Nga Eugjen MERLIKA/
Më 8 nëndor të këtij viti do të përfundojë akti i fundit i dramës së nisur para dy vitesh, proçesi popullor i zgjedhjes së njeriut më të fuqishëm të botës, Presidentit të SH.B.A.- ës. Risia e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në nivel planetar, është prania për herë të parë në historinë e kontinentit të Ri të një gruaje, znj. Hillary Clinton, dhe të një biznesmeni, z. Donald Trump, që do të përballen me njëri tjetrin, për postin më të lartë të Administratës amerikane.
Zgjedhjet e presidentëve të Amerikës së Veriut janë ndjekur, në të gjithë botën, me një interes të shtuar që nga viti 1945, kur Franklin Delano Roosevelt, i zgjedhur për të vetmen herë në historinë e Shteteve të Bashkuara, si President në legjislaturën e tretë, mbasi udhëhoqi Vendin e tij në fitoren e luftës së dytë botërore, u nda nga jeta pak ditë para dorzimit të Gjermanisë. Që atëherë kanë kaluar 71 vjet, një nga periudhat më të ngjeshura me ngjarje në historinë e botës, në të cilën kombi amerikan mori përsipër rolin mbrojtës e udhëheqës të botës Perëndimore, në një bashkëthurje të ndërlikuar ndërkombëtare. Ajo u shënua nga një dyluftim ekonomik, politik e ushtarak, ky i fundit, fatmirësisht në largësi, ndërmjet Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik e kapitalist, i ndërthurur ky edhe me zhdukjen e sistemit kolonial e të ndryshimit rrënjësor të Statu quos botërore të paraluftës.
Edhe fushata zgjedhore e këtij viti është ndjekur e pasqyruar në mediat botërore, jo vetëm me interesin e duhur, por edhe me një ndiesì ankthi e pasigurie të pazakontë, sidomos n’Evropë. Arsyet e këtij shqetësimi të veçantë janë personaliteti dhe deklaratat e kandidatit republikan, manjatit të New Yorkut, Donald Trump. Z. Trump është një outsider në politikë, një nga të paktit, në mos i vetmi, që arrin të marrë emërimin e njërës prej partive amerikane si kandidat për president, duke mos patur asnjë funksion politik deri n’atë çast. Por vetëm ky fakt, ndoshta nuk do t’ishte burim shqetësimi për botën, e cila ka njohur në njëzet vitet e fundit, edhe të tjerë biznesmenë të suksesëshëm, që janë futur në politikë drejt për drejt nga bota e ndërmarrjeve ekonomike vetiake. Të tillë kanë qenë Berluskoni n’Itali, Sinavarta në Tailandë, Poroshenko n’Ukrainë dhe Paçolli në Kosovë, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Madje, deri në vënien në provë të tyre, ka patur një opinion të gjërë publik në Vendet e tyre, i cili mendonte se do t’ishte një dobi zbatimi i stilit të drejtimit të Shtetit si ai i ndërmarrjeve, me po të njëjtin sukses. Jeta ka vërtetuar se ky ishte një iluzion, që buronte nga kërkimi i një rrugëdaljeje nga plogështia e theksuar e politikës, në përballimin e zgjidhjen e problemevet të shoqërisë e të shtetit, kryesisht në fushën ekonomike. Por drejtimi i Shtetit është një sipërmarrje shumë më e ndërlikuar se sa mbarështimi i një ndërmarrjeje ekonomike, qoftë kjo edhe e përmasave të mëdha. Pasiguria që shkakton kandidimi i Trumpit ka disa arsye :
Roli tepër i rëndësishëm i Presidentit të SHBA-ës në fushën planetare, si pasojë e vendit të posaçëm që ze ai Shtet në gjithësinë e politikës botërore. Këtu duhet mbajtur parasysh fuksioni i tij i fuqishëm, përsa i përket tagreve që i njeh Kushtetuta, dhe shkalla e zotimit dhe pjesëmarrjes në zhvillimet botërore, pothuajse gjithmonë përcaktuese për rrjedhat e tyre.
Trump – ideja për Amerikën dhe botën që, e vënë në zbatim, do të përbënte një kthesë në formë U-je në rrugën e saj. Më poshtë do të shohim më me hollësi këtë vështrim.
Personaliteti tepër i diskutueshëm i kandidatit, për sa i përket shtatit intelektual, përvojës politike dhe rëndomtësisë në qëndrim e në sjellje, sidomos në lidhje me botën femërore. Në këtë drejtim po sjell një fragment nga një artikull i filozofit dhe politologut francez Bernard – Henry Lévy, të botuar në të përditëshmen “Corriere della sera”, të datës 31 korrik 2016 :
“Problemi nëse Donald Trumpi do të zgjidhej, sigurisht do të ishte vulgariteti i tij i pamasë (Amerika ka parë shumë, por ende jo një president që bën fjalë për përmasat e organit të tij mashkullor në një debat televiziv). Do të ishte urrejtja e tij patologjike kundrejt grave ( a nuk porositi, dikur, në një bisedë me arkitektin Philip Johnson, të botuar nga “New York Magazine”, që të trajtoheshin si jashtëqitje ? A nuk tha pak më parë se duhen konsideruar, kur kanë fytyrën e një gazetareje me të cilën u ndesh, si krijesa të neveritëshme “që humbasin gjak nga të gjitha anët”?”
Besoj se çdo koment është i tepërt, habit fakti i pranisë së mjaft vajzave e grave amerikane në mitingjet e z. Trump. Konceptet e kandidatit republikan për rolin e Amerikës në botë priren nga një tjetër shfaqje e doktrinës së shpallur dyqind vjet më parë nga Presidenti James Monroe (1816 – 1824) e që përmblidhet në shprehjen “Amerika për amerikanët”, pra nënkupton një tërheqje të Vendit nga zotimet e tij dhjetravjeçare në botë. “ Besojma jonë është amerikanizmi e jo globalizmi. Amerika first e kombet e tjera duhet të rifillojnë të na trajtojnë me respekt.” Kështu shprehet Donald Trump, duke bërë levë, jo pa të drejtë, mbi “bezdinë” e shumë amerikanëve që e shohin Vendin e tyre të treguar me gisht si “xhandar ndërkombëtar”, të vënë në tehun e kritikës çdo ndërhyrje të SHBA-ës në botë, çdo përpjekje të saj, gjatë 70 vjetëve mbas luftës së dytë botërore, për të mbrojtur e përhapur vlerat e demokracisë së saj, edhe me çmimin e dhjetra mijra jetëve të qytetarëve të saj. Është një qëndrim që përkon me ndonjë veprim të Presidentit Obama, i cili, për arsye ideologjike e politike, e ngushtoi mjaft rrethin e pranisë amerikane në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar vonesa të papërligjura në luftën kundër Shtetit islamik të Al Bagdatit.
Trumpi thotë se do t’a zhdukë kërcënimin islamik, pa shpjeguar në ç’mënyrë, por shpall si masë kryesore mbrojtëse mos lejimin e asnjë myslimani për të hyrë në SHBA-ës dhe si kriter politik, një marrëveshje me Rusinë, Presidentin e së cilës e quan “një udhëheqës i gjallë e i talentuar me të cilin, sigurisht, do të gjindem mirë.” Mbyllja e dyerve të Shtetit amerikan për myslimanët është marrëzi utopike pa kuptim as si propagandë për konsum të mbrendshëm e për vota. Ajo është pjesë e huajtur nga platformat e t’ashtuquajturave parti “të djathta” kundër evropiane, të përfaqësuar nga personazhe demagogjike si Nigel Farage, Geert Wilders, Marine le Pen, Matteo Salvini e shumë të tjerë që kanë shpikur modën e “daljes nga Evropa” e kthimit tek monedhat e vjetra kombëtare. Nuk është e rastit që, në kuvendin republikan të Clevelandit, ishin të pranishëm nga Evropa vetëm Farage e Wilders. Sa i përket Rusisë Trump bashkohet me mendimet e këtyre personazheve piktoreskë të politikës evropiane, që kërkojnë heqjen e sanksioneve edhe se Rusia mban trupat e saj ushtarake në krahinat Lindore t’Ukrainës, edhe se bombardon spitalet e Alepit në Siri, edhe se kërcënon Vendet e tjera ish antare të Bashkimit Sovjetik. Madje “amerikanisti” Trump që pesë herë i është shmangur shërbimit ushtarak në Vendin e tij, sot nuk ka asnjë vështirësi të kërkojë ndihmën e Rusisë, për të zbuluar letërkëmbimin elektronik të partisë kundërshtare, duke u shprehur në një miting : “Rusí, nëse më dëgjon, shiko të gjesh ata 33 mijë email të Clintonit që janë zhdukur”. Për të luftuar kundërshtaren, të cilën në 2008 e quante si “kandidaten më të mirë për presidente” , ndërsa sot e emëron “djall” e “krijuese tw ISIS”, nuk nguron të thërrasë në ndihmë shërbimet sekrete të Vendit rival. Më e pakta që mund të thuhet në këtë rast, është një lehtësi e papranueshme, jo për një president, por as për një kryetar bashkije të ndonjë kontèje të Amerikës së thellë. Më e shumta është shprehja e Kryetarit të pakicës demokratike në Senat Harry Reid : “një rrezik për sigurinë kombëtare”. Ky opinion po ve në vështirësi CIA-n, drejtues të lartë të së cilës po shprehin dyshimet e tyre, në lidhje me besueshmërinë e kandidatit republikan, i cili do të marrë në dorë raportet e fshehta të atij organizmi.
Janë interesante pikpamjet e Trumpit mbi personazhe të ndryshme politike të botës, simpatitë apo mirëkuptimet për Kim Jong Il, Sadam Husejnin, Gedafin, Erdoganin etj., ndërsa shprehet tepër kritik kundrejt Angela Merkel që “ka bërë një gabim të rëndë, duke hapur dyert për refugjatët nga Siria.” e, kryesisht ndaj NATO-s, që është “një organizatë e vjetëruar të cilën është i gatshëm t’a rishikojë”. Në këtë hulli mendimesh hyn edhe kritika për bombardimet e saj mbi Serbinë e Millosheviçit më 1999, me shprehjen e simpative të tij pro serbe, pa u thelluar aspak në arsyet objektive që çuan në vendimet e NATO-s. Një pyetjeje të një gazetari të New York Times, nëse Amerika e Presidentit Trump do të ndërhynte për të mbrojtur Republikat balltike, antare të NATO-s, në rast të një sulmi rus, ai u përgjigj prerë : “Më parë duhet parë nëse këta Vende kanë respektuar zotimet e marra me ne. Nëse e kanë bërë, përgjigja është po.” Është më shumë një përgjigje prej afaristi se prej Burri Shteti, që nuk mban parasysh se detyrimet ndaj Aleancës janë një praktikë e zakonshme që duhet respektuar gjithmonë, e se pika 5 e Traktatit, që detyron Aleancën të ndërhyjë në raste sulmimi të një antari të saj, nuk e kushtëzon atë me pagesën e kuotave.
“Sinqeriteti” i tij në shprehjen e bindjeve për politikën e jashtëme, barabitet me një demagogji të dukëshme, kur flet për ekonominë, homoseksualët apo të tjerë probleme të brëndëshme. “Kam zbritur në politikë për të mos lejuar që të fuqishmit të mbizotërojnë ata që nuk janë në gjëndje të mbrohen.” Sa mund t’i besohet këtij pohimi, që del nga goja e një manjati, për të cilin thuhet se mjaft prej puntorëve te ndërmarrjeve të tij të ndërtimit, i mbante në punë në të zezë, pa kontrata të rregullta. Sa mund të jetë bindës ai pohim, po të mbajmë parasysh se ai është pjesë e atij sistemi, në sajë të të cilit ka fituar miliarda dollarë, ndërsa tani përfaqësoka “politikën e vjetër”, të cilën ai, që vetëquhet “i vetmi kandidat në gjëndje të rregullojë Vendin”, do t’a çmontojë e t’a ndreqë ! E gjithë filozofia e tij zgjedhore është shprehje e një vazhde bindjesh e opinionesh që kundërshtojnë njëri tjetrin, simbas argumentave e situatave, për të fituar votat. Se sa do t’i a arrijë qëllimit, varet nga sa do t’i besojnë amerikanët, sidomos zgjedhësit republikanë, për të cilët z. Trump ka një “konsideratë” të posaçme, siç del nga ky fragment i një deklarate të vitit 1998 në “People” : “Nëse do të kandidonja për president, do t’a bënja si republikan. Janë zgjedhësit më budallenj të Vendit. I besojnë çdo gjëje që shohin në Fox News. Mund të gënjej e ata, megjithatë do të besonin, vë bast se përqindjet e mija do t’ishin shumë të larta. “
Sot z. Trump mund të jetë i kënaqur për vërtetimin e “profecisë” së tij të 18 viteve të shkuara, që dëshmojnë se miliarderi është një psikolog i mirë sidomos përsa i përket bashkatdhetarëve të tij. Nuk dihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i 8 nëndorit, por e kuptoj mirë vështirësinë që do të provojnë atë ditë ata amerikanë, mes tyre edhe shqiptaro-amerikanë, që mezi ç’presin të largohet Obama, me të gjithë mefshtësinë e majtësinë e tij të dukëshme, që ëndërrojnë Amerikën reganiane, fitimtare ndaj komunizmit, por u duhet të kënaqen me një shembëlltyrë të zbehtë të saj, vetëm e vetëm sepse turma republikane bën atë zgjedhje në primaret. Është e vërtetë se nëntë kandidatët e tjerë, që hynë në garë, nuk shquheshin për aftësi të rralla, por nuk ishin aq larg shpirtit të vërtetë t’Amerikës bujare e mikpritëse, djepit të lirisë e mirëqënies, sa më duket se është z.Trump.
Në një kryeartikull të gazetës “Corriere della Sera”, një nga politologët më të njohur italianë, prof. Angelo Panebianco, e titullon kështu shkrimin e tij : “Të shtrënguar të bëjmë tifo për Hillaryn”. Mendoj se për ne shqiptarët, në një farë mënyre, bëhet pothuaj e detyrueshme tifoja e vota për Hillaryn, si First Lady e Amerikës në 1999, kur Vendi i saj dhe NATO shpëtonin nga zhdukja popullin e Kosovës, ndërsa z. Trump projektonte mashtrimin e “budallenjve” republikanë.
Vota për Kryetarin a Kryetaren e Shtetit amerikan do të jetë edhe një votë për Evropën e Bashkuar, me të cilën lidhen shpresat tona. Donald Trumpi, si President, do t’i vriste ato shpresa, sepse do të stimulonte shpërbërjen e saj, simbas stilit Brexit, në një marrëveshje fatale me Rusinë. Është mundësi që na kthen 70 vjet mbrapa, në një ëndërr të keqe që e provuam për gati gjysëm shekulli.
Gusht 2016