• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA QIELLI VEPRON AKOMA

August 30, 2016 by dgreca

Nënë Tereza ka kryer një mrekulli të dyfishtë : me ndërmjetësimin e saj një hindiane dhe një brazilian,të sëmurë në shkallën e fundit, janë shëruar. Provat e shenjtërisë së Saj./

Shkruar nga RANUCCIO  BASTONI/ GENTE/

E përktheu për DIELLIN nga italishtja Eugjen Merlika/

1 eugjeni perkth

Quhet Marcilio Haddad Andrino ingjinjeri brazilian që në 2008, i rënë në komënë sallën e operacionit për një ndërhyrje të dëshpëruar në tru, papritmas – e në mënyrë të pashpjegueshme – u shërua me ndërhyrjen e Nënë Terezës së Kalkutës, duke shtyrë kirurgët të anullonin operacionin. E njohur nga Kongregacioni i Ҫështjeve të Shenjtëve, është kjo mrekullia për të cilën Papa Françesku ka shpallur për 4 shtatorin 2016 ngjitjen në altaret të themelueses së “Misionareve të Mëshirës, e Lumturuar në 2003 nga Gjon Pali II, për një tjetër shërim të pashpjegueshëm shkencorisht.

Dy mrekullitë, të nevojshme për Kishën me qëllim njohjen e shenjtërisë së Nënë Terezës, kanë histori shumë të ndryshme. Por të dyja i përgjigjen në mënyrë të saktë përcaktimit të profesor Karlo Jovine, ekspertit zyrtar të Kongregacionit të Ҫështjes së Shenjtëve, “asaj që për Kishën vlen si një mrekulli, ose një ndodhi shkencorisht e pashpjegueshme e kryer në mënyrëvendimtare, t’atypëratyshme, të qëndrueshme e të plotë”.

Shërimi i parë mrekullibërës, ai që solli Lumturimin e Nënë Terezës, është ai i Monika Besra-s. Tridhjetë vjeçe, e martuar e me pesë fëmijë, gruaja e re jetonte në një fshat të vogël në veri të Kalkutës. Në fillim të 1998-s ndjeu një dhimbje koke shumë të fortë. Vështrimi i u mjegullua, frymëmarrja u bë e vështirë, temperatura u rrit. Simbas diagnozës së mjekut të vendit, Monika ishte goditur nga një formë e rëndë meningjiti tuberkular, një sëmundje e përhapur në krahinën ku banonte. U shtrua në spitalin e Santa Croce, në qytetin e afërt të Rajibpur, por mbas një muaji i shoqi nuk kishte më para për t’a kuruar dhe e çon në qendrën e pritjes së misionareve të Mëshirës në Patiram. Për një muaj Monika kurohet pa asnjë përmirësim. Pastaj një natë zgjohet me një dhimbje të fortë të shkaktuar nga një fryrje e madhe e barkut që, në ditët e ardhëshme, diagnostikohet “si një tumor shumë i rëndë dhe i përparuar i vezores”

Ndërhyrja kirurgjikale ishte e pamundur : në kushtet e dobësimit skajor organik në të cilin ndodhej, Monika nuk do t’a kalonte. Nuk ishte as në gjendje të përballonte anestezinë. E dërgojnë përsëri në Patiram tek Murgeshat. Është 5 shtatori 1998, përvjetori i parë i vdekjes së Nënë Terezës, dhe motër Bartolomea, eprorja e kuvendit, ulet afër shtratit të saj për t’a ngushulluar. Thërret murgeshat e tjera dhe i fton  t’i luten Nënë Terezës që tëndihmojë vdekësen.

Ja se si, simbas dëshmisë së murgeshës Bartolomea dhe disa zbulesave të padëgjuara, u krye mrekullia. Nëntë herë murgeshat recituan Memorare-n, një lutje e lashtë që i vishej Shën Bernardit të Kiaravalle, që Nënë Tereza e përsëriste nëntë herë kur kishte nevojë për një ndihmë nga lart. “Kujtohu o mëshirëmadhja Virgjën Mari”, thotë lutja “nuk është dëgjiuar kurrë në botë që dikush t’i jetë drejtuar përkrahjes tënde, të jetë lutur për ndihmën tënde, të ketë kërkuar mbrojtjen tënde e të jetë braktisur. I mbushur me këtëbesim po të drejtohem ty, o Nënë, o Virgjër, o Virgjëresha e virgjëreshave, tek ti vij e ulem në gjunjë, mëkatar i penduar. Mos i përbuz o Nëna e Fjalës lutjet e mija, por dëgjomë dashamirëse e më plotëso dëshirën. Amen”.

Mbasi mbaroi këndimi i lutjeve murgesha Bartolomea i bëri thirrje ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Nënës Terezë dhe mbështeti mbi barkun e Monikës një medalje që e ruante me kujdes të madh : ishte ajo që kishte takuar trupin e Nënë Terezësfill mbas vdekjes. Për çfarë medalje bëhej fjalë ? Papa Ratzinger, i kushtuar Nënës Terezë të Kalkutës, e din mirë. Mban gjithmonë me vete një riprodhim, duke i dhënë një kopje besimtarëve më të kushtuar që i bëjnë vizitë. Medalja e ka origjinën tek çfaqja e Zojës së Bekueme para Shën Katerinës Labouré, e ndodhur më 27 nëndor 1830. N’atë rast Virgjëresha kërkoi që të bëhej një medalje në këtë formë : Ajo në këmbë mbi globin tokësor, me rreze drite që zbresin nga duartë e saj poshtë. Për rreth e shkruara : “O Mari, e ngjizur pa mëkat, lutuni për ne që ju drejtohemi Juve”. N’anën tjetër të medaljes duket një M që ka sipër një kryq e rrethohet nga 12 yje. Nënë M duken dy zemra, njëra prej të cilave e therur. Medalje si kjosot janë të përhapura në gjithë botën dhe janë shumë të kërkuara, për shkak të mrekullive që u njihen atyre.

Fill mbas recitimit të nëntëMemorare-ve e prekjes së medaljes në bark, Monika Bersa ra në gjumë. Nuk ndiente më asnjë dhimbje e në orën një të natës, duke u zgjuar, preku barkun e kuptoi që masa tumorale ishte zhdukur. Kontrollet mjekësore vërtetuan se vezoret, mitra, fshika dhe veshkat ishin përsosmërisht normalë. Simbas mjekëve ishte i dukshëm “një shërim i plotë nga një gjëndje sëmundjeje në shkallë të fundit”. Mrekullia më e shtrenjtë për Gjon Palin II, prej së cilës Nënë Tereza do të shpallej e Lumnueme më 2003, u krye.

Miratimi i Papës Françesku për shenjtërimin e Nënë Terezës ka përkuar me ditëlindjen e tij të 79. Në fakt ka qenë 17 dhjetori i vitit 2015, dita kur Papa ka lajmëruar njohjen e shërimit të dytë, të pashpjegueshëm për shkencën, atë të ingjinjerit brazilian Marcilio Haddad Andrino, të njohur themelueses së Murgeshave Misionare të Kallkutës. Historia e kësaj mrekullie, hollësitë e së cilës janë mbledhur nga shkrimtari e gazetari Antonio Gaspari, ka filluar në dhjetor 2008, kur ingjinjerit  Andrino, n’atë kohë 35 vjeç i sapo martuar, i diagnostikohen shqetësime të rënda neurologjike. Më saktë, analizat klinike zbulojnë praninë e tetë abseseve trunore, pra të tetë zonave të infeksioneve të rënda në tru.

“Mbas shtrimit të menjëhershëm”, shpjegon eksperti zyrtar i Kongregacionit të Ҫështjeve të Shenjtëve, profesori Karlo Jovine,“ skaneri vërtetoi rëndimin e gjëndjes dhe pazienti hyri në komë. Mbas pak ditësh, kuadritklinik mjaft dramatik i u shtua çfaqja e një hidroqefali bllokues, pra mbyllja e rrugëve rrjedhëse të lëngjeve në tru. U bë e detyrueshme një ndërhyrje e menjëherëshme kirurgjikale, por atëherë filluan të ndodhin gjëra të pashpjegueshme. Profesori Kabral, kirurgu që pregatitej të kryente operacionin, me habi sheh se ingjinjer Andrino ishte i zgjuar, i vetëdijshëm dhe pyeste “Ҫfarë po bëj un këtu?”. U krye një skaner i trurit për të kuptuar se çfarë po ndodhte me pacientin dhe, në shtangien e përgjithëshme, zbulohet se jo vetëm është zhdukur hidroqefali, por dhe abseset janë zvogëluar në masën 70%. Në pak ditë kuadri i pabesueshëm u plotësua : truri i Andrinos nuk paraqet më asnjë gjurmë parregullsie apo ndryshimi. Më 23 dhjetor, vetëm dhjetë ditë mbas operacionit të munguar, pacienti kthehet në shtëpi i shëruar plotësisht.

“Një rast si ky”, deklaroi profesor Jovine “nuk ka të ngjajshëm më parë, sepse përqindja e përfundimeve fatale në praktikëështë 100%. Duhet të konkludojmë pra, se ngjarja është shkencorisht e pashpjegueshme.” Një mrekulli dhe njohja e saj si ndërhyrje e Nënë Terezës, i detyrohet një sërë elementësh të pakundërshtueshëm. Në fakt ishte gruaja e ingjinjer Andrino-s që kishte kërkuar ndërhyrjen e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës, kur burri po pregatitej të  operohej. Mbrëmjen para operacionit  gruaja, e shoqëruar nga një prift, të cilit i ishte drejtuar, kishte shkuar në spital. Aty prifti, atë Elmiran Ferreira, famullitar i kishës Sao Vicente, i kishte dhënë të sëmurit mirosjen e fundit. Mbasi ishte lutur, prifti vuri mbi pazientin një foto dhe një relike të Nënë Terezës pranë kokës. N’atë çast shërimi mrekullues i Andrino-s filloi.

Marrë nga revista GENTE speciali  Numuri 1, shtator 2016

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Nene Tereza, NGA QIELLI, VEPRON AKOMA

PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE POLITIKA SHQIPTARE

August 20, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

11 korriku, me votimin “bullgar” të reformës së drejtësisë, duket se qe një përjashtim i rrallë. Kryetari i Shtetit, të cilin reforma e detyron të propozojë emrat e gjyqtarëve që do t’i nënështrohen vetingut, tregohet i shqetësuar, mbasi i mungojnë dekretet plotësuese të ligjit për reformën. Për pasojë nuk din se çfarë kriteresh duhet të zbatojë për caktimin e atyre emrave. Kryetari i komisionit për reformën, i cili duhej t’i kishte gati, në vija të përgjithëshme, ata dekrete, mbasi ka gati dy vjet që merret me atë punë së bashku me bashkëpuntorët e tij, duket si i shastisur nga “zbulimet” e Opozitës mbi veprimtarinë e vëllait të tij. Simbas saj, ai ishte i prekur nga një mandat arresti, i lëshuar nga organet e drejtësisë të Venezuelës, një Vend model i sprovës së fuqisë shkatërruese të ideve komuniste, të cilat në pak vite janë t’afta të katandisin në gjëndje urije edhe shtetin më të begatë të Amerikës Latine.

Opozita e cila, mbas shumë dredhash jo vetëm politike e juridike, për ndonjë çështje edhe me të drejtë, si pasojë e trysnisë së pashembullt për logjikën e thjeshtë të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në çastet e fundit t’asaj dite “historike”, pranoi “konsensusin” e votoi njëzëri reformën. Ajo votë u përshëndet meentuziazëm nga të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, duke krijuar idenë se, më së fundi, mbas një të katërt shekulli dështimesh në zbatimin e ligjëshmërisë, veçanërisht në fushën gjyqësore, u krye hapi  i nevojshëm që do të bëjë Shqipërinë një shtet të së drejtës, në të cilin korrupsioni dhe paligjshmëria nuk do të kenë më të drejtë qytetarie. Duket si njëëndërr sa e bukur, po aq e vështirë për t’u besuar, edhe se nunët e saj në pagëzim janë ambasadorët e SHBA dhe BE.

Pa u thelluar në këtë rast n’arsyet, rrethanat apo motivet që sollën në këtë gjëndje të rëndë të drejtësisë e politikës shqiptare, që bëri të domosdoshme jo bisturinë, por sëpatën e shteteve perëndimore e që e kanë burimin në strategjinë e fshehtë të tjetërsimit të sistemit, të hartuar në fjalimin famëkeq të Ramiz Alisë në byronë politike të PKSH, në tetor 1989, një farë mosbesimi, përsa i përket rezultateve të pritëshme, bëhet i detyrueshëm. Për të krijuar besimin duhet një zotim i përgjithshëm, jo thjesht për të dënuar ndonjë gjyqtar qëështë pasuruar me ryshfetet e marra për të dhënë vendime të padrejta, por për të ndryshuar mendësinë zotëruese të këtyre viteve, të përmbledhur në moton “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”, me të gjitha mjetet e mënyrat për t’u vënë në jetë. Por çfarë besimi mund të frymëzohet nga ata që e përqafuan me bindje dhe e bënë synimin kryesor të veprimtarisë së tyre postulatin e Ramiz Alisë, të cilët sot veshin qyrkun e “reformatorit”, për t’u ligjëruar në sytë e përfaqësuesve të SHBA apo të BE ?

Ai zotim kërkon një minimum bashkërenditje të bindjeve e veprimeve, një minimum respekti të ndërsjelltë. Në kundërshtim me këtë kërkesë tënevojshme, jemi të pranishëm në një garë të shfrenuar padish të ndërsjellta, të cilat shprehen pothuajse çdo ditë, jo vetëm nga zëdhënësit, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të PD apo PS, në moskokëçarjen e përgjithëshme të institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë këtu edhe prokurorinë. Simbas padive të PD, qeveria shqiptare, kryesisht Kryeministri Edi Rama dhe ministri Tahiri, janë vetëm “baronë të drogës” të cilët, nëpërmjet sejmenëve të tyre në funksione tëndryshme, kryesisht n’organet e rendit, e kanë kthyer Shqipërinë në një mori plantacionesh me kanabis, nga shitja e të cilit nxjerrin fitime përrallore. Një realitet i tillë do t’i bënte t’u dridheshin eshtrat në varre të gjithë atyre që, njëqind vjet më parë, u munduan të krijonin Shqipërinë e pavarur.

Pohimet e ditëve të fundit të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, apo të kreut të departamentit të sigurisë t’asaj partie, Enkelejd Alibeja, të mbushura me shifra e me emra, edhe sikur t’ishin 50 % të vërteta, duhet të ngrinin në këmbë të gjithë shqiptarët, duke filluar nga Kryetari i Shtetit tek qytetari më i thjeshtë, përfshirë edhe oganet e drejtësisë. Imazhi i një shteti, në të cilin Kryetari i Qeverisëështë pronar i paligjshëm i tokave të mbjella me kanabis që çohet fshehtas n’Evropë, jo vetëm duhet të jetë i papranueshëm për secilin shqipfolës, kudo që të ndodhet, por duhet të bëhet një problem edhe për organizmat ndërkombëtare si NATO apo BE, me të cilat ajo qeveri mban lidhje.Ҫuditërisht nuk vërehet asnjë lloj kundërveprimi dhe kjo gjë më duket e papranueshme.

Imazhin e Shqipërisë mundohen t’a ruajnë të pastër qindra mijra qytetarë në territorin e saj, apo në botën e madhe. Nuk kanë të drejtë Lulzim Basha, Edi Rama, Edi Paloka, Saimir Tahiri, apo kolegë të tyre të politikës t’a përdhosin para shqiptarëve e para botës.Organet e Prokurorisë dhe Kryetari i Shtetit, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kanë për detyrëmorale dhe shtetërore të nxjerrin të vërtetën në shesh. Nuk duhet ndonjë gjë e veçantë për të zbuluar se ku qëndron kufiri mes së vërtetës dhe gënjeshtrës në këtë batërdi akuzash e në këtë mori përbaltjeje, jo vetëm të personave të zënë në gojë, por edhe të emrit të vetë Shqipërisë. Heshtja dhe moskokëçarja, si i tyre ashtu edhe i shoqërisë civile, janë një barrë e rëndë në ndërgjegjen e secilit. Nëse janë të vërteta pohimet e eksponentëve të lartë të PD, jo qeveria teknike që kërkon drejtuesi i saj, por dorëheqja e këshillit ministror e proçedimi simbas ligjit bëhen veprime të domosdoshme për t’u mëtuar nga shqiptarët. Nëse nuk janë të vërteta ata zotërinj duhet të paditen për shpifje kundër autoritetit të Shtetit e për njollosje të figurës së tij.

Në të mirë të imazhit të Shqipërisë, nuk duhet të ketë rrugë të mesme, aq më pak indiferentizëm e kthim koke nga ana tjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse politikanët tanë nuk e njohin aspak etikën e profesionit të tyre, sa që arrijnë në të tilla humnera poshtërimi, detyra e përbashkët kundrejt atdheut tonë dhe emrit të mirë të tij na detyron të mos jemi spektatorë të thjeshtë. Le shumë për të dëshëruar qëndrimi i kryeministrit dhe ministrave të tij kundrejt padive që u bëhen. Së pari ata janë qytetarë, të cilët, para akuzash “të paqena”, duhet të kundërveprojnë në përputhje me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë, ndërsa si njerëz me pushtet e kanë për detyrë që imazhin e tij t’a ruajnë të pastër. Mungesa e kundërveprimit apo të një të tilli shumë të vakët, kundrejt padive, tërthorazi i ligjërojnë ato. Habit fakti që ministri i brëndshëm “indinjohet” nga një shprehje pa rëndësi që një deputete i drejton një polici rrugor, por nuk kundërvepron aspak ndaj akuzave që i bëhen atij vetë si njeri i lidhur me krimin e organizuar, madje si pjestar e drejtues i tij!!!

Në këtë amulli idesh, qëndrimesh e veprimesh, në këtë atmosferë helmi, kundërshtie e guerriljeje politike, vihet në mëdyshje e gjithë ecja jonë drejt synimeve evropiane që, fatmirësisht, mbeten të pranuara nga të gjithë segmentet e jetës politike e nga shumica dërmuese e qytetarëve. Temperatura e lartë e kësaj fund vere politike çorodit mëndjet, sa që arrihet në veprime të njëanëshme e të pajustifikuara, si nga ana logjike ashtu edhe institucionale, siç ishte rasti i shpalljes si “i paligjshëm” nga ana e PS i dekretit të Presidentit për rivotimin e kryetarit të bashkisë së Peshkopisë.

Në këtë vorbull politike që nuk duhet të pengojë veprimtarinë e Kuvendit në plotësimin e reformës në të gjitha shtojcat e saj, deri në fillimin e zbatimit praktik, bie në sy aktivizmi i përshpejtuar i Kryetarit të PD, që “paralajmëroi dje nxitjen e revoltave popullore në rast se maxhoranca nuk do të pranojë kushtin e Opozitës për krijimin e një qeverie teknike”. Z. Basha edin mirë se një qeveri, në një Vend demokratik, ndërrohet kur nuk ka më votbesimin e parlamentit, gjë që tani për tani nuk është e vërtetë. Sigurisht Opozita e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha rrugët e mundëshme ligjore për të fituar dhe akuzat e përditëshme që i bëhen Qeverisë, mund të jenë një bazë e fortë për të kërkuar ndryshimin e saj. Ato padi nuk më duket se përbëjnë ende “pisqollën tymëse”, që do t’a vinte me shpatulla për muri kryeministrin, jo për peshën e tyre të padiskutueshme, por për vërtetimin e fakteve që paraqiten. Deri sa të mos ketë një pohim të organeve të Prokurorisë, që do të vërtetonte paditë e PD-së, Basha nuk duhet të mobilizojë masat e përkrahësve të tij në veprime që joo vetëm do të krijonin njëmjedis të panevojshëm për çastin, por do të krijonin një preçedent që nesër mund të kthehej kundër tij, në hamëndjen e një fitoreje të mundëshme të zgjedhjeve t’ardhëshme.

Mendësia e shtrëngimit të ngjarjeve nëpërmjet të logjikës së forcës, në një formë apo një tjetër, e cila ka kushtëzuar pjesën dërmuese të jetës politike të Shtetit të pavarur shqiptar, nuk duhet të jetë ende zotëruese në kohën tonë. Shqetësimi për të patur “zgjedhje të lira e të ndershme” është më se i ligjshëm, e duhet të jetë i tillë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Fakti që ende mbas 25 vjetësh ne nuk kemi arritur t’i kemi normale ato, tregon sa të vonuar jemi në proçesin e ndërtimit të demokracisë sonë. Në këtë drejtim ka mjaft për të bërë, duke filluar nga parimi i përbërjes së KQZ-së, që nuk duhet të jetë një organ politik me përfaqësues të caktuar nga partitë, por një institucion gjyqtarie e paanëshme e përbërë nga juristë, në vartësi të Kryetarit të Shtetit apo të Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon të parit, mendoj se është e domosdoshme të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së tij, duke kaluar në votimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve, për t’a paisur atë me autoritetin e duhur e të pakushtëzuar në ushtrimin e tagreve të tij. Madje në zgjedhjen e tij duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata që jetojnë jashtë shtetit, të cilët duhet të kenë të drejtën të paraqesin edhe kandidatët e tyre, pa kufizimet që politika shqiptare i ka vënë diasporës në këta vite.

Dihet se politika nuk është një vazo e artë ku jetojnë idealet, por një kazan ku vlojnë interesat, por mbi to duhet të ketë një synim të përbashkët për cilindo që merr rrugën e saj : përfytyresa e Atdheut, ideja e paraqitjes së tij në bashkësinë e Kombeve. Asaj ideje duhet t’i kushtojmë të gjithë një pjesë të shqetësimeve, të përpjekjeve, të vullnetit, të veprimeve tona.

Gusht 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE, politika shqiptare

RRUGA EVROPIANE QË KALON NGA BERLINI

August 19, 2016 by dgreca

Shkruar nga DANILO TAINO/  E përktheu për DIELLIN  Eugjen Merlika/

A është Gjermania problemi i Evropës së sotme ? Me gjasë jo. Madje ai Vend është një pjesë e mirë e zgjidhjes. Në një BE, përballë krizash të shumëfishta, kërkimi i fajtorit është torturues. Ashtu sikurse edhe e rrugës më të shkurtër për t’u vënë në siguri. Megjithatë ka një rrugë demokratike e pragmatike për të shmangur coptimin e BE dhe t’eurozonës. Pëlqehet apo jo kalon nga Berlini.

Gjëndja e “gjysëm hegjemonisë” n’Evropë, që historianët i a veshin prej kohësh Gjermanisë, është prodhim i dy fakteve, të dy, në pjesën më të madhe, jashtë kontrollit të qeverisë së Berlinit. Nga një anë është qëndërsia gjermane e kontinentit, objektive : gjeografike dhe ekonomike, por edhe politike (është sistemi më i qëndrueshëm), si model (është Kombi i BE ku demokracia është më e respektuara, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar), morale (mbas tmerreve të nazizmit është i vetmi Vend që ka përballuar përbindëshat e së shkuarës duke i nxjerrë në dritë, një fakt që sot e bën më të papërshkueshëm se asnjë tjetër nga nacionalizmi). Nga ana tjetër është mos pranimi i i një udhëheqjeje të qartë gjermane nga vetë Gjermania (fantazmat) dhe nga ana e partnerëve të saj evropianë. Përfundimi është “gjysëm hegjemonia”.

Bëhet fjalë për faktorë strukturorë e historikë aspak të rinj. Risia qëndron n’atë se si i përballon Berlini. Kriza financiare botërore e 2008 -ës dhe ajo evropiane e 2010-ës kishin fuqinë për të shkatërruar eurozonën dhe monedhën e përbashkët. Këto nuk kanë qenë asnjëherë rezultat i zgjedhjeve ekonomike e financiare, por i atyre politike, mbi të gjitha të dëshëruara nga Franca për të shmangur zotërimin e Gjermanisë mbi Kontinentin, mbas ribashkimit, nëpërmjet markës së fuqishme. Ato ishin ndërtesa të prekëshme, nga pikpamja ekonomike, siç e kemi parë. Për arsye politike, pra, Gjermania pranoi në vitet nëntëdhjetë të hynte në kafazin e euros, edhe se shumica e establishment ishte mosbesuese : që atëherë ka punuar për t’a mbajtur në këmbë ndërtesën luhatëse.

Nga 2010, një sërë Vendesh janë shpëtuar nga dështimi financiar me programe evropiane (Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja, Qipro). U bë i detyrueshëm një bashkim bankar i pamendueshëm më parë, edhe se ende jo i plotë. E sot eurozona është jashtë asaj krize. Roli i Angela Merkel dhe i Wolfgang Schӓuble, në gjithë këtë, ka qënë kontradiktor, siç ndodh me drejtuesit gjatë krizave, por vendimtar. Pa gjysëm udhëheqjen e Berlinit (por edhe pa BQE) eurozona me gjasë do të kishte shpërthyer. Një rol qëndror qeveria gjermane pastaj ka patur në mbajtjen së bashku të Vendeve të Be përballë Rusisë gjatë krizës ukrainase. Dhe sot në përballimin e valës së madhe refugjatëve.

Sigurisht, hapat përpara drejt një integrimi më të madh, drejt një bashkimi të bilancit e atij politik kanë qënë të kufizuara. Por, siç kuptohet nga  gjëndjet politike në gjithë Evropën, hapa më të vendosura do të kishin qënë të mundur vetëm kundër miratimit demokratik, me zgjedhje autoritare, të cilat Gjermania nuk është më e gatëshme të kryejë e që n’Evropën e sotme nuk ka shpresa mbijetese. Në të vërtetë, çfarë frenon edhe ata kalime të integrimit më të madh, që do të kishin qënë të mundur, si psh. Plotësimi i Bashkimit bankar ? Berlini nuk është i mbyllur kundrejt asaj perspektive : veçse e quan sot të pamundur sepse një sërë Vendesh përtace nuk i kanë zvogëluar rreziqet e bilanceve të bankave të tyre, mbajnë nivele të rrezikëshme të borxheve e duan të bëjnë hapa mbrapa ndaj vendimeve të marra, për shembull rregullat mbi bail-in. Me një sërë Vendesh, edhe të eurozonës, që nuk janë në gjëndje të kryejnë hapa të mëtejshëm drejt një integrimi më të madh – Hollanda, Finlanda, Austria, Franca, të cilëve mund t’u shtohet me gjasë Italia, mbasi të jetë hequr retorika – rruga e vetme e përshkueshme sot është, jo ajo e marrëveshjeve të pamundura institucionale, por e atyre politike ndërmjet Vendeve mbi tema vendimtare. Po çfarë po bën Berlini në këtëdrejtim ? Mbi t’ikurit po kërkon zgjidhje afatgjata, së bashku me Italinë. N’ekonomi nuk po i kundërvihet lakueshmërisë së Komisionit të BE kundrejt bilanceve të Francës, Spanjës, Italisë; po nxit rritjen e pagave të mbrendëshme ; në sajë të refugjatëve ka një bilanc lehtësisht të hapur. Në përballimin me Rusinë kërkon t’i mbajë të bashkuar evropianët. Mund të kërkohet më shumë. Për shembull të liberalizojë shërbimet shtëpiake e të shtyjë për një thellim të tregut të përbashkët në BE. Ajo që nuk mund të bëhet është një Bashkim bilancesh e një Bashkim politik që do t’a kishin zhytur Evropën në një kaos më të keq se ky i sotmi. Merkeli dhe Berlini n’atë rrugë nuk do të shkelin. Sepse nuk është ekonomia që vendos, as sot. Janë demokracia dhe politika.

“Corriere della Sera”, 10 qershor 2016

E përktheu Eugjen Merlika

 

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Europa, gjermania, rruga BE

SULLTANI ISLAMIK NDËRMJET ALEATËSH E VËLLEZËRISH

August 18, 2016 by dgreca

Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO/

Përktheu për Diellin:Eugjen Mërlika/

Pothuajse kanë sigurisht të drejtë ata që mendojnë se, nga takimi ndërmjet Putinit dhe Erdoganit, nuk do të lindë një aleancë e qëndrueshme mes Rusisë e Turqisë në funksion kundër perëndimor. Ngjajshmëritë e fuqishme mes dy autokratëve dhe demokracive përkatëse autoritare, nuk mjaftojnë për të fshirë shumë pika në të cilat interesat (çështja siriane në krye) e tyre ndahen. Është e drejtë të kujtohet se Turqia nuk mund t’i lejojë vetes, për arsye sa ekonomike aq edhe gjeopolitike, të prishet përfundimisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Nuk do të lindë pra, një “bosht” Ankara – Moskë i ngjajshëm me atë ndërmjet Romës, Berlinit e Tokios që u zyrtarizua më 1940. Por risia është dhe mesazhi, që Erdogani ka dashur t’i përcjellë Shteteve të Bahkuara dhe Evropës, nuk duhet nënëvlerësuar. Mesazhi është ky : kur ishte e gjallë e zotëruese Turqia e krijuar nga Mustafa Qemal Ataturku, duke filluar nga 1923, Turqia laike, evropiane, që frymëzohej nga modelet perëndimore, aleanca me Perëndimin (përkatësia në NATO, vullneti për të marrë përfundimisht “patentën” e Vendit evropian, duke marrë pjesë në Bashkimin) ishte e natyrëshme dhe e pashmangëshme. Por tani që Turqia e Ataturkut, Turqia evropiane është në shkatërrim dhe ata që i kanë dhënë shpirt janë në duart e sejmenëve të presidentit turk, ose të katandisur në pafuqi e në  heshtje, sulltanati islamik në lindje na thotë se, tani e tutje (në të vërtetë Erdogani na e ka bërë t’a kuptojmë prej disa vitesh) nuk do të ketë më aleanca “të natyrshme”, të padiskutueshme e të qëndrueshme me perëndimorët, nga të cilët shoqëria turke gjithënjë e më shumë largohet.Do të ketë vetëm përputhje të përkohëshme interesash, që do të bisedohen herë pas here. Pasojë e ndryshimit kulturor në rritje ndërmjet Turqisë e Perëndimit, pasojë e atij ri-islamizimi të shoqërisë turke, i nisur me fitoren zgjedhore të pushtetit nga ana e partisë islamike në 2002, i përkrahur e i drejtuar në mënyrë të matur e të zvarritur për disa vite, e tani  i shpejtuar dukshëm në vazhdim të kundër grushtit fitues të Shtetit të Erdoganit.

I përket specialistëve, njohësve të shoqërisë turke, t’i përgjigjen një pyetjeje : Erdogani do t’arrijë t’a shtypë përfundimisht Turqinë evropiane, Turqinë laike trashëgimtare të  Ataturkut? Sigurisht, ai ka sot në anën e tij shumicën e Vendit. Në sajë të masave islamike, sot në shumicë, Erdogani e ruajti pushtetin kundër ushtarakëve. Por ç’do të bëhet me pakicën e rëndësishme, mjaft të bollshme (pothuaj gjysma e Vendit), bijën e një shekulli të politikës laike, ç’do të bëhet me Turqinë që deri tani nuk ka dëshmuar asnjë dëshirë ri-islamizimi ? A do të mjaftojnë spastrimet e dhunëshme të regjimit t’a thyejnë përfundimisht atë ? Është ky çelësi për të kuptuar se si do të lëvizë në skenën ndërkombëtare Turqia e s’ardhmes. Nëse Erdogani nuk do t’arrinte të fuqizonte pushtetin e tij për shkak të pamundësisë së tij për të nënështruar plotësisht pjesën jo islamike të Vendit, atëherë dobësia e tij e mbrendëshme do të pasqyrohej mbi veprimin e tij ndërkombëtar : duke favorizuar me gjasë, siç është e njohur në regjimet autokratike, aventurizma e shpërthime të ndryshme agresiviteti ndërkombëtar.

Ndërsa, nëse sulltanati islamik do të fuqizohet, nëse Turqia evropiane do të fshihet përfundimisht, atëherë duhen bërë llogaritë me një fuqi të re, që ashtu si ka bërë për një kohë të gjatë Irani bektashi, do të përdorë fenë për të ushqyer “ndeshje qytetërimesh”, për t’u paraqitur si fuqi-udhëheqje e revolucionit islamik.

Do të bëhen  n’atë rast shumë të ndërlikuara marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe botës perëndimore. Si mund të pajtohet islamizmi militant me qëndrimin në Nato ? Realizmi detyron një qëndrim shumë të matur në lidhje me të. Për shumë arsye të karakterit strategjik, përfshirë këtu edhe rrezikun që sulltanati i ri islamik të zotërojë armë bërthamore të pranishme në bazat e Nato-s, të shpërndara mbi territorin e saj. Në të njëjtën kohë, do t’ishte e ndërlikuar të mbahej në NATO, duke  lënë jashtë sekreteve të organizatës një Vend që n’atë pikë do të mund të fshihte më prirjen e tij kundër perëndimore.

Nëse sulltanati islamik do të fuqizohej do t’ishte edhe një problem i madh për Evropën. Turqia do të bëhej financuesi i madh, mbrojtësi politik e financiar i atyre Vëllezërve myslimanë që janë rrënjosur thellë në Islamin evropian. Mbas grushtit të Shtetit që ka hequr Vëllazërinë nga pushteti n’Egjypt, Erdogani ka mbetur pika e tyre kryesore e referimit. Në ndryshim me perëndimorët, ata nuk mund veçse të duartrokasin veprimin e tij shtypës. Nga ana tjetër është e natyrshme dhe e kuptueshme : për Islamin politik Ataturku dhe trashëgimia e tij ishin një rravgim, një çoroditje, për t’u fshirë me çdo mjet. Nëse sulltanati islamik do të fuqizohej, marrëdhëniet ndërmjet mbështetësve të tij dhe shoqërive evropiane do të bëheshin mjaft të ndërlikuara.

“Corriere della Sera” , 11 gusht 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: E VËLLEZËRISH, Eugjen Merlika, NDËRMJET ALEATËSH, SULLTANI ISLAMIK

ZGJEDHJET AMERIKANE : HILLARY APO DONALD ?

August 10, 2016 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/

Më 8 nëndor të këtij viti do të përfundojë akti i fundit i dramës së nisur para dy vitesh, proçesi popullor i zgjedhjes së njeriut më të fuqishëm të botës, Presidentit të SH.B.A.- ës. Risia e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në nivel planetar, është prania për herë të parë në historinë e kontinentit të Ri të  një gruaje, znj. Hillary Clinton, dhe të një biznesmeni, z. Donald Trump, që do të përballen me njëri tjetrin, për postin më të lartë të Administratës amerikane.

Zgjedhjet e presidentëve të Amerikës së Veriut janë ndjekur, në të gjithë botën, me një interes të shtuar që nga viti 1945, kur Franklin Delano Roosevelt, i zgjedhur për të vetmen herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, si President në legjislaturën e tretë, mbasi udhëhoqi Vendin e tij në fitoren e luftës së dytë botërore, u nda nga jeta pak ditë para dorzimit të Gjermanisë. Që atëherë kanë kaluar 71 vjet, një nga periudhat më të ngjeshura me ngjarje në historinë e botës, në të cilën kombi amerikan mori përsipër rolin mbrojtës e udhëheqës të botës Perëndimore, në një bashkëthurje të ndërlikuar ndërkombëtare. Ajo u shënua nga një dyluftim ekonomik, politik e ushtarak, ky i fundit, fatmirësisht në largësi, ndërmjet Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik e kapitalist, i ndërthurur ky edhe me zhdukjen e sistemit kolonial e të ndryshimit rrënjësor të Statu quos botërore të paraluftës.

Edhe fushata zgjedhore e këtij viti është ndjekur e pasqyruar në mediat botërore, jo vetëm me interesin e duhur, por edhe me një ndiesì ankthi e pasigurie të pazakontë, sidomos n’Evropë. Arsyet e këtij shqetësimi të veçantë janë personaliteti dhe deklaratat e kandidatit republikan, manjatit të New Yorkut, Donald Trump. Z. Trump është një outsider në politikë, një nga të paktit, në mos i vetmi, që arrin të marrë emërimin e njërës prej partive amerikane si kandidat për president, duke mos patur asnjë funksion politik deri n’atë çast. Por vetëm ky fakt, ndoshta nuk do t’ishte burim shqetësimi për botën, e cila ka njohur në njëzet vitet e fundit, edhe të tjerë biznesmenë të suksesëshëm, që janë futur në politikë drejt për drejt nga bota e ndërmarrjeve ekonomike vetiake. Të tillë kanë qenë Berluskoni n’Itali, Sinavarta në Tailandë, Poroshenko n’Ukrainë dhe Paçolli në Kosovë, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Madje, deri në vënien në provë të tyre, ka patur një opinion të gjërë publik në Vendet e tyre, i cili mendonte se do t’ishte një dobi zbatimi i stilit  të drejtimit të Shtetit si ai i ndërmarrjeve, me po të njëjtin sukses. Jeta ka vërtetuar se ky ishte një iluzion, që buronte nga kërkimi i një rrugëdaljeje nga plogështia e theksuar e politikës, në përballimin e zgjidhjen e problemevet të shoqërisë e të shtetit, kryesisht në fushën ekonomike. Por drejtimi i Shtetit është një sipërmarrje shumë më e ndërlikuar se sa mbarështimi i një ndërmarrjeje ekonomike, qoftë kjo edhe e përmasave të mëdha. Pasiguria që shkakton kandidimi i Trumpit ka disa arsye :

Roli tepër i rëndësishëm i Presidentit të SHBA-ës në fushën planetare, si pasojë e vendit të posaçëm që ze ai Shtet në gjithësinë e politikës botërore. Këtu duhet mbajtur parasysh fuksioni i tij i fuqishëm, përsa i përket tagreve që i njeh Kushtetuta, dhe shkalla e zotimit dhe pjesëmarrjes  në zhvillimet botërore, pothuajse gjithmonë përcaktuese për rrjedhat e tyre.

Trump – ideja për Amerikën dhe botën që, e vënë në zbatim, do të përbënte një kthesë në formë U-je në rrugën e saj. Më poshtë do të shohim më me hollësi këtë vështrim.

Personaliteti tepër i diskutueshëm i kandidatit, për sa i përket shtatit intelektual, përvojës politike dhe rëndomtësisë në qëndrim e në sjellje, sidomos në lidhje me botën femërore. Në këtë drejtim po sjell një fragment nga një artikull i filozofit dhe politologut francez Bernard – Henry Lévy, të botuar në të përditëshmen “Corriere della sera”, të datës 31 korrik 2016 :

“Problemi nëse Donald Trumpi do të zgjidhej, sigurisht do të ishte vulgariteti i tij i pamasë (Amerika ka parë shumë, por ende jo një president që bën fjalë për përmasat e organit të tij mashkullor në një debat televiziv). Do të ishte urrejtja e tij patologjike kundrejt grave ( a nuk porositi, dikur, në një bisedë me arkitektin Philip Johnson, të botuar nga “New York Magazine”, që të trajtoheshin si jashtëqitje ? A nuk tha pak më parë se duhen konsideruar, kur kanë fytyrën e një gazetareje me të cilën u ndesh, si krijesa të neveritëshme “që humbasin gjak nga të gjitha anët”?”

Besoj se çdo koment është i tepërt, habit fakti i pranisë së mjaft vajzave e grave amerikane në mitingjet e z. Trump. Konceptet e kandidatit republikan për rolin e Amerikës në botë priren nga një tjetër shfaqje e doktrinës së shpallur dyqind vjet më parë nga Presidenti James Monroe (1816 – 1824) e që përmblidhet në shprehjen “Amerika për amerikanët”, pra nënkupton një tërheqje të Vendit nga zotimet e tij dhjetravjeçare në botë. “ Besojma jonë është amerikanizmi e jo globalizmi. Amerika first e kombet e tjera duhet të rifillojnë të na trajtojnë me respekt.” Kështu shprehet Donald Trump, duke bërë levë, jo pa të drejtë, mbi “bezdinë” e shumë amerikanëve që e shohin Vendin e tyre të treguar me gisht si “xhandar ndërkombëtar”, të vënë në tehun e kritikës çdo ndërhyrje të SHBA-ës në botë, çdo përpjekje të saj, gjatë 70 vjetëve mbas luftës së dytë botërore, për të mbrojtur e përhapur vlerat e demokracisë së saj, edhe me çmimin e dhjetra mijra jetëve të qytetarëve të saj. Është një qëndrim që përkon me ndonjë veprim të Presidentit Obama, i cili, për arsye ideologjike e politike, e ngushtoi mjaft rrethin e pranisë amerikane në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar vonesa të papërligjura në luftën kundër Shtetit islamik të Al Bagdatit.

Trumpi thotë se do t’a zhdukë kërcënimin islamik, pa shpjeguar në ç’mënyrë, por shpall si masë kryesore mbrojtëse mos lejimin e asnjë myslimani për të hyrë në SHBA-ës dhe si kriter politik, një marrëveshje me Rusinë, Presidentin e së cilës e quan “një udhëheqës i gjallë e i talentuar me të cilin, sigurisht, do të gjindem mirë.” Mbyllja e dyerve të Shtetit amerikan për myslimanët është marrëzi utopike pa kuptim as si propagandë për konsum të mbrendshëm e për vota. Ajo është pjesë e huajtur nga platformat e t’ashtuquajturave parti “të djathta” kundër evropiane, të përfaqësuar nga personazhe demagogjike si Nigel Farage, Geert Wilders, Marine le Pen, Matteo Salvini e shumë të tjerë që kanë shpikur modën e “daljes nga Evropa” e kthimit tek monedhat e vjetra kombëtare. Nuk është e rastit që, në kuvendin republikan të Clevelandit, ishin të pranishëm nga Evropa vetëm Farage e Wilders. Sa i përket Rusisë Trump bashkohet me mendimet e këtyre personazheve piktoreskë të politikës evropiane, që kërkojnë heqjen e sanksioneve edhe se Rusia mban trupat e saj ushtarake në krahinat Lindore t’Ukrainës, edhe se bombardon spitalet e Alepit në Siri, edhe se kërcënon Vendet e tjera ish antare të Bashkimit Sovjetik. Madje “amerikanisti” Trump që pesë herë i është shmangur shërbimit ushtarak në Vendin e tij, sot nuk ka asnjë vështirësi të kërkojë ndihmën e Rusisë, për të zbuluar letërkëmbimin elektronik të partisë kundërshtare, duke u shprehur në një miting : “Rusí, nëse më dëgjon, shiko të gjesh ata 33 mijë email të Clintonit që janë zhdukur”. Për të luftuar kundërshtaren, të cilën  në 2008 e quante si “kandidaten më të mirë për presidente” , ndërsa sot e emëron “djall” e “krijuese tw ISIS”, nuk nguron të thërrasë në ndihmë shërbimet sekrete të Vendit rival. Më e pakta që mund të thuhet në këtë rast, është një lehtësi e papranueshme, jo për një president, por as për një kryetar bashkije të ndonjë kontèje të Amerikës së thellë. Më e shumta është shprehja e Kryetarit të pakicës demokratike në Senat Harry Reid : “një rrezik për sigurinë kombëtare”. Ky opinion po ve në vështirësi CIA-n, drejtues të lartë të së cilës po shprehin dyshimet e tyre, në lidhje me besueshmërinë e kandidatit republikan, i cili do të marrë në dorë raportet e fshehta të atij organizmi.

Janë interesante pikpamjet e Trumpit mbi personazhe të ndryshme politike të botës, simpatitë apo mirëkuptimet për Kim Jong Il, Sadam Husejnin, Gedafin, Erdoganin etj., ndërsa shprehet tepër kritik kundrejt Angela Merkel që “ka bërë një gabim të rëndë, duke hapur dyert për refugjatët nga Siria.” e, kryesisht ndaj NATO-s, që është “një organizatë e vjetëruar të cilën është i gatshëm t’a rishikojë”. Në këtë hulli mendimesh hyn edhe kritika për bombardimet e saj mbi Serbinë e Millosheviçit më 1999, me shprehjen e simpative të tij pro serbe, pa u thelluar aspak në arsyet objektive që çuan në vendimet e NATO-s. Një pyetjeje të një gazetari të New York Times, nëse Amerika e Presidentit Trump do të ndërhynte për të mbrojtur Republikat balltike, antare të NATO-s, në rast të një sulmi rus, ai u përgjigj prerë : “Më parë duhet parë nëse këta Vende kanë respektuar zotimet e marra me ne. Nëse e kanë bërë, përgjigja është po.” Është më shumë një përgjigje prej afaristi se prej Burri Shteti, që nuk mban parasysh se detyrimet ndaj Aleancës janë një praktikë e zakonshme që duhet respektuar gjithmonë, e se pika 5 e Traktatit, që detyron Aleancën të ndërhyjë në raste sulmimi të një antari të saj, nuk e kushtëzon atë me pagesën e kuotave.

“Sinqeriteti” i tij në shprehjen e bindjeve për politikën e jashtëme, barabitet me një demagogji të dukëshme, kur flet për ekonominë, homoseksualët apo të tjerë probleme të brëndëshme. “Kam zbritur në politikë për të mos lejuar që të fuqishmit të mbizotërojnë ata që nuk janë në gjëndje të mbrohen.”  Sa mund t’i besohet këtij pohimi, që del nga goja e një manjati, për të cilin thuhet se mjaft prej puntorëve te ndërmarrjeve të tij të ndërtimit, i mbante në punë në të zezë, pa kontrata të rregullta. Sa mund të jetë bindës ai pohim, po të mbajmë parasysh se ai është pjesë e atij sistemi, në sajë të të cilit ka fituar miliarda dollarë, ndërsa tani përfaqësoka “politikën e vjetër”, të cilën ai, që vetëquhet “i vetmi kandidat në gjëndje të rregullojë Vendin”, do t’a çmontojë e t’a ndreqë ! E gjithë filozofia e tij zgjedhore është shprehje e një vazhde bindjesh e opinionesh që kundërshtojnë njëri tjetrin, simbas argumentave e situatave, për të fituar votat. Se sa do t’i a arrijë qëllimit, varet nga sa do t’i besojnë amerikanët, sidomos zgjedhësit republikanë, për të cilët z. Trump ka një “konsideratë” të posaçme, siç del nga ky fragment i një deklarate të vitit 1998 në “People” : “Nëse do të kandidonja për president, do t’a bënja si republikan. Janë zgjedhësit më budallenj të Vendit. I besojnë çdo gjëje që shohin në Fox News. Mund të gënjej e ata, megjithatë do të besonin, vë bast se përqindjet e mija do t’ishin shumë të larta. “

Sot z. Trump mund të jetë i kënaqur për vërtetimin e “profecisë” së tij të 18 viteve të shkuara, që dëshmojnë se miliarderi është një psikolog i mirë sidomos përsa i përket bashkatdhetarëve të tij. Nuk dihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i 8 nëndorit, por e kuptoj mirë vështirësinë që do të provojnë atë ditë ata amerikanë, mes tyre edhe shqiptaro-amerikanë, që mezi ç’presin të largohet Obama, me të gjithë mefshtësinë e majtësinë e tij të dukëshme, që ëndërrojnë Amerikën reganiane, fitimtare ndaj komunizmit, por u duhet të kënaqen me një shembëlltyrë të zbehtë të saj, vetëm e vetëm sepse turma republikane bën atë zgjedhje në primaret. Është e vërtetë se nëntë kandidatët e tjerë, që hynë në garë, nuk shquheshin për aftësi të rralla, por nuk ishin aq larg shpirtit të vërtetë t’Amerikës bujare e mikpritëse, djepit të lirisë e mirëqënies, sa më duket se është z.Trump.

Në një kryeartikull të gazetës “Corriere della Sera”, një nga politologët më të njohur italianë, prof. Angelo Panebianco, e titullon kështu shkrimin e tij : “Të shtrënguar të bëjmë tifo për Hillaryn”. Mendoj se për ne shqiptarët, në një farë mënyre, bëhet  pothuaj e detyrueshme tifoja e vota për Hillaryn, si First Lady e Amerikës në 1999, kur Vendi i saj dhe NATO shpëtonin nga zhdukja popullin e Kosovës, ndërsa z. Trump projektonte mashtrimin e “budallenjve” republikanë.

Vota për Kryetarin a Kryetaren e Shtetit amerikan do të jetë edhe një votë për Evropën e Bashkuar, me të cilën lidhen shpresat tona. Donald Trumpi, si President, do t’i vriste ato shpresa, sepse do të stimulonte shpërbërjen e saj, simbas stilit Brexit, në një marrëveshje fatale me Rusinë. Është mundësi që na kthen 70 vjet mbrapa, në një ëndërr të keqe që e provuam për gati gjysëm shekulli.

Gusht 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, HILLARY APO DONALD ?, Zgjedhjet/ amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT