• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGRITJA DHE RËNIA E SHTETIT ISLAMIK

July 8, 2021 by dgreca

Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

ZHVILLIMET DRAMATIKE TË PRANVERËS ARABE DHE KRIJIMI I ISIS-IT

Librin “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik (ISIS)” kam filluar ta përgatis që në vitin 2014 dhe ka përfunduar në vitin 2017. Ky libër është një nga studimet më profesionale dhe nga të parat në Europë dhe vlen të theksohet se në mbi 700 faqet e tij flitet për të gjitha detajet e origjinës së Shtetit Islamik në Irak dhe jo vetëm. Në vitet 1960-70 në Lindjen e Mesme ishte krijuar bindja se nuk ka luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë, duke nënkuptuar këtu Izraelin dhe atë korrelacion gjeopolitik që mbajti stabilitetin e militarizuar të Lindjes së Mesme, që nga viti 1973 deri në fillimin e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”. Në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtëpërdrejtë të SHBA-ve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe kryesisht në Siri por dhe planet për zgjerim strategjik në Libi dhe Egjipt, duke na çuar në përfundimin se si rrjedhojë e zhvillimeve dramatike të pranverës arabe e deri tek krijimi i ISIS-it, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasje mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeo-energjitike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë. 

KALIFATI ISLAMIK NË MOSUL

Gjatë kapitujve të këtij libri, jam ndalur për të analizuar me kujdes krijimin e të ashtuquajturit Kalifati Islamik në Mosul në vërin e vitit 2014, përshkrimit të figurës të të ashtuquajturit Kalifi Abu Bakr al-Bagdati, edukimin e tij fetar, femijërisë, kontekstin social dhe familjar në të cilin ai u rrit, mbështetja për studimet dhe familjen e tij pas rënies në luftë të vëllait të madh si ushtarak në përkrahje të regjimit të Sadamit dhe konsiderimit të tij si dëshmor i Irakut. Përshkrimi i jetës së tij të mëvonshme deri në momentin që ai i prezantohet botës si drejtuesi i Kalifatit të Ri është i vëmendshëm deri në detaje të shpjegimit të aftësive dhe të dobësive të këtij subjekti sa enigmatik aq edhe interesant. Më pas kam përshkruar me detaje strukturën e Kalifatit, institucionet e tij piramidale, komandat e tij qëndrore, rajonale dhe shtrirjen e tyre horizontale nga Siria në Irak, si dhe natyrisht ngarkesën dogmatike ideologjike të individëve që përbëjnë Kalifatin, të liderit të tyre kalifit Ibrahim dhe ideologjisë së tyre unike, e cila në fakt është edhe kërcënim për vetë vendet arabe dhe ato Islame.Më pas kam bërë një analizë të gjerë gjeopolitike të kushteve dhe të parakushteve ku zhvillohen këto ngjarje epokale, të aktorëve shtete të orës së parë, atyre që kanë një rol mbështetës dhe të kundërshtarëve reciprokë, si dhe aleatëve të lëvizshëm në bazë të interesave të tyre tipike për luftërat e pista dhe të bazuara në interesa. 

KUR SADAM HYSEIN PËRPLASEJ ME AMERIKËN 

Në këtë libër ka shumë informacion, i cili fillon me përgatitjet e Sadam Hysein-it kundër pushtimit amerikan, fillimin e konfliktit në muajin prill 2003 e deri sot në fund të vitit 2017. Gjatë përgatitjes së këtij libri nuk është përdorur asnjë informacion sekret. Prej më shumë se tetë vitesh këto informacione i kam grumbulluar nga mediat më prestigjioze të botës, nga eksperienca e drejtimit të misioneve luftarake në këto zona, leximi i qindra librave dhe artikujve online, literaturë që më është mundësuar në shumë biblioteka të NATOs, seminaret ndërkombëtare, konferencat shkencore, leksionet dhe takimet jashtë shtetit veçanërisht në SHBA, Qëndrën e Studimeve të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani, Universitetin e Përbashkët të Forcave Speciale në Tampa, Florida në USA, Universitetet amerikane, “sitet” ndërkombëtare, kanalet televizive, lajmet e përditshme, nga shikimi dhe analiza e qindra orëve të filmave të publikuar në you tube, në televizionin Zaëra, Al-Jazzera, Turkish CNN, BBC, CNN, ABS Neës, etj rreth SHI, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjera me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, me kolegë të forcave speciale që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri, etj të cilëve ju shpreh mirënjohjen më të lartë. 

SHTET GANGSTERËSH, AVENTURIERËSH, TË ÇMENDUR DERI NË EKSTREM

Në këtë libër jepet një përshkrim i hollësishëm të natyrës së dhunës mbi të cilën bazohet Kalifati. Dhuna e cila ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorësh që kanë çuar në ndryshime të pakthyeshme në jetët e qytetarëve të këtyre rajoneve, të luftrave që kanë prishur shtëpitë e pasuritë e tyre, të humbjes së pronave dhe të jetëve të qindra mijëra njerëzve, të fëmijëve që kanë lindur në luftë, të atyre që u rritën në luftë dhe atyre që humbën detrave apo rrugëve teksa përpiqeshin për t’u bërë refugjatë në Europë, aty ku i konsiderojnë për shkak të propagandës të gjithë terroristë sepse vinë nga territoret ku është krijuar i ashtuquajturi Shteti Islamik duke ngatërruar Islamin, një Besim të shtrirë në të gjithë njerëzimin, me një të ashtuquajtur shtet gangsterash, aventurierësh, të çmendur deri në ekstrem, me një ideologji tërësisht të çartur, e cila shkatërron gjithçka që gjen përpara.   

BURIME TË NATYRËS OPERATIVE DHE INTELIGJENCËS

Ky libër është pjesë e kolanës së çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme, të vetmet të botuara deri tani në gjuhën shqipe, e cila është vlerësuar si njëpërpjekje kurajoze dhe serioze me referenca akademike dhe burime të natyrës operative dhe inteligjencës të fituara nga autori drejtpërdrejt në terren, i cili ia vlen ta lexosh dhe studiosh. Ky libër vlen jo vetëm për ata që merren në përditshmërinë e tyre me çështje të natyrës politiko-ushtarake-diplomatike-inteligjencës dhe të sigurisë, por dhe të atyre që kanë dëshirë të informohen nga një këndvështrim ndryshe nga ai mediatiko-propagandistik për këto ngjarje epokale të kohës që ne jetojmë. Ky libër ka vlera analitike dhe krahasimore historike në të ardhmen, kur brezave të ardhshëm do t’i duhet të studiojnë nëpër shkolla apo universitete, pas disa vitesh apo dhe dekadash, kur njerëzit do të jenë më të ftohtë në raport me ndryshimet e kësaj kohe dhe pasojat që këto luftra do të kenë pasur mbi njerëzimin.

NJË STRATEGJI TË QARTË KUNDËR SË KEQES

Të gjitha burimet e informacioneve janë shënuar me “fusnota” në fund të çdo faqeje dhe nuk ka asnjë burim anonim informacioni. Kryengritësit e SHI, al-Qaedës, al-Nusras, etj nuk kanë asnjë mundësi që të mësojnë nga ky libër, me përjashtim të asaj që duhet ta kuptojnë se janë çdo ditë të monitoruar, TTP-të e tyre po analizohen çdo ditë, ata duhet ta kuptojnë se jemi të gatshëm të përballemi seriozisht dhe fuqimisht me ta për t’i shkatërruar dhe se kemi një strategji të qartë se si duhet t’i mposhtim përfundimisht.

Filed Under: Featured Tagged With: Dritan demiraj, Nderi i Kombit, Shteti Islamik

XHIHADI NË BALLKANIN PERËNDIMOR

June 28, 2021 by dgreca

Ph.D Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, anëtar i Këshillit të Vatrës, sjell para lexuesit librin e tij më të ri “Xhihadi në Ballkanin Perëndimor”. Në një rrëfim për ‟Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Ph.D Dritan Demiraj deklaron se libri është një analizë dhe vlerësim objektiv i gjendjes së radikalizmit religjioz, posaçërisht radikalizmit Islamik ndër shqiptarët dhe boshnjakët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rrjeteve të terrorizmit, shtrirjes së tyre, shkaqeve, rreziqeve, kërcënimeve dhe strategjive që duhen ndërmarrë për t’u përballur me sukses kundër tyre. 

EFEKTET E TERRORIZMIT 

Terrorizmi nuk është një krijim i kohëve të fundit, megjithatë është gjithashtu e pamohueshme se terrorizmi aktual paraqet sfida të reja dhe të veçanta për shoqërinë tonë. Efektet e terrorizmit të viteve të fundit janë transformuar dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si do të jetojmë për dekada, apo ndofta dhe për shekuj në vijim. Qëllimi për të përgatitur këtë botim, është analiza e hollësishme dhe krijimi i një burimi lehtësisht të arritshëm, praktik dhe akademik për një temë me rëndësi të madhe për strukturat e sigurisë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Siguria është një parakusht absolut për zhvillimin ekonomik dhe demokratizimin e çdo shteti dhe shoqërie. Natyrisht, ambienti i kërcënimit të sotëm është tipik me kompleksitetin dhe diversitetin e tij. Studimet më ambicioze dhe të vlefshme kanë “përqafuar” kompleksitetin e terrorizmit dhe jo duke u larguar prej tij. Ne duhet të përpiqemi dhe të arrijmë deri në atë pikë, ku terrorizmi nuk duhet të dominojë diskursin publik dhe të shkaktoj frikë në mbarë botën.

GJENDJA E RADIKALIZMIT NË VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR

Libri zbulon në kapitullin e parë gjendjen e radikalizmit, strukturës rekrutuese e organizative të ngritur në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Malin e Zi, pra kryesisht në vendet ku dominon popullsia Myslimane ose ku ka popullsi të tillë. Qëllimi final i tyre është realizimi i një vizioni të çmendur për krijimin e një Kalifati Islamik mbarëbotëror. Kapitulli vazhdon me rrënjët e ideve ekstremiste në botë, me përhapjen e ideve konservatore fetare dhe faktorëve që nxisin radikalizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Libri në kapitullin e dytë flet për sistemin politik të Islamit, dhunën, terrorizmin dhe xhihadin në vështrimin Islam, natyrën e xhihadit dhe 13 llojet e tij. Metodologjinë e radikalizmit të AQ dhe të ISIS-it. Në kapitullin e tretë jam përqëndruar të paraqes një historik të shkurtër se si u krijua Shteti Islamik (ISIS/ISIL) në Irak nga pushtimi amerikan në vitin 2003 dhe më pas zhvendosja dhe zgjerimi i tij në konfliktin Sirian në vitin 2011-2019. Më pas shqyrtohen me hollësi 16 komandat rajonale në Siri dhe Irak, struktura e komandim-kontrollit dhe drejtuesit më të lartë politikë dhe ushtarakë të saj, rrugët e inflitrimit të luftëtarëve të huaj nga e gjithë bota në Siri, Irak dhe grupet kryesore që janë përfshirë në Xhihadin Sirian. Në kapitullin e katërt përshkruhet historiku i futjes së fesë Islame në Shqipëri. Identiteti Islam i Shqiptarëve, si një proces i natyrshëm dhe shumëfaktorial. Shqipëria i vetmi vend ateist në botë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nën drejtimin e Marshallit Titos. Në kapitullin e pestë flitet për historikun e fillimit të xhihadit në Ballkan. Instrumentet që kanë lehtësuar ekstremizmin e dhunshëm në Bosnjë Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Si mund të rehabilitohen dhe riintegrohen luftëtarët e huaj në shoqëritë tona. Kapitulli i gjashtë jep të dhëna empirike që lidhen me angazhimin e luftëtarëve të huaj shqiptarë në xhihadin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë në Siri dhe Irak. Për këtë janë shfrytëzuar të dhëna të hapura nga institucionet shqiptare, kosovare, maqedonase dhe boshnjake të sigurisë, por njëkohësisht dhe nga mediat, gazetat, websitet, librat dhe agjensitë më me emër të sigurisë në botë (asnjë informacion nuk është marrë nga informacionet sekrete ose të kufizuara).

RREZIKU NGA LUFTËTARËT E HUAJ

Së fundi po jo nga rëndësia flitet për rrezikun nga luftëtarët e huaj. Si duhet të veprojmë me të “kthyerit”? Strategjia dhe planifikimi i qeverisë Shqiptare për luftën kundër terrorizmit. Identifikimi dhe parandalimi i terrorizmit. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet agjensive. Aktivitetet parandaluese, zbulimi dhe parandalimi i terroristëve dhe hapësirët e pasigurta në Europë dhe sigurimi i këtyre hapësirave.   

VEPRIMTARIA ANTISHQIPTARE

Dëshiroj që të theksoj dhe diçka që unë gjykoj se është shumë e rëndësishme për ta denoncuar publikisht, majde me zë të lartë. Tashmë nuk është e fshehtë veprimtaria antishqiptare që ka filluar dekada më parë nga “misionarët” e Serbisë, Rusisë dhe institucionet e tyre zyrtare që i mbështesin në prapavijë. Misioni i tyre është i qartë, paraqitja e Kosovës por edhe e të gjithë shqiptarëve në përgjithësi si terroristë, ekstremistë dhe radikalë Islamikë, të cilët nuk kanë vend në Kosovë, madje më gjërë në Ballkan dhe Europë. Në këtë libër janë denoncuar disa dokumenta sekrete të Serbisë, të cilat shpalosin skenarët se si Serbia synon që ta rikthejë Kosovën në një vend që të krahasohet dhe identifikohet me qytetet e prapambetura, ku aplikohet ekstremizmi dhe radikalizmi Islamik. Në këto dokumente tregohet se përmes ndërtimit të xhamive dhe medreseve nga ambasadat e shteteve Islame në Kosovë, kërkohet të krijohet një atmosferë në të cilën njerëzit do ta ndiejnë veten sikur jetojnë në një vend të huaj, ku për 20 vitet e ardhshme një pjesë e Kosovës duhet të duket si qyteti i varfër i Afganistanit, Kandahari. Kur kjo të arrihet, Serbia do t’i ketë duart e lira të përsërisë aksionin e depërtimit të shqiptarëve për në Turqi, kësaj radhe jo me forcë, por nën drejtimin e udhëheqësve fetarë, duke premtuar kushte të mira punësimi dhe emigrimi atje. Për të realizuar këtë “mision” Serbia e ka marrë dritën jeshile edhe nga shteti turk. Krahas operativëve bashkëpunëtorë (tradhtarëve dhe spiunëve shqiptarë të Serbisë) një ndihmesë të madhe do të japin njerëzit e tyre nga Maqedonia e Veriut, Bosnja e Sanxhaku, konkretisht romët, ciganët, goranët, tërbeshët, të cilët janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta. Udhëheqësit e Bashkësisë Islame në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Bosnje janë nën kontrollin tonë (serbëve) dhe punojnë për të përfshirë në këtë projekt antishqiptar me shumë njerëz, të cilët janë autoritarë dhe me ndikim në mjediset shqiptare, përfshirë këtu nga fusha e sportit, muzika, mediat dhe politika. Në disa parti të rëndësishme shqiptare kemi njerëz të cilët punojnë fuqishëm për ne (serbët) dhe mbështesin fenë Islame, duke bashkëpunuar me udhëheqësit vendor, të cilët po përhapin Islamin në pjesët ku nuk ka patur kurrë xhami dhe ndjesi për fenë Islame. 

DIPLOMACIA RUSE NË VAZHDIMËSI TË POLITIKËS ANTISHQIPTARE

Në këtë linjë vazhdon dhe diplomacia ruse e cila kohët e fundit ka dal haptazi. Në vazhdimësi të politikës antishqiptare, diplomacia ruse në datën 4 shtator 2019 nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, znj. Maria Zaharova, deklaroi se diplomacia ruse ka identifikuar si një rrezik të madh që i kërcënohet në të ardhmen e afërt Ballkanit dhe Europës nga terroristët shqiptarë. Konkretisht ajo deklaroi si shqetësim ndërkombëtar se: “Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të jetë një kështjellë e terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të rekrutuar dhe të stërvitur tek ISIS-i, po kthehen në rajon nga zonat e luftës. Ata e dinë ku po kthehen. Kjo përbën një gropë të zezë, ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të përdorin forcën në një rajon tjetër. Kjo çështje krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë”. Alarmet e kohëve të fundit antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar”, janë hiperbola të dizinformacionit klasik rus. Padyshim që kjo propagandë është e pabesueshme për dy arsye. Së pari: Rusia në datën 24 gusht 2014 filloi pushtimin e Ukrainës, duke shkaktuar deri më sot 4266 të vrarë. Këto deklarata vijnë nga një shtet që ka pushtuar me forcë një vend fqinj, duke ndezur luftën separatiste për shkëputjen e Ukrainës Lindore dhe duke mbështetur me njësi speciale, armë, financime dhe mbështetje inteligjence mercenarët separatistë rusë. Konkretisht “Grupi Wagner”, që mbështetet nga Presidenti Putin dhe që drejtohet nga Kolonel Dmitri Utkin, i cili përbëhet nga oficerë elitë të ish forcave speciale ruse, ka marrë pjesë aktive në luftimet në Donbass dhe në Donetsk në Ukrainë. Mercenarët e “Grupit Wagner” janë aktivizuar dhe vazhdojnë të operojnë nën mbështetjen e shtetit dhe shërbimeve inteligjente ruse në Siri (2015-2019), në Ukrainë (2014-2019), Sudanin e Jugut, Libi, Madagaskar, etj dhe së fundi në Venezuelë në mbështetje të presidentit Maduro me rreth 400 mercenarë. Së dyti: Rusia është një nga shtetet që renditet në vendet e para sa i përket “kontributit” në furnizimin me rreth 6000 luftëtarë të huaj xhihadistë që kanë luftuar për ISIS-in. Në mënyrë të turpshme, zëdhënësja e MPJ ruse, znj. Zaharova mundohet të krijojë shqetësime të pavërteta në Europë, duke deklaruar shifrën e pasaktë të kthimit në Kosovë të 250 luftëtarëve shqiptarë nga Siria. Ministria e Jashtme ruse ngre alarmin ndërkombëtar për gjoja rrezikun ballkanik dhe europian nga “250 ish luftëtarët shqiptarë në Siri”, por ndërkohë hesht për mijëra luftëtarët e ISIS-it, shtetas rus të cilët kanë qënë nga ana cilësore dhe janë konsideruar si “elita” e luftëtarëve të ISIS-it. Të mos harrojmë që ministrat e mbrojtjes së ISIS-it kanë qënë shtetasit Tarkhan Tayumurazovich Batirashvili ose ndryshe a.k.a. Omar al-Shishani, “Omar Çeçeni” dhe Koloneli Gulmurad Khalimov, ish komandanti i Forcave Speciale të Taxhikistanit”.  Omar al-Shishani ka qënë drejtuesi më i lartë ushtarak në Siri dhe më pas u bë ministri i Luftës i ISIS-it, por në të njëjtën kohë ai ishte dhe anëtar i lartë i Këshillit të Shuras. Ai njihej në Siri dhe Irak si “mjeshtri i taktikave” dhe kishte nën komandën e tij më shumë se 1500 luftëtarë çeçenë, shtetas rusë. Kjo njësi, ka qënë njësia më e suksesshme e ISIS-it në betejat vendimtare në Siri dhe Irak, të cilët konsideroheshin nga propaganda xhihadiste si luftëtarët më brutalë në këtë konflikt. 

TË DHËNAT E QENDRËS STUDIMORE PËR RADIKALIZMIN

Sipas të dhënave të Qendrës Studimore për Radikalizmin ICSR në vitin 2018 Rusia kishte rreth 5007 shtetas të saj si luftëtarë të huaj në organizatën terroriste ISIS në Siri dhe Irak. Ndërkohë në datën 12 korrik 2019, në Shqipëri policia shqiptare arrestoi terroristin rus të ISIS-it Rasul Miklaevi, i cili mbërriti në Shqipëri në verën e vitit 2018 së bashku me një grup emigrantësh që vinin nga lufta, ndërkohë zëdhënësja e MPJ të Rusisë znj. Zaharova nuk e përmendi këtë sukses të agjensive shqiptare të inteligjencës? Pse? A mos vallë 5000 e ca terroristët rus të ISIS-it, të cilët kanë qënë më aktivët në konfliktin në Irak dhe Siri janë më të parrezikshëm se rreth 143 luftëtarët e huaj shqiptarë (43 nga Kosova, 45 nga Maqedonia e Veriut, 23 nga Shqipëria, 21 nga Serbia dhe 10 nga Mali i Zi) të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e konfliktit? Kjo është pyetja që autoritet zyrtare të MPJ të Shqipërisë duhet t’i bëjnë MPJ të Rusisë? Mendoj që është e rëndësishme të theksojmë se numri 250 i luftëtarëve të huaj shqiptarë i deklaruar nga znj. Zaharova nuk është aspak i vërtetë, por vetëm pjesë e propagandës antishqiptare, që bëhet në kontinentin e vjetër me qëllim identifikimin e Shqiptarëve si xhihadistë.  Pse nuk flet Ministria e Jashtme ruse për “Ushtrinë kozake të Ballkanit”, që shërbimet sekrete ruse krijuan në muajin shtator të vitit 2016 në Kotorr të Malit të Zi, të përbërë nga mercenarë dhe vullnetarë ortodoksë rusë, serbë, ukrainas, malazezë dhe maqedonas, të cilët kanë luftuar në Bosnje, Kosovë, Ukrainë e deri në Nagornij Karabak dhe që morën pjesë aktive në prishjen e zgjedhjeve në Malin e Zi, Bosnje & Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut. Padyshim që është e kuptueshme se përse diplomacia ruse ka nevojë të shpikë, të bëjë zhurmë dhe të ngrejë alarme të rreme për një rrezik imagjinar të terrorizmit shqiptar. 

RREZIKU I TERRORISTËVE SHQIPTARË

Së bashku me disa kolegë të agjensive të sigurisë, forcave të armatosura në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kemi publikuar vazhdimisht fakte dhe analiza në lidhje financimet e vazhdueshme të Serbisë, Rusisë, etj të cilët financojnë qendra, institute apo OJQ të ndryshme studimore shqiptare, të cilat rregullisht publikojnë shifra për rreziqe dhe kërcënime të rreme nga “rreziku i terroristëve shqiptarë”. Ofensiva e re e diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar” është vetëm në funksion të strategjisë ruse për të turbulluar situatat dhe për të zgjeruar mundësitë e ndërhyrjes ose përfshirjes më aktive të shërbimeve të saj inteligjente në Ballkan. Kjo luftë është pjesë e luftës hibride që Moska ka filluar në rajon pas agresionit të saj në Ukrainë dhe jo vetëm, ku padyshim që objektivi kryesor i diplomacisë dhe i strategjisë së shtetit rus në Ballkan mbeten shqiptarët dhe kombi shqiptar, pasi ata janë Kombi më proamerikan në glob. Pikërisht një nga arsyet e botimit të këtij libri, është denoncimi i kësaj propagande antishqiptare, krejtësisht e pavërtetë, e cila ka si qëllim ndalimin e proceseve demokratike të qeverisë së Kosovës dhe pengimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.  

NJË STRATEGJI AFATGJATË DHE E INTEGRUAR NDËRINSTITUCIONALE 

Mbetem me shpresë që ky libër të kontribojë dhe ofrojë një analizë sa më të hollësishme në perceptimin e terrorizmit si dhe në kuptimin e rreziqeve dhe kërcënimeve të këtij fenomeni, pasojat e të cilit nuk janë shumë larg. Lufta kundër terrorizmit do të ishte produktive nëse politikëbërësit do të merrnin parasysh këshillat e ekspertëve, të cilët janë marrë me studimin, drejtimin dhe pjesëmarrjen aktive në operacione speciale dhe inteligjence në zona të ndryshme të botës, atje ku terrorizmi shfaqet në formën e grupeve dhe organizatave të fuqishme terroriste, duke ushtruar terror mbi pushtetin politik dhe popullatat e këtyre shteteve (Siri, Egjipt, Irak, Pakistan, Afganistan, Jemen, Libi, Nigeri, Somali, Jordani, Marok, Algjeri, Mali, Çad, etj). Si përfundim, studimet dhe analizat e paraqitura në këtë libër na çojnë në një konkluzion të vetëm: duhet miratuar sa më shpejt një strategji afatgjatë dhe e integruar ndërinstitucionale, për arritjen e objektivave të mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit në Luftën Kundër Terrorizmit (LKT). Nëse nuk mësojmë nga dështimet, katastrofat humane e sociale të shoqërive e shteteve të cilat krijuan hapësira veprimi për organizatat terroriste si dhe të shteteve perëndimore të cilat janë sulmuar në mënyrë tinzare nga këto organizata, do të jemi të destinuar të përsërisim gabimet e të tjerëve dhe në të ardhmen do të vuajmë pasojat. Padyshim një rol të jashtëzakonshëm në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit Islamik ka Qëndra për Studime të Sigurisë në Kosovë (KCSS) e drejtuar nga z. Shpend Kursani, të cilën e vlerësoj pa masë. Kjo qendër për një kohë të gjatë njihet dhe vlerësohet ndëkombëtarisht për studimet, analizat dhe publikimet në lidhje me ekstremizmin, radikalizmin dhe luftën kundër këtij fenomeni të përhapur në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë një falënderim dhe vlerësim të veçantë do të dëshiroja ta bëja edhe për z. Adrian Shtuni, ekspert dhe botues i nivelit të lartë për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në Washington D.C. Ngelem me shumë dashamirësi në pritje të sugjerimeve, vërejtjeve, këshillave, me qëllim përmirësimin e punës në botimet e tjera.

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani Perendimor, Dritan demiraj, Xhihadi

Kaosi dhe pervesiteti qeverisës “Ha, Grabit, Ik”! 

April 12, 2019 by dgreca

Nga Dritan Demiraj/

Siguria kombëtare është arsyeja e parë e ekzistencës së Shtetit. Grabitja me datën 9 Prill 2019 në Aeroportin e shenjëtores “Nënë Tereza”, tregoi se ku është katandisur Siguria Kombëtare e Republikës së Shqipërisë si anëtar i NATO-s, duke marrë një goditje fatale besimi tek partnerët tanë perendimor dhe jo vetëm. 

Është sfiduar, turpëruar, sfilitur dhe shpartalluar një nga vendet më të sigurta në vend, ku çdo vend i pavarur pasqyron elementet e sigurisë dhe prezencën e funksionimit të shtetit serioz. Kjo ngjarje me siguri do të ngelet sërisht pa përgjegjës real, por do të mjaftohet me ndonjë “kokë turku” duke shpall një “armik”, apo ta përcjellë fajin diku gjetkë tek koncesionari dhe vetë mjaftohet të justifikohet si gjithmonë dhe për çdo gjë, se “shteti reagoi dhe ne nuk jemi si të tjerët…”, “kemi bërë shumë, por kemi akoma më shumë për të bërë” siç ishte rasti i skandalit tek unaza e re….!!! 

Pra mesa duket, Qeveria Pink u paska dhanë kinezëve me konçesion, jo vetëm aeroportin, por edhe Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë.
Kjo është realisht fatkeqësi, ku Siguria Kombëtare është dhënë me koncesion nipërve të Mao Ce Dunit, duke kujtuar kohët e paraardhësve të këtyre që na qeverisin, për të na mbrojtur nga imperialistët e revizionistët, “motrën e vogël” Shqipëri!! 

Në rastin e qeverisjes së socialistëve këto vite të demokracisë, ka rënë poshtë dhe teoria e propabilitetit, pasi nuk janë rastësi që sa herë qeverisin kjo “racë politike”, përveç krimeve, korrupsionit shtetëror, ndodhin vjedhje galopante shtetërore dhe kriminale si psh vjedhja e thesarit të bankës qëndrore, vjedhje 5 herë në zonat më të sigurta të vendit nëpërmjet kompanive të sigurisë private ku pronarët e tyre janë në nivelet drejtuese më të larta të PS-së si Safet Gjici etj…, të cilët kanditohen për t’u zgjedhur dhe shpenzuar parat e vjedhura për të blerë votën e fukarenjve në mënyrë mafioze. Këto skenar do t’i kishte zili edhe Holliwoodi, por regjizori Rama, skenaristë ministrat e tij të brenshëm dhe producente Kodheli, kanë ndërmend të ngrenë lart emrin e kinematografisë “Shqipëria Pink”!!! Këta janë fanatik dhe pasionant te thënies të Leninit; “Një horr mund të jetë i dobishëm për partinë edhe duke qenë horr. Në polikë morali nuk ekziston; nuk ekziston asgjë përveç arritjes së rezultatit”.

Siguria e Aeroportit nuk është vetëm detyrë e koncesionarit që mundohen të përcjellin tellallët e qeverisë, por përgjegjësi reale të një shteti të përgjegjëshëm nëse do të kishim! Mirëpo në Shqipëri nuk ka qeveri të përgjegjshme, ka banda që grabisin në çdo vend, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri! Nga tellallët qeveritar në momentin kur nënshkruan kontratën me koncesionarin ishin “Azgan”, ndërsa sot ku është zënë ngushtë qeveria nga skandali janë “pehlivan”, duke u mburrur se do marrë masa nga më ekstremet për kompaninë koncesionare, pasi tani “nuk mban më ujë pilafi kinez”, thua se nuk kishte raste të tjera për të marrë masa!!! Nuk kuptohet se kujt duhet ti ankohen në këto momente kjo qeveri e papërgjegjshme! 

Shqiptarët ju kanë “votuar” që të qeverisni dhe jo të “qyravisni” në këto momente ku siguria kombëtare e Shqipërisë ka performancën e “brekëve të Shukriut dhe Shukrinjëve”!!! 
Në datën 2 Shkurt 2011, Qeveria Shqiptare ka ngritur Komitetin Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit “Nënë Tereza”. Me Vendim të Kryministrit Rama Nr.752, datë 13.12.2017, ka qenë i emëruar jashtë detyrës funksionale z. Sandër Lleshi si Kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe shumë titullarë të institucioneve shtetërore.

Pse ky Komitet Kombëtar nuk bën transparencën e dokumentave që vërtetojnë problematikat, rekomandimet dhe informimin e institucioneve kushtetuese për gjendjen e sigurisë?. Paradoksi është se, ai sot ndodhet në detyrën e Ministrit të Brendshëm, si ish-Këshilltar për Sigurinë i Kryeministrit dhe megjithëse sipas tyre janë njohur me problematikat, nuk morën masa nëpërmjet kopetencave ligjore funksionale të zbatoheshin detyrimet nga koncesionari dhe Policia e Shtetit, apo eksperienca e mëparshme me rastin e kanabizimit të të gjithë vendit, i kishte bërë më të vetëdijshëm që të justifikonin urdhërat e “sulltanit” ?!! 

Por realiteti është se lidershipi i MPB po e transformon Policinë e Shtetit në një trupë që i shërben propagandës politike duke zbatuar çdo urdhër që i jep “Sulltani shtatlartë” pavarësisht kostos! Merr kurrajon e tepëruar dhe etiketon opozitën si parti antiparlamentare dhe parapolitike si dhe protestuesit si të verbër!!!

Prioriteti i punës së Policisë në këtë kohë është: përgjimi dhe ndjekja e eksponetëve të opozitës, krimet kundër popullsisë civile të cilët mbrojnë pronat dhe djersën e 29 viteteve emigracion, të cilët kanë ndërtuar një “kasolle” për të jetuar, përdorimi i gazit helmues kundër fëmijëve, grave shtatzëna, pleqve dhe çdo njeriu që shpreh një pakënaqësi kundër horrave qeverisës, mbrojtja dhe fshehja e bandave dhe krimit të organizuar si dhe ruajtja dhe sigurimi i tregut e parcelave me kanabis që kanë filluar të rimbidhen në çdo vend të Shqipërisë! 

Titullarëve të policisë kanabiste, u duhet bërë e qartë që do të shkojnë në burg nesër me veprimet dhe operacionet e paligjshme kriminale që po ndërmarrin, kur në Shqipëri të zbatohet ligji i ndëshkimit për gjithë këto “zombie”. 

Gjithmonë kam shprehur respekt, mbështetje dhe inkurajim për të gjithë antarët e ndershëm të Policisë së Shtetit të cilët me përkushtim e ndershmëri, të keqpaguar, të keqpajisur dhe me halle të mëdha familjare përballen çdo ditë me elementë kriminal, të cilët kanë mbështetjen politike të bandës kryesore kriminale politike “Rilindje”.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

“Ëndërrimtari dhe qaramani” Rilindas!

February 22, 2019 by dgreca

dritan-demiraj-1-300x300

Nga Dritan DEMIRAJ/

Diktatura shpesh është e papritur. Politikat e këqija ekonomike dhe politike mund të shkaktojnë kriza që kanë pasoja të rrezikshme politike. Politikanët zakonisht kërkojnë fuqi arbitrare për t’u marrë me një emergjencë kombëtare dhe rivendosjen e rendit, edhe pse problemet themelore zakonisht shkaktohen nga politikat e këqija të qeverisë. Diktatorët aspirant ndonjëherë, i nxjerrin qëllimet e tyre me dëshirën e dukshme për të shkatërruar kundërshtarët. Nuk ka mënyrë të besueshme për të parandaluar njerëzit e këqinj ose të paaftë që të fitojnë pushtet.

Kryeministri i Republikës “Mariuana” Edi Rama, në konferencën për shtyp mbrëmë, la të kuptohet se e vetmja rrugë bashkëpunimi me opozitën ishte ulja në një tryezë dialogu dhe jo zgjedhjet e parakohshme e një qeveri tranzitore e kërkuar nga opozita.
“Jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë 2 herë pas zgjedhjeve nën një qeveri të përbashkët me opozitën ….. ju dhamë të gjitha portofolet që kërkuat…. ” theksoi “EDrama”. Ai tha se qeveria tashmë do shërbejë me më shumë përulësi, ndërsa ka moto bashkëpunimin.

Po i kujtojë këtij sharlatani politik, megalomania, nihilisti, demagogu dhe aspirantit për diktator, unë si ish-Ministër i Brendshëm teknik, gjatë asaj periudhe kohore kam vënë të gjithë potencialin tim profesional, moral dhe etik në interes të zbatimit të misionit të funksionit shtetëror dhe të demokracisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo detyrë njëkohësisht më dha mundësinë të njoh vulgaritetin, arrogancën, kriminalitetin, hajdutërinë, moralin, perversitetin dhe paaftësinë qeverisëse të “sektit politik pink”.

Ju dhe strukturat (vartësit tuaj) nuk bashkëpunuat qoftë dhe një sekondë për të dëgjuar mendimet dhe propozimet për heqjen, shkarkimin dhe dënimin e të gjithë baronëve të drogës dhe krimit që ishin te veshur me uniformën e policit dhe punonin në strukturat e Policisë së shtetit. Kam ndjekur dhe zbatuar praktikat ligjore dhe më pas kam kërkuar shkarkimin e disa Shefave të Komisariateve si të Pukës, Dibrës, Malsisë së Madhe dhe Gramshit të cilët ishin militant të mirëfilltë të PS si dhe mbështesnin dhe bashkëpunonin me elementë kriminal duke shpërndarë lekë dhe duke bërë presion mbi popullin, etj. Ka patur raste që kam marrë pjesë edhe vetë për arrestimin e elementëve kriminalë, prishjen e fushave me kanabis, pasi strukturat policore fatkeqësisht nuk arrinin të bënin arrestimin për arsye të lidhjes dhe suportit politik që u jepej nga nivelet e larta drejtuese policore apo politike (tashme të vërtetuara me zë dhe figurë).

Këto shkelje flagrante nuk u ndëshkuan kurrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi ai ishte garanti kryesor ku e kishe besuar fitoren e “tepsisë” dhe hashashizimit të vendit!
Këto denoncime i kam bërë dhe në mediat vendase dhe të huaja si “Zëri i Amerikës”, Deutsche Welle, etj por ju nuk patët interesimin më të vogël dhe jo më të merrje masa per ti luftiar!

Sot fatkeqësisht nuk dëshiroja të të shikojë si “qeraman”, pasi rolin e “viktimizimit” mund ta keni përvetësuar që në rininë tuaj, falë studimeve në Akademinë e Arteve, ku na paraqitesh si “djali i mirë” dhe modest! Por në fakt duhet të jepni përgjigje për rritjen e numrit të shqiptarëve që duan të lënë vendin dhe zëvendësimin e tyre me “viktima” humane, duke “pasuruar kolorin e racave njerëzore” në Shqipëri, pasi i ke më të lehtë për t’i bindur dhe nënshtruar dhe për të arritur ambicjet tuaja si “diktatoruc ëndërrimtar” lindor!

Ju u thoni njerëzve se duhet të duroni të këqijat e qeverisjes së rilindjes, pasi janë të durueshme, se ne po vjedhim më pak si thoshte i “famozi” Shalësi dhe se e keqja është opozita, kjo është trishtuese! Por kur një tren i gjatë abuzimi dhe uzurpimi, despotizmi absolut qeverisës është e drejta e opozitës dhe e popullit opozitar, të hedhin një qeveri në “kazanin rilindas” të gjithë këto sharlatanë.

Ju keni penguar administrimin e drejtësisë, duke manipuluar një reformë që e keni kthyer në gjueti shtrigash për kundërshtarët tuaj duke u bërë mbrojtës i vjedhjeve dhe gjynaheve të bashkëpuntorëve tuaj.

Ju erdhët në pushtet me propagandën e të parëve tuaj se do të kishte drejtësi shoqërore, barazi për të gjithë qytetarët, rritje të vendeve të punës dhe pune të ndershme, investime të huaja, etj ( jo skllevër në plantacionet e drogës), ku padrejtësia dhe shfrytëzimi do të dënoheshin, etj…., por çfarë keni bërë? vetëm kaos, korrupsion, drejtësi për të nxjerrë nga burgu kriminelët!!!

Ju erdhët si ëndërrimtar i çuditshëm i ëndrrave të pamundura! Ëndrrat e bukura të Ramës, njeriut “demokratik”, u kthyen në ankthe të imponuara nga Rama, njeriu diktatorial. Zotërimi i fuqisë absolute, orekset e njeriut diktatorial rriten në mënyrë eksponenciale dhe ai vendos të shuaj ato që shfaqin moderim më të madh.

Shqipëria po shkon drejt një sistemi kontrolli të plotë shtetëror, drejt një sistemi diktatorial, i orientur krejtësisht nga lindja ku çdo familje po bëhet e varur nga shteti në pothuajse çdo aspekt të jetës. Shqipëria po bëhet subjekt i një eksperimenti politik të udhëhequr nga politikanë “Sorosian”, e cila do të sjellë rrezultate trishtuese.
Një kryeministër, karakteri i të cilit është i dyzuar dhe me nuanca tirani, nuk mund të jetë më Kryeministri i një populli tashmë të lirë që nga viti 1991.

Çohu shqiptarë prej gjumit çohu..

 

Filed Under: Politike Tagged With: “Ëndërrimtari, dhe qaramani” Rilindas!, Dritan demiraj

Qeverisja e “Matriakut dhe Matrioshkave”

December 31, 2018 by dgreca

1 Dritan Demiraj
Nga Dritan DEMIRAJ, Ph.D/
Këto ditë “Timonieri i ripjelljes” prezantoi ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes për të dalë nga katrahura që me sjelljen eksperimentale institucionale qeverisëse e ka katandisur sot Shqipërinë si “Kolumbia ballkanike”. “Mbijetesa e qeverisë” apo “qarkullimi i qeverisë” sipas konceptit të autokratit Rama, janë manovra për të zgjatur sundimin e tij duke çuar në paqëndrueshmëri politike Shqipërinë dhe duke bërë një regres ekonomik e politik të paparë ndonjëherë.
Ndryshimet pavarësisht se ishin të imponuara nga “tërmetet” e lëvizjeve studentore, qytetare dhe denoncimeve të vazhdueshme të opozitës, bënë që ti bashkangjiten çdo shqiptarë i djathtë, i majtë apo i angazhuar politikisht.
Këto ndryshimeve nga “Matriarku” i “Matrioshave ruse” nuk mund të sjellë largimin nga zullumet, hajdutëria, korrupsioni, krimi, trafiqet e drogës dhe pastrimin e parave, por do të përqëndrohen më mirë në dorën e matriakut dhe oligarkëve pasi “matrioshat” i përdor më mirë, ndërkohë që sistemi i drejtimit është i njëjtë, pra shkurtimisht siç thotë populli “hoqi Lenën e vuri Prenën”!
Shqipëria pret të hapen negociatat me BE, të cilat kërkojnë personalitete dhe ekspertë me eksperiencë në diplomaci, pasi do të negociohen 35 kapituj. Por, këto nuk mund ti bëjnë “matriushkat dhe bebushët” e zgjedhur apo akoma më keq Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme “balerina” Mimi!!
Timonieri ka personalizuar pushtetin dhe  personalizimi i pushtetit të çon në sisteme të deformuara demokratike. Kjo qeverisje po e kthen Shqipërinë në klientelizëm, paaftësi dhe demagogji si dhe një vatër që eksporton një pjesë të krimit të organizuar në Evropë.
Shqipëria me këto drejtues mediokër dhe krejtësish të paaftë, me edukim intelektual e profesional gjysmak si dhe mashtrues dhe vjedhës diplomash, duke u paraqitur si “koka të mencuara” dhe duke u prezantuar me  “hanëmet” e Vezirit si “Dr”.Mimi Kotelja, “Dr”. Gjylameti, “Dr”.Manastirliu, “Dr”.Palla etj…, por që  në fakt janë  vetëm një “Sekt pink dylberash”, servilash, hipokritësh dhe lëpirësash. Ky lloj sekti matrapazësh e mercenarësh, nuk njohin nënë e babë, familje pasi kanë filluar të ndryshojnë dhe gjini, komb e atdhe, vetëm për para!. Këta kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe kombëtar! Në fakt qeverisja e “ripjelljes” vazhdon të pjellë vetëm hajdutë mashtruesa, narçistë, nihilistë, injorantë, hipokritë, fodullë dhe “doktorë”.
Gjatë gjithë historisë, protestat e studentëve janë bërë një element kryesor për ndryshimet shoqërore në mbarë botën. Ata studentë që protestojnë sot, mbështeten nga një histori e gjatë dhe e shquar dhe nga këta aktivistëve dolën njerëz të shquar. Nuk ka asnjë dyshim se revoltat studentore janë simbol i revoltës të të gjithë grupeve sociale si protesta e kuksianëve, minatorëve, naftëtarëve, banorëve të “Astirit”, banorëve të unazës dhe shqiptarëve të diasporës, ku padyshim shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj gjendje qeverisëse është “timonieri” dhe “guzhinieri i tepsisë” së bashku me “dylberat/et” që kishte dhe ka pranë vetes. Sot ai ka shumë frikë, se nuk ka kujt t’ja lerë “bunkerin” e Surrelit, nuk është i sigurt nëse do të mund të gëzojë paratë e vjedhura e të fshehura në llogaritë off-shore, nuk ka siguri nëse “miqtë” e tij Gjiknuri, Ahmetaj, Beqaj, Nikolla, Kodheli, Tahiri, Xhafa, Sejdini, Xhuxhi Dako, etj do ti japin statusin e azilantit pasi ja kanë zënë radhën.
Prej vitesh Shqipëria është shndërruar një ndër vendet më të korruptuara në planet dhe këtë po e thonë me zë të lartë përveç opozitës dhe liderit të saj zotit Lulzim Basha çdo media dhe qeveri perëndimore.  Kjo qeveri ka dhënë me koncesion (PPP) të gjitha pronat, shërbimet jetike dhe pasuritë publike, pra pothuajse e ka dhënë shtetin me qera dhjetëravjecare. Sipas raporteve vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit çdo vit vidhet më shumë se 1/3 e buxhetit të shtetit shqiptar.  Vendi po shkon në një drejtim të dyshimtë, në mënyrë të krijojë sa më shumë pushtet “timonieri” gjithmonë në kurriz të shtetit dhe shtetasve të tij.  Timonieri ka demotivuar,  destrukturuar dhe e ka shkatërruar të gjithë administratën publike. Ka larguar dhe frikësuar të gjithë njerëzit e ndershëm, profesionistë,  të aftë, arsimuar, diplomuar dhe të kualifikuar, të gjithë artistët me dinjitet, të gjithë juristët e aftë, gjykatësit e prokurorët e ndershëm, mjekët, infermierët, gazetarët e ndershëm, të gjithë oficerët e ushtrisë e të policisë si dhe ka bërë që me politikat e pashpresa të largohen me qindra mijëra nga shqiptarët më të mirë e arsimuar në vende të tjera dhe të strehojë në Shqipëri emigrantë të botës së tretë dhe vetëm me një qëllim, që t’i qeverisur më lehtë.
Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kundërshtojnë me të gjitha format demokratike kundër kësaj propagande të fuqishme me orkestrim nga “ERTV & Endri” për të fituar statusin e qytetarit të lirë ku sistemi demokratik ta garanton dhe jo sistemi autokratik i “ripjelljes”. Në masën që hapësira për shprehje politike mbyllet nën autokracinë, qytetarët përballen me një zgjedhje të pakëndshme ndërmjet pranimit politik dhe protestës së dhunshme, me të gjitha rreziqet që mund t’i bëjnë këto opsione. Zhvendosja e regjimeve autokratike nga poshtë ka të ngjarë vetëm nëse lëvizjet sociale krijojnë organizata të forta dhe të qëndrueshme politike. Kështu që, rreziku i vetëm për një regjim autokratik vjen nga demokratët e mundshëm e opozitat e ndershme e me platforma të qarta qeverisëse, jo nga rebelët apo revolucionarët, të cilët do të rrëzonin një diktaturë dhe do ta zëvendësonin atë me një tjetër qeverisje të majtë, pasi  doktrinat e të majtës janë vetëm për nënshtrim dhe varfëri.
Shqiptarë të ndershëm të të gjitha grupeve sociale apo politike si dhe çdo shqiptar i diasporës, të cilët duan një Shqipëri demokratike më të mirëqeverisur, duhet të marrin frenat e drejtimit të vendit dhe të mos e lënë Shqipërinë të shkojë drejt sistemeve autokratike.
DD, Ph. D

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Matrioshkave”, Dritan demiraj, Qeverisja e “Matriakut

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT