Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Dje më mori në telefon vajza e hallës nga Italia dhe më tha se daja i saj dhe xhaxhai im është shumë keq. Kisha folur me të ndofta një muaj apo diçka më parë. Më mori ai. Lidoçka si je, më tha. Mirë jam xhaxhi, ia ktheva. Më fal, që nuk të kam marrë në telefon, por do ta ndreq gabimin. Të dua shumë, i thashë prapë. E di më tha, dhe qeshi. Kështu e mbaj mend gjithë jetën, me fytyrë të qeshur, energjik dhe gjithë shpresa.
Duke mos dashur që ta besoja vajzën time të hallës, i rashë menjëherë telefonit te xhaxhi. Më doli vajza e tij. E pyeta për xhaxhin tim. Më tha është keq. Po si është keq e pyeta, si është e mundur. Po më tha, rënkon natë e ditë. Nisa të dënes në telefon. Brenda një çasti m’u kujtua gjithë jeta.
Xhaxhai im, i treti nga katër djemtë e Kryeimamit Demir Skënderi, kishte studjuar për mbrojtje kundërajrore në Odesë. Aty ishte lidhur me një vajzë hebreje dhe patën një djalë, Aleksandrin. Por prishja e marrëdhënieve e ktheu xhaxhin në Shqipëri vetëm. Ai filloi punën në Durrës, në repartet ushtarake kundraajrore. Kur isha e vogël më merrte ndonjëherë me vete në repart. Ishte punëtor i madh dhe njeri shumë i ndershëm.
Në vitin 1976 na vdiq gjyshja. Tim atë e kishin përjashtuar nga partia më 1974. Pasi e pushuan nga puna,ne na internuan në një fshat të humbur rrëzë Dajtit, ku shpëtuam rastësisht, por nuk na u ndalën kurrë torturat, të detyruar të jetonim në një shoqëri që ushqehej me dramat e bashkëkombësve. Mezi prisnin që të shpallej ndonjë armik i popullit dhe të ngopeshin, tamam si një shoqëri vampire, që jetonte me gjakun e familjeve shqiptare që vuanin. Ky ishte gjyqi i dytë që i bëhej tim eti, pas atij të 1966 kur e përfshinë në grupin antiparti të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë dhe e dërguan pesë vjet për riedukim në Hidrocentralin e Vaut të Dejës si punëtor, duke ia hequr të drejtën e shkrimit dhe botimit. Përveç të tjerave, babin e akuzuan edhe si “nacionalist”, sepse kur e pyetën për Kosovën, u tha se “Kosovën e mban gjithnjë në zemër”.Por kalvari i 1974 ishte larja e fundit e hesapeve që shteti diktatorial ndërmerrte kundër tij dhe familjes, të përbërë nga tre veta, ai, im më dhe unë.
Siç ju thashë, më 1976 na vdiq gjyshja dhe im atë e xhaxhai u takuan gjatë ceremonisë të varrimit nën praninë e kolegëve ushtarakë të xhaxhait tim. Ky takim midis dy vëllezërve në mortin e nënës të tyre u konsiderua krim dhe xhaxhain tim e përjashtuan menjëherë nga partia e pak më vonë do ta lironin nga ushtria si i padenjë.
Por ai nuk u dorëzua dhe bëri gjithçka të mbijetonte bashkë me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua kurrë. Me babin ishin vëllezër dhe miq të ngushtë. Duheshin shumë. Kur e liruan nga ushtria ai filloi të mblidhte bime mjekësore. Kur u përmbys diktatura punoi si shitës ambulant afër plazhit të Durrësit. Shiste çadra dielli, banane dhe gjithçka.
Gjithmonë buzëqeshur me shpresë se demokracia do t’i buzëqeshte atij dhe gjithë shqiptarëve. Ishte njeri i kulturuar dhe një nga mbështetësit vullnetarë të PD-së, që trokiste derë më derë, pa u lodhur kurrë. Asnjëherë nuk përfitoi gjë. Edhe pensionin si ushtarak, në mos gaboj, e ka marrë vetëm përpara një viti, por nuk jam e sigurt. E bija e vetme pa punë ishte dhe papunë ka mbetur.
Sa herë që ndonjë shkrimi i Skënderit dhe imi botohej në Tiranë, ai na merrte në telefon dhe na shprehte kënaqësinë e tij. Na thoshte shkruani më shpesh. I thoshim se ne shkruajmë por atje nuk na botojmë. Dhe përgjigja e tij ishte ajo qeshja, nën ata sytë e bukur të kaltër ku fshihej drama e një njeriu të ndershëm dhe e miliona shqiptarëve.
Tek ne ndoshta kishte patur shpresë se do ta ndryshonim botën, por asnjëherë nuk u ankua dhe nuk na tha se kishte mbetur i zhgënjyer prej nesh. Vetëm më thoshte se e kishte zënë malli. Lidoçka mos na harro, më thosh. Po si të të harroj Xhaxhi, po unë të dua si Babin, ia ktheja, me gjithë shpirt.
Dhe kjo bisedë zgjati 18 vjet që ne jemi larg Shqipërisë, një largësi fizike që nuk na ka lejuar të përqafojmë njerëzit tanë, që me kalimin e kohës shuhen një e nga një. E mallkoj politikën me gjithë shpirt, që u shkaktoi njerëzve drama të tjera sikur të mos kishte mjaftuar diktatura. Por mallkimet e mia nuk e shërojnë dot Xhaxhain tim të shtrenjtë. Mallkimet e mia nuk e kthejnë pas kohën – 18 vite nuk i kthejnë pas – që ne të nisnim bashkë bisedën aty ku e kishim lënë.
Tani xhaxhi im ndodhet në shtratin e vdekjes. Ndofta Zoti bën mrekulli dhe e kthen mbrapsht nga rruga ku do të shkojmë të gjithë. Ndërsa unë do të desha që të kisha fuqi të tillë aq sa ai të më dëgjonte, kur t’i thosha, xhaxhi Skënder të kam dashur shumë, sa babin. Dhe e di se ai do të ma kthente me buzëqeshjen e tij të mrekullushme. E di Lidoçka, e di!
PRANVERË 2014
PRANVERË 2014/
Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pranverës/
iu qepa/
me ngulm/
si kërkuese ari/
që kalon në sitë/
gjithë guriçkat/
e zallin/
e lumenjve/
të orëve/
me shpresë/
se do të fitojë/
llotarinë/
e artë /
të fatit/
pranverës
iu përgjërova
me zërin e heshtjes
që murmërin
si bletët
nga shumëngjyrshmëria
e luleve-kurora
në procesionet e
thithjes
së nektarit
pranverës
i renda
si vagonët
e mbushur
përplot
me qymyrin
e mallit
pas çufçufeve
të lokomotivës
së marsit
kambanat
e mimozave
bien
kotnasikoti
derisa marsi
ia beh me
bylezikë
ylberi
prej psherëtimave
diellore
të luledeleve
sepse
pranvera vjen
pa u ndjerë
nga portikët
e padukshëm
të ajrit
me hapin
e heshtur
të thëngjijve
të shuar
prej epshit
të natës
bari e ndjen
i pari
dhe shpeshton
frymëmarrjen
e i ngjitet pas trupit
si fëmija
pas fustanit
të nënës
sepse
e di më mirë
se kushdo
se pranvera vjen
e ikën ngutshëm
si në garat
e maratonës
ku koha
me fytyrat
tona
vrapon
më shpejt
se
blicet
e vetëtimave
….
Pranverë,2014
LETËR PRESIDENTIT OBAMA DHE SEKRETARIT TË SHTETIT JOHN KERRY
NË SHQIPËRI NË 23 VJET PASDIKTATURË ËSHTË KRIJUAR NJË SISTEM SOVJETIKO-MAFIOZ/
1.Në Shqipëri nuk është shkruar ende historia pasdiktaturë, kështu shoqëria ushqehet me manipulimet e historisë bërë nga diktatura. Shembull konkret: të gjithë fëmijët e shkollave kanë vizituar në Durrës statujën e Mujo Ulqinakut, i cili në librat e historisë komuniste përshkruhet si një individ që luftoi pushtimin italian, kur në fakt operacionin kundër invadimit fashist e drejtonte Abaz Kupi, të cilin historiografia komuniste e paraqet si „tradhtar“.
2.Klasa politike pas rrëzimit të sistemit komunist nuk ka mbajtur qendrim akuzues dhe distancues ndaj diktaturës dhe krimeve të saj. Nuk e ka vënë shenjën e barazimit midis Hitlerit dhe Enver Hoxhës. Politikanët shqiptarë konsumohen me sharje dhe akuza të ndërsjellta në mënyrën më sharrlatane në kuvend, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të koalicionit PS-LSI, shihet qartë prirja për rehabilitimin e diktatorit.
3.Politika shqiptare e pasdiktaturës për të mbajtur në këmbë luftën e klasave në kushtet kur Shqipëria është anëtare e NATO-s manipulon historinë duke vënë shenjën e barazimit midis luftës antifashiste dhe diktatorit, ku dënimi i diktatorit dhe krimeve të diktaturës manipulohet si denim i luftës antifashiste .
4. Mos hapja e Dosjeve të diktaturës dhe refuzimi ndaj ligjit të Lustracionit, ka bërë që klasa politike dhe përfaqësuesit e insitucioneve të drejtësisë, mediave dhe shoqërisë civile të jenë njerëz me integritet të cënuar, të cilët janë vënë në funksion të një sistemi paralel që ekziston në Shqipëri, i cili është kundër shtetit ligjor.
5.Në Shqipëri nuk ka liri të shprehjes, megjithëse ka pa fund televizione dhe gazeta, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veç merren me trushplarjen e opinionit publik. Pjesa më e madhe e opinionbërësave janë ish-eksponentë të Sigurimit të Shtetit. Le të marrim si shembull Artan Hoxhën, një inxhinier minierash që nuk ka asnjë lidhje me opinionbërjen ka pushtuar gazetat dhe televizionet e Tiranës. Dhe të kësaj kategorie janë pjesa më e madhe.
6.Mjerisht lajmërimi i mbylljes të programit të Zërit të Amerikës në Shqip është një lajm i mirë për klasën politike të Tiranës, shkaktarja e korruptimit dhe degradimit të sistemit. Që vjen krahas ndalimit në Rusi nga Putini të transmetimit të Radios Zëri i Amerikës dhe Evropa e Lirë
7.Ish-Ambasadori i SHBA në Tiranë Withers në intervistën e tij më të fundit tek VOA tha se korrupsioni në Shqipëri është kancer për shoqërinë, ndërsa vuri re se sistemi i drejtësisë është i diskretituar pasi politika e përdor drejtësinë për të mbrojtur veten.
8.Uzurpimi i politikës për 23 vjet rresht nga një klan njerëzish, të njëjtat emra majtas – djathtas, është si një reflektim adeguat i klikave diktatoriale.
9.Në Shqipëri është kthyer frika e hapjes të gojës. Elita e krijuar pas rrëzimit të diktaturës është pothuaj e ekskomunikuar, duke marrë sinjale të qarta nga politika se nëse do të kritikojë, do të ketë pasoja.
10.Para disa ditësh, mediat botërore lajmëruan se sipas statistikave nga 25 mijë universitete të botës, ato shqiptare janë të rradhitura në tridhjetshen e fundit. Prej këtej merrni me mend sistemin piramidal të krijuar nga pseudoelita shqiptare për të lënë në injorancë dhe errësirë rininë.
11. Televizioni italian në një dokumentar të ditëve të fundit lajmëroi edhe një herë se në Lazarat prodhohet marihuanë me vlerë sa gjysma e prodhimit bruto të vendit. Një “Kolumbi” në zemër të Europës e toleruar nga shteti për 23 vjet rresht, është akuzë për klasën politike.
12.Shoqëria civile është derivat e politikës, me qëllim dhe e obliguar që t’i shërbejë saj. Kush del nga sistemi mbetet jashtë projekteve dhe pa para për të ekzistuar.
13.Gazetarët në Shqipëri po ashtu janë derivat i politikës. Nuk ka zëra kritikë. Emrat me më pretendime shpërblehen me poste dhe detyra dhe shërbejnë si dordolecë dhe megafonë.
14.Modeli i Shqipërisë është imituar në Kosovë e Maqedoni.
15. Politika bën gjithçka për t’ia marrë frymën edhe diasporës, duke e sjellë modelin e saj të shëmtuar edhe në Europë, si dikur diktatura enveriste.
16.Klasa politike e Tiranës që riciklohet në pushtet këta 23 vjet në bashkëpunim me homologët e tyre në Kosovë dhe Maqedoni ka përdorur të gjitha mjetet për të penguar dhe mos lejuar zërin e intelektualëve. Nuk lejohet asnjë zë kritik. Nëse kritikon të shpallin armik. Nëse je me integritet politika nuk të pranon automatikisht sepse të shikon si rrezik.
17. Qendrimet armiqësore dhe diametralisht të ndara e të kundërta të klasës politike, pa e njohur gjuhën e bashkëpunmit dialogut, konsensusit, konkordancave, qendrimeve bipartizane, kompromiseve tregojnë se nuk ka shpresë për strategji të përbashkët me qëllim shpëtimin e vendit nga katastrofa.
18.Aleanca e LSI me PD dhe PS në zgjedhjet e 2009 e të 2013 tregon se klasa politike shqiptare për hir të pushtetit bën gjithçka, por jo detyrën sipas përgjegjësisë që i ka dhënë vota e Sovranit. Në këto kushte janë të rrezikuara interesat e vendit dhe të qytetarit.
19. Faktori Ndërkombëtar, përfaqësuar nga SHBA, BE, NATO, OSBE kanë dhënë orientimet e tyre, por deri tani, politika i ka konsumuar këto orientime vetëm për të sulmuar njëra-tjetrën.
20. Klasa politike shqiptare po penalizon popullin shqiptar, duke e lënë më të varfërin në Europë dhe të paintegruar në BE, ndërkohë që vetëdija e sovranit është në stadin minimalist, sepse populli shqiptar e sheh shpëtimin tek partia që voton, jo tek shteti i së drejtës, i cli në Shqipëri nuk ekziston.
21. Ky sistem sovjetiko-mafioz që është i instaluar në Shqipëri, është i rrezikshëm jo vetëm për vendin dhe rajonin. Gjatë peridhës të izolimit diktatorial, Shqipëria ishte një bunker, sot rezulton vend i hapur. Dhe shansin për të lëvizur e kanë ata që kanë para, pra jo shqiptarët e varfër.
Në këto kushte shumë dramatike, si një gazetare me integritet, e cila është përballur që fëmijë me mizoritë e diktaturës dhe tani po përballet me mizoritë e këtij sistemi të përçunduar, ju lutem dhe kërkoj që të veproni sa më shpejt.
Ngjarjet në Ukrainë le të shërbejnë si mësim për të gjithë ne.
Me respekt,
Elida Buçpapaj
ALO VAÇE!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Midis 9:00 dhe 10:00, pak a shumë rreth kësaj kohe, kur mendoja se ajo e kishte kryer ritualin e mëngjesit dhe tash qëndronte e ulur përpara televizorit duke patur pranë telefonin, telekomandën dhe një orë të vogël, që i tregonte se kur duhej të merrte ilaçet, unë do ta merrja në telefon për t’i uruar ditën e lindjes. Sa niste muaji prill, gjëja e parë që mendoja ishte ditëlindja e Vaçes. Pushtimi nga Italia, lindja e princit trashëgimtar, ikja e Zogut – të gjitha vinin pas ose nuk vinin fare. Unë besoja se Zoti kishte bërë që Vaçja të jetonte afër nesh. Si për të na e lehtësuar peshën e mungesës së Atdheut. Prania e saj në Zvicër, edhe e zvogëluar prej sëmundjes në atë kolltukun e dhomës së miqve kur priste shqiptarë dhe ndiqte me vëmendje lajmet që vinin nga vendi i saj, përfaqësonte për mua 28 mijë kilometra katrorë të një Shqipërie europiane. Të një Shqipërie siç do të bëhet, ashtu siç e deshte zemra e Vaçes, të një Shqipërie që Zoti e ka vendosur në mes të të mirave. Kur kjo klasë politike që e ka lënë kockë e lëkurë atdheun tonë, të mos jetë më. Vaçe Zela simbolizonte Shqipërinë nuse, kur të bëhet si Zvicra e Ballkanit.
Rreth kësaj ore, midis 9:00 dhe 10:00 të paradites, si tani që po i shkruaj këto rradhë, në vend të telefonatës që do të bëja. Unë do t’i bija ziles dhe kur do t’i thosha „Alo, Vaçe“ – ajo nga ana tjetër do të më përgjigjej menjëherë „Elida“. Sepse e dinte shumë mirë që unë lumturohesha kur ajo ma njihte zërin menjëherë, kjo jo vetëm për shkak të veshit të saj të ndjeshëm muzikor. Por sepse midis nesh kishte një sintoni të bukur. Që unë e desha Vaçe Zelën, kjo nuk përbën ndonjë diçka të re sepse shqiptarët që deshën dhe e duan janë një oqean i madh, por sintonia jonë ishte e veçantë.
Sot provova t’i bie ziles me shpresë se mos më përgjigjej që nga parajsa. Këto janë gjëra që deri tani nuk kanë ndodhur. Por diçka është e sigurt se edhe prej parajse ajo rrezaton një diell dashurie për të na ngrohur e shkrirë ne shqiptarëve nga ngrica e përçudnimi.
Gjithë jetën më ka shoqëruar Vaçja. Me mrekullinë e zërit të saj jam rritur. Edhe kur dëgjoja fshehtas Beatles. Nuk vija ndonjë ndryshim midis tyre. Nuk e di nëse Beatles, John Lennon me shokë si do t’ja kishin dalë në Shqipërinë burg, ku këndonte Vaçja. Nëse do t’ia kishin thyer vargojtë diktaturës përmes këngës, ashtu si Vaçe Zela.
Tek Vaçja, Zoti i kishte dhuruar të gjitha bashkë. Ajo kishte zërin, talentin, zemrën, interpretimin, feminitetin. Ishte një artiste e kultivuar e cila i thyente të gjitha barrierat nën diktatin e një sistemi mizor. Si askush. Si asnjë.
Asnjëherë nuk pati lidhje me regjimin. Nëse do të kishte, regjimi do ta shpërblente ashtu si i ka shpërblyer të gjithë artistët dhe shkrimtarët që i pati shërbëtorë të bindur.
Vaçen diktatura e dënoi në mënyrën më kriminale të mundshme. Nuk mundi dot ta burgoste si i burgosi të tjerët. Sepse i friksohej Vaçes, dimensionit të saj gjigand. Atëherë gjeti mënyrën më tragjike. Duke ia hequr të drejtën e këngës. Duke e nxjerrë Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare.
Ta nxirrje Vaçe Zelën në pension në moshën 45 vjeçare, t’i hiqje të drejtën e këngës, do të thotë që ta ekzekutoje me mënyrat më të përbindshme që përdorte diktatura. Si mund të ishte pushkatimi apo varja në litar.
Dhe më vjen keq, se mediat në Shqipëri vazhdojnë dhe e fshehin këtë fakt. Më vjen keq kur dëgjova në fjalët e lamturës që u thane për të, se Vaçe Zela iu largua vetë skenës si Greta Garbo! Kjo s’është e vërtetë. Vaçe Zelën e largoi nga skena diktatura. Sepse ajo ishte titane! Diktatura përpara saj dukej qesharake.
Sa nuk ishte sëmurë, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, kur ne të dyja flisnim bashkë dhe unë i referohesha kthimit të saj në skenë, ajo asnjëherë nuk më tha „jo“. Që do të thotë se ajo gjithnjë e mbante mendjen dhe shpirtin tek skena. E cila iu mohua nga diktatura dhe nga tmerret e tranzicionit. Sepse Vaçe Zela nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria edhe fizikisht, ashtu si nuk u largua kurrë as mendërisht e shpirtërisht. Ajo vuante për të gjitha mbrapshtitë që i vuante Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre 23 viteve pasdiktaturë, kur shteti nuk kishte kohë për qytetarin, kulturën dhe artistët sepse ishte i përqendruar tek pangopësia për pushtet.
Kur ajo vdes, shteti e kujton Vaçe Zelën postmortum, kur shtanget nga pesha prej titaneje e Artistes, të cilën diktatura e largoi nga skena në prillin e vitit 1984 – plot 30 vjet më parë, ndërsa ajo vazhdon të qëndrojë në skenën e shpirtit të kombit që është i pavdekshëm. Sepse Vaçe Zela ishte një talenti i lirë dhe sovran, i pastër dhe i papërlyer. E kështu do të mbetet. Në përherësi.
Unë po i bie ziles së telefonit. Sinjali po bie pa pushim. Unë po pres mrekullinë që ajo pas telefonit të më përgjigjet « Elida ». Jam duke pritur që të paktën të më dërgojë një shenjë nga Parajsa. Padyshim që këtë shenjëz do ta marr.
KOMENT RRETH TAKIMIT RAMA-MERKEL
– Të rejat e vjetra – Gjermania pret që qeveria Rama të zbatojë reformat, s’ka alternativë tjetër/
– Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kam përpara sysh dokumentin marrë nga faqja elektronike e kancelares Gjermane ku pasqyrohet Konferenca për Shtyp e Kryeministrit shqiptar me zonjën Merkel. Teksti është në gjermanisht dhe mund të lexohet nga çdo vizitor i faqes.
Së pari, dua të nënvizoj dy fakte.
Fakti i parë lidhet me rëndësinë e këtij takimi. Askush nuk mund ta minimizojë atë. Gjermania një nga shtetet ku mbështeten themelet e demokracisë Perëndimore. Pra rëndësia e takimit Rama-Merkel është maksimale.
Fakti i dytë na kthen në retrospektivë, katër muaj përpara, kur Gjermania ishte njëri nga pesë shtetet (Gjermania, Britania, Holanda, Danimarka dhe Franca) që ia refuzuan në dhjetor Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE.
Ky refuzim u shpjegua në mënyrë shumë kontraverse dhe manipuluese si nga shumica ashtu dhe nga opozita. Sepse të dyja palët i ikën të vërtetës. Opozita për këtë vonesë bëri shkaktare shumicën, ndërsa maxhoranca iu referua „islamofobisë të disa shteteve perëndimore“, pa marrë parasysh se publikisht në televizionet e Tiranës, Hollanda deklaroi se nuk do të përdorte veton kundër Shqipërisë. Që do të thotë se, nëse Hollanda do të ishte e vetmja refuzuese,ajo do të votonte pro.
Le të kthehemi tek takimi i djeshëm Rama-Merkel. Në webfaqen e Kancelares gjermane është publikuar qëndrimi i zonjës Merkel. „Wir sehen Fortschritte“ – „Ne shohim përparim“, – citohet zonja Merkel në një titull në websitin e saj. Por përveç kësaj fjalie me tre fjalë, që është inkurajuese, Gjermania nuk bën asnjë premtim se ka ndryshuar qëndrimin e dhjetorit. Sepse kjo do të varet nga Shqipëria.
Në fjalën që mbajti në konferencën për shtyp zonja Merkel vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira 20 vjeçare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ne mendojmë, theksoi Merkel,se perspektiva europiane është për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, se ky rajon ku përfshihet edhe Shqipëria ka nevojë për një zhvillim prosperues të shëndetshëm, dhe se për këtë „Shqipërisë i duhet një proces i thellë ndryshimi“. Shikoni, po e përsëris edhe një herë se çfarë nënvizoi zonja Merkel: „Shqipërisë i duhet një proces i thellë ndryshimi“. Pra kancelarja e Gjermanisë iu referua perspektivës. Që do të thotë se Gjermania dhe Perëndimi pret një proces i cili deri tani nuk është marrë dhe nuk është plotësuar, paçka se shihet përparim.
Kryeministri shqiptar e kishte informuar zonjën Kancelare për projektet e mëdha të qeverisë së tij. Që ka në mendje a në letër. Por Gjermania mirëpret që këto projekte të zbatohen. Me këtë rast Kancelarja gjermane kur iu referua projekteve të qeverisë shqiptare, vuri në spikamë konkretisht se fjala është për„luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe për pavarësinë e sistemit të drejtësisë“.
„Komisioni Europian po e vëzhgon Shqipërinë në mënyrë shumë intensive dhe në qershor do të raportohet për përparimin e bërë. Ne shohim përparim, nënvizoi Merkel, dhe do të desha t’i uroja Kryeministrit të gjitha të mirat në këtë punë shumë të vështirë, sepse kjo rrugë e re nuk është e lehtë të përshkohet.“
Pra, le të ndalim këtu. Dhe të mos mbajmë popullin me premtime apo me lajme për vizitën e padatë të kancelares gjermane në Tiranë.
Nuk diskutohet roli pozitiv i Gjermanisë në mbështetje të integrimeve shqiptare. Në këtë rezonancë janë edhe Anglia, Franca, Hollanda dhe Danimarka që refuzuan statusin e kandidatit të Shqipërisë në dhjetorin që shkoi. Rol negativ ndaj integrimit të Shqipërisë në BE ka patur klasa politike shqiptare. Edi Rama do të ndryshojë kurs. Gjermania e mbështet. Le ta ndryshojë kursin! Të gjithë po presim.
Për të përditësuar aktualitetin e marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me Gjermaninë pas takimit Rama-Merkel, mund të themi se kryeministri Rama ka projekte për një reformim dhe modernizim të thellë të shtetit shqiptar, të cilat Kancelarja Merkel i mirëpret dhe kërkon t’i shohë të zbatuara në realitet.
Gjermania sheh progres, por qeveria Rama ndodhet në fazën kur nuk ka nisur ende implementimin e projekteve të saj. Dhe gjithçka do të varet prej implementimit.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se Gjermania e mbështet plotësisht qeverinë e re të Edi Ramës në rrugën e re dhe shumë të vështirë, jo vetëm për faktin se ka disa ministre gra, por sepse pret që kjo qeveri të ndërmarrë veprime konkrete, të cilat nuk ishin ndërmarrë në muajin dhjetor 2013, kur pesë shtete të BE-së refuzuan statusin e kandidatit të Shqipërisë.
Ndërkohë në pyetjet që iu bënë Kancelares të Gjermanisë u vu re se investitorët gjermanë në Shqipëri janë të pakët ose nuk janë të shumtë në numër. Zonja Merkel u përgjigj: “Për investitorët private gjermanë siguria ligjore është e rëndësisë fondamentale. Ata duan të dinë: A mund të mbështeten në sistemin e drejtësisë që ka Shqipëria? Kjo është arsyeja që ne e theksuam kaq shumë reformat në sistemin e drejtësisë”. Siç shihet përgjigja e zonjës Merkel ishte e kjartë dhe flet qartë për rrugën e reformave që e pret qeverinë Rama.
Këto janë të rejat nga takimi Rama-Merkel.
Në fakt, nuk janë gjëra që ne i dëgjojmë për here të parë. Mospërmbushja e obligimeve të qeverisë pararendëse ka bërë që statusi i kandidatit t’i refuzohet Shqipërisë pesë herë rresht.
Gjermania përfaqëson Perëndimin, sikur Komisioni Europian apo dhe investitorët gjermanë e të huaj, të cilët nuk ngopen me fjalë dhe projekte. Por me vepra.
- « Previous Page
- 1
- …
- 37
- 38
- 39
- 40
- 41
- …
- 58
- Next Page »