• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Botimi i ri historik i Uran Butkës “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”

April 27, 2024 by s p

Erald Kapri/

Botimi i ri voluminoz “Lufta civile në Shqipëri” është  frut i hulumtimit dhe trajtimit shkencor të dokumenteve nga arkivat e Shqipërisë, Kosovës, Anglisë, Italisë, Jugosllavisë, Gjermanisë etj, për Luftën e Dytë Botëroreqë dhe hedhin dritë e vërtetojnë kuadrin e luftës civile në Shqipëri (1943-1945),  një luftë e brendshme, e organizuar dhe e armatosur ndërmjet forcave politike e luftarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një luftë me pasoja tragjike e shkatërrimtare, jo vetëm për atë kohë.

    Qysh në krye  autori bën të qartë dallimin midis luftës së popullit shqiptar   kundër pushtuesve italianë e gjermanë, pra Luftës Antifashiste (1939-1944) dhe Luftës Civile ndërmjet shqiptarëve (1943-1945), që është objekt i këtij studimi.

   Lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë e gjermanë ishte një luftë patriotike, një luftë e drejtë, që i shërbeu çlirimit te vendit dhe kauzës së përbashkët kundërfashiste e liridashëse të popujve përgjatë Luftës II Botërore. Në këtë luftë  kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët  antifashistë: Lëvizja  Nacionalçlirimtare, Balli Kombëtar, Legaliteti, Krerët e Veriut, Lëvizjet e pavarura të Gani Kryeziut, Muharrem Bajraktarit, Ramë Mujës, Mehmet Ali Bajraktarit  dhe të aktorëve të tjerë. 

Ndërsa Lufta  Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është  një pjesë  e saj luftës antifashiste, siç është pjesë edhe lufta e faktorëve të tjerë. Autori çmon luftën e partizanëve  kundër pushtuesve dhe  dëshmorët e  rënë, ashtu siç vlerëson edhe luftën e ballistëve, legalistëve dhe luftëtarëve të tjerë antifashistë, si edhe dëshmorët e tyre.

 Por, përpjekja për ta paraqitur Luftën NÇ në të kaluarën por edhe sot  si luftën e vetme të shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë, është  një tendenciozitet politik,  një spekullim e përvetësim  historik nga ana e udhëheqësisë komuniste dhe e historiografisë së saj, për të marrë e mbajtur pushtetin monist, për të mitizuar Luftën Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxhën, si  dhe për përfitime  politike.

     Lufta Nacionalçlirimtare ishte krahu i armatosur i Partisë Komuniste dhe realisht, por edhe ligjërisht,  nuk mund të ishte apo të konsiderohet  si lëvizje e armatosur e gjithë shqiptarëve. 

Aq më tepër që  Lufta nacionalçlirimtare nga  një luftë kundër pushtuesve, u tjetërsua në vitet 1943-1945 kryesisht në luftë të përgjakshme  për pushtet dhe komunizëm, luftë kundër kundërshtarëve politikë, madje edhe kundër atyre patriotëve që luftonin  realisht kundër gjermanëve për një Shqipëri të lirë, demokratike e perëndimore. Një luftë NÇ që në fund solli në fuqi regjimin stalinist dhe e vendosi Shqipërinë në Perandorinë komuniste te Lindjes.

    E.Hoxha e ngriti dhe e lartësoi kultin  e tij dhe të  Luftës Nacionalçlirimtare, si lufta e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, që të monopolizonte luftën, rrjedhimisht edhe për pushtetin  e vetëm absolut të tij dhe të PKSH, si edhe për të mbuluar apo mohuar krimet e luftës civile,  të urdhëruar  nga ai vetë dhe të nxitur e mbështetur nga tutorët komunistë rusë e jugosllavë.

    Edhe historiografia komuniste u përpoq  për gjysmë shekulli dhe vijon edhe sot ti trajtojë në mënyrë të njëanshme e të falsifikuar  ngjarjet dhe personazhet e  Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri për qëllime politike e ideologjoke. 

    Luftën kunder Ballit Kombëtar, mandej edhe Legalitetit dhe faktoreve te tjerë e nisi PKSH  menjëhërë pës prishjes së kuvendit të Mukjes. E.Hoxha urdhëron “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin duhet ta likujdojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë”.

    Udhëheqësit e LNÇ E.Hoxha, M. Shehu, Koci Xoxe, Hysni Kapo, Dali Ndreu, Shefqet Peçi etj ishin terroristë dhe e futën frymën dhe praktikat terroriste në Luftën NÇ për zhdukjen pa mëshirë të kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë.

  Mid’hat Frashëri, në emër të Ballit Kombëtar, bënte apel për të ndalur luftën luftën civile dhe për t’u bashkuar si vëllezër në luftën kundër pushtuesve fashistë: “Sot është koha për një FRONT të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut  gjënë më të shtrenjtë që kish : jetën. Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir  për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorve  dhe vaditën me gjakun e zëmrës së tyre këtë tokë arbërore ….Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalë ve që na lanë të parët tanë: JA VDEKJE, JA LIRI !  JEMI VËLLEZËR, S’NA NDAJNË DOT ! »

    Shkaku kryesor i Luftës Civile ishte çështja e pushtetit. Frika se pushteti mund të ndahej me forcat e tjera politike, apo mund të merrej prej tyre me zgjedhje të lira pas luftës, e çoi PKSH dhe E.Hoxhën në atë qëndrim arbitrar dhe në atë akt antidemokratik, që kishte për qëllim marrjen e pushtetit me forcën e armëve, sipas teorisë marksiste-leniniste, duke eliminuar faktorët e tjerë politikë, gjë që i çelte rrugën pushtetit totalitar dhe instalimit të diktaturës në Shqipëri. Ndërhyrja dhe roli luftënxitës i emisarëve të PKJ, për interesat e tyre hegjemoniste dhe shoviniste ndikuan në  tjetërsimin e Luftës Antifashiste në Shqipëri  në një luftë civile

    Mandej në këtë luftë u detyruan të përfshiheshin edhe Balli Kombëtar e lëvizjet e tjera të asaj kohe, si edhe pjesa më e madhe e popullsisë.

    Kjo luftë  është evidentuar dhe dokumentuar gjerësisht në këtë libër me akte, dokumente e prova shkresore  në  1555 referenca arkivore. Pjesa dërmuese e dokumenteve janë  urdhra, qarkore, komunikata, raporte, fjalime, kronika, urdhër-operacione, letra, trakte, radiograme, telegrame, ditarë etj. të vetë drejtuesve kryesorë të Luftës NÇ (komandantë e komisarë) si edhe raportime të shtabeve të korparmatave, divizioneve, brigadave e batalioneve  të Ushtrisë NÇ,  të shkruara  me dorën e tyre  drejpërdrejt në zjarrin e luftës civile, që ruhen në Arkivin Qëndror të Shqipërisë, Arkivin e Forcave të Armatosura,  Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe në muzeumet qendrore e lokale, të cilat përbëjnë lëndën e parë të këtij botimi dhe që nuk mund të rrëzohen apo të tjetërsohen. ….Gjithashtu, ështe trajtuar e dokumentuar edhe edhe nxitja dhe veprimtaria antishqiptare e politikës jugosllave dhe e agjentëve të saj në Shqipëri si Miladin Popoviç, Dushan Mugosha etj për shpalljen e shpërthimin e Luftes civile në Shqipëri dhe tërheqjen e saj pas qerres jugosllave.

 Luftën civile në Shqipëri e kanë pohuar dhe raportuar thuajse të gjithë oficerët britanikë, që kanë vepruar në atë kohë lufte  në Shqipëri. si B.Maklen, J. Emery, D. Smajl, P.Kemp, T.Simkoks, G.Sejmor, A,Hibbert, A Nikols, majori Oliver, Gjenerali Dejvis etj, që janë trajtuar gjerësisht edhe në librin tim “Sekretet e Luftës”.     

   Në botimin e Butkës “Lufta Civile në Shqippëri” janë trajtuar me profesionalizëm dhe paanshmërisht ngjarje e protagonistë të luftës civile në të gjitha krahinat, madje edhe ne fshatrat e Shqipërisë, që nga Vermoshi e deri në Konispol, madje edhe në tevat shqiptare jashtë kufijve, sepse kjo luftë përfshiu gjithë hapësirën shqiptare, por ishte veçanërisht e përgjakshme  në krahinat me dominancë nacionaliste si Vlora, Mallkastra, Gjirokastra, Kolonja, Korça, Devolli, Pogradeci, Dibra, Mati, Mirdita, Shkodra, Luma, Malësia e Gjakovës  etj dhe që kulmoi në Malësinë e Madhe dhe Kelmend. 

    Lufta civile nisi menjëherë gjerësisht pas vendimmarrjes në Konferencën e Labinotit  4- 9 shtator 1943  dhe qarkores së Enver Hoxhës te 9 shtatorit për luftë të armatosur  kundër Ballit Kombëtar. E pranon edhe historiani Paskal Milo, kur thotë ” Letrat e Enver Hoxhës dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se PKSH ishte nismëtarja  e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar”. Britaniku Julian  Emery, konstatonte- “Enver Hoxha i kishte sulmuar ballistët në mënyrë që të mos ndante me rivalët trofeun e pushtetit politik. Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje    me Luftën për çlirimin kombëtar, të cilën të dyja palët e kishin nisur ta ndiqnin në fillim. Ishte për të ardhur keq që Lufta Civile kishte marrë përparësi mbi luftën për çlirim ”. 

   Midhat Frashëri që u përpoq me gjithë mënyrat ta ndalonte Luftën Civile, shkruante ”Me luftën Civile komunistët filluan terrorin më të keq që ishte njohur ndonjëhetë në historinë e Shqipërisë”    

 Ndërsa E.Hoxha deklaronte – “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abas Kupit,  do të gjejnë vdekjen edhe  oficerët anglezë që rrinë me të”. Pra i quante armiq edhe ata misionarë britanike, që ndihmësonin luftën antifashiste, por kundërshtonin luftën civile mes shqiptareve, të shkaktuar nga komunistët.

Përgjatë Luftës civile 1943-1945 janë realizuar luftime frontale dhe partizane mes komunisteve dhe nacionalisteve, masakra kolektive  dhe mijëra vrasje politike të paligjshme, pushkatim i robërve të luftës, pushkatim i njerëzve të pafajshëm, tortura fizike, djegie shtëpish dhe fshatrash të tërë, konfiskim i paligjshëm i pasurive të tundshme e të tjera, pra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Autori sjell para lexuesve dokumente për një luftë civile në tërë Shqipërinë, duke nxjerrë shkaktarët dhe pasojat tragjike të saj. Mjafton të përmendim masakrën e Devollit  8 shtator 1943, menjëherë pas Konferencës së Labinotit 4-8 shtator 1943 që e shpalli zyrtarisht luftën civile,  ku  u masakruan pabesisht, u therrën me thika dhe u vranë  nga komunistët gjashtë nacionalistë të shquar: mes tyre edhe kosovari Zija Gashi. Dr.Kasimatin e prenë me thikë në fyt duke i thënë:”Hajt tani, folë edhe një herë për Shqipërinë etnike.” 

 Ne  luftën e Dukatit  30 nentor 1943 që zgjati 14 orë,  Brigata I S e mori urdhërin nga Dushan Mugosha “për me e shkelë  tue përdorë zjarrin ma e tmerrshëm  Dukatin nacionalist” U vrane qindra vetë nga të dy anet, u plagosën edhe disa gra, viktima të luftës civile. Ne këtë betejë frontale mori pjesë edhe  batalioni italian Antonio Gramshi, që qëlloi me altileri fshatin, mandej sumuan partizanet. Dua te theksoj se  jo vetem te Brig I por thuajse në gjithë brigadat partizane kishte kontigjente të ish-ushtrisë fashiste italiane te dorëzuar e të bashkuar me Ushtrine NÇ, të cilët morën pjesë në gjithe luftimet kunder nacionalisteve shqiptarë dhe që u bënë një faktor të fitores së komunisteve në luftën civile.                

    Pas luftës ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve në afërsi të Lushnjës, në fshatin Golem,  më 21 tetor 1943, ku u vranë 127 vetë, Mehmet Shehu pushkatoi pa gjyq 85 nacionalistë shqiptarë të vetëdorëzuar, që s’ishin tjetër veçse fshatarë të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese. Rol luajti në këtë masakër edhe D.Mugosha, zv Komisar I Br.I.  

   Urdhërin për operacionin ushtarak në Starovë e Pogradec e kishte dhënë E. Hoxha qysh më 21 mars 1944. Ai i ishte drejtuar komisarit të shtabit të Brigadës I S, Tuk Jakovës – “Goditja dhe marrja e Pogradecit dhe Starovës. Sikundër që e dini, Starova ka qenë dhe është qendra e reaksionarëve të fëlliqur të qarkut të Korçës…Me një fjalë, Starova është një një çerdhe e ndytë të cilën ne duhet ta godasim rëndë dhe ta zhdukim. Nga ana tjetër, Starova është dera e çetave të Ballit… Për me sulmue Starovën e me veprue duke kap bejlerët dhe djeg shtëpitë e tyre, është patjetër e nevojshme dhe goditja e Pogradecit, ku, përveç suksesit politik që mund të kemi, mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës…”

    Përfundimi tragjik i luftës kunder popullsisë se Starovës me 400 shtëpi,  : “Tani, me përjashtim të 5 shtëpive që ishin me ne, te tjerat  i dogjëm. Nuk ka më Starovë!”-raportonte shtabi i  Brigades I S. A mund te thuhet më,  që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë e gjithë shqiptarëve, një luftë për çlirim, kur në Starovë e Pogradec nuk kishte asnjë  gjerman, dhe kur në Starovë komunistët dogjën 395 shtepi te fshatarëve dhe lanë pa djegur vetëm 5 shtëpi që ishin me LNÇ?!

   Në Tiranë nga nga data 28  tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan dhe u vranë nga terroristët komunistë qindra qytetarë, jo komunistë: pronarë, tregtarë, intelektualë, që kishin studiuar në Perëndim, botues, qytetarë të theshtë, ushtarakë të karierës etj, pa asnjë vendim gjyqësor, vetëm me listat e zeza partiake. Qëllimi ishte që çlirimi i kryeqytetit  të mos i gjente të gjallë.

   Masakra ndaj popullsisë së pafajshme janë ato të realizuara nga  Brigada V me komandant Shefqet  Peçin në Shqipërinë e jugut, të Veriut  dhe në trojet  shqiptare përtej kufijve politikë. Në Lumë ai pushkatoi 22 lumjanë krejt të pafajshëm, ndërsa vrau në gjithë krahinën malësorë, me motivin e hakmarrjes ngaqë mbështetnin Muharrem Bajraktarin, kur ky luftonte kundër gjermanëve. 

   Në Martanesh, në Mehmet Shehu urdhëroi pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit, për hakmarrje pse ajte u vra një partizan.  Raporti 1/22. Në Fushë-Aliaj të Dibrës brigadat partizane dogjën tërësisht shtëpitë  dhe vranë popullsinë e pafajshme si hakmarrje ndaj Halil Alisë.  Në Mat bënë masakra kundër legalisteve të Abas Kupit, për te cilin E,Hoxha kishte angazhuar Brigadën e Dytë partizane për ta vrarë. Ai urdhëronte “ Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të”

  Lufta civile në qarkun e Shkodrës dhe veçanërisht në  Malësisë së Madhe ishte mësymja me e madhe  dhe me absurde  e forcave ushtarake nacionalçlirimtare, dhjetor 1944- mars 1945, kur kishte mbaruar lufta kundër pushtuesve, s”kishte këmbë gjermani në Malsinë e Madhe dhe Ushtrija NÇ u soll atje si ushtri pushtuese, dyke kryer edhe krime lufte dhe kunder njerezimit. Malësia e Madhe iu përgjigj me kushtrimin  për të mbrojtur jetën, trojet dhe fenë, sic shpehet  prijësi Prek Cali. Korparmata III,  Divizioni I me qendër në Shkodër me brigadat I, XXIII dhe XXIV, Divizioni VIII me brigadatat XVII, XVIII dhe XXVII, Brigada IV, dy batalione të Brig, XI dhe brigadat e Mbrojtjes bënë  mësymje  ushtarake  dhe masakra në këtë krahinë me tradita të njohura patriotike e liridashëse. Vetëm nga Brigada I u vranë si “mish për top” gjithsej 39 partizanë, bij nënash shqiptare, (14 prej tyre në betejen e Tamarës). Madje Brigada I, për të nenshtruar Kelmendin doli matane kufirit në Jugosllavi dhe prej andej sulmoi  në mes te dëborës së janarit 1945 malsorët që mbronin vatrat e tyre. Malësia e Madhe humbi 137 bij të saj trima të devotshëm. U burgosën 345 burra dhe u internuan 41 familje të shpallura reaksionare kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, Beratit. Malësia u vesh me petkun e zisë. Një lufte civile me pasoja te rënda humbje jete, dënime kolektive politike e sociale. 

   Në këtë botim është trajtuar ndihmesa  e misionarëve dhe oficerëve britanikë në mbështetje të luftës antifashiste, roli i tyre pozitiv, por edhe  politikat dilematike dhe shpesh të gabuara të qeverisë britanike, që furnizonte me armë e stërlina komunistet dhe me këto armë komunistët godisnin e vrisnin nacionalistët gjate gjithë periudhes se luftës civile, duke kontribuar kështu edhe ne fitoren e këtyre. Komandanti britanik Uilson i Mesdheut i drejtohet E. Hoxhës “ Më duhet t”ju vë në dukje se armët dhe furniyimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t” pëdorni këto armë për të vrarë dhe likujduar  bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”

    Udhëhëqësit komunistë të LNÇ përpiqeshin ta justifikonin dhe ta intensifikonin luftën kundër nacionalistëve me akuzën  e kolaboracionizmit, që ishte një mashtrim diabolik jugosllavo-shqiptar. Në këtë vepër është trajtuar me objektivitet tema e kolaboracionizmit gjate Luftes se  Dyte  në Shqipëri, paqaqitur ne mënyrë tendendioye dhe të manipuluar nga politika dhe historiografia komuniste.  Midhat Frashëri nuk ka bashkëpunuar as me italianët as me gjermanët gjatë luftës, nuk ka asnjë dokument bashkëpunimi apo kontakti te tij me ta.  Vetë fakti që aleatët anglo-amerikanë e zgjodhën  Midhat Frashërin si kryetar të Komitetit ” Shqipëri e Lirë” në emigracion  më 1949, si figurë  e shquar kombëtare, antifashiste,  e pastër politikisht dhe properëndimore,   është domethënës. Ai nuk pranoi të bashkohej e të bashkëpunonte me ata krerë, që kishin bashkëpunuar  me pushtuesit dhe kishin njolla e faje kundrejt atdheut. Ky qëndrim zbulohet qartazi në letërkëmbimin e viteve 1947-1949, veçanërisht ne letrën dërguar Abaz Kupit- “ 

“U themelue Komitetit “Shqipnija e Lirë”, i cili përfaqëson të gjithë ata shqiptarë, që duen me pa në Shqipni nji qeveri demokratike, e cila do t’i sigurojë popullit shqiptar të gjitha liritë politike dhe të drejtat njerëzore që i janë mohue. Një komitet i përbashkët do t`ishte një vegël e çueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni edhe ju se kondita e parë e një organi, që do të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë i formuar prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër Atdheut? Duhet të kemi parasysh se kundërshtarët e Shqipërisë do të kërkojnë të përfitojnë nga të tilla shkake, për të luftuar të drejtat tona kombëtare. Nga ana tjetër, duhet të mejtojmë mirë efektin katrastofal që do të ketë pranë shqiptarvet, që kanë vuajtur dhe janë dërmuar gjatë këtyre vjetëve të fundit. Qysh mund të paraqitemi përpara opinionit publik krahpërkrah si bashkëpunëtorë me njerëz, mbi supet e të cilëve rëndojnë ngjarje të shëmtuara, që e bënë Shqipërinë një shkretinë, duke përfunduar në gjendjen e sotshme”

   Por historiani Uran Butka thekson se  elementë te veçantë të organiyatës së Ballit Kombëtar, për arsye të mbrojtjes nga terrorizmi komunist, si Kadri Cakrani etj., kanë bashkëpunuar me gjermanët, ashtu sic kanë bashkëpunuar me gjermanët edhe elemetë të NÇlirimtares si Gjin Marku etj në kompromisin e Beratit, të Kuçovës etj, pa përmendur këtu kolaboracionizmin e hapur të komunistëve shqiptarë me komunistët jugosllavë në Shqipëri e Kosovë.    

    Sipas Butkës, teza komuniste e kolaboracionizmit bije plotësisht  po të sjellim edhe faktet që komunistët luftuan e asgjësuan dhe  nacionalistët patriotë të paangazhuar në parti politike si Muharrem Bajraktari, Mehmet Ali  Bajraktari apo Lëvizja Kryeziu, që luftonin kundër  gjermanëve.

    Të gjithë ata që u vranë në këtë luftë civile janë viktima te saj, por fatkeqësisht gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist madje edhe sot, mjaft nga  viktimat e Nacionalçrimtares u shpallen dhe u nderuan si deshmore e heronj si Zonja Çurre, Myslizm Shyri, Fejyi Bolena,  e shume te tjere, që u vranë në luftën e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ndërsa viktimat nga ana e nacionalisteve dhe banorëve te pafajshem jane trajtuar si reaksionare, kriminele, kolaboracionistë, edhe kutr jane vrarë nga pushtuesit italianë e gjermanë si Jashar Cakrani, Selfo Hekali,  Mustafa Dervishi, Skender Muço, Yzeir Ismaili, apo të vrarë nga serbet si tiranasi Hamit Troplini, apo Marie Shllaku  në Kosovë  etj

    Tjetër falsifikim i luftës së Dytë Botërore ne Shqipëri, por edhe i Luftës civile,  është edhe numri i dëshmorëve te Nacionalçlirimtares, që është propaganduar me pompë  nga politika dhe historiografiaa komuniste  në 28.000, ndërsa e vërteta qëndron krejt ndryshe, sipas hulumtimeve të deritanishme. Sipas studiuesit  Dr Teodor Kareco, ish funksionar i PP, por studiues objektiv i luftës, numri i dëshmorëve partizanë  te vrare nga Gjermanët është 1514 vetë,  nga gjermano-ballistet 275, nga italianet 207 nga nacionalistet 1067, te vdekur  310 etj gjithsej 3442 vetë. Kjo shifer është e përafërt me atë që shënohet edhe në Fjalorin enciklopedik, ribotim i vitit 2009 për 2397 dëshmorë gjithsej, sipas statusit te Dëshmorit te Atdheut.

   Histotia e Popullit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e trevat e tjera shqiptare, duhet rishkruar  mbi bazën e dokumenteve dhe me një interpretim shkencor bashkëkohor.

    Historiani Uran Butka, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, konkludon në librin e tij-“Lufta Civile është ana e panjohur, pjesa vetëvrasëse e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Duhet ta nxjerrim nga heshtja, ta njohim e të reflektojmë ndaj saj, duke kapërcyer mosmarrëveshjen, mitet e reme dhe urrejtjen, shfaqjet e reminishencat e frikshme që rezaton ende ajo luftë; duhet të çlirohemi  nga pengjet  e tabutë e së shkuarës, deformimin e  historisë, për të kuptuar më mirë gjendjen tonë të sotme dhe për t’i bërë ballë si qytetarë plotësisht të lirë e me vetëdije të qartë të nesërmes. Shpirtrat e tronditur të shqiptarëve, jo vetëm nga luftrat e vazhdueshme, traumat e mënxyrat që kanë përjetuar, por edhe nga mashtrimi i madh gjysmëshekullor dhe leximi i keq i historisë, i cili vazhdon edhe sot, kanë nevojë më së shumti për të vërtetën”. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Erald Kapri, Uran Butka

#Kujto 7 Prillin

April 7, 2022 by s p

Erald Kapri/


Ky është mesazhi i fundit që lëshoi Mbreti Zog mëngjesin e 7 Prillit. Thirrja nuk arriti dot të shpërndahet në të gjithë vendin. Për më shumë, detajet në librin; Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura. “Njoftohet Populli Shqiptar se Qeveria Italiane, me disa kërkesa të reja që nuk pajtohen me traktatet me marrëveshjet miqësore që kemi pasur, ka kërkuar cënimin e indipendecncës dhe sovranitetit të Mbretërisë Shqiptare. Unë dhe qeveria mbretërore nuk e pranojmë kurrë këtë cënim që konsiston në bjerrjen e lirisë së këtij populli të fituar me gjak. Në rast se kërcënimi bëhet me anën e forcës, ftoj mbarë popullin shqiptar me kenë sot të bashkuem me zemër e shpirt për mbrojtjen e Atdheut dhe të indipendencës së tij deri në të mbramen pikë të gjakut të vetë. Jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në kurajo dhe në shpirt, ka për me diftë që në këto raste me e tregue veten se ushqen në shpirtin e tij atdhedashurinë më të flakët që është gjithmonë karakteri i stërgjyshërve të tij. Jam i bindur se një popull i bashkuar në këtë mënyrë do të ketë padyshim edhe mbrojtjen hyjnore prandaj i bëj sot apel popullit tem mos me bjerrë kurajon dhe dashurinë për Atdheun se pas çdo here a vonë do t’i siguroj përsëri kësaj toke të drejtën që i ka falur natyra. Rroftë Shqipëria. Rroftë Populli Shqiptar. Zogu i I”.

Filed Under: Histori Tagged With: Erald Kapri

Pse duhen lexuar veprat e Enver Lepenicës

September 11, 2021 by s p

Rreth librit të z. Enver Memishaj – Lepenica “I.Komunistët vrasës, II:Pushkatimet para popullit”, Tirane 2021

Erald Kapri flet për garën me Çelo Hoxhën në krye

Nga Erald Kapri* 

Vepra e Enver Memishaj – Lepenica “I. Komunistët vrasës, II. Pushkatimet para popullit”, është vepra e 26 e tij, pa përmendur këtu  edhe 5 libra të tjerë që ai i ka përgatitur për botim shoqëruar me një studim prej tij. Vepra ka formatin 17 x 24 me 600 faqe.

E tërë vepra e tij hedh dritë mbi ngjarje historike të mbuluara qëllimisht me harresë prej diktaturës komuniste ose të falsifikuar prej tyre, si dhe evidenton terrorin dhe dhunën që regjimi komunist ushtroi mbi popullin shqiptar.   

Shoqëritë moderne ndërtohen vetëm në bazë të lirisë dhe luftojnë që ta ruajnë atë. Kjo vlerë është lajtmotivi që shoqëria shqiptare duhet të ndjekë dhe duhet ta nisë nga e kaluara. 

Shoqëria shqiptare i ngjet një eksperimenti të dëgjuar teksa kërkon të ngrejë demokracinë pa u marrë me të kaluarën e në veçanti me krimet e saj. Dënimi i krimeve është një beteje e përditshme e çdo shoqërie dhe raporti që ajo shoqëri mban me të kaluarën është lakmuesi për të kuptuar të tashmen apo edhe diçka përtej. 

Libri i Enver Memishaj i shërben kësaj përpjekje, është studimi i parë për krimet e Partisë Komuniste gjatë luftës: 8 nëntor 1941 – 31 dhjetor 1944. Me modestinë dhe punën e palodhur, ai ka rritur të mbledhë fakte të shumëllojshme të cilat çmontojnë politikën e terrorit të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Memimashj nuk është ndalur vetëm në dokumente arkivore por ka ditur të mbledhë dëshmi autentike të cilat sjellin kontribut për të njohur krimet e së kaluarës. 

Kur në vitin 1997 u botua në Francë “Libri i zi i komunizmit, krimet, terrori, represioni”, me bashkautorësi të disa historianëve perëndimore, Europa perëndimore u shokua nga përmasa e krimeve të cilat ishin ngritur në sistem. Studiuesit perëndimore përllogaritën se 100 milionë viktima kishin humbur jetën për shkak të terrorit komunist, dhe kjo humbje e tejkalonte me disa herë humbjet në luftë. Kjo është arsyeja që Këshilli i Europës dhe më vonë Parlamenti Europian kanë dënuar krimet e komunizmit si dhe kanë bashkuar në një, nazizmin dhe komunizmin si dy ideologji të së keqes. Krimet nuk mund të kenë ngjyrë ndaj dhe ato duhet të evidentohen, të dënohen dhe të tregohen për brezat që vijnë. Ky mbetet një detyrim fisnik. 

Në librin e Enver Memishajt ne zbulojmë se krimet e komunistëve shqiptare shkojnë përtej imagjinatës së zakonshme dhe nga brutaliteti i tyre nuk kanë të ngjashëm në Europë. Ky studim është një provë që krimet për pushtet nisën mjaft herët dhe se ishin pjesë e një programi për të pastruar me radhë kundërshtarët edhe brenda vetes.

 Në libër, përveç dokumenteve arkivove dhe kujtimeve autentike, autori jep një kontekst të gjerë për të kuptuar ngjarjet dhe motivet e kohës, hakmarrjen e pafre të komunistëve e cila shpesh as nuk ngjante me ndonjë udhëzim ideologjik.

 Studimi nxjerr zbuluar në përfshirje në krim nga ish kreun komunist Enver Hoxha e deri tek anëtarët më të thjeshtë të cilët guxuan dhe vranë shqiptarë të pafajshëm vetëm e vetëm se konsideroheshin armiq imagjinarë. Skenari pas vitit 1944 është disi i njohur për shqiptarët por krimet e luftës mbeten një sfidë e historiografisë shqiptare dhe nisur nga kjo, Enver Memishaj ka hedhur një hap me rëndësi. 

Për më shumë, ky libër i vlen shoqërisë shqiptare për të parë veten në raport me krimet e së kaluarës. Mosdënimi apo tentativat për ti fshehur apo për t’i veshur ato me justifikime nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbajnë peng shqiptarët të gjejnë paqe më të kaluarën. Andaj, është e udhës që ky libër të lexohet, të reflektohet e më pas të dënohen këto krime për të nderuar kujtimin e viktimave por edhe për të qetësuar shpirtrat e familjarëve dhe pasardhësve të tyre që presin drejtësi. 

Tiranë, më 10 maj 2021

*)Kryetar i Këshillit Shkencor të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit

C:\Users\User\Downloads\kopertina.jpg

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Lwepenica, Erald Kapri

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT