Flamur Shabani/
(Me rastin e 72 – vjetorit të lindjes së përkthyesit dhe mikut të Shqipërisë)
Në fillim të viteve ’70 fillova Fakultetin e Filologjisë në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Pas muajit të parë, që e bëmë në stërvitje ushtarake, u kthyem në fakultet për ndjekjen e leksioneve. Midis nesh, në auditor u ulën dhe dy studentë të huaj, të cilët, që në pamje dukeshin që nuk ishin shqiptarë. Ata ishin rumunët Marius Dobresku dhe Filip Teodoresku, i cili, në fund të viteve ’90 punoi si ambasador në Shqipëri .
Unë pata fatin të isha në një grup me Marius Dobreskun dhe në një dhomë konvikti me të dy ata. Kishin kërkuar vetë të ishin në grupe të ndryshme, që ta mësonin më mirë gjuhën shqipe, në mungesë komunikimi me njëri-tjetrin.
Ishin vitet kur shteti ynë kërkonte të njihej sa më mirë në vendet e huaja, ndaj çoi studentë në vende të tjera, kryesisht të Lindjes, po edhe në Francë, që të përgatiste njohës të mirë të atyre gjuhëve për përkthyes e diplomatë në ato vende. Edhe tek ne erdhën shumë të huaj: nga Kina, Vietnami, Palestina, Siria, Japonia, Kongoja etj. Midis tyre edhe dy studentë nga Rumania, me të cilën na lidhte historia e shkuar e Rilindjes, por dhe e tashmja, sepse politika ishte thuajse e njëjtë. Pas vitit të parë banova në një dhomë me të dy rumunët, mbasi shqiptarët, me të cilët banonin më parë, mbaruan Fakultetin dhe u larguan.
Me rumunët lidha një miqësi vëllazërore, sepse ishin djem të afrueshëm dhe me kulturë. Mariusi rridhte nga një familje me baba revizor, kurse babai i Filipit kishte qenë mësues i dalë në pension. Pasi mbaruan vitin e parë në Rumani për histori, u del e drejta e studimit për në Shqipëri, sepse edhe Rumania kërkonte specialistë të gjuhëve të huaja, sikurse Shqipëria, ndaj dërguan studentë në shumë vende të ashtuquajtura të Demokracive Popullore, midis të cilave dhe në Shqipëri.
Kur u vu në dijeni për studime në Shqipëri, familja e Mariusit ishte në dilemë, sepse flitej për një vend që nuk e njihnin. Fatmirësisht kishte ardhur një mik i babait që nga koha e Luftës, i cili pasi e mori vesh, i tha babait: “Trena të shpejtë rrallë kalojnë në jetë”. Nga ai çast babai vendosi ta niste për studime. Ministria e Jashtme kërkonte dokumente të përkthyera. Mariusi kërkoi dhe takoi një shqiptar, që jetonte në qytetin e tij, Brăila, ku kishte shumë të tillë, që nga vitet e paraluftës. Shqiptari i moshuar e priti me shumë dashuri dhe u gëzua që Mariusi do të studionte në Shqipëri. Ai ia përktheu dokumentet. Ky ishte kontakti i parë i tij me shqiptarët.
Pasi zbritën në Rinas, ku u pritën nga punonjës të ambasadës rumune, u vendosën në godinën nr.14 të qytetit Studenti. Erdhën në qershor dhe deri në shtator, për rreth tre – katër muaj bënë kurs për mësimin e gjuhës shqipe, kështu që në tetor, kur u kthyem edhe ne, ishin në gjendje të komunikonin me vështirësi e të përpiqeshin për të marrë leksione me shkurtime.
Mariusi ishte tip më i afrueshëm se Filipi. Atë e gjeje në grupe djemsh e vajzash, të cilët komunikonin me të, sikur të ishin njohur prej kohësh. Rrija në një bankë me Mariusin gjatë leksioneve, por edhe seminareve, se ishim në të njëjtin grup, ku ishin studentë “të zgjedhur”, kryesisht nga Tirana. Ishin në grupin tonë Arben Xoxa, Spiro Gjoni, Neptun Bajko ( futbollist i Partizanit ), Edi Moja ( ish-basketbollist i Kombëtares ), Roland Gjoza ( poet e shkrimtar ) etj., të gjithë nga Tirana, me pak përjashtime nga rrethet. Po edhe në grupet e tjera kishte studentë të shkëlqyer, si: Vangjush Saro, Shpresa Kapisyzi, Ymer Çiraku, Aleksandër Mita, Thodhori Karo ( alias Teodor Karaj ), Korab Hoxha etj.
Për ta njohur më mirë gjuhën shqipe, Mariusi shoqërohej me shqiptarë të çdo moshe. Pyeste shumë për çdo fjalë e shprehje që nuk e kuptonte – ende nuk kishte dalë fjalori i gjuhës shqipe – ndaj krijoi vetë një fjalor të mbajtur në fletore të trashë. I mësoi aq mirë fjalët shqipe, sa ndonjëherë edhe unë vihesha në vështirësi për shpjegimin e tyre dhe ai më korrigjonte.
Në seminare kishte kurajë për t’u përgjigjur dhe diskutimet e tij ishin të pjekura në përmbajtje. Shkrimin e kishte të bukur e të qartë, saqë për të studiuar unë merrja edhe fletoret e tij, ngaqë ishin marrë shkurt e ato më thelbësoret.
Mariusin e njihnin të gjithë në qytetin studenti. Kishte të njohur nga të gjitha godinat dhe fakultetet. Ata e takonin jo vetëm jashtë në rrugë, po një pjesë vinin edhe në dhomë. Arsyeja ishte jo vetëm natyra miqësore e shqiptarëve, por edhe afria e Mariusit me ta. Kjo edhe për shkak se Mariusi kishte marrë ca mësime violine në Rumani dhe i binte kitarës, të cilën e mbante në dhomë dhe këndonte herë pas here. Kishte zë të ëmbël e të intonuar. Në dhomë na vinin edhe dy djem të tjerë që i binin kitarës, siç ishin Gjergji Simo nga Erseka ( më vonë pjesëtar i grupit ” Na bashkoi kënga popullore”) dhe studenti i inxhinierisë së Ndërtimit nga Lushnja, Pëllumb Çela. Në njërën nga këto mbrëmje na ndodhi dhe një incident. Në kulmin e “ahengut”, kur dhoma kishte brenda 6-7 vetë, zv./sekretari i Partisë së Universitetit, i cili ishte student në Fakultetin e Filologjisë dhe banonte në godinën tonë, në të njëjtin kat me ne, hyn në ballkonin tonë nëpërmjet ballkonit të një dhome më përpara dhe vështron me shumë vështirësi, sepse ne i kishim bllokuar xhamat me batanije, që të mos dëgjohej zhurma jashtë, dhe shikon ata që i binin kitarës: Mariusin, Gjergjin dhe Pëllumbin dhe të nesërmen raporton në fakultet, se po këndoheshin këngë të huaja perëndimore. Ishte viti 1974, kur të gjithë ishin ngritur në këmbë kundër “shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste”, kurse ne po i shfaqnim ato në zemër të qytetit Studenti. U bënë mbledhje të organizatave të rinisë në Degën e Historisë dhe të Gjeografisë, ku studionte Gjergji dhe në Degën e Inxhinierisë së ndërtimit, ku studionte Pëllumbi. Ishte rrezik përjashtimi i tyre nga fakultetet. Ndoshta ngaqë në dhomën tonë atë mbrëmje ishte dhe një komunist, shoku ynë i kursit, Bahri Myftari apo edhe prania e Mariusit si student i huaj mund të shkaktonte ndonjë incident diplomatik me Rumaninë, ngjarja u shua shpejt, pa pasoja të rënda, vetëm me vërejtje me paralajmërim për përjashtim. Dua të theksoj se Mariusi u shqetësua shumë, sepse ndiente përgjegjësinë e zhurmës që krijohej me këngë, ndaj kërkoi të takonte dekanin e fakultetit për t’i thënë se vetëm ai po i binte kitarës dhe po këndonte, të tjerët dëgjonin. Ndërsa për sekretarin e Partisë që denoncoi, thoshte se, po ta kishte parë në ballkon, do ta rrëzonte që lart, aq i revoltuar ishte (e thoshte me shaka ).
MARIUSI ISHTE NJËRI NGA NE
Shumë shpejt Mariusi u njoh në të gjithë qytetin studenti. Madje edhe nga studentët e tjerë të Institutit Bujqësor të Kamzës. Kur e takonin për herë të parë, nuk e kuptonin që ishte i huaj. Rastiste që edhe nuk bindeshin për një fakt të tillë.
Në vitin e tretë i thashë: Nëse do të kuptosh sa mirë e njeh gjuhën shqipe, mos thuaj që je i huaj. Shembujt e mëposhtëm e vërtetojnë këtë.
Një ditë shkojmë në stadium për të parë një ndeshje futbolli, ku luante Lushnja me Tiranën. Na vjen një shoku im nga Lushnja dhe ulet pranë nesh. Gjatë prezantimit Mariusi i thotë se ishte nga Lushnja dhe shtëpinë e kishte diku pranë stadiumit. Në bisedë e sipër, shoku im kaloi nga biseda në bisedë dhe po fliste për rrezikun imperialisto-revizionist, e cila ishte bërë tema e ditës në atë kohë, duke përmendur edhe disa shtete revizioniste. Ndërkohë ndërhyra unë, duke i thënë të kishte kujdes se ky shoku, të cilit po i drejtohej ishte i huaj, rumun. Po hajde t’i mbushej mendja shokut tim… Ai thotë: Mua do të ma hedhësh? Shiko këtu – dhe tregon syrin, duke ulur qepallën dhe bën shenjën për të treguar se brenda nuk kishte asgjë, me kuptimin “mua do të ma e hedhësh?” Ndërhyri Mariusi për ta bindur që ishte i huaj. Pas ndeshjes shoku ynë na shoqëroi në konvikt dhe mbeti i çuditur që kishte takuar një student të huaj. Pas kësaj vizitat e tij ishin thuajse të përditshme.
Në një rast tjetër ne dolëm nga kodrat e liqenit dhe u futëm nëpër pyll. Diku na doli përpara një ushtar me automatik në dorë, i cili thirri “ndal!” Qëndruam nga thirrja e papritur. Unë u tremba, se nuk ishte shaka të ndesheshe me ushtar të armatosur, aq më tepër, kur ai na kërcënoi se do të njoftonte qendrën për praninë tonë dhe bëri gati radion për komunikim. Ishte ushtar i Gardës së Republikës në shërbim për mbrojtjen e Pallatit të Brigadave. Ndërhyra duke i shpjeguar se kishim ngatërruar rrugën. Nuk tërhiqej ushtari. Atëherë i thashë se shoku im ishte student i huaj. Ky informacion e bindi ushtarin të tregohej më i matur dhe të bënte muhabet shtruar me ne.
Mariusi kishte njohje me personelin e ambasadave të huaja dhe me familjarët e tyre. Njëra nga familjet kishte sjellë edhe vajzën e rritur për pushime. Ajo u njoh me Mariusin dhe filluan të dalin së bashku. Në lulishten pranë Parlamentit uleshin dhe bisedonin. Një mbrëmje vajza e huaj vë re një burrë që po i shikonte dhe i thotë: ” Burri, burri…”. Kur e kuptoi se u zbulua, njeriu i huaj u largua. Ai duhet të ketë qenë ndonjë nga operativët e Sigurimit, që kishte mision t’i gjurmonte.
Shpesh dilja me Mariusin edhe për ndonjë gotë birrë. Shkonim te hotel “Arbëria ” i dikurshëm, që ishte pranë stacionit të trenit, përballë maternitetit. Nga veshja Mariusi nuk bënte dallim nga ne. Një mbrëmje, kur po ktheheshim për në konvikt, atje ku rruga “Budi ” bashkohet me rrugën tjetër që vinte nga Liceu, ndeshemi me një të moshuar, i cili e kapi prej krahu Mariusin dhe i tha: ” Të lumtë, ti je shqiptar i vërtetë!” dhe i tregoi bluzën që kishte veshur. Bluza ishte e trikotuar me ngjyra të kuqe e shirita të zinj në gjoks, duke krijuar ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. ” E shikon, – i thashë Mariusit, – ti që je i huaj, quhesh shqiptar, kurse mua nuk më tha shqiptar. Mariusit iu bë qejfi, sepse edhe zotëria dukej që ishte njeri i kulturuar, jo njeri dosido.
Ngadalë-ngadalë po bindej se nuk dallohej më nga ne studentët shqiptarë.
PËRGATITJA PËR PËRKTHIME.
Në vitin e katërt, përveç ndonjë poezie në shqip dhe të një teksti dashurie në rumanisht sipas melodisë së këngës të Anita Takes për veteranët ( kujtoni o shokë amanetin… ), këngë të cilën e këndonte shpesh, madje edhe me shokët në Rumani, kishte filluar “fshehurazi” të përkthente romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur “. Kur e pyeta një ditë pse nuk provonte të përkthente në rumanisht, ngaqë ai i njihte mirë të dyja gjuhët, më tregoi se kishte filluar përkthimin e romanit “Gjenerali.. ” dhe nxori rreth 28 fletë format me shkrim dore. Më vonë e kishte braktisur përkthimin, sepse kishte marrë vesh se e kishte përkthyer dikush tjetër më parë.
Në vitin e katërt 1975, Mariusi u përgatit për mbrojtjen e diplomës. Tema e diplomës ishte: “Qëndresa heroike e popullit shqiptar në romanet e Ismail Kadaresë”. Midis të tjerave, kishte përdorur dhe një shprehje popullore rumune, që thoshte : “Lumenjtë rrjedhin, po gurët mbeten”. Ky ishe mesazhi i veprave të Kadaresë, po edhe boshti orientues mbi të cilin ndërtoi gjithë përmbajtjen e temës. Udhëheqës teme ishte prof. Ali Xhiku. Pasi e përgatiti dhe e shtypi në ambasadë, ia tregoi prof. Çapajev Gjokutajt, i cili, pasi e lexoi vetë, ia dha I.Kadaresë për ta parë. E pyeta Mariusin ç’kishte thënë Kadareja, ai kishte dhënë një përgjigje të shkurtër: ” Më pëlqen “. Nuk e dinte që disa vjet më vonë, Mariusi do të bëhej përkthyesi i tij i vetëm, më i mirë dhe më besnik në rumanisht, saqë do të bëheshin edhe miq familjarë me vizita të ndërsjella.
Nëse ne shqiptarët i dhamë provimet për mbrojtjen e diplomës pas një viti stazh, Mariusi e mbrojti diplomën brenda vitit, sepse nuk mund të ktheheshin më pas një viti.
MARIUSI E DONTE SHQIPËRINË, SIÇ DONTE DHE ATDHEUN E TIJ, RUMANINË.
Marius Dobresku është një nga përkthyesit e talentuar, një personalitet i shquar e, mbi të gjitha, një mik i madh e i nderuar i shqiptarëve.
Pas studimeve, u kthye në Rumani, ku punoi rreth 20 vjet në Bibliotekën Kombëtare dhe bashkëpunoi me revistat më të njohura të Bukureshtit. U prit shumë mirë një studim i tij mbi pikturat murale të Lepenicës ( Shqipëri ). I ofroi lexuesit rumun të përkthyera perlat e poezisë romantike shqipe. Iu prezantuan lexuesve rumunë D. Agolli, F. Arapi, Xh. Spahiu, Visar Zhiti, Preç Zogaj e shumë poetë të tjerë.
Përkthimet nga Kadareja i filloi në vitin 1983 me romanin “Kronikë në gurë “. Më 1986 përktheu e botoi romanin “Kështjella “. Më 1989 romanin “Nëntori i një kryeqyteti ” dhe ” Prilli i thyer” më 1990. Nga viti 1990 – 1997 u emërua nëndrejtor i Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë. Më pas iu përkushtua gazetarisë. Aktualisht është kryeredaktor i revistës ” Miku i shqiptarit “, periodik i pakicës shqiptare të Rumanisë dhe shef i zyrës së shtypit të Bashkisë së Bukureshtit. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe anëtar i Shoqatës Rumune për Politikën e Jashtme. Njëkohësisht është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, të cilën e themeloi ai vetë së bashku me miq të tjerë të Shqipërisë nga Bukureshti në vitin 1995.
Ndërkohë vazhdonte përkthimin e veprave të Kadaresë. Në vitin 2000 botoi ” Dosja H” dhe “Përbindshi”, në 2001 përktheu ” Pallati i Ëndrrave “, në 2003 “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, për të cilin u nderua për përkthimin më të mirë nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë. Po në vitin 2003 përktheu “Lulet e ftohta të marsit ” dhe “Piramida”. Botoi ” Vajza e Agamemnonit” dhe ” Pasardhësi”. Në vitin 2006 u botua ” Viti i mbrapshtë ” dhe ” Konkurs bukurie për meshkuj “. Në janar 2007 u botua vëllimi i dytë “Pallati i ëndrrave”. Më 2008 u botua “Hija”, ndërsa ” Muzgu i perëndive të stepës” u botua më 2009. Më 1996 ka përkthyer për Teatrin Nacional të Rumanisë dramatizimin e ” Gjenerali i ushtrisë së vdekur “, i cili u vu në skenë në Bukuresht dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm.
Në vitin 2008 përktheu një poet të ri shqiptar, Ermir Nika, të cilin e prezantoi me vëllimin poetik ” Re të ftohta”. Në vitin 2010 përktheu dhe botoi romanin e Fahri Balliut “Arkitekti” dhe në vitin tjetër romanin ” Panteoni i zi” .Të dy romanet kanë pasur sukses në Rumani dhe u vlerësuan nga kritika dhe lexuesi.
Në vitin 2006 M. Dobresku ka fituar “Pendën e Argjendtë ” për letërsi në Tiranë. Është fitues i çmimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim në vitin 2003 dhe fitues i “Penës së Artë “, çmim i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë në vitin 2010 dhe në vitin 2012 me “Medaljen e Mirënjohjes “, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Përkthimet e Dobreskut nga Kadareja kanë prekur një ritëm rreth dy vepra në vit. Së fundi, në vitin 2022 përktheu ” Kur sunduesit grinden” dhe përkthimi më i fundit është ” Koncert në fund të sezonit “, botuar në vitin 2023.
“Që nga viti 1983, kur doli nga shtypi libri im i parë, kam përkthyer në gjuhen rumune gati 30 vellime të Ismailit, me mbi 50 vepra te ndryshme, pa përmendur vjershat dhe dramatizimet pas romaneve të tij”- deklaron ai në një intervistë. “Puna në ambientin e letërsise shqipe më është bërë një natyrë e dytë, – vazhdon ai më tej, – ashtu që, përveç Kadaresë, jam marrë me veprat e shkrimtarëve të tjerë. Por Kadare është patjeter shkrimtari përfaqësues i letërsisë shqipe. Ambasadori më i mirë i kësaj letërsie, me siguri ambasadori më i mirë i Shqipërisë në botë. Dhe unë krenohem me veprën dhe miqësinë e tij”.
P.s. E mbyllim me këto fjalë të sinqerta këtë përmbledhje të përkthimeve të Marius Dobreskut, duke i uruar njëkohësisht shëndet e jetë të gjatë këtij miku të madh të Shqipërisë në këtë përvjetor të lindjes.
Marius Dobresku ka lindur më 23 prill 1951 në Bréila të Rumanisë.