• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mungesa e transparencës e Bashkim Isenit lë shteg që unë si gazetare të dyshoj për keqpërdorim !

September 29, 2018 by dgreca

Nga kush u pagua albinfo.ch për revistën kushtuar turizmit të Shqipërisë “Shqipëria përtej bregdetit”/1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida BUÇPAPAJ/

Pas botimit të shkrimit tim të dytë hulumtues për projektet dhe paret publike që përfiton albinfo.ch dhe drejtuesi i saj, mora kërcënim se Bashkim Iseni do të më hedhë në gjyq.

Nëse gazetarëve do t’u hiqej e drejta e hulumtimit dhe dyshimit, atëhere e gjithë bota do të ishte një kopje e keqe e shteteve sikur Kosova dhe Shqipëria me sisteme politike kuazi mafioze. Franca, Gjermania apo Zvicra për shembull do të udhëhiqeshin nga liderë si Edi Rama apo Hashim Thaçi, deviza Liberté, Égalité, Fraternité  do ta zëvendësohej me moton korrupsion-klientë- turorë, shteti i së drejtës nuk do të ekzistonte, ndërsa njerëzit e botës të krimit do të bënin ligjin!

Por thelbi i Perëndimit dhe po ashtu edhe Zvicra, Atdheu im tashmë, ku jetoj e punoj prej 23 vitesh, është modeli unik dhe më i mirë i funksionimit të sistemit dhe shtetit të së drejtës. Edhe në perceptimin e korrupsionit, sipas Transparency International, Zvicra gjithmonë është nga shtetet që qëndrojnë në krye të listimit global me koeficent korrupsioni minimal.

Personit që më nisi mesazhin, partnere në projektin balkans.ch me Bashkim Isenin, paçka se ka vetëm tre vjet që ka vënë këmbën në Zvicër dhe pa një CV me performanca konkuruese në fushën e botimit apo turizmit, i thashë “ok, aq më mirë”!

Nuk i frikësohem të vërtetës, pa marrë parasysh se Bashkim Iseni është me “krahë të ngrohtë”, jo si gazetar apo profesionist, se nuk ka fare lidhje me gazetarinë, por si profiter prej rrethanave dhe lidhjeve me politikën shqiptare.

Albinfo.ch u financua nga qeveria zvicerane në vitin 2010, sipas burimeve në shtypin zviceran me 2 milionë franga, për të kryer një mision shumë të rëndësishëm për mirëinformimin dhe integrimin e shqiptarëve. Nuk e ka përmbushur as në mënyrë minimaliste, bile ka shkelur themelin mbi të cilën mbështetet informimi, që është pavarësia dhe paanësia politike.

Kur Ministri i Diasporës Pandeli Majko erdhi këtë pranverë në Zvicër, me shpenëzimet e paguara nga taksapaguesit për të takuar komunitetin, ai e shpërdori paren publike, sepse u takua me një rreth të vogël vicioz pranë PS dhe Edi Ramës, duke anashkaluar komunitetin dhe gazetarët me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa nuk harroi të deklaronte se : “albinfo.ch është një platformë model për informimin e diasporës”! Po ashtu premtoi pare. Dhe nuk vonoi, në Parlamentin e Shqipërisë  u votua vetëm nga PS ligji për diasporën ku ligjërohen financimet nga parja publike dhe nga projektet!

Kalimi i ligjit të financimeve është bërë në mënyrë urgjente dhe pa asnjë reagim të opozitës e cila vijon axhendat jashtë Parlamentit !

Gjatë muajve të fundit Bashkim Iseni është shfaqur sikur te jetë organizatori dhe PR i vizitave të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Ministrave të diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës në Zvicër, çka përbën konflikt të hapur interesi sepse cënon direkt pavarësinë politike dhe informuese të portalit të informimit!

Tani më thanë se Bashkim Iseni portalin e informimit albinfo.ch e ka transformuar në një shoqatë.

Bashkim Iseni është xhongler amator, por nuk është as gazetar dhe as botues e as garant i fjalës të lirë.

Bashkim Iseni përfiton trofe, grada, çmime, projekte dhe para nga kryepolitika në Shqipëri dhe Kosovë jo për shërbimet që ai i bën komunitetit, por për shërbimet që ai i bën direkt Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe enturazhit të tyre, me mision diabolik dhe të mbrapshtë për të diznitegruar diasporën.

Një nga figurat më emblematike të diasporës shqiptare në SHBA, gazetari dhe veprimtari i mirënjohur Frank Shkreli, që ka drejtuar Zërin e Amerikës në shqip dhe po ashtu Seksionin e Euro-Azisë tek VOA dhe që gjithë jetën ia ka kushtuar informimit të shqiptarëve dhe integrimeve të tyre Euro-Atlantike, në një nga shkrimet e tij më të fundit vinte alarmin për qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverive të Tiranës e Kosovës jo vetëm ndaj politikave kombëtare  por edhe ndaj diasporës.

“Diaspora sot, shkruan Frank Shkreli në opinionin e tij: “ÇKA PO NDODH KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE – është më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara.”

Nëse Frank Shkreli ankohet me të drejtë për përçarjen e diasporës shqiptare në SHBA, po të ishte këtu në Zvicër do të vinte duart në kokë, pasi komuniteti shqiptar këtu është tërësisht i çintegruar, në kaos dhe nën tutelën e duarve të zgjatura e pis të kryepolitikanëve të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët bëjnë gjithçka për të luftuar figurat me ndikim dhe me integritet në diasporë, duke lançuar kopje të llojit të Bashkim Isenit!

Sikur e thashë që në krye, albinfo.ch u subvencionua nga shteti zviceran për të përmbushur një mision fisnik. Bashkim Iseni ka gëlltitur miliona franga. Subvencionimet që ka marrë janë kthyer shpesh herë në debat në parlamentin e Zvicrës, sepse nuk e kanë justifikuar financimin. Bashkimi Iseni pretendon se ka 16 korrespondentë në Kosovë, ndërkohë që është një faqe shumë pak e vizituar në raport me gjithë ato miliona të gëlltitura. Me sajtin modern, me IT, mbulimin webmaster që e ka gjithçka teknikisht të fjalës së fundit albinfo.ch prodhon shumë pak, nuk ka opinionistët e saj dhe mban qëndrime të hapura propolitikës së udhëhequr nga Hashim Thaçi në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë.

Ndërsa Zvicra shkurton gazetarë në Agjensinë e saj të Lajmeve ATS/SDA, një institucion i shkëlqyer informimi që identifikohet me Konfederatën Helvetike, si është e mundur që të subvencionojë një portal që nuk ka asnjë standart botues dhe konkurues nga ato që kanë mediat në Zvicër?!

Sipas shtypit zviceran, ( nuk kam info të përditësuara)  ku parlamenti zviceran ka shfaqur shqetësimin për paren publike, mësohet se albinfo.ch në vitin 2018 do të subvencionohet nga pala zvicerane me 40% ! Pra 60 % Bashkim Iseni duhet t’i nxjerrë vetë, me punë. Bashkim Iseni nuk di të punojë! Nëse nuk punon, falimenton!

Por Bashkim Iseni është mësuar të bëjë qejf falë subvencioneve, projekteve e granteve! Është “gjuetar” i mbështetjes financiare që Perëndimi jep për Kosovën dhe Shqipërinë, shto tani edhe pares publike që PS  posa ka votuar në Parlament. Parja që Perëndimi e dërgon me projekte në Kosovë e Shqipëri, rikthehet përmes instrumentave që janë në duart e kryepolitikës direkt e në gojën e Bashkim Isenit, metaforikisht në gojën e aligatorit Bashkim Iseni ! Gojën e ka gjigande në fakt, jo për të shpërndarë apo mbrojtur të vërtetën, por për të gëlltitur pare publike ose ndihma që shkojnë në Shqipëri e Kosovë me qëllime të mira por që shpërdoren nga politika!

Po të pyesësh njerëzit rreth tij, ata të dalin me shpatë në dorë dhe të thonë se projektet që merr Bashkim Iseni janë zvicerane! Edhe kur pyeta për projektin më të freskët, botimin e revistës kushtuar turizmit të Shqipërisë “Shqipëria përtej bregdetit”, kështu reaguan – se kjo revistë është mbështetur nga fondacione zvicerane!

Këtu kemi të bëjmë direkt me dizinformim dhe manipulim të fakteve! Zvicra financon me projekte zhvillimi për Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa është pala shqiptare që i kanalizon projektet tek “njerëzit pranë pushtetit politik”. Si në rastin e Bashkim Isenit.

Kam sjellë në vemendje rastin e një projekti Perëndimor në Kosovë në shkrimet pararendëse. Në tetorin e 2016 Leonard Komani, gazetar nga Prishtina e denonconte albinfo.ch dhe një tjetër shoqatë “si grantezhvatës nga diaspora”, sipas të cilit albinfo.ch kishte zhvatur rreth 100 mijë Euro nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) që financohet nga donatorë Perëndimorë, kryesisht ambasada dhe zyra për zhvillim me qëllim zhvillimin e gazetarisë në Kosovë!”

Pra, paret me destinacion gazetarët në Kosovë i rrëmbeu albinfo.ch, “sepse paskish patur në plan të realizonte portrete “të thukta” individësh nëpër Zvicër, Kosovë, Danimarkë, Suedi etj!” Po përse të mos i realizonin portrete të tilla vetë gazetarët e Kosovës lind pyetja?!

Zhvatja, fshehja dhe mungesa e transparencës karakterizojnë edhe projektin më të fundit që ka zhvatur Bashkim Iseni për botimin e revistës për turizmin “Shqipëria përtej bregdetit”!

Rreth botimit të revistës për Turizmin në Shqipëri, ku botues është albinfo.ch, ka terr të plotë informativ, ka mungesë gare, konkurence, ka mungesë dhëniellogarie, ka mungesë të plotë transparence. Si shkuan direkt këto pare në gojën e Bashkim Isenit? As ambasada e Shqipërisë në Bernë nuk ka dhënë asnjë informacion! Në raste të tjera kur e kam pyetur shefin e saj, më ka thënë se nuk ka patur informacione.

Botuesit e voal.ch janë autorë dhe shkrimtarë, me prejardhje nga Shqipëria. Ata nuk kanë marrë asnjë ftesë apo informim për projektin e revistës.

Informacioni erdhi i gjymtuar vetëm kur gjithçka kishte përfunduar, sikur thuhet kur gjithçka ishte bërë fakt i kryer, Fait accompli, kur paret kishin shkuar në gojën e aligatorit dhe revista me 132 faqe, e botuar në mijra kopje, shpërndahet gratis nëpër klube, shoqata dhe ambasadat shqiptare në Zvicër!

Ne si botues dhe shkrimtarë, për dhjetë vitet e fundit kemi botuar 10 libra, me publicistikë dhe poezi, po ashtu në Zvicër prehen eshtrat e Mjeshtrit të Madh, poetit Vehbi Skënderi, tim eti, i persekutuar nga diktatura komuniste, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në Konfederatën Helvetike ndërsa ambasadat shqiptare me një përbërje ose mediokre, ose politike bëjnë veshin shurdh e syrin qorr! Ndërsa huligani Edi Rama për demagogji dhe pafytyrësi i vë avionëve shqiptaro-turkë emra poetësh!

Kjo është situata dramatike në diaspore. Ndaj të njëjtin mendim me Frank Shkrelin, është shumë alarmante, sepse politika e Tiranës dhe Prishtinës në relacione klienteliste e ka shkatërruar tërësisht komunitetin e diasporës në Zvicër.

Zvicra ka qenë modeli më i mrekullueshëm i organizimit të diasporës shqiptare, vendi që diaspora mikpriste Ibrahim Rugovën dhe poetët e Kosovës! Ky model brilant organizimi që kishte marrë mbi supe përgjegjësi të mëdha nisi të rrënohej me vdekjen e Rugovës dhe kur pushtetin politik e mori Hashim Thaçi mjerisht në aleancë me LDK!

Por kam bindjen se diaspora shqiptare në Zvicër ka forca dhe energji që t’i thotë “jo” politikës të kompromentuar shqiptare e çdo lloj relacioni klientelist, të zhyer në llucën e korrupsionit e t’i kthehet organizimeve të saj që kanë në thelb, kulturimin, edukimin dhe integrimin e shqiptarëve. Për të mos qenë nën thundrën e këpucës të një klase politike të korruptuar dhe pa integritet, por përkundrazi qe të ketë ndikimin e saj në vendet e prejardhjes, që mbahen falë remitancave miliardëshe të përvitëshme që kjo diasporë e nderuar dhe e respektuar dërgon në trojet shqiptare!

PS
Po i sjell lexuesit se si qendron voal.ch dhe albinfo.ch në globalrank.
voal.ch e krijuar në vitin 2008, nuk ka marrë asnjë lloj mbështetje, portali mbulohet vetëm me një Hosting dhe është hakeruar pa fund, ndërsa albinfo.ch shpenzon pa fund për modernizimin me fjalën më të fundit dhe ka kapërdirë miliona, por lexuesi kërkon të lexojë se si qendron e vërteta dhe vendss edhe fatin e lexueshmërisë

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, nga kush paguhet

Të gjitha paret i zhvat albinfo.ch

September 24, 2018 by dgreca

– a ka albinfo.ch raport klientelist me politikën shqiptare ?!/

1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida Buçpapaj/

albinfo.ch është një portal që jeton me projekte, që në zanafillë. I krijuar në start me financim zviceran. Duke patur në bord ambasadorin e Kosovës në Zvicër, që në ngjizje krijoi raporte të varura dhe klienteliste me politikën shqiptare, çka do të vendoste edhe fatin e portalit, me një përmbajtje mediokër dhe larg formatit si funksionon shtypi i lirë dhe mediumet e informimit.

Albinfo.ch e përzgjedh lajmin, pastaj e bën copy and paste, nuk ka autorë-opinionistë që kritikojnë keqqeverisjen apo që përcjellin shqetësimet e komuniteteve dhe duket se e ka si objektiv nxjerrjen nga vemendja e opinionit publik të fokusit që duhet të ketë gazetaria profesioniste.

E megjithatë portali albinfo.ch ka përpirë miliona franga zvicerane deri sa u bë problem edhe në Parlamentin e Zvicrës.

Tani Zvicra nuk i jep më pare, megjithatë albinfo.ch e ka zgjeruar aktivitetin, duke u kthyer në PR të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Ka manopolin duke u organizuar takime në Zvicër. Natyrisht me pagesë. albinfo.ch dhe pala shqiptare këmbejnë interesat vetjake, në raporte të mirëfillta klienteliste dhe në dëm të interesit të publikut e po ashtu në dëm të interesave të diasporës, duke shpërdorur taksapaguesit dhe grantet që marrin nga organizmat Perëndimore!

Qeveritarët e Shqipërisë dhe Kosovës dhe zëdhënësit e  tyre në Zvicër i japin mbështetje morale dhe financiare albinfo.ch në dëm të interesave të komunitetit, sepse interesi i politikës shqiptare është dritëshkurtër e përcaktohet nga interesi i Njëshit. Armiqtë që krijon njëshi, sidomos kritikuesit e qeverisjes së tij, janë edhe të përfaqësive diplomatike të cilat, në vend që t’i ndikojnë uinitetit kombëtar, bëjnë gjithçka për ta dizintegruar komunitetin! Me ndihmën e klientëve të tyre!

Jo më kot Shqipëria dhe Kosova janë vende ku sistemi është i kalbur nga korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi prej abuzimit të pushtetit politik.

Që në fillim albinfo.ch e mori në dorë Bashkim Iseni, ekspert i psikologjisë, por pa asnjë lidhje me gazetarinë dhe me asnjë lloj eksperience në këtë fushë, pa njohje profesionale të gjuhës shqipe dhe pa asnjë kontribut në komunitet.

Kjo lloj kategorie e qënieve njerëzore që përfitojnë qyl poste dhe pare kanë një urrejtje gratis për profesionistët, sepse e dinë shumë mirë se nuk mund t’i rezistojnë konkurencës free and fair. Kur vjen puna e të ardhurave për të jetuar, ata gjejnë rrugët më të lehta, që nuk kërkojnë lodhje por që cënojnë integritetin profesional, moral duke shkatërruar thelbin e shtypi të lirë që është pavarësia.

Në Konfederatën Helvetike sot edhe vetë gazetarët zviceranë me një formim të shkëlqyer dhe profesionalizëm shumë të lartë kanë probleme për vendin e punës, sepse interneti dhe konkurrenca e tregut të lirë ka ligjet e veta.

Më 21 korrik ishte botimi i fundit në letër i Le Matin, e përditëshmja frankofone me qendër në Lozanë, themeluar prej vitit 1893. Botimi do të vazhdojë online, por kjo iu ka kushtuar vendin e punës 36 gazetarëve zviceranë.

Po ashtu gazetarët e SDA/ATS – Agjensisë Telegrafike Zvicerane, profesionistë brilantë, poligliotë kanë qenë në grevë për një kohë të gjatë për shkak të një shkurtimi drastik të ekipit të gazetarëve.

E nënvizoj që në krye, flasim për gazetarë të kualifikuar, ndërsa albinfo.ch vijon të marrë pare duke i shkelur me këmbë ligjet e konkurencës, pa u djersitur dhe duke luftuar e injoruar gazetarët shqiptaro-zviceranë me aktivitet çerek shekullor në Zvicër, si autorë, shkrimtarë dhe profesionistë, të cilët përjetojnë ligjet e xhunglës jo nga Zvicra por nga mbështetësit e albinfo.ch.

Cilët janë mbështetësit e albinfo.ch ?

Shkurt: Qeveritë e Tiranës dhe Kosovës, që abuzojnë me pushtetin politik dhe paratë e taksapaguesave.

Në tetorin e 2016 Leonard Komani, gazetar nga Prishtina e denonconte albinfo.ch dhe një tjetër shoqatë “si grantezhvatës nga diaspora”, ku albinfo.ch kishte zhvatur rreth 100 mijë Euro nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) që financohet nga donatorë Perëndimorë, kryesisht ambasada dhe zyra për zhvillim me qëllim zhvillimin e gazetarisë në Kosovë! Por paret me destinacion gazetarët në Kosovë i rrëmben albinfo.ch sepse paskish patur në plan të realizonte portrete “të thukta” individësh nëpër Zvicër, Kosovë, Danimarkë, Suedi etj!

Po përse Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile i jep albinfo.ch 100 mijë Euro? A nuk paska gazetarë në Kosovë që me 100 mijë Euro të sjellin portretet e 120 figurave që veprojnë në diasporë?

Natyrisht që ka, por përse Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile i jep albinfo.ch 100 mijë Euro ?

Sepse Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile është nën tutelën e Hashim Thaçit dhe paret e grantet shkojnë atje ku do Hashim Thaçi, dmth jo tek gazetarët e Kosovës, por tek albinfo.ch!

Fondacione të tilla motra edhe në Tiranë po ashtu kontrollohen nga njerëz të afërt të Edi Ramës dhe paret shkojnë atje ku do Edi Rama!

Për shërbime politike klienteliste kryeministri i Shqipërisë e (sh)nderoi veten dhe albinfo.ch me trofeun “Shqiponja e Artë”!

Ne dëm të informimit, fjalës dhe shtypit të lirë, duke e bërë edhe diasporën një copy paste të asaj që ndodh në Shqipëri e Kosovë!

Sepse në Shqipëri e Kosovë është koha e artë për abuzuesit e pushtetit!

Koha e artë është edhe për albinfo.ch, që përveç gazetarisë skarco, tani ka marrë monopolin dhe merret me promovimin e politikanëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në Zvicër.

Përmes albinfo.ch kalojnë të gjithë politikanët skarco shqiptarë që vizitojnë Zvicrën, Erion Veliaj, Pandeli Majko, të cilët në mënyrë arrogante dhe abuzive nuk ndërmarrin asnjë kontakt as me komunitetin dhe as me gazetarët shqiptarë nga shteti amë në Zvicër!

Dhe ndërsa gazetarët zviceranë përjetojnë vështirësi konkrete, sikur janë shkurtimet në SDA/ATS  apo mbyllja e gazetës 125 vjeçare le Matin, albinfo.ch prodhon mall skarco duke e shitur gratis, prodhon vetëm për të shpenzuar para, pa asnjë lloj përfitim komuniteti!

Dhe kjo histori zgjat prej themelimit të saj. Për çdo javë albinfo.ch boton të përjavëshme me shpenzime plus dhe prapë pyetja lind: prej nga dalin këto pare?

Në mes të shtatorit, albinfo.ch nxori në qarkullim si botues revistën për turizmin në Shqipëri “Shqipëria përtej bregdetit”, me paret e kujt?

(Nesër:Albinfo.ch publikon në faqet e revistës për turizmin “Shqipëria përtej bregdetit” reklamë dy faqe për shoqëri fantazma pa asnjë aktivitet në Zvicër –

Pasnesër: Nga kush u pagua albinfo.ch për revistën kushtuar turizmit të Shqipërisë “Shqipëria përtej bregdetit” që ka filluar ta shpërndajë gratis prej muajit shtator nëpër shoqata dhe ambasadat e konsullatat shqiptare në Zvicër?)

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, i zhvat albinfo.ch, Të gjitha paret

Berna dhe Europa përballë barbarisë së një kryeministri të lajthitur!

September 10, 2018 by dgreca

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit./

1-elida-bucpapaj-300x130Nga Elida Buçpapaj/

BE-ja e ka shpallur 2018, “Viti Europian i Trashëgimisë Kulturore”. Europa identifikohet me vlerat e saj që lidhen me kulturën. Pas periudhës së errët të Mesjetës, Europa u ringjall me Rilindjen kulturore.

Edi Rama e përdori termin e Rilindjes si demagogji trushplarëse me efekte populiste, duke shpërdorur pushtetin politik për të çrrënjosur identitetin kombëtar shqiptar nga Atdheu, trojet shqiptare dhe Europa.

Vitin e Trashëgimisë Kulturore Europiane, Edi Rama, lakeu i tij Erion Veliaj, bashkë me formacionin e tyre politik e kanë shpallur vitin e rrënimit të Teatrit Kombëtar, një monument me vlerë historike, kulturore, kombëtare dhe identitare.

Duke qenë jashtë BE-së, shqiptarët unifikohen si europianë me Europën për nga vlerat identitare, ndërsa nga ndjeshmëria kombëtare paraqiten si barbarë, sepse heshtin ndaj barbarive të një kryeministri të çmendur që do të rrafshojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë genetike të shqiptarëve.

Trashëgimia kulturore është e lidhur me gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar duke nisur nga gjuha, letërsia, arti, tradita deri tek kulinaria, si vlera kombëtare identitare dhe europiane njëkohësisht.

Detyrë e çdo shteti europian është të promovojë vlerat kulturore identitare. Italianët, për shembull, e festojnë Vitin e Kulturës Europiane, duke kujtuar 150 vjetorin e largimit nga kjo botë të autorit të Berberit të Seviljes, kompozitorit Giacomo Rossini, me edicionin e 40-të Festivalit të Teatrove të Anconës etj. etj, ndërsa ne shqiptarët, duke pritur me ankth në çdo çast një kryeministër të lajthitur, i ndjekur nga langonjtë e tij që t’i venë kazmën ose tritolin Teatrit Kombëtar, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane njëkohësisht.

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit.

Motoja e Vitit të Kulturës Europiane shpallur nga BE është:” Trashëgimia jonë kulturore: ku e shkuara takohet me të ardhmen.”

Që do të thotë se pa të shkuar kulturore nuk ka të ardhme as kombëtare dhe as europiane, çka e kthen në emergjencë kombëtare nxjerrjen nga skena politike të barbarit që synon të shembë skenën ku aktruan korifejtë e Teatrit Kombëtar shqiptar.

Të gjitha pretekstet e tjera janë inskenime të kryeministrit dhe palaços të oborrit, në lidhje me gjoja “shkaqet teknike se përse Teatri Kombëtar duhet të rrënohet”.

Arkiteti Maks Velo doli publikisht dhe i rrëzoi pretendimet e oborrit të palaçove të kryeministrit vandal.

Unë po ju sjell një aktualitet zviceran, se si reagon një shtet me mendësi europiane ndaj thesareve të trashëgimise kulturore, ndryshe nga çmendina e shtetit shqiptar.

Në kuadrin e mbrojtjes së identitetit kulturor europian, në Bernë ka nisur rikonstruktimi i Kazinosë Kulturore, jo si vend i pokerit, por si vlerë kombetare.

Kur është ndërtuar 110 vjet më parë, kjo ndërtetë kishte destinacion t’iu kthente muzikantëve dhe orkestrës sinfonike selinë e humbur prej ndërtimit të Pallatit Federal. Dhe këtë funksion e ka mbajtur gjithmonë. Kjo ndërtesë lidhet me memorien kulturore, me aktivitete të jetës publike të qytetit, me jetën koncertore deri tek vlerat kulinare të restaurantit e në fund edhe me sallën e lojrave. Prandaj është pjesë e trashëgimisë dhe si e tillë mbrohet e konservohet nga shteti. Dhe pikë!

Në 110 vjet jetë Kazinoja Kulturore e Bernës iu është nënshtruar 25 restaurimeve të pjesëshme, ndërsa është hera e parë që do t’i bëhet një restaurim i përgjithshëm për t’iu kthyer formës origjinale të kohës kur u ndërtua për së pari, por me standartet teknike të shekullit XXI e përtej.

Po të kishin mentalitetin e barbarit Edi Rama, Berna dhe qytetarët e saj e kishte shembur Kazinonë, edhe urat magjike, edhe arkitekturën tradicionale të qytetit me pretekstin se “janë të vjetra”për të ndërtuar në vend të tyre rrokaqielle si produkte të pareve të pista informale.

Por Berna ka vizion europian. Edhe qytetarët e saj. Prandaj e rikonstruktojnë Kazinon Kulturore të kryeqytetit, me shkëlqimin e së shkuarës për t’i dhënë dritë e ndriçim të ardhmes.

Rikonstruksioni i Kazinosë Kultorore të Bernës ka nisur në verën e 2017 dhe do të zgjasë dy vjet, me një kosto 74 milionë franga, por me vlerë identitare qindra e qindra miliarda franga.Rihabja bëhet në shtatorin e 2019 padyshim me njē koncert madhështor të orkestrës sinfonike në kujtim të 110 viteve të shkuara dhe si mirëseardhje e shekujve që vinë.

Edhe senatori i përjetshëm italian Renzo Piano, arkitekti i Urës të re të Gjenovës tha se “Ura do të jetojë një mijë vjet, jo si metaforë”, por si vlerë e identitetit kulturor të civilizimit europian.

Kjo është kuintesenca dhe logjika e një sistemi demokratik vlerash, që Edi Rama e mohon dhe e zëvendëson me barbarinë rrënuese dhe shkatërruese !

Prandaj duhet ta ndalim një orë e më parë!

PS: Si gazetare denoncoj aktet barbare të një kryetari qeverie të papërgjegjshëm i cili i urren dhe shpërdor të gjithë mjetet e pushtetit për të luftuar përçuesit e fjalēs të lirë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Europa, Teatri Kombetar

Z.BOLTON, HASHIM THAÇI, NUK IDENTIFIKOHET DOT ME KOSOVËN

August 29, 2018 by dgreca

Elida Bolton

–Letër e Hapur, John Bolton, Këshilltar i Sigurisë pranë Presidentit Donald Trump-/

I nderuar Z.Bolton, deklarata juaj e 24 gushtit tronditi opinionin shqiptar, sepse jeni Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Amerikan Donald Trump dhe shqiptarët e konfonduan opinionin tuaj me atë të Presidentit të SHBA.

Shqiptarët ishin qetësuar më 13 Gusht kur Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel edhe një herë theksoi se nuk do të ketë ndryshime kufijsh në Ballkanin Perëndimor. Ky qëndrim i saj është i kahershëm dhe i unifikuar me atë të Perëndimit, ku SHBA kanë patur gjithmonë rol udhëheqës.

Ndërsa ju më 24 gusht nga Kievi thatë se “Nëse Kosova e Serbia bien dakord, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve”. Ju, diplomat kariere, e dini shumë mirë se Kosova dhe Serbia asnjëherë nuk kanë rënë dakord, duke e detyruar Perëndimin të reagojë përmes NATO-s ushtarakisht.

Kur Ju Z. Bolton thoni “Kosova” dhe “Serbia”, keni parasysh Thaçin e Vuçiçin, por që nuk e plotësojnë definicionin që ju shprehni. Rezonanca idilike e Thaçit me Vuçiçin shpreh interesat e Thaçit si individ dhe Vuçiç si burrështeti serb të cilit ende nuk i hiqen nga mendja mitet serbe në dëm të paqes dhe integrimeve të shqiptarëve dhe serbëve trungut europian.

Kosova është e gatëshme të anëtarësohet në NATO, ndërsa Serbia jo, si vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka hedhur poshtë ftesën e Perëndimit, ndërsa, disa ditë më parë se ju të lëshonit deklaratën bombë nga Kievi, dy MIG rusë aterruan në territorin e Serbisë, nga gjashtë të tillë që Moska i ka dhuruar Beogradit!

Hashim Thaçi nuk identifikohet me Kosovën. Pozita e tij si president është produkt abuzimesh dhe shpërdorimit të pushtetit politik.

Duke qenë se Thaçi nuk identifikohet dot me Kosovën, ai s’mund të flasë në emër të Kosovës. Dhe këtu mbyllet diskutimi.

Përpara se ju të lëshonit deklaratën tuaj, shumë ekspertë Amerikanë të Ballkanit, emra me autoritet janë shprehur kategorikisht kundër idesë për rregullime territoresh midis Kosovës e Serbisë. Që përjashton edhe idenë e referendumit, sepse, nëse fillohet me referendume, nuk i ndal dot as pakicat hungareze në Vojvodinë, as shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi për të shprehur vullnetin e tyre.
Me referendume shqiptarët do të ndreqnin atë që Konferenca e Londrës e 1913 u mori padrejtësisht duke e ndarë një komb në trojet e veta autoktone në 5 shtete.

Ju e dini se sovraniteti territorial i Kosovës mbrohet nga NATO dhe është konsideruar i pacënueshëm nga të gjithë Presidentët dhe administratat e SHBA dhe kështu duhet të konsiderohet edhe nga Presidenti Donald Trump.

Në vizitën e tij të fundit në Kosovë në pranverën vitit 2017, tre muaj përpara se të diagnostikohej me kancer në tru, Senatori John McCain u tha shqiptarëve diçka që ata e dinin se “për sa i përket Kosovës, Republikanët e Demokratët kanë qëndrime bipartizane”. Pro ndërhyrjes të NATO-s në Kosovë, kur u konsumuan të gjitha përpjekjet diplomatike të SHBA dhe Perëndimit, ishte edhe Presidenti Donald Trump.

Pra, pacënueshmeria territoriale e Kosovës është mbrojtur nga të gjithë Presidentët e Amerikës, Kongresi dhe Senati i SHBA në unison me BE. Kjo pacënueshmëri është vendosur me kusht që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi e Luginën e Preshevës të mos kenë pretendime për t’ju bashkuar Shqipërisë, veç të bashkohen të gjithë shqiptarë, serbë, maqedonë e malazezë në BE.

Edhe ju z.Bolton e kishit këtë frikë kur, bashkë me zotërinjtë e nderuar Lawrence Eagleburger e Peter W. Rodman, u shprehët kundër pavarësisë të Kosovës dhe i dërguat më 31 Janar të 2008, 17 ditë përpara se Kosova të shpallte pavarësinë, letër presidentit George W.Bush.

Por siç e dini Presidenti Bush, nuk e mori parasysh letrën tuaj dhe e njohu menjëherë pavarësinë e Kosovës duke ndikuar edhe tek partnerët e fuqishēm Europianë. Dhe sot Kosova njihet nga 116 shtete.

Objektivi i SHBA dhe BE sot duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB si dhe forcimi i shtetit ligjor e demokracisë, pasi vonesat, korrupsioni dhe krimi i organizuar rrezikojnë proçeset drejt konsolidimit të shtetit demokratik.

Konflikti i fundit 1998-99 në territoret e ish-Jugosllavisë i ka kushtuar shumë Perëndimit, por edhe ka qenë një fitore morale e vlerave të tij ndaj urrejtjes me bazë religjoze dhe etnike.

Perëndimi me në krye SHBA ndreqi në Kosovë atë që nuk mundi ta ndreqi kurrë në Srebrenicë. Prandaj shqiptarët e Kosovës me të drejtë janë kombi më proAmerikan në botë.

Shqiptarët në Ballkanin Perëndimor janë Asi në duart e Perëndimit dhe faktor paqeje në këtë rajon problematik. Ne vjeshtë në Maqedoni votohet referendumi i ndryshimit të emrit dhe, nëse ky referendum do të dalë sikur pret Perëndimi, kjo në sajë të votës së shqiptarëve.

Fatin e Kosovës në konfliktin e 1998-1999 e vendosi Perëndimi duke larguar prej territoreve të saj një pushtues barbar. Marrëveshja e Kumanovës midis NATO-s dhe Serbisë më 1999 sanksionoi kufijtë e sovranitetit territorial të Kosovës. Lugina e Preshevës, territor shqiptar, sot pjesë e shtetit të Serbisë. Sikur janë edhe trojet shqiptare brënda Maqedonisë. Por shqiptarët kanë bërë deal me SHBA dhe Perëndimin dhe nuk ia hapin petët lakrorit as nuk e hapin ata kurrë Kutinë e Pandorës, me kusht që të integrohen në NATO dhe BE, duke patur kësisoj të njëjtin objektiv si një emërues të përbashkët me Perëndimin.
Nuk kam parasysh këtu politikanët e formatit të Hashim Thaçit, që e kanë të mbushur dollapin me plotë skeletë nga e shkuara.

Për skeletët nëpër sirtarët e Hashim Thaçit, nuk ia vlen që Ballkani Perëndimor t’i rikthehet definicionit “fuçi baruti”, kur fatin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor e ka vendosur Perëndimi me në krye SHBA, si institucione të lirisë dhe vlerave!

Aq më tepër, kur sovraniteti territorial i shtetit të Kosovës është i sanksionuar me ligj. Ju e dini, i nderuari Zoti Bolton, se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si përfaqësuese në nivelin më të lartë e drejtësisë të Kombeve të Bashkuara, konkludoi më 22 korrik të vitit 2010 se pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro, midis tyre pro votat e SHBA, Gjermanisë, Britanisë, Francës etj dhe 4 kundër, midis tyre kundër vota e Rusisë, gjykata shprehu mendimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, çka e sanksionon me ligj pacënueshmërinë e sovranitetit territorial të Kosovës që edhe pas 20 vitesh mbrohet nga KFOR, ndërsa Serbia furnizohet dhe i dhurohen MIG nga Rusia.

Pengesa nga Serbia e futjes të Kosovës në OKB, ka bërë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të jetë i komprometuar dhe në stanjacion të plotë, pasi diplomacia dhe shteti serb kanë 20 vjet pas konfliktit në ofensivë të plotë jo vetëm për të ndaluar njohjet e reja të pavarësisë të Kosovës nga shtete të tjera, por edhe duke lobuar tek shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që këto shtete ta anullojnë njohjen. Absurditeti në apoteozë siç e shihni. Dhe po të analizojmë të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, kjo pakicë gëzon standarte të drejtash si asnjë pakicë në BE, ndryshe nga pakica shqiptare në Serbi që është e diskriminuar. Ky është shkaku kryesor që Lugina e Preshevës kërkon t’i bashkohet Kosovës, sepse 20 vjet pas konfliktit Hashim Thaçi dhe elita politike nuk ka kërkuar nga Serbia që në bazë të parimit të reciprocitetit edhe pakica shqiptare ne Serbi të ketë trajtim të barabartë sikur pakica serbe në Kosovë.

Dialogu Serbi-Kosovë në Bruksel do të duhej që të bazohej duke patur në themel barazinë, respektin dhe reciprocitetin e ndërsjelltë dhe bilateral në interes të banorëve dhe jo interesin e politikanëve që po mbajnë peng të gjithë rajonin dhe të ardhmen e brezit të ri.

I gjithë Ballkani Perëndimor është në stanjacion për disa arsye kryesore:

1.Serbia vijon të ketë synime territoriale ndaj Kosovës.

  1. Elitat politike të Ballkanint Perëndimor janë me hipoteka duke komprometuar të drejtat themelore të njeriut, sistemin dhe shtetin e së drejtës.

3.Korrupsioni i politikës dhe mafia në Ballkanin Perëndimor janë kthyer në aleatë të fuqishëm me njëri-tjetrin duke venë në rrezik jo vetëm sigurinë kombëtare të këtyre vendeve, por edhe më gjërë.

4.Mungesa e pranisë Amerikane në rajon ka krijuar terren që ky vakuum të mbushet nga prania e të gjitha forcave që nuk janë të interesuar që Ballkani Perëndimor t’i integrohet NATO-s dhe BE.

Lajm i mirë është baza e NATO-s në Kuçovë dhe shpresojmë edhe një bazë tjetër të Aleancës Verioatlantike edhe në Sazan.

Prania konkrete e NATO-s në Shqipëri do t’i ndikojë sigurisë, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, prosperitetit e integrimit jo vetëm të vendit të shqipeve por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Do të ndalë edhe eksodin e tmerrshëm. Rreth 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria londineze kanë aplikuar këtë vit për Green-Card.

Sa për fatin e Kosovës me këta kufij e territore, ka vendosur SHBA, Perëndimi dhe populli i Kosovës, as Thaçi dhe as Vuçiç.

Të gjithë ekspertët më me emër të Ballkanit thonë se Hashim Thaçi kërkon t’i falë territore Serbisë që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

E ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë kurrë në dorën e një individi, aq më pak kur ky është Hashim Thaçi, një personi shumë problematik, që e uzurpoi postin e presidentit me kuorum të manipuluar dhe minimumin absolut me votat e LDK, e cila hyri në zgjedhjet parlamentare të 2014 duke i premtuar elektoratit të saj nxjerrjen e Hashim Thaçit nga politika.

Prandaj Kosova nuk identifikohet me emrin e Hashim Thaçit. Kosova identifikohet me popullin e saj. Ashtu sikur çdo shtet i botës demokratike!

Me nderime
Elida Buçpapaj

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, leter e hapur, Sek i Sigurise, z. John Bolton

sovran dhe turmë

August 8, 2018 by dgreca

POEZI NGA ELIDA BUÇPAPAJ/1 Elida Buçpapaj 2nuk pres/
me sytë/
fiksuar/
në mur/
me shpresën/
se do të zgjoj/
turmën/
turma kalitet/
në kudhër/
turma zgjohet
me urdhër

turma nuk është
sovrane
turma i lan
këmbët
tiranëve
ua lëpin
altelet me jargë
turma është
bajgë

turma nuk është
urë
turma është
mur
sovrani
është shqiponja
prangosur
në flamur

turma ndryshon
vetëm fytyrë
e pafytyrë

ngutem nuk pres
më kurrë
turmën rrokapujë
që kohën vret
e nëpër grigja
bariun pret
me krrabën sfurk
veshur shik
kostume firmato
hajvanësh
që kushtojnë
sa disa qindra
rroga mjeranësh

turma shkon
pas rrjedhës
turma kurdiset
si tren lodër vrik
pas lokomotivës
rrangallë
model sovjetik

turma atavizëm
bisht i hajnave
turma i mban
në këmbë
stërvinat e tiranëve

nuk pres
që turma të dehet
nga poezia
që shkruaj
me vizion futurist
jo turma dehet
me fjalime
proletarësh
stakanovistë

turma kalon
në delir,
ekstazë
orgazëm
kolektive
dhe pastaj bie në gjumë
me barkun kosh
mbushur
me kuti teneqeje
konservash
bosh

turma ka dekada
qe fle gjumin
letargjik
turma zgjohet
si një përbindësh
shumëkokësh
me tru kolektiv
që vihet
në lëvizje
me telekomandë
ose kurdisje

nuk e pres turmën
as ti mos e prit
se konvertohesh
nga sovran në mi

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, sovran dhe turmë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT