Nga Eugjen Merlika/*
Të nderuar antarë të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, shumë të nderuar miq e të ftuar, qytetarë të Krujës të pranishëm, ……… !
Më takoi mua sot të ju përshëndes e t’u uroj mirseardhjen në këtë sesion të shoqatës sonë mbarëkombëtare. Falënderoj nga zemra Kryesinë e Shoqatës që më bëri këtë nderim të posaçëm, më të lartin që kam patur në jetën time, të kaluar nëpër kampet e internimit të komunizmit deri në moshën 47 vjeçe e në mërgim, në Vendin e lindjes së nënës sime italo – shqiptare prej afër një çerek shekulli.
Kruja, ky qytet i lashtë, zemra e Trojeve të Arbërit, sot na pret me bujarinë e saj karakteristike, madje proverbiale, nëse mbajmë parasysh faktin se njëqind vjet të shkuara, këtu nuk kishte një hotel, sepse çdo i ardhur, cilido t’ishte, strehohej në shtëpitë e familjeve bujare të saj. Sot ajo na uron, me gjithë zemër, punë të mbarë në veprimtarinë tonë rreth 11 – vjeçare, të Shoqatës mbarë kombëtare.
Dëshmia më e dukëshme e kësaj veprimtarie janë 12 vëllimet e botuara deri tani, të titulluara “E djathta shqiptare në shërbim të Shqipërisë etnike”,me kumtesat e pregatitura për të gjithë sesionet. Në to janë trajtuar gjërësisht e thellësisht problemet tona kombëtare të së shkuarës e të së sotmes, të qëndresës së shqiptarëve të lënë jashtë kufijve të shtetit e të përndjekjeve të pësuara prej tyre nga qeveritë fqinje, të përpjekjeve të tyre të gjithanëshme për të jetuar, si me ajrin, me ëndrrën Shqipëri. Besojma njerëzore e politike e Shoqatës, në këta vite të veprimtarisë së saj, ka qenë fjala “Atdhe”, pa të cilin “njeriu është një pikë e humbur në ngjarjet rastësore të kohës e të hapësirës”, siç shprehej dikur Lacordaire (1802 – 1860), një prift i njohur dominikan francez.
Në këtë qytet të lavdisë shqiptare u lindën të parët e mij, madje më i njohuri i tyre, Mustafa Merlika – Kruja, qe i deleguar nga populli dhe paria e këtij qyteti, kryeqendrës së epopesë madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të firmoste n’emër të tyre, dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare, Shpalljen e Pavarësisë së saj kombëtare, më 28 nëndor 1912, në Vlorë. Ky tubim i Shoqatës “Trojet e Arbërit”, që është i trembëdhjeti, e që mbahet me temën “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e madhe e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në fund të shekullit XX”, do të sjellë jehonën e bëmave të shekullit të madh, por dhe të atyre pasardhës, me të gjithë ngarkesën e tyre të fitoreve e të humbjeve, të dhimbjeve të shumta e të gazit të pakët, të gjakut e të lotëve, të asaj që qe historia jonë e vërtetë.
Kjo Shoqatë ësht’ e lindur jashtë politikës, si nevojë për të zëvendësuar mungesat e saj në skenën shqiptare, nga njerëz që jetonin në krahina të ndryshme të trojeve arbërore e në Vende të ndryshme të botës. Pikëpamja e Atdheut, sipas tyre, është binjakëzuar me ato të lirisë e të demokracisë, duke i u afruar atij të Giuseppe Mazzinit, një nga etërit e Italisë së bashkuar : “Për derisa, vendase apo të huaj, ju keni një tirani, si mund të keni një Atdhe ? Atdheu është shtëpia e njeriut, jo e skllavit.”
Në tubimet e Shoqatës, ajka e studjuesve dhe intelektualëve shqipfolës, ka shkruajtur historinë e vërtetë të Shqipërisë, jo atë të shtrembëruar, deri në tjetërsim, nga historianët e regjimeve komuniste brënda e jashtë kufijve zyrtarë të saj. Në qindra kumtesat cilësore është folur për personazhet e historisë sonë, që janë errësuar qëllimisht nga ajo zyrtare, për përfaqësuesit e nacionalizmit shqiptar, të vrarë, të gjymtuar, të nxirë, të zhdukur nga kujtesa historike.
Në sajë të atyre studimeve i janë kthyer kujtesës historike të shqiptarëve figura të ndritura atdhetarësh, shtetarësh e martirësh të çështjes shqiptare, që ranë fli në luftën për idealin kombëtar, për Shqipërinë e bashkuar, për përparimin e demokratizimin e saj. Atyre u janë shtuar ndihmesat e atyre që u detyruan të lenë atdheun e zgjedhës komuniste e të kërkojnë një jetë tjetër në vënde të ndyshme të botës, por që nuk reshtën kurrë së punuari për të. Gjithësia kundërkomuniste shqiptare, e vënë në Vendin e Nderit të kujtesës historike, mendoj se është vepra më e lëvdueshme e më e dobishme e këtyre tubimeve, që filluan në Hamburg të Gjermanisë më 12 e 13 qershor 2004, e që vazhduan në qytete të ndryshme të Shqipërisë etnike deri sot, në Krujën e Gjergj Kastriotit.
Ka qenë një punë e madhe e të gjithëve, kryesisht e drejtuesve të saj, Prof. Muhamet Shatrit e sekretarit Nue Oroshi, të cilët kanë organizuar mbledhjet e janë marrë me botimet e vëllimeve të kumtesave, pothuajse gjithmonë edhe me sakrificat e tyre vetiake si edhe financiare.
Ky tubim duhet të çelë një shteg të ri në punën tonë. Krahas rikujtimit të së shkuarës, ne sot duhet të bisedojmë shtruar, me qetësi, me urti, si dikur në Kuvendet e Arbërit, rreth s’ardhmes sonë si shoqëri e, mbi të gjitha, si komb. Ka më se njëqind vjet që populli shqiptar është i ndarë në pesë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Problemet, me të cilët përballohemi, janë të shumtë e të larmishëm, por besoj se mund të njësohen në dy rrjedha kryesore : n’atë të zhvillimit, që përfshin ekonominë, pushtetet, jetën politike e administrative, marredhëniet me hapësirën kufizuese gjeografike shtetore e botën, dhe n’atë kombëtar që njësohet me pritmërinë e bashkimit të trojeve shqiptare në bashkësi administrative të mirëfillta.
Po t’i shtojmë këtyre faktorëve krizën morale të klasës politike, me korrupsione në nivele shumë të larta në shumicën dërmuese të administratës shtetërore, kemi një tabllo tepër të zymtë dhe aspak premtuese për t’ardhmen. Pjesëmarrja në NATO, apo marrëveshjet e shoqërizimit me BE, megjithë ndryshimin në ligjet, në përputhje me ata t’Evropës që, për ne shqiptarët, fatkeqësisht, mbeten kurdoherë në zbatim, vartësi e ndryshueshme interesash të grupeve të pushtetit, nuk kanë arritur të bëjnë tek ne hopin cilësor të domosdoshëm, për të hyrë seriozisht në rrugën e zhvillimit të vërtetë, si Vendet e tjera të Lindjes ish komuniste.
Punët nuk shkojnë më mirë as edhe në Kosovë, e cila ka pasur përfitimin e pranisë ndërkombëtare në të, që nga periudha e shkëputjes nga Serbia. Pa hyrë në analizë të hollësive të jetës ekonomike, fakti i dhjetra mijëra vetëve që kanë kërkuar strehim në Evropë nga Shqipëria dhe Kosova brënda këtij viti, dëshmojnë se politikat ekonomike të tyre nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar, duke sjellë përfundime gjysmë të dështuara.
Nuk po zgjatem më shumë në shkoqitjen e këtyre argumentave, që janë lëndë për tubime ekonomistësh e njerëzish të politikës, të cilët duhet të hartojnë strategjitë përkatëse e të marrin vendimet e duhura. Mendimi se hyrja e pritëshme në Evropë do të jetë fundi i të gjitha problemeve tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar dhe një alibi e politikës për të ligjëruar mungesat e saj. Në Evropë, kurdo që të na pranojnë, duhet të jemi në rregull me të gjitha parametrat socio – ekonomikë. Me të gjithë problemet që përballon sot Evropa, që nga masat ndëshkimore kundrejt Rusisë tek borxhet e Greqisë, nga dyndjet e miliona njerëzve prej luftërave në Lindjen e Mesme apo Afrikës drejt kufijve të saj, tek referendumi britanik për qëndrimin në BE dhe lindja e forcimi i forcave të reja antisistem e kundër traktateve në brendësi të saj, përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është një përparësi, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të saj, apo takimeve të organizuara nga diplomacia gjermane ndërmjet qeveritarëvet të gadishullit.
“Fillin e Arianës” për të dalë nga rruga pakrye dhe e ndërlikuar, në të cilin jemi futur për mungesat tona, duhet t’a gjejmë vetë, së pari duke shëndoshur sëmundjen morale të shthurjes, që ka pllakosur politikën tonë e, së dyti, duke kryer ato reforma rrënjësore, të cilat duhej t’ishin sendërtuar së paku njëzet vjet më parë. Këto çështje janë drejt për drejt të lidhura edhe me problemin tonë kombëtar, i cili na rëndon mbi shpinë prej më se një shekulli. “Atdheu ndoshta është si familja, i njihet plotësisht vlera kur nuk e kemi më.” shprehej shkrimtari i shquar francez Gustav Flaubert. Për ne, shqiptarët, fatkeqësisht, ai mbeti si një joshje mashtruese e paarritëshme, sepse që në lindje të Atdheut të pavarur, kufijtë e tij e gjymtuan krijesën e cila, edhe mbas më shumë se një shekulli, vazhdon të përpëlitet nga dhimbjet.
Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.
Në këtë drejtim duhet të jemi të vetëdijshëm se probleme të ngjashme me tonat, edhe se jo në këto përmasa, janë të pranishëm edhe në popuj të tjerë të rajonit e të kontinentit. Versaja qé një faqe e errët në historinë e Evropës me vendimet e saj dhe lufta e dytë botërore qé një dëshmi edhe e ndikimit të keq të tyre. Por Jalta i arkivoi, pa të drejtë ankimi, të njëjtat probleme, ndërsa periudha e re pas komuniste, edhe se më elastike në njohjen e shpërbërjes së shteteve të mëdha shumë kombëshe, ende nuk përballon nga kënd-vështrimi etnik ato parregullsi, madje përjashton nën termin “nacionalizëm” çdo prirje apo përpjekje për t’i vënë në diskutim.
Para se të arrijmë në kërkesat zyrtare për referendumet eventuale, që mund t’i hapin rrugën sendërtimit të dëshirës së madhe shekullore të bashkëkombasve tanë, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Mendoj se është një kusht i domosdoshëm të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Simbas ndonjë sondazhi opinioni, nuk e di sa të besueshëm, raporti ndërmjet përkrahësve të bashkimit e kundërshtarëve të tij është 62 me 38. 3/5 në mbështetje e 2/5 kundër nuk është një statistikë shumë shpresëndjellëse, nëse është e vërtetë. Duke mbajtur parasysh shumë faktorë kundërshtarë, duke filluar nga institucionet ndërkombëtare e një pjesë e politikës shqipfolëse që i bashkangjitet atyre, nga propaganda e huaj dhe e komunistëve shqiptarë kundër shprehjes “Shqipëri e madhe”, nga psikoza e frikës e diplomacisë ndërkombëtare për pasoja zinxhir të proçesit në zona të tjera, duhet të kemi një vullnet të fortë të mbi 80% të shqiptarëve për t’a nisur betejën.
Një tjetër vështirësi në rrugën e bashkimit është fakti se një shekull administrimi sllav mbi trojet shqiptare ka bërë që ato të mos mbeten etnikisht të pastra. Si pasojë e politikave asimiluese të Jugosllavisë mbretërore e më pas edhe komuniste, shpërnguljes së forcuar të popullsive në trevat shqiptare i ka pasuar mbushja e tyre me pakica sllave, gjë që ul ndjeshëm një miratim masiv në një referendum të mundshëm. Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë. Dëshmi e pakundërshtueshme e asaj strategjie të udhëheqjes komuniste shqiptare është fjala e Kryetarit të saj, Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë politike të Komitetit qëndror më 15 dhjetor 1947 :
“Duhet të fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”
Nëse mbeti pa u realizuar ky synim i komunistëvet shqiptarë, duhet t’i jemi mirënjohës Titos i cili, mbas pak muajsh, u shkëput nga vartësia e Stalinit, në të cilën mbetën kryekëput, deri në fund të jetës së tyre, mendërisht drejtuesit shqiptarë.
Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.
Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.
Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.
Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish, por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e Shqipërisë, të Kosovës e ata shqiptarë të Maqedonisë. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.
Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.
U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Ne, si Shoqatë, duhet të punojmë për strategjinë e tij, duhet të ballafaqohemi me pjesë të tjera të shoqërisë sonë, por edhe me klasën politike e cila nuk duhet të mendojë se zotëron të vërtetën absolute.
Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.
Urojmë që kjo ditë të mbetet një ditë historike për Shoqatën tonë, për veprimtarinë e Saj e për rezultatet që presim të sjellë në dobi të idealeve, të dëshirave madhore, të ëndërrave tona, si shoqëri e si komb.
Rroftë e përparoftë gjithmonë Atdheu i ynë i përbashkët, Shqipëria e Gjergj Kastriotit e Nënës Terezë dhe e vëllezërvet Frashëri.
* (Fjala e hapjes së tubimit të XIII të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, më 14 gusht 2015 në Krujë)
Udhëkryqi grek dhe sulmi ndaj Europës
Nga Eugjen Merlika/
Çdo qeveri që nuk bën asnjë hap përpara, duhet gjykuar me urtësinë më të madhe; por një qeveri që bën hapa mbrapa, duhet dënuar gjithmonë pa asnjë mëshirë”
L.Börne (1786 – 1837) shkrimtar politik gjerman/
Vendimi i kryeministrit grek, Alexis Tsipras, për të ndërprerë bisedimet me huadhënësit botërorë dhe për të zhvilluar një referendum, me shumë rëndësi për qytetarët e vendit të tij, mbi vazhdimin e qëndrimit në Eurozonë dhe në BE, apo daljen nga këta institucione shpejtoi përfundimin në çfarëdo kahu të së famshmes “krizë greke”. Që nga viti 1995 deri në 2009, për afër 15 vjet, të ardhurat për frymë të shtetasve grekë u rritën nga 47 në 71 për qind të atyre gjermanë. Kjo u bë e mundur me një grumbullim të pashembullt borxhi, siç kishte ndodhur në vitet 80, në Itali. Nga 2010 deri në ditët tona raporti ndërmjet të ardhurave të grekëve e gjermanëve, është kthyer në shifrat e vitit 1995, një tregues i vlerave reale të ekonomive të dy Vendeve. Përpjekja për ta zvogëluar ndryshimin në mënyrë të sajuar, duke tjetërsuar të dhënat e bilancit në dobi të borxheve e duke rritur nivelin e asistencës së popullsisë, përtej çdo krahasimi me Vendet e zhvilluara të kontinentit, me qëllimin e vetëm të klientelizmit e fitimit të votave për pushtet, solli një gjëndje financiare të pakontrollueshme dhe e detyroi ish Kryeministrin Papandreu të bëjë të njohur problemin. Ai problem, në këta gjashtë vite, ka zënë një nga vendet e para në rendin e ditës së institucioneve evropiane.
Që atëherë Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e saj financiare kryesore, së bashku me qeveritë greke, hartuan një plan riorganizimi të financave greke, duke synuar pakësimin e harxheve të shtetit e baraspeshimin ndërmjet tyre të të ardhurave. Si të gjitha programet e këtilla, edhe ai grek pati masa shtrënguese në drejtim të sakrificave të domosdoshme për shëndoshjen e gjendjes. U ndërhy në shumë sektorë të jetës ekonomike dhe administrative të Vendit me masa të arsyeshme, edhe se të dhimbshme, por rezultati qe që më 2014, Greqia doli nga rënia ekonomike, duke patur një rritje të PPI prej 0,6%, pra një fillim të daljes nga tuneli i gjatë i krizës. Sot, mbas gjashtë muajsh Greqia është në falimentim, mbasi nuk është në gjendje të paguajë këstin prej 1,6 miliard € FMN.
Qeveria e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të janarit 2015, e kryesuar nga ish anarkisti Tsipras e filloi punën e saj me premtimin për të rikthyer gjendjen e para reformave të viteve të fundit, premtim që i përcaktoi edhe fitoren në garën zgjedhore me 36% të votave. Duke mbajtur para sysh se në këta vite, edhe vende të tjera europiane, të vogla si Qipro, të mesme si Portugalia dhe Irlanda, apo të mëdha si Italia e Spanja, u përballuan me terapinë e korrigjimeve të bilanceve shtetërore e të reformave të ndryshme, të domosdoshme për pakësimin e harxheve publike, qeveria greke, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe ministri “dandy marksist” i financave Varoufakis, prej pesë muajsh, në bisedat e pafund me institucionet huadhënëse, mundohen të shpalosin “dredhinë” e famshme të homerikut Odise, për të mos paguar borxhet, madje për të marrë të tjera. Në fakt BQE, gjatë këtyre muajve, ka vazhduar të injektojë në bankat greke jo pak, por 89 miliard €.
Qeveria greke, në lojën e saj të bixhozit me Evropën, për të blëfuar sa më shumë, nxjerr herë pas here letrat e saj që fillojnë nga gjendja e rënduar ekonomike, për shkak të udhëzimeve të “trojkës” në vitet e shkuara, tek “apokalipsi” evropian mbas daljes së mundshme të Greqisë, tek trysnitë e tërthorta me sfond gjeopolitik, duke kërkuar spondat në fuqitë e mëdha ekonomike si SHBA, Rusia apo Kina, të cilat sugjerojnë se duhet arritur “marrëveshja pragmatike”, simbas Presidentit Obama. Këta “të interesuar” për fatin e Greqisë që po “merret nëpërkëmbë” nga rreptësia e burokratëve të Brukselit, harrojnë se për të bërë marrëveshje duhen dy palë e secili të heqë dorë nga diçka në dobi të tjetrit e, nga ana tjetër, nuk kanë derdhur deri tani asnjë qindarkë për t’u a falur grekëve, ndonëse e mëtojnë këtë veprim nga Eurozona apo Komisioni evropian.
Këtyre shfaqjeve të politikës së madhe i shtohen lëvizjet e të majtave perëndimore ish komuniste të cilat, humbjet e tyre të dukshme në opinionet publike mbas rënies së komunizmit, mundohen t’i kompensojnë me lëvizje të reja kundër sistemit Evropë, që gjejnë çuditërisht votues në shumë Vende, kryesisht në Itali e Spanjë. Këto lëvizje, me emra rastësorë si Podemos apo Pesë yjet, kanë vënë në qendër të simbolikës së tyre luftën për “ndryshimin” e Evropës, duke patur si model fitues në kontinent Syrizën dhe Tsiprasin. Të gjithë këta do të jenë të dielën në Athinë, për të festuar “fitoren” mbi Evropën e “rregullave të ngurta të financës”, simbas tyre, në fakt të “ruajtjes së parimeve, të cilët nëse do t’i mohonim, qoftë edhe për një çast, do të vuante dëmet në kohë afatmesme e afatgjata”, siç u shpreh këto ditë Kancelaria Merkel.
Syriza e Tsiprasi janë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kontinental, në pararojë të forcave të reja në emër, por tepër të vjetra në mendësi e që, së bashku, përfaqësojnë detashmentin kryesor të sulmit kundër Evropës së Bashkuar, ëndrrës mijëvjeçare të banorëve të saj. Me një vetëkënaqësi të justifikuar Kryeministri grek i u drejtua me këto fjalë idhtarëve të së majtës skajore, të mbledhur në teatrin Valle të Romës: “Berlinguer, Togliatti, Gramsci. Vite të tëra ne kemi vështruar nga e majta italiane. Tashmë gjërat kanë ndryshuar e jeni ju që shihni nga ne.”
Që një lider ballkanik t’i drejtohej kështu një pjese të Evropës do të ishte motiv krenarie gadishullore edhe për të tjerë banues të rajonit, edhe për ne. Do të ishte kështu, nëse ai do të përfaqësonte forcat vërtetë pozitive të këtij rajoni që kërkojnë sot vendin e tyre në Evropën e Bashkuar. Por, vaj medet, ai është “maja e diamantit” të forcave shkatërruese të Evropës, të atyre që kërkojnë një bashkësi pa rregulla, ku ato t’i shkruajë çdo Vend e çdo qeveri, simbas pikëpamjeve e interesave të tyre, ku të mos vlerësohet merita, korrektësia dhe ndershmëria, por aftësia për të gënjyer, për të abuzuar me pushtetin e për të zhvatur sa më shumë nga bashkësia.
Në këtë betejë qeveria greke e sotme ka edhe mbështetjen e njëfarë të “djathte”, që sheh në emigracionin dhe rregullat e Bashkësisë të gjitha të këqijat e kësaj bote e që, nëpërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të saj si Marine Le Pen, Nigel Farrage, Matteo Salvini etj., nuk synojnë tjetër objektiv veçse të luftojnë me të gjitha mjetet kundër pranisë së Vendeve të tyre në BE, kundër çdo përpjekjeje të kësaj të fundit për të fuqizuar e funksionuar institucionet e saj. Deri tani këto forca janë në pakicë, por do të ishte një ditë e zezë për Evropën, ajo në të cilën ato do të kishin shumicën në të. Në sajë të mosbesimit te politika, gjë që le gjysmën e qytetarëve pa votuar, nuk do të ishte çudi e madhe që një mundësi e tillë të vërtetohej.
Evropa i ka kërkuar Greqisë në këta vite, për të ruajtur pjesëmarrjen e saj në të e bashkëpunimin disa veprime :
Të fillojë pakësimin e borxhit publik prej 242 miliard €, 44% të të cilit e mbajnë shtetet e bashkimit : Gjermania (27%), Franca (20%), Italia (18%) dhe Spanja (11,9%), që të kthyera në shifra bëjnë disa dhjetëra miliardë €. Madje edhe shtete të vogla e të varfra si Estonia e Lituania, për t’u futur në Eurozonë kanë paguar kuotën e tyre të borxheve kundrejt Greqisë, 60 milion € secila.
Të kryejë reformën e pensioneve simbas modeleve evropiane të daljes në moshën 65 e 67 vjeç, me përjashtim të punëve të rënda.
Të ardhurat nga taksat duhet të kapin 1% të PPI, ndërsa grekët ndalen në 0,93%. Tatimi mbi vlerën e shtuar duhet të jetë 23% për restorantet e catering, ndërsa 13% për produktet ushqimore, energjinë, hotelet dhe ujin. Për ishujt qeveria greke nuk pranon të heqë dorë nga 30% i reduktimit të TVSH për bizneset e, ndoshta, në këtë pikë ka njëfarë të drejte.
Të reduktohen shpenzimet për mbrojtjen që, në raport me numrin e popullsisë, janë më të lartat në Evropë.
Këto ishin disa nga pikat e diskutueshme e në to nuk më duket se ka një prirje “poshtërimi të Greqisë”, siç shprehet në mënyrë demagogjike Kryeministri grek.
Lajmet e fundit thonë se qeveria greke ka pranuar kushtet e fundit të huadhënësve, duhet parë se sa është e vërtetë. Por sido qoftë, fakti i braktisjes së tryezës së bisedimeve e kalimit në parlament të propozimit për referendumin, një pranim i tillë nuk është në logjikën e gjërave. Ai tregon se ka pak seriozitet e shumë dhelpëri e teatralizëm në qëndrimin e saj. Tani që i është nënshtruar gjykimit të popullit të saj duhet të presë atë. Është një hipokrizi e madhe deklarata në televizion e Tsiprasit, kur fton të votohet Jo dhe shton se kjo nuk do të thotë dalje nga Eurozona. Ka shumë të drejtë Kryetari Junker, që çdo bisedë e shtyn mbas 5 korrikut.
“A kështu qeveriset një Vend i madh? Greqia nuk meriton diçka më të mirë se ky demagog zjarrvënës?” pyet filozofi e publicisti frëng, Bernard Henry Levi. Tsipras, ikona e re e komunistëve evropianë, ka marrë pjesë në protestat e dhunshme të zhvilluara në Gjenovë më 2002 kundër G8-s, kur qeveriste Berluskoni, duke e kthyer në flakë e shkrumb gjysmën e qytetit.
Më 5 korrik grekët do të shprehen nëse duan të qëndrojnë në Evropë, duke bërë sakrificat e nevojshme, apo duan të nisin një udhëtim të panjohur me humbje të mëdha për çdo qytetar, të drejtuar nga Odiseu i ri, Alexis Tsipras. Populli grek njihet në historinë e njerëzimit si populli me nivelin masiv kulturor më të lartin që ka ekzistuar. Sikur të tregonte një të dhjetën e asaj urtësie të lashtë ai do të votonte për Evropën, megjithë vështirësitë që ka para, të cilat nuk i a ka sjellë ajo, por partitë e njerëzit që ka votuar vetë në këta dhjetëvjeçarë.
Do të ishte një shërbim i madh që do t’i bënte së ardhmes së tij, të Ballkanit dhe të vetë Evropës. Me gjithë armatën neokomuniste që është duke propaganduar për të kundërtën e saj, besoj se 5 korriku 2015 do të mbetet në historinë bashkëkohore të Greqisë dhe kontinentit si një ditë e madhe e historike, një ditë shpresash për të sendërtuar ideale të larta e qëllime të përbashkëta.
I urojmë me gjithë zemër popullit fqinj grek, me të cilin na ka bashkuar e ndarë historia, një të ardhme të bukur në Europën e Bashkuar, në të cilën duhet të gjejmë të gjithë shtëpinë tonë të përbashkët.
SHENJTI PORTUGEZ I SHQIPTARËVE
Nga Eugjen MERLIKA/
“Ne të lutemi o Zonja jonë, o shpresa e jonë ! Ti që je Ylli i detit na ndriço ne, të përplasur nga stuhia në detin e jetës ; Na ndriço në molo e n’orën e fundit na mbro me ngushëllimin e pranisë tënde, që të mund të arrijmë të gëzuar lumturinë pa fund.Këtë nder të na dhurojë Ai që ti e mbajte në prehërin e bekuar dhe i dhe qumështin me gjirin Tënd të Shenjtë. Atij nder dhe lavdi në shekujt e përjetshëm. Amen!”
Lutje Virgjëreshës Maria nga Shna Ndou
Që nga thënia e Marksit “Feja është opium për popullin” e deri në vetëshpalljen e Shqipërisë si i pari dhe i vetmi shtet ateist në planet, kaloi më shumë se një shekull. Qe një shekull që punoi për të realizuar, nëpërmjet luftërave botërore, sistemin komunist në botë. Një nga pikat më nevralgjike të strategjisë së tij qe lufta kundër besimevet fetare. Në Shqipëri ajo u shfaq në përmasa e mizori të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës. Martirizimi i klerit shqiptar, sidomos i atij katolik, nuk i pati zili aspak Neronit, mbasi i tejkaloi në cilësi e sasi mizoritë e tij.
U mbyllën të gjitha objektet e kultit, klerikët u përndoqën, herë herë edhe me çmimin e jetës së tyre dhe dy breza shqiptarësh e këmbyen emrin e Zotit me atë të Enver Hoxhës. Objektet e kultit u kthyen në pallate sporti, në shtëpi kulture socialiste apo stalla lopësh e një pjesë e mirë e tyre u shemb, duke groposur veprat artistike. Mbas 1990 ato u ringritën e shqiptarët rifituan të drejtën të luteshin hapur. Pas komunizmi nuk u tregua dorështrënguar me rivendosjen e besimeve fetare, sepse ata nuk rrezikonin perspektivat e paracaktuara mbizotëruese në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë demokratike për kastën e komunistëve të rinj.
Ndërmjet kishave, të shembura nga furia djallëzore e organizatave të Enverit, qe edhe ajo e Shna Ndout në Sebaste, Laç. Nga ajo kishë kishte mbetur vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e njerëzve. Ai vënd u kthye në një simbol të shpresës e të qëndresës. Pushteti i komunistëve i përdori të gjitha format e trysnive për të zhdukur nga përfytyresa e shqiptarëve atë vend të shenjtë dhe nga zemrat e tyre atë figurë madhështore të botës së krishterë. Por asgjë, as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rrjeshtuar, nuk qenë në gjëndje të ndalonin vargun e gjatë e të pashkëputur të shqiptareve e të shqiptarëve që, çdo 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij. Studjuesit e kësaj dukurie, unike në sistemin terrorist të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë përcaktuar motivin e vërtetë të thyerjes së regjimit përballë vullnetit të një populli, për të shfaqur haptas besimin në një nga shenjtët më të shquar në gjithë historinë e Kishës katolike. N’atë dështim të regjimit gjakatar, sigurisht, ishte fryma hyjnore që shfaqej, në gjithë shkëlqimin e saj, e që shprehej nëpërmjet mrekullive të “Shenjtit të mrekullive”.
Shna Ndou i Padovës (kështu njihet Ai në letërsinë kishtare) kishte lindur në Lizbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195. Dita e lindjes së Tij, nga një familje fisnikësh, përkonte me festën e Ngjitjes në qiell të Virgjëreshës Mari, Nënës së Jezu Krishtit. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, një dhuratë të Virgjëreshës dhe që së vogli e edukoi atë me kultin e saj. Fëmija i lutej çdo ditë Virgjëreshës e, në moshë të vogël, i premtoi asaj virgjërinë, për të qenë një adhurues i saj i përhershëm. Që herët u shfaq fuqia e Tij për të kryer mrekulli. Ai u rrit mes librave e lutjeve, duke patur në qendër të shpirtit të tij dashurinë për Jezu Krishtin dhe Nënën e Tij.
Tre parimet, mbi të cilët mbështetej formimi i mbrendshëm i Fernandit, ishin : përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, të njëjtat mësime kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15 – vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe u fut në një monastir të agostinianëve, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Në qetësinë e tij, djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studjuar veprat e Tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e thella të Etërve të Kishës mbi to, veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.
Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld, “ atje Fernandi bëri përparime të shpejta në përsosmërinë dhe në studimin e Fesë, në të cilën arriti në majat më të larta. “ Në kronikat e abacisë Fernandi “ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme.”
Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre Ai u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u vranë në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhërin e Fretërve minorë. Përballë jetës akademike të kanonikut agostinian Fernandi parapëlqeu atë të thjeshtën të Sh. Françeskut, duke ndërruar emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e eremitit të madh e Shenjtit me të njëjtin emër, që kishte jetuar në kuvendin e Oliveras. Por edhe qëndrimi në këtë kuvend qe i shkurtër dhe Antoni 25-vjeçar vendosi të largohet nga atdheu e të niset për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malarjes, nga të cilat u shërua mbas disa muajsh.
Mbas shërimit u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi anijen të zbarkonte në Siqili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna, në të cilët Ai shpalosi gjithë pregatitjen e Tij fetare e intelektuale, duke marrë titullin “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Montfort, arqipeshkvi i Boulogne-s. Të gjitha predikimet e Tij shoqëroheshin shpesh edhe me mrekulli të papara, që kishin krijuar tek njerëzit e thjeshtë një adhurim e besim të jashtzakonshëm. Madje vetë Shën Françesku, krijuesi i Urdhërit të ri të Kishës n’atë periudhë, e quante atë “më të diturin e bijve të Tij” dhe e dërgoi me mision në Francë më 1224, ku herezia kundër krishterimit ishte përhapur shumë.
Në Francë Ai shpalosi dijen, përkushtimin e talentin e Tij të spikatur në mjedise të molepsura, duke kundërshtuar herezinë e mungesën e besimit që kishte pllakosur Francën e jugut, duke predikuar në Montpellier, në Tuluzë, në Velay, në Lingadoca, Limoges, Arles. Në Limoges vuri në dukje edhe njëherë aftësinë e Taumaturgut, kur një furtunë e madhe po detyronte njerëzit e shumtë, jashtë kishës të largoheshin. Por Doktori i shkencave i siguroi se ata nuk do të lageshin, dhe ashtu ndodhi. Mbas tre vjetësh pune të një dobie të jashtzakonshme për ripohimin e doktrinës dhe kthimin në rrugën e drejtë të shumë heretikëve, Ai u largua nga Franca e cila, së bashku me Shën Dominikun, e konsideron ende një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues të jashtzakonshëm.
Në kthim Atë Antoni zbriti në Siqili e mandej, në udhëtimin drejt Umbrias, u ndal në Romë, në javën e Pashkës. Predikimet e Tij në kryeqytetin papnor u dëgjuan me shumë entuziazëm nga mijra pelegrinë, madje edhe nga vetë Papa Gregori IX, që e quajti Atë “Arka e gjallë e Biblës”. Pastaj Ai u shpërngul në veri-lindje të Italisë e ushtroi veprimtarinë ungjillore në gjithë bregdetin e Gjirit të Triestes, që nga Aquilea, Venediku, Gorizia dhe Udine. Në Vareze themeloi kuvendin, ndërsa në Ferrara, në një ceremoni kishtare, kreu një mrekulli që mbeti si një nga kryeveprat e Tij. Një grua fisnike, bashkëshortja e patricit Obizzi, akuzohej për tradhëti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkoi ndihmën e Taumaturgut. Ai, që i besonte asaj, “mbasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krahë, ngriti sytë nga qielli dhe tha : N’emër të fëmijës hyjnore të përgjërohem o vogëlush, të thuash publikisht, me fjalë të qarta e pozitive, se cili është autori i ditëve tuaja.
Atëherë fëmija, edhe se ishte në shpërgënj, u kthye nga i ati dhe shqiptoi qartë këto fjalë : Ja babai im!” Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të Donatellos dhe në nje reliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. (Eugenio Pilla : “Il Santo” F. 172)
Atë Antoni u dërgua në Firence për të paqtuar guelfët e gibelinët, kaloi në Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti që zgjodhi për jetën dhe fundin e saj, ishte Padova, në të cilin mbylli sytë më 13 qershor të vitit 1231, në moshën 36-vjeçare, mbasi kishte përballuar një tiran gjakpirës si Eselino III da Romano, duke bërë t’i bjerë në gjunjë e duke i treguar se nuk i trëmbej asnjë pushteti tokësor. Ai la edhe disa vepra të shkruara si “Panegjirikët e Shejtëvet”, “Bisedë mbi psalmet”, “Biseda mbi kohën”. Pa mbushur njëmbëdhjetë muaj nga ndërrimi jetë, Papa Gregori IX, me kërkesën e fuqishme të besimtarëve, e shpalli Shenjt Antonin e Padovës.
Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, që u dha atyre kurajon për të përballuar vështirësitë e jetës, ndërmjet tyre edhe për të sfiduar diktaturën më mizore. Ajo kurajë e kishte zanafillën në vargun e mrekullive që i Plotfuqishmi, Jezui dhe Virgjëresha i jepnin mundësi Atij të kryente për njerëzit, mrekulli që vazhduan me shekuj në të gjithë botën, fatmirësisht edhe në Shqipërinë tonë. Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë një nga përbërësit më të rëndësishëm të jetës fetare e shpirtërore të popullit tonë.
Kisha e Shna Ndout në Sebaste u ndërtua rreth vitit 1300 dhe u shkatërrua më 1971. Në të shërbyen shumë rektorë e meshtarë, ndër të cilët emra të shquar të kishës e kulturës shqiptare si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Mons. Robert Ashta, Atë Zef Pllumi etj.
Prandaj ajo kishë e bukur, e rindërtuar në kodrën e Laçit nuk resht kurrë së prituri njerëz të gjitha besimevet, duke pohuar në vazhdimësi gjithësishmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor.
Qershor 2015Eugjen Merlika
PANORAMË POLITIKE SHQIPTARE
Nga Eugjen MERLIKA/
“Arti i luftës është arti i shkatërrimit të njerëzvet, politika është arti i të gënjyerit”- D’ALEMBERT/
Edhe se të nxehtit e stinës nuk është ndier ende shumë, matësit e etheve politike shqiptare shënojnë “temperatura” të larta, që janë të zakonëshme për një fushatë zgjedhore kudo, por marrin trajta të veçanta “lufte të ftohtë” në Shqipëri. Në më shumë se një shekull shteti të pavarur nuk arritëm ende të njohim e respektojmë etikën njerëzore edhe në garat zgjedhore. Ulja e personalitetit të kundërshtarit, në shumicën e rasteve, mbetet arma e zgjedhur e kandidatëve apo atyre që i kanë caktuar ata.
Ndoshta këtë herë ka një qëndrim disi ndryshe e ndonjë shembull i Shkodrës e Tiranës japin nota optimizmi. Në Shkodër dy kandidatet femra, (Bazhdari e Ademi), bëjnë një ballafaqim korrekt para studentëve, në të cilin shpalosin programet e tyre. Më duket një veprim mjaft i vlerësueshëm, madje të cilin nuk e has as në Itali , ku këto ditë ka qenë një fushatë zgjedhore. Në Tiranë kandidatët Kosova dhe Veliaj, më shumë i pari se i dyti, përqëndrohen në problemet reale, të mprehta e të shumta të kryeqytetit, pa u ndalur në propagandën politike të partive. Kjo mënyrë të biseduari me votuesit më duket më e zgjuara dhe më e pëlqyeshmja.
Ndërkaq vazhdon në largësi dyluftimi i kryetarëve : në një anë ai i PD-së, z. Basha, e në tjetrën ai i PS-së, kryetari i Qeverisë, z. Rama, e ai i Kuvendit e LSI-së, z. Meta. Duket, në pamje të parë, se ka një farë korrektësie në këta dyluftime të përditëshme por, në thelb, jemi të pranishëm në një garë të pafund për të personalizuar proçesin në një ballafaqim meritash apo të metash vetiake. Kështu Basha vazhdon të përdorë armën e vet të parapëlqyer, atë të padisë së “mos mbajtjes së premtimeve” kundrejt dyshes Rama – Meta, një armë e zakonshme në politikë, sidomos në opozitë. Por kur kjo armë fillon të mbahet e zhveshur edhe mbas 15 ditësh të marrjes së pushtetit nga kundërshtari, e humbet disi rolin e saj. Nga ana e saj, dyshja Rama – Meta, sidomos i pari, gjithandej e quajnë të paqenë punën e të zgjedhurve të PD-së, si një “vegjetacion” në pushtetin vendor, duke filluar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Hasim në një farë manikeizmi të dyanshëm në paraqitjen e kundërshtarit dhe punës së tij, gjë që nuk tregon ftohtësi e ndershmëri gjykimi, mbasi mungon kurajua për të njohur e vlerësuar edhe punën e kundërshtarit, kur ajo është e dobishme, në ligje apo veprime të veçanta që shkojnë në favor të bashkësisë e të shtetit. Megjithë dobinë e një mendësie të ndryshme nga ajo e gjithë këtyre viteve të pas komunizmit, që karakterizon marredhëniet pushtet – opozitë, me gjithë bagazhin e veprimeve shpesh të pafrytëshme e të dëmshme si braktisjet e Kuvendit, apo mobilizimet e manifestimevet thjesht për qëllime politike, të zbatuara njësoj, si dy pika uji, nga dy forcat kundërshtare, nuk është ky aspekti më negativ i panoramës politike shqiptare.
Atë duhet t’a kërkojmë tek korrupsioni, një dukuri e shpalosur si flamur, përpara çdo fushate zgjedhore, për të marrë votat e për të zhvendosur kundërshtarin nga pushteti, por e vënë në letargji, sapo të merret ky i fundit. Muajt e fundit kemi qënë të pranishëm në një dukuri të paparë ndonjëherë, atë të ndërhyrjes në forma të ndryshme të autoriteteve politike të huaja, përfaqësues organizmash ndërkombëtare apo shtetesh miq, ndonjëherë me tone shumë të forta në ngritjen e problemeve. Është një tregues jo vetëm i paaftësisë apo mungesës së vullnetit të klasës sonë politike për t’u ballafaquar seriozisht me patologjinë e sëmundjes, për të ndërhyrë kirurgjikisht mbi të, por edhe i shqetësimit të dukshëm të të huajve për të shëndoshur gjëndjen tonë që, n’atë drejtim i ngjan një kome klinike. Po mundohen, me të gjitha mënyrat, të huajtë të na bindin të çrrënjosim tumorin nga nivelet e larta të shtetit. Prokurori kroat dhe ministreja rumune vijnë e japin përvojën e tyre. I pari ka vënë në bangën e t’akuzuarvet ish kryeministrin Sanader, duke filluar hetimet nga një orë dore, e dyta ka dërguar në hetime e proçese më shumë se 1400 vetë, ndërmjet të cilëve ministra e deputetë.
Por çfarë ndodh tek ne ? Merremi me muaj të tërë, gjykata, prokurori, qeveri e parlament me telenovelën Doshi – Frroku. Autoriteti për kontrollon e pasurisë del herë mbas here me shifra të pajustifikueshme mbi pasuritë e politikanëve, me miliona euro, por askush nuk merr mundimin të zbulojë prejardhjen e tyre, kur llogaria është fare e thjeshtë të bëhet. Thuhet se Tom Doshi ka 23 mil. ndërsa Dritan Prifti rreth 10 të tillë. Shifrat e tyre dalin sepse ata kanë hyrë në kundërshti me kryetarin e LSI-së, por deklarimi dhe vërtetësimi i pasurive duhet t’ishte një praktikë e zakonshme që nuk zbatohet apo bëhet tepër formalisht. Si ka mundësi që organet e kontrollit dhe të garancisë, si Kryetari i shtetit, Gjykata kushtetuese, Prokuroria e përgjithëshme, Kontrolli i lartë i shtetit, nuk ngrenë kurrë zërin për këtë anomali të jetës shqiptare ? Apo vlen më shumë privatësia e banditëve të shoqërisë ?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë në një përfundim tepër zhgënjyes : shoqëria jonë, në nivelet e saj të larta t’administrimit, nuk është e interesuar për zbatimin e ligjshmërisë. Ja sepse korrupsioni nuk luftohet, ja sepse zv. Ambasadori amerikan, duke dalë jashtë perimetrit të detyrës së tij, i bën thirrje nxënësve të exellence-s në Tiranë, të mos qëndrojnë indiferentë kundrejt fateve të Vendit të tyre.
Para 135 vjetësh Kryeministri i Britanisë së Madhe, Disraeli, shprehej kështu : “Ushtrimi i politikës në Lindje mund të përcaktohet me një fjalë të vetme : skuthërí”. Atëherë ne nuk përfshiheshim në këtë përcaktim, sepse nuk kishim një politikë tonën, edhe se kishim treguar, nëpërmjet Lidhjes së Prizrenit, se ishim të lidhur me tokat dhe zakonet tona. Fatkeqësisht sot në përballimin e problemeve qëndrore tonat mund të përdorim termin e Disraelit, skuthëri. Të gjithë janë të vetëdijshëm se korrupsioni ka rrënjë të thella e të gjithë i janë nënështruar idesë se askush nuk mundet t’a zhdukë, sepse ata që e kanë për detyrë shmangen, tërhiqen, sepse ndoshta çmimi i luftës është shumë i shtrenjtë.
Rezultati është se në parlament shkojnë edhe njerëz me proçese kriminale të hapura jashtë shtetit e në kandidaturat për organet vendore ka edhe nga ata që janë të përfolur. Shpjegimi është i thjeshtë : forca e parasë që arrin të blejë gjithshka edhe pozitën edhe paprekshmërinë. Përballë kësaj gjëndjeje politika nuk paraqet alternativa, dhjetra partitë fiktive vrapojnë të vihen në rradhë për të marrë ndonjë thërrime lëmoshë nga partitë e mëdha që e kanë blinduar sistemin me një marrëveshje të vitit 2008.
Kohët e fundit ka patur zgjedhje edhe në Vende të tjera t’Evropës. Kanë dalë në skenë forca të reja, herë për mirë e herë për keq, por janë dëshmi e ndryshimeve të opinioneve publike, shumë prej të cilëve bëjnë levë mbi faktorin korrupsion. Dukuria nuk është vetëm e jona, e kanë në forma e përmasa të ndryshme edhe të tjerët. Ndërsa ata, mirë apo keq, mundohen t’a luftojnë, ne kënaqemi me qëndrimin vend numuro, presim të tjerët të marrin përsipër zgjidhjen e problemeve tona, për të dëgjuar në shqip nga ambasadori amerikan se “gomarin e nxjerr nga balta i zoti”. Përpjekjet për moralizimin e politikës duhet të jenë të përherëshme, mbasi prirja për të fituar me rrugë të lehta është gjithmonë e pranishme në racën njerëzore. Ato nuk duhet të jenë mjete për luftimin e kundërshtarit e për fitime politike të çastit, por kostante e jetës së shtetit e shoqërisë.
Së pari ky proçes është i lidhur me respektimin e rregullave, gjë e cila vazhdon të mbetet problematike për ne, si pasojë e një mendësie të rrënjosur thellë nga gjysëm shekulli komunist, në të cilin rregullat ishin në funksion të “përkatësisë klasore” e zbatimi i tyre subjekt i “luftës së klasave”. Sot nuk hasim të tilla mynxyra juridike, por në lëmin e drejtësisë kanë hyrë interesat financiare, shumë më të fuqishme se sa udhëzimet për karakterin klasor të saj dikur. Një shembull i thjeshtë, por tregues i mendësisë së shkeljes së rregullave qe edhe fillimi i fushatës zgjedhore para datës së caktuar me rregulloren e K.Q.Z. Përgëzime kryetares së saj që i vuri në dukje partive shkeljen e rregullores.
Për të ngulitur këtë mendësi qeveria aktuale ka ngulur këmbë që në krijimin e saj, por mjetet e përdorura janë shumë të diskutueshme. Rreptësia në kërkimin e zbatimit të ligjeve e rregulloreve është një domosdoshmëri, që duhet t’i nënështrohet një ligji të pashkruar, të zbatohet njëlloj për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim ankesat janë të shumta e nuk është e lehtë dalja në përfundime të sigurta. Ana tjetër e këtij problemi rrënjësor për të sotmen dhe t’ardhmen tonë, është zbatimi i forcës vepruese të shtetit mbi qytetarët shkelës të rregullave, në masën e kriteret e duhura. Në këtë drejtim besoj se ka teprime, mbasi nuk mund të konceptohet largimi nga puna e një punonjësi sepse nuk ka paguar një faturë të korrentit, aq më tëpër arrestimi e dënimi me gjyq i tij, kur nuk ka raste të përsëritura vjedhjesh të mëdha të energjisë. Dhënia policisë kompetenca të shtetrrethimit çon në veprime herë herë të pajustifikueshme e shpesh në kundërshtim me normat evropiane. Para disa ditësh policia i ka hequr të drejtën e patentës për gjashtë muaj një qytetari, sepse ka hyrë gabimisht në një rrugë me kah të kundërt . Pakujdesia në trafikun duhet ndëshkuar, por n’asnjë Vend t’Evropës nuk hiqet patenta për një veprim të tillë, pa asnjë pasojë apo dëm kundrejt të tretëve. Gjoba, në masën e duhur, është ndëshkimi që duhet të parashikojë ligji.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i realitetit shqiptar është ai i marredhënieve me Vendet e rajonit e të botës. Takimet dhe mbledhjet e fundit të kryeministrave ballkanas në Tiranë, besoj se mund të quhen një tregues i mirë i veprimtarisë së shtetit. Ka një keqësim të marredhënieve me Greqinë, që kalon periudhën e saj më të vështirë nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Nuk do t’a dëshironim një gjë të tillë, sepse kemi atje më shumë se gjysmë milioni shqiptarë të mërguar, por nëse përmirësimi i atyre marredhënieve do të ishte kusht sine qua non për lëshime të interesave kombëtare, ai bëhet i papranueshëm. Përmirësimi i marredhënieve me Sërbinë, i nxitur dhe i detyruar nga Evropa, shkon në drejtimin e duhur. Projekti i ndërtimit të një autostrade nga Nishi në Durrës është një sihariq, tregues i një perspektive të mirë për të dy Vendet e për gadishullin.
Bashkëpunimi me fqinjët është një detyrim, jo vetëm për shpresën e hyrjes n’Evropë, për të cilën kohët nuk do të jenë të shkurtëra, por edhe për vetë dialektikën ballkanase, të vështirësuar nga trashëgimi historike, ndërthurje interesash të të mëdhenjve e probleme kombëtare të lëna nga vendimet e shekullit të shkuar. Çështja kombëtare duhet të mbetet gjithmonë në qendrën e projektit tonë për t’ardhmen, por nuk mund të trajtohet në fundin e këtij shkrimi, për hapësirën e nevojshme që kërkon. Mendoj se filozofija, që duhet të na paraprijë në strategjinë e saj, është ajo e ish Presidentit Rugova, kurse episode si ai i dronit në stadiumin e Beogradit apo i aksionit të Kumanovës, megjithë respektin e thellë për ndjenjat atdhetare të protagonistëve, nuk janë më të këshillueshmet në rrugën tonë.
Ishin këto disa nga problemet me të cilët ballafaqohemi këto ditë. I duhen shtuar këtyre ata të zhvillimit ekonomik, të punës e të ngritjes së standartit të jetesës, për të cilët premtimet e politikës janë të pakursyera, pa spjeguar kurrë se ku do të gjenden paratë për të sendërtuar projektet. Fakti që flitet për ulje taksash në fushatën zgjedhore për administratat vendore e, njëkohësisht për projekte faraonike të qyteteve tona, pa mbulesën e duhur financiare, janë demagogji që nuk dëshmojnë seriozitetin e një klase drejtuese. Ato vetëm vërtetojnë fjalët e iluministit të madh francez D’Alembert, të vendosura në krye të këtij shkrimi.
Ngopja me lugë të zbrazur ka qenë kostanteja e 70 vjetëve të fundit të jetës sonë shtetërore. Do të ishte më e dobishme të na thuhej e vërteta, qoftë edhe e hidhur, për t’u vetëdijësuar për vështirësitë e sakrificat që na presin për t’arritur ata synime, që të tjerë popuj të Lindjes ish komuniste i kanë realizuar.
Qershor 2015 Eugjen Merlika
RAMIZ ALIA DHE DEMOKRATIZIMI I SHQIPËRISË
Ramiz Alia:”… Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.”
Nga Eugjen Merlika/
Para pak ditësh gazetarja Admirina Peçi, në të përditëshmen “Shqiptarja.com”, botoi në tre numura proçes – verbalin e mbledhjes së sekretariatit të KQ të PPSH, të mbajtur më 23 korrik 1990.
Materiali është mjaft interesant, veçanërisht në shpalosjen e qëndrimeve të Ramiz Alisë dhe të Ismail Kadaresë në verën e vitit 1990, gjë që ravijëzon edhe personalitetet e tyre n’atë periudhë, që i paraprin tjetërsimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Figura e Ramiz Alisë që atëherë, në rrethe intelektuale, servirej si ajo e një personi të matur, e një demokrati, e një njeriu që po i paraprinte ndryshimeve të sistemit, në kundërshtim me klanin Hoxha, të drejtuar nga e veja e diktatorit, nga ky proçes – verbal i mbledhjes përgënjeshtrohet plotësisht. Megjithë respektin për urtësinë e Sabri Godos apo ndonjë tjetri, që n’ata vite të para 90 përgjëroheshin për të , Ramiz Alia, përtej paraqitjes së tij “aristokratike”, ka qënë një komunist enverist i bindur, duke ngulur këmbë deri në fund t’a ruante sistemin në format e tij arkaike e të dështuara. Në këtë mbledhje është e dukëshme prirja autokratike e diktatorit të fundit komunist dhe Presidentit të parë pluralist të Shqipërisë, për t’imponuar mendimin e tij, mbasi të tjerët sekretarë bëjnë ndërhyrje të rralla e të shkurtëra.
Mbledhja kthehet në një monolog të Kryetarit, në të cilin spikasin dogmatizmi enverist në trajtimin e problemeve, sipërfaqësia tronditëse në spjegimin e dukurive, paaftësia apo shtirja në të kuptuarit e thelbit dhe të arsyes së ngjarjeve, mungesa e plotë e vullnetit dhe objektivitetit për të përballuar situatat e reja të krijuara. Në monologun ramizist dalin në pah disa argumenta, të cilët do të binin ndesh edhe me logjikën më parake në analizën e çastit historik që kalonte Vendi e që shqetësonte drejtuesit e partisë. Ramiz Alia mëton se hyrja e qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja shkaktohej nga “aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizimi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve nëpër ambasada”. Besoj se edhe një fëmijë i fillores nuk mund të pranojë një logjikë të tillë. Arsyeja e mos arsyes së Ramizit duhet kërkuar në dramën e tij të brëndëshme, që ishte humbja e pushtetit. Marrëzia e këtij shpjegimi jo vetëm që i trajton qytetarët shqiptarë si kukulla, të cilat regjizori i padukshëm i luan në skenën e teatrit, por injoron plotësisht edhe punën e organeve të diktaturës që, papritmas, kanë “lejuar” të vijnë qindra agjentë e të gënjejnë mijra vetë, kur ata kishin 46 vjet që “zbulonin” agjentë në të gjitha mjediset, madje edhe në krah të Ramizit.
Sekretarët e Komitetit qëndror vërsulen me tërbim kundër termave “demokraci” e “pluralizëm”, së pari sepse këto dy koncepte ishin të panjohura për ta; së dyti sepse të vëna në jetë në diktaturën më mizore të komunizmit evropian do të thonin “të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thesht luajale, por një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor”. Këta zotërinj “naivë” të politikës nuk kanë kuptuar se në histori e politikë nuk ka asgjë të përjetëshme, se çdo epokë ka fundin e saj e se ajo komuniste në Evropë kishte arritur në pikën e vdekjes. Të ngulitur në kolltuqet e pushtetit që u siguronin fuqinë dhe privilegjet, edhe se ishin pa vlera të veçanta, drejtuesit e PPSH kacavirreshin mbas pasqyrave me shpresën e kotë për të kthyer kursin e ngjarjeve që përcaktonin ndryshimet epokale në Lindjen evropiane dhe protestat e rinisë shqiptare.
Për ta do të ishte tragjedi kthimi i pronës private, pajtimi kombëtar, nacionalizmi, madje dhe bashkimi kombëtar. Deri në ditët e fundit të pushtetit të tyre ata shfaqen si grabitës të pasurive të qytetarëve, si racistë të llojit më të keq, deri në autorë genocidi, anti kombëtarë e antishqiptarë. Për të gjetur një curriculum të tillë duhet të marrim kandilin e Diogjenit e të kërkojmë në të gjithë historinë shqiptare. Ndoshta mund të gjejmë ngjajshmëri vetëm në vitin e mbrapshtë 1914, kur hordhitë anadollake të Musa Qazimit e të Haxhi Qamilit përzunë nga Shqipëria Mbretin që na kishte dhënë Evropa.
Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet t’a mbajmë gjithënjë pranë e t’a ushqejmë me ideologjinë tonë”.
Duket se nuk kanë kaluar 46 vjet nga koha kur Ramiz Alia, simbas studjuesit të njohur Uran Butka, së bashku me të tjerë kuadro të Divizionit të V, i dorëzonte më shumë se 4000 djem kosovarë forcave serbo-malazeze për masakrën e Tivarit. Më 1990 është po ai njeri, atëherë komisar divizioni, sot Kryetar shteti e partie, po ato ide, po ajo urrejtje, po ai cinizëm kriminal kundër Vendit të tij, i cili nuk mund të konceptohet ndryshe prej tij veçse i drejtuar prej kastës komuniste me të në krye. Obskurantizmi ideor i tij nuk njeh kufij, kur ai kundërshton mundësinë e punësimit të shqiptarëve jashtë shtetit dhe arrin në krim shtetëror kur vazhdon të urdhërojë vrasjen e atyre shqiptarëve që duan të kalojnë kufirin.
Nuk habit qëndrimi i tij në lidhje me konceptin e nacionalizmit, që në atë periudhë trasformimesh epokale edhe të shteteve multietnike, mund të kishte zhvillime pozitive që i jepnin shpresë edhe shqiptarëve. I njoftuar nga Xhelil Gjoni mbi zërat e ndryshëm që vinin nga mjedise mbarëkombëtare, ku diskutohej për një braktisje të ideologjisë e kthimin e vështrimit nga problemi kombëtar, Kryetari i Shqipërisë shprehet kështu : “Po të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”
Është gjuha e atyre që në fundin e 1944-ës i dorëzuan Shqipërinë e bashkuar jugosllavëve, sepse për ta kombi dhe interesat e tij shuheshin para internacionalizmit proletar. “Idealet” e tyre vlenin më shumë se sa Shqipëria etnike, të tilla që i shohim mirë edhe në këtë proçes – verbal. Ka edhe një dozë të theksuar miopie politike në këtë pohim, në mëtimin për t’i mbajtur gjithmonë larg atdheut të mërguarit politikë, është një tregues i faktit se nuk ekzistone tek udhëheqja shqiptare më 1990 vetëdija se epoka e mureve dhe perdeve të hekurta në Evropë kishte perënduar.
Ana tjetër interesante e këtij proçes – verbali është trajtimi i figurës së Ismail Kadaresë nga sekretariati i Komitetit qëndror. “Ismail Kadareja nuk po ndihet”, “Pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadareja nuk pranoi të jepte intervistë ? ”, “ A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Miteran…. ? ”, “Situata e tanishme kërkon që Ismaili me qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë, Atdheut.”, “Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua asnjë fjalë për këto që sheh? “ , janë disa nga shprehjet e Ramizit në lidhje me qëndrimin politik të çastit të shkrimtarit të madh. Kuadri është i qartë : qytetari, deputeti, shkrimtari Kadare, në këtë çast vendimtar për t’ardhmen e Vendit të tij, nuk pranon të flijojë personalitetin e tij në dobi të klikës obskurantiste komuniste të Shqipërisë, duke ligjësuar veprimet e saj regresive. Ky është një qëndrim që paraqet rrezik real për të dhe familjen, e kjo shpjegon kërkimin e strehimit politik në Francë mbas pak muajsh. Por një organ i rëndësishëm i shtypit shqiptar të asaj periudhe ve në gojën e shkrimtarit një shprehje tepër përçmuese për qytetarët shqiptarë që u futën nëpër ambasadat : “jashtëqitja e kombit”. Megjithëse shkrimtari e kishte mohuar atë shprehje, në këto 25 vjet askush nga zyrat e shtypit apo të propagandës së ish partisë së punës, nuk pati burrërinë apo ndershmërinë të thotë të vërtetën. Pa një përgënjeshtrim zyrtar ajo shprehje është instrumentalizuar shumë e kuptohet se sa i ka rënduar kjo shpifje edhe vetë shkrimtarit e familjes së tij.
Mbas botimit të këtij proçes – verbali, që është një dokument historik, më duket një shprehje ndershmërie intelektuale dhe detyre morale e atyre që kanë instrumentalizuar atë shprehje të shpifur, t’i kërkojnë sinqerisht falje shkrimtarit të madh. Duhet t’a kërkojnë zyrtarisht ndjesën e qytetarit Kadare, një shqiptari që e ka ngritur lart në botë emrin e kombit të tij si pak kush i lindur në këtë truall, por edhe atij që, n’ata çaste kritike për Shqipërinë, nuk pranoi të bëhej vegël e udhëheqjes komuniste për të njollosur bashkatdhetarët e tij.
Ndokush mund të më kritikojë ashpër se po flas në dobi të “shkrimtarit të regjimit”, un, një nga viktimat e atij regjimi. Duhet të pohoj se ka qenë një autor të cilin e kam lexuar me ëndje dhe e kam vlerësuar jo për faktin se ”temat për Partinë, Enver Hoxhën, Atdheun, socializmin janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit”, siç thotë Ramiz Alia, por për talentin e fuqishëm e meritat letrare të padiskutueshme. Nëse ndokush do të kërkonte dosjen time gjyqësore më 1980, do të shihte në të se një nga akuzat që më bëhej për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ishte kjo : “Ka lexuar Dostojevskin e ka pëlqyer Ismail Kadarenë”, një akuzë e pranuar prej meje edhe në gjyq. Në tavolinën e hetuesit tim qëndronte libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me nënvizimet e zakonëshme që gjinden në librat e lexuara prej meje. Nga kontrolli në shtëpi ishin marrë dy libra, njëri prej tyre ishte “Gjenerali…”. Shum kush mund të shprehë habi për këtë akuzë, dhe vetë nuk e kam kuptuar atëherë, por fakti të bën të reflektosh se shumë gjëra ne nuk i dijmë ende si shkonin, por sigurisht jo ashtu si i shihnim ne prej larg.
Dua të shtoj edhe pak fjalë për qëndrimin e Ismail Kadaresë në çerek shekullin e fundit të së ashtuquajturës demokraci : ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në botën e jashtëme, ka luftuar për demokracinë e vërtetë, nuk është pajtuar me demokraturën shqiptare të këtyre viteve, ka qenë faktor i fuqishëm përparimi, atdhetarie, evropianizimi e demokracie nëpërmjet veprave të shkruara, intervistave dhë veprimtarisë publike jashtë Vendit.
Si të gjithë njerëzit që hyjnë në histori, kjo e fundit do të flasë për të. Si “dritë e së vërtetës e mësuese e jetës”, do të jetë e drejtë me të, me dritë-hijet e veprës së tij, duke mbajtur parasysh kohët, tejet të jashtzakonëshme, në të cilat pati fatin të jetojë ai dhe brezi i tij.
Maj 2015-05-24
- « Previous Page
- 1
- …
- 57
- 58
- 59
- 60
- 61
- …
- 67
- Next Page »