• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLAMURI, “SHKËNDIJA” DHE “NERONËT” E MANASTIRIT

May 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues. Këtë vështrim po e filloj me një mendim të një gjermani që kishte jetuar në shekullin që lamë pas, i cili, pos të tjerash, kishte shtruar filozofinë si vijon: “HISTORIA  PËRSËRIT  VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”! Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri  dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë. Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!

I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???

I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!

Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!

Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër). Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti,  t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.

Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…,  ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe  kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë  fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase  nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!

Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog  i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk  karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua… Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, Flamuri, Neronet e Manastirit, Shkendija

“HIGJIENA CEREBRALE” DHE CA TRASTA LECKAMANE

May 21, 2013 by dgreca

Dikur Maks Velo pat shkruar 1- : ”QOSJA ËSHTË DIJETAR TIPIK ISLAMIK TËRËSISHT LINDOR…, AI “ADN” E KA ISLAMIKE” (!??).  (Kësaj i thonë intolerancë fetare, politike dhe gjeografike numër 1 velo-niane/

2. “QARQET POLITIKE APO AKADEMIKE JANË BËRË KOSHIENTË PËR DËMIN E MADH QË I VJEN SHQIPËRISË NGA DEKLARIMET E PAPËRGJEGJSHME SE SHQIPËRIA ËSHTË SHTET MYSLIMAN” (!??)…/

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues të paanshëm, do më lejoni që këtë shkrim të radhës ta krahasoj me atë refrenin e shkurtër të këngës që i dedikohet  Ali Pashë Tepelenës, ku pos tjerash thuhet: “Koka në Stambollë moree…, e trupi në Janinë moree” Ata që e kanë për xhan këtë këngë do të thonë se në brendinë e këtij refreni ka shumë elemente kanibaliste a egërsi skajshmërisht të madhe! Ne nuk e “dimë” se pse sa herë që merren nëpër gojë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve administrativ të Republikës së Shqipërisë, aq herë po duhet që ky refren t’u atribuohet atyre, pavarësisht se ata jetojnë në shtetin e Kosovës, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës a në mërgatë. Ne, besojmë se do na lejohet që këtij vështrimi t’i bëjmë “fare pak” histori a “BIBLIOGRAFI RETROSPE-KTIVE”! Fillimisht do t’i referohemi një artikulli të botuar më 20 qershor të vitit 2006 në gazetën prestigjioze “SHEKULLI” të Tiranës, me temë: “QOSEIZMI, OSE TEORIA E URREJTJES”, me firmë të z. Maks Velo. Në këtë shkrim autori për kryefjalë kishte debatin e atëhershëm mes Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë…, ku, pos të tjerash, shkroi edhe për nivelet intelektuale të polemizuesve, për kontributet e tyre dhënë zhvillimit të mendimit shqiptar, për përkatësinë fetare të Qosjes, për fenomenin e çuditshëm Kadare, për Shqipërinë si shtet mysliman, për TETOVËN si QENDËR ISLAMIKE NË BALLKAN, për shtëpinë e shqiptarit mysliman ku mund të hyhet vetëm pas zbathjes së këpucëve, për TRADHTINË e shqiptarëve, për kosovarët primitivë dhe qaramanë e të tjera marrëzira…, një editorial, që vështirë mund ta kishin kapërdirë edhe nacionalistët më të spikatur greko-serbë! Për të përcjellë mendimet e z. Velo në mënyrë sa më autentike dhe për hir të korrektësisë ndaj lexuesit, do të parafrazoj vetëm një pjesë të tezave të tij të rrezikshme për qenien tonë kombëtare.

1.”QOSJA ËSHTË DIJETAR TIPIK ISLAMIK TËRËSISHT LINDOR…, AI “ADN” E KA ISLAMIKE” (!??).  (Kësaj i thonë intolerancë fetare, politike dhe gjeografike numër 1 velo-niane (nënvizimi im).

2. “QARQET POLITIKE APO AKADEMIKE JANË BËRË KOSHIENTË PËR DËMIN E MADH QË I VJEN SHQIPËRISË NGA DEKLARIMET E PAPËRGJEGJSHME SE SHQIPËRIA ËSHTË SHTET MYSLIMAN” (!??).

(Mos vallë z.Velo harroi se gjetiu në Shqipëri trekëndori fetar mysliman, katolik dhe ortodoks nuk paraqet kurrfarë të keqe, përkundrazi është pasuri jona kulturore po edhe kombëtare…, mos vallë z. Maks Velo, definitivisht, i mungon toleranca e vërtetë fetare).

3. “PËR ÇFARË PATRIOTIZMI MUND TË FLASIN ATA QË TRADHTUAN FENË E TË PARËVE DHE FENË E TË GJITHË BALLKANIT-KRISHTERIMIN.TË PAKTËN TANI PASARDHËSIT E TRADHTARËVE NUK DUHET TË HESHTIN” (!??).

(Mos vallë z. Maks, harroi se patriotizmin e ndërtuan vëllezerit Frashëri, Ismail Qemal bej Vlora, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Faik Konica, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, Femi Agani, familja e Jasharajve.., tok me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, me toskë a gegë).

4. “…, KONKLUZIONI IM ËSHTË: ME KOSOVËN DHE KOSOVARËT DUHET TË JEMI SHUMË MË TË KUJDESSHËM. JANË AKOMA PRIMITIVË DHE QARAMA-

NË DHE DO TË NA HAPIN PROBLEME PA FUND” (!???).

(Z. Velo në këtë tezë të tij nuk kishte përjashtuar as shqiptarët e Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, ndërkaq ata të Çamërisë as që i kishte futur në hesap). Mua do më duhet të them se këto teza të z. Maks Velo nuk janë as të parat “sihariqe”  e as të fundit. Atij  kur do t’ia dojë qejfi e kur do t’i teket do të hap trastën e tij të mbushur me: dy palë mend, me tri palë siklete, shtatë palë qejfe e ethe…, me një mijë e një inate…, me një furgon të ngarkuar me britma a ulërima çakejsh, me atë rrugaçërinë e tij (anti) mediatike e mediokre, me atë jotolerancën e tij, me atë “zullum” që i bëri të drejtës së çdo shqiptari për të qenë katolik, mysliman, ortodoks a bektashi…, me atë mendjemadhësinë si dhe me “budallakinë” e tij që sakaq nxit e ndez armiqësinë, grindjet dhe urrejtjen ndërmjet besimeve fetare te shqiptarët. I nderuari zoti Maks Velo duhet ta dijë se në këtë nënqiell të Gadishullit Ilirik ka do gjëra e do finesa që mësohen në kohë të caktuar dhe, po nuk i mësove, përgjithmonë mbetesh i mangët, i painformuar dhe në instancë të fundit, mbetesh somnambulist. Psikiatrit thonë se ky çrregullim i sëmurë, vështirë kurohet. Që “forca e intelektit të tij” (dhe të tjerëve të tillë si ai) të mos konceptohet si ai i fëmijës, do të ishte mirë që refrenet e tij paranojake t’i zëvendësojë me ato të arsyes dhe, nëse këtë nuk do ta bëjë, atëherë tezat e tij do mbeten si ajo “pordha e kalit që kundërmon gjithë dynjanë e blegtorëve”!?

Një ofendim të tillë ua bëri shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë edhe një analist i njohur nga Tirana, i cili në një emision debati televiziv, lëre që skajshmërisht shtrembëroi identitetin e tyre fetar, por edhe paksa ndërtoi dyshimet e tij ndaj inteligjencës së tyre!? Do të parashtrojmë pyetjen “idiotike” se pse shqiptarët nga Lugina, Mali i Zi dhe nga Maqedonia nuk u përfshinë në grupin punues për hartimin e abetares së ashtuquajtur “mbarëkombëtare”!?…, pse edhe sot kësaj dite shqiptarët që “veprojnë këtej kufirit administrativ” duhet të konceptohen si “vëllezër të dorës së dytë dhe me zarar”, pse ca politikanë, analistë dhe moderatorë të mjeteve vizuale të kryeqendrës së shqiptarëve duhet të na ngjitin nofkat: shqiptarë “maqedoncë, podgoricas, luginas e kosovarë primitivë, qaramanë e të tjera llagape” (!??)…, pse edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë ca analistë nga Tirana vazhdojnë ta “ndërtojnë e ta ushqejnë” atë institucionin e inferioritetit të shqiptarëve këtej gardhit” (!??)…, ç’i duhej moderatorit, z. Arijan Çami, në “Zona e Lirë”, ditën e premte me datë 17 maj 2013 të bëjë zhurmë të madhe dhe të fryrë…, pse gjithë ai paragjykim i tij për Tetovën dhe tetovarët…, pse gjithë ky burim informacioni i tij shterpë ndaj qytetit me dy universitete, pse gjithë kjo habi e tij lidhur me organizimin e sfilatës së modës në Tetovë!??…, ç’i duhej atij t’i parashtrojë pyetjet: “kush janë këta njerëz që shkojnë në xhami…, kush janë njerëzit me ferexhe…”. Ja, të nderuar lexues, unë do t’i them Arijanit se ata njerëz pos që shkojnë në xhami (siç shkon ti në kishë), ata shkojnë në shkollë fillore, të mesme, shkojnë edhe në universitetin e Tiranës, Vlorës, Prishtinës, Tetovës, Harvardit, Kembrixhit, Sorbonës dhe s’di ku tjetër…, unë e di se ata të rinj dhe të reja nuk frekuentojnë “rrugët me drita të kuqe të Amsterdamit, Parisit, Milanos, Athinës e të tjera metropole të Evropës”.

Pse zonja e nderuar Zina Kondi (pavarësisht ca gjykimeve të saj të drejta për Tetovën dhe tetovarët) nga kjo sfilatë bëri “lajm orienti”…, a mos vallë kishte “harruar” se Tetova dhe qytetet e tjera shqiptare (këndej gardhit)  shtrihen në oksident,  ç’i duhej asaj të “degdis” në Tetovë, me atë trastën e saj, të mbushur plot e përplot me mendime të gabuara dhe të pambështetura. A mos vallë gjykimi i saj ishte paksa ofendues ku, pos të tjerash, tha: “Si ka mundësi këta njerëz kaq të PRAPAMBETUR të votojnë një grua për kryetar komune”! Unë, për hir të së vërtetës, do të shtoj edhe  një informacion…, si ka mundësi që “…, këta njerëz të prapambetur (shqiptarë të Maqedonisë) të votojnë motrat dhe nënat e tyre për deputete, qofshin ato të jenë të BDI-së, PDSh-së a RDK-së”. Unë në këtë vështrim, kërkova maturi, mençuri a edhe ndonjë arsye tjetër paksa më të theksuar…, po mbase qofsha i gabuar!!

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, islamik, Ismail Kadare, kristian, maks velo, rexhep qosja

A MUND “TAPA TË PJELLË TAPË”!?

May 7, 2013 by dgreca

Lushi
Lushi
Nga Fadil LUSHI/
Të nderuar lexues të paanshëm, do të bëjmë çmos që këtë vështrim gazete të radhës të mos e personalizojmë dhe, nëse ju mendoni se do ta rikompozojmë retrospektivën tonë dhe të ca shokëve të gjeneratës, atëherë do të kërkojmë ndjesë. Në këtë shkrim nuk do ta përkundim djepin e së kaluarës sonë adoleshente e as atë çapkëne. Ishte fundi i vitit shkollor 1967-68, më saktë më 20 gusht, kur edhe iu nënshtruam një provimi nga një program mësimor (drejtimi natyror-matematikor) në gjimnazin e atëhershëm prestigjioz të Tetovës. Fatkeqësisht, unë dhe katër shokët e klasës III-2 (tre, prej të cilëve aktualisht janë doktorë shkencash) nuk kaluam dot në provim dhe si rrjedhojë humbëm vitin. Në ato mote, neve “ngelaqëve” nuk na “shqetësoi” fakti se e përsëritëm vitin, aq sa na rëndoi fjala poshtëruese e “mësimdhënësit”, i cili na tha, përveç të tjerash: “…, ju jeni toptan malokë analfabetë dhe tapë, andaj nuk meritoni vlerësimin tim”!? Imazhi i ish-“mësimdhënësit” sot e kësaj dite na sillet vërdallë, sot e kësaj dite na dalin përpara tiparet karakteristike të tij… Sot ne, nëse na jepet e drejta, do të konstatojmë se ai ishte thjeshtë një “tip” që shquhej a njihej me atë urrejtjen patologjike, me atë mllefin e tij provincial…, një njeri që kurrën e kurrës nuk evoluoi fjalorin, komunikimin, qytetarinë e lëre më “burrërinë civile”. Ne, edhe sot e kësaj dite, nuk e dimë se nga erdhi dhe ku vajti…, nuk e dimë se ku prehet…, ndjesë pastë!
Kur jemi te nocioni tapë, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe na jep këtë shpjegim: Lëndë shumë e lehtë që nxirret nga lëkura e disa drurëve (sidomos nga një lloj lisi) dhe që përdoret për shtupa, për shollë këpucësh për rrjetat e peshkimit…; dru tape, shtupë mbyllëse zakonisht për shishe, ngjeshi tapën në brez, zë të çarat me tapë, taka prej tape, mjet shpëtimi nga mbytja etj. Këtë nocion do ta përdorim në vijim të paragrafëve edhe në kuptim figurativ: I dehur keq, i pirë sa nuk e mbajnë këmbët..; u bë tapë…, i trashë nga mendja…; i vuri tapën gojës, është si tapa në shpinë të detit…; S’është i zoti të zërë një vend e të qëndrojë; e të tjera shpjegime gjuhësore.
Ata që s’e kanë këtë burim informacioni dhe këtë përfytyrim pamor ndaj kësaj lënde shumë të lehtë, gjegjësisht ndaj tapës, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se ç’i duhet këtij “opinionisti” që për kryefjalë të shkrimit të zgjedhë “tapën, aq më tepër kur dihet se kjo lëndë nuk ka kushedi çfarë vlere”…, ç’i duhet këtij artikullshkruesi të “sajojë fjalinë”: a mundet “tapa të pjellë tapë”…, një shkrim që për një pjesë të lexuesve do të përfundojë pa e lexuar deri në fund. Thjeshtë, një shkrim që mbetet pa portret, një shkrim i padefinuar dhe i padeshifrueshëm!… A mos vallë autori para se ta qëndisë këtë vështrim është bërë vetë “tapë”…, a mos vallë ky njeri “bën rrobaqepësi për gomaricat” a të ”samarxhiut”? A mos vallë këto janë insinuata të kurdisura a edhe thashetheme të radhës të këtij autori. Të gjithë ata që do të parashtrojnë kësi pyetjesh, unë do t’u përgjigjem në aspekt a në kuptim figurativ. Nëse do të ishte e vërtetë se “mësimdhënësi ynë tapë, dikur moti polli tapa” (përfshirë edhe shokët e mi, aktualisht doktorë shkencash), atëherë ne sot gjithandej do të ballafaqoheshim me tapa!?
Këtë paragraf timin të lartpërmendur, shoku im i klasës NN nuk ma kontestoi, por ama më sugjeroi që të njoh institucionin: MENDIM a GJYKIM NDRYSHE!…, ndërsa pos të tjerash më tha: ty, or miku im, a mos vallë nuk të shohin sytë se ç’na është bërë arsimi ynë i detyrueshëm…, a mos vallë nuk të duket se na është bërë si peshku i egër…, a mos vallë nuk të duket si tapë…, a mos vallë edhe politika nuk na është bërë si ajo bastorja…, a mos vallë nuk na është zvetënuar…, a mos vallë ty, miku im që ende urinon në “oturak”, nuk të panë sytë e nuk të dëgjuan veshët se ç’bëri ai alamet “arkivisti”, kur ditë më parë arkivin e një institucioni e shndërroi në paçavure, në leckë kuzhinash, në leckë kukullash dhe së fundi në “tapë shisheje”…, a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të të “gjykoj” si njeri me gjymtime shpirtërore dhe fizike…, a mos vallë sot e kësaj dite mbetesh si një miop a edhe “otoskletorik”…, nuk do të dëgjosh se ç’ndodh pranë dhe përreth teje! Ti, miku im i dashur, a nuk sheh se si administrata publike na u shndërrua në “shollë këpucësh”…, a mos vallë komunikimi ynë ndërpartiak nuk na u shndërrua në “rrjet peshkimi, në take prej tape”…, a mos vallë ndejat tona të dikurshme nuk na u shndërruan si “tapa në shpinë të detit a në furgona pa targa”…, a mos vallë një alamet shefi (nga blloku ynë) që është ulur ashtu rehatshëm në kryeminderin e një shërbimi juridik të një institucioni serioz (i cili fillimisht kishte specializuar për jurisprudencë krahasuese dhe mandej me pak “vonesë” ishte pajisur me diplomë për mbarimin e arsimit të mesëm) nuk e ka ngatërruar “zanatin…, shyqyr që nuk përzgjodhi gjinekologjinë dhe urologjinë se për-ndryshe…!?…, ky njeri që nga momenti kur e emëruan “shef”, aq shumë u ngazëllua, saqë filloi t’i heqë anonimitetin e gjenealogjisë të familjes së tij…, a mos vallë ti, miku im i vjetër, nuk e di se ky “alamet shefi”, në çdo fundjavë i “bën vizitë nënëdajës në fshat”, prej nga kthehet me një thes të mbushur me patate, me pak fasule dhe me ca vezë ekologjike. Ky “shefi nga blloku ynë” që ende është nën mbikëqyrjen a kujdestarinë e prindërve, sa herë që kryeshefi i tij do të bëjë pordhë, aq herë këtë haber pordhë do t’ua përcjellë prindërve të tij. Kur kalamajtë e tij i kishin parashtruar pyetjen se pse e bën këtë budallaki, ai ishte përgjigjur: “E bëj që të mos mbetem pa nam e pa nishan”!? Miqtë e tij, që ia dinin defektet psikike, shpesh i thoshin: hajt, miku ynë, fli natë e ditë e mos u duk këtej pari, na lër neve të meditojmë rehat, sepse kështu, siç vepron, na bëre “rezil e maskara”!?
Që unë të mos i mërzis lexuesit e mi të nderuar, do të më duhet t’i them mikut tim mjaft më me atë fjalinë pyetëse: “a mos vallë”!…, sepse këtë trysni që ma bën, a “mos vallë edhe unë duhet të bëhem tapë…, a mos vallë?”… Pa dashur ta teproj me këtë shkrim të padefinuar e të padeshifruar dhe plot llagape” nga më të ndryshmet, le ta përfundoj për respekt të atyre që ndoshta me të drejtë do të thonë: vallë ky njeri nuk ka hallet dhe punët e veta!? Tani do largohem sepse po të vij Edvini, ndoshta do ma kishte “shkulur veshin”!

Filed Under: Opinion Tagged With: a mundet, Fadil Lushi, tapa, te pjelle tape

”MORA RRUGËN PËR JANINË”

May 2, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues të mi të paanshëm, këtë shkrim do ta filloj duke iu referuar një mikut tim, i cili disa ditë më parë më tha se opinionet i ke një çikë folklorike dhe të bezdisshme. Që të mos vazhdoj ta “zhgënjej e bezdis” mikun, këtë shkrim të radhës po e filloj me një refren nga një këngë jona e vjetër qytetare: “Mora rrugën për Janinë…, isha vetëm bashkë me arabaxhinë atë natë…, rrugës më zunë pusinë atë natë…, copa-copë ma bënë mëlçinë edhe zemrën”! Këtë refren do ta komentoj në paragrafin e fundit të këtij vështrimi.

Fillimisht më duhet të ndërtoj historinë njëzetvjeçare të një “politike” që “jeton”  në anën e djathtë të Vardarit, që rrjedh midis kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë…, aty pranë Skënderbeut, Lekës së Madh të birit të Filipit të Dytë dhe nxënësit të Aristotelit!? Kjo politikë e Shkupit, që mëton të kopjojë “filozofinë e politikëbërjes së moderuar evropiane…, që mëton të adoptojë atë nacionalizmin e vrazhdë”, sikur ka mbetur peng a është zaptuar nga një heshtje e tmerrshme dhe e zymtë. Politika në fjalë që ka mbetur e papërfillshme, të vetmen mbështetje e kërkon te  patriotizmi dhe nacionalizmi i rremë!? Ka shumë kohë që nuk bën zë, “komshillëk dhe jarani politike e diplomatike” me një fqinjë të saj respektivisht me shtetin e Greqisë.

Kështu siç duket,  të krijon përshtypjen se karakterizohet me ato tiparet e “inatçiut homerik”, me atë primitivizmin, provincializmin po edhe me atë dembelizmin e saj të theksuar. Ka një dembeli të çuditshme sa i përket shqiptimit të një fjale a edhe retorike diplomatike gjithsesi serioze. Ia do “qejfi” që fjala e tij të jetë e fundit, thjeshtë nuk pranon a nuk parapëlqen mendim ndryshe. I gjithë ky gjykim i mbrapshtë sikur të kujton atë kohën e “heretizmit mesjetar”!? Edhe ato fjalë që i thotë sikur i shndërron në një retrospektivë të një historie të sajuar a edhe të adoptuar. Kjo politikë  “e padefinuar” ta ndërmend politikën e grushtit të hekurt, të kulaçit dhe kërbaçit, politikën grabitqare, shoviniste dhe sunduese. Kjo politikë, sikur mban peng a edhe ngujon perspe-

ktivën e shqiptarëve karshi rrugëtimit drejtë strukturave euroatllantike…, sikur ashtu “pahiri” shqiptarëve ua merr të “drejtën e të qenit vetvetja…, si dhe “hisedarë” të këtyre hapësirave “biblike”. Kjo politikë ua konteston shqiptarëve të drejtën e pjesëmarrjes së tyre në kuadër të organizimit të negociatave a bisedimeve në lidhje me ndryshimin e emrit të shtetit (nëse mua nuk më është bërë mendja dhallë ajke, do them se në këto takime të deritanishme, lëre që asnjë politikan yni nuk mori pjesë, por edhe nuk e artikuloi shqetësimin ndaj mospranisë së tij në këto takime). Ky mosinkuadrim i palës shqiptare a u bë me “kastile” a pa qëllim, unë si opinionist nuk do ta them. Edhe sikur të ketë prova a edhe indikacione, atëherë parashtrohet pyetja se pse partive politike shqiptare që veprojnë këtej nënqiellit të Maqedonisë, sot u duheshka të “vajtojnë hallin” e këtyre negociatave të stërzgjatura dhe konfuze. Këto (jo)bisedime në vend që të ishin konstruktive, u shndërruan në fragmentarizma, në emocione të pakontrolluara, në konvencionalizëm të rreme, në provokacione, në mendime të gabuara dhe, në instancë të fundit, u ngjyrosën me një “jokorrektesë” të njëanshme dhe të çuditshme. Me një fjalë, këto “bisedime që rrjedhimisht duhej të konceptohen diplomatike”, u shndërruan në veprimtari sabotuese, butafori mashtruese dhe në “bisedomani”. Këto “negociata shterpe” u përngjajnë lëvizjeve të atyre “valltareve” nga Egjipti dhe Stambolli, të cilat në do t’i “darovisësh” nuk ke ku ua vë lekët. Këtë “mosmarrëveshje” diplomatët maqedonas do ta “arsyetojnë me faktin se kinse pala greke, u paskësh “…, prekur fijet e ndjeshmërisë së identitetit dhe trashëgimisë kombëtare të tyre”!?…, siç do të thotë një shqiptar mendjendritur nga Tirana në një shkrim të tij.

Nëse mospërfshirja e partive politike shqiptare në këto bisedime vërtet  ka ndonjë qëndrim dashakeq, atëherë neve na mbetet të themi e të konstatojmë se mospërfillja e diplomatit a politikanit shqiptar është bërë për inat, sepse ai na paskësh qenë “… anëtar nderi i ndonjë bashkësie vendore, ndonjë anëtar i shoqatës së peshkatarëve, i shoqatës së bletarëve, i shoqatës së pensionistëve politikë a edhe i shoqatës së zhytësve…, e të tjera shoqata”!?? Kësaj “vakie” asnjeri deri më sot nuk i thuri asnjë vërejtje, asnjë kundërshtim (qoftë edhe të kotë) po edhe sikur të vinte nga ekspertë a njohës të diplomacisë botërore, nga njerëz me mendje të rebeluar a edhe me koeficient të ulët inteligjence! Një analist nga Shqipëria, kësaj katrahure do t’i ngjisë logjikën me sa vijon: “Kjo politikë e Shkupit po të kishte bisht injorance, njerëzit (qofshin ata të jenë edhe diletantë të politikës) do ta kishin shumë më lehtë për ta fiksuar”! Kjo politikë e Shkupit nuk lejon që fjalimet e saj të protokollohen e as të arkivohen…, kjo politikë të duket si një maratonist i “dopinguar” i cili asnjëherë nuk arrin në cak, po edhe kurrën e kurrës nuk e “kalon klasën e parë (fillore) politike”. “Gojëkëqijtë” do të thonë se “aga baba” i kësaj politike me këtë zhargitje ndaj (mos) zgjidhjes së çështjes së emrit të shtetit, definitivisht e mbushi gotën e marrëzisë dhe gotën e polikëbërjes “terse”!?

“… se kush kishte Marë rrugë për Janinë, se kush kishte qenë arabaxhiu, se kujt ia kishin zënë pusinë atë natë, se kujt ia kishin bërë zemrën dhe mëlçinë copa-copë atë natë…,” se ato a ata ishin kurbetçij a goca lozonjare, unë asnjëherë nuk gjeta asnjë të vetme provë, por ama se politikanët e Shkupit nuk do ta marrin rrugën për Evropë, do t’u copëtohet hapësira tokësore pikë e pesë! Qofsha i gabuar!

Dikur moti, babait tim i parashtrova pyetjen se pse je i “sikletosur” që fqinji ynë e kishte mbjellë arrën e vet me manaferra… Ai ma ktheu se nuk ia ka dertin arrës së tij, por brengosem  nga e vërteta se ato manaferra nesër mund të shtrihen edhe në arrën tonë!? Këtë “dert” të babait e kuptova pas shumë motesh. Kishte pasur të drejtë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Mora rrugen, per ajnine

HAJT, ZONJË T’U RRITTË MENDJA!

April 28, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Thonë se thashethemexhinjtë dhe ofiqarët që nuk dalin dot kollaj nga lëkura e tyre janë njohës më të mirë të gjenealogjive të familjeve në lagjet e tyre. Ata thonë: “Në do ta mësosh a ta njohësh karakterin e një shtëpiakeje a të një zonje, shikoja kuzhinën dhe banjën… Nëse ato hapësira janë të pastra, atëherë nuk ke nevojë të ndërtosh prova rreth përkushtimit të  saj”!

Unë këtë shkrim do ta filloj duke iu referuar përditshmërisë së njerëzve që jetojnë në një qytezë të lashtë të Stanbollit, me emrin Kasim Pasha, si dhe të atyre që frymojnë në rrugën “Selamzës male” (kjo e fundit kur përkthehet në gjuhën shqipe, do të thotë: mëhallë ku njerëzit nuk përshëndesin njëri-tjetrin!?)…, një mëhallë ku gjithsecili në vend që të përshëndesë, fyen zonjat, nënat dhe motrat e njëri-tjetrit…, Ata “shajnë targat e veturave, të kamionëve, të traktorëve, të furgonave, numrin e këmishës dhe këpucëve allaturka”! Ajo mëhallë të duket si një “gjiriz” që nuk ka fund dhe përreth tij kalojnë ujërat e zeza. Thonë se edhe kryebashkiaku i tyre nga “sikleti” i madh që e kishte zënë, ishte detyruar të “arratiset” nga ai vendbanim e “vendvaki”.

Lexuesit e nderuar dhe të respektuar të shkrimeve të mia, me plot gojë do të parashtrojnë pyetjen se, ç’i duhej këtij  artikullshkruesi ta filloj këtë opinion me “gjirizin” e lagjes së Kasim Pashës dhe me banorët e saj!? Ja, ne po u përgjigjemi shkurt e troç.

Sa herë që zhvillohen seancat a punimet e institucionit më të lartë legjislativ të  Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, aq herë mua më ngjallet kureshtja për të dëgjuar a përcjellë atë drejtshqiptimin e deputetëve, atë gjuhë të tyre, sa të rrjedhshme pothuaj edhe të bukur. Më ngjallet kureshtja ta shoh e ta dëgjoj edhe “kryekuvendaren”, zonjën e nderuar Jozefina Topalli, atë zonjë që ka një gjenealogji të lavdëruar e të respektuar të fisit të saj…, një gjenealogji që ka një histori patriotike…, që nuk ka njeri që mund t’ia kontestojë çiltërinë, virtytet dhe imazhin. Kjo gjenealogji e fisit të saj nuk duron sajime, nuk duron shtrembërime, nuk duron paragjykime, nuk ka nevojë për publicitet a edhe publicistikë, thjeshtë kjo nuk ka nevojë për një histori krejt tjetërfare. Kohë të fundit, kështjellën e kësaj gjenealogjie, sikur po e shemb vetë pinjolli i saj, gjegjësisht zonja Topalli, e cila me retorikat e saj, ashtu “pa hiri”…, po e baltos, po e neverit… dhe, në vend që ta davarit këtë retorikë, ajo përkundrazi ditë për ditë e ushqen me të keqen e saj.

Ky argument i lartpërmendur, mos vallë nuk na bind se edhe këtej hapësirave të Gadishullit Ilirik “duket një gjiriz” ku përdoret ai komunikim i bastarduar dhe paksa identik me atë të “Kasim Pashasë” së Stambollit…, a mos vallë edhe kuvendi i gjithë shqiptarëve të dynjasë na u shndërrua në një “aksham pazar kuajsh dhe trangujsh”, ku “kryekuvendares” kur t’i teket, kur t’i “rritet mendja dhe kur t’i fiket qiriu”, aq herë i ofendon kolegët, koleget, nënat, motrat, kalamajtë e bllokut a fshatit  dhe në veçanti qytetarët e tjerë që ndjekin seancat në fjalë nëpërmjet mjeteve vizive. Ç’i duhet t’i bëjë vetvetes publicitet të panevojshëm…, ç’i duhet ai “luks i shfrenuar”, ç’i duhet ajo ulëritje, ç’i duhet ajo gojë nepërke…, pse nuk e zëvendëson gjithë këtë retorizëm të rëndë me atë pedagogjinë dhe andragogjinë e politikëbërjes aristokrate dhe qytetare.

Fjalori i denigruar ose edhe gramatika e retorikës së saj krahasuese, lëre që është fyes për qytetarët e rëndomtë, por njëkohësisht është anashkalues edhe për intelektualët (të cilëve moti nuk u dëgjohet zëri i ndërgjegjes dhe i protestës)…, për deputetët e garniturës së saj politike, të cilët kështu si duken dhe si (nuk) reagojnë…, sikur u ka rënë “tifoja e morrit”!? Është e pafalshme që një “kryekuvendare” të ndërtojë gramatikën e gënjeshtrave, atë gramatikën përbuzjes, urrejtjes, fyerjes a neveritjes, atë gramatikën e fajësisë së paqenë, atë gramatikën e papërgjegjësisë. Pse gjithë kjo pakujdesi e palejueshme e saj sa i përket retorikës…, pse i lejohet a i jepet e drejta kësaj  zonje të nderuar që të sillet mbrapsht, pse kjo zonjë e nderuar, abetaren politike a edhe kuvendare e shtjellon nga shkronja e fundit për të arritur tek A-ja.

Pse kjo zonjë e nderuar lejon që t’i ngjitet etiketa e së keqes institucionale. Është e pafalshme, që kjo zonjë karizmatike t’u bëjë “davanë” njerëzve që ecin në rrugën e tyre politike. Është e patolerueshme që një zonjë me mendje femre, kur të dojë e kur t’i teket, nga kryeminderi i Kuvendit të ndotë fjalorin a gramatikën e saj politike. Thonë se femra shqiptare, në veçanti ajo malësore, karakterizohet me mençuri, karakter të fortë dhe me virtyte të larta morale. Ne nuk do të themi se “kryekuvendarja” Jozefina Topalli është malësore (sikur edhe të jetë e tillë, gjithsesi se nuk ka gjë të keqe), por ama nuk do të pajtohemi që ajo ta  përdorë fjalorin a gramatikën “folklorike si dhe atë fjalorin erotik të të respektuarit Edmond Tupja”…, ajo nuk ka të drejtë ta “huazojë gramatikën e atyre grave të mëhallës së Selamsëz male të Kasim Pashës së Stambollit”!?…, ajo nuk ka të drejtë ta parafrazojë “doktorin”…, ajo nuk ka të drejtë të thotë: “ DO TË IKNI EDHE JU PËR LESH…, HAJT, KËPUTNI  QAFËN!? ”, e të tjera zvetënime që, në instancë të fundit, s’janë të moralshme e as pedagogjike, po qoftë të thëna edhe në kontekst të shakasë! Kjo retorikë e saj pa shenja dhe vlera konvencionale s’është as me kanun, as me  moral. Kjo retorikë nuk është dhe as që mund të jetë karakteristikë për të folmen e femrës shqiptare… Kjo retorikë e saj lere që nuk i nderon burrat shqiptarë, por edhe e fyen gjenealogjinë e familjes shqiptare.

Për ta përmbyllur a për ta përfunduar këtë shkrim (besoj që s’është as tendencioz,  as qëllimkeq e as fyes), do të më duhet fillimisht t’i referohem një argumenti. Edhe në Republikën e Kosovës dhe në atë të Maqedonisë ka femra shqiptare që kuvendojnë në cilësi të deputetes…, por ama kurrën e kurrës nuk mëtuan, po edhe nuk “guxuan” ta ndotin gramatikën e retorikës së tyre politike…, që unë me një “vesh të shurdhër” deri më tani nuk i dëgjova prej motrave tona këtej kufirit administrativ fjalët: “…hajt, këput qafën…, hajt, shporru që këtej” e të tjera broçkulla të “Selamzës male”!

Skraparllinjtë për këtë lloj vakie do të qëndisin dy proverba. I pari: “Pordha del nga b…. e jo nga goja!” dhe i dyti: “Nëse shala e vret kalin, atëherë fajtor është ai që ia ka ngjit kalit!? ”

P.S.

Nëse në këtë shkrim pa dashur i ofendova banorët e mëhallës “Selamsëz male”, atëherë po u lutem të më falin gabimin.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, hajt zonje, t'u rrite mendja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT