Nga Entela Binjaku/
Në një intervistë dhënë për mediat shqiptare i pyetur sesi do të dëshironte që njerëzit ta njihnin, patrioti shqiptar me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tomë Mrijaj shprehej: Dua që njerëzit të më njohin ashtu sikurse jam….dashamirës i kulturës, historisë, shoqërisë, Atdheut, vendlindjes, trojeve shqiptare”.
Tomë Mrijaj, i lindur në Zllakuqan të Komunës së Klinës, u detyrua të largohej herët nga Kosova, por e gjithë jeta e tij mbeti e lidhur ngushtë me vendin dhe kombin. Ai si shumë shqiptarë të tjerë morën rrugën e emigrimit për arsye të qëndrimeve politike dhe të përndjekjes së sistemit komunist të kohës.
Më 1978, Tomë Mrijaj vendoset përfundimisht në Nju York, të SHBA-së ku edhe sot jeton e ndjek aktivisht zhvillimet në trojet shqiptare. Në fundin e viteve 70 shqiptarët në Nju Jork ishin ende të paktë në numër.
Aktiviteti z. Mrijaj në shërbim të cështjes kombëtare zhvillohet në disa drejtime. Si aktivist i palodhur ai i ka kushtuar me mijra faqe dëshmi të shkruara kushtuar personaliteve të shquara të diasporës shqiptare. Tomë Mrijaj është autor i disa librave të natyrës studimore, me profil historik. Qysh nga dita e themelimit, është anëtar i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro- Amerikanë në ShBA.
Ai ka shkruar libra monografikë artikuj dhe studime të ndryshme pothuajse për të gjithë personalitetet shqiptare në Amerikë. Të tillë kanë qenë shkrimtari dhe studiuesi i shquar mons dr. Zef Oroshi, themeluesi dhe drejtuesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, juristi Kapidan Ndue Gjomarkaj, prof. Zef Nekaj, prof. Arshi Pipa, prof. Luan Gashi, prof. Rexhep Krasniqi personalitet i shquar dhe Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, gazetarja e famshme Nexhmije Zaimi, personaliteti i shquar i botës shqiptare dhe lider i diasporës në SHBA meshtari dom Anton Kçira etj.
Emrin e Tomë Mrijajt e mbajnë këto botime: Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2021, Shkodër (ribotim), Një jetë i përgjuar. Dosja e sigurimit e Mons.Dr. Zef Oroshit, Volaj, Shkodër 2020, Log Kuvendit në trinomin fe – atdhe – perparim – Mons. dr. Zef Oroshi, Shkodër, 2019, Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, Tomë Mrijaj, Leonora Laçi, 2018, Dom Anton Kçira në jubileun e 50 – vjetorit të meshtarisë, Shkodër, 2017, Gjeneza e Familjes Mrijaj, Kujtime, Shkodër, 2015, Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2009 Nju York, Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004, Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës, Monografi, botuar në Nju York, 2004, Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut, Monografi, botuar në Shkodër, 2002, Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha, Monografi, Nju York, 2002. Sërish në kuadër të shërbimit që ai I bën kombit ishte pjesëmarrja e tij në muajin qershor në tri sesionet shkencore që organizoi Shoqata e Intelektualëve “Trojet e Arbërit”, aktivitete kushtuar tre personaliteteve të historisë së kombit tonë: Mustafa Krujës, Monsinjor Dr. Zef Oroshit dhe Kapidanit Mark Gjon Marku. Në jetëshkrimin e saj kjo shoqatë ka botuar afro 20 përmbledhje shkencore librash prej mbi 350 studiuesish dhe ka mbajtur aktivitete të ndryshme shkencore në qytete të ndryshme në Evropë, Kosovë e Shqipëri. Tomë Mrijaj është një ndër eksponentët kryesorë të kësaj shoqate. Në mjediset e hotel “Luxori” në Prizren u mbajt Sesioni shkencor kushtuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë Mustafa Kruja, në Hotel “Lisa” në Lezhë u mbajt një sesion kushtuar Themeluesit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju York Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe një Sesion tjetër për Kapidanin Mark Gjon Marku, në Qëndren Kulturore për Fëmijë “Gjergj Lacaj” në Lezhë
Në sesionin kushtuar Mustafa Krujës, mbaji një kumtesë edhe z. Mrijaj I cili kishte udhëtuar nga Amerika për të qenë i pranishëm në këto aktivitete. Fjala e tij titullohej: “Dritë fragmentale e jetës dhe e veprimtarisë patriotike dhe enciklopedike e burrështetasit Mustafa Merlika Kruja”.
Më tej sesioni vijoi me sesionin kushtuar mons. dr. Zef Oroshit. Në këtë ngjarje morën pjesë shumë të ftuar, klerikë, studiues dhe historianë, publicistë etj. I pranishëm ishte edhe biografi dhe miku më i afërt i mons. dr. Zef Oroshit, nga Nju Jorku, z. Tomë Mrijaj i cili ju drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: “Në fillim dua të falënderoj Kryesinë e Shoqatës sonë, të cilët me nderuan shumë, duke më lënë të bëj hapjen e këtij Sesioni Shkencor kushtuar figurës së shquar të klerikut katolik mons. dr. Zef Oroshit. Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot po ia kthen një borxh të vogël një meshtari të madh, që gjithë jetën ia kushtoi trinomit: Fe-Atdhe-Perparim. Në mënyrë telegrafike po bëj një parakalim të shpejtë të jetës së meshtarit tonë ndër vite plot fitore dhe suksese, në të mirë të trojet shqiptare për shumë dekada. Unë nga zemra, ftoj të gjithë ata dashamirë të historisë dhe kulturës shqiptare, që duan të hulumtojnë dhe botojnë punimet e tyre serioze historike mbi jetën dhe veprën e meshtarit të shquar mons. dr. Zef Oroshit, për ato 11 vite të pandriçuara në vendlidjen e tij në Mirditë, unë ua mundsoj botimin e librave të tuaja. Më tej ai vijoi me kumtesën: ”Trashëgimia shpirtërore e monsinior dr . Zef Oroshit (1912-1989)”. Pas përfundimit të Sesionit një delegacion i “Trojeve të Arbërit” qe kryesohej nga Tomë Mrijaj zhvilluan homazhe pranë bustit të mons. Oroshit, bust i cili është përuruar muaj me parë në Lezhë. Lidhur me aktivitetin e figurave të shquara të kombit z. Mrijaj do të shprehej: Në vitin 1962, meshtari dhe personaliteti i shquar i letrave shqipe mons dr. Zef Oroshi filloi të botoi revistën kulturore fetare “Jeta Katolike Shqiptare”, ku, spikatën penat e shquara të mendimit intelektual shqiptar. Monsinjor Oroshi e mbante në makinën e vet ciklostilin e botimit të revistës. Ai punonte me shumë përkushtim për revistën, sepse sipas tij ajo ishte edhe historia e komunitetit katolik shqiptaro amerikanë, për brezat që do të vijnë në SHBA. Në këtë mënyrë, patrioti dhe kleriku i shquar, dr. Oroshi, mblodhi shqiptarët rreth Qendrës Fetare Kulturore të kishës katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”, Harsdale Neë York), që u bë një vatër e ngrohtë e atdhedashurisë dhe e mallit për vendlindjen”. Këto dhe shumë dëshmi të tjera ndodhen në faqet e librave të botuara dhe që mbajnë autorësinë e aktivistit patriot, njeriut të papërtuar dhe veprimtarit të përkushtuar, Tomë Mrijaj.