• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Berna dhe Europa përballë barbarisë së një kryeministri të lajthitur!

September 10, 2018 by dgreca

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit./

1-elida-bucpapaj-300x130Nga Elida Buçpapaj/

BE-ja e ka shpallur 2018, “Viti Europian i Trashëgimisë Kulturore”. Europa identifikohet me vlerat e saj që lidhen me kulturën. Pas periudhës së errët të Mesjetës, Europa u ringjall me Rilindjen kulturore.

Edi Rama e përdori termin e Rilindjes si demagogji trushplarëse me efekte populiste, duke shpërdorur pushtetin politik për të çrrënjosur identitetin kombëtar shqiptar nga Atdheu, trojet shqiptare dhe Europa.

Vitin e Trashëgimisë Kulturore Europiane, Edi Rama, lakeu i tij Erion Veliaj, bashkë me formacionin e tyre politik e kanë shpallur vitin e rrënimit të Teatrit Kombëtar, një monument me vlerë historike, kulturore, kombëtare dhe identitare.

Duke qenë jashtë BE-së, shqiptarët unifikohen si europianë me Europën për nga vlerat identitare, ndërsa nga ndjeshmëria kombëtare paraqiten si barbarë, sepse heshtin ndaj barbarive të një kryeministri të çmendur që do të rrafshojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë genetike të shqiptarëve.

Trashëgimia kulturore është e lidhur me gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar duke nisur nga gjuha, letërsia, arti, tradita deri tek kulinaria, si vlera kombëtare identitare dhe europiane njëkohësisht.

Detyrë e çdo shteti europian është të promovojë vlerat kulturore identitare. Italianët, për shembull, e festojnë Vitin e Kulturës Europiane, duke kujtuar 150 vjetorin e largimit nga kjo botë të autorit të Berberit të Seviljes, kompozitorit Giacomo Rossini, me edicionin e 40-të Festivalit të Teatrove të Anconës etj. etj, ndërsa ne shqiptarët, duke pritur me ankth në çdo çast një kryeministër të lajthitur, i ndjekur nga langonjtë e tij që t’i venë kazmën ose tritolin Teatrit Kombëtar, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane njëkohësisht.

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit.

Motoja e Vitit të Kulturës Europiane shpallur nga BE është:” Trashëgimia jonë kulturore: ku e shkuara takohet me të ardhmen.”

Që do të thotë se pa të shkuar kulturore nuk ka të ardhme as kombëtare dhe as europiane, çka e kthen në emergjencë kombëtare nxjerrjen nga skena politike të barbarit që synon të shembë skenën ku aktruan korifejtë e Teatrit Kombëtar shqiptar.

Të gjitha pretekstet e tjera janë inskenime të kryeministrit dhe palaços të oborrit, në lidhje me gjoja “shkaqet teknike se përse Teatri Kombëtar duhet të rrënohet”.

Arkiteti Maks Velo doli publikisht dhe i rrëzoi pretendimet e oborrit të palaçove të kryeministrit vandal.

Unë po ju sjell një aktualitet zviceran, se si reagon një shtet me mendësi europiane ndaj thesareve të trashëgimise kulturore, ndryshe nga çmendina e shtetit shqiptar.

Në kuadrin e mbrojtjes së identitetit kulturor europian, në Bernë ka nisur rikonstruktimi i Kazinosë Kulturore, jo si vend i pokerit, por si vlerë kombetare.

Kur është ndërtuar 110 vjet më parë, kjo ndërtetë kishte destinacion t’iu kthente muzikantëve dhe orkestrës sinfonike selinë e humbur prej ndërtimit të Pallatit Federal. Dhe këtë funksion e ka mbajtur gjithmonë. Kjo ndërtesë lidhet me memorien kulturore, me aktivitete të jetës publike të qytetit, me jetën koncertore deri tek vlerat kulinare të restaurantit e në fund edhe me sallën e lojrave. Prandaj është pjesë e trashëgimisë dhe si e tillë mbrohet e konservohet nga shteti. Dhe pikë!

Në 110 vjet jetë Kazinoja Kulturore e Bernës iu është nënshtruar 25 restaurimeve të pjesëshme, ndërsa është hera e parë që do t’i bëhet një restaurim i përgjithshëm për t’iu kthyer formës origjinale të kohës kur u ndërtua për së pari, por me standartet teknike të shekullit XXI e përtej.

Po të kishin mentalitetin e barbarit Edi Rama, Berna dhe qytetarët e saj e kishte shembur Kazinonë, edhe urat magjike, edhe arkitekturën tradicionale të qytetit me pretekstin se “janë të vjetra”për të ndërtuar në vend të tyre rrokaqielle si produkte të pareve të pista informale.

Por Berna ka vizion europian. Edhe qytetarët e saj. Prandaj e rikonstruktojnë Kazinon Kulturore të kryeqytetit, me shkëlqimin e së shkuarës për t’i dhënë dritë e ndriçim të ardhmes.

Rikonstruksioni i Kazinosë Kultorore të Bernës ka nisur në verën e 2017 dhe do të zgjasë dy vjet, me një kosto 74 milionë franga, por me vlerë identitare qindra e qindra miliarda franga.Rihabja bëhet në shtatorin e 2019 padyshim me njē koncert madhështor të orkestrës sinfonike në kujtim të 110 viteve të shkuara dhe si mirëseardhje e shekujve që vinë.

Edhe senatori i përjetshëm italian Renzo Piano, arkitekti i Urës të re të Gjenovës tha se “Ura do të jetojë një mijë vjet, jo si metaforë”, por si vlerë e identitetit kulturor të civilizimit europian.

Kjo është kuintesenca dhe logjika e një sistemi demokratik vlerash, që Edi Rama e mohon dhe e zëvendëson me barbarinë rrënuese dhe shkatërruese !

Prandaj duhet ta ndalim një orë e më parë!

PS: Si gazetare denoncoj aktet barbare të një kryetari qeverie të papërgjegjshëm i cili i urren dhe shpërdor të gjithë mjetet e pushtetit për të luftuar përçuesit e fjalēs të lirë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Europa, Teatri Kombetar

“Populizmi”, nji hap në rrugën drejt “fashizmit”

May 30, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212 Nga  Sami Repishti, Ph.D./

Në nji Editorial “Cili ashtë problemi i Europës?“(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, Profesor Paul Krugman, i Universitetit Princeton, shkruente:  ”Në se ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë pa dyshim do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive të cilat sollën diktaturat, gjenocidin, dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë, dhe të properitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.

Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin 19. Në Britaninë e Madhe. legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re e tronditun nga luftat e vazhdueshme përforcoi pozitat e kujdesit shëndetsor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore, dhe pruni paqën, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.

Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane, dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J.Trump.

Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashket, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin. Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen. Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue çvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin.

Ramja ekonomike, dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithëshme popullore, dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë anti-europiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “cinque stelle”) në Poloni, ku Partia Ligjë e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”. Në Rumani udhëheqsit kanë dobësue ligjët kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë.

Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “sherimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”,- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo spjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”. Si rrjedhim, thyhet uniteti europian, dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…!

Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këte zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka nderperë, ne fashizëm”. Edhe në SHBA –shkruen nobelisti Krugman- “sot praktikisht sundohemi nga nji parti politike që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pa sprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me kushtetutën – qendrime që përfundojnë në neo-fashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike, dhe nga dalja e vrullëshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!

******

‘Fashizmi”, përshkruhet nga Profesor N.O’Sullivan si“….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale, dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’i nënshtrohet (kërkesave) të shtetit, e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit….Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar.” (“Fascism”, London,1983)

Preokupimi i jonë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumullohet për rreth nesh. Parasiti “fashist” sot paraqitet nepërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetësuese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se.

Por edhe në SHBA fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike. Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vertetë nji kërcënim serioz për paqën në botë, dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive.

Në Federatën Ruse despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumëta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri, dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot. Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull.

Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjët e reja të emigracionit, dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qellimshëm ose aksidental.

Në ballafaqim me këte “rrezik” publiku përparimtar amerikan përdorë mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri –tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesëmarrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare.

Ky qendrim përjashton aksionin e dhunëshëm!

Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi. Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinët ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithëshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë, dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!

*****

Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria as Polonia nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qendrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qendrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha. Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen” me citue nji shprehje të Masha Gessen.

Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqsoi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qellim-mirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjsisë, e pa aftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend…në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të nderëshme dhe argumentime profesionale nga të dy palët. Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometueme randë me “pasunimin” e saj nga elementë neo-komunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS.

Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunësia dërmuese sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (qe ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent, dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza, ose të kuqe” me mendimet  e qellimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!

Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë, dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: ”Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”.

Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemrimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumëta nga të katër anët e vendit. Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohëshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqiperi.

Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perendimore, dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore.

Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E. Macron na ngrohë, sidomos në këto ditë  kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet. Le ta presim me krahë hapët.:

“Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë…Po! Ashtë e vertetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi i jonë ma i mirë.”

Europa ashtë shtëpia e jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona se ata që as ndërtuen shtetin as institucionet tona që akoma sot nuk funksionojnë?

Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë.

Filed Under: Histori Tagged With: Europa, Ph.D, Populizmi, Sami repishti, shqiptaret

Emmanuel Macron: Europa është fati ynë

May 11, 2018 by dgreca

Bashkimi Europian duhet të shpëtojë rendin multilateral, që po vihet në pikëpyetje nga SHBA, kërkon presidenti francez, Macron në intervistë me Deutsche Wellen dhe ARD. Ishte intervista e parë me një televizion gjerman.1 Macron

Zyra e shtypit në pallatin Elysee ishte kujdesur që për presidentin francez të qëndronte gati një kolltuk i rehatshëm për intervistën. Por Emmanuel Macron gjatë 20 minutave të intervistës me Deutsche Wellen dhe ARD qëndroi ulur në cep të kolltukut duke shtrënguar grushtin, duke gjestikuluar me të dy krahët për të bindur dy intervistuesit, Max Hofmann e Deutsche Welles dhe Caren Miosgan nga ARD për qëndrimet e tij.

Dinamik, energjik, i kthjellët, por edhe i duruar me vonesat teknike u tregua 40 vjeçari Macron. Ai është krenar që Franca ka ndryshuar shumë këtë vit. Tani ai kërkon të bëjë për vete edhe europianë të tjerë. Ky është mesazhi i tij në intervistën e parë televizive me një televizion gjerman.

Trump bën gabim

Fillimisht në intervistë bëhet fjalë për temën kryesore aktuale në politikën e jashtme. “Shpreh keqardhjen për vendimin e presidentit amerikan”, tha Emmanuel Macron pas heqjes dorë të SHBA-së nga marrëveshja atomike me Iranin. “Besoj se ky është gabim, prandaj ne europianët duhet të qëndrojmë të bashkuar në kuadër të marrëveshjes”.

Para intervistës me DW dhe ARD, presidenti Macron kishte telefonuar me presidentin iranian, Hasan Rohani dhe e kishte siguruar që BE do të qëndrojë tek kjo marrëveshje. Ai pranoi në intervistë se përpjekjet e tij tek Donald Trump hasën në veshë të shurdhët. “Propozimi im për Trumpin ishte që të mos këputen të gjitha fijet, e të hidhet dhe e mira përtokë.” Vetëm sepse dikush e hedh poshtë marrëveshjen, kjo nuk do të thotë që të dështojë e gjithë marrëveshja. “Ne duhet ta plotësojmë atë dhe ta zgjerojmë përtej vitit 2025. Kemi nevojë për një kuadër të zgjeruar.” Macron premtoi se do të punojë për këtë me europianët.

Karlspreis 2018 zu Aachen | Emmanuel Macron, Präsident Frankreich | DW-Interview (DW/B. Riegert)Emmanuel Macron me intervistuesit, Caren Miosga, ARD dhe Max Hofmann, Deutsche Welle

“Europa duhet të shpëtojë rendin multilateral”

Emmanuel Macron kërkon që marrëdhëniet me SHBA të mos perceptohen vetëm si krizë. Kemi shumë interesa të përbashkëta në temën e sigurisë dhe luftimit të terrorizmit. “Ka tensione, por edhe një lidhje të fortë”. Lidhur me grindjen për doganat, Macron kërkon nga Europa të mos sillet si partnere e vogël. “Në këtë temë Europa duhet të kërkojë respektin që i takon. Ne jemi një fuqi e madhe ekonomike. SHBA janë aleat dhe partner, por edhe ne kemi rregulla. E duhet të tregojmë kujdes që këto rregulla të respektohen.”

Trump vendos në fund të majit, nëse BE do të përjashtohet përfundimisht nga doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin. BE ka kërcënuar me kundërmasa. Macron thotë: “Mendoj se jemi sot në një moment historik për Europën. Europa ka detyrën që të shpëtojë rendin multilateral që kemi ngritur në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe që sot është i kërcënuar.” I kërcënuar nga vetë aleati, SHBA.

Merkel nuk më ka zhgënjyer

Duke qeshur dhe me gjest refuzues, reagon luftëtari për Europën, Macron ndaj pyetjes, nëse ai është i zhgënjyer nga Angela Merkel, sepse po zgjat kaq shumë që Gjermania t’u përgjigjet propozimeve reformuese të Macron për BE. “Jo aspak. Nuk jam i zhgënjyer”, tha Macron. “Tani Gjermania do ta formulojë përgjigjen ndaj propozimeve tona dhe pres shumë. Shpresoj që kancelarja dhe qeveria e saj të jenë në lartësinë e detyrës dhe të punojmë së bashku për një Europë më të fortë, një Europë sovrane dhe të bashkuar.”

Karlspreis 2018 zu Aachen | Emmanuel Macron, Präsident Frankreich | DW-Interview (DW/B. Riegert)

Euro ka nevojë për transferta

Macron nuk e kupton kritikën për propozimet e tij të zgjeruara për BE. Ai nuk këmbëngul që të ketë një ministër Financash, por detyra duhet të kryhet. “Se si quhet institucioni nuk ka rëndësi. Qëllimi është kryesori.” Macron thotë qartë, se eurozona nuk do të rezistojë dot gjatë, nëse nuk kryhen transferta mbështetëse nga vendet më të pasura tek më të varfrat. “Duhet të dalim nga tabutë dhe egoizmat”, thotë Macron. Mbështetja në formë transfertash është një tabu gjermane që duhet të bjerë. “Edhe Franca e ka një tabu. Ndryshimin e Marrëveshjes së BE. Edhe kjo duhet të bjerë. Ne duhet ta ndryshojmë marrëveshjen.”

Shumë presidentë francezë nuk guxonin ta preknin këtë temë, nga frika sepse kjo kërkonte votën me referendum. “Nuk kam pretendimin, se gjithçka kam propozuar duhet të pranohet. Jam i bindur se është detyrimi im që të bëjmë propozime të tilla dhe të diskutojmë. Statusquoja në Europë është e keqe për të gjithë.” Macron është optimist, se me Merkelin do të bëjë propozime të përbashkëta në qershor.

Karlspreis 2018 zu Aachen | Emmanuel Macron, Präsident Frankreich | DW-Interview (DW/B. Riegert)

“Nuk jam superhero”

Një vit pas zgjedhjes së tij si president, Franca ka ndryshuar shumë. Por krahasimet me Jupiterin apo Julius Cezarin nuk i pëlqenë Macron. “Nuk e kam parë veten kurrë si hero.” Macron është i vetëdijshëm, se puna që ka përpara është e madhe. Megjithë krizat ai kërkon të mbetet optimist pr Europën.

Të enjten (10.05) Emmanuel Macron nderohet me Çmimin Karl të Qytetit të Aachenit. Në deklaratën e jurisë thuhet se ai nderohet si “shpresëdhënës i Europës”. Në intervistë me Deutsche Wellen dhe ARD, Macron lë të kuptohet se ky çmim e nderon. “Shumë vetë besonin se është e pamundur të zgjidhesh në Francë me synime ambicioze europiane. Por doli se funksionoi.”

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Europa, Fati Yne, Macron

Europa, Shqipëria dhe Princi i Linjës

January 2, 2018 by dgreca

1 Philip ManselNga Alfred Papuçiu*/

 Po lexoj librin e Philip Mansel me titull : « Charles-Joseph de Ligne » (1735-1814). Midis të tjerash në të thuhet :  «Charles-Joseph, princ i Linjës (Ligne) : », qe Europian i shekullit të XVIII-të, për të cilin nuk egzistonin kufijtë. I bindur se « humbet konsideratën e vet në një vend ku jeton », duke folur frëngjisht, gjuhën ndërkombëtare të epokës, ai udhëtoi kudo, midis Parisit dhe Sen Petërsburgut, dhe kërkoi shtatë atdhe : gjë që përbën sot Belgjikën ku ai lindi, Perandorinë e Shenjtë romane gjermanike, Austrinë, Francën, Poloninë, Rusinë dhe Hungarinë…Kujtimet dhe letrat e tij përbëjnë dëshminë më të pasur që kemi mbi kohën kur Vjena ishte në fakt kryeqyteti i Europës. Ai jetoi atje 20 vite, në të njëjtën rrugë me Betovenin, dhe vdiq atje nga një të ftohtë që mori gjatë kongresit të Vjenës…Në Europë, kujtimi i Ligne, nuk është errësuar asnjëherë. Në Belgjikë, ai është hero kombëtar, dhe tema e vete e një botimi shkencor: „Analet e princit të Ligne“. Paul Valéry qe një fanatik i « princit hyjnor të Linjës ». Paul Morand përshëndeti tek ai « mishërimin e shekullit të XVIII-të ». Liria e tij e të shprehurit, europianizmi i tij i natyrshëm kanë ngjallur një interesim të ri. Cdo vit veprat e tij rishtypen. Në një kohë që Europa është duke rilindur, thotë Philip Mansel, qysh në 1992, dhe se Europa qëndrore, atdheu i dytë i Linjë, rijeton, ky kurtizan i shekullit të XVIII-të është një njeri i kohës sonë ».

Princi i Linjës mbante korrespondencë me Volterin, darkonte me Frederikun e Madh, përshkroi tej e përtej Krimenë me Katerinën e Madhe, korrigjoi dorëshkrimet e Kazanovës, shkëmbeu poema me Gëten. Ai jetoi dhe tregoi për vitet e arta të « Lumières », për rivalitetin midis Austrise dhe Prusisë për sundimin e Gjermanisë, premisat e rënies së Perandorisë osmane, lindjen e nacionalizmit gjerman dhe luftën e Europës për t’u çliruar nga hegjemonizmi napoleonian. Në Kongresin e Vjenës të 1814, siç dëshmon zonja Eynard, anëtare e delegacionit zviceran, me të shoqin, që figurojnë midis kronikuesve më të mirë të Kongresit : « Fola pothuajse gjithë kohën me princin e Linjës, i cili është një admirator i madh i Zvicrës »

Princi Linjë e donte « Europën pa kufi » qysh në shekullin e kaluar. Dhe sot nga postulatat e tij dhe të shumë baballarëve të kësaj Europe, prekursori i së cilës ishte dhe mbetet Shumani, hendeku midis “Europës tjetër” dhe Europës së 27-ve nuk duhet të thellohet më. Ka ikur koha kur vende europiane apo edhe jashtë saj, pse jo, mbanin regjimin komunist të E.Hoxhës në pushtet, pasi kështu u interesonte në kuadrin e ekulibreve të tyre, me SHBA, apo edhe me Serbinë dhe regjimin e Titos dhe pastaj të Milosheviçit. Epoka e Enver Hoxhës e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një “vend i mbyllur”, “hermetik”.

Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur “flakën” diktaturën në 1964, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët.
Shqipëria është tanimë në NATO dhe aspiron për në Bashkimin Europian, si dhe ka realizuar lëvizjen e lirë edhe të shqiptarëve në Europë, e në botë, e kete ecuri nuk do mundin ta ndalin më llobi serb apo edhe krahu famëkeq i llobit grek, « armiq » të Shqipërisë apo edhe ndonjë tjetër që për interesa të ngushta nacionaliste hedh gurë nën rrogoz. E rëndësishme është që ne vetë shqiptarët të jemi solidarë dhe në unison për çështjet e kombit, parlamentarë, pozitarë dhe opozitarë, si gjithë kombet e tjera të qytetëruara : si Zvicra që e mendonin Shqipërinë rilindësit tanë, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë dhe të na fusin në kallëpet e atij “qoftëlargut” që shkon herë nga e majta apo e djathta, nga fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë dhe kur nuk ka kufij midis shtetesh si Zvicra, Franca, Austria, Lisenshteini,  Italia por vetëm fusha me grurë apo lule që i ndajnë ato. Shqipëria dhe Kosova janë tepër të afërta me kulturat europiane. Me gjuhën tonë, ne kemi të përbashkëta kulturat e mbi 300 million europianëve. Ne jetojmë në një realitet multikulturor dhe multifetar që ka futur në gjirin e kontinentit një refuzim të centralizmit apo uniformitetit. Edhe Skënderbeu, Nënë Tereza, Rilindasit tanë, Isa Boletini, Adem Jashari, apo Guillaume Tell i Zvicrës bëjnë pjesë në pasurinë e përbashkët të Europës. Njeriu me shtizë gjendet në legjendat nordike, ashtu siç rrëfehen historira për heronjtë e Kombit tonë kudo.

*Diplomuar në Universitetin Europian të Gjenevës

Filed Under: Politike Tagged With: Alfred Papuçiu, dhe Princi i Linjës, Europa, shqiperia

RRUGA EVROPIANE QË KALON NGA BERLINI

August 19, 2016 by dgreca

Shkruar nga DANILO TAINO/  E përktheu për DIELLIN  Eugjen Merlika/

A është Gjermania problemi i Evropës së sotme ? Me gjasë jo. Madje ai Vend është një pjesë e mirë e zgjidhjes. Në një BE, përballë krizash të shumëfishta, kërkimi i fajtorit është torturues. Ashtu sikurse edhe e rrugës më të shkurtër për t’u vënë në siguri. Megjithatë ka një rrugë demokratike e pragmatike për të shmangur coptimin e BE dhe t’eurozonës. Pëlqehet apo jo kalon nga Berlini.

Gjëndja e “gjysëm hegjemonisë” n’Evropë, që historianët i a veshin prej kohësh Gjermanisë, është prodhim i dy fakteve, të dy, në pjesën më të madhe, jashtë kontrollit të qeverisë së Berlinit. Nga një anë është qëndërsia gjermane e kontinentit, objektive : gjeografike dhe ekonomike, por edhe politike (është sistemi më i qëndrueshëm), si model (është Kombi i BE ku demokracia është më e respektuara, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar), morale (mbas tmerreve të nazizmit është i vetmi Vend që ka përballuar përbindëshat e së shkuarës duke i nxjerrë në dritë, një fakt që sot e bën më të papërshkueshëm se asnjë tjetër nga nacionalizmi). Nga ana tjetër është mos pranimi i i një udhëheqjeje të qartë gjermane nga vetë Gjermania (fantazmat) dhe nga ana e partnerëve të saj evropianë. Përfundimi është “gjysëm hegjemonia”.

Bëhet fjalë për faktorë strukturorë e historikë aspak të rinj. Risia qëndron n’atë se si i përballon Berlini. Kriza financiare botërore e 2008 -ës dhe ajo evropiane e 2010-ës kishin fuqinë për të shkatërruar eurozonën dhe monedhën e përbashkët. Këto nuk kanë qenë asnjëherë rezultat i zgjedhjeve ekonomike e financiare, por i atyre politike, mbi të gjitha të dëshëruara nga Franca për të shmangur zotërimin e Gjermanisë mbi Kontinentin, mbas ribashkimit, nëpërmjet markës së fuqishme. Ato ishin ndërtesa të prekëshme, nga pikpamja ekonomike, siç e kemi parë. Për arsye politike, pra, Gjermania pranoi në vitet nëntëdhjetë të hynte në kafazin e euros, edhe se shumica e establishment ishte mosbesuese : që atëherë ka punuar për t’a mbajtur në këmbë ndërtesën luhatëse.

Nga 2010, një sërë Vendesh janë shpëtuar nga dështimi financiar me programe evropiane (Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja, Qipro). U bë i detyrueshëm një bashkim bankar i pamendueshëm më parë, edhe se ende jo i plotë. E sot eurozona është jashtë asaj krize. Roli i Angela Merkel dhe i Wolfgang Schӓuble, në gjithë këtë, ka qënë kontradiktor, siç ndodh me drejtuesit gjatë krizave, por vendimtar. Pa gjysëm udhëheqjen e Berlinit (por edhe pa BQE) eurozona me gjasë do të kishte shpërthyer. Një rol qëndror qeveria gjermane pastaj ka patur në mbajtjen së bashku të Vendeve të Be përballë Rusisë gjatë krizës ukrainase. Dhe sot në përballimin e valës së madhe refugjatëve.

Sigurisht, hapat përpara drejt një integrimi më të madh, drejt një bashkimi të bilancit e atij politik kanë qënë të kufizuara. Por, siç kuptohet nga  gjëndjet politike në gjithë Evropën, hapa më të vendosura do të kishin qënë të mundur vetëm kundër miratimit demokratik, me zgjedhje autoritare, të cilat Gjermania nuk është më e gatëshme të kryejë e që n’Evropën e sotme nuk ka shpresa mbijetese. Në të vërtetë, çfarë frenon edhe ata kalime të integrimit më të madh, që do të kishin qënë të mundur, si psh. Plotësimi i Bashkimit bankar ? Berlini nuk është i mbyllur kundrejt asaj perspektive : veçse e quan sot të pamundur sepse një sërë Vendesh përtace nuk i kanë zvogëluar rreziqet e bilanceve të bankave të tyre, mbajnë nivele të rrezikëshme të borxheve e duan të bëjnë hapa mbrapa ndaj vendimeve të marra, për shembull rregullat mbi bail-in. Me një sërë Vendesh, edhe të eurozonës, që nuk janë në gjëndje të kryejnë hapa të mëtejshëm drejt një integrimi më të madh – Hollanda, Finlanda, Austria, Franca, të cilëve mund t’u shtohet me gjasë Italia, mbasi të jetë hequr retorika – rruga e vetme e përshkueshme sot është, jo ajo e marrëveshjeve të pamundura institucionale, por e atyre politike ndërmjet Vendeve mbi tema vendimtare. Po çfarë po bën Berlini në këtëdrejtim ? Mbi t’ikurit po kërkon zgjidhje afatgjata, së bashku me Italinë. N’ekonomi nuk po i kundërvihet lakueshmërisë së Komisionit të BE kundrejt bilanceve të Francës, Spanjës, Italisë; po nxit rritjen e pagave të mbrendëshme ; në sajë të refugjatëve ka një bilanc lehtësisht të hapur. Në përballimin me Rusinë kërkon t’i mbajë të bashkuar evropianët. Mund të kërkohet më shumë. Për shembull të liberalizojë shërbimet shtëpiake e të shtyjë për një thellim të tregut të përbashkët në BE. Ajo që nuk mund të bëhet është një Bashkim bilancesh e një Bashkim politik që do t’a kishin zhytur Evropën në një kaos më të keq se ky i sotmi. Merkeli dhe Berlini n’atë rrugë nuk do të shkelin. Sepse nuk është ekonomia që vendos, as sot. Janë demokracia dhe politika.

“Corriere della Sera”, 10 qershor 2016

E përktheu Eugjen Merlika

 

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Europa, gjermania, rruga BE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT