• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Petrit Velaj, nuk e mposhtën 37 vite burgimi dhe 5 vite internimi

January 9, 2018 by dgreca

PETRIT VELAJ KANINJOTI KA RUAJTUR LIRINË NËN TRYSNINË E DRAPËRIT DHE ÇEKANIT/Libri 2 P. Velaj

 Mos pyesni si vdiq Petrit Velaj, por tregoni si rrojti ai, se jeta e tij qe shembulli i një luftëtari dhe qëndrestari antikomunist. Atë nuk e mposhtën 37 vite burgimi dhe 5 vite internimi./
Libri P. VelajNga Enver MEMISHAJ/Petrit Velaj Kaninjoti, një nga burrat më të nderuar të Vlorës, kaloi në amëshim më 11 shtator të vitit 2017. U shkëput nga radhët e burrave që i japin emër vendlindjes, nje personalitet si ai, shembulli i një luftëtari antifashist, luftëtari antikomunist, qëndresatar në bugjet e zeza komuniste, njeriu që i ngriti aktakuzën sistemit diktatorial komunist, aktivist i shquar shoqëror, i pa lodhur si agjitator dhe propagandist kundër sistemit diktatorial, publicist, botues i veprave me kujtime të vlefshme. Një personalitet të tillë është vështirë t’ia paraqesësh publikut brenda kufijëve të një artikulli të vetëm, pasi ka aq shumë për të treguar për jetën dhe veprën e tij, sidoqoftë ky artikull le të shërbejë për të tërhequr vëmëndjen e botës shqiptare që heshti para humbjes së një personaliteti të tillë si Petrit Velaj.

*      *      *

Petrit Velaj kishte lindur në vitin 1924, në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku kishte pronat Ahmeti babai tij nga Kanina. Petriti rrojë gjatë plot 93 vjet, por jeta e tij qe një luftë e vërtetë, sapo la pushkën me të cilën kishte luftuar kundër fashizmit në radhët e Ballit Kombëtar si udhëheqës i rinisë prandaj që gjatë luftës komunistët e kishin dënuar me vdekje. Në kohë paqje komunistët i vunë prangat dhe e mbajtën 20 vjet në burg. U lirua  në vitin 1965 dhe e internuan. Në vitin 1972 e dënojnë për herë të dytë me 10 vjet burg. Në burg ridënohet dhe kështu ai vuajti si askush tjetër plot 37 vjet burg dhe 5 vjet internim. Doli nga burgu i tretë në vitin 1989. Vuajtja e burgut nuk e mposhti, duket sikur e forcoi më shumë këtë burrë të Vlorës e për këtë flet jeta e tij e gjatë. Në kujtimet e tij të botuar në dy vëllime “Një dritare burgu” në vitin 1994 dhe “Nga prangat në demokraci”, në vitin 1996, sponsorizuar nga vlonjati patriot Pëllumb Shehaj.

Në veprat e tij autori tregon jo vetëm vuajtjet e burgut në Burrel dhe në të gjitha kampet e përqëndrimit komunist, por e veçanta e veprës së tij është se ai përshkruan qëndresën e patriotëve shqiptar në burgjet e zeza të Hysni Kapos, Koçi Xoxes e Kadri Hazbiut.

Duket sikur vepra e tij nuk flet për vuajtjet dhe qëndresën e tij, por për të gjitha ata patriot shqiptar antikomunist që dergjeshin si ai, nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi komunist.

Pra pjesa më e madhe e veprës së tij flet për shokët e prangave e kjo është vlera e veprës së tij. Të dy librat e tij përbëjnë një enciklopedi të vlefshme të vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën shqiptarët nën regjimin diktatorial komunist.

Petriti na jep shembuj të shumtë të krimeve dhe terrorit komunist, shëmbuj me emra dhe mbiemra, me data dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja, sepse ai do të nxjerrë në pah ideologjinë terroriste, çnjerzore të komunistëve shqiptarë që mbi çdo gjë, familjen dhe atdheun vinin partinë.

“Më 16 tetor 1943 në Tragjas, shkruan Petrit Velaj, u goditëm pabesisht nga forcat komuniste… Komunistët po digjnin shtëpitë e ballistëve të fshatit… Midis flakëve e krismave të mitrolozëve  dëgjuam ulërimën e grave. Studenti i Normales së Elbasanit Lufter Hoxha me një pishë në dorë nxorri zvarrë gratë nga shtëpia e babit të tij Tahir Hoxhës dhe i vuri flakën sepse babai ishte ballist…” f.34                                                                                                                     Këtë akt çnjerëzor komunist e ka përshkruar edhe Lirin Hoxha, djali vogës i Tahir Hoxhës: “Më 16 tetor 1943, shtëpitë e Tahir Hoxhës, ballist, në Fushën e Tragjasit u goditën befasisht nga partizanët nga Kalaja e Tragjasit. Për fat të keq, në djegijen e shtëpive muarën pjesë edhe fëmijët e tij komunistë”. (Lirim Tahir Hoxha “Mes dallgëve”, Erik, Tiranë 2006, f. 32)

Më tutje Patriti vazhdon: “Kur unë do të dilja para gjyqit, prokuror do të kisha të birin e ballistit Tahir Hoxha, komunistin Lufter Hoxha që kërkoi dënimin tim me vdekje. Në qelinë e burgut isha lidhur së bashku me Tahir Hoxhën, babanë e Lufterit, i cili më tha: “Më vjen keq more bir që të dënuan kaq shumë”. “Zoti Tahir , ja ktheva unë, Petritër ka plot Shqipëria, por uroj që Shqipëria të mos ketë Lufterë…” f.48.

Në kujtimet e tij zënë vend një mori personazhes të kohës së luftës dhe të kohës së paqes. Kështu psh ai tregon për arrogancën e kriminelve Hito Çko dhe Qatip Dervishi, ndërsa në pyetje e mori Namik Cakrani që kishte për grua kushërirën e parë të Petrit Velajt. Ishte po ky Namik Cakrani që kishtëe dënuar babanë e tij ballist me vdekje, ndaj edhe unë nuk mund të prisja gjë prej tij.

“Drejtor të burgut, shkruan më tej ai, ishte Muço Maska nga Kropishti, një injorant dhe zemërzi. Ky komunist na u pështiros pasi e shihnim me sytë tanë si plaçkitës së të burgosurve që pushkatonte… Kështu ndodhi edhe me orën e florinjtë të xhepit të Hamdi Çepratit. Pasi i mori sahatin Hamdiut, kur e pushkatuan, e tregonte në oborrin e burgut…” f.44

Ndërsa për kryetarin e gjyqit komunistin Qemal Klosi Petrit Velaj shkruan: “Në kohën që vëllai tij ballist Sulo Klosi po varej në litar në Rubik si “sabotator” Qemali dënonte ballistët vlonjatë me vdekje…” f. 45

Një vënd të veçantë zenë shokët e tij të prangave si Bego Gjonzeneli, Maliq Koshen, Stiliano Gaxho, Tahir Hoxha, Kamber Durmishi, Mustafa Mysliu, Hamdi Gjoni… Bedri Spahiu, Patër Meshkalla,  shokët që kishte punuar bashkë me ta për përkthime, Kudert Kokoshi, Arqile Tasi, Foto Bala, Pjetër Arbnori e shumë të tjerë.

Në librin e dytë “Nga prangat në demokraci”, ai ndalet në portretet e shumë personazheve historik të kohës së luftës dhe të kohës së paqes si Tol Arapi dhe djali tij Vllas Arapi, Qazim Kokoshi, Hysni Lepenica, Skënder Muçua etj. Gjithashtu ai jep një histori të shkurtër të Ballit Kombëtar të Vlorës dhe përshkruan Shoqatën Atdhetare e Kulturore “Ismail Qemali”

Amaneti vëllit të tij Hulsi Velaj i pushkatuar nga komunistët e ndoqi nëpër qelitë e errëta komuniste: “Më mirë të dalësh që këtij një kufomë e vdekur, por e ndershme…”

*      *     *

Në vitet e demokracisë, Petrit Velaj, rilindi me energji të pa shtershme,  ishte një aktivist i shquar shoqëror, themelues dhe organizator i Shoqatës së të Burgosurve Politik, i Partisë Balli Kombëtar, i Shoqatër “Kanina”, por veçanërisht ai dha kontribut në Shoqatën Kulturore e Atdhetare “Ismail Qemali”, në të cilën deri ne fund të jetës së tij mbajti vendin e nënkryetarit, kur kryetar ishte personaliteti i shquar, “Mjeshtri Madh”, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe kryetare nderi personaliteti i shquar i kulturës sonë kombëtare Nermin Vlora Falaski.

Unë e njoha Petrit Velaj në dhjetor të vitit 1990, për njohjen tonë ai shkruan: “Ato ditë dhjetori 1990, një kushriri im më lajmëroi se po më kërkonin në Vlorë. Vajta dhe takova miqtë e mi Hysni Alimerko e Burim Kokoshi. Biseduam edhe për organizimin e të përndjekurve politik. Më erdhën në shtëpi përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Vlorës: Afrim Jupi, Aleks Tahiri, Enver Memishaj. Mora pjesë në demonstratat e mitingjet që u organizuan në qytetin e Vlorës në Sheshin e Flamurit” f. 120.

Kështu Petrit Velaj ishte zgjuar nga errësira e burgjeve  dhe ai doli në vijën e parë të luftës, punës dhe përpjekjeve për të përmbysuar diktaturën klomuniste. Jam krenar që pata një mik si ai, jam krenar që në udhën e demokracisë eca me nje atdhetar e luftëtar të pa mposhtur për liri e demiokraci. Ai ishte i gjallë e optimist një cilësi që siç thotë ai i kishtë vënë re edhe ajo patriotia dhe luftëtaria e madhe Musine Kokalari e cila i paska thënë: “Më pëlqen optimizmi yt. Ky optimizëm është ushqim i madh shpirtëror për ty”. I tillë ishte Petriti me fjalën dhe mendimet e tij ta bënte dill edhe kur kishte ngrica.

Me Petrit Velaj kalova 27 vjet të jetës sime, por edhe kjo pjesë e jetës në luftë, në përpjekje, në mos kuptime e keqkuptime, në agjitacin dhe propagandë jo me njeri tjetrin, por me bashkudhëtarët tanë, me shokët e idealit, por edhe me kundërshtarët tanë komunist, apo siç u quajtën më vonë socialistë. Ku s’kemi shkuar e ku s’kemi vajtur me Petritin, në fshat e në qytet, te fshtari e te intelektuali. I tillë ishte Petrit Velaj, i pa mposhtur para asnjë vështirësie. Ndërmjet shumë takimeve ai flet për takimin e pa harruar që organizoi prof.dr. Bardhosh Gaçe në krye të Shoqatës “Ismail Qemali”, për t’u takuar e biseduar me të pa harruarën Nermin Vlora – Falaski në Dhërmi. “Së bashku me Bardhosh Gaçen, Skënder Zogën, Hamz Morinën, kosovar, Enver Memishaj, Liljana Gjikën, e ndonjë tjetër po shkonin drejt Dhërmiut për t’u takuar me zonjën Nermin Vlora. Na priste në hollin e hotelit të ri. Takimi ishte i bukur dhe interesant”. f.135

Edhe unë kam kujtime të pa shlyera nga ai takim  me atë grua që rrezatonte një bukuri mahnitëse, por në shpirt dhe në mëndje ajo shkëlqente më shumë, por cilësia që e bëri të dashur dhe të respektuar për ne ishte dashuria që ajo kishte për Shqipërinë dhe gjyshin e sajë, babain e kombit shqiptar Ismail Qemalin.

Në vitin 1994, kur botoi librin isha nga të parët që ma dhe me dedikim: “Ja dhuroj si kujtim mikut tim të dashur z. Enver Memishaj, atdhetarit dhe demokratit të pa lodhur për çështjken kombëtare. Me ndjenjën e respektit Autori, firma”.

*      *      *

Janë të shumtë personalitetet që kanë foluar e kanë shkruar për veprën jetsore të Patrit Ahmet Velaj. Brenda kufijve që na lejon artikulli po përmendim disa prehj tyre:

Nermin Vlora Falaski, që ka bërë edhe parathënin e librit të parë ndërsa Fatos Arapi është redaktor,  e ka portretizuar Petrit Velajn me këto fjalë: “Petrit Velaj është ai që ka ruajtur lirinë, duke mbetur i lirë në konditat e atij njeriu që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij i shtrydhuar midis drapërit dhe çekanit… është ai që ka ditur t’i numuroi yjet në errësirën e burgut… është ai që ka përvetësuar rrezet e diellit me telepatine e ngjyrimeve emocionale… është ai që ka lindur i lirë dhe ka mbetur i lirë… është ai që do të jetë i lirë përgjithmonë”.

Avokati njohur Spartak Njgela shkruan me dashuri: “Është nder për mua që më jepet rasti të flas për Petrit Velaj… Mirënjohje ndaj tij për optimizmin që e ka karakterizuar gjithmonë… Ai dinte të bënte analiza të sakta… Ideali pastër i kishte mbetur i pa prekur dhe kultura e shëndoshë që ka në sensin human e kanë prurë në objektivitetin historik në trajtimin e fenomeneve. Ishte optimist por ngahere këtë optimizëm nuk e ka lidhur me fatin e tij por me fatin e gjith shoqërisë. Kam njohur tek ai demokratin e vërtetë që respekton mendimin e kundërt”.

Agim Musta shoku i prangave shkruan: “Asnjëherë s’e pashë të vrejtur, por gjithmonë buzagas e optimist. Përherë të gatshëm për të ndihmuar bashkëvuajtësite rinj, për të njohur kulturën europiane  dhe të vërtetën e tragjedisë së jetës shqiptare. Midis të burgosurve ishte simbol për forcën e vullnetit  dhe për energjinë e pashtershme”.

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti “Petrit Velaj e kujtoj si patriot të përflakur. Ishte njohës i historisë së popullit të vet. Edhe sot ia dëgjoj zërin kumbues kur flistë për Kosovën e Çamërinë, tradhëtinë që iu bëri atyre komunizmi”.

Shkrimtari Shefqet Tigani “Një jetë e tërë e kaluar në skëterrë, në tortura dhe presione psikologjike demoniake. Ai nuk u përkul, nuk u mposht. Sot është krenar në ditët e demokracisë, vital, energjik, i kudondodhur, me shokë, miq e të afërm”.

Shkrimtari Faruk Myrtaj “Petrit Velaj është njeri nga Mandelët e Shqipërisë… Nuk mendon për hakmarrje por për drejtësi… Dje atdheu e thirrë nën armë sot ai është thirrur nën penë  me kushtrimin qytetar të këtij profesioni. Këtij populli i duhet publikuar humanizmi i Petrit Velaj… Në fund të fundit ky është misoni i të urtëve, i atyre që kanë pranuar të vihen nën penë…”.

Pas vitit 1990 Petrit Velaj u vlerësua dhe u dekorua nga Presidentët e Shqipërisë si luftëtar antifashist, si qëndrestar antikomunist dhe si aktivist i shquar shoqëror.

 

 

 

 

 

 

Petrit Velaj me Nermin Vlorën                                       Petrit Velaj me familjen

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj, i pamposhtur, Petrit Velaj

FILLIMI I LËVIZJES DEMOKRATIKE NË VLORË NË VITIN 1990

December 7, 2017 by dgreca

Në kuadër të dhjetorit ’90 që solli ndryshimet epokale/
1 Enver Memishajenver-memishaj„Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë… “/Afrim JUPI/

 Nga Enver Memishaj/Këto shënime nuk përbëjnë historinë  e pa kritikushme të fillimit të Lëvizjes Demokratike në Vlorë  dhe as të themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës, por ato janë shënime, kujtime, për ç`farë kam jetuar unë me emocione të pa përsëritshme, ç`farë  kam parë dhe ç`farë kam dëgjuar për ato ditë të paharruara, ku edhe kam marrë pjesë.

*     *     *

Vlora u zgjua në saje të lajmeve  që vinin nga Tirana nëpërmjet radjos, televizionit por sidomos nëpërmjet studentëve vlonjatë dhe  qytetarëve që shkonin e vinin atje. Një rol të rëndësishëm luajtën edhe radjot dhe televizionet e huaja që flisnin në gjuhë shqipe apo edhe në gjuhë të huaj.

Vuajtja dhe mjerimi që kishte pllakosur qytetin e Vlorës, si gjith Shqipërinë, ishte një tokë e begatëshme ku mbiu guximi dhe trimëria për tu ngritur kundër diktaturës.

Studentët vlonjatë muarën pjesë masivisht në Lëvizjen Demokratike, përfshi edhe vajzat, ndër të cilët përmëndim:  Mimoza Ferra, Herkole Sava, Yzeir Muço, Enela Pici, Ardi Stefa, Arjan Nika, Adrian Kollozi, P.Zeqiri, D. Shtylla etj

Janë shumë ata që sillnin lajme nga Tirana, dhe që ushtronin propogandë për të ngritur njerzit kundër regjimit diktatorial, ashtu siç po bënin studentet në Tiranë të përkrahur nga qytetarët atje.

Pas themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë, më 12 dhjetor 1990, vlonjat me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë që të mos mbeteshin pas nga shtetasit e tjerë. E ndienin se po afronte ndryshimi i madh se Partia e re po hapte për vëndin një epokë të re. Atje shkuan  shumë individë.

Alfred Ziaji, i cili duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon lozi një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë.

Bilal Çela tregon se: Në dhjetor të vitit 1990, unë ishja shef i financës së Kooperativës Bujqësore të Nartës. Këtë muaj, atje u hodhën  trakte  kundër diktaturës komuniste… Kjo  ngjarje më nxiti që më 20 dhjetor 1990, të shkoja në Tiranë dhe të takoja Arben Imamin, Gramos Pashkon dhe Azem Hajdarin. Ata më pyetën në se e njihja Alfred Ziajin, futbollistin e famshëm të “Flamurtarit“ ?  U përgjegja se jo vetëm e njihja por e kisha edhe fqinj, atëhere më dhanë një autorizim dhe më thanë të krijoja seksjonin e PD-së dhe të prisja se ata do të vinin në Vlorë për të themeluar Partinë Demokratike.

Atje shkoi edhe Aleks Tahiri zotekniku i Kooperativës Bujqësore të Mesaplikut, pasi kishte formuar seksjonin e Partisë Demokratike në krahinën e Smokthinës.

Në Tiranë ka shkuar edhe Ajeti, djali i Ventigjar Hamzarajt i dërguar për informacion nga i ati dhe Roland Tafili.

Më 21 dhjetor 1990, kanë shkuar në Tiranë edhe dy inxhinjerë të Fabrikës së Çimentos, Fatos Veipi dhe  Mario Sota të cilët kanë marrë autorizim prej Azem Hajdarit për formimin e seksjoneve të Partisë Demokratike në Vlorë.

Të dy këta inxhinjerë sapo u kthyen nga Tirana bashkëpunuan ngushtë me shokët e tyre Alfred Ziajin dhe Ferdinand Sulën, duke u bërë kështu eksponent të themelimit të Partisë Demokratike. Ferdinand Sula më pas do të dilte në krye të Sindikatave të Pavarura të qytetit të Vlorës.  Atje shkuan edhe shumë qytetarë të tjerë vlonjat.

Më 21 dhjetor 1990 një grup i Ndërmarjes së Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz i përbërë prej drejtorit Afrim Jupit, shefit të planit Manol Bono, përgjegjësit të ofiçinës Maksim Hitaj, mekanikut Asllan Shakaj, me makinën që drejtohej nga shoferi Koço Ninia shkuan në Tiranë dhe në kushtet e vështira të kohës mundën të takohen me udhëheqësit e Partisë Demokratikë Azem Hajdarin e Sali Berishën i cili ishte shprehur: Ne Vlorën kemi pritur!

Kështu, në Vlorë,  fillojnë të lëvizin, të bisedojnë, të komentojnë dhe në fund të organizohen pothuajse në të gjitha ndërmarjet e qytetit.

Por edhe Komiteti Partisësë Punës nuk flinte, ai organizonte mbledhje me punonjësit e ndërmarjeve të ndryshme, për të sqaruar “drejtësinë” e vijës politike të Partisë së Punës dhe për të qënë vigjilent ndaj “propogandës armiqësore”, kundër sistemit socialist!?

Si shembull po tregojmë mbledhjen  në Ndërmarjen e Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz:

Kjo ndërmarje e drejtuar nga inxhinjeri Afrim Jupi ishte e para  dhe që u përfshi  tërësisht në Lëvizjen Demokratike. Afrim Jupi ishte drejtori parë dhe i vetmi në Vlorë, që  u nda prej ideologjisë komuniste dhe u vu në udhëheqie të Lëvizjes Demokratike dhe më vonë të Partisë Demokratike, së bashku me: Manol Bono, Irma Halili   Nexhat Veipi, Asllan Shakaj, Maksim Hitaj, Vjeni Aliaj etj.

Zëri i Ndërmarjes së Shpim Kërkimit për Nafte dhe Gaz po ndihej e dëgjohej gjithnjë e më shumë në qytetin e Vlorës, prandaj në këtë ndërmarje shkuan autoritetet më ta larta të Partisë dhe Pushtetit të Rrethit: Sekretari i parë sh. Halil Hasko nga Dukati, Kryetari Komitetit sh. Luan Muhameti nga Mazhari, me dy instruktorë Kujtim Sulçe dhe Spiro Lula.

Në tribunë me ta ishte drejtori ndërmarjes Afrim Jupi dhe sekretari partisë Bashkim Seiti, i cili merrte informacion prej të vëllait tij ambasador dhe ua trasmentonte shokëve të ndërmarjes, duke kaluar edhe ky në përkrahje të Lëvizjes Demokratike.

Të gjith kishin dhe shprehën të njëjtin mendim se politika duhej ndryshuar sa më parë.  Të shprehje në atë kohë një mendim të tillë kur mungonte absolutisht liria e fjalës ishte një heroizëm që duhet vlerësuar dhe duhen kujtuar me respekt ata nëpunës të asaj administrate.

Mbi të gjithë ushtonte zëri i të ndierës Irma Halili, bijë e një komunisti nga Gumenica e Vlorës dhe bashkëshorte e një oficeri. Ishte krijuar për të rënë në sy.  Zoti e kishte lindur këtë femër me të gjitha cilësitë që i duhen njeriut për të „mbretëruar“ E kisha takuar pak herë këtë grua të zjarrtë nëpërmjet mikut tim Manol Bono. E aftë nga ana profesionale, po punonte për të marrë doktoraturën në ekonomi, e respektuar, e gjallë, shoqe e klasit të parë, e bukur si ajo, ajo që në takimin e parë të linte mbresa të thella.

Pse ishte e tille Zoti e mori shumë shpejt pranë vehtes, në një moshe fare të re, duke lënë në pikëllim dy fëmijët e sajë, burrin, prindrit dhe motrat. Tek shokët dhe shoqet e sajë që e njohën dhe patën fatin të punonin me të ajo la mbresa të pa shlyera. Ajo e para dhe me guxim pyeti komunistët Halil Hasko dhe Kujtim Sulçe:

– Ç`të keqe ka që të futemi në ekonominë e tregut si gjithë Europa?

Halil Hasko i ktheu përgjigjen standarte:  “Kjo ndërmarje paska rënë në dorë të armikut dhe kjo vajzë kërkon përmbysjen e pushtetit popullor”!

– Po, tha trimëresha shqiptare, veçse atë nuk e kërkoj vetëm unë, por i gjith populli shqiptar.

Pas Irmës, u  ngrit komunisti Thanas Vëngu, fytyrat e Halil Haskos dhe Kujtim Sulçes u gjallëruan, por u gënjyen, sepse Thanasi ua “plasi në dorë bombën” udhëheqësve të partisë.

Thanasi ishte demokrat i lindur. Thanasi siç thotë populli, “e vuri parpara” udhëheqien e Partisë  dhe u bë promotorri asaj mbledhje të paharruar.

Pas tij u ngrit Manol Bono, ekonomist i njohur, që dinte të bisedonte shtruar me popullin duke u ulur në nivelin e tij dhe duke u bërë kështu një figurë shumë e dashur dhe nderuar nga të gjithë. Manolin e  kisha mik ja njihja mënçurine dhe guximin. Bashkë kishim kryer studimet pasuniversitare dhe bisedonim vazhdimisht për varfërinë dhe mjerimin që kishte pllakosur vëndin.

Inxhinjeri Selim Kondi me atë gjuhën e tij prej Ezopi.  Me të njëjtën gjuhë trimërore folën: Maksim Hitaj, Asllan Shakaj, Agron Delia, Vjeni Aliaj, Nexhat Veipi etj.

Kështu pra shumë punonjës të kësaj  ndërmarje ju futën udhës së demokracisë  me guxim dhe nuk u tërhoqën asnjëherë, pavarësisht dallgëve të jetës.

Afrim Jupi me guxim e shndërroi ndërmarjen  që drejtonte në një qëndër të zjarrtë për përmbysjen e diktaturës komuniste. Ai nuk u tërhoq përpara kërcënimeve dhe shantazheve, me guximin e tij, me mënçurinë e tij, me autoritetin e tij, ai shumë shpejt u bë figurë qëndrore e demokratëve të Vlorës dhe ata i besuan atij udhëheqien e Partisë Demokratikë, detyrë të cilën e kreu me nder duke mbetur në historinë e qytetit të Vlorës përgjithmonë.

Para se të hypte në tribunën e e mitingut madhështor të 6 janarit 1991, që organizonte Partia Demokratike, atë e kishte thirrut Lavdosh Ahmetaj, Miniustër i Energjitikës dhe i kishte thënë:

– Afrim nuk të shoh dot në atë tribunë, tërhiqu!

– Edhe unë – i tha Afrimi  – nuk të shihja dot ty për 50 vjet rresht në tribunat e Enver Hoxhës.

Kështu ishte mbyllur kjo bisedë.

*     *     *

Në Uzinën e Sodës një burrë trim, Dashamir Frakulla, në atë kohë përgjegjës i Repartit të Elektrolizës, në gusht të vitit 1990, kishte udhëhequr të gjithë punëtorët e këtij reparti për të bërë një peticion qeverisë, me kërkesa ekonomike për rritje pagash, leje vjetore, përmirësimin e kushteve të punës etj.

Për kohën, kjo ishte nje ngjarje e jashtzakonëshme, s`kishte ndodhur më parë, prandaj Policia Sekrete e quajti punë armiqësore sepse drejtohej kundër politikës së Partisë së Punës.

Për këtë arsye, shteti komunist u alarmua. Në Uzinin e Sodës dhe PVC erdhi vetë anëtari Byrosë Politike të Partisë së Punës Besnik Bekteshi, për të zbuluar “aktivitetin armiqësor” që po mundohej të zhvillonte armiku i klasës!?

Sigurimi i Shtetit u angazhua të gjente se kush ishte ideatori dhe organizatori këtij peticioni. Pas hetimeve dhe informacioneve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që sot njihen, por mendojmë t`i bëjmë të ditur në një material tjetër,  rezultoi se ai që kishte organizuar nënshkrimin e këti peticioni “armiqësor” ishte Dashamir Frakulla, për të cilin hapën një  proçes hetimor.

Dashamiri u thirr në hetuesi nga Lulo Imeri dhe ju bë presion mizor që të tregonte se kush fshihej pas tij dhe cilat ishin qëllimet  e vërteta të peticionit. Ai shpëtoi për mrekulli, sepse një grua mënçur, Gjenovefa Gaba, në atë kohë prokurore, refuzoi  firmosjen e  arrestimit të tij.

*   *   *

Edhe ndërmarjet e tjera, vlonin nga idetë e reja.  Një punë të madhe bënë disa guximtarë dhe largpamës:

në Ndërmarjen Pyjore: Ëngjëll Binaj,

në Ndërmarjen e Grumbullimit: Pajtim Xhelo, Enver Memishaj, Fatmira Jakupi, Lefter Berdo, Vaso Suli,

në Ndërmarjen e Naftës: Tomorr Xhindi, Pajtim Memushi, Ëngjëll Hasimaj, Nuri Llanaj,

në Ndërmarjen e Përpunim Drurit: Kujtim Ziaji, Filip Angjeli e Qemal Hitaj,

në Parkun e Mallrave: Petrit Golemi, Edi Sofia, Aldo Deneko, Artur Gjidede

në Ndërmarjen e Kripës: Tasim Likaj, Namik Jaho, Leka Boro, Arqile Kume, Mira Xhindi, Teuta Memishaj.

në Parkun e Industrisë: Neki Xhuveli, Marko Marko, Pajtim Sakaj, Miranda Ciruna,

në Uzinën e Sodë PVC: Dashamir Frakulla, Dukë Abazi, Marenglen Dervishi,  dhe Ferdinand Sula, Reparti elektrik doli në pararojë.

në Fabrikën e Llampave: Vilson Haxhiraj, Llazar Basko

në Fabrikën e Çimentos: Fatos Veipi, Mario Sota

në Fabrikën e Tullave: Gafur Shameti, Piro Aliraj dhe Sabaudin Xhyheri

në Ndrëmarjen Elektrike: Agim Kadiu, Agim Meli

në Ndërmarjen Komunale: Vaso Grabovari, Agim Ahmetaj, Luan Memishaj

në Portin Detar: Kostandin Ndini,

në Ndërmarjen e Serave: Bastri Sofia dhe Reshat Kripa

në Fermën e Llakatundit: në krye ishte i palodhuri Thoma Bollano, Petref Lameborshi, Lulëzim Petani, Meçan Meçani, Delo Meçani

në Arsim: Kosta Paço, Agron Mema, Bajram Karabolli, Agron Shehu, Luan Shakaj, Shpëtin Xhyheri, Ymer Yzeiri,  Bedri Shaska, Petrit Stefa, Banush Bani, Genc Panozaqi, Bebi Kutulla, Elidon Muka,  Dr. Sezai Bazaj, Dr. Abedin Elmazi, Dr. Tasim Likaj, Dr. Selman Lamaj

në Spitalin e Vlorës: Ymer Hoxha, Kristaq Pavli, Luter Nuraj, Kosta Koçi, Servet Kojdheli ,  Lefter Gjergji.

në Komitetin Ekzekutiv Adhurim Musaraj.

Në Lëvizjen Demokratike një rol të rëndësishëm luajtën të burgosurit dhe të persekutuarit politikë si Ventigjar Hamzaraj, Hysni Alimerko, Reshat Kripa, Besnik Kripa, Fari Shaska, Klito Lamaj, Dino Alemi, Astrit Xhaferi, Sefer Dauti, Pelivan Azizi, Fari Shaska,

Po kështi një rol të rëndësishëm luajtën sindikalistët si Ferdinand Sula, Dashamir Frakulla, Neki Xhuveli, Ymer Yzeiri, Kosta Paço.

Nuk pretendojmë se janë vetëm këta që vrapuan të parët në përkrahje, mbrojtje dhe aktivitet të Partisë Demokratike.

Të pyetur nga ana ime se kush qenë të parët që erdhën në PD- Afrim Jupi dhe Roland Tafili u përgjegjën njëzëri:

“Ishin lumë njerëzish dhe ne  nuk mund të veçojmë  asnjë…”

 

Parhapja e lëvizjes demokratike në fshatra

Në Smokthinë e Mesaplik, zotekniku Aleks Tahiri, sapo mori vesh themelimin e Partisë Demokratike në Tiranë më 15 dhjetor 1990, themeloi Partinë Demokratikë në Smokthinë me dyzet anëtarë, ndërmjet të cilëve përmëndim: Elham Meçe, Viron Hoxha, Delo Sulçe, Zija Deromema, Bekim Zotaj etj.

Pas këtij veprimi, më 17 dhjetor 1990, Aleksi me listën në dorë shkoi në Tiranë dhe u takua me Azem Hajdarin, Gramos Pashkon dhe Sali Berishën, të cilëve u dorëzoi listën e anëtarëve të PD-së së Smokthinës

Në Nartë, tregon Bilal Çela, ku unë punoja si shef finace ishin  hedhur trakte kundër regjimit. Erdhën ekspertë nga Tirana dhe Vlora, Lolo Ganiu e Agim Mema dhe dyshuan se këtë akt e kisha kryer unë me që kisha një vëlla të pushkatuar për motive politike. Andrea Çulla kryetar i kooperativës më pyeti se mos i kisha hedhur unë ato trakte të cilat i mohova sepse realisht unë nuk kisha lidhje me to.

Në Pilurin e largët, majë maleve dy studentë: Kristo Çipa dhe Lorand Mërkuri së bashku me katër fshatarë të tyre: Simo Çakalli, Stefan Prifti, Vasil Lapa dhe Pilo Boçi, ditën e Krishtlindjeve më  25 dhjetor  1990, shkuan në kishën e Shënmërisë të fshatit, ende pa u hapur dhe u betuan se themelonin Prtinë Demokratike, se do t`i qëndronin besnik njeri tjetrit dhe idealeve të Partisë.

Kështu që edhe në fshat disa njerës që mbi çdo gjë adhuronin lirinë ishin ngritur në këmbë. U dalluan: Në Lumin e Vlorës: Aleks Tahiri, Nesht Nguci, Jeto Matani, Dule Zotaj, Reshat Jazaj

në Sevaster: Avdul Shehu, Ajen Grabova, Luan Beqiri dhe Guri Shehu,

në Vllahinë – Gorisht: Bedri Shaska, Bajram Karabolli, Fari Shaska, Abedin Boraku, Ibrahim Vasiari, Xhemal Veliu

në Dukat e Tragjas: Neim Dano, Sheme Kondi,

në Cerkovine e Trevëllazër: mësuesit Ëngjëll Lamaj e Beshir Aliaj

në Nartë: Filip Taço e Bilal Çela

në Selenicë: Todi Dhamaj dhe vëllezërit Caushaj nga Gorishti

në Kotë: Fatmir Hodaj,

në Vranisht: Hamit Kongjini

në Novoselë: Jorgji Hysi

në Armen: Artur Hysi, Shpresim Kasaj

në Himarë: Kristo Çipa, Anest Dhimojani, Lorand Mërkuri,

 

Formimi i Komisjonit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike

Pasi kishin ndjekur me vëmëndje ngjarjet që zhvilloheshin në Tiranë, pasi kishin marre informacione nga studentët dhe qytetarët që vinin nga Tirana dhe pasi kishin studjuar gjëndjen e qytetit të tyre, në Vlorë dallohen dy grupe që synojnë të dalin në krye dhe në udhëheqie të popullit:

Grupi Afrim Jupit, që përbëhej nga: Afrim Jupi, Manol Bono, Maksim Hitaj, Irma Halili.

Grupi Roland Tafilit, që përbëhëj nga: Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj, Hasko Hoxha,

Ndërmjet këtyre grupeve qëndronte Alfred Ziaji, me njohje dhe shoqëri me grupin e Roland Tafilit,  i cili me porosi nga Gramoz Pashko i bashkoi të dy grupet.

Pranë këtyre grupeve qëndronin edhe qytetarë të tjerë me intuitën dhe dëshirën për t`u organizuar kundër regjimit, për një ndryshim të gjëndjes ku ishte katandisur populli, si Kristaq Pavli, Nestor Nepravishta, Vilson Çipi, Kreshnik Çipi, Mario Sota, Shkëlqim Alimerko, Enver Memishaj, etj.

Këta  nuk kishin dijeni të qarta se si do arrihej përmbysja dhe ndryshimi epokal por ata dashuronin lirinë, kishin intuitën, dëshirën, vendosmërinë, guximin dhe trimërinë.

Në kushtet e terrorit komunist kur Sigurimi i Shtetit përgjonte në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo shtëpi, çdo njeri, çdo familje dhe çdo fis, veprimtaria pothuajse zhvillohej ilegalisht.

Pasi u muar vesh themelimi i Partisë Demokratike në Vlorë dhe pasi u mësua se cilët qenë ata trima, shume miq, shokë dhe të njohur të tyre u drejtuan atyre me pyetjen: Pse s`më morët edhe mua në mbledhjen themeluese ?

Ata nuk e kishin zgjeruar mbledhjen për të ruajtur konspiracionin dhe pra për të mbrojtur veten. Megjith atë këta bij të denj të Vlorës e vranë frikën, prandaj kur unë përdor fjalën guxim dhe trimëri nuk bëj asnjë hiperbol por vetëm një realitet. Të gjith ata që e jetuan atë kohë mizore e dinë fort mirë se për çdo fjalë të lëshuar pa dashje apo me shaka kundër regjimit nuk i zinte gjumi me  netë të tëra se mos shoku apo miku i spiunonte, se mos vëllait apo motrës i shkiste goja dhe përfundoje në burg. Kudo në çdo hap që hidhte njeriu në atë sistem përgjonte burgu !

*   *   *

Sipas Roland Tafilit, Ylli Borës  dhe Fari Shaskës më datën 28 dhjetor 1990, një grup i përbërë prej Ventigjar Hamzarajt, Roland Tafilit, Hasko Hoxhës, Bujar Borshit, është mbledhur për të bizetuar për themelimin e Partisë Demokratike në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt.

Mihal Çela,  pasi kishte biseduar me Alfred Ziajin , Kreshnik Çipin dhe Vilson Çipin, vëllezër, kishte informuar grupin e Roland Tafilit  se pritej që të bëhej një mbledhje në shtëpinë e Kujtim Ziajit, babait të Alfred Ziajit.

Pra kordinatori dy grupeve ishte Alfred Ziaji, i cili  pasi  kishte biseduar me profesorin e ekonomisë, në Tiranë, Gramos Pashko dhe kishte marrë prej tij miratimin që të vinin të deleguar nga Tirana për  formimin e Komisjonit Nismëtar për Themelimin e Partisë Demokratike, caktoi ditën e shtunë më 29 dhjetor 1990 të takoheshin në shtëpinë  e tij

“ Më datën 29 dhjetor 1990 – tregon Bilal Çela – lash të dy djemtë përpara shtëpisë së Kujtim Ziajit, fqinjit tim, që të ruanin se mos vinin “mysafirë” nga Tirana. Aty nga ora 17 djemtë më thirrën e më thanë se kishin mbritur mysafirët.

Lajmërova fqinjin tjetër Manol Bonon dhe shkova në shtëpinë e Kujtim Zijajit, babait të Alfred Ziajit, në lagjen Varrosh, Rruga „Lef Sallata“.

Autoi këtij libri, e njihte mirë çiftin e bukur Ziaji, Kujtimin dhe Irfanen pasi kishin punuar së bashku në  Ndërmarjen e Përpunim Drurit, afro 10 vjet. Çifti ishte prerë për njeri tjetrin, të  bukur të dy, por bukurinë më të madhe e kishin në shpirt dhe në sjelljen e tyre. Kujtimi kishte humbur dy vëllezër, në kushte që nuk u sqaruan asnjëherë dhe për këtë ai shikohej si „armik populli“.

Kujtimi kishte lindur në Vlorë,  më  1935, ishte marangoz i klasit të parë,  me origjinë të herëshme  nga Kardhiqi Gjirokastrës, por  ishte  bërë qytetar i nderuar i Vlorës.

Atje në shtëpinë e Kujtim Ziajit u mblodhën njëmbëdhjetë  vetë:

Afrim Jupi, (1943) Nga pamja e jashtëme i ngjante shqiponjës së flamurit

Roland Tafili, (1950) Dukej si përfaqësues i inteligjencës njerzore.

Hasko Hoxha, (1950) Nga portreti tij buronte buzëqeshja, që të kujtonte atë thënien e famshme të Rusoit se një fytyrë që nuk qesh nuk është kurrë e mirë.

Ventigjar Hamzaraj (1923- 1999) Ishte më i moshuar ndër 11 burrat e mbledhur në këtë shtëpi.

Alred Ziaji (1961) Ishte përfaqësuesi tipik i mënçurisë  dhe guximit të rinisë vlonjatë.

Bilal Çela, (1939) Ishte shembulli intelektualit që di të çajë dhe të ngrihet lart edhe në diktaturë.

Manol Bono, (1939) Prej tij buronte urtësia, nuk dinte të nxitohej, dinte vetëm të jepte mendime të mënçura.

Aleks Tahiri, (1950) Llafosej avash për të treguar se çdo fjalë e gdhëndëte mirë para se ta nxirrtë nga goja.

Bujar Borshi, (1948) I përkiste një familje arsimtarësh me tradita të mira atdhetare.

Vilson Çipi, (1952)  Mesuesi i nderuar në Vlorë.

Maksim Hitaj (1949)  Është qytetari që di të nuhatë se nga është e drejta,

Nga Tirana, kishin ardhur të deleguar: Gramos Pashko, Arben Imami Neritan Ceka i cili deklaroi se nuk ishte anëtar i PD-së, por vetëm simpatizant i sajë dhe studenti Erkole Sava.

Kishin ardhur aty me një qëllim : Themelimin e Partisë Demokratike.

Është e nevojëshme të shohim, përbërjen dhe prejardhjen e themelusve dhe të atyre që u aktivizuan në radhët e Partisë Demokratike  që ditën e nesërme të themelimit.

Të nëntë themeluesit si edhe anëtarët e PD-së të ditëve të para ishin njerës të shkolluar, sepse vetëm njerzit e shkolluar janë në gjëndje të kuptojnë domozdoshmërinë e ndryshimit, ata  kanë kohë të mendojnë për ndryshimin, ndryshe nga punëtori dhe fshatari dhe ndryshe nga teoritë komuniste që e vënë punëtorin dhe fshatarin në themel të ndryshimeve.

Edhe kushtet historiko shoqërore që  ndodhën ndryshimet epokale janë të  ndryshme nga kushtet e më parëshme që gjithashtu kanë sjellë ndryshime dhe përmbysje të mëdha.

Të parë në tërësinë e tyre të njëmbëdhjetë  këta burra formonin një mozaik të shoqërisë sonë të viteve `90, që plotësonin njeri tjetrin: Intelektualë, të persekutuar politik, përfaqësues të ish shtresave të pasura, bijë punëtorësh e fshatarësh.

Njohuritë e tyre për një shoqëri demokratike ishin të kufizuara dhe ata mësuan duke ecur përpara. Ata nuk u treguan të egër me të kaluarën, por me intitën e tyre zgjuarsinë dhe dashurinë për Shqipërinë  mendonin në çdo hap se ç`farë duhet të bënin për të ardhmen.

Pasi diskutuan si të deleguarit edhe të pranishmit  edhe pse kishte mendime të kundërta si për kthimin e pronave mbrojtur nga Bujar Borshi dhe Ventigjar Hamzaraj, pavarësisht nga rezervat që patën grupet ndaj njeri tjetrit,  pranuan dhe vendosën të gjith njëzëri, themelimin e Partisë Demokratike të Vlorës. Për këtë akt u mbajt edhe proçesverbali përkatës prej Roland Tafilit, i cili u firmos nga nëntë vetë: Afrim Jupi,  Hasko Hoxha , Roland Tafili, Ventigjar Hamzaraj,  Alred Ziaji, Bilal Çel, ,Manol Bono, Aleks Tahiri,  Bujar Borshi. Kryetar i partisë u zgjodh Afrim Jupi, dhe sekretar Roland Tafili.

Pas pesë ditëve, ndërsa po përgatitej mitingu madhështor i 6 janarit 1991, u pa e nevojëshme që në kryesinë e PD-së të koptoheshin dy veta: Petrit Stefa si përfaqësues i intelektualëve vlonjatë i propozuar nga Roland Tafili dhe  Nexhat Veipi si përfaqësues i shoqatës atdhetare dhe kulturore “Çamëria” i propozuar nga kjo shoqatë.

Të dy këta me përkushtimin dhe autoritetin që kishin në Vlorë dhanë një ndihmesë të madhe për shtrirjen e PD-së në të gjith rrethin e Vlorës dhe  në ngritjen cilësore të punës së sajë.

*   *   *

Fillimisht mbledhjet e PD-së janë zhvilluar pothuajse ilegalisht në shtëpinë e Kujtim Zijait dhe më pas në shtëpinë e Ventigjar Hamzarajt në lagjen “Muradie”, pranë xhamisë monument kulture. Mbledhje janë zhvilluar edhe në shtëpinë e Afrim Jupit, atje  janë bërë edhe takime të Sali Berishës me drejtuesit e PD-së.

Menjëherë pas themelimit të  Partisë Demokratike erdhën dhe u bënë aktiv: Vilson Haxhiraj, Esat Hasani, Dashamir Frakulla, Filip Taço, Kristo Çipa, Lorand Mërkuri, Gafur Shameti, Ylli Bora, Bedri Shaska, Fari Shaska, Zaim Hoxha, Bastri Sofia, Enver Memishaj, Teuta Memishaj, Arben Golemi, Adhurim Musaraj, Gëzim Zilja, Teuta Zilja, Ilia Vishi, Bajram Karabolli, Neshet Nguci, Kristaq Pavli, Rrapo Taho, Kreshnik Çipi, Vilson Çipi, Arqile Kume, Neki Xhuveli, Ferdinand Sula, Ëngjëll Bino, Mario Sota, Vaso Grabovari, Besnik Kripa, Reshat Kripa, Ardian Taska, Kosta Koçi, Ymer Yzeiri, Vilhelme Haxhiraj, Hajri Xhemali, Abdulla Iliazi, Agim Dule  , Zoi Bisholla, Sofika Bisholla, Sezai Bazaj, Ëngjëll Hasimaj, etj, etj.

Alfred Ziaji, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho dhe Koto Zilja  e kthyen të gjith skuadrën e futbollit “Flamurtari” me PD-në dhe jo vetëm me PD-në por shumë aktive dhe që u dalluan gjatë gjithë kohës.

Kur e kam pyetur Afrim Jupin dhe Roland Tafilin se cilët ishin ata qytetarë që duhet të përmënden se erdhën që të nesërmen në Partinë Demokratike të dy më janë përgjegjur: Ishin lumë njerzish dhe ne s`mund të veçojmë asnjë. Kjo pra ishte qytetaria vlonjate.

 

Formimi i seksjoneve të partisë demokratke.

Detyra  e parë  që duhej zgjidhur pas themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës ishte themelimi i seksjoneve të Partisë Demokratike, kjo detyrë ishte shtruar edhe nga qëndra gjatë takimit që kishin bërë grupet e ndryshme. Prandaj themeluesit dhe simpatizantët e tyre shpërndanin autorizime dhe formularë për t`u plotësuar me ata që dëshëronin të ishin anëtarë të partisë së re.

Seksioni i parë i Partisë Demokratike në Vlorë u formua në Ndërmarjen e Shpim Kërkimit, të nesërmen e themelimit të Partisë Demokratike pra më 30 dhjetor 1990, me këta themelues: Afrim Jupi, Manol Bono, Afërdita  Dervishi, Maksim Hitaj, Vjeni Aliaj, Asllan Shakaj, Nexhat Veipi, Sotiraq Ceko, Ismet Rakipi, Ylli Mërkuri, Dasho Avdullaj, Ilia Simoni.

Punonjësit e Uzinës së Sodës dhe PVC -së  qenë të dytët që formuan nën drejtimin e Dashamir Frakullës, Ferdinand Sulës, Dukë Abazit, Marenglen Dervishit. Flamur Liços, Spiro Gjinit, Llambi Petos etj seksjonin e Partisë Demokratike.

Mbledhja e formimit është bërë në repartin elektrik, repart pararojë dhe njerzit vinin në mbledhje një nga një që të mos binin në sy, sepse frika ekzistonte në çdo hap që hidhnin njerzit në atë kohë.

Në Ndërmarjen e Grumbullim Përpunim Drithit, seksjoni u formua pas datës 6 janar 1991, nën udhëheqien e Pajtim Xhelos, Lefter Berdos dhe Fatmira Jakupi, propganduese e zjarrtë e idealeve demokratike,  Enver Memishaj, Vaso Suli, Panajot Meksi. Aktiv kanë qënë edhe Bashkim Qejvani, Tomorr Billa, Hamide Ademi, Gjenovefa Qirko, Vladimir Sopiqoti, Sezai Kofina etj

Mbledhja e parë e seksionit është bërë në zyrën e furnizin shpërndarjes. Janë dy anëtarë të këtij seksjoni Pajtim Xhelo dhe Enver Memishaj të cilët themeluan gazetën “Zgjimi”, organin zyrtar të Partisë Demokratike.

Në Fabrikën e Çimentos para datës 6 janar 1991, Fatos Veipi, Mario Sota, Kasëm Mahmuti , Gëzim Bani në zyrën e inxhinjerit mekanik formuan seksionin e parë të kësaj fabrike të Partisë Demokratike.

Bastri Sofia dhe Reshat Kripa, pas datës 15 janar 1991,  ngritën seksjonin e PD-së në Ndërmarjen e Serave të Perimeve, ku ata punonin.

Në shkollën “Avni Rustemi”, në Skelë, në janar, Agron Shehu, Valentina Velçani, Teuta Zilja, Duda Anagnosti formuan seksjonin e Partisë Demokratike.

Në shkollën “1 Maji” në skelë është dalluar Elidon Muka i cili pati aktivitet veçanërisht gjatë ngjarjeve të vitit 1997, ndihmoi, përkrahu, strehoi  dhe mbrojti sipatizantët dhe anëtarët e Partisë Demokratike të ndjekur nga bandat komuniste.

Në fermën e Llakatundit formuan seksionin e Partisë Demokratike Thoma Bollano, shok klase në shkollën e mesme i Sali Berishës, Gani Shehu, Lulëzim Petani, Reuf Muhameti, Meçan Meçani, Delo Meçani etj

Në fermën e Lubonjës u dallua mësuesi Kujtim Malaj i cili punoi me përkushtim dhe ngriti seksjonin e parë atje, nga fundi muajt janar 1991, i ndihmuar nga Viron Rrapi familjet Shaska dhe Ndreu që ishin të internuar në atë fermë.

 

Formimi i seksjoneve të PD-së në fshatra.

Aleks Tahiri shkoi fshat më fshat, të Lumit të Vlorës dhe krijojë seksjone të Partisë Demokratike.  Ai u mbështet: Në Lepenicë nga Nesht Ngucit ne Reshat Jazaj, në Brataj nga Luftar Gurit, në Tërbaç nga Neki Skëndaj, në Vranisht nga  Hamit Kongjoni, në Mesaplik nga Elham Meçe, në Ramicë nga Xhevit Zeneli, në Vajzë nga Namik Zeneli etj.

Komunistët nuk flinin gjumë. Aleksin  e kanë pritur me të shara, e kanë goditur me gurë dhe bile kanë tentuar edhe ta vrasin si në Gjorm, Brataj, Tërbaç e Bolenë.

Udhëheqësit  e Partisë Demokratike  të Vlorës  1990 – 2012, kanë qënë: Afrim Jupi, Ibrahim Vasiari, Bedri Shaska, Adhurim Musaraj, Argent Grabova, Ismet Mersini, Shpëtim Xhyheri , Agron Sharra, Adrian Kollozi.

*       *       *

Për më shumë lexuesi është i lutur të shfrytëzojë librin e autorit të këtij artikulli: „Fillimi i lëvizjes demokratikë në Vlorë…“, të cilën autori do ta ribotojë në fillim të vitit 2018, prandaj janë të lutur të gjith ata që i kanë jetuar  ato vite ta qyajnë detyrim të ndihmojnë me kujtime  dhe me dokumenta të seksjoneve të PD-së. Materialet e tyre do të botohen në libër të plota.

Lutem materialet t’i dërgoni në adresë: enver.memisha@gmail.com. Ju falnderoj që më parë.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, fillimi i Levizjes Demokratike, Vlore

ISMAIL QEMALI NË VLORË

November 25, 2017 by dgreca

1 Shpallja e BavaresiseNë 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë/

Fejzo Enver memshaj

Nga Enver Memishaj/

  1. Familja që për shekuj ka qeverisur Vlorën

Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës.Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”. Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtroi ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i detrave, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të  veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapështitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike.

Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!

Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tij.Pema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme të trajtohet  kjo temë nga studjuesit dhe historianët. Në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare po paraqesim disa aspekte nga jeta e Ismail Qemalit.

(Shih për më shumë Enver Memishaj “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012”,Tiranë 2014f. 66)

  1. Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë, në vitin 1908

Më 20 shtator 1908, Konsulli i Austro Hungarisë në Vlorë, Kraus, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante: “Ismail Qemal beu arriti këtu (më 18 shtator 1908) … i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore, kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare kuq e zi…

Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u muar nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Syrja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar.

Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga, mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banori të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemal beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë…

Pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entusiazmuar, hoqi kuajt dhe e tërhoqi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2 km deri në qytet, duke shkuar më parë në Bashkinë e qytetit…

Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, printe në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në krahëror një kryq dhe gjysëm hënëz…” (Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë, 1999, dok. 25, f. 75-76)

Siç do të dëshmonte koha më vonë, qëllimi i Ismail Qemalit, nuk ishte vetëm propaganda për deputet, por kryesisht zgjimi popullit për të fituar pavarsinë nga Turqia. Me mbështetjen entuziaste të patriotëve vlonjatë, me gjithë aktivitetin që zhvillohej kundër tij nga kushriri Syrja bej Vlora dhe i biri Eqeremi, e ngriti popullin në këmbë në favor të tij dhe arriti të fitojë.

“U ftua popullsia në Bashki, për të bërë betimin që të vdesin për atdhe. Të pranishëm ishin, përveç kryetarit të Bashkisë Abas Mezinit, edhe Ismail Qemal beu”.

Nga raporti i konsullit austriak Kraus, si dhe nga shumë dokumenta të tjera, del e qartë se vlonjatët dhe shqiptarët e kishin flamurin në gji dhe në sepetet e tyre, pra e njihnin flamurin e tyre kombëtar dhe nuk u mungoi ai në furtunat dhe dallgët e kohës. Pra nuk është aspak e vërtetë ajo që pohon Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij se në nëntor të vitit 1912, delegatët e kongresit të Pavarësisë nuk kishin flamur dhe nuk e njihnin atë, dhe prandaj nga kjo situatë i nxorri e i shpëtoi Eqerem bej Vlora duke u dhënë flamurin e tij !!!

  1. Udhëtimi Ismail Qemalit për në Vlorë në vitin 1912

Në nëntor të vitit 1912 patën ardhë prej Kosove nga Mirdita në Tiranë:  Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mid’hat Frashëri dhe i ndjeri Sali Gjuka, dhe patën ra bujtës në konak të Abdi Toptanit të cilët e diftuan situatën e rrezikëshme lakuriq. Abdi beu, kishte pas marrë më parë edhe një letër prej z. Syrja Vlora e cila i shpjegonte qartas shpartallimin e ushtrisë turke. Ai ua kishte pas dëftue tiranasve të këtushëm atë letër, por ata s’kishin besue.

Mbasi erdhi Bedri Pejani me shokë, biseduan këtu gjatë e gjerë dhe vendosën me mbledhe krerët e Shqipërisë së mesme në Vlorë për të shpallë indipendencën kombëtare. Prandaj dy nga këta zotni, shkuan në Elbasan dhe dy shkuan në Kavajë. Z. Abdi Toptani muar një akt përfaqësimi, të cilin kam pas fatin me e shkrue me dorën time, prej shqipëtarëve të Tiranës dhe shkoi në Durrës, ku ishte si major Mystafa vëllai Hamdi beut.

Abdi beu, para se të nisej me shkue në Durrës, kishte marrë një letër prej z. Mustafa Krujës, ku i kallëzonte se atje ka ardhë prej Trieste, i ndjeri Ismail Qemali me shokë, i cili don me shpallë indipendencën e Shqipërisë…Atëherë Ismail beu me shokë vendosën me shkue në Vlorë, por nuk gjejshin kuaj, sepse qeveria porositi qiraxhinjtë që të mos ju epshin kuaj me qera shqipëtarëve. Mbi atë u lajmërue Refik Toptani që ti bjerë një tuf kuaj prej Tirane, dhe ai me të shpejtë i çoi vetë kuajt në Durrës e ashtu u nisën këta zotni për në Vlonë:Ismal Qemali, Abdi Toptani, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Pandeli Çale, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja, Mustafa Kruja, Dom Nikoll Kaçorri, Jahja Efendiu, Abas Efendiu, Musa Ali Brahimi, dy djem vlonjatë  dhe një krutan.

Këtij grupi të ndershëm i kishte dalë përpara në Çerm, Dervish Biçaku e i kishte dërgu në çiflik të vet. ( Shih për më shumë: H.I. Dalliu “Patriotizma në Tiranë” T. 1930, f.84, 85).

4.Kastriot Mahilaj: Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht të Vlorës.

Në Vranisht ka një rrugë të shkurtër e të ngushtë që fshatarët e quajnë rruga e Ismail Qemalit. Ai kaloi në disa rrugë të fshatit, por vetëm kjo copë rru­gë mori emrin e tij. Gojëdhëna thotë se, ndërsa ecte aty, plakut patriot i shkau këmba; duke qeshur ai nxori nga kuleta një monedhë të shtrenjtë dhe la porosi që ajo t’i jepej atij që do të shtronte këtë rrugë me kalldrëm. Ky nuk ishte kurrsesi një gjest paralliu. Dihet se ai mori shumë herë borxhe gjatë jetës. Dhe më tepër se një gjest shakaje ky episod ishte shprehje sado e vogël e dëshirës së tij të përjetshme për ta parë vendin të përparuar e të qytetruar.

Më të moçmit e fshatit tregojnë se Ismail Qemali erdhi në Vranisht me dy inxhinierë të huaj dhe një krushkun Ahmet Durmishi nga Karbunari. Darkën e ditës së ardhjes e kaloi në shtëpinë e Pasho Ramadanit, mik i Ahmet Durmishit, ndërsa 2 vakte të ditës tjetër ndenji në shtëpinë e Veli Dukës, i cili kishte një odë të madhe, të përshtatshme për kuvend të gjërë burrash. Gjatë shëtitjes që u bë në mal, ditën e dytë, inxhinierët mblodhën copëra gurësh dhe drurësh. Dy të huajt nga Evropa, duhet të kenë shoqëruar Ismail Qemalin në këtë krahinë të largët me kërkesën e këtij të fundit, për të parë parapraktikisht mundësinë e ndonjë përparimi ekonomik të kësaj krahine, sidomos po të zbulohesihin aty pasuri minerale. Janë të njohura interesimi e kërkesat këmbëngulëse të Ismail Qemalit në parlamentin turk për reforma ekonomike në Shqipëri.

Për kohën e kësaj vizite në ndonjë shkrim është përmendur viti 1909. Këtu është vendi për një saktësim. Pas 8 vjet endjeje nëpër Europë i dënuar nga Sulltani, Ismail Qemali u fal me shpalljen e hyrietetit (kushtetutës), në vitin1908. Prej fillimit të gushtit e deri në nëntor të këtij viti kur mori rrugën e Stambollit për të zënë vendin e tij në parlamentin turk, ai ndenji në Shqipëri. Pikërisht kësaj periudhe i përket vizita e tij në Vranisht. Nga ana tjetër vetë vizita u bë në kuadrin e takimit të tij si kandidat për deputet me zgjedhësit.

Ç’e shtyu Ismail Qemalin, që në një moshë të shkuar, 65 vjeç të merrte udhën jo të afërt Vlorë-Vranisht? Për këtë udhëtim atëhere lipseshin të paktën 8 orë dhe ai mund të zgjidhte një fshat tjetër, afër Vlorës, për të bërë takimin zyrtar. Takimi me zgjedhësit si kandidat për deputet i parlamentit perandorak ishte fasada ne shtëpisë; rëndësi kishte se çdo të thuhej brenda mureve të kësaj shtëpie. Dhe, gjithë sa tha e kuvendoi Ismail Qemali në shtëpitë ku bujti, dëshmojnë misionin patriotik të tij.

Pas, kësaj vizite ceta  e Sali Muratit u rrit në numër, u armatos dhe i shpeshtoi aksionet. Kjo çetë luajti rolin e saj në kryengritjen e vitit 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës duke penguar mësymjen e shovinistëve; u dallua në Luftën e Vlorës dhe veproi krahas forcave demokratike, në revolucionin e vitit 1924.

Ismail Qemali ishte ndër të parët, që kuptoi rrezikun e politikës së xhonturqve ndaj kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë nuk u projektua prej tij në një kohë të shkurtër, qoftë edhe për 2-3 vjet. Krahas kërkesës për një autonomi të gjërë, tokësore dhe ad­ministrative, ai, tok me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare, punonte edhe për rrugën e dytë, atë të kryengritjes së armatosur, rrugë e cila edhe u ndoq. Duke ardhur vetë në këtë fshat të thellë të Labërisë, Ismail Qemali donte të shihte me sytë e tij patriotizmin e masave të gjëra fshatare, ta frymëzonte e ta mobilizonte këtë patriotizëm për betejat e ardhme. Në odat e kuvendit, shkruhet në historikun e Vranishtit, ai tha që fshatrat duhet të jenë gati për komb e atdhe, t’i falin gjakrat që kanë për të marrë. Shqiptari duhet të derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, po për çlirimin kombëtar.

Ka edhe një fakt tjetër të vogël që flet tërthorazi. Në Vranisht patrioti i madh bujti mik në shtëpinë e Pasho Ramadanit. Ky vranishjot pat shkuar disa herë në Korfuz për t’i blerë armë çetës së Sali Kapedanit. Dhe vetë Ismail Qemali, për kryengritjen e Veriut 1911-1912, u mor personalisht me blerjen e armëve nga Evropa. Ka shumë të ngjarë që Plaku i Vlorës ta ketë biseduar punën e armëve me këtë fshatar patriot.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe Ismail Qemali gjeti kohë që t’i kërkonrte pleqërisë së fshatit 7 djem të zotë për t’i dërguar me bursë në shkolla jashtë vendit. Këtë punë ai e pat bërë edhe më parë, e bëri edhe më pas, sepse shpresonte shumë te djemtë e arsimuar e të ditur të Shqipërisë. Demokratët revolucionarë Avni Rustemi, Halim Xhelo e të tjerë e përligjën shpresën e Plakut të Bardhë. Edhe djemtë që kërkoi nga Vranishti punuan për mëmëdheun. Këta, si Dan Seferi e Meçan Kallarati, kur u kthyen prej shkollës së Korfuzit, u bënë pionierë të shkollës e të gjuhës shqipe në Labëri. Gjithashtu, në Vranisht ai la edhe dy abetare. Ja se ç’tregohet në historikun e fsha­tit: Në shtëpinë e Veli Dukës oda u mbush cep më cep me burra. Llaf pas llafi, Ismail Beu dëgjoi një potere të vogël te dera. Një burrë qortonte dy djem të vegjël që s’donin të iknin që andej. Miku kërkoi që t’ia sillnin aty fëmijët. Ata erdhën dhe ranë në gjunjë para tij. Ismail Qemali u fërkoi flokët, nxori nga çanta dy libra të hollë, ua zgjati fëmijëve dhe foli që ta dëgjonte gjithë oda e burrave:

– Po ju jap dy abetare, janë shqip. Duhet ta mësoni gjuhën tonë, ta shkruani dhe ta këndoni. I ruani të mos ua shohë hoxha. Ua jepni dhe të tjerëve fshehurazi. Pas këtyre do t’u vijnë edhe abetare të tjera.

Hoxha, «mësuesi i mejtepes», u ra në erë abetareve, erdhi me xhandarë për kontroll, por abetaret nuk i gjetën. Më 1909 ishin disa vranishjotë që dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Më 1912 u çel shko­lla shqip e fshatit. Po gurin e parë të kësaj shkolle e pati vënë vetë Ismail Qemali, 4 vjet më parë me 2 abetaret dhe me porositë që la për mësimin e gjuhës amtare.

Në historikun e Vranishtit përmendet edhe ky episod: Për nder të mikut, Pasho Ramadani bëri darkë të madhe. Me mish të pjekur në hell, me këngë e valle. Në mes të kuvendit, një bari vendas, Çelo Jonuzi quhej, ngriti aty për aty një këngë dhe e këndoi para mikut të madh:

Ismail beu me halle/ Gjezdise krale me krale/ Hallë e Shqipërisë qave/ Po s’ta vunë veshin fare…

Patrioti i madh, i çuditur, por edhe i kënaqur, iu drejtua fshatarit: «Mor ti burrë! Bari fshati e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e lojtke me gisht. Ti po na i tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua».

Me atë intuitën e tij të pagabueshme, populli e njohu Ismail Qemalin si udhëheqësin e vet. Simpatia dhe besimi që kishte populli ndaj Ismail Qemalit nuk ishin të njëanëshme, këto ndjenja ushqente dhe ai ndaj popullit.

  1. Kujtime të Ali Asllanit për Ismail Qemalin.

Per Ismail bej Qemalin më kishte fjalosur shumë Mulla Xhaferri dhe Osman Efendiu. Mulla Xhaferri kishte qëndruar disa vakte në shtëpi të tij e u jepte djemve të Ismail Beut mësim. Ai e kishte pjekur me Osman Efendinë kur ky shkollohej në “Robert Kolezh”. Osman Efendiu sa herë merrte karta nga Vlora ja çonte Ismail Beut e ky i thosh: “Osman Efendi. Vlora është vendi i shenjtëruar. Me ka pikur malli per atë vend të bekuar e më del në ëndërr.”

Pasi u bë deputeti i Beratit (1909), Ismail Qemali u instalua në shtëpinë e tij në Orta Koy, ku frekuentohej nate e dite prej patriotëve shqiptarë. Gjatë vazhdimit të debateve të parlamentit turk ngjajtën incidente të rënda midis grupit shqiptar dhe xhonturqve. Bile Ismail Qemali u godit me shpullë në sallën e parlamentit prej kundërshtarëve të tij. Shqiptarët deshën të mirrin hakën për këtë ofendim të prijsit të tyre. Por ai, si udhëheqës i zgjuar e ndaloi këtë hapë të ngutshme dhe vijoi veprimtarinë e tij patriotike më me energji per të arritur sa më pare qëllimin e tij kryesor që ishte indipendenca e Shqipërisë.

Në këtë kohë ngjajti revolucioni i 31 Marsit që quhet në historinë turke (31 mart vakassi dmth ngjarja e 31 marsit) prej anës së xhonturqve për të rrëzuar sulltan Abdul Hamidin dhe për të eleminuar grupin shqiptar.

Xhonturqit, me të marrë fuqinë në dorë, çpifin kundër Ismail Qemalit gjoja se ai paska komplotuar kundër xhonturqve. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse Ismail Qemal beu u arratis për nëntë vjet, se Sulltan Abdul Hamidi deshi vetë ta vrasi Ismail Qemalin si udhëheqës i shqiptarëve. Ismail Qemali e mori vesh planin djallëzor të xhonturqve dhe u arratis në Evropë 1910-1911. Familja e tij iku pas tij dhe të gjithë u instaluan në Napoli e më vonë në Nic-Francë. Adresa e shtëpisë së tij në Nice ishte: Rue de France, Nr. 99, Villa Bore. Nga shtëpia e tij në Nice, vazhdonte aktivitetin e tij patriotik për çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e tij frekuentohej natë e dite prej patriotëve shqiptarë si Luigj Gurakuqi etj.

Ai ishte vazhdimisht në lëvizje nëpër kryeqytetet e Evropës për të gjetur mënyrën e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe më së fundi përpjekjet e tia të palodhshme u kurorëzuan me sukses. Ideali i këtij patrioti të veneruar dhe të adhuruar u plotësua me ngritjen e flamurit kombëtar, nga ana e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912.

*      *      *

Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit) të gjithë pjesëtarët e familjes së tij bashkë me djalin më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4 vjeç para se të arratisej, u nisën me araba per në molo.

Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që ta përqafonte burrin e saj dhe të hidhte në krahun e tij djalin e tij më të vogël, që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Koj-it, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në guvertë të vaporrit. Shqiptarët e muarën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet.

*     *     *

Më 1914 isha në Itali. Poqa në stacion të trenit Ibrahim Abdullanë, Osman Haxhinë e Omer Radhimën, kishin qenë në Romë e ishin pjekur me Ismail Bene për hallet e Vlorës e rebelët. Ibrahim Abdullau më dha një kartë me pesë rreshta që ma dërgonte Ismail Qemali. Më thoshte që të kthehem në Vlorë. Meraku i tij ishte të ngrihej prapë flamuri që kishin përdhosur rebelët.

*    *    *

Disa shënime karakteristike të jetës së tij:

Ai ka qenë një tip shumë i shëndoshë që nuk trembej kurrë nga të ftohtit dhe në kohrat më të ftohta vishej vetëm me një pardesy të lehtë.

Ushqimi i tij ka qenë: në mëngjez disa biskota, vetëm reçel portokalli dhe pinte shumë çaj. Zarzavate nuk hante kurrë. Qep dhe hudhëra nuk përdoreshin në gjellët e tij. Hante mish, brumera dhe embëlsira me qumësht.

Studionte vazhdimisht.

Në dhomat e tij të punës në Nicë (Francë) vazhdimisht ishte në kontakt me patriotët shqiptarë dhe veçanërisht me Luigj Gurakuqin.

(Marrë nga arkivi i familjes së Ali Asllanit. Këto kujtime janë shkruar në nëntor 1962 dhe janë botuar në gazetën: “Labëria”, Tiranë, dt. 30. 4. 1998)

  1. Si punonte dhe si i përballonte vështirësitë Ismail Qemali

Ismail Qemali shërbeu si kryetar i qverisë së parë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri më 24 janar 1914, kur dha dorëheqia si rezultat i presionit të të huajve dhe intrigave e presionit të kundërshtarëve të tij në Shqipëri.

Vullneti qëndruar dhe dëshira e popullit por ca më shumë shpresa kombtare u bënë ballë rreziqeve me çdo farë mënyre. Ismail Qemali natë e ditë nuk bën gjumë, nuk trembet aspak nga sulmet e armiqve sepse kumbiset në fuqinë e vërtetë besnike të popullit shqipëtar.

Populli shqipëtar i trëmbur nga rreziqet e tmerruara që kishin shkarkuar mbi shtetin tonë të ri, nga  frika e topave, vijnë njëri pas tjetrit i madh e i vogël me nxitim te kryetari pa mos menduar se është mesnatë ose i pushtuar me punë. Ismail Qemali i priste me gëzim duke i këshilluar të jenë gati për shpëtimin e Shqipërisë, e ata dhe dylmerët e bagëtive i përgjigjeshin: “Jemi me ty dhe e presëm shpëtimin tonë nga ty”.

Kryetari Qeverisë priste çdo sërë njeriu që ti vinte, i dijtur e i pa dijtur, natë e ditë, kurdohera e gjenin të ngritur dhe pa mos u mërzitur fare u përgjigjej të gjith pyetjeve që i bënin. Nuk u tregua i madh dhe i rëndë, nuk u tregua fytyr ashpër si aristokrat ose feudal por gjithnjë tregohej si në sjellje ashtu dhe në punë si një demokrat e si një patriot dhe nacionalist i vërtetë. Tërë dimrin nuk e lanë nonjë natë Të fli më shumë se dy orë gjumë. Kish ngjarë shumë herë që të fli pa xhveshur se e ngrinin nga gjumi.

Dua të them që në këtë kohë ish e pamundur që një njeri tjetër të bëhej udhëheqës i kombit dhe t’ja arrinte qëllimit si Ismail Qemali i cili me këshillimet dhe sjelljet e tij në një popull fare të paorganizuar të fitojë një dashuri, një simpathi dhe me këtë mënyrë të formojë një fuqi të çeliktë e cila i vu fre të fortë Shqipërisë.

Ismail Qemali për të mbajtur fuqinë e vet kombëtare me besnikëri deri në fund, fillojë duke i bërë popullit lehtësira të ndryshme duke mos i shtrënguar në nxjerrjen e havajete, cave ua falte fare, ankesat zyrtare i shikonte sipas zakonit, lutjet i pranonte pa pullë, punëve fetare u bënte më të madhen nder e lehtësi, fatkeqësitë e ndryshme i ndihmonte, fali vergjin e luftës, bëri xhelepin 3 grosh kokën etj. Kujtdo njeriu i fliste me gjuhë të ëmbël, të vogëlit si të vogël, të madhit si të madh, trimit si trim, të frikshmit i jepte kurajo, të diturit i kuvëndonte fjalë filozofike, me pleqtë bënte shaka mbi përfundimin e ëndërrave e të shpatullave të cilat i kish në vënt të lajmeve telegrafike.

Në kohëra të fundit, rrëziku më i madh qe ajo që po mbarohet buka fare, por besnikëria e popullit qe e tillë që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe mbanin luftëtarët e lirisë. Ishte një qetësi e madhe sa s’dëgjohej të vidhej ose vritej njeri.                                                                                                                                           (Sali Hallkakondit “Historia e Shqipërisë së re” Vlorë, 1923, Enver Memishaj në “Rilindja”, Tiranë, dt. 24.11.1998)

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj, Ismail Qemali, ne Vlore

NJE PERSONALITETE SI BUJAR LESKAJ

October 29, 2017 by dgreca

PERSONALITETE SI BUJAR LESKAJ EMANCIPOJNË DHE ZHVILLOJNË SHOQËRINE/

-Model i thjeshtësisë qytetare, intelektualit, pedagogut, politikanit dhe mbi të gjitha shërbestar i Shqipërisë.

1 Bujar Leskaj

Aty ku s’ka  rrugë hapeni vetë-Hanibali/

Nga Enver Memishaj/*

Më 3 korrik të vitit që shkoi Prof. Bardhosh Gaçe dhe Gëzim Zilja organizuan një grup vlonjatësh për t’i uruar z. Bujar Leskaj, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 50 vjetorin e lindjes…

Nën thinjat e bardha që kishin filluar t’i pushtonin kryet fshiheshin 50 vjetë jetë të atij burri me aktivitet intensiv dhe të shumëanëshëm. Befas më shkreptiu në mëndje kujtimi i paharrueshëm dhe i papërsëritshëm i udhës së jetës që kishim përshkruar bashkë.

Shumë gjëra doja t’i thoja atë ditë Bujarit, për 25 vjet që kishim kaluar bëshkë, në të mirë dhe në të keqe, në vështirësi dhe ditë të lumtura, por kishte radhë, sepse duhet të fliste edhe Ibrahimi, edhe Bajrami, edhe Mevlani…

Kështu që u lash radhë shokëve, por në vetdijen time u kujtuan u përsëritën e ripërsëritën ngjarjet e një jete të ngjeshur me ulje e ngritje, që kishim përshkruar bëshkë. E së fundi këto mendime vinin e rreshtoheshin në një artikull gazete. E shihja atë, mikun tim, se si diti me mëndjemprehtësinë karakteristike të tij të ndërtoi marrëdhëniet e individit me shoqërinë dhe shtetin, me synim për ti dhënë vendit të tij.

Porsa artikulli hartohej në kujtesën time e fshija menjehërë sepse nuk isha unë ai që duhet të shkruante për Bujar Leskaj, por koha kaloi e ky mendim i përsëritur dhe ripërsëritur në proçesin e kujtimeve erdhi së fundi e u pasqyrua në këtë artikull, sepse duhet të jemi ne që të pohojmë për këtë vend. Vendosa kështu sepse ka rëndësi jo historia e tij, por vepra e tij në dobi të shoqërisë sonë.

Nuk do të flas këtu për sukseset e tij në punë, ato janë evidentuar në shtyp dhe po kështu vazhdojnë të evidentohen çdo ditë. Askush s’ka bërë përpara tij sa ai në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Unë do të flas për personalitetin e tij.

Pra, do të bëj të njohur anën njerëzore të Bujar Leskajt, sepse njerëzit kanë se çfar të mësojnë nga shembulli i jetës së tij, nga miqësia tij, dashuria dhe besimi. Me këtë frymëzim po ua përcjell lexuesve vetijat e qytetarit vlonjat Bujar Leskaj.

Pas vitit 1997, rrethanat e bënë shumë të vështirë jetën e familjes sime, por duke pasur pranë një mik si Bujar Leskaj, i cili ma mbajti kokën lart, vështirësitë u kapërcyen e unë vazhdova të luaja një rol në shoqëri.

Kështu po radhis këtu poshtë ato që nuk munda t’ia thoshja atë ditë Bujarit, me qëllim edhe t’i jap fund xhelozisë së njerzëve të pakët që ndofta luajnë rol lidhur me vlerësimin e personalitetit të tij.

Njeriu

Do të dëshëroja të shkruaja se si e kam njohur unë këtë njeri. Atë e njohin shumë në Shqipëri në Kosovë dhe në gjith Europën si dhe në Amerikë.Ai me veprimtarinë e tij, zellin, alturizmin, dëshirën e mirëfilltë për të ndihmuar të tjerët, këmbënguljen për të vërtetën, me përkushtim arriti suksese në jetë që e bënë qytetar me vizion europian.

Le të nderojmë pra njeriun, model i thjeshtësisë qytetare, intelektualit, pedagogut, politikanit dhe mbi të gjitha shërbestar i Shqipërisë.

Mundësitë që na shfqen në jetë janë të shumta dhe të ngatërruara, por Bujar Leskaj diti t’i kapte dhe t’i shfrytëzonte mundësitë në favor të tij. Ai diti të mësojë nga praktika jetësore dhe pësimet e tij, apo të shoqëris rreth tij, diti t’i kthente në mësime te vyera për jetën e tij të ardhshme, diti pra të kap shansin e jetës dhe ta shfrytëzoi atë për t’u ngjitur lart e më lart, në shoqëri, në politikë, në administratën shtetërore.

Dinte me gjakftohtësi të xhvishte dëgjesat nga veli i gojëdhënës, dhe kështu ishte gjakftohtë dhe nuk krijonte përplasje në jetë. Përplasjet dhe debatet i kishte për ide dhe mendime shoqërore.

I kudondodhur në gëzime dhe hidhrime të shoqërisë. Ai kujtohet me respekt që nga njerzit e zakonshëm e deri te ata që janë vlera të vërteta të shoqërisë njerzore. Kështu ai ngushëllon një djal të mbetur jetim në Durrës duke i thënë:  “ Behu i fortë Xhoi se edhe xhaxhi Bujarin e ka lënë nëna 12 vjeç. Jetën e ke përpara dhe derën time do ta keshë të hapur kurdoherë”.  Fjalët e tija ishin mjaft prekse për momentin, kujton gjyshi i djalit Agim Bleta. Momente të tilla është e vështirë që të shkulen nga kujtesa e familjarëve dhe shoqërisë.

Bujari kishte zemër të butë dhe ishte ashtu si e kishte emrin: bujar. Një ditë ndodheshim në vendlindjen e nënës së tij, në Vajzë të Vlorë. Në bisedë me Namik Zenelin, që kishte vuajtur 17 vjet në burgje ai na tregoi se djalin e tij të vetëm e kishte martuar në moshën 16 vjeçare… Ashtu i tha Bujari dhe hoqi nga gishti unazën e tij të shtrenjtë dhe ia vuri në gisht djalit të Namikut…

Sa e sa raste ka të tilla, sa sponsorizime, sa përkrahje dhe mbështetje për grupet folklorike, sa mbështetje për të mundurit dhe të varfërit kemi parë të bënte Bujar Leskaj.

Të gjith luftojmë për ekzistencën në jetë, për të qenë të pranishëm në këtë botë. Një rëndësi shumë të madhe ka kurajua, guximi, vullneti dhe bindja e njeriut për të arritur majat. Në saje të këtyre cilësive Bujar Leskaj arriti aty ku është sot.

Intelektuali atdhetar

Shkollën e parë të jetës e filloi në moshën 12 vjeçare kur i vdiq e ëma. Shkollën e mesme e kreu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1990 u diplomua në Fakultetin Inxhinjerisë, në vitin 1998 në Fakulteti e Ekonomisë dhe në vitin 2002 në Fakulteti Drejtësisë, avokat në vitin 2004.

Natyra e kishte gatuar me një brumë që donte vetëm të ecte përpara dhe të ngjitej lart, prandaj pas tre diplomave të universitetit, mendja tij vazhdoi të thithë dituri me studime pas universitare në SHBA, në Gjermani dhe në Universitetin e Tiranës master në financë dhe doktor i shkencave ekonomike në vitin 2009.

Kultura e lartë e kishte bërë të dallonte kotësinë dhe vlerën. Kështu ai kishte ndërtuar murin e lartë të vlerave intelektuale dhe atdhetare, që të gjitha sulmet dhe shpifjet thyheshin përpara këtij muri e bëheshin copë e thërrime.

Ajshtajni pati thënë se ” e keqja shoqërisë nuk i vjen nga injorantët që flasin, por nga të diturit që heshtin”.  Nisur nga ky parim Baujar Leskaj nuk mund të heshtëte në pranverën e përgjakut të vitit ‘97, kur shumë kush nga ata që e quanin veten trima u futën skutave. Në këtë moment të vështirë për vendin ai nuk heshti, ngriti zërin dhe shkoi nga e vërteta. Kështu ai mori pozicionin luftarak , pozicion që do shpinte shumë përpara.

Por duhet thënë se për t’i hyrë kësaj rruge në nje kohë shumë të veshtirë për vendin ai më parë e pati shtruar udhën e tij të jetës me shembullin në shkollë në shoqëri dhe në punë. Atë vit dukej sikur Partisë  Demokratike i kishte mbaruar municioni, por gjithmonë në kohë të vështira dalin disa njerës që dinë përse luftojën si Bujar Leskaj dhe e nxjerrin në dritë të vërtetën.

Bujari ka një dashuri të pa kufishme për atdheun e tij, veçanërisht për Vlorën por edhe për vendin e origjinës Drashovicën. Kudo ku punoi përsipër tavolinës së punës në mur do të kishte varur një pamje të bukur të Vlorës. Më vonë ai nuk i ndau asnjëherë nga zyra portretet e Ismail Qemalit dhe Ibrahim Rugovës. Mbante në zyrë përpara vetës tij edhe miniskluptura të Ismail Qemalit, Rugovës, Nënë Terezës etj. Ka pasion pikturën dhe zotron një koleksion të madhe pikturash shumë vlerëshe si dhe një bibliotekë të madhe.

Flet me durim dhe dashuri të veçantë për trojet shqiptare jashtë kufijve zyrtarë. Në krye të Institutit Politik “Ismail Qemali”, që e kishte themeluar  dhe e drejtonte vetë, zhvillonte konferenca me tema atdhetarie, veçanërisht për Kosovën dhe personalitete të shquara të historisë sonë.

Vlonjatët krenohen me emrin e Bujar Leskajt, sepse ajo çka bëri ai për Vlorën dhe fshatrat e sajë, për personalitete të mbuluara me harresë, për ngjarje historike, për data përkujtimore, për folklorin, për propozime për dekorime të personaliteteve dhe fshatrave, për lidhjet e Shqipërisë dhe Labërisë me Kosovën,  për botime në fushën e kulturës etj, etj janë vepra të mëdha atdhetarie.

E kam parë me sytë e mi se sa i guximshëm, sypatrembur dhe optimist  ishte Bujari si intelektual atdhetar.

Politikani

Në turbulencat politike shqiptare ai me mendje prehtësinë karakteristike të tij diti të orjentohej drejt. Historia e politikanit Bujar Leskaj si mund të filloi ndryshe veçse duke sjellë ndërmënd atë hark kohor që na kthen mbrapa në vitet e përpjekjeve për të qëndruar përball tytave të pushkëve të komunistëve në pranverën e përgjakutr të vitit ’97. Ishte një periudhë kohore heroike që e vinte në provë njeriun. Atë vit kur Bujar Leskaj me shokë qëndroi si burrat, Sali Berisha na quajti qëndrestar.

Në përpjekjet për të qëndruar përpara luftës që ishte ndërmarrë kundër Partisë Demokratike, më 26 shkurt 1997, unë thirra një takim në Zyrat e Tatim Taksave, ku isha drejtor. Për të marrë pjesë në këtë takim lajmërova shumë anëtarë dhe simpatizant të Partisë Demokratike. Unë kam mbajtur shënim për ata që nuk erdhën, nga frika ose siç thotë populli  ata që u futën në brekët e grave.

Disa qytetarë të tjerë, që sapo morën vesh se po bëhej një takim në Zyrën e Tatim Taksave, nuk pritën lajmërim, por erdhën atje me qëllimin për t`iu shërbyer idealeve paqësore të Partisë Demokratike dhe për të ndalur revanshin e komunistëve të Vlorës.

Ndër këta qytetar përmëndim me nderim Bujar Leskaj. Pranvera e përgjakur e atij viti, e vuri këtë burrë në mendime të thella se nga anonte rrafshi i ballancës së drejtësisë. Ai e pa se komunistët kishin marrë armët, dhe se drejtësia ishte me Partinë Demokratike, prandaj që ato ditë ai nuk u nda asnjë çast nga Partia Demokratike. Bujari ishte njeri me aftësi të mëdha dhe Partia në ato kohë shumë të vështira pati nevojë për ndihmën e tij dhe ai ja dha pa kursim. Ai në emër të një qëllimi fisnik për t’i shërbyer demokracisë ishte i aftë dhe pranoi edhe të sakrifikoi. Koha i dha të drejtë atij dhe e vërtetojë këtë.

Ekzistenca i mban të fshehura vlerat dhe jemi ne ata që duhet t’i zbulojmë. Kështu edhe në rastin e Bujarit ishte Partia Demokratike dhe kryetari saj z. Sali Berisha, pas përshkrimit që unë i bëra Berishës për  Bujarin, që zbuluan vlerat e tij në fushën politike. Bujari e justifikoi vlerësimin që i patëm bërë duke dhënë një kontribut të vlefshëm për PD-në. Është e rëndësishme të shkruajmë se Bujari nuk ua ktheu krahët edhe atyre të krahut tjetër. (Shih: “Fillimi i lëvizjes demokratike Vlorë 1990 -199”,Tiranë 2011, f. 139-140)

Kështu gjatë periudhës 1997- 2011 Bujar Leskaj ishte anëtar aktiv i Partisë Demokratike, anëtar i Bordit Financiar  2001-2005, anëtar i Këshillit Kombëtar, deputet 2005-2009, Ministër i Kulturës 2005-2007, anëtar i delegacionit të NATO-s, anëtar i Komisionit të Financës.

Por një aktivitet të vlefshën politik dhe atdhetar ka bërë si themelues dhe drejtues i Institutit të Stdimeve Politike “Isëamil Qemali”

Nëpunësi i lartë i shtetit ose shërbestar i shqipërisë.

Puna e kryer si doganier , drejtor dogane në Vlorë dhe N/drejtor i Përgjithshëm i Doganave, pedagog në Fkultetin e Ekonomisë 2000-2011, Ministër i Kulturës dhe nga viti 2012, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kudo i sukseshëm. Këto detyra të larta shtetërore e paisën atë me një përvojë të gjithanëshme të cilën e vuri në shërbim të shtetit dhe shoqërisë. Kush ka punuar me Bujar Leskajn, kush e ka pasur epror është habitur nga leximi shpejtë, përpunimi , analiza dhe orjentimet që ai jepte mbi materialet që kishte në dispozicion.

Botues

Botimet e tij përmblidhen në dy grupe: Botime në fushën e ekonomisë këtu fusim edhe punimin e vlefshëm për doktoraturën dhe botime në fushën e analizës historike. Ai me veprën e tij synon të vlerësojë shkrimet dhe veprat e të persekutuarve politik për t’u kuptuar më mirë dhe për t’u rivlerësuar e ridimensionuar historia, duke hequr dorë nga dalldia e historisë komuniste, që të dijmë nga vijmë e ku do të shkojmë.

Nga shkalla e rrëfimtarit ai kalon tek kultura e reflektimit një shkallë më e lartë e shoqërisë, prandaj kur lexon veprat e Bujar Leskajt e ndien veten të lirë dhe të shtohet dashuria për atdhuen. Brenda një harku kohor, të shkurtër ai u dallua për një krijimtari e gjerë, pedagogjike, politike, publicistike, dhe historike, me këto vepra:

Në fushën e ekonomisë:

“Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri” (2009); “Paraja dhe banka” ,( 2011) “Leksione në Financë” (2011), (2012). Artikuj në periodikë shkencorë dhe në shtypin e përditshëm, pjesëmarrje në Konferenca shkencore, ideator dhe bashkautor në botimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit si  “Historiku i KLSH-së 1925-2012”, “Eurosai”, (2012), etj.

Në fushën e historisë:

“Përfaqësuesit e Vlorës në  Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009”, (2009); “Brenda dhe jashtë parlamentit” (2009); “Muzat e Qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar), ( 2011). Po kështu ai është autor i shumë shkrimeve publicistike.

Vlerësimet dekorimet

Puna e tij, aktiviteti shoqëror, krijimtaria dhe rezultatet e arritura në administratën shtëtërore janë vlerësuar e çmuar shumë si nga shoqëria civile edhe nga shteti. Përmendim “Nder i Labërisë”, nga shoqata Labëria, me dekorata të larta nga Presidenti i Republikës. Ai është vlerësuar edhe nga shtetet europiane si nga Polonia etj, për veprimtarinë e tij dhe rritjen e bashkpunimit midis shteteve.

Familja

Gjyshi i Bujarit, Halit Jaho Leskaj ishte një i burgosur politik, por Bujari nuk e përdori kurrë burgun e gjyshit për përfitime shoqërore e politike, aq sa shumica e njerëzve nuk e dinë këtë fakt. Ai kishte vendosur të çante vetë e të bënte dritë në errësirën e udhës së jetës.

Ai do ta kujtojë gjith jetën nënën, që e la në moshën 12 vjeçare, duke ideuar edhe nje pikturë shumë vlerëshe të sajë, e cila e bënte të ëndërronte… Farudini babai tij ishte një qytetar i urtë e i dashur, urtësi dhe dashuri që ia injektoi edhe Bujarit që e rriti me dashuri të madhe duke plotësuar mungesën e nënës.

Silvana, një vajzë plot hire, e mbi të gjitha një vlonjate që trashëgonte zakonet e mira të Labërisë u bë  mbështetsja e arritjeve të Bujarit e mbi të gjitha ajo i fali atij katër fëmijë. Kështu që jeta e Bujarit dhe e Silvanës do të vazhdoi më tej nga fëmijët e tyre…

*    *    *

Do të dëshëroja më në fund, që ky artikull ta bënte Bujarin të ndihej i ripërtërirë që të rrojë e jetojë sa më gjatë. Unë jam i lumtur dhe krenar që kam një mik si ai.

  • Shkrimi u dergua per Diellin nga autori Enver Memishaj. Faleminderit!

Filed Under: ESSE Tagged With: Enver Memishaj, PERSONALITETE, SI BUJAR LESKAJ

KUJTIMET E QAZIM KOKOSHIT

July 25, 2017 by dgreca

ZBULOHEN DHE PUBLIKOHEN KUJTIMET E QAZIM KOKOSHIT FIRMËTAR I DEKLARATËS SË PAVARËSISË/

1 Qazim Kokoshi

Nga Sonila Rusheku/Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”/

Instituti i Studime Historike “Lumo Skëndo”, në bashkpunim me Shoqatën Kulturore “Ismail Qemali”, Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko” dhe familjen e patriotit të shquar Qazim Kokoshi, firmëtar i deklaratës së Pavërësisë Kombëtarë, më 12 korrik 2017, në Pallatin e Kulturës “Labëria” në Vlorë bënë promovimin e librit: Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare”, Kujtime, përgatitur nga studjuesi Enver Memishaj dhe botuar nga Instituti “Lumo Skëndo”

Ceremoninë mbeslënëse e hapi Çlirim Hoxha, drejtor i Bibliotekës së Qytetit, i cili ia dha fjalën z. Uran Butka, drejtor i Institutit. Zoti Butka vlerësoi lartë aktivitetin patriotik të Qazim Kokoshit, si udhëheqës i kryengritjeve antiosmane, si firmëtar i deklaratës së Pavarësisë Kombëtare, si udhëheqës i luftës së Vlorës më 1920 që rishpalli Pavarësinë e përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, si deputet, si prefekt dhe kryetar i Bashkisë i Vlorës, si udhëheqës i Revolucionit të Qershorit, si figurë e shquar antifashsite.

Për këto aktivitete atdhetare ai u përndoq nga pushtuesit dhe u dënua tre herë me vdekje nga turqit, nga italianët dhe nga Mbretëria shqiptare. Komunistët shqiptarë sapo erdhën në fuqi e dënuan me dy vjet burg se gjoja kishte shitur tokë në kundërshtim me ligjet. Ai vdiq nq burgun e Vlorës nga torturat dhe vuajtja dhe trupi tij nuk iu dha familjes.

  1. Butka vlerësoi punën me pasion dhe seriozitet të z. Enver Memishaj, për studimin e jetës dhe veprës atdhetare të Qazim Kokoshit që botohet në këtë libër dhe si përgatitës i kujtimeve të Qazim Kokoshit të nxjerra me mundim nga arkivat. Ai vlerësoi vecanërisht gjetjen dhe botimin e dokumenyave që ndricojnë figurën atdhetare të Qazim Kokoshit.

Pas Uran Butkës fjalën e mori studjuesi Msc. Albert Abazaj i cili ndërmjet të tjerave tha: “Qazim Kokoshi na vjen sot i ringjallur dhe i vlerësuar në monografinë kujtimere përgatitur nga studjuesi tashmë i njohur në fushën e historisë z. Enver Memishaj. Duke lexuar këtë libër , të bie në sy moria e dokumentave, faksimileve , dëshmive e kujtimeve të cilat kanë një qëllim: zbardhjen e të vëretës historike dhe portretizimin e kësaj figure aq të dashur për shqiptarët e vecanërisht për vlonjatët dhe këtij qëllimi ia ka arritur me sukses autori i librit”

Shkrimtari njohur Eqerem Canaj vlerësoi në radhë të parë autorin e librit z. Enver Memishaj dhe konsulentin zotrinë e nderuar Dr. Bujar Leskaj “për kontributet e shquara në fushën e historisë, vecanërisht për krahinën e Vlorës me botimet e disa librave, duke servirur mjaft dëshmi e dokumenta  që tregojnë përkushtimin e tyre për të nxjerrë nga harresa shpirtin kombëtar të shqiptarëve. Një vlerësim i vecantë i shkon Istitutit “lumo Skëndo”, që kohët e fundit na ka dhënë disa vepra dinjitoze me frymë rilindase”.

Doktoresha e Shkencave historike, pedagoge e Universitetit “IsmailQamali” Znj. Enkelejda Billa i bëri një vështrim të përgjithshëm botimeve të veprave të fushës historike që trajtojnë tema pas shpalljes së Pavarësisë. Ajo vlerësoi lart disa nga këta autorë vlonjatë si z. Enver Memishaj – Lepenica me veprat dinjitoze  “Emblema e një epopeje”, “Major Ahmet Lepenica…”,  “Hysni Lepenica…”, “Fejzo Lepenica…” dhe tani së fundi ai ka bërë një studim serioz dhe me vlera për aktivitetin e patriotit të shquar Qazim Kokoshi ku me dokumenta të shumtë zbulon madhështinë e këti biri të denj të Vlorës dhe krahas këtij studimi ai boton dokumenta për veprimtarinë e Qazim Kokoshit  dhe kujtimet e tij për ngjarjet historike në të cilat ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr. Kontributi i z. Enver Memishaj për ndricimin e ngjarjeve historike dhe personaliteteve të mbuluara qëllimisht me harresë ose të falsifikuara është është tashmë i vlerësuar nga personalitete të shquara të historisë  dhe dy titujt që i janë dhënë atij si “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës” dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”, janë të merituara dhe domethënëse për shërbimet e shquara që ai ka sjellë në fushën e historisë.

Prof. dr. Bardhosh Gace i bëri një analizë të thelluar botimeve të autorëve vlonjatë, në fushën e historisë ndërmjet tyre edhe z. Enver Memishaj për studimet serioze dhe me shumë vlera që  ka bërë në disa vepra historike dhe tani së fundi për aktivitetin e Qazim Kokoshit dhe zbulimin e publikimin e shumë dokumentave dhe kujtimeve të këtij patrioti.

Profesori vlerësoi lart shërbimet e shquara që z. Uran Butka ka  sjellë në fushën e kulturës dhe vecanërisht tani së fundi si drejtor i Insitutit “Lumo Skëndo”. Ndricimi i fugurës madhore të Mid’hat Frashërit  dhe botimi veprave të tij është një nga shërbimet e shquara që historiani Uran Butka i bën atdheut tonë.

Fari Shaska solli kujtimet e tij për ngritjen e flamurit pa yll më 28 nëntor 1991 dhe kontributi i nipit të Qazim Kokoshit të ndierit Burim Kokoshi dhe djalit të tij Altinit.

Mbesa e Qazim Kokoshit, Senile Kokoshi falnderoi Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo” dhe vecanërisht drejtorin e tij Uran Butka për atdhetarizmin e tij dhe botimin e kujtimeve të Qazim Kokoshit. Ajo falnderoi me fjalë dashurie dhe zemra z. Enver Memishaj i cili me veprën e tij i ngriti një monument të merituar Qazim Kokoshit dhe për ne familjarët na e solli të gjallë dhe të paharruar. Ajo falnderoi edhe folesit e tjerë që mbajtën ligjirata në këtë takim mbres lënës.

Në fund autori studimit për veprimtarinë ardhetare të Qazim Kokoshit dhe zbulimin e botimin e dokumentave dhe kujtimeve të tij, Enver Memishaj falnderoi bashkpuntorët e botimit të librit: konsulentin Dr. Bujar Leskaj, redaktorin Remzi Zeqja. Falnderime të vecanta ai i adresoi drejtorit të Institutit z.Uran Butka jo vetm për dashamirësinë e botimin e kujtimeve të Qazim Kokoshit, por vecanerisht për shërbimet e shquara që i sjell kulturës shqiptare në krye të Institutit “Lumo Skëndo, si nje punëtor i palodhur duke shpurë më lart trashgimninë atdhetare të të parëve të tij.

Autori falnderoi gjithashtu znj. Rashela Solomoni e cila me një dashuri të të pashuar në zemër për vendlindjen e sajë Vlorën kishte ardhur nga Shtetet e Bekuara të Amerikës.

Televizionet lokale tarsmetuan cerominë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Memishaj, KUJTIMET E QAZIM KOKOSHIT, Sonila Rusheku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT