• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qëndresa Llugiqi, reporterja e 20Minuten: Më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem!

May 22, 2020 by dgreca

Qëndresa Llugiqi, reporterja e 20Minuten: Më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem! 

 

Nga Elida Buçpapaj/

Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia,  e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

——–

Në kohë të Covid 19 dhe distancës sociale kisha lënë të takohesha me një gazetare të re që punon për 20Minuten, gazetën më të lexuar zvicerane.

Në orën e caktuar të takimit kisha përballë një vajzë shtatlartë e të bukur, që dikush mund të vinte bast se ishte zvicerane nga Alpet e Bernës. Vajza mund të ishte gjithashtu një nga 180 shtete të botës që popullojne një Zvicër multikulturale me një përqindje të konsideruar të huajsh. Qëndresa Llugiqi, kështu quhet, është një zvicerane me prejardhje nga Kosova. Për ne shqiptarët emrat Qëndresë, Fortesë, Granit, Leutrim, Liridona etj kanë lidhje me ëndërrat dhe dëshirat e prindërve për Kosovën dhe bijtë e tyre.

Për zviceranët emri i Qëndresë është problem shqiptimi, por tashmë i tejkaluar. Qëndresa është një e re zvicerane, që nuk i harron rrënjët nga vjen. Kur e pyes për dallimin midis Zvicrës dhe Kosovës (ajo ka ardhur në Konfederatën Helvetike kur ishte 4 vjeçare) më thotë sikur midis Nanës e Babës.

Do të pyesni si e qysh e njoha unë Qëndresa Llugiqin. Edhe unë fillimisht u befasova nga emri, duke naviguar 20 Minuten online ose duke e shfletuar nëpër trama e trena.

Është diçka e rrallë të lexosh në shtypin zviceran emra gazetarësh me prejardhje shqiptare. Jo për faj të zviceranëve. Por kur je i zoti apo e zonja, zviceranët nuk kanë paragjykime. Kur e meriton, zviceranët të hapin dyert e shpirtit. Xherdan Shaqiri, per shembull, në kohën e kampionateve futbollistike ishte nëpër postere dhe ekrane në të gjitha supermerkatot dhe televizionet e Zvicrës, po kështu Rita Ora, Dua Lipa kanë fanset e tyre. Mund të themi, tani zviceranët i shohin me një sy të mirë shqiptarët! Nga shembujt e mirë. Pra, sa më tepër të tillë!

Qendresa Llugiqi padyshim që është njëri prej tyre. Të punosh tek 20Minuten,  si reportere e gazetës që për nga madhësia këmben vendin e parë me të dytin vetëm me Blick në një garë dhe konkurencë të fortë, e që të kesh emrin Qëndresë, duhet të jesh më e mira fare. 20Minuten shpërndahet falas nëpër stacione tramash dhe 150 stacione trenash në gjithë Zvicren. Mbi 2 milionë lexues në ditë (online ky numër është më i madh), tashmë janë mësuar prej pesë vitesh ta shohin emrin e saj nëpër storiet e kronikave. Shpesh herë e ndesh Qëndresën edhe në tren kur ajo shkon e kthehet nga redaksia, por nuk e dallon dot duke e krahasuar me fotot e saj gazmore pak hipi në Instagram.

Kur u takuam, mund të kishim shkëmbyer të puthura në faqe, por respektuam udhëzimet, duke bërë një shkelje të vogël sepse shtrënguam duart. Të dyja jemi gazetare dhe e dimë prej statistikave se Covid 19 në Zvicër është në rënie dhe kurba e të infektuarve vjen duke u rrafshuar, megjithë frikën se heqja e lockdown mund të shkaktojë një valë të dytë.

Përballë kam një të re që i ka realizuar një pjesë të ëndërrave dhe thurr të tjera edhe më të bukura. Qëndresa e ka realizuar kuptimin e emrit të saj!

Për komunitetin e madh të shqiptarëve, që me e pjesën e natyralizuar bën rreth gjysmë milioni, nuk duhej të ishte diçka e rrallë që në mediat zvicerane të kishte emra shqiptarë. Megjithatë, të rinjtë me prejardhje shqiptare, ndryshe gjenerata e dytë, (fëmijët e emigrantëve që quhen shpesh me emrin e çuditshëm me rrënjë italiane dhe mbaresë spanjolle “secondos” ), studiojnë nëpër Universitetet zvicerane dhe janë në kërkim të një të ardhmeje ndryshe nga prindërit e tyre, që erdhën në Zvicër si punëtorë sezonalë apo emigrantë politikë, sepse Kosova nën pushtim ishte pa të ardhme. Gjeneratat e para të komunitetit shqiptar, ardhur nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia u dalluan për sakrificat, sepse një pjesë të të ardhurave e dhanë si kontribut për funksionimin e shtetit paralel dhe çlirimit të Kosovës.

Tashmë ky komunitet ka ngulitur rrënjët prej më tepër se 5-6 dekadash dhe është integruar, megjithëse jo pa vështirësi, punë e mundim si pjesë e së tërës dhe rinia që ka thithur edukatën dhe kulturën zvicerane, bashkë me dashurinë si për rrënjët, ashtu edhe për degët, është e motivuar drejt suksesit.

Qëndresa Llugiqi është një shembull i padiskutueshëm suksesi. Ajo nuk e ka gjetur shtruar, por me pasion, ngulm, e punë ajo ka zbuluar edhe vetveten edhe rrugën e realizimit me sukses të ëndërrave.

Biseda jonë mori rrugë. Unë që e kisha nisur profesionin e gazetares në Tiranë pas rrezimit të diktaturës komuniste kur Qëndresa sapo kishte lindur, ndërsa ajo karierën e saj po e ndërton në një vend multikulturor si Zvicra neutrale, me një demokraci direkte dhe shtet të së drejtës të konsoliduar.

Dëshira ime për të treguar portretin e Qëndresës lidhet me rrugën e arritjeve të saj që të frymëzojë rininë zvicerane me prejardhje shqiptare, e integruar mrekullisht edhe si pjesë e Zvicrës por që nuk i harron rrënjët kurrë. Gjermanët, francezët apo italianët e natyralizuar për shkak të emrave dhe gjuhës integrohen shpejt dhe përfshihen deri në politikë soft dhe pa zhurmë, ndërsa shqiptarëve, dhe jo vetëm, u duhet më shumë djersë.

Qëndresa ka lindur në Lipjan 29 vjet më parë. Është vajza e parë midis katër fëmijëve. Babai i saj kishte studiuar në Universitetin e Prishtinës ekonomi, por situata e rëndë në Kosovë e detyroi të emigronte në Zvicër dhe, kur të krijonte një bazë të sigurt jetese, të merrte gruan me dy fëmijët e parë të lindur në Kosovë, dy të tjerët lindën në Zvicër. Qëndresa ishte vetëm 4 vjeçare.

Më poshtë po e sjell bisedën që patëm në shtjellën e një interviste.

Si do ta përkufizonte Qëndresa Qëndresën?

Qëndresa Llugiqi: Jam një e re luftëtare, nuk dorëzohem lehtë. Jam e pavarur, ashtu më rritën prindërit e mi. Jam një e re që e dua lirinë, kryesisht lirinë shpirtërore. Nuk lejoj që dikush të më vërë pranga në kurdofarë mënyre. Por jam dhe një e re shumë emocionale. Shumë njerëz këtë e vlersojnë si dobësi, por një profesionist shumë i zoti njëherë më ka thënë: emocionaliteti yt është forcë… Pasi ai u zgjodh në një pozitë të lartë  dhe u tregua shumë emocional, nuk pati frikë ta kallzojë këtë publikisht. Dhe unë e kuptova se nuk është dobësi të jesh emocional…

Kur të pashë nga pamja dukesh si një studente 20 vjeçare, por pastaj mësova prej teje se ke ndërtuar familjen dhe je mami e Noah Akil, një djali gati 3 vjeçar. Çdo të thotë për ty kjo? 

Qëndresa Llugiqi: Jam mami me shpirt e me zemër. Djali im Noah Akil m’i ka hapur sytë që ta kuptoj botën po edhe njerëzit ma kthjellët. Pasi një kohë, nën ndikimim e shumë njerëzve dhe shumë vështirësirave, thuajse isha duke e humbur veten dalëngadalë. Lindja e bebit tim më bëri të ndryshoj. Hap pas hapi e gjeta veten dhe tash jam duke e rikrijuar një Qëndresë që i qëndron çdo situate. Djali më bëri luaneshë.

Njejtë edhe shoku im i jetës. Bashkë jemi aq bukur të lidhur me njëri-tjetrin në atë nivel që të tjerët s’mundin ta kuptojnë dashninë tonë. Veç kur marr frymë ai e kupton a jam e lumtur apo a më bën diçka stress. Më pëlqen se ai është i vendosur dhe plot temperament sikur unë dhe është pranë meje kur unë çartem, është si shkëmbi solid në dallgë. Kjo më pëlqen sepse nuk jam personazh i lehtë, nuk e kam një jetë të lehtë gjithashtu as profesionin dhe më duhet sikur thonë zviceranët «ein Fels in der Brandung». Jam e sigurt që me të lirisht shkoj në luftë dhe ia dalim…

Fole per djalin. Por ti: Si e ke patur fëmijërinë?

Qëndresa Llugiqi: Nuk kam patur një fëmijëri të lehtë, por një fëmijëri që më ka pjekur para kohe dhe tash jam e lumtun që fëmija im mundet me qenë taman fëmijë e jo si unë që isha si njëfarë plake në trupin e një fëmije. Tash bashkë me djalin mundem me qenë si fëmijë. Djali e rihapi një derë të një bote që kurrë tamam nuk e shijova, por tash e shijojmë bashkë. Plotësisht tranohemi bashkë prej lumturisë ! Hahaha !

Më përpara the se prindërit e tu të kanë bërë të pavarur. A mund të na tregosh më shumë për ata?

Qëndresa Llugiqi: Ju shpreh mirënjohjen prindërve të mi që më kanë bërë femër të fortë dhe më kanë përgatitur mjaft për këtë jetë – mami më ka treguar se me punë e durim gjithçka arrihet, njëlloj edhe babi, por ndryshe nga mami, e cila nuk flet kurrë keq për dikënd, babi më ka përgatitur për negativitetin e kësaj bote, më ka treguar edhe për botën e krimit, për pislliqet që bëjnë disa njerëz, duke na treguar ne të katër fëmijëve, jemi dy motra e dy vëllezër, se çfarë ka përjetuar ai ose njerëz të afërm. Kjo edukatë ka pasur shumë ndikim në lidhje me zgjedhjen e profesionit tim, me mënyrën se si jetoj dhe çka pres nga njerëzit dhe nga jeta…

Kur fletper veten apo per femrat, tingllon te ishe feministe. A je e përfshirë në këto lëvizjet feministe?

Qëndresa Llugiqi: Nuk është e para herë që pyetem a jam feministe. Shiko: Termin feministe shumica e përdorin për të nënvleftësuar dikënd. Por në të njëjtën kohë ka patur raste që më kanë quajtur antifeministe. S’jam as njëra dhe as tjetra në kuptimin tipik ose në të cilën identifikohen këto grupacione. E kam të edukuar prej familjes dhe kjo më ka bërë të kuptoj se i kam të njëjtat të drejta si meshkujt dhe që mundem të arrij atë çka arrijnë ata, bile edhe më shumë – nëse jap mund për diçka. Identifikohem me atë lloj Feminismus që të lejon të luftosh për të drejtat e tua si femër, por edhe të jesh Sexsymbol, ta ndjesh, ta tregosh dhe ta veshësh veten ashtu si je…

Cili është gabimi më i madh që mundet të bëjë dikush ndaj teje në jetën private por edhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Si në jetën private, ashtu edhe në atë profesionale nuk lejoj kërkënd me ma hup mundin. Ky është gabimi më i madh që dikush mundet me vepru ndaj meje. Ka ndodhur që disa njerëz komplet i kam fshirë nga jeta ime ose kur kam patur ndikim i kam «riedukuar» në atë aspekt që «Jo, me mua s’ke të drejtë të sillesh ashtu, ose ndrysho, ose s’ke çfarë lyp në jetën time». Dhe ka pas efekt.

Por si dhe pse u bëre reportere ?

Qëndresa Llugiqi: Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia,  e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

Puna e reporteres të detyron të shkruash edhe për ngjarje ku marrin pjesë shqiptarë, kur ata kryejnë vepra të dënueshme. Të mirëkupton lexuesi, e kupton pozicionin tënd?

Qëndresa Llugiqi: Shumica më mirëkupton natyrisht, por ka edhe nga ata që më etiketojnë si «ajo gazetarja që flet keq për shqiptarët». Por unë asnjëherë nuk kam folur keq, unë thjeshtë e kam treguar realitetin. Më vjen keq që shumica e atyne kritikuesve nuk e njohin profesionin tim ose e kuptojnë, por i mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Unë thjeshtë e shkruaj atë që është, nëse nuk e shkruaj unë sikur është, do ta bëjë një gazetar tjetër. Është shumë e thjeshtë. Një shembull: Kur një shqiptar këtu e vrau gruan e tij, ne raportuam për të. Atëherë unë u sulmova me fyerje nga shqiptarë të ndryshëm. Shqiptari ishte i dyshuari për krim, jo unë apo ne në redaksi.

Në faqet e 20 Minuten gjenden shpeshhere lajme për shqiptarët…

Qëndresa Llugiqi: Disa na kritikojnë që 20 Minuten veç do me provoku me lajme për shqiptaret. Unë po u them keshtu: Asnjëherë nuk është qëllimi i 20 Minuten për të mërzitur keq shqiptarët ose për të provokuar pjesën tjetër të popullatës zvicerane me tema që lidhen me shqiptarët. Përkundrazi: 20 Minuten si një gazetë e pavarur mundohet me iu dhënë të gjithëve një zë. Është e saktë që ne raportojmë perseri e perseri per shqiptarët në Zvicër. Pse? Është e pamundur që t’i injorosh kur ata janë një nga grupet më të mëdha të emigrantëve dhe i përkasin grupeve tona të rëndësishme të lexuesve sepse, ashtu si italianët në të kaluarën, shqiptarët kanë një ndikim të fortë kulturor (psh. në Slang) dhe e jetojnë fuqishëm tamam identitetin e tyre.

Je ndjerë e kërcënuar gjatë ushtrimit të profesionit?

Qëndresa Llugiqi: Paramendo jo vetëm që më kanë ofenduar apo më kanë kërcënuar mua direkt qindra herë persona publikisht, po i kanë thirrur dhe prindërit e mi. Një person njëherë i tha babës tem në telefon: jam në gjendje dhe me e vra Qëndresën e me shku në burg. E tash, më trego, si kishe reaguar ti? A është fair? Besoj që shumë rrallë kolegët e mi zviceranë përjetojnë çka kam përjetuar unë…

Si gazetare me 30 vjet eksperiencë kam marrë kërcënime dhe i jam drejtuar menjëherë organeve përkatëse, ndërkohë kam shprehur publikisht qendrimin tim se cilido shqiptar që kërcënon në Zvicër gabon vendin dhe adresën. Në Zvicër i kërcënuar nga ligji është ai që kërcënon, ndërsa të kërcënuarin shteti e merr në mbrojtje. Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Fjalori sharës dhe gjuha me kërcënime a të shkakton stress dhe t’i paralizon energjitë?

Qëndresa Llugiqi: Njëherë një shok më pyti «E si mundesh ta përballosh gjithë këtë mobbing?» Është shumë e thjeshtë: kam elasticitet dhe rezistencë në nivel të lartë. Unë nuk e ul kryet, veç se pse dikush më kritikon. Kam arrit’ një pikë ku them: «Ok, më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem dhe vazhdoj punën time.” Por është fakt që kam ndërmarrë në disa raste diçka. Ka ardhur puna edhe deri në kallzim në gjyq kundër personave të ndryshëm…

Çfarë nuk lejon Qëndresa në jetë dhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Nuk lejoj struktura – qofshin nga politika, feja ose thjeshtë nga prejardhja – apo njerëzit që të ma dirigjojnë jetën. Jam open minded, besoj se është diçka themelore për një gazetare neutrale, të pavarur. I ndëgjoj njerëzit e tjerë se çfarë mendimesh kanë edhe në qoftë se mendimet e tyre nuk përputhen me konceptin e jetës time, sepse ne të gjithë e kemi të drejtën e të shprehurit, e sa nuk lëndojmë askënd e kemi këtë liri.

Je mama, grua po edhe reportere. A ke kohë të lirë dhe si e kalon?

Qëndresa Llugiqi: Boah, rrallë që kam tamam kohë për veteveten. Por kohën e lirë e shfrytëzoj duke shëtitur botën ose duke lexuar. Më pëlqejnë librat e Paulo Coelho (Der Alchemist), Robert Greene (Die 48 Gesetze der Macht), Yuval Noah Harari, John Strelecky dhe Rolf Dobelli. Një libër që e lexoj prapë e prapë është ai që ma ka propozuar një milioner: «Lebe begeistert und gewinne» – Jeto me entuziasëm dhe fito –  e autorit Frank Bettger. Ndërsa kur dua të humbas mendjen nga kjo botë, lexoj Harry Potter ose Perallat e Brüder Grimm – Vëllezërve Grim.

Çfarë thotë e ardhmja për ty Qëndresa?

Qëndresa Llugiqi: Në të ardhmen çfarë dua, është të rris fëmijë të fortë dhe të pavarur, ta çoj një jetë të ëmbël me ata dhe partnerin tim, t’ua kushtoj një projekt shumë personal femrave shqiptare se thjesht e meritojnë dhe të arrij në profesionin tim si gazetare nivele të larta, duke e zhvilluar vetveten dhe në lami të tjera..

Të uroj që t’i arrish e tejkalosh të gjitha ëndërrat e tua dhe jam e sigurt për këtë!

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Qëndresa Llugiqi

Letra e parë për Kancelaren Angela Merkel

May 22, 2020 by dgreca

– Diktatori Edi Rama sot dogji Teatrin Kombëtar në Tiranë njësoj sikur të digjte sot në Berlin Reichstag-un Nga Elida Buçpapaj/

E dashur Zonja Kancelare,

kam nisur një bisedim të përditshëm me Ju në kohën e Pandemisë Covid 19.

Ju nuk më dëgjoni se çfarë Ju them, sepse nuk keni se si, pasi unë flas me veten time.

Por sot kur në Shqipëri ndodhi një gjëmë,

kur diktatori mizor Edi Rama shembi Teatrin Kombëtar, skenën ku kanë interpretuar gjithë gjenitë e artit shqiptar,

ky akt barbarie i shtetit kundër identitetit kombëtar më bëri që t’Ju shkruaj.

Si një SOS!

Jemi gati të mbytur, pasi Shqipëria jeton nën diktaturë dhe Ju kërkojmë ndihmë!

Ju a do të na lini të mbytemi ?

Shembja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë më solli ndër mend vargun biblik të poetit Heinrich Heine shkruar rreth dy shekuj më parë :

«Dort, wo man Bücher verbrennt, verbrennt man am Ende auch Menschen» – ”

– ” Që shqipërohet pak a shumë “Kur të digjni libra, do të digjni njerëz”.

Heinrich Heine ishte poet, ishte gjerman, ishte hebre.

Heinrich Heine ishte hebre gjerman dhe poet, i biri i një bankieri që kishte lindur në Düsseldorf më 1797 dhe që ndërroi jetë në Paris më 1856.

Poetët janë profetë ! Heinrich Heine e kishte paralajmëruar Gjermaninë për atë gjëmë që do t’i vinte, duke i dhënë kohë që të shmangej.

Por Gjermania nuk ia vuri veshin Heinrich Heines dhe dogji veten,

por e nisi duke kaluar në turrën e druve në fillim librat, kulturën!

Në pranverën e 1933 partia naziste e Gjermanisë nisi Bücherverbrennungen – futjen në turrë të librave.

Sipas Jonathan Rose, historian dhe autor i librit “The Holokaust and the Book”, gjatë 12 vjetëve, dmth nga 1933 deri më 1945,  nga të gjitha bibliotekat e Europës janë djegur 100 milionë libra, ndofta edhe më tepër

Pikërisht më 10 maj 1933 në Opernplatz – Babelplatz ku sot është një Monument simbolik i kujtesës të asaj dite tragjike  – nazistët startuan me organizimin e djegies së librave. Dogjën librat e atyre autorëve që sipas tyre vinin “kundër shpirtit gjerman”. Po t’i kishin patur në dorë do t’i digjnin edhe nëpër krematoriaumet e mëvonshme. Midis tyre ishin gjermanë dhe jo gjermanë, të gjithë autorë botërorë: Albert Einstein, Franz Kafka, Bertolt Brecht, Emile Zola, Ernest Heminguej, Erich Maria Remarque, Andre Gide, Isaak Babel, Sigmund Freud, Marcel Proust, Stefan Zweig, Upton Sinclaire, Lev Trockij etjerë e tjerë.

Midis turrave të librave ishin edhe librat e poetit Heinrich Heine i cili kishte paraparë këtë skenë apokaliptike,  por gjermanët nuk ia kishin varur ta dëgjonin.

Pas çuarjes në turrën e druve të librave, inkuizicioni nazist  kaloi në furrat e digjes hebrejtë dhe njerëzimin! Lufta e Dytë Botërore kushtoi 75 milionë viktima, midis tyre 6 milionë hebrej.

Me të njëjtin agresivitet antihuman u sollën edhe diktaturat stalinste, ku bën pjesë edhe diktatura shqiptare e Enver Hoxhës, që shfarosi 100 milionë viktima.

Për çdo libër që kanë djegur, nazistët dhe stalinistët bashkë kanë eleminuar nga 2 të pafajshëm.

E solla këtë shembull për të treguar gjendjen e Shqipërisë sot, kur diktatura nazisto-staliniste-mafioze e Edi Ramës shembi Teatrin Kombëtar, nga simbolet e pakta që i kanë mbetur shqiptarëve të identitetit kulturoro-kombëtar.

Diktatori mizor i Shqipërisë anëtare e NATO-s, në mesnatën e 17 majit 2020, në mes të pandemisë, në mes të krizës botërore që ka tronditur edhe vetë Perëndimin, kur populli shqiptar i varfëruar, ndodhet në karantinë, në lockdown nëpër shtëpi, sikur nazistët hitlerianë në 10 majin e 1933 kur nisën me djegien në durra drush të librave të kollosëve gjermanë dhe të njerëzimit, Edi Rama shembi Teatrin Kombëtar!

Tërbimi i tij kundër artit, kulturës dhe Artistëve shqiptarë është po aq i çmendur sa i të gjithë ideologëve që ushqyen katastrofën gjermane me emrin nazizëm.

Shqiptarët kanë më tepër se dy vjet, duke i kërkuar ndihmën e Perëndimit, që diktatori mafioz  Edi Rama të mos e prekte Teatrin Kombëtar.

Teatri Kombëtar vigjëlohej natën dhe ditën prej dy vitesh nga aktorët dhe qytetarët shqiptarë deri kur sonte në mes të natës të 17 majit 2020, krimineli Edi Rama dërgoi fadromat, ushtrinë, policinë dhe e shembi Teatrin!

Për ne shqiptarët shembja e Teatrit Kombëtar është sikur diktatori Edi Rama të vinte në Berlin sot t’jua shembte sot Reichstag-un!

Zemërimi i shqiptarëve ndaj diktatorit Edi Rama është sikur i gjermanëve sot nëse Edi Rama do të vinte dhe t’ju digjte Reichstag-un.

Do të desha që edhe gjermanët sot të ndjejnë atë zemërim sikur shqiptarët për shembjen e një Monumenti të identitetit kulturor kombetar.

Ne jemi shqiptarë, jemi europianë! Gjermanët dhe Perëndimi duhet të na mbrojë sikur mbron Gjermania mbron Gjermaninë ose sikur Perëndimi mbron Perëndimin, pra sikur mbron veteveten!

Në emrin e shqiptarëve Ju lutem dhe Ju bëj thirrje të reagoni sikur Ju takon, për ta justifikuar besimin që Shqiptarët kanë ndaj Jush.

Me respektin më të lartë
Elida Buçpapaj
Gazetare, poeteshë


Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, HEINRICH HEINE, Kancelarja Angela Merkel, Bücherverbrennungen

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kancelares, Letra e Pare, merkel

APEL: NJË NUREMBERG PËR KOMUNIZMIN

May 11, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/ VOAL/ Për një Nuremberg të komunizmit. Nuk është një provokim, por është një kërkesë e bërë nga Vladimir Bukovskij, për të paktën dy dekada më parë . Disidenti rus, i cili vdiq në 27 tetor të vitit të kaluar, foli për të për herë të parë për këtë në 1992, një ditë pas shpërbërjes së BRSS.Asnjëherë nuk ka pasur asnjë proces penal, por as historik dhe as kulturor për të kuptuar natyrën kriminale të komunizmit, një sistem që ka shkaktuar 100 milion vdekje në të gjithë botën, por që është kaluan me indiferentizëm nga historia.

Në Senatin italian në 7 nëntor 2019, në sallën e  Të rënëve Nassirya, u zhvillua një konferencë për shtyp e thirrur nga senatori Adolfo Urso (Fratelli d’Italia), së bashku me senatorin Lucio Malan (Forza Italia) dhe deputetin Vito Comencini (Lega), ku u bë apel, me rastin e 102 vjetorit të  Revolucionit të Tetorit (kapja e pushtetit nga bolshevikët në Rusi). Së bashku me politikanët e tre partive të qendrës së djathtë ishin edhe tre studiues të komunizmit, filozofi Renato Cristin (autori i apelit), historiani Roberto de Mattei dhe gazetari e pedagogu Dario Fertilio. Në mesin e nënshkruesve italianë është edhe Antonio Martino, Marcello Pera, Antonio Tajani, Giorgia Meloni, Lorenzo Fontana, Stefano Zecchi, Francesco Alberoni dhe Arturo Diaconale.

Ky Apel u bë edhe me rastin e 30 vjetorit të Rënies të Murit të Berlinit (9.11.1989) si një shans që i jepet historisë për t’i kontribuar kujtesës historike, por edhe për shtjellimin konkret të një kulture të gjerë anti-totalitare me sytë drejt së ardhmes, me qëllim të inicimit të një procesi që ka kuptimin dhe vlerën e një Nurenbergu të Komunizmit.

“Komunizmi nuk ra me Murin e Berlinit. Kjo ideologji është akoma e gjallë në botë, në shtetet dhe partitë që janë hapur komuniste dhe në mendimin politik dhe kulturor që minimizon dhe përpiqet të fshijë krimet e komunizmit, sikur të ishte një ide e mirë e cila vetëm ndodhi si një koinçidencë  që përkonte me lindjen regjimimeve brutale njëri pas tjetrit përgjatë dekadave dhe kontinenteve… ”(nga Apeli).

Ky apel mbështetet nga Platforma e Kujtesës dhe Koshiencës Europiane ku vihet shenja e barazimit midis komunizmit dhe nazizmit.

https://nuremberg.vladimirbukovsky.com/

Teksti i plotë i Apelit në shqip dhe anglisht i paraqitur nga politikanët dhe studiuesit italianë:

“Tridhjetë vjetori i rënies së Murit të Berlinit na ofroi një mundësi të vlefshme. Ne jo vetëm që mund të japim një kontribut të nevojshëm në kujtesën historike, por gjithashtu të mund të zhvillojmë dhe mbështesim një kulturë anti-totalitare, me përmasa të gjera dhe largpamëse. Ne shfrytëzojmë këtë mundësi për të propozuar krijimin e një Nurembergu për Komunizmin.

Proceset gjyqsore mbajtur në Nurenberg, nga 1945 deri më 1946, gjykuan dhe dënuan krimet dhe udhëheqësit e Nacional Socializmit gjerman, duke i dhënë totalitarizmit një gjykim përfundimtar gjyqësor, moral dhe politik . Gjyqet i sqaruan botës se nazizmi ishte mizor dhe shkatërrues për qytetarët e vet dhe nuk do të pranohej më askund në botë. Komunizmi, i cili ka shkaktuar më shumë vdekje dhe vuajtje masive në të gjithë botën sesa nazizmi për shumë më gjatë, nuk është thirrur kurrë për të dhënë llogari në një gjykatë globale siç është Nurembergu.

Që nga viti 1917, diktaturat komuniste ose socialiste në mbarë botën kanë shkaktuar më shumë se 100 milionë viktima. Jo vetëm që ata janë përgjegjës për shkeljen e gjerë të lirive individuale dhe nxitjen e urrejtjes së klasave, por edhe për genocidin dhe vrasjet masive të pashmangshme nën regjimet komuniste. Siç e dimë të gjithë, genocidet dhe masakrat njihen botërisht si krime kundër njerëzimit.

Sot, pas rezultateve katastrofike të të ashtuquajturit “socializëm i vërtetë” – “real socializëm” dhe të gjithë diktaturave të tjera të krijuara me kohë që kanë si themel ideologjinë komuniste (si sot në vende si Venezuela apo Kuba), si ngjarjet historike ashtu edhe ato aktuale lypin për një gjykim të ngjashëm përfundimtar – jo vetëm një aktgjykim për veprimet e individëve, por edhe një gjykim politik dhe moral mbi rezultatet e pashmangshme të kësaj ideologjie. Krimet e komunizmit kundër njerëzimit duhet të publikohen dhe të ndëshkohen.

Komunizmi nuk ra me Murin e Berlinit. Kjo ideologji është akoma e gjallë në botë, në shtetet dhe partitë që janë hapur komuniste dhe në mendimin politik dhe kulturor që minimizon dhe përpiqet të fshijë krimet e komunizmit, sikur të ishte një ide e mirë e cila ndodhi vetëm rastësisht e që përkoi me lindjen e regjimeve brutale njëri pas tjetrit nëpër dekada dhe kontinente.

Për të kundërshtuar influencat apologjike,  ne kërkojmë krijimin e Gjyqeve të Nurenbergut për Komunizmin, një gjykim global që shqyrton krimet e kësaj ideologjie, cakton përgjegjësi politike dhe institucionale për ta, ndëshkon degjenerimin e tij moral dhe ua bën të qartë të gjithë se komunizmit ishte një regjim çnjerëzor dhe i papajtueshëm me shoqëritë e lira.

Ne jemi të vetëdijshëm që një projekt i tillë do të haste vështirësi praktike dhe kufizime ligjore. Por ne besojmë se barriera të tilla nuk do të jenë në gjendje të pengojnë apo ndalin rrugën e një procesi historik politik, etik dhe kulturor, të cilin ne e shohim si një detyrim ndaj njerëzimit që ne na e imponon ndërgjegjja historike.

Në emër të miliona të shfarosurve në të kaluarën dhe për të mbrojtur gjeneratat e ardhshme nga ripërsëritja, proceset e Nurembergut për komunizmin duhet të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur.”/Përgatiti dhe përktheu Elida Buçpapaj

Nënshkruaj edhe ti këtë Apel këtu: here.

Appeal for Nuremberg Trials for Communism

Press inquiries: info@vladimirbukovsky.com

The thirtieth anniversary of the fall of the Berlin Wall presents us with a valuable opportunity. We can not only make a desperately-needed contribution to historical memory, but also develop and support an anti-totalitarian culture, broad-ranging and forward-looking. We take this opportunity to propose the creation of Nuremberg Trials for Communism.

The Nuremberg Trials, held from 1945 to 1946, tried and condemned the crimes of National Socialism and its leaders, handing down a definitive judicial, moral, and political judgment on that instance of totalitarianism. The trials made clear to the world that Nazism was evil and destructive to its own people, and would not be accepted anywhere in the world again. Communism, which has caused more deaths and mass suffering worldwide than Nazism for much longer, has never been called to account in a global court such as Nuremberg.

Since 1917, communist or socialist dictatorships around the world have caused more than 100 million deaths. Not only are they responsible for widespread suppression of individual liberties and incitement of class hatred, but also for the genocide and mass killings inevitable under communist regimes. As we all know, genocides and massacres are universally recognized as crimes against humanity.

Today, after the catastrophic results of so-called “real socialism” and of all the other dictatorships over time rooted in communist ideology (as today in places like Venezuela or Cuba), both historic and current events beg for a similarly final judgment – not only a verdict on the actions of individuals, but also a political and moral judgment on the inevitable results of this ideology. Communism’s crimes against humanity must be broadcast and punished.

Communism did not fall with the Berlin Wall. This ideology is still alive in the world, in states and parties that are openly communist and in political and cultural thought that minimizes and tries to erase the crimes of communism, as if it were a good idea which only happened to coincide with the rise of one brutal regime after another across decades and continents.

To push back against these apologist influences, we urge the creation of Nuremberg Trials for Communism, a global trial that scrutinizes the very real crimes of this ideology, assigns political and institutional responsibility for them, punishes its moral degeneracy, and makes clear to all communism’s intrinsic inhumanity and incompatibility with free societies.

We are well aware that such a project would encounter practical difficulties and legal limitations. Even so, we believe that such barriers will not be able to stand in the way of a historic political, ethical, and cultural trial, which we see as a duty to humanity imposed upon us by historical conscience.

In the name of millions exterminated in the past, and to safeguard future generations from a recurrence, Nuremberg Trials for Communism must be enacted as soon as possible.

Add your signature here.

Apel: një Nuremberg për komunizmin

Filed Under: Analiza Tagged With: Antonio Tajani, apel, Appeal for Nuremberg Trials for Communism, disident, Elida Buçpapaj

HISTERIA PËR KARANTINËN E TVSH!

May 4, 2020 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në rrjetin social u festua me histeri glorioze 60 vjetori i TVSH, institucionit më të zi të informimit të diktaturës, i cili konsiderohej nga regjimi  i rëndësisë të veçantë, sikur vetë KQPPSH. Edhe selia e RTSH gjendej në kuartierin gjeneral të udhëheqjes komuniste.

E qartë se në kohë karantine, njerëzit i kap nostalgjia për vitet që ikin tutje dhe nuk kthehen më bashkë me vitet e jetës së tyre, dakord!

Por bashkë me nostalgjinë a nuk kishte vend për një reflektim, për një ndjesë ose për të pohuar të paktën të vërtetën se nga ajo ndërtesë përhapej propaganda më trushplarëse, filmat më skematikë dhe idiotë, koncertet ku kompozitorët digjeshin kur notat në pentagram kërcenin pak me ritëm apo kur këngëtarët guxonin të vishin diçka apo të bënin një xhestikulacion pa marrë leje nga partia.

Shqiptarët duhet ta dinë se në TVSH e kohës të diktaturës, punonin njerëz që kishin besimin e plotë të partisë të punës, që kishin lidhje direkte ose indirekte, të tërthortë apo të përdrejtë.

Do të thoni se i gjithë populli ishte besnik i partisë, por partia nuk i besonte, sepse aty zbulonte armiqtë e saj dhe prandaj për të ruajtur kontrollin dhe terrorizuar deri edhe psikën e shqiptarëve, operonte me shpatën e egër të diktaturës të proletariatit e luftës të klasave, me ushtri, polici, sigurimin e shtetit dhe me superstrukturë.

Gazetarët që punonin në aty, si aparatçikë ishin në kontakt direkt me aparatin e KQPPSH, edhe redaksitë e tjera programin e kishin të aprovuar nga lart, bujqësia i bënte jehonë kooperativave, kultura skemës të njohur antikombëtare të politikave përçarëse. TVSH mbante të njëjtin qendrim të egër, kërcëllitës, vëllavrasës!

A ju kujtohet se programi i TVSH fillonte në orën 18:00 të mbrëmjes dhe përfundonte rreth orës 22:00!

A ju kujtohet se çfarë thatësire shpirtërore përcillte ajo kuti, nga ku censurohej historia, kultura prangosej, bujqësia kolektivizohej,  sikur i kolektivizohej edhe truri i shqiptarëve.

Kur thuhej TVSH nënkuptohej partia dhe vice versa! TVSH ishte arma e propagandës komuniste që vriste guximin njerëzor.

Ju lutem, kush ka punuar në atë institucion ato vite, le të thotë shqip se ishte i privilegjuar, ose se ishte me fat, ndryshe nga shqiptarët e tjerë që kishin probleme në biografi, të cilëve nuk u lejohej kurrë t’i ngjisnin ato shkallë apo të shfaqeshin në atë ekran!

Për çfarë mund të krenohen punonjësit e TVsh ? Që u bënë zëdhënës të një regjimi mizor ?

Natyrisht që nuk mund të vepronin ndryshe. Nuk kishin shans!  Ata bëheshin më fanatikë se edhe vetë udhëheqja!

Por të paktën të heqin dorë nga deliri i madhështisë si ishët e institucionit trushplarës të popullit shqiptar që mbrohej me polici dhe ushtri sepse prej asaj kutie përhapej propaganda indoktrinuese e regjmit stalinist.

Natyrisht ka nostalgji kolegësh, kjo është e justifikuar, por si nuk ka asnjë reflektim, si nuk ka asnjë ndjesë për audiencën, që i mohohej e drejta të shihte atë që dëshironte, të shprehte atë që mendonte, të tregonte të vërtetën sikur ishte!

Ndërsa diktatura vriste, burgoste, internonte, nga TVSH si krahu i djathtë i regjimit, shpërndahej helmi dhe vreri!

Të mos flasim pastaj se në sa e sa gjuhë të Radios shpërndaheshin rrenat e regjimit dhe si denoncohej kapitalizmi dhe Perëndimi!

Të kujtosh sot me brohërima kohën e trushplarjes, të burgosjes dhe izolimit të shqiptarëve është e frikëshme!

Tani që jetojmë prej më pak se dy muaj në lockdown – karantinë dhe ndihemi me të drejtë të izoluar, e kemi për detyrë të denoncojmë lockdown-in dhe karantinën 40 vjeçare të diktaturës, padyshim edhe me ndihmën e TVSH!

Po e përmbyll me një dialog midis Winston Smith dhe O’Brien tek viti 1984 i George Orwell që shpreh në mënyrë kuintesenciale thelbin e autokracie dhe levave të saj:

“Winston Smith: A ekziston vërtetë Vëllai i Madh?
O’Brien: Natyrisht që ai ekziston.
Winston Smith: A ekziston ai si ti dhe unë?
O’Brien: Ti nuk ekziston.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Histeria, Karantina, TVSH

LETARGJI E PAPRANUESHME E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN…

February 29, 2020 by dgreca

– PËR DIJENI SEKRETARIT TË SHTETIT TË SHBA, Z. MIKE POMPEO-/

Nga Elida Buçpapaj/

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte shembulli i veprimit dhe ndërgjegjesimit kombëtar!

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan zjente nga veprimtaritë në të mirë të çështjes shqiptare.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ishte i pari që sensibilizonte administratën Amerikane për çfarë ndodhte nën pushtimin serb në Kosovë.

Dikur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, në qershorin e vitit 1988, me në krye Joe DioGuardi ishte pjesmarrës nëpër tubimet masive të Shqiptaro-Amerikanëve në të gjithë SHBA, përpara Kombeve të Bashkuara në New York, në Washington DC përpara Shtëpisë të Bardhë dhe Kapitol, për të dëshmuar terrorin e shqiptarëve të Kosovës nën makinerinë e shtetit milosheviçian!

Mendoni, ishte viti 1988.

30 vjet më parë, pa u rrëzuar ende Muri i Berlinit, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kishte një ndërgjegjësim që të mbushte me krenari!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan e bëri të njohur Kosovën e panjohur në SHBA dhe ndikoi që administratat e SHBA dhe gjithë Presidentët e SHBA prej George Bush Senior të kthenin sytë nga çështja shqiptare, si çështje që lidhet jo vetëm me intersat Amerikane por edhe me parimet dhe vlerat e lirisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ndikoi që Atij të cilit i ndrin sot shpirti në Parajsë, Presidenti George W.Bush Senior t’i bënte kriminelit Milosheviç, flakëvënësit të Ballkanit, Paralajmërimin e Krishtlindjeve!

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, pjesë e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan e krijuar më 1989, sponsorizoi në Kongresin Amerikan Seancën e parë dëgjimore dhe historike të të Drejtave të Njeriut të shkelura në Kosovë nga Serbia, që u shoqërua me një drekë historike në Sheraton Hotel në NYC ku morën pjesë 2700 Shqiptaro-Amerikanë me sloganin “Liri dhe demokraci për Kosovën!”

Ish-Kongresmeni DioGuardi, 30 vjet më parë, në vitin 1990 bashkë me Kongresmenin Tom Lantosh vizituan Kosovën dhe e denoncuan terrorin e ushtruar si një Geto të Milosheviçit të kohëve moderne alla “Warsaw Ghetto” .

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, me emra të ndritur sollën në Washington DC gjithë elitën politike të trevave shqiptare, duke filluar prej Ibrahim Rugovës e me rradhë, po ashtu i çuan në Kosovë emrat më të spikatur të politikës Amerikane në Kongres dhe Senat si Bob Doll, John McCain, Joe Biden etj etj etj.

Prej rrëzimit të diktaturës në Shqipëri deri tek çlirimi i Kosovës, deri tek ndalja e segregacionit maqedono-sllav dhe Marrëveshja e Ohrit 2001 në Maqedoni, gjithçka që lidhet me lirinë dhe paqen afatgjatë në rajon dhe më gjatë, e ka burimin në SHBA, tek Komuniteti Shqiptaro-Amerikan!

Vdekja e Rugovës pati ndikim negativ në arritjet e SHBA dhe Perëndimit në Kosovë.

Pas shpalljes të pavarësisë më 2008, Kosova rezulton në stanjacion për shkak të lidërshipit, Hashim Thaçit, ose Gjarpërit, i përlyer me krime.

Në Shqipëri, po ashtu sistemi demokratik rezulton i kapur, kryeministri aktual Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet, tani është duke shëtitur nga Washington DC në Moskë si kreu i OSBE-së, duke uzurpuar edhe rolin e Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë.

Ndërsa Komuniteti Shqiptaro-Amerikan fle.

Kur i del gjumi, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan, nis e organizon gala qejfi alla Hollywood, ku ndan tituj e grada, sikur punët e shqiptarëve në Ballkan të shkojnë fjollë dhe Komunitetit Shqiptaro Amerikan tani i ka mbetur që të shpërndajë trofetë e fitores. Merreni me mend, nuk ka mbetur asnjë prej letargjikëve pa u dekoruar si “Nderi i Kombit”!

Ndërsa Joe Dioguardi, ai që është vërtetë Nderi i Kombit jo.

Nderi i Kombit ka qenë edhe Komuniteti Shqiptaro-Amerikan deri sa luajti rolin që i takonte!

Tani Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është duke luajtur rol shumë negativ! Sepse nuk po vepron fare! Indiferenca, injorimi apo heshtja janë po aq të dënueshme sa ata që po i lënë shqiptarët në kaos, pa shtete të së drejtës, nën diktaturën e varfërisë dhe po i detyron që si zgjidhje të shohin vetëm ikjen nga Atdheu në emigracion.

****

Në Ballkan Shqiptarët nuk janë pushtues;

në Ballkan Shqiptarët nuk janë agresivë;

në Ballkan Shqiptarët nuk kërkojnë territoret e tyre që tashmë i ka shteti serb, sipas epikës historike shqiptare ku thuhet se Kosova fillon prej “Mollës së Kuqe”, në Nishin e sotshëm-

apo në Greqi, kur më tepër se një shekull më parë, Selaniku ishte pjesë e Shqipërisë;

në Ballkan shqiptarët të ndarë në gjashtë shtete, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi, Greqi

kërkojnë vetëm një gjë:

të jetojnë si popull i barabartë mes të barabartëve, në familjen e popujve europianë, të integruar në BE dhe NATO!

Në Ballkan Kombi Shqiptar është faktor paqeje, ndërsa Perëndimi ka një qasje aspak koherente me veprimet e veta, që kur ndërhynë në Kosovë prej 1999 deri në 2008 dhe Maqedoni, në 2001.

Serbia nga ana e vet, me oreksin mitoman për copëtim të Kosovës, ka organizuar diplomacinë serbe me apetitet e Milosheviçit dhe me aleatët e saj tradicionalë, duke iu kundërvënë vendimeve dhe angazhimeve të Perëndimit, SHBA, NATO, BE për çka kanë vendosur në Kosovë. Serbia e ka kthyer dialogun në farsë, pasi lobon për anullimin e njohjeve të shtetit të Kosovës. Por e keqja është se në krahun e vet ka dy liderë të komprometuar sikur janë Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët për të qendruar në pushtet, përdorin të gjitha mjetet dhe janë të gatshëm ta kthejnë Ballkanin rishtas në “fuçi Baroti”.

Megjithëse këtë skenar makabër serb e kuptojnë edhe fëmijët në barkun e nënave, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që merr atribute lidërshipi, bën ahengje dhe nuk do që t’ia dijë për rrezikun që i kanoset sot Ballkanit!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston kur në Washongton DC vjen Edi Rama, me kostumin e vjedhur të Ministrit të Jashtëm të Republikës të Shqipërisë!

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nuk proteston ndërsa Edi Rama pritet nga Sekretari i Shtetit i Shtetit i SHBA dhe kur kthehet në Shqipëri thotë, “unë e kam mik Vangush Dakon dhe nuk më bëhet vonë se DASH, Ministria që drejton mikpritësi i tij Mike Pompeo e ka shpallur non grata familjarisht.

E pra kjo nuk është fytyra liridashëse e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA!

Kjo nuk është fytyra e bukur që ka patur Komuniteti Shqiptaro-Amerikan që ne e njohim prej të paktën 30 vitesh.

Kombi shqiptar ka nevojë të përhershme që Komuniteti Shqiptaro-Amerikan të jetë në avantguardë për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin territorial dhe sistemin demokratik në Shqipëri që rezulton i kapur, në Kosovë që sot të ngjall shpresë por i rrezikuar dhe në Maqedoni që rrezikon inercinë duke patur model Shqipërinë dhe Kosovën.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan duhet të zgjohet dhe të marri rolin që ka patur, duke e perfeksionuar atë rol!

Shqiptarët nuk janë kot populli më amerikandashës në botë!

Sepse duan lirinë dhe demokracinë e vërtetë!Po në Ballkan, historia ka treguar se ka zjarrvënës, lirivrasës dhe demokracivrasës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Elida Buçpapaj, Hashim Thaci, komuniteti shqiptaro-amerikan, Mike Pompeo, Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT