• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERËNDIMI PO IA VESH LËKURËN E QENGJIT UJKUT TË DIKURSHËM TË MILLOSHEVIQIT!

June 20, 2023 by s p

Perëndimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në një vathë ujqish të tërbuar.

Nga Emin AZEMI

Raportet Kosovë-Serbi nuk po komplikohen për shkak të qëndrimeve të forta të Kurtit, por për shkak të qasjes së njëanshme e joproprcionale të Perëndimit ndaj këtyre raporteve. Nëse para 24 viteve Perëndimi e bombardoi Serbinë për ta larguar atë nga marshimi hegjemonist në Kosovës, sot i njëjti Perëndim po e dekonstrukton kauzën e vet të drejtë. I njëjti Perëndim po ia vesh lëkurën e qengjit ujkut të dikurshëm të Millosheviqit.
Duke e mbështetur qorrazi një pinjoll të Millosheviqit në Beograd (lexo: një këlysh ujku), Perëndimi nuk po i ndihmon Serbisë që të largohet nga Rusia, por po ia zgjatë jetën një regjimi autokratik, i cili u ngrit kryesisht duke pasur frymëzim politikat antiperëndimore të Kremlinit.
Perendimi po gabon kur nuk po e ndihmon Serbinë por Vuçiqin, duke e lënë vathën e deleve në gojën e ujkut dhe me këtë pa nevojë po humb kohë dhe para. Serbia mund të demokratizohet një ditë, por pa Vuçiqin, prandaj Perëndimi duhet t’i ndihmojë atij të bie sa më shpejt nga pushteti. Në të kundërtën, Serbia një ditë ka rrezik të shndërrohet në vathë ujqish të tërbuar.
Perëndimi ka përvojë të mjaftueshme se si duhet të sillet në rrethana të caktuara me politikanët serbë. Millosheviqi ishte një shembull shkollor që ia kujton Perëndimit mendësinë e një politike e cila nuk e njeh dialogun por vetëm forcën e bombave të NATO-s.
Vuçiqi tani po sillet njësoj, si Milosheviqi dikur, ndërkohë që Perëndimi ka ndryshuar. Vuçiqi refuzon të vë sanksione ndaj Rusisë, dhe të trashë miqësinë me kinezët, instrumentalizon serbët e Kosovës për llogari të “botës serbe”, kontrollon dhe shantazhon media dhe intelektual, aeroportin e “Surçinit” në Beograd e ka shndërruar në parajsë transiti të hajdutëve të kamur të Kremlinit që ndodhen në listat e zeza amerikane, u krijon kushte që papengueshëm të helmojnë eterin mediat e Putinit – “Sputnik” dhe “Russia Today” etj. etj.
As vet Vuçiqi nuk ka pritur se Perëndimi do të jetë kaq zemërgjerë me të edhe pas krejt këtij qëndrimi antiperëndimor që ka ai. Vuçiqi thjeshtë po habitet me katarsisin negativ të Perëndimit, i cili ka zgjedhur të kompensojë politikat e drejta ndaj Kosovës me njëfarë shfajësimi absurd ndaj Serbisë. Prandaj Vuçiqi papengueshëm kidnapon policë në territorin e Kosovës dhe urdhëron huliganët të rrahin gazetarët shqiptarë të Prishtinës. Vuçiqi tani saktësisht e di se çfarë qëndrimi do të mbajë Perëndimi pas çdo padrejtësie që i bëhet Kosovës. Prandaj ai përmes Listës Serbe ngulfat pluralizmin politik te serbët e Kosovës, duke minuar çdo urë bashkëpunimi konstruktiv me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit po sillet normalisht, si çdo qeveri që ka synim të pastër administrimin e gjithë territorit, përmes ligjeve dhe rregullave të mirënjohura demokratike.
Në veriun e Kosovës aktualisht kryqëzohen dy mendësi politike: Ajo mesjetare e përfaqësuar nga politika proruse e Vuçiqit dhe Perëndimore, Demokratike përfaqësuar nga Albin Kurti.
Disa burokratë të Brukselit, në krye me Josef Borrelin, kanë zgjedhur të mbështesin politikën mesjetare proruse të Beogradit në Kosovë dhe të shantazhojnë politikën properëndimore të Qeverisë në Prishtinë.
Borreli dhe Lajçaku në fakt nuk kanë lidhje me parimet demokratike mbi të cilat është ngritur Europa e bashkuar, sepse ata, para se të jenë evropianë, parapëlqejnë të jenë spanjollë dhe sllovakë. Me valixhet diplomatike të BE-së ata kontrabandojnë thërmia të rrezikshme të mendësisë politike të vendeve të tyre që nuk e njohin shtetin Kosovës.
Për rrjedhojë, Borreli dhe Lajçaku janë duke ia nxirë imazhin Europës demokratike, e cila është bërë peng i një politike të jashtme që vazhdon ta sheh Kosovën me syzet e Vuçiqit!

Shkup, 18 qershor 2023

Filed Under: Fejton Tagged With: Emin Azemi

KOSOVA NË MES TË “PROAMERIKANIZMIT” TË OPOZITËS DHE “ANTIAMERIKANIZMIT” TË KURTIT

June 6, 2023 by s p

Çuditërisht, “proamerikanizmi” i Kosovës nuk po matet sipas disponimit gjithpopullor që kanë shqiptarët ndaj Amerikës, por po matet vetëm kur po vjen në pyetje qëndrimi i qeverive të Kosovës ndaj Serbisë. Gjeneza e të gjitha sherreve të pambyllura me serbët (tash dhe në të ardhmen), është në projektin famëkeq të decentralizimit etnik (me autorë shqiptarë “proamerikanë” nga ish qeveritë e Kosovës), i cili paradoksalisht ka shumë pikëtakime me elaboratin fashizoid të Çubrilloviqit (!)

Nga Emin AZEMI

Në mungesë të një politike shtetërore (kombëtare) afatgjate të Kosovës ndaj Serbisë, në periudhën e pasluftës, janë prodhuar situata absurde në raport me aleatët dhe partnerët e saj strategjik, kryesisht me SHBA-të.
Nëse Albin Kurti qenka antiamerikan, siç po thotë opozita dhe një pjesë e analistëve, kjo do të ishte shumë keq, jo për Kurtin por për Kosovën. Prandaj kryeministri i Kosovës duhet një orë e më parë të reflektojë, që i bie, të koordinohet fillimisht me vetveten, sepse po shihet se vendimmarrja politike e tij nuk po kalon gjithmonë nëpër një fleksibilitet të nevojshëm, që duhet ta ketë çdo politikan i përgjegjshëm.
Kurti nuk duhet të harroj se vendimet e tij shtetërore e politike, kanë reperkusione edhe të jashtme- gjeopolitike, për shkak se procesi i normalizimit dhe paqes në rajon ende nuk është mbyllur, ku Serbia vazhdon të jetë fajtori kryesor për këtë dhe për shkak se Rusia është ende e interesuar ta ukrainizojë Ballkanin. Vendimet e Kurtit mund të jenë të dobishme në shikim të parë për kredibilitetin shtetëror të qeverisë së tij, por ndoshta mund të jenë me pasoja për politikën e jashtme amerikane mbi Ballkani (?!).
Nëse opozita qenka “proamerikane”, siç po proklamohet deklaratavisht, atëherë sa ka përfituar Kosova nga kjo, sepse në kulmin e “proamerikanizmit” të saj ka ndodhur marrëveshja e vitit 2013 me Serbinë e cila kurrë nuk u ratifikua në Parlamentin serb.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur decentralizimi monoetnik i Kosovës, ku si pasojë dhjetë komuna xhuxhe të pakicës serbe u shndërruan artificialisht në shumicë serbe. Gjeneza e të gjitha sherreve të pambyllura me serbët (tash dhe në të ardhmen), është pikërisht në projektin famëkeq të decentralizimit etnik (me autorë shqiptarë “proamerikanë”nga ish qeveritë e Kosovës), i cili paradoksalisht çuditërisht ka shumë pikëtakime me elaboratin fashizoid të Çubrilloviqit (!)
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur debati për shkëmbimin territorial, një debat ky klandestin që kurrë nuk u mor vesh nëse ishte produkt i mendjeve politike të Kosovës,imponim i Beogradit, apo ishte njëfarë miksture interesash shumëpalëshe, ku SHBA disi mbeti njëfarë lojtari i mjegullt, por gjithsesi shumë i informuar.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, për dy dekada me radhë, ka ndodhur pastrimi etnik i Serbisë së jugut, ku shqiptarëve iu pasivizuan adresat dhe iu mbyllën të gjitha shtigjet e perspektivës për të jetuar dhe punuar në vendlindjet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Për këto veprime gjenocidale, madje regjimi i Beogradit nuk u koordinua fare as me amerikanët as me eskimezët.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, veriu i Kosovës mbeti jashtë kontrollit të institucioneve të Prishtinës, por shumë i kontrolluar nga bandat mafioze të Vuçiqit. Në fakt, sot këto banda po e kundërshtojnë shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin, e jo popullata vendore serbe e veriut. Kjo popullatë vazhdon të jetë e kidnapuar nga ambiciet e pafshehura të Vuçiqit për ta paraqitur këtë pjesë të Kosovës si zgjatim i projektit të “botës serbe”.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka ndodhur rinegocimi i statusit të Kosovës pas mendimit pozitiv të GJND-së (2009) mbi shpalljen e shteti të pavarur të Kosovës.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ka vazhduar ankthi i moskthimit të personave të pagjetur nga gropat misterioze të Serbisë dhe ky problem vazhdon të jetë aktual edhe sot. Këtë krim të fshehur, por të pandëshkuar ndaj shqiptarëve, Beogradi vazhdon ta kultivojë si pjesë e një regjimi dhe shoqërie që nuk e ka kaluar procesin e denacifikimit dhe e gjithë kjo po bëhet pa kurrfarë koordinimi me amerikanët (!)
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, mbi 1200 artefakte të Kosovës qëndrojnë më shumë se njëzetë vite në Beograd, ndonëse Serbia ishte dakorduar para ndërkombëtarëve që t’ia kthejë Kosovës këtë trashëgimi kulturore. Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës në maj të vitit 2002 i është kthyer vetëm një prej tyre, “Hyjnesha në Fron”. Moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare, mirëpo burokratët spanjollë dhe sllovak të Brukselit deri më tani nuk e kanë thënë as edhe një fjalë të vetme.
Në kulmin e “proamerikanizmit” të opozitës së sotme, ndodhi ikja nga Kosova e dhjetëra investimeve të jashtme që mund të shndërroheshin në fabrika gjigante për punësimin e mijëra njerëzve, si pasojë e urisë gërditëse për ryshfet të sekserëve qeveritarë. Në vend se investitorët e jashtëm të priteshin duar hapur për shkak të gjendjes së mjerueshme të popullatës së papunë të Kosovës, ata iu nënshtroheshin haraçit të njerëzve që përfaqësonin qeveritë e kaluara. Vetëm në Maqedoninë e Veriut janë tri korporata të mëdha multinacionale, të cilat fillimisht kishin planifikuar të investonin në Kosovë, por ato u dëbuan nga ish qeveritarët të cilët “proamerikanizmin” e përdornin si uniformë të maskuar për t’u mbrojtur nga veprimet korruptive.
T’i kthehemi edhe një herë Kurtit.
Ku e ka mirë ai dhe ku gabon?
Ai e ka mirë kur si kryeministër i një shtetit sovran mundohet që para bashkësisë ndërkombëtare Kosovën të mos e perceptojë si problem të brendshëm të Serbisë, kurse popullatën vendore serbe ta paraqes si pjesë integrale të politikave sociale, arsimore, ekonomike të shtetit të Kosovës.
Veriu i Kosovës deri para dy viteve ka qenë në hartat elektorale të Serbisë dhe regjimi i Beogradit papengueshëm ka mbajtur zgjedhje atje sikur të ishte ai territor i Serbisë. Kjo hartë për Kurtin u shpall e pavlefshme.
Në veriun e Kosovës, simbolet shtetërore të Serbisë, duke filluar nga flamujt, targat, dokumentet e identifikimit dhe të udhëtimit, kanë shprehur fuqishëm prezencën jo vetëm fizike, por edhe juridike, kushtetuese e shtetërore të Serbisë në atë pjesë të Kosovës.
Ka dy vjet që kjo prezencë fizike e shtetërore e Beogradit po has në kundërshtim nga kryeministri Kurti dhe këtu fillon trajtimi i Kosovës jo si problem i brendshëm i Serbisë, por si problem i qytetarëve të saj, pa dallim etninë, fenë, gjuhën etj. Këtu fillon trajtimi i Kosovës në frymën e një realiteti të ri të krijuar pas vitit 1999, realitet ky që u deformua dhunshëm nga Serbia e ndihmuar indirekt edhe nga ish qeveritarët shqiptarë në Prishtinë. Çuditërisht këtu fillon edhe përplasja me bashkësinë ndërkombëtare, e që në gjuhën opozitare të Kosovës kualifikohet si “antiamerikanizëm” i Kurtit.
Por, të gjitha këto lëvizje politike e shtetërore, nuk e bëjnë Kurtin “antiamerikan”, siç po thotë opozita dhe një pjesë analistëve.
Nëse Kurti qenka “antiamerikan” sepse po e nxjerr Kosovën nga orbita e “botës serbe”, ky është një vlerësim i gabueshëm dhe i pastudiuar mirë, që është pasojë e mungesës së një strategjie shtetërore (kombëtare) afatgjate të Kosovës (në bashkëpunim edhe me Shqipërinë) kundrejt Serbisë.
Të nxjerrësh Kosovën nga orbita e “botës serbe”, i bie që ta largosh atë nga ndikimi rus, një angazhim ky permanent edhe i Washingtonit zyrtar. Me fjalë të tjera, Kosova e vogël po i ndihmon sado pak Amerikës së madhe në përpjekjet saj për të dobësuar ndikimin rus në Ballkan.
Të nxjerrësh Kosovën nga orbita e “botës serbe”, nënkupton paraqitjen e Vuçiqit para dhjetëra mijëra protestuseve serbë në Serbi si politikan i dobët që Kosovën e përdor për konsum të brendshëm politik e jo si kauzë e interesave nacionale të serbëve. Kjo, pra është meritë e Kurtit, sepse fundja edhe vet Vuçiqi e ka piketuar atë si bashkëbiseduesin më “problematik” në mesin e politikanëve të Kosovës, ndonjërin prej të cilëve ai e kishte “testuar” edhe sa i përket njohurive të gjuhës serbe.
Çuditërisht, “proamerikanizmi” i Kosovës nuk po matet sipas disponimit gjithpopullor që kanë shqiptarët ndaj Amerikës, por po matet vetëm kur po vjen në pyetje qëndrimi i qeverive të Kosovës ndaj Serbisë.
Një shtet apo një popull është antiamerikan, kur del hapur në anën e Rusisë, Kinës, Iranit, Koresë së Veriut, Hezbollahut, ISSIS-it dhe kundërshton sanksionet ndaj këtyre shteteve dhe organizatave terroriste
Një shtet apo një popull është antiamerikan, kur përqafon vlera të dyshimta civilizuese që biejnë ndesh me doktrinat kulturologjike e civilizuese euro-atlantike.
Të gjitha këto pozicione dhe anime, shqiptarët jo vetëm që nuk i kanë, por madje janë treguar edhe më “katolik se Papa” duke e paraqitur veten si shteti i 51-të i SHBA-ve për shkak të respektit dhe mirënjohjes ndaj popullit amerikan dhe udhëheqësve të tij të lavdishëm për gjithçka që kanë bërë për shtetndërtimin e shqiptarëve.
Ku gabon Kurti?
Ai gabon, kur herë-herë vazhdon të sillet jo si udhëheqës shtetëror, por si udhëheqës partiak.
Ai gabon kur nuk instiston më tepër në një dialog të brendshëm dhe të hapur mbi tema të mprehta në shoqërinë kosovare, në një dialog me sa më pak militant trushpëlar partiak e me sa më shumë jobashkëmendimtarë konstruktiv.
Ai gabon kur kabinetin e tij qeverisës nuk e “ajros” pak më tepër, duke iu dhënë hapësirë edhe disa kuadrove në Kosovë e diasporë të cilët edhe kur janë në gjumë janë shumë më të dijshëm dhe më të kultivuar se sa Besnik Bislimi kur është zgjuar. Nuk bëhen politika të mëdha shtetërore me besnik bislima, të cilët i ke të kudondodhur, por jo aty ku duhet, sepse shteti nuk është parti, as OJQ. Shteti parasegjithash është kombinim i dijes, guximit dhe devotshmrisë ndaj atdheut. Kosova ka plot gra e burra, djem e vajza që i posedojnë këto atribute për të qenë në pozicione të rëndësishme, por Kurti duhet ta lirojë filozofinë e menaxhimit shtetëror nga psikoza e vetmbylljes partiake. Mosbesimi ndaj të tjerëve që mund të kenë të drejtë për një çështje që Kurti mendon ndryshe, mund ta shndërrojë qeverisjen e tij në një tren që është nisur në një destinacion shumë të dëshiruar, por me vagona të munguar që i pikojnë gjatë rrugës. Kujt do ti hynte në punë ai destinacion (shtetëror), nëse gjatë rrugëtimit ndodhë kidnapimi (partiak) i itinerarit të udhëtimit?
Është iluzore të shohim ndonjë zgjidhje të shpejtë në horizont për një konflikt që zgjat me dekada. Statuss-quoja i konvenon Serbisë, po jo dhe Kosovës. Kryeministri Kurti arriti ta ngrejë nivelin e pazarit në negociata me Serbinë, por nuk guxon ta ulë nivelin e besueshmërisë me aleatët tanë strategjikë. Sepse nga ky nivel pastaj varet edhe kredibilteti shtetëror i Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Tani për tani nuk ka ndonjë opsion tjetër që do ta bënte Kosovën palë më imponuese në këtë tryezë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi

ITSHKSH bën bashkë në Letnicë poetët me krijimet e tyre kushtuar Nënës Tereze

August 29, 2022 by s p

Drejtori  ITHKH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo ratësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Letnicë, 28 gusht – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” sot vazhdoi marshutën në Letnicë të Vitisë, me organizimin e orës letrare, në të cilën u lexuan krijime letrare kushtuar Nën Terezës. Ora letrare u mbajt në Kishën e Letnicës, me ç’rast ITHKSH faleminderon famullitarin e kësaj kishe, Don Marjan Demën, i cili ofroi mikëpritje dhe kushte që kjo orë letrare të mbahet në një atmosferë sa më dinjitoze.

Drejtori  i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo rastësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Ora letrare u bë në bashkëpunim me Ars klubin letrar “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe Shoqata e shkrimtarëve “Ramadan Musliu” nga Vitia.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe Don Lush Gjergj, i cili tha se ideja për të organizuar këtë orë letrare pikërisht në Letnicë ndërlidhet me thirrjen që Nëna Tereze kishte marrë më 14 gusht 1928  për të qenë misionare e paqës dhe dashurisë.

Poetët që lexuan në këtë orë letrare erdhën nga disa rajone dhe përfaqësues të disa brezave, duke filluar nga Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala e deri te Sabit Rrustemi, Sadete Tërnava, Gani Bytyçi, Nexhat Rexha, Ahmet Selmani, Alisa Bekteshi, Sarë Gjergji dhe Marigona Muja.

Udhëheqësi i kësaj ore letrare, Emin Azemi, në cilësinë e kryeredaktorit të revitës “Drita e Gonxhës” , duke u ndërlidhur me misionin e shenjtë të Nënës Tereze tha se përderisa astronautët për të shkuar në hapësirë iu nevoitet një stacion astronomik, Nën Tereza Letnicën e pati stacion prej ku u nisë në misionin e saj të shenjtë.
“Itaka që u përdor si metaforë poetike, për të gjithë ata që duan të kthehen aty ku kanë lindur, që nga Homeri e deri në ditët e sotme, në mendësinë e Nënën Tereze, kishte pësuar një përmbysje, sepse ajo jetën e saj nuk e përfundoi në vendlindjen e saj por në Kalkutë, ku edhe u bë pjesë e dhembjes dhe vetmisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kënaqësitë që sjell jeta në këmbim të shërbimit ndaj të tjerëve, ndaj të sëmurve dhe  ndaj të vetmuarve”, tha Emin Azemi. 

Ai në fund elaboroi edhe kuptimin e një toposi poetik, siç është El Dorado.
“Të gjithë e synojnë El Doradon, vendin e premtuar, për të realizuar ëndrrat e jetës, por vetëm N.Tereza u bë vet El Dorado për të tjerët, sepse vetëm ashtu ajo do të përmbushte qëllimin dhe vendimin që kishte marrë në Letnicë në natën e 15 gushtit të vitit 1928, për të të shkuar në mision për t’i përkushtuar tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave”, nënizoi Azemi.
ITSHKSH faleminderon Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Vitisë, sidomos drejtorin Valmir Sahitin, për mbështetjen institucionale të kësaj ore letrare.  

Filed Under: Reportazh Tagged With: Emin Azemi

2 gusht 1943, Marrëveshja e Mukjes, shans i bashkimit, peng i tradhëtisë

August 2, 2022 by s p

Emin Azemi/

Ky është edhe titulli i një libri, por që në vetvete shpjegon shumëçka dhe nuk lë shumë hapësirë për interpretime të shumanshme.

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.
Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit:

Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan, Haki Stërmilli, G. Nushi

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Azemi

A mundet Rama ta ndihmojë Kosovën duke qenë jokritik ndaj Vuçiqit?

June 22, 2022 by s p

Rruga nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare

Shkruan Emin AZEMI

Rama në Prishtinë erdhi pas vizitës që ia bëri familjes së Hashim Thaçit. Këtë vizitë ai ka mundur ta bëjë edhe më herët, por vetëm Rama e di arsyen se pse pikërisht një ditë para mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive atij i kujtohet të na tregojë se e “kishte marrë malli shumë për Hashimin”. Në anën tjetër ai u kujdes ta reahatoj Kurtin se ndaj tij nuk ka kurrfarë qëllimi komplotist për ta rrëzuar nga pushteti, siç kishin shkruar disa media në Prishtinë. Por, e kundërta e asaj çka deklaron Rama, është fryma e asaj që mbetet e pathënë zëshëm dhe sidomos mbetet hija e një lidhjeje të fuqishme me ish-pushtetarët e Kosovës, e cila herë herë eklipson marrëdhëniet aktuale me Albin Kurtin dhe  me Vjosa Osmanin.

Rama nuk është proserb, por mënyra si i qaset serbëve a bën atë më naiv se ç’është në të vërtetë. Ai ende nuk beson se “qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar”. Sipas Ramës edhe atëherë kur Serbia mohon gjenocin e kryer në Kosovë dhe kur Vuçiqi angazhohet që Kosova përgjithmonë të mbetet në kaudër të juridiksionit serb, qëllimi përfundimtar mbetet i padëmtuar.
“Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve të Kosovës, gjithë rajonit”, tha Rama para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive.
Rrugët nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme  në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare. Ende mbetet e paqartë arsyeja e këtij mirëkuptimi të mëndafsht të Ramës ndaj serbëve të këqinj, ndërkohë që Vuçiçi kalon shumë më keq me disa kritikues në Beograd se sa me Ramën, sidomos kur është në pyetje qasja ndaj Kosovës.

Tani nuk jemi në periudhën e luftës së ftohtë, atëherë kur Tirana zyrtare nuk mund të impononte fuqinë e saj diplomatike në forumet ndërkombëtare për të dënuar terrorin serb në Kosovë, përfshi diktaturën ushtarake të vendosur në Drenicë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj shpërnguljen e kosovarëve në shkretëtirat e Anadollit në vitet 50/60 su dhe aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve të viteve 50/60.
Por, tani jetojmë në një kohë tjetër, por Edi Rama si duket ende nuk e ka kuptuar se në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pesëdhjetë për qind e problematikave burimin e kanë në Kosovë. Kur Rama mundohet t’i mohojë këto problematika dhe ta paraqet si minor problemin e diferencave që ka me Kurtin sa i përket raporteve me Serbinë, duke e trajtuar këtë si çështje debatesh akademike, me këtë ai harron rolin që ka Tirana në menaxhimin e temave që kapërcejnë kufinjtë adminitsrativë-shtetëror.

Askush nga Prishtina nuk ka kërkuar nga Rama që të ndërprejë marrëdhëniet me Beogradin, por është e pafalshme për kryeministrin shqiptar që idetë e bashkëpunimit rajonal fillimisht t’i diskutoj në Beograd, e pastaj t’i çoj selame Prishtinës për pjesëmarrje në darkën e ftohur të Ballkanit të hapur. Pra, Rama nuk bën ndonjë gabim të madh që dëshiron të afrohet me serbët, por kjo nuk guxon të ndodhë duke injoruar  faktin se Kosova ende trajtohet si problem i brendshëm i politikanëve serbë dhe ç’është më keq Serbia në sytë e Ramës shikohet si një fëmijë i pafajshëm që padrejtësisht e ngarkojnë me shejtanllëqe të pabëra.
  Në diskursin e Vuçiqi dhe të politikës zyrtare serbe, Kosova është pjesë integrale e Serbisë, prandaj çdo kapërcim në heshtje i këtij diskursi serb nga ana e Ramës, prodhon armiqësi brendashqiptare dhe miqësi pa kushte me serbët e këqinj. Këtu e ka burimin edhe refuzimi për të pranuar Ballkanin e Hapur, një iniciativë kjo që mbështete në raporte defektuoze e konfliktuoze të atyre që nuk e njohin madje e urrejnë njëri tjetrin. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Emin Azemi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT