• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEFEKTET SHOQËRORE NË KOHËN E PLURALIZMIT

February 8, 2016 by dgreca

Dr. Nail Draga*/
Në periudhën njezetë e pesë vjeçare nga autorët shqiptarë në Mal të Zi janë botuar libra me vlerë nga profile të ndryshme shkencore, letrare, artistike e publicistike. Eshtë kjo koha me e frytshme nga ky dimension nga fakti, se nuk ekzistojnë me paragjykimet dhe pengesat sikurse ishte situata në sistemin monist.
Në gamën e gjerë të autorëve kohë më parë opinionit iu paraqit edhe Shaban Peraj me librin publicistik VITET HUMBURA. Libri në fjalë paraqet një përmbledhje me artikuj, komente, opinione dhe intervista të cilat janë botuar ne mediat e ndryshme të shkruara në hapësirën etnogjeografike shqiptare gjatë periudhës kohore dhjetëvjeçare. Libri është konceptuar në atë mënyrë duke e ndarë në disa pjesë, duke filluar me shtypin shqiptar e vazhduar më pas me vështrime, opinione, kulturë, arsim dhe përfunduar me intervista.
Duke lexuar këtë libër del qartë se autori ndaj çështjeve të ndryshme shoqërore nuk ka qendruar imun, por përmes artikujve dhe komenteve ka shprehur pikëpamjet e tia, ne lidhje me raportët e subjekteve politike me pushtetin, ne aspektin lokal e shtetëror. Eshtë kjo periudha kohore prej një çerek shekulli, e mjaftueshme për analiza shumëdimensionale, ku autori preokupim ka pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Një veprim i tillë ka qenë i arsyeshëm, sepse autori ndonse i formuar në profilin arsimor ka punuar shumë vite si pedagog përkatësisht mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, gazetarinë përkatësisht publicistikën e ka pasur pasion. Madje në ketë fushë viteve të fundit ka punuar deri sa doli në pension në Radio Ulqin. Eshtë pikërisht kjo koha kur autori i është qasur kësaj çështje jo vetëm me pasion por edhe me profesionalizëm duke ofruar të dhëna me interes varësisht prej temave të cilat i ka trajtuar gjatë këtyre viteve.
Nuk ka dilemë se të gjithë ata të cilët do ta lexojnë ketë libër shumë çka do ta kenë më të qartë, për periudhën e kaluar nga miratimi i pluralizmit e deri në ditët tona, qe ka të bëjë kryesisht me mozaikun politik ku marrin pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi. Andaj ky botim paraqet edhe një kujtesë për ngjarjet e zhvilluara gjatë këtyre viteve. sepse kemi të bëjmë për një periudhë kohore te mjaftueshme për analiza të ndryshme, ku ajo politike është në rend të parë. Po ashtu nuk mungojnë komentet për ngjarjet e ndryshme në Kosovë e Shqipëri, duke trajtuar dimensionin mbarëkombëtar të çështjes shqiptare në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Madje kjo kohë ka qenë e mjaftueshme për të krijuar profilin përkatës për çdo subjekt politik, apo person i cili ka qenë i angazhuar në politikë gjatë këtyre viteve. Eshtë evidente se në mungesë së përvojës politike, shqiptarët në pluralizëm u kyçen fillimisht me konceptin e idealizmit, por me kalimin e kohës ndryshoj dukshëm një qasje e tillë. Fillimisht, pothuaj të gjithë të bashkuar duke përkrahur subjektin e parë politik, me kalimin e kohës nga monizmi brenda shqiptar u kalu në fazën e pluralizmit brenda shqiptarëve në Mal të Zi, çka ndikoj në copëzimin e skenës politike shqiptare. Ishte kjo koha e formimit te shumë subjekteve politike me prefiksin nacional, qe nuk ishte në interes të popullatës shqiptare ne këtë mjedis, që u dëshmua në zgjedhjet lokale dhe ato shtetërore.
Eshtë kjo periudha me transparente për shqiptarët, ku subjektet politike, perkatësisht lideret e tyre për shumë çështje thelbesore nuk arriten të gjejnë konsenzusin e domosdoshëm. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se ka qenë i motivuar nga interesat personale, klanore e ato partiake, qe u dëshmua në koalicionet para e poszgjedhore qe ishte në dëm të interesave dhe të kauzës shqiptare në Mal të Zi.
Titulli i librit VITET E HUMBURA, flet mjaft për kohën e cila ka qenë e tillë për autorin e këtij libri, por nuk dyshoj se e tillë ka qenë edhe për të gjith ne. Sepse autori çështjet përkatëse nuk i trajton ne aspektin personal, por ka qenë i preokupuar për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në ketë mjedis, në nivelin lokal dhe ate shtetëror.Eshtë pra pikërisht, ndjenja e përgjegjësisë e cila fatkeqsisht si kategori morale është zbehur dukshëm duke u bërë nocion i huaj, që në mënyrë transparente dëshmohet në keto vite të pluralizmit.
Ne këtë aspekt përjashtim bëjnë disa individ, qe me keqardhje themi se janë të pakët të cilët meritojnë respektin e veçantë, por të gjithë jemi dëshmitarë se dominojnë antivlerat, si ne dimensionin lokal, shtetëror dhe regjional. Andaj e them pa hezitim se pas krizës politike e ekonomike, ajo morale është me tragjike, sepse për të riparuar ketë gjendje duhen dekada të tëra!
Libri VITET E HUMBURA, me çështjet e trajtuara, qasjen dhe analizën e autorit, paraqet një kontribut më vlerë në publicistikën analitike tek ne dhe më gjerë.Te gjithë ata te cilet në të ardhmen do të trajtojnë çështjet përkatëse nga kjo periudhë kohore e pluralizmit, patjetër duhet ta kenë si referencë edhe këtë botim.Duke e marrë parasysh se është nder librat e rrallë e kësaj natyre tek ne, ai është i mirë se ardhur jo vetëm për një profil të veçantë lexuesish, por edhe për opinion e gjerë.

*Shaban Peraj, VITET E HUMBURA, Ulqin 2015- (Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit me 4 shkurt 2016)

Filed Under: Komente, LETERSI Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Shaban Peraj, Vitet e Humbura

ULQIN-EMËRTIMET DËSHMI E BARAZISË QYTETARE E NACIONALE TË ÇDO MJEDISI

July 23, 2015 by dgreca

(Përkitazi mbi shryrtimin e propozimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit )/
Shkruan:Dr.Nail Draga*/
1.Emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve paraqesin një çështje më rëndësi shoqërore, sepse ka të bëj me identitetin nacional, gjuhësor, kulturor dhe konfesional të çdo mjedisi. Në botën e qytetëruar dhe demokratike nga strukturat qeveritare lokale e shtetërore ekziston kujdes i vazhdueshëm për përfaqësimin proporcional të popullatës përkatëse, sidomos kjo të bëj në mjediset mutinacionale. Janë pikërisht emërtimet përkatëse që dëshmojnë në mënyrë publike politikën parimore të barazisë nacionale nga ana e pushtetit në mjedisin përkatës.
Por, shëmbull praktik i pabarazisë në ketë aspekt në kohën e monizmit ka ekzistuar në Ulqin, por edhe në viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Ishte kjo koha e imponimit dhe e hegjemonizmit shtetëror, ku shqiptarët edhe pse popullsi shumicë në Ulqin, nga aspekti i emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe institucioneve ishin tërësisht të margjinalizuar, përkatësisht të diskriminuar, ku regjistri përkatës e dëshmon në mënyrë transparente një konstatim të tillë. Sipas të dhënave ekzistuese del se nga 34 rrugë të emërtuara në Ulqin nga pushteti monist, nga to 29 janë më emërtime e 5 me numra. Nga rrugët me emra 27 janë me emra të përkatësisë sllave(90%) dhe vetëm 2 më përkatësi shqiptare(10%)!!

2. Ndonëse me një vonëse të madhe 12 vite pas miratimit të pluralizmit në Mal të Zi, në lidhje me këtë çështje me 7 maj 2002, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar me shumicë votash Vendimin për emërtimin e rrugëve në komunën e Ulqinit. Ishte ky vendimi i parë i marrur në lidhje me ketë çështje në pluralizëm. Ndaj këtij vendimi ka paraqitur ankesë SNP në Gjykatën Kushtetuese, ku ata me vendimin nr.62/02 me 26.12.2003 e kanë hjedhur poshtë vendimin e Komunës së Ulqinit, për parregullësi sepse nuk është respektuar procedura ligjore dhe Kushtetuta e Malit të Zi..

3.Në ketë aspekt, Ulqini dallohet nga qytetet e tjera në Mal të Zi, sepse me gjithë angazhimin tim më herët por tash edhe si kërkesë e Këshillit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe të institucioneve, bërë ndaj shërbimit të Kuvendit të Ulqinit, nuk kemi marrë përgjigje pozitive në lidhje me ekzistimin e ndonjë vendimi në lidhje me emërtimet e rrugëve në të kaluarën moniste. Por, përgjigja ishte negative, sepse Kuvendi i Komunës së Ulqinit nuk disponon asnjë vendim të tillë, nga del se emërimet e tilla janë vendosur në mënyrë jolegale.
Një e dhënë e tillë është e pakuptueshme për kohën por njëherit hap dilema të mëdha për formen e funksionimit të pushtetit monist në Ulqin. Në lidhje me ketë çështje nuk ka dilemë se kanë vepruar struktura individuale apo grupe të ndryshme që kanë vendosur për çështje të tilla. Ishte ky një veprim perfid me qasje hegjemoniste, duke mos marrë parasysh strukturën nacionale, gjuhësore dhe konfesionale të popullsisë së Ulqinit.
Me një qasje të tillë imponuese e hegjemoniste ish pushtetarët komunist kanë vlerësuar se çdo gjë fillon prej tyre duke eliminuar të kaluarën e këtij mjedisi. Ndërsa nga ana tjetër edhe ata pak kuadra shqiptare qe ishin nuk kanë pasur guxim të trajtojnë këto çështje, andaj kanë heshtur sepse ne ketë formë kanë mundur të ruajnë pozitat e tyre.
Një dukuri e tillë nga aspekti ligjor cilësohet jolegale dhe e pa pranueshme, andaj si e tillë është trajtuar edhe nga Këshilli për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, kur kemi trajtuar propozimet për emërtimet përkatëse.

4. Këshilli për dhënien e propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit, si ne mandatin e kaluar por edhe në përbërjen e re te këtij mandati (Vendimi nr.02-38/14-5/b më datë 22.3.2014) kësaj çështje i është qasur në mënyrë serioze. Andaj, duke marrë parasysh propozimet përkatëse, ne mbledhjen e mbajtur me 06.5.2015, ka dalë me propozimet konkrete qe janë miratuar në mënyrë unanime nga anëtarët e Këshillit që ishin të pranishëm, ndërsa me pas këto propozime i janë përcjellur Kuvendit, ku shërbimi ka vazhduar procedurën përkatëse.
Në lidhje me emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve, Këshilli ka marrë për bazë strukturën nacionale, gjuhësore dhe konfesionale të popullsisë së komunës së Ulqinit, duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Andaj duke u bazuar në këto të dhëna statistikore jemi përpjekur maksimalisht të respektojmë barazinë nacionale dhe qytetare në ketë mjedis.

Nga regjistri i emërtimeve të propozuara kemi këto tri kategori:

a/ emërtime tradicionale nga toponimia vendore,
(rruga e Valdanosit, Pinjeshit, Tivarit, Shkodrës etj.)
b/ emërtime të personaliteve vendore dhe ndërkombëtare
( Teuta, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nënë Tereza, Ali Ulqinaku, Mujo Ulqinaku-Cakuli, Ymer Prizreni, Mehmet Beci, Cafo Begu, Simon Filipaj, Pavle Mijoviq, Radovan Zogoviq, Mehmet Gjyli, Fiqri Hasanaga, Ali Podrimja, Edith Durham, Sabataj Cevi, Antonio Baldaçi etj.).
c/ emërtime me numra
(në Shtoj, Gjerana dhe disa rrugë në qytet të trashëguara më parë)
Ne Këshill jemi dakorduar që një rrugë të mbaj emrin VIKTIMAT E KOMUNIZMIT, madje e kemi caktuar edhe lokacionin, qe te jetë ajo në Mal të Bardhë, si vazhdimësi e rrugës së propozuar me emrin Dul Shurdha. Në sajë të takimit qe kemi zhvilluar te komisioni përkatës në Ministrinë e kulturës në Podgoricë, një propozim i tillë nga ana e tyre nuk është mirëpritur. Edhe pse ne si përfaqësues të Këshillit në atë takim kemi dhënë arsyetimin se tash jemi në pluralizëm dhe duhet të flitet për të kaluarën pa pa qasje ideologjike duke përfshi edhe krimet e komunizmit (1944-1990) qe kanë ndodhur në Ulqin por edhe gjetiu në Mal të Zi, ekzistonte një refuzim nga ana e tyre me arsyetimin se nuk është ende koha për një emërtim të tillë. Ne jemi te mendimit se krime nga koha e komunizmit ka pasur dhe pasojat janë ende të pranishme dhe se disa ngjarje per disa persona ende nuk janë ndriçuar si për familjarët por edhe për opinionin e gjerë.
Në lidhje me ktë çështje si dëshmi shërben emërtimi i sheshit Viktimat e Goli Otokut(Zrtve Golog Otoka) në Podgoricë, qe janë viktim e komunistave, andaj ne ketë aspekt Ulqini nuk mund të jetë përjashtim, pavarësisht se ende është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit. O tempora, o mores!
Nga ana tjetër sa iu përket rrugëve të emërtuara me numra, mendoj se kjo çështje paraqet vendim të përkohshëm, sepse ka zëra qe individet apo qytetarët do të paraqesin propozime përkatëse, nga toponimia lokale, apo emërtime të tjera nga banorat e tyre zonave.

5. Nga ajo qe u tha del qartë se si Këshill jemi përpjekur qe propozimet tona të jenë të pranueshme për të gjithë banorët e Ulqinit dhe terë komunës, ku të dhënat biografike te personave të propozuar e dëshmojnë në mënyrë bindëse një konstatim të tillë.
Ky propozim nuk ka dilemë se eliminon qasjen hegjemoniste nga e kaluara moniste, ku nuk është marrë parasysh barazia praktike nacionale në komunën e Ulqinit, ku shqiptarët si popullsi shumicë ishin të diskriminuar.

6. Dhe në fund e them pa hezitim se ky regjister i propozuar për emërtimet në Ulqin, mund të shërbejë si model edhe për qytete e komuna të tjera në Mal të Zi me përbërje multinacionale, sepse është respektuar në maksimum struktura nacionale, gjuhësore dhe konfesionale e popullsisë.
Me ketë rast dua të ceki informatën se në Podgoricë janë të emërtuara mbi 400 rrugë e sheshe, por asnjëra prej tyre nuk ka emër të një personaliteti të përkatësisë kombëtare shqiptare, çka dëshmon në mënyrë transparente pabarazinë praktike qytetare e nacionale në ketë mjedis.
Ndërsa duke marrë parasysh se Podgorica është edhe kryeqyteti i Malit të Zi, një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë por vetëm me qasjen hegjemoniste të pushtetit ndaj pjesëtarëve të popujve të tjerë.

Ulqin, 20.7.2015
*Dr.Nail Draga
(Autori është kryetar i Këshillit për dhënien e propozimeve për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe institucioneve në komunën e Ulqinit)

Filed Under: Kulture Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Emertimet ne Ulqin

Perkujtohet 70-vjetori i Masakrës së Tivarit(1945-2015)

April 1, 2015 by dgreca

Nga Dr.Nail Draga/*
Përkujtojmë një ngjarje tragjike e cila njihet me emrin Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur para 70-të viteve, pikërisht me 1 prill të vitit 1945. Ishte kjo tragjedia e shqiptarëve nga Kosova, e cila ishte planifikuar nga strukturat ushtarake jugosllave të kohës dhe e realizuar sipas një skenari të përgatitur më parë për qellim hakmarrje ndaj shqiptarëve.
Ne lidhje me numrin e të vrarëve varësisht prej burimeve ka të dhëna të ndryshme e ai numër sillet nga 1560 e deri në 4000 vetë! Mobilizimi i shqiptarëve nga disa vise të Kosovës si regrutë në aradhat partizane ishte bërë gjoja me moton për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.
Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nen embargo, apo edhe dokumentat gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.
Por, edhe pas shtatëdhjetë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar sa duhet nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.
Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990 e më pas, opinioni i gjërë filloi të njihej ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpetuar nga kjo kasaphane e përmasave naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”.
Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar. Janë ata pjesëtarë të gjashtë eshaloneve ushtarake, të cilët kishin tretmanin e robërve e jo pjesëtarëve të njësive të rregullta ushtarake.
Qellimi i largimit të tyre nga Kosova ishte i planifikuar sepse serbet e kishin më të lehtë të vendosnin pushtetin e ushtarak, duke bërë riokupimin e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, pa përfillur premtimet e parimeve të Kartës së Atlantikut.
Veprimet vrastare në mjediset e Monopolit të duhanit në Tivar të realizuar nga pjesëtarët e Brigadës së Dhjetë Malazeze ia kanë kaluar nazistëve gjermanë, sepse të vrarët nuk janë varrosur por janë deportuar në vende të ndryshme për të humbur gjurmet e krimit, ku edhe sot varret mungojnë!!
Por, ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpetojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Megjithate ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.
Nuk ka dilemë se për këtë masakër përgjegjësia bie mbi pushtetin e kohës në Mal të Zi, por edhe ate të Shqipërisë. Sepse si te lejohet që të kalojnë nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund në këtë regjion nga nëntori i vitit 1944!.
Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në vitin 2013, ka organizuar një sesion shkencor dhe është vizituar vendi i krimit ku jemi edhe ne sot. Por, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.
Nuk ka dilemë se masakra e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të saj do të ishte ne favor te rrethanave të reja shoqërore e politike, duke dënuar krimet e komunizmit të asaj kohe në ketë mjedis.
Nderim dhe kujtim i përjetshëm për viktimat e kësaj masakre!
Ju faleminderit
*(Fjala e mbajtur më rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Tivarit në Tivar më 1 prill 2015)

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjetori, DR. NAIL DRAGA, i masakres, se Tivarit

KALENDARI KULTUROR PA QASJE MBARËKOMBËTARE

March 5, 2015 by dgreca

Diskursi kulturor/
(Përkitazi në lidhje me nënshkrimin e kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë për vitin 2015)/
Shkruan: Dr. Nail Draga/
Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2015. Kështu më 20 shkurt në Prishtinë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi dhe Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, duke rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Kështu, Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e dytë të bashkëpunimit me Kalendarin e Përbashkët Kulturor i cili vjen në bazë të Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Nuk ka dilemë se nënshkrimi i Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen
Bëhet me dije se veprimtaritë e përbashkëta kulturore, sipas Kalendarit janë në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore etzj., qe mundësojnë prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi.
Nuk ka dilemë se një akt i tillë është për tu përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.
Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Mungesa e qasjes së tillë edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Pse ka munguar një qasje e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa..
Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri, ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para shqiptarëve në Mal të Zi.
Kujtojmë me ketë rast se gjatë verës në Ulqin, organizohen veprimtari kulturore mbarëkokbëtare por edhe ndërkombëtare siç janë Panairi I librit, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”. Ne këto veprimtari por edhe të tjera të veçanta, pjesëmarrja e ansambleve artistike, apo individëve të ndryshëm do të ishte e nevojshme, sepse si e tillë ka mision të dyfishtë(artistik dhe kombëtar).
Me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, edhe pse përpjekjet tona nuk nuk kanë munguar. Por, duhet cekur se çdo iniciativë ne ketë aspekt, ishte jashtë ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore, për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.
Kujtojmë me ketë rast se ne Skenën verore në Ulqin ftohen dhe marrin pjesë vazhdimisht trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore.
Duke marrë parasysh se në të kaluarën ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim sepse ishin rrethana të tjera shoqërore, tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet përkatëse ne lidhje me bashkëpunimin ne ketë drejtim.
Andaj, mendoj se ka ardhur koha për angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim moral dhe kombëtar qe është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi, të Luginës së Preshevës dhe ato në Maqedoni, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendrin kulturor të publikuar me 20 shkurt nuk arsyetohet më asgjë.
Ndryshimet ne ketë aspekt janë të nevojshme, e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë., sepse nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na I kryejnë të tjerët.
Integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, KALENDARI KULTUROR, MBARËKOMBËTARE, PA QASJE

EDIT DURHAMI-PËRKRAHËSE E KAUZËS SHQIPTARE

December 22, 2014 by dgreca

(Në 70-vjetorin e vdekjës)/
NGA Dr.Nail Draga/*
Nga të dhënat e njohura deri më tash del qartë se ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjës Kombëtare Shqiptare kanë zgjuar kureshtjen e personaliteteve të huaja për të vizituar viset shqiptare.Trajtimi i çështjeve përkatëse për shqiptarët dhe Shqipërinë ishin në qendër të vemendjës së artikujve dhe botimeve të tyre në qendrat e ndryshme evropiane.Falë angazhimit të tyre bota evropiane u senzibilizua dukshëm për çështjen shqiptare jo si çështje ballkanike por evropiane.
Nga plejada e atyre personaliteteve që vizituan shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka dilemë së vend nderi zë anglezja zonja Edith Durhami(1863-1944). Ajo ishte një udhëtare, artiste, publiciste, shkrimtare dhe një antropologe e njohur në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Edit Durhami ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj Arthur Eduard Durham ishte një kirurg i njohur në Londër. Edukimin e mori në mënyrë private dhe nga mosha e re shfaqi talent në art, duke i bërë të mundur pjesëmarrjen në Akademinë Mbretërore të Arteve. Por, jeta e saj kishte sfida të mëdha , sepse pas vdekjes së babait asaj iu desh të kujdesej vite më radhë për nënën e sëmurë. E këshilluar nga mjekët në moshën 37 vjeçare, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për tu qetësuar e relaksuar. Nga Triesta me një anije të Llojdit austriak gjatë Adriatikut udhtoi për në Kotor, duke u sistemuar përfundimisht në Cetinë të Malit të Zi, në gusht të vitit 1900. Ishte pikërisht ky udhtim shkruan më vonë Durham ”kur zura për herë të parë një fill të lëmshit ballkanik, pa kuptuar se sa thellë do të ngatërrohesha më vonë dhe, aq më pak, se si ky lëmsh do të mplekste më në fund të gjithë botën”.
Pas qendrimit disamujor këtu, ajo në vitin 1901, viziton për herë të parë Shqipërinë, dhe shkruan se “ u mahnita nga energjia dhe origjinaliteti i popullit shqiptar”. Këtu u vendos në qytetin e Shkodrës, ku më pas do të shkruante se “Shkodra më bëri për vete. Kish ngjyrë, jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe nuk e kalonin kohën duke pirë raki apo duke u sorollatur poshtë e përpjetë rrugëve, si në Cetinë. Kishte mbi vete diçka të njerëzishme”.
Këtu u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës i cili më pas u bë shoqëruesi i saj në udhëtimet në viset e Veriut shqiptar. Gjatë këtyre udhtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarjet dhe histortitë dhe fotografoi nga afër pothuaj çdo aspekt të jetës në fshatrat malore, duke grumbulluar një arkiv të pasur nga trashëgimia kulturore shqiptare.
Pas Luftës së Parë Botërore ajo u kthye në Londër, ndërsa në vitin 1918 u bë sekretarja e Shoqatës Angli-Shqipëri, themeluar më parë nga Aubrey Herbert në Londër, e cila mbronte të drejtat e shqiptarëve. Përpjekjete saj më pas ishin në ate qe Shqipëria të njihej nga Lidhja e kombëve në vitin 1920. Si mike e dëshmuar e shqiptarëve deri në vdekje i ndejti besnik kauzës shqiptare. Kur Shqipëria u pushtua nga fashistat italin në vitin 1939, edhe pse ishte 76 vjeçare doli në rrugët e Londrës duke mbajtur në duar pankartën ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”. Vdiq në Londër në moshën 81 vjeçare, me 15 nëntor 1944.
Në sajë të shkrimeve publicistike dhe botimeve të veçanta ajo mori një famë të madhe. Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesve anglezë iu pat dhuruar këto vepra: “Nepër tokat e serbëve”(1904). “Brenga e Ballkanit”(1905), “Shqipëria e Epërme”(1909), “Lufta për Shkodrën”(1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”(1920), dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve”(1928) etj.
Nga opusi i saj botues gjashtë libra trajtojnë pothuaj tërësisht çështjen shqiptare. Madje botimet e saja edhe sot e kësaj dite janë një udhërrefyes i mirë i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të malësorëve në veçanti e Shqipërisë Veriore në përgjithësi.
Ndonëse ajo u paraqit rastësisht në këtë regjion, ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi, e atyre shqiptare në veçanti, iu qas me një pasion e objektivitet të rrallë, duke dhënë përfundime të qendrueshme shkencore.
Duke lexuar veprat e Durhamit shqiptarët dhe të huajt do të mësojnë shumë të vërteta nga historia e tyre, më shumë të dhëna për kombin, për trashëgëminë kulturore, për qendrimet e sjelljet e fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha në fillim të shek.XX.Si të tilla ata janë referenca të domosdoshme për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore.
Pasi në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë ajo u bë, jo vetëm dashamire e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e tyre, me një fjalë u bë një luftëtare e denjë e çështjës shqiptare.
Me qellime të caktuara për të nënvlerësuar krijimtarinë e saj disa pseudoshkencëtarë e quajnë ate si shqiptarofile e më epitete të tjera nga i vetmi mëkat që “kishte” sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj popullit shqiptar duke u venë në mbrojtje të së vërtetës dhe të kauzës shqiptare. Ajo vërtet ishte pro-shqiptare por nuk ishte armiqësore me popujt serb e malazez, por ishte kundër politikës së tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare. Sa ishte gjallë epitetëve të tilla kurrë nuk iu përgjigj, përkundrazi, miqësinë me popullin shqiptar e konsideronte një fat të madh, që e bënte krenare dhe të lumtur. Rrallë mund të gjenden raste analoge të një përkushtimi të tillë ndaj fateve ë një populli mik.
Edit Durhami ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet më drejtësi. Por, duke qendruar dhe hulumtuar në regjionin e Ballkanit i cili popullohej nga sllavet dhe shqiptarët arriti të kuptonte shumë mirë intrigat, prapaskenat dhe veprimet djallëzore të serbeve dhe malazezëve ndaj shqiptarëve.
Pikërisht duke qenë dëshmitare okulare të skenave kriminale edhe pse ishte dekoruar nga knjazi i Malit të Zi Nikolla në vitin 1907, duke parë veprimet dhe krimet e ushtrisë së tij ndaj shqiptarëve në vitët 1912/13 dhe luftërat e tyre pushtuese në viset shqiptare, pati guximin për t ia kthyer dekoratën. Ishte ky një guxim i rrallë dhe veprim dinjitoz i një personaliteti me karakter që duhet t ia kenë pasur zili të tjerët, në atë kohë por edhe më vonë.
Duke pare angazhimin dhe kontributin e saj në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.
Angazhimin e saj personal ndaj çështjës shqiptare është vlerësuar nga Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I i cili e ka dekoruar më Urdhërin e Skënderbeut, me dekretin e datës 28.12.1928, që është publikuar në Fletorën zyrtare nr.1 të datës 9 janar 1929.
Pas rënies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipëri nga viti 1992 e më pas, në Shqipëri kanë filluar të botohen veprat e Edit Durhamit, të plota pa censurë si në kohën e diktaturës. Duhet cekur më ketë rast punën plot pasion e profesionalizëm të Shtëpive botuese si ARGETA –LMG, Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj. në botimin e veprave të Durhamit të plota të përkthyera në shqip. Po ashtu janë botuar edhe studime të veçanta nga autoritete të ndryshme shkencore e kulturore. Gamës së tyre studimeve i shtohet edhe monografia me titull Mary Edith Durham dhe shqiptarët e autorës Medina Çoba, të cilën po e përurojmë sonte.
Duke analizuar jetën dhe veprimtarinë e e zonjës Durham del qartë se ajo ishte grua e fortë, me kurajë, energjike, e dhënë pas aventurës, të shkruarit dhe pikturës. Pra, ishte një grua ndryshe nga të tjerat. Në vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike ajo zgjodhi të kundërtën, sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vite ajo udhtoi në Ballkan. Punoi duke mbledhur material, shkruar e pikturuar. Mblodhi foklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qendroi. Ajo iu përkushtua tërësisht çështjes shqiptare. Kudo ku qendroi në viset shqiptare u mirëprit nga malësorët shqiptarë duke mos pasur asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme, andaj më të drejtë e quajtën me titullin honorifik “Mbretëresha e Malësorëve”.
Në ditët e sotme dokumentat e saja mbahen në Muzeumin e njërëzimit(Museum of Mankind) dhe Instituti Mbretëror Antropolgjik(The Royal Anthropological Institute) në Londër, ndërsa koleksioni me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Muzeumin e Oksfordit dhe ati të Halifaksit. Po ashtu edhe Muzeumi Banfield gjithashtu ka një monstër prezentative rreth jetës dhe veprimtarisës së saj.
Në nderim të emrit të saj në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Koplik, emrin e saj e mbajnë rrugë, shkolla dhe një subjekt kulturor. Por për mbeshtetjen që i ka dhënë popullit shqiptar jam i mendimit se ajo meriton që në Shkodër ti vendoset jo busti por një shtatore monumentale. Mbetet në nderin e bashkisë së këtij qyteti që të marrin një nismë të tillë, sepse duke nderuar zonjën Durham nderojmë vetvetën.
Pasi ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në shkrimet e saja disa herë e ka trajtuar edhe Ulqinin dhe çështjën e tij, uroj dhe shpresoj që shumë shpejt një rrugë do të emërohet më emrin e saj! Do të jetë ky një kontribut modest i yni, për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e saj, si veprohet kudo në mjediset e qytetëruara.
Dhe në fund ky takim në Ulqin kushtuar zonjës Edit Durham le të jetë një homazh për këtë antropologe të shquar sepse ajo meriton të nderohet dhe përkujtohet në çdo kohë, me e pa shkas, sepse vepra e saj shumëdimensionale dëshmon përkushtimin jetësor ndaj kauzës kombëtare shqiptare dhe si e tillë meriton plotësisht mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.
*(Fjalë e mbajtur në shënimin e 70-vjetorit të vdekjës së E.Durhamit, në Ulqin më 20 dhjetor 2014)

Ulqin, 20.12.2014

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, E KAUZËS SHQIPTARE, EDIT DURHAMI-, PËRKRAHËSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT