.

Marshi i madh i popullit, ose bashkimi i popullit për të mbijetuar në trojet e veta, ishte një heroizëm i paparë i popullit tonë. Ato pamje epiko-tragjike mbeten të papërsëritshme. Televizioni i Prishtinës në atë kohë kudo ishte me popullin. Ekipet e televizionit brenda dhe jashtë studios në teren, bënin punën e duhur. Punonim ditë dhe natë. Koha s´priste për asgjë. Jugosllavia pritej të shpërbëhej. Çarja dhe thyerja e Jugosllavisë ( u pa ) ishte e përgjakshme. Inflacioni, nacionalizmi serbomadh dhe luftat nga ato çarje e thyerje, do ta shuanin përgjithmon Jugosllavinë, atë krijesë të komanduar nga serbët hegjemonist.

Në gjithë atë katrahurë, Kosova do paguaj çmimin më të lartë; 17 mijë të vrarë, mbi 1 milion të ndjekur dhe të dëbuar, mbi 1 qin mijë shtëpi të djegura, 25 mijë vajza e gra të dhunuara, dhe një popull i tërë i plaçkitur dhe i poshtëruar, nga ata që vrasjen kishin mësim. Në tërë atë ndodhje, TVP-ja bëri atë që duhej bërë, u mbështet fort në krahët e popullit.

Kontributi i Televizionit të Prishtinës, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është për t´u vlerësuar. Ne s´bëmë asgjë më shumë se sa kërkonte vullneti i popullit,  TVP-ja ra dëshmor si gjithë dëshmorët e kombit. TVP-ja u rrah, u ndëshkua, u vra, dhe u burgos, dhe më në fund u mbyll për veprimtarinë e saj patriotike, nga një desant që i bëri Ushtria Jugosllave. Prandaj, Unë kujtoj se TVP-ja dhe rreth 500 punëtorët e saj, e meritojnë një vlerësim institucional dhe një pllakë përkujtimore për kontributin e TVP-së, dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Publik i nderuar, rrugën nga kemi ardhur, askush s´ka forcë që ta mbyllë. Ajo rrugë e bërë me vuajtje jete, me dhimbje burgu, me ekzekutime aty për aty, me ndjekje dhe dëbime, me poshtërime e mërgime të detyruara, ngre pyetjen; sa thellë i ka hyrë dhimbja e plagës në trup njeriut tonë, popullit tonë. Gjenocidi i padënuar serb në Kosovë, le të hapur konfliktin me shqiptarët e më gjerë.

Unë kujtoj shprehet Rexhep Kasumaj, se ka një heshtje të çuditshme kombëtare për atë  periudhë të lavdishme të rezistencës sonë. Vërtet, harrimi i asaj rruge, nga kemi ardhur, nuk i bën nder, as RTK- së, as udhëheqjes së saj “harruese”. Deshën apo s´deshën RTK-ëistët, RTK-ja, rrënjët i ka në RTP, në dëshmoren e fjalës kryengritëse. Duhet thënë, se brenda RTK-së është një arkiv i tërë, i trashëguar nga TVP-ja, e që i jep frymëmarrje çdo televizioni!..Eseja për Fjalën Kryengritëse në RTP vazhdon!..

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dortmund, fjala kryengritese, ne Televizion, Prishtine, Rexhep Geci

KOSOVA, DASHURIA IME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Me serbët ne jemi fqinjë. Në kohë paqeje i japim bukë njëri tjetrit. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, shprehet Ali Tahir Aliu, nga Bardhyli ( Bradashi ) i Besianës, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët kundër tyre! Toka denbabaden shqiptare, as s´ jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën nga pretendimet e Serbisë!../

Ne që trupin e mërguam nëpër botë si pasojë të shtypjes së egër dhe  luftës, jo pak jetën e dhënë nga prëndia po e harxhojmë nëpër vende të huaja, dhe për të huajtë. Unë kujtoj thotë Ali Tahir Aliu, nga fshati Bardhyl ( Bradashi ) i Podujevës, se është çasti që t´i trokasim vetes, dhe t´ia bashkangjesim trupit, mendjen, shpirtin dhe mençurinë, dhe të kthehemi në atdhé. Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne do të kishim as emër dhe as mbiemër, po vetëm një popull i shkrirë në një populli tjetër. Rruste, më thotë Aliu, shqiptarët janë prindërit të mirë, i duan fëmijët, i duan vëllëzërit dhe motrat, i duan nipërit dhe xhaxhallarët, tetet dhe dajat, fushat dhe malet, krojet dhe lumenjtë, vajzat dhe gratë e bukura, dhe mbi të gjitha e duan gjuhën dhe vendin e tyre ku janë lindur. Unë nuk jam në mërgim se kam dashur të aventuroj këtej, apo se më ka thërritur mërgimi, shprehet Aliu. Mërgimi për të pamërguarin është botë e panjohur, e veshur me para të premtuara, dhe drejtësi të ekzagjeruar. Jeta ime e veshur me mërgim jo herë-herë është, e ëmbël. Mërgimi për atë që është atdhetar, ka shije të thartë dhe gërryese. Ali Tahir Aliu, u lind më 17.03. 1968, në Bardhyl të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Besianë. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Kryengritjet e Kosovës aso kohe ishin të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. Nën pushtimin e jugosllavëve, dhe të diktatorit Tito, shqiptarët përjetuam burgun më të rëndë. Të drejtat tona në Jugosllavi, shkileshin vazhdimisht. Në Kosovë, aso kohe vrisnin shumë faktorë. Vriste varfëria, niveli ulët i arsimit, burgosjet dhe shpërnguljet, ndalimi i festive kombëtare, gjakmarrja, ndalimi i flamurit, pabarazia në punësim, dhe diferencimet e pareshtura të kuadrove, bënin që jeta e shqiptarit nën pushtimin serb të ishte jetë e të shtypurit dhe e të burgosurit. Populli ynë nuk e ka thënë kot; “zullumi këputet prej s´trashi”!Rruste më thotë Aliu, një patriot i devotshëm, një atdhetar i formuar, dhe një UÇK-ist që nga ditët e para të luftës. Aliu tregon se e tërë familja e tij 50 anëtarëshe, me prindër dhe xhaxhallarë, u vunë në radhët e UÇK-së, që në ditët e para. Babai im, Tahir Aliu, me profesion murator, UÇK-së i afroi tërë ekonominë familjare dhe njerëzore, për çlirimin e Kosovës. Babi im, Tahir Aliu, që në ditët e para të luftës për liri të Kosovës dhe pavarësi, iu përgjigj thirrjes së UÇK-së, dhe u rreshtu me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. Liria çmimin e ka të lartë na thoshte babai, por, ne duhet të jemi gati për çdo sakrificë. Divorci me Serbinë dhe ish Jugosllavinë, Kosovës do t´i kushtoj një det gjaku. Që nga viti 1945, e deri me shpalljen e pavarsisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova u përgjak s´i asnjë vend tjetër në Evropë. Komunistët e Titos, e veçmas ata serbë, të Milosheviqit, vranë , prenë rreth 55 mijë shqiptarë. Mirëpo, shtypja Serbe nuk ndalon në vitin 1956, as në vitin 1968 e këtej. Politika gjakatare serbe, vullnetin e Kosovës për Republikë të pamvarme, e quajti armiqësore, dhe çdo kërkesë në drejtim të pavarësisë, Serbia përgjigjej me vrasje dhe burgosje. Ndërsa, dënimet ishin të përditshme. Rreth 800 mijë qytetar të Kosovës ( para se të nis lufta ) u rrahën, u dënuan dhe u persekutuan nga pushtuesi serb. Lufta në Kosovë ishte e pritshme. Zullumi këputet prej s´trashi! Mirëpo, heroi popull, u kryengrit, që lirinë e shkelur, ta fitoj me çdo çmim.  Familja Jashari këtë e dëshmoi më së miri. Thyerja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe Lufta me Serbinë, Kosovës i kushtoi me  13 mijë të vrarë, 4500 të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura, një million të përzënë në 5 kontinentet, 25 mijë gra e vajza të dhunuara, dhe me një ekonomi familjare tërësisht të shkatërruar. Ky çmimi i gjakut dhe i pasurisë, dhënë luftës sonë për liri, bëri që SHBA-të, NATO, dhe e gjithë bota t´i vehet në ndihmë, Luftës për liri të Kosovës. Në atë luftë të pabarabartë Amerika na bëri me shumë duar, dhe fizikisht Kosovën e shpëtoi nga shuarja. Unë dhe familja ime, më thotë Ali Tahiri, një burrë fjalë pak e i guximshëm, lirisë së së Kosovës i kemi dhënë mjaft për kohën. Fal organizimit të mirë, dhe përgatitjes për luftë, Llapi dhe Anamorava, nuk lejuam që të ndodhë Tivari dhe Srebërnica. Babai im Tahiri  ishte i veshur dhe në front të luftës, që nga ditët e para. Tek shqiptarët, kur babai është në luftë me dike, edhe familjarët atë e ndjekin, dhe janë luftëtarë të tij. Bashkim Aliu, im vëlla, i lindur me 2.01. 1983 në Bardhyl të Llapit. Ai në moshë fare të re (18 vjeç ) u radhit në radhët e UÇK-së. Bashkimi bashkë me prindërit, Mëmën, babain, vëllëzërit, motrat dhe xhaxhallarët dhe familjet e gjerë, kontribuan shumë në bartjen e ushqimeve, armatimit, dhe ndihmë të plagosurve. Ne jemi fqinjë me serbët, më thotë Aliu, një biznesmen i sukseshëm në Dortmund të Gjermanisë, i cili në në kohën më të vështirë, Luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me 3o mijë marka gjermane. Ne shprehet Aliu, në kohë paqe fqinjëve serbë u kemi dhënë bukë, kur kanë qenë në nevojë. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët njëri-tjetrit! Toka e gjyshit dhe e stërgjyshit, nuk jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën. Jo njëherë, por disa herë i kam kafshuar lotët që të mos m´i shohin prindërit, vëllëzërit, motrat, miqtë,  shprehet Aliu, se para nënës nuk kam të drejtë të qajë!..Rruste, Kosovën e kam zemër, e kam shpirt, e kam atdhe. Kosova për mua është kuptimi i jetës sime!..

 

Filed Under: Komente Tagged With: dashuria ime, Dortmund, kosova, Rrustem Geci

BASHKËBISEDIM ME LIBRIN

December 6, 2013 by dgreca

Libër i nderuar, e dashura ime është shumër e bukur, por atdheu më i dashur. Jam lindur në një vend ku qielli lahet me të bëra, dhe toka që rrotullohet me ne, nuk është pa ré dhe ditë të bukura. Poeti gjerman, Fridrih Hëlderlin, shkruan;„Njeriu poetikisht banon në këtë botë“, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin./

Nga Rrustem Geci – Dortmund/ Gjermani/

Libër i dashur, jam lindur me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Në vendlindje u mësova të shkruaj, ndërsa mësimet e tjera në Gjilan, Dardanë, dhe Prishtinë. Për të ardhur t´i në jetë, kam kaluar shtigje të gjata kulturimi. Në këtë tokë të atdheut tonë, unë e ti u rritëm nga çarjet e dhimbjeve, nga tufani i erërave, nga ashku i puthjeve, nga drithmat e dashurisë. Prandaj, përderisa të përbashkët të kemi fjalën, gjuhën, frymën dhe stinët, do të ketë botë, do të ketë libra dhe letërsi. I dashur libër, të vura emrin “Kanuni poetik”, nga një motiv krejt i thjeshtë: të kesh një emër. Dhe të kesh një fat. Fatin që të mos jetosh kurrë kohë të përndjekjeve dhe djegieve si shumë pararendës dhe bashkërendës të kohës që po jetojmë. Libër i dashur, ti ndoshta mund të ankohesh se të kam vënë barrë e mision të vështirë, por ti mos u shqetëso, një libër është më vështirë të shkruhet sesa të lexohet, pra, s´ke përse të mërzitesh, lexuesit herët a vonë do të trokasin tek ti… do të hapin portat e mëdha të zemrës sate, për të marrë nektarin e dashurisë, hiret e madhshtisë dhe të bukurën e betejave të jetës. Dhe të gjitha bashkë, mesazhin e kohës që po jetojmë. I dashur libër, e di që s´e kam të lehtë të kremtoj ardhjen tënde në jetë, por, ja, kjo paskësh qenë ekzistenca jonë e parathënë. Frymëzimi dhe mundi krijues, me sa duket, është një urdhër qiejsh. I pashmangshëm, dhe i pakundërshtueshëm. Poezia në shpirt ka diellin, ajrin, ujin, të ngrohtën e kohës. Prandaj, për të lindur ti, i kam lexuar të gjitha kohët, dhe fjalës së shkruar, ia kam fshirë lotët dhe gjakun sa herë është përgjakur me cenzorë shërbestarë. Libër i dashur, me artin e bukur të poezisë kam rënë në dashuri, që moshë të hershme, me poezinë “Vjershën që s´desha ta shkruaj”, fillimisht drojshëm e më pas ballas e marrëzishëm. Më vonë, si dëshmon dhe ti, do të doja e guxoja të shprehem, se dashuria nis me njëshin dhe mbaron me shumësin. Libër I dashur, me mëndje e flijim elitar vëhen gurët e mëdhenj… Ndaj ti dukesh i paqtë e i prajshëm si lumenjtë e thellë që brenda kanë rropamën, vrullin, dhe trazimin…Atdheu nis tek zemra, tek vetëdija e gjithsecilit prej nesh. Libër i dashur, u bën 40 vjet që unë e ti bashkëjetojmë dhe dihatim me të njëjtin ritëm gjallimi, duke shijuar së toku orët e vona të shpirtërave të zgjuar dhe këngën e zogjëve herakë. Letërsia jonë o Libër, çdo ditë po bëhet më e pasur, dhe më e bukur. I nderuar, „Kanuni poetik“, në fletët tua lexuesi mund të gjej poezi e motive nga më të ndryshmet. „Shiu qe vetëm një miqësi / Fëmijë shiu ishim të tjerët / Jeta s´kthehet mbrapshtë / Në pika shiu shumëzohet!.. Libër i nderuar, një dëshmi e kësaj toke të vogël, është ajri, uji, drita, mjegullat dhe retë të shndëruara në zogj. / Ngrihu populli im, ngrihu /Pse rri aq i qetë, pse heshtë / bëje dorën grusht / Pushtuesi kudo të ndjek. Libër i nderuar, prej shpirtit më vjen që ta them dhe këtë; zoti s´mund të jetë i pranishëm në dhimbjet që tash i kemi mësuar. E dashura ime është tepër e bukur, por atdheu më i dashur. Libër i nderuar, koha për t´u ndarë po afron. Sido që të jetë e ardhmja, ti do bësh udhën tënde. Shqiptarët e duan poezinë, frymën e saj, të bukurën në jetën e përditshme. Udha deri te lexuesi nuk është aq e lehtë. Takimi i librit me lexuesin i gjason një çifti të dashuruar, një çifti me fjalë pak e shtrëngime shumë. Libër i nderuar, këtë bashkëbisedim para botimit për publikun, po e mbylli me një varg të poetit gjerman, Hëlderlin, ku thotë; Njeriu poetikisht banon në këtë botë, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin. I dashur libër, mesazhet tua për të mos e vrarë jetën, për të mos e braktisur dashurinë, për të mos e përbuzur vuajtjen dhe dhimbjen, janë në themelet tua. I dashur, „Kanuni poetik“, në mars të vitit 2014 ti me vete do t´i kesh 23 vargje, dhe brenda 23 mijë vargjeve do kesh 25 poema, dhuratë të një jete jo dhe aq të lumtur. Libër i nderuar, unë e ti tani tani duhet të ndahemi; ti tek lexuesi, e unë tek poezitë e pashkruara. Kanuni im poetik,unë  të uroj fat të mbarë, udhës së të palindurve!..

Filed Under: Kulture Tagged With: bashkebisedim me librin, Dortmund, Rrustem Geci

Gjenocidi serb në Gjilan, Kamenicë (Dardanë) e Viti

December 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/*

Vrasja e qëllimshme ndaj shqiptarëve, nga pakica serbe, e ndihmuar nga Ushtria serbe, dhe paramilitarët e saj, gjatë bombardimit të NATO-s, dhe më herët, përbën gjenocid të pastër të serbëve mbi shqiptarët. Gjenocidi serb, në komunat; Gjilan, Dardanë dhe Viti, edhe pas 14 vjetësh, vazhdon të jetë i padënuar. Heshtjet e Prokurorisë së Kosovës, dhe e Gjykatave të Kosovës, janë të pa falshme. Prokuroria dhe Gjykatat, ende bëjnë gjumë, mbi një dosje të gjenocidit të gjerë. Shumë janë lotët e nënave në dritare. Ato presin t´i bëhet gjyq, gjenocidit serb në Kosovë. Prandaj,  pyesin prindërit, nuset e veja, fëmijët jetim, kur do të ndodhë një gjyq i tillë?

Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, është dëshmues për vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet  e mëdha që kanë ndodhur në Komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, në periudhën mars-qershor, 1999. Rrëfimet nga dëshmitarët e librit „Vrasje dhe dëshmi“, për 147 të vrarë e të masakruar nga pakica serbe, për 75 të plagosur, 950 shtëpi të djegura tërësisht, dhe 452 shtëpi të djegura pjesërisht, dhe 7321 shtëpi të plaçkitura po nga pakica serbe e Kosovës, si dhe qindra gra e vajza të dhunuara, nga Ushtria Serbe, dhe paramilitarët e saj, janë trishtuese. Dëmet materiale të gjenocidistëve serb, për shkatërrimin e ekonomisë familjare në komunat, Gjilan, Dardanë dhe Viti, kapin shifrën 177 milion e 201 mijë marka gjermane.

Duart e përgjakura të gjenocidistëve serb, mbi shqiptarët kundërshtues të regjimit të gjenocidistëve, ( ende të pa dënuar ) janë të pafalshme. Krimi i bërë serb mbi shqiptarët ( i lënë në heshtje qe 14 vjet ) është për alarm, dhe për t´i rënë të gjitha kambanave, që të dilet nga heshtja e panevojshme. Hej, duhet t´i thërras ndërgjegjes institucionale në Kosovë, më thotë vetja ime, se kriminelët që përgjakën Kosovën, janë të lirë, dhe shëtisin pa druajtje nëpër qytetet tona. Kriminelët që bën gjenocid në Kosovë, Kosova duhet t´i arrestojë dhe t´i çarmatosë sa më parë.

Prokuroria e Kosovës, nuk guxon të heshtë. Ndryshe, serbët që gjenociduan Gjilanin, Dardanën dhe Vitinë, dhe gjithandej Kosovës, armët i kanë gati për krime të reja. Në librin e Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“, lexuesi, shkrimtari, artisti, dramaturgu, kompozitori, gazetari dhe tragjediani, mund të marrin informacione të mjaftueshme për veprat e tyre artistike, si bie fjala, reportazhe, romane, dokumentarë filmash, balet dhe operë.

Krimet kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës, në Anamoravë, pavarësisht vonesave, s´mund të varrosen as në puse të thella, dhe as nëpër varre harresash. Libri i Musa Sabedinit, „Vrasje e dëshmi“ është dokument i pashkatërrueshëm i kujtesës sonë historike, dhe adresa e kryesve të gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare, në periudhën, mars-qershor 1999, por, edhe më herët. Goja më merret, më thotë Arbi, një miku im, tek po e lexoja librin, „Vrasje dhe dëshmi“, të Musa Sabedinit.

Plagët e dhëna në libër, vazhdon miku, mbrëmë s´më kanë lënë fare të bëjë gjumë, mbase, vet e kam jetuar atë kohë në burg, dhe torturat e pushtuesit serb. Gjenocidistët serbë në komunat, Gjilan, Dardanë, dhe Viti, dhe gjithandej Kosovës, vrisnin dhe masakronin, fëmijë, nxënës, studentë, mësues, bujq, bujkesha, profesor, drejtor shkollash, minator, amvise, taksist, jurist, inxhinier, kamarier, zjarrfikës, rojtar, imam, shurdhmemecë, dhe kafshë shtëpiake të shqiptarëve.

Harta e krimeve është edhe më e gjerë. Frika e serbëve nga liria dhe pavarësia e Kosovës, shpërtheu në urrejtje nga më të përtejmet. Fshati Zhegër, Lashticë dhe Llovcë, ishin fshatrat nga më të plagosurat në Anamoravë. Në Zhegër, Gjenocidistët serbë vranë 13 shqiptarë, dhe plagosën 7 shqiptarë.

Krimi i kriminelëve serb nuk mbyllet me kaq. Në Zhegër gjenocidistët vetëm për shkak të përkatësisë etnike, djegën dhe plaçkitën 410 shtëpi, 104 traktorë, tre kamionë, 200 vetura, 96 kultivatorë, 322 lopë, 140 tonë miell, 5 furgon, sipas komisionit të fshatit, dëmi ekonomik në zhegër kap shumën 19 milion e 320 mijë euro.

Mirëpo, egërsia e kriminelëve serbë, s´mbaron me kaq, ajo vazhdon edhe në fshatin Lashticë, një fshat i kamur ekonomikisht dhe i arsimuar. Aty gjenocidistët serbë, me datën 30 prill 1999, i pushkatojnë, i djegin dhe i karbonizojnë 13 kufoma, ndërsa mbeten të plagosur 5 qytetar të Llashticës.

Gjenocidistët serbë në atë kohë kudo ishin në panik, dhe frikoheshin shumë nga Kosova e pavarur. Ata në çastet e fundit të humbjes së luftës, ju rrjedhën të gjitha trutë, dhe zgjodhën krimin më gjenocidistë kundër „Kosovës së lirë“,dhe „Kosovës shtet“.

Libri i Musa Sabedinit, është libër i krimeve serbe të bëra në Anamoravë. Varret dhe të gjallët e atyre varreve, qoftë përmes grimcave të kujtesës, qoftë përmes vesës së barit, nuk më lënë të harroj atë kohë të krimeve barbare, më thotë Refik Kryeziu.

Edhe i palinduri i asaj kohe, Nevzadi, ( tash më fëmijë i rritur ) i cili trashëgon emrin e gjyshit të tij, i rënë nga llava e gjenocidistëve serb, në Roganë, e lexon për çdo ditë atë kohë.

Lufta e Kosovës e 1999-tës, do të jetoj gjatë, nëpër të gjitha mileniumet e ardhshme të njerëzimit. Në Luftë e Kosovës, të vitin 1999,  u shkatërruan 100.589 shtëpi, 358 shkolla, 71 Zyra të vendit, 30 Shtëpi të kulturës, 93 Biblioteka publike, dhe  123 Objekte shkollore, 215 Objekte shëndetësore ( Xhami, teqe, tyrbe ) , Kisha katolike 5, ndërsa Objekte ndihmëse përcjellëse, 88.101. Në periudhën 1998 – 12 qershor 1999, janë vrarë dhe  masakruar 11.848 qytetarë nga Kosova, prej tyre 1. 392 fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Ndërsa, 296 fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Në Luftën e Kosovës të vitit 1999,  janë vrarë 1739 femra, vajza dhe gra të reja. Ndërsa gra të moshuara mbi moshën 65 vjeç, janë vrarë 1882 gra. Ndërsa, 1450 qytetarë të Republikës së Kosovës, ende janë të pagjetur. Në Luftën e Kosovës janë dhunuar nga Ushtria dhe paramiliutarët serb, 20. 400 femra shqiptare, ndërsa janë dëbuar nga vatrat stërgjyshore, rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës. Prej tyre 443 300 në Shqipëri, 247. 800 në Maqedoni, 69. 300 në Mal të Zi, 21. 700, në Bosne, 13. 639 në Gjermani, 7. 581 në Turqi, 5829 në Itali, 5.730 në SHBA, 13 në Alaskë,pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani, Poloni, Spanjë,Portugali, Finlandë, Zvicërr, Australi, Izrael, Kanada, etj.

Prandaj, është e padrejtë që të harrohen dëshmitë e gjalla të Vlora Shabanit nga Llashtica e cila humbi më të dashurit e saj në luftë, apo dëshmia e Deli Hysenit i cili ndodhet diku në Francë për shërim, por që kurrë nuk iu dha ndihma e shtetit.

Janë të pafalshme nga ana e shoqërisë kosovare harresat e grave e vajzave të dhunuara. Krimi i dytë dhe më i rëndë do të ishte nëse ato përbuzen dhe lihen në harresë.

Libri i Musa Sabedinit andaj është një përkujtues historik që nuk na lenë të harrojmë për asnjë qastë atë dhunë të shfrenuar dhe atë krim e gjenocid që bëri ushtria e policia zyrtare serbe në Kosovë.

Në libër ka shumë fakte, prova, dëshmi, procesverbale, analiza, dokumente serbe, të cilat vërtetojnë krimet e kryera.

Në libër gjithashtu ka emra dhe regjistra të të gjithë paramilitarëve serbe të Anamoravës të cilët në vende të caktuara kanë vrarë e masakruar shqiptarë. Për të gjitha këto heshtje dikush duhet të japi llogari e përgjegjësi, sidomos përgjegjësia është e madhe e hetuesve shqiptarë, e prokurorëve dhe e gjykatësve që kanë heshtur e vazhdojnë të heshtin akoma.

Musa Sabedini edhe pse nuk e kishte obligim, ai me guximin e tij, me mençurinë e tij doli fshat për fshat, familje për familje, fotografoi, mori dëshmi e deklarata të njerëzve të gjallë se çfarë u kishte ndodhë atyre gjatë luftës.

Dëshmitë ishin origjinale dhe si të tilla janë autentike për kohën. Me të drejtë për këtë libër vlerësime shumë pozitive kanë dhënë recensentët e njohur Pajazit Nushi e Behxhet Shala.

Autori i librit, „Vrasje dhe Dëshmi“, Musa Sabedini, u  lind në Stublinë të Gjilanit, me 8 maj 1971. Me gazetari dhe publicistikë merret që nga viti 1990. Për disa vite ka udhëhequr gazetën studentore, „Bota e re“.

Gjatë studimeve në Universitet, Musa Sabedini ka qenë nënkryetar i UPS-së, të UP-së, korrespondent i gazetave ditore: “Dita”, “Epoka e re”, “Kosova sot”, Kosova Live” dhe „Lajm“.

Musa Sabedini, për 14 vite, ka udhëhequr Klubin e gazetarëve „Beqir Musliu“, në Gjilan. Vlen të theksohet se Musa Sabedini, është fitues i katërfishtë „Korrespondent i vitit“, në Kosovë, në vitet ( 2003, 2006, 2007, dhe 2008 ).

Musa Sabedini ka ndjekur trajnime dhe është kulturuar në fushën e gazetarisë hulumtuese, në Kolumbia Misuri të SHBA-ve. Musa Sabedini është themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress.

Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi“ është libri i tij i dytë. Vetëm një dorë mjeshtërore do të dinte të bënte këtë libër-dëshmi për të gjitha kohët.

Libri i Musa Sabedinit “Vrasje dhe Dëshmi” nuk të lë të heshtësh. Bari mbi varreza ka kohë që nuk shkelet. Liria është mundësi e madhe. Edhe i rëni e ndien aromën e të gjallëve të lirë. Varrezat e të rënëve të luftës për liri kudo janë zbukuruar. Fotografitë dhe datëlindjet e të rënëve nëpër varreza nuk janë më frikë. Gati tek çdo i rënë ka lule të freskëta dhe kujtime të freskëta, dhe nga një varg kënge për gjithsecilin.

* Lexim i librit të Musa Sabedinit, „Vrasje dhe dëshmi“

Filed Under: Kulture Tagged With: Dortmund, genocidi serb ne Viti, Musa sabedini, Rrustem Geci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT