• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIMENSIONI SOCIOLOGJIK I PARTIVE POLITIKE

February 14, 2017 by dgreca

Qani Osmani, Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi, Ulqin, 2016/

Nail_Draga

Nga Dr.Nail  Draga/Duke marrë parasysh rrethanat shoqërore që kanë përjetuar shqiptarët  në të kaluarën  në literaturën në gjuhën shqipe kanë munguar studimet me tematikë mbi partitë politike dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e demokracisë dhe raporteve shoqërore.

Një dukuri e tillë nuk është befasi, sepse shqiptarët kanë jetuar në sisteme moniste, me qasje ekskluzive ideologjike, duke eliminuar mendimin ndryshe. Madje, çdo tentim i shprehjes së mendimit që nuk ishte në kursin partiak ishte i papranueshëm, ku pasojat kanë qenë evidente. Vetëm pas shëmbjes së sistemit monist, duke filluar me rënien e murit të Berlinit (nëntor 1989), filloi një frymarrje e re shoqërore. Ishte pikërisht ky vit që paralajmëroi pluralizmin politik dhe  vendosjen e demokracisë parlamentare në vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.

Themelimi dhe organizimi i partive të reja politike  dhe mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste duke filluar më vitin 1990 e më pas, ishin sfidat e para te subjekteve politike ndaj   partive  moniste të cilat kishin mbajtur pushtetin për rreth pesë dekada. Dhe nga ajo kohë ka kaluar një çerek shekulli, ku ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për analiza dhe studime të veçanta nga aspekti sociologjik i demokracisë dhe partive politike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kohë më parë Qani Osmani opinionit i paraqitët me librin Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi.

Libri  është konceptuar në atë mënyrë që ndahet në nëntë kapituj që përbëjnë një tërësi tematike e cila është intriguese për lexuesin. Autori ka arritur të zbërthejë në mënyrë shkencore dukurinë e partive politike që nga paraqitja dhe zhvillimi i tyre, deri të klasifikimi, struktura organizative, llojet dhe funksionimi i brendshëm i tyre.

Hapësirë e veçantë i është kushtuar çështjeve të demokracisë   në vendet pos komuniste,  të periudhës së tranzicionit, ku rast konkret është Mali i Zi. Duke marrë parasysh se partitë politike janë ushtruese të pushtetit në mënyrë të vetme apo ne koalicion, ata janë përgjegjësit kryesor në demokratizimin e jetës shoqërore. Por, miratimi i  pluralizmit  dhe organizimi i zgjedhjeve politike qoftë në nivelin lokal apo shtetëror, ka paraqitur sfida të mëdha për subjektët pjesëmarrëse në këto gara politike. Ndërsa,  nga mospërvoja politike, qasja autokratike e sidomos ambiciet  karieriste, ndikuan në humbjen e imazhit të demokracisë pluraliste. Madje në ca raste, disa sjellje ngjasonin më kohën e monizmit, që nuk ishte ë favor të pluralizmit politik.

Çështje të veçantë të trajtimit në këtë studim autori i ka kushtuar demokracisë brendapartiake, duke e analizuar ate me qasje për subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Eshtë pikërisht paraqitja e tendecave oligarkike, duke kriuar kultin e personalitetit që si pasojë ka veprimin autokratik, duke vendosur një person apo një grup i ngushtë me   ç‘rast eliminohet demokracia e brendshme partiake. Pikërisht nga një veprim i tillë i liderëve të ndryshëm janë kriuar fraksione dhe përçarje të ndryshme të partitë e ndryshme politike, disa vite pasi ata janë themeluar. Nga një veprim i tillë destruktiv, nuk kanë qenë imun as partitë politike që përfaqësojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Në mënyrë të veçantë trajtohen partitë politike shqiptare në Mal të Zi, nga paraqitja e tyre ne skenën politike dhe pjesëmarrja në zgjedhjet  lokale e parlamentare  nga viti 1990 e deri me 2012. Ndonëse në fillim të pluralizmit shqiptarët në Mal të Zi kishin një subjekt politik(LDMZ), e cila kishte karakterin e një Lëvizje kombëtare, që u dëshmu me votimin plebishitar në zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990),  me pas u formuan subjekte të tjera politike të cilat u legjitimuan në zgjedhjejt lokale  ato parlamentare.

Nuk ka dilemë së  një veprim i tillë eleminoj monizmin brenda shqiptarëve ne pluralizëm, por ajo dukuri dobësoi shumë elektoratin shqiptar edhe ashtu me numër të vogël, duke humbur unitetin politik. Por, duhet thënë se shkaku kryesor i formimit të partive të reja politike ishte mos ekzistimi i   demokracisë së brendshme  partiake, sepse u kriu kulti i individit,  dhe dolën në pah ambiciet lideriste dhe autokracia ataviste e indvidëve udhëheqës në partitë politike,  me konatacion të  përfitimeve  personale e te klaneve të  ndryshme.

Nëse këtij konstatimi i shtojmë edhe ligjin zgjedhor i cili nuk është në favor të shqiptarëve, sepse ai është miratuar sipas interesave të shumicës parlamentare që ishte  në kundërshtim me kërkesat e shqiptarëve, del qartë se shqiptarët në të ardhmen, do të përballohen me sfidimin e rrethanave politike, për avancimin e pozitës dhe të statusit të tyresi popull autokton në Mal të Zi.

Por, duhet  thënë me këtë rast  se nga një situatë e tillë konfuze, më së shumti  kanë përfituar partitë të ashtuquajtura qytetare malazeze, të cilat kanë arritur të marrin një numër të konsideruar të votave të elektoratit votues shqiptar. Madje, nëse një trend i tillë negativ vazhdon tutje nuk ka dilemë se pesha politike e shqiptarëve do të vijë duke u zvogluar, me pasoja të mëdha për shqiptarët në këtë mjedis.

Duke qenë botimi i  parë në gjuhën shqipe  me një tematikë të tillë tek ne,  ky studim përveç sociologëve dhe politikologëve, do të jetë i mirëseardhur edhe për të gjithë ata të cilëve iu interesojnë proceset shoqërore të qeverisjeve në shtetet moniste por edhe në ato të demokracive parlamentare. Po ashtu  me interes të veçantë është  edhe qasja analitike e pjesëmarrjës së   partive politike që përfaqësojnë shqiptarët në Mal të Zi në zgjedhje nga miratimi i pluralizmit sipas viteve përkatëse dhe sfidat e tyre gjatë kësaj kohe. Autori për shumë çështje qoftë organizative  apo funksionale të partive politike ka qendrim kritik duke ofruar argumente që janë në favor, të eliminimit të diskursit politik që është në favor të proceseve demokratike në mjediset përkatëse.

Ne lidhje më përgatitjen e këtij botimi autori   ka konsultuar një literaturë selektive duke sjellur përfundimet e tia në lidhje me temën përkatëse. Po ashtu ka konsultuar edhe statutet dhe programet e partive politike shqiptare në Mal të Zi por edhe në hapësirën tjetër etnogjeografike shqiptare, duke ofruar përfundime përkatëse varësisht prej çështjeve të trajtuara.

Në sajë të lëndës së trajtuar ky botim  mund t’iu shërbejë si literaturë e obligueshme  për studentët e sociologjisë por edhe   mësimdhënësit të cilët mbajnë leksione në shkolla  në kuadër të lëndës  së edukatës qytetare, sepse ofrohen të dhëna më vlerë që janë  në favor të edukimit qytetar dhe  politik për këto shtresa të shoqërisë por edhe për  të gjithë të interesuarit  e tjerë.

Gjithsesi libri është i mirëseardhur edhe partitë politike, sepse ofrohen të dhëna që janë të nevojshme për subjektet e tilla, për të sfiduar fushatat, zgjedhjet por edhe ekzistencën e tyre opozitë apo pozitë në pushtet. Sepse, vetëm në këtë formë ato janë  përfaqësuese të dënja të elektoratit të tyre votues, duke arritur objektivat  politike  në mjedisin përkatës.

Përfundimisht libri në fjalë pasuron literaturën në shqip për demokracinë dhe partitë politike dhe si i tillë pa dilemë do të zgjoj kureshtjen e lexuesve të pasionuar por edhe  të studiuesve të rinj për tu marrë në mënyrë profesionale më këto çështje shoqërore nga dimensioni i sociologjisë politike.

*(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin, më  4 shkurt  2017)  

 

Filed Under: Komente Tagged With: DIMENSIONI SOCIOLOGJIK I PARTIVE POLITIKE, DR. NAIL DRAGA

TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE

January 16, 2017 by dgreca

Nga Dr.Nail   Draga/*Nail_DragaStudiues  profileve të ndryshme shkencore të cilët janë marrë me raportët e ndryshme shoqërore të shqiptarëve, kanë spikatur një dukuri e cila është e veçantë tek kombi ynë.Fjala është për  tolerancën fetare, qe lidhet me besimin. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëjetesë pa armiqësi e konflikte të besimtarëve me fe të ndryshme. Dihet historikisht se besimi tek shqiptarët fillon me Ilirët, ku nga paganizmi përmes romakëve pranuan krishtërimin në shek.IV, ndërsa më pas me ndarjën e Krishtërimit në vitin 1054, shqiptarët i përkasin Bizantit, përkatësisht ortodoksizmit, ndërsa nga shek.XV, e më pas me paraqitjen e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në islamizëm. Ishin këto periudha të veçanta, me plot intriga, presione  dhe kushtëzime të ndryshme, ku për të mbijetuar shqiptarët ishin të detyruar t iu përshtatën rrethanave të kohës. Andaj, edhe dukurinë e konvertimit në fe të kohës duhet kuptuar në kontekstin kohor, për arsy politike e etnike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kemi raste të shumta nga klasa politike e kohës. Tashmë dihet se Balshajt në vitin 1369 nga ortodoks kaluan në katolik, pastaj ngjajshëm vepruan edhe Skurajt, Muzakët e Zahariajt. Ndërsa sipas rrethanave politike Gjon Kastrioti, i  ati i Skënderbeut, ishte katolik si aleat i Venedikut më 1407, ortodoks si aleat i Stefan Llazareviqit më 1419-1426, mysliman si aleat i Muratit II më 1430-1438 dhe vdiq si katolik më 1443.Rastet e tilla te asaj kohe por edhe më pas janë të mjaftueshme për të kuptuar tolerancën fetare e cila vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupim i studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, studiuesi i njohur i etnologjisë Kahreman Ulqini  kohë më parë opinionit  i paraqitet me librin Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, botuar nga Fiorentia, Shkodër, 2016.

Autori çështjen e tolerancës e trajton në kompleksin e organizimit të vjetër shoqëror të shqiptarët, duke filluar me familjen fshatare, dokeve, duke e  mbyllur me popullsinë qytetare dhe trajtimit të veçantë  në shqiptarizëm.Në pjesën e dytë vend të rëndësishëm zën shtojca, e cila sjell argumente nga çështjet e trajtuara nga vise të ndryshme shqiptare, që janë dëshmi të pakontestuara, për tolerancën fetare  në kohën përkatëse.

Duke parë se kemi të bëjmë me një temë komplekse me një periudhë të gjatë kohore autori me të drejt konstaton se hulumtimet rreth tolerancës fetare të shqiptarët  patjetër duhet  që argumentet dhe analizat e të dhënave  dhe metodat e punës të jenë të afërta me  ato të disa disciplinave  shkencore si historia, etnologjia e sociologjia.Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime te qendrueshme shkencore, ndaj një teme e cila është intriguese për studiuesit e profileve te ndryshme shkencore.Po ashtu një qasje e tillë është me e pranushme edhe për studiuesit e huaj, të cilët këtë çështje e kanë pothuaj të panjohur sa e si duhet, sepse shqiptarët janë model për botën bashkëkohore sa i përket tolerancës fetare, si pjesë e vetëdijës kombëtare gjatë shekujve.

Autori në këto botim na sjell episode të ndryshme që tregojnë tolerancën fetare të besimeve të ndryshme, kryesisht katolikë e musliman, nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare por edhe qytete më të kaluar të bujshme historike sikur ishte Shkodra. Ishte kjo ndjenja e solidaritetit të gjakut dhe etnisë për të përballuar rrethanat e kohës.Veprimet e tilla ishin sfidë edhe ndaj elementëve të ndryshëm konfliktuoz të cilët kishin paragjykime të ndryshme apo ishin në shërbim të strukturave të huaja në hapësirën shqiptare. Edhe pse në themel të shoqërisë shqiptare me natyrë konservatore, qendronte parimi i ruajtjës së traditës, ku toleranca fetare mbeti si kod i pranimit të te tjerëve fetarisht,mos fyerjen e besimit të tyre, respekt për praktikat e shfaqjet publike, bashkëjetesë normale në familjet me dy besime dhe pa paragjykime fetare në bashkësi të ndryshme shoqërore. Ishin këto tipare të ngulitura me shekuj në vetdijën e shqiptarëve, dukuri kjo e cila na bën të mburremi në krahasim me popuj të tjerë të cilët janë fetar me fanatizën ekstrem sikurse janë ortodokset fqinjët tanë të cilët si në të kaluarën dhe në ditët tona janë intolerant ndaj çdo kishe apo riti tjetër duke qenë përsekutues të vazhdueshëm nacional.

Me këtë botim përveç konsultimit të  literaturës profesionale selektive, autori  dëshmon se gjatë hulumtimeve të tia gjysëm shekullore  ne terren rreth organizimit të vjetër shoqëror e të drejtës popullore  të shqiptarët, ka mbledhur një lëndë me vlerë shumëplanëshe nga trashëgëmia e kultura jonë popullore, ku toleranca fetare paraqet një nder vlerat etnike me sublime të popullit shqiptar. Pikërisht kjo dukuri  është hetuar edhe nga të huajt të cilët kanë kanë vizituar viset shqiptare nga mesjeta e vonë e më pas. Madje ata kanë qenë të befasuar me ketë qendrim të shqiptarëve të cilët edhe pse popull me tre besime, ishin dhe janë edhe sot model për popujt e tjerë.

Andaj duke marrë parasysh rëndësinë qe ka toleranca fetare për të sotmën dhe të ardhmën, është  për tu përshëndetur propozimi i autorit e  qe një lëndë e tillë të mblidhet dhe të botohet në një vëllim të veçantë, si vlerë autentike e trashëgimisë sonë kulturore ndër shekuj.Një botim i tillë do të ishte si testament edhe për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar  se shqiptarët kanë se me çka të mburrën, me një vlerë unikate e cila iu mungon popujve të tjerë.Rastet  e tilla janë të shumta, ku disa autori na i sjell episode apo fragmente që kanë vlera autentike të tolerancës fetare.Andaj iu mbetet institucioneve përkatëse shkencore  që një propozim të tillë ta realizojnë në praktikë, sepse është obligim moral dhe profesional për të kaluarën tonë gjatë zigzagëve të historisë, sepse ka ndodhur ajo që është e shkruar.

Një botim i tillë do të ishte i obligueshëm jo vetëm për studiuesit dhe individët e pasionuar pas trashëgimisë kulturore por sidomos  për  studentët e katedrave te ndryshme, ku trajtohen çështje nga antropologjia e kultura popullore. Vetëm në këtë mënyrë  toleranca fetare do të mbetet  pjesë e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e popullit tonë në te kaluarën dhe në ditët tona.Dhe është pikërisht kjo tolerancë fetare e cila na shfaqet kudo në të gjitha veprimtaritë e ndryshme shoqërore, duke dëshmuar në praktikë një dukuri me vlera të mëdha sa shoqërore dhe kombëtare, duke na bërë unikat për popujt e tjerë në botën bashkëkohore.

Madje ky është edhe mesazhi i këtij libri i cili do të jetë i domosdoshëm për  historianët, etnologët  e  sociologët si  dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri  për këtë dukuri shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve, në të kaluarën dhe në ditët tona.

*Kahreman Ulqini, TOLERANCA FETARE E SHQIPTARËVE NË ZIGZAGËT E HISTORISË, Botoi:FIORENTIA, Shkodër, 2016

Janar, 2017                                                                                                                     

 Dr.Nail   Draga

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE

POLITIKA SI ARTI I QEVERISJËS

December 20, 2016 by dgreca

kopertina-e-librit-naili-d

Nga Dr.Nail  Draga /*Viteve të fundit nga autor të ndryshëm shqiptar janë botuar studime dhe  botime të veçanta  nga fusha të ndryshme si nga aspekti shkencor, kulturor, artistik, publicistik etj., duke pasuruar fondin e botimeve të tilla në lëmitë përkatëse. Nga kjo gamë e gjerë  autorësh bën pjesë edhe Gjon Keka i cili dallohet në hapësirën etnogjeografike shqiptare, për cilësinë dhe sasinë e botimeve. Një nder botimet e tia të fundit është edhe libri “Antropologjia politike”, botuar në nga “Botart” në Tiranë në vitin 2015. Nga vet titulli i këtij libri por edhe lënda e trajtuar  del qartë se kemi të bëjmë me një përpjekje të guximshme të autorit, i cili trajton  një qasje të re te mendimit politik tek ne shqiptarët. Një kostatim të tillë e themi me faktin se në këtë periudhë posmoniste e cila njihet si koha e tranzicionit, botimet e kësaj natyre kanë qenë të pakta, nga fakti  se tek ne ende është i pranishëm mentaliteti i së shkauarës totalitare, për qasjet shoqërore dhe rrjedhat bashkëkohore të shoqërisë pluraliste.Pikërisht duke marrë parasysh të kaluarën tonë në kuadër të ish kampit të vendeve socialiste, termi “antropologji politike” është një term pothuaj i panjohur. Antropologjia apo shkenca mbi njeriun përbën po ashtu edhe fushën e lidhjës se njeriut me  shtetin, drejtimin  e shtetit nga njeriu dhe pushtetin shtetëror, shoqërinë, shkallët e zhvillimit, kulturën etj.

Ndërsa antropologjia politike e trajton njeriun  si personalitet , si individ dhe si qenie kulturore, përkatësisht  ka të bëjë me strukturën e sistemeve politike, proceset politike, zhvillimin  e shoqërisë, institucioneve, shtetit dhe të kulturës së popujve, duke iu qasur në mënyrë strukturale lidhjeve  formale dhe joformale të politikës, proceseve kulturore, sociale, ekonomike etj.

Në kuptimin më të gjërë antropologjia politike  është sinonim me politikën, ndërsa ne kuptimin më të ngushtë, ka të bëjë me aftësitë politike  të artit të qeverisjes, shtetit dhe politikës, të cilat mund të thuhet se janë edhe sferat  mbi njohuritë politike në përgjithësi.Me një fjalë antropologjia politike  është pjesë e filozofisë politike e cila hulumton mënyrën e organizimit politik të shoqërisë  në një mjedis të caktuar.

Autori në këtë botim më në detaje trajton frymën inspiruese të ideve dhe të teorive  të politikës, formimit të shtetëve, legjislacioneve, sistemeve dhe institucioneve politike, kulturës politike, gjuhës politike etj. Pra kemi të bëjmë me një përpjekje të autorit në fushën e shkencës politike, i cili është nder të parët që kësaj çështje i qaset në mënyrë profesionale.Pikërisht këtu qendron edhe vlera e këtij libri, se shumë çështje të pa trajtuara deri më tash nga autorë shqiptarë, me këtë libër vërehet përpjekja e parë profesionale, ne këtë drejtim.

Andaj duke lexuar këtë libër del qartë se shoqëritë tona  me të kaluar  moniste edhe tash  ne  pluralizëm  kanë sfida të mëdha  për të konsoliduar demokracinë liberale, kulturën politike,  të drejtën dhe lirive qytetare dhe nacionale  sipas standardëve bashkëkohore  të shteteve me përvojë demokratike. Ndërsa neglizhenca në ketë drejtim se ende jemi në periudhën e tranzicionit  nga koha e monizmit, nuk është fakt bindës, sepse koha prej një çerek shekulli ka qenë e mjaftueshme, për ndryshime cilësore dhe veprime praktike nga klasat politike të subjektëve udhëheqëse. Çdo refuzim për tu ballafaquar me realitetin paraqet dobësi organizative, kadrovike dhe mungesë e vullnetit politik, për avancim dhe zgjidhje të çështjeve kontestuese për shoqërinë në vendin përkatës.Pikërisht në këtë aspekt shumë çështje mund të njihën  me mirë nga antropologjia politike, se sa nga fushat e tjera si sociologjia apo shkencat politike.

Nuk ka dilemë se për të shkruar një libër të tillë autorit i është dashur shumë punë, duke konsultuar një literaturë profesionale në gjuhë të huaja, sepse në shqip ajo pothuaj mungon tërësisht.

Dhe në fund e them pa hezitim se si i tillë ky libër duhet të jetë referencë e domosdoshme për studime dhe hulumtime në fushën e  sociologjisë dhe të shkencave politike, sepse paraqet studimin me të kompletuar deri më tash në gjuhën shqipe.

*Gjon Keka, Antropologjia politike, Botoi:Botart, Tiranë, 2015
                                                              

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Gjon Keka, POLITIKA SI ARTI I QEVERISJËS

Diskursi sociopolifik-TË DHËNA JO TË SAKTA PËR SHQIPTARËT NË BOTËN E JASHTME

July 18, 2016 by dgreca

Sipas një raporti  të publikuar  kohë më parë nga OKB, shqiptarë nga Shqipëria të cilët jetojnë jashtë vendit janë 1.12 milion, duke mos cekur fare shqiptarët nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga shteti i ish-Jugosllavisë, e dhënë kjo e cila nuk prezanton gjendjen reale të emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme./

Nga Dr.Nail  Draga/

Nder dilemat e periudhës së kohës së pluralizmit, paraqet edhe prezantimi i saktë i numrit  të shqiptarëve  në botën e jashtme, që njihet emërtimin diasporë, e cila për nga koha e emigrimit të tyre ndahet në diasporën e vjetër  dhe në ate të re. Fakti se nuk kemi të dhëna të sakta sidomos  në lidhje  me emigrimin e shqiptarëve nga hapësira e tyre etno-gjeografike nga institucionet shtetërore, krion hapësirë për qasje jo profesionale e madje politizim të skajshëm të kësaj dukurie shqetësuese kombëtare.

Nëse deri në vitin 1990, në lidhje me numrin e shqiptarëve të emigruar  nga hapësira e tyre etnogjeografike e cila ishte ne kuadër të   ish-Jugosllavisë kemi pasur të dhëna të përafërta, pas shëmbjes së sistemit monist  dhe shkatërrimit të këti shteti të dhënat janë aproksimative, edhe pse institucionet e Kosovës, janë përpjekur vazhdimisht që të ofrojnë të dhëna të pranueshme. Ndërsa për shqiptarët  në Shqipëri, për periudhën e para vitit 1990, as qe mund të flitet sepse instalimi I diktaturës komuniste, kishte ndaluar  lëvizjën e popullsisë jashtë vendit e me këtë edhe emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme.

Kujtojmë me ketë rast emigrimin politik  të shqiptarëve të vendosur në ambasadat e huaja me 2 korrik 1990, e ,më pas, dukuri qe mori përmasa  biblike, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin nga toka e deti. Emigrantët e parë  ilegal u vendosën  fillimisht në vendet fqinje Greqi e Itali  e më pas edhe  në vendet tjera europiane dhe deri në Amerikë e Australi.

Diaspora shqiptare e kohës së re

 Pikërisht, në lidhje më çështjen e emigrimit të shqiptarëve në Qeverinë e Kosovës është themeluar Ministria e Diasporës, e cila profil pune ka  numrin e të emigruarëve dhe vendosjës së tyre në shtetet përkatëse. Pra kemi të bëjmë me diasporën qe ne aspektin kohor është e kohës së re, në krahasim me ate të mëhershmën qe quhet diaspora historike, e cila fillon nga Mesjeta e më pas.

Edhe pse ka qenë e udhës  që shteti amë i shqiptarëve –Shqipëria të formojë një institucion përkatës për numrin e shqiptarëve në botë, me keqardhje konstatojmë se  kjo çështje edhe në pluralizëm u anashkalu. Dhe nga një qendrim i tillë në Shqipëri nuk ekziston një institucion përkatës qeveritar edhe pse gjoja këtë resor e mbulon një dikastër në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Veprimet e tilla nuk janë as serioze e as profesionale, që për shumë çka të kujton kohën e monizmit, ku diaspora shqiptare nuk është  trajtuar si pjesë e popullit shqiptarë, por me qasje ideologjike  dhe utilitare.

Rreth 40% të shqiptarëve nga Shqipëria në emigrim(!?)

 Pikërisht në lidhje me këtë çështje  në javën e parë të qershorit të këtij viti mediat elektronie njoftuan  një informatë me burim OKB, që ka të bëjë më numrin e shqiptarëve  që jetojnë jashtë  vendit të tyre. Kemi të bëjmë me një informatë me numrin e shqiptarëve  nga Shqipëria të cilët janë të vendosur në shtete të ndryshme të botës, numër ky qe arrin shifrën  1.120.000  shqiptarë, të lindur në Shqipëri.

Duke marrë parasysh të dhënat nga regjistrimi i fundit të popullsisë  në Shqipëri të mbajtur në vitin 2011, të dhëna të publikuara  nga  INSTAT-i, del se popullsi rezidente  në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Një e dhënë e tillë dëshmon qartë emigrimin e popullsisë e me këtë edhe gjendjen sociale e ekonomike të Shqipërisë, qe nuk meriton ndonjë hulumtim të veçantë. Nëse këtij numri i shtojmë edhe fëmijet e tyre të cilët nuk kanë lindur në Shqipëri, del qartë se kjo shifër duhet të jetë më e lartë.

Nga të dhënat e publikuara del se tre  janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e bashkuar 10 mijë etj.

Sipas informacioneve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesa më e madhe e emigrantëve kalojnë kufijtë për arsye ekonomike dhe mundësi më të mira sociale.

Nga të dhënat e bëra publike nga OKB dhe me përpunimin e Pew Research Center është hartuar harta globale e origjinës dhe destinacioneve të emigrantëve kudo në botë.

Kjo përqindje ka gjasa të rritet edhe më shumë në periudhën në vijim, pasi  në vitin 2015 u shënua një rritje e valës së emigracionit, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian por dhe SHBA-ve. Sipas të dhënave të Eurostat-it, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.

Ndërsa dukuri shqetësuese për vitin 2015 në Shqipëri paraqet e dhëna se për lotarinë amerikane kanë aplikuar 200 mijë qytetarë shqiptarë, nga del se emigrimi i popullsisë nuk paraqet me dukuri por proces i cili nuk ka të ndalur, qe do të jetë me pasoja të mëdha kombëtare.

Duke marrë parasysh se këto të dhëna kanë të bëjnë vetëm për shqiptarët e lindur në Shqipëri, këto të dhëna nuk janë të sakta sepse këtij numri duhet shtuar edhe numrin e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali I Zi,. Pasi nuk kemi të dhëna të sakta numerike por duke marrë parasysh se nga këto mjedise emigrimi I shqiptarëve ka qenë dukuri konstante nga viti 1960  e më pas nuk ka dilemë se ky numër  duhet të jetë mbi  dy million shqiptarë, e dhënë kjo shumë shqetësuese  dhe plagë  kombëtare  e pa shëruar.

Regjistrimi i diasporës obligim shtetëror

 Në lidhje me këtë çështje i mbetet detyrë parësore Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, ne bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë për të hartuar një program pune të përbashkët për regjistrimin e shqiptarëve në botën e jashtme, pavarësisht se nga cili shtet janë sepse ata kudo qe janë janë shqiptarë. Andaj në ketë regjistër duhet të përfshihen edhe ata shqiptarë që jetojnë në botën e jashtme qe nuk janë nga Kosova e Shqipëria, sepse si të tillë plotësojnë mozaikun regjional të diasporës shqiptare.

Numri i saktë i tyre, vendi ku jetojnë e punojnë, madje edhe strukturat e ndryshme të tyre janë në favor të evidentimit jo vetëm numërik por edhe të resurseve të tyre njerëzore në vendet ku ata qendrojnë.

Në këtë dimension vendet  me traditë demokratike këto çështje i  kanë zgjidhur me kohë, dhe kanë informata të sakta se ku gjindet çdo bashkëkombas i tyre dhe çka përfaqëson ai në mjedisin përkatës sidomos në aspektin social dhe  profesional.

Diasporës vendin që e meriton

Andaj, institucionet përkatëse  duhet të jenë të kujdesshëm me diasporën, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e vendit, apo çlirimin e Kosovës, andaj duhet dhënë vendin qe e meriton duke i mundësuar të marrë pjesë me përparësi ne investimet e ndryshme qoftë të veçanta apo në partneritetin publiko-privat e po ashtu  edhe në zgjedhjet parlamentare, ku përmes përfaqësuesve të tyre të jenë pjesë e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror  si kudo në vendet demokratike.

Korrik  2016

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, NË BOTËN E JASHTME, TË DHËNA JO TË SAKTA PËR SHQIPTARËT

KOHA E MEDIOKREVE

March 9, 2016 by dgreca

Periudha posmoniste e njohur si e tranzicionit dëshmoi në mënyrë transparente gjendjen e përgjithshme shoqërore, duke përfshi edhe  krizën morale ku sinonim janë mediokrit  të cilët  janë bërë  virus shoqëror  për çdo mjedis në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët në Mal të Zi./

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Ne mjedise të ndryshme në periudhën e tranzicionit në vendet e ish kampit socialist janë duke u manifestuar kriza të ndryshme. Te gjithë jemi dëshmitarë se janë  te pranishme kriza ekonomike dhe ajo politike, por, vitëve të fundit është duke u manifestuar me të madhe një krizë e cila pothuaj është bërë epidemi shoqërore, e ajo është kriza morale. Nuk ka dilemë se kjo  është kriza me e rrezikshme nga vet fakti se për ta shëruar ate  duhen dekada të tëra.

Në vitet e para të pluralizmit, duke mos pasur përvojë  në qeverisje dhe në politikë në subjektet e ndryshme janë përfshi dhe angazhuar individ të ndryshëm të cilët qellim parësor kanë pasur përfitimet personale në momentin e caktuar. Ishte kjo kategori e cila ne ndryshimin e sistemeve  kishte shprehi për t iu përshtatur rrethanave të reja për përfitime personale. Por, poashtu, në gamën e gjerë të individëve të tillë bën pjesë edhe një kategori që janë mediokrit, por shumë të zhdervjellë për të arritur objektivat e tyre.

Me termin mediokër kuptojmë personat të cilët  janë me aftësi të kufizuara, që nuk shquhën për ndonjë zotësi, ose për ndonjë cilësi të veçantë. Por, janë pikërisht këto të cilët janë bërë të shumtë dhe të depertueshëm në veprimtaritë e ndryshme shoqërore për të arritur qellimin e tyre, apo  të personave e klaneve me të cilët bashkëpunojnë.

Nëse në fillim pjesëmarrja e një kategorie te tillë ishte e papërfillshme sepse kishim të bënim me militantë dhe një populizëm të turmave, me kalimin e kohës medokrit u bënë  virus shoqëror, duke u bërë dukuri shqetësuese. Kjo kategori ishte e pranishme kudo, por në veçanti në subjektët e koalicioneve të shumicës qeverisëse. Dhe s ka si të jetë ndryshe se para dhe gjatë zgjedhjeve lokale apo qendrore, mediokrit kanë pozicion të veçantë me strategji të veprimit, për të arritur objektivat e tyre. Për hir të së vërtetës, mediokrit kanë qenë të pranishëm edhe në monizëm, por me një mundësi kufizuese me mimikri veprimi, ndërsa në rrethana të reja në pluralizëm  morën përmasa   tjera, duke dëshmuar vetën se si janë në realitet.

Sa me e madhe të jetë kriza politike e ajo ekonomike mediokrit  marrin  përmasa të gjëra në të gjitha veprimtaritë si në kulturë, sport, art e sidomos në politikë. Eshtë pikërisht politika si ajo lokale e qendrore ku përmes lidhjeve e klaneve  të ndryshme  depertojnë kudo, e madje mendojnë  se  dijnë çdo gjë, duke u bërë sinonim i antivlerave shoqërore.

Mediokrit po ashtu profil të veprimit të tyre kanë lidhjet, nepotizmin, madje bëhën sekser për të kryer punë të ndryshme, në lidhje me struktura të ndryshme të administratës, nga më të ultit e deri më të lartit.

Nuk duhet anashkaluar edhe një  cilësi të veçantë të tyre që është  qasja ndaj   shpifjeve kundër  të tjerëve, sidomos ndaj personave me vlera, nga vet fakti se nuk janë afër tyre me asnjë cilësi profesionale dhe njerëzore.

Edhe pse janë të tillë, ashtu si janë ata nuk ngurrojnë madje të marrin guximin të vlerësojnë, të gjykojnë e madje të propozojnë individ në poste të ndryshme kadrovike. Nuk ka si të jetë ndryshe sepse vetëm me persona identik  ata mund të manipulojnë dhe të përfitojnë në forma të ndryshme.

Dhe në situata të tilla të krizës shoqërore dhe ekonomike, ku vlerat morale janë zbehur shumë, mediokrit për fat të keq paraqesin shumicën, ndërsa vlerat kanë mbetur në pakicë, apo thënë me gjuhën e politikës vlerat kanë mbetur  opozitë e shoqërisë në përgjithësi.

Janë pikërisht këto rrethana kur në politikë janë angazhuar në mënyrë aksidentale një numër i konsideruar individësh, të cilëve iu mungon kapaciteti profesional, demokratik e ai moral. Madje të tillët janë vendosur në vende udhëheqëse, ku si meritë kryesore kanë përkatësinë dhe degjueshmërinë partiake. Andaj më të drejt themi se vetëm në politikë askushi mendon së bëhët dikushi.

Por, duke analizuar periudhën e tranzicionit disa individ meritojnë respekt  të veçantë  të cilët dëshmojnë profesionalizëm, guxim dhe qasje parimore, por për fat të keq numri i tyre është shumë i vogël, të cilët edhe pse janë asete shoqërore janë  me ndikim të kufizuar.

Pra kemi të bëjmë me kohën e mediokrëve  që është fatkeqësi shoqërore për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Është koha kur  dominojnë antivlerat e jo vlerat  shoqërore e deri kur mbetet çështje për diskutim.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. NAIL DRAGA, KOHA E MEDIOKREVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit
  • “VENDI IM” 5th Anniversary Concert Event
  • Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj arriti fitoren e 15-të pa asnjë humbje
  • Një cikël poetik antologjik me autorë të së njëjtës gjenealogji
  • “ENDRRA SHQIPTARE” E RIPOPULLIMIT DHE VOTA E DIASPORES
  • TURP per Kryetarin e Bashkise dhe Keshillin Bashkiak te Tiranes!
  • “Barleti i hershëm”, magjepsja e re Nadin -Plasari!
  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë
  • MIRËNJOHJE KOSOVË, FALEMINDERIT Z.FITIM GLLAREVA
  • Platoni mbi edukimin

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT