Nga Ramiz LUSHAJ/
Ne, shqiptarët etnik nën Malin e Zi, mbasi nuk mujtëm me krijue një parti të vetme si kroatët e Tivatit bregdetar, të bashkohemi në një parti të vetme si boshnjakët e Rozhajës alpine/
1.
Ajo çka (s)pritej ndodhi në prillin dimëror në krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë më mbi 2.500 shqiptarë: u krijuan dy parti politike shqiptare. Partia Inisiativa Qytetare Shqiptare (“Partia e Plavës”) dhe Partia Aleanca Shqiptare (“Partia e Gucisë”). Secila konkuron në “komunën e vet”, çka e legjitimon ndarjen e thiktë në dy komuna e kurrnjana s’ka me mujt me e kalue cakun lokal. Jo se janë parti të reja, jo se nuk kanë prijtar, po se nuk shkon ma larg se keq i ashtuquajturi “interesi publik” (jo)kushtetues i Malit të Zi të sotëm. I thonë një fjale: “Ruaje Kolë mendjen tande”, veçse sikur të ishte themeltue vetëm një parti, përndryshe: “Partia Shqiptare e Plavë-Gucisë” do ishte një tjetër aks i faktorit shqiptar në këtë trevë e do iu kish ndie fort zani e hapi jo vetëm deri në Podgoricë e në Çetinë. Këto dy parti duhet të ruhen nga e sotmja dhe e nesërmja e vet që të mos kthehen në shoqata, të kenë në antarësi e funksione studentë të trevës, t’iu “marrin” vullnetlirë antarësinë partive të tjera si UDSH apo FORCA, të kenë “deputetët” e vet në dy komunat. Në koft se ka ndonjë lutje për to ajo është e mbetët nji: të bashkohen se nuk janë larg ndërveti dhe kanë rrugë të gjatë.
Kroatët, komunitet etno-kulturor me mbi 6.000 vetë në Malin e Zi, e kanë kryeqëndren e vet në komunën bregdetare Tivat, ku numërojnë afro 3.000 kroatë. Këta kanë krijue vetëm një parti nacionale, Insiativa Qytetare Kroate, e cila ka një deputet në Parlament e një ministre pa portofol, bile e lindur në Kroaci. Gjithësesi ma të privilegjuar se shqiptarët etnik me 10 parti politike të tyre. Sikur kroatët të themelonin edhe një parti tjetër në komunën e Kotorrit me 2.000 kroatë situata e tyre politike do të rrgallej teposhtë, përfaqësimi i tyre politik do të ishte i lodhur, i varfër, i mekët.
2.
Përllogaritjet fjalaflasin se popullsia shqiptare me të drejtë vote në dy komunat sëbashku, edhe Plava, edhe Gucia, kanë jo ma pak se 1.200 e jo ma shumë se 1.800 votues, bile një pjesë e tyre janë banorë trojenik përkohor.
Të krijohen dy parti të reja me kaq popullsi banuese e votuese përban një rekord botëror.
Në kohën e krajl Nikollës të Çetinës, në vitin 1905, kishte vetëm një parti tejet antishqiptare, Partia Popullore (PPM), e cila pati dy riorganizime më 1990 e 1997 dhe në hymnin e saj krajlian ban thirrje për të pasë kryeqytet të Malit të Zi qytetin historik të Prizrenit. Kur PPM i bojkoti zgjedhjet më 1907 u krijua partia e dytë, simotra e saj si e djathtë, e vërtetë. Tevona u themelua edhe një parti e tretë. Në prag të LPB dy partitë popullore u bashkuan në një të vetme, e kërkonin edhe me protesta bashkim me Serbinë. Prapë mbetën dy parti politike derisa Mali i Zi iu bashkangjit Serbisë, Jugosllavisë të parë Versajiste.
Kësokohe, Mali i Zi, principatë-mbretni, kishte 310 mijë banorë, kushtetutë, fuqi e përkrahje krajlnie në Europë. Sigurisht, mund të kishte edhe 10 parti të tilla. Po nuk i mbante Koha e Vendi, nuk i donte Interesi nacional, politik e publik i Malit të Zi.
3.
Në krahinën e Plavë-Gucisë po garojnë në Elektoriadën lokale të 25 Majit 2014 pesë parti politike shqiptare: Lidhja Demokratike Shqiptare (LD në MZ) dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) në Plavë e në Guci, Forca e Re Demokratike (FORCA) në Plavë, Aleanca Shqiptare në Guci dhe Inisiativa Shqiptare në Plavë.
Nga jeta e shpellave e deri tek jeta e sotme dixhitale nuk ka ndodh kjo vaki: pesë parti shqiptare për 1.200 apo 1.800 votues shqiptarë. Për ma tepër kur në kit’ trevë etno-historike kanë ardhë komunitete etno-kulturore si boshnjakët, serbët e malazezët e disa sish janë kthye edhe në shumicë tue asimilue edhe shqiptarët etnik të atyshëm.
Në këtë rastin “Plavë-Guci” nuk kemi të bajmë me rekord botëror, po me një paparashikim politik njerëzor (!)
Kjo bahet disi ma tragjike e komike kur kemi parasysh dukuri elektorale të përseritshme të tilla të pashmangshme krejtësisht. Një pjesë e votuesve janë jashtë shtetit (në diasporat shqiptare në botë). Ndokush nuk del vet apo familiarisht në zgjedhje të 25 majit 2014.
Keq me thanë, po do ketë edhe ndonjë firo elektorale nga votues shqiptarë që e çojnë votën në “mullinin” antishqiptar të partive joshqiptare si Partisë Boshnjake të Rafet Husoviçit të Rozhajës, Partisë Social-Demokrate që e ka zv/kryeministrin të lindur e ende me tokë e kullë në Ultinën e Epërme të Limit, Partisë të Gjukanoviçit, etj. Kjo, sipas thanieve të moçme: “Për inat sime vjehrre shko e flen me mullixhinë” apo “Për inat të sime rè e futa djalin tim në dhè”(!)
4.
I thonë një fjale “ra ky mort e u pamë”! E, ndaj, po due me e rrok kit’ çështje ma gjatë në kohë e hapësirë.
Sot për sot, po më diftojnë letrat se në Malin e Zi janë 10 parti politike shqiptare: Koalicioni “Për Bashkim” ka tri parti politike: Forca e Re Demokratike (FORCA), Partia Inisiativa Qytetare dhe Lëvizja “Perspektiva”. Grupimi tjetër politik “Koalicioni Shqiptar” me tri parti të tjera: Lidhja Demokratike, Partia Demokratike e Alternativa Shqiptare. Është edhe partia e kahershme: Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH). Nuk e di çka ke e ku e fut veten Aleanca Rinore Shqiptare, që doli e fiknoj në zgjedhjet parlamentare të 2012-tës. Tashti kena edhe dy partitë e reja: të Gucisë e të Plavës.
Në krejt Malin e Zi, sipas llogaritjeve teorike, numërohen deri në rreth 25 mijë votues. Një pjesë e tyre janë banorë trojenik stinor. Disa nuk votojnë se ashtu iu thotë vetja apo të tjerët. Shumë “kësish” votojnë për të tjerët, si në zgjedhjet parlamentare 2012 dhanë votat për partinë mazhorancë të Gjukanoviçit, për partinë e re e në opozitë “Mali i Zi Pozitiv”, etj., nga të cilat janë “prodhuar” edhe deputetë të etnisë shqiptare në radhët e tyre.
Për çdo 2.000 apo 2.500 shqiptarë është themelue një parti politike shqiptare (!) Një rekord botëror. Për “GINES”.
Shqiptarët nën Malin e Zi kanë tepër parti politike: sa një e katërta e të gjitha partive në këtë shtet të vogël ballkanik.
Këto parti numërohen më gishtat e dy duarve. Janë sa dy duar që s’mujnë me i ra kurrkujt. As Gjukanoviçit, as gjukanoviçave. Veç, jo shpesh, i bien kresë së vet.
Ne, shqiptarët etnik nën Malin e Zi, mbasi nuk mujtëm me krijue një parti të vetme si kroatët e Tivatit bregdetar, të bashkohemi në një parti të vetme si boshnjakët e Rozhajës alpine.