Flora Nikolla/
Nju Jork, 6 qershor/AE/-Pjesmarrja e Albanian Excellence në Paradën shqiptare në Nju Jork më 10 qershor Manhattan NYC, ka një mision fisnik për faktin se qënësinë e saj në këtë aktivitet palcërisht shqiptar, kjo qëndër ia kushton nderimit të suksesit shqiptar kudo- është si simbol i vitalitetit të kombit tonë.
“ Ne duam të japim një mesazh falenderimi dhe mirënjohje për të gjithë shqiptarët kudo janë, duam të nderojmë dinjitetin dhe punën e shqiptarëve si të barabartë mes të barabartëve kudo jetojnë e punojnë , në këtë aktivitet të organizuar çdo muaj qershor nga Albanian Roots-Rrënjët shqiptare në një nga rrugët kryesore në Manhattan”, u shpreh Andis Gjoni, drejtor ekzekutiv i Albanian Excellence, piktor, skenograf, regjisor me një aktivitet të spikatur jo vetëm në USA por edhe në Shqipëri.
“Si pjesë integrale e Paradës shqiptare në Nju Jork, Albanian Excellence, ka kontributin e saj në këtë aktivitet të përvitshëm kur në një nga aveniutë kryesore të Manhatannit, vishet kuq e zi dhe ku këndohen e interpretohen valle shqiptare dhe ku jepen mesazhe për më shumë mbarësi e bashkim mes shqiptarëve”, cilësoi Gjoni i cili ka konceptuar prej disa vitesh edhe prezatimin, Albanian Excellence në këtë parade (karrocën dhe banderolën ) ku spikasin figura të shquara të kombit si Nënë Tereza, Rauf Fico, Ismail Kadare, Inva Mula etj .
Duke patur parsysh që në thelb të misionit të kësaj qëndre, është suksesi shqiptar, si një tribunë e vlerave të vërteta të mbarë shqiptarisë. bordi i Albanian Excellence vendosi që këtë herë, pjesmarrjen e saj në Paradën shqitare, t’ia kushtojë suksesit shqiptar kudo është . Për t’i dhënë edhe më shumë vlerë , Albanian Excellence ka vendosur të nisë po këtë vit edhe një traditë të re në këtë paradë, duke ftuar të jenë pjesë e saj dhe personalitete shqiptare nga fusha të ndryshme që prezantojnë me jetën e tyre histori suksesi .
Këtë vit u vendos të ftohej, aktorja e njohur shqiptare, Rita Gjeka, aktualisht Drejtore e Teatrit Migjeni në Shkodër si dhe zonja Angela Paparizo, manaxhere e art dhe kulturës në bashkinë e Burlingtonit, qytet pranë Torontos, Kanada, dy shëmbuj suksesi dhe dinjiteti njerëzor dhe profesional.
“Jam e nderuar që të jem pjesë e paradës së shqiptarëve në Nju Jork dhe të festoj kulturën dhe trashëgiminë e pasur të popullit tim. Është një moment krenarie për mua, të përjetoj prezantimin e traditës dhe historinë tonë, dhe te bashkohem me miqte e mi të komunitetit shqiptar, si përfaqesuese e Albanian Excellence”, u shpreh me këtë rast Paparizo, e cila punon plot pasion në fushën e artit duke dëshmuar për kreativitetin artistëve dhe të talentit të tyre.
Por Albanian Excellence si pjesë e Paradës shqiptare në Nju Jork, përgëzon njëherazi organizatorët e këtij aktiviteti të përvitshëm si dhe mbështet idenë që këtë vit Parada i është kushtuar, 145 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, lëvizja e parë e shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake nga koha e Skënderbeut, kur shqiptarët të detyruar nga rrethanat e vitit 1878, thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.
Albanian Excellence faktor i rëndësishëm në jetën e komunitetit të suksesit amerikan
Në fakt Albanian Excellence, ka ditur të jetë një faktor i rëndësishëm në jetën e komunitetit të suksesit shqiptar në Nu Jork. Shumë personazhe nga Nju Jork por edhe shtete të tjera të Amerikës, ishin të pranishëm në librin historik , “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë , dhe njëherazi dhe në aktivitetet dhe në mbrëmjen Gala që u organizua në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, në prani të personaliteteve më të larta të vendit. Ky aktivitet , ishte i pari në rradhë që në mënyrë të organizuar dhe zyrtare u nderuan shqiptarët e suksesit, duke hapur më pas siparin edhe aktiviteteve të këtij lloji. Nga SHBA ishin të paktën 20 personazhe që nderuan me pjesmarrjen e tyre në libër por edhe në mbrëmjen Gala.
Më pas do të vijonim të lançonim e të tregonim për suksesin shqiptar në Nju Jork e në rreth tij në librin , “121 histori suksesi në 121 foto “ botuar ne një libër e mishëruar në një ekspozitë fotografike e cila u prezantua me shumë sukses në një mbrëmje të vecantë në selinë e Presidentit të Republikës së asaj kohe, zotit Ilir Meta. Por më pas kjo ekspozitë dhe ky libër do të prezantoheshin në ekspozita të veçanta në Shqipëri (Pogradec, Tiranë, Patos), në Maqedoninë e Veriut( Strugë), Sërbi(Preshevë), Kosovë( Prishtinë), Mali i Zi(Uqin), duke qënë në këtë mënyrë një tribunë shumë e rëndësishme dhe reale e suksesit shqiptar dhe duke marrë iniciativa konkrete kudo që shkonim.
Por gjithkush kujton edhe sot aktivitetin që Albanian Excellence , zhvilloi në shtator të vitit 2016. U pagëzua nga ideatorët jo pa qëllim, “Zonjat shqiptarë në Nju Jork”, kurorëzuar me një mbremjë Gala të paharruar në sallën Symphony Space në Manhattan, ku u nderuan zonjat shqiptare të të gjitha trojeve kombëtare që jetojnë në Nju Jork dhe rreth tij, me regji dhe skena nga Andis Gjoni e skenar nga Flora Nikolla.
Në këtë mbrëmje Gala, u promovua libri “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, me intervista të realizuara nga Flora Nikolla dhe Kozeta Zylo .
Qershia mbi tortë ? Nënshkrimi nga të gjithë të pranishmit, i Memorandumit , me firmën e parë të Presidentit Nishani, “Të qënit grua në shekullin e XXI”. I gjithë aktiviteti u organizua nën kujdesin personal të Presidentit të Republikës në atë kohë, të ndjerit z.Bujar Nishani.
Por në vijim të detyrave që u parashtruan në këtë memorandum në qershor 2018, në Nju Jork u nënshkrua në kuadrin e këtij memorandumi, “Peticioni në mbeshtetje të grave të dhunuara në Luftën e Kosovës ne vitin 1999” i nënshkruar deri më tani nga përafërsisht nga 13.000 persona.
Dëshira Ahmeti , sopranoja e njohur shqiptare që jeton në Nju Jork, sopranoja e parë shqiptare në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë së Veriut, ishte e pranishme me zërin e saj në krijimin e orkestrës së Albanian Excellence në vitin 2018 në Tiranë, një koncert solemn që u organizua nën kujdesin e Presidentit të asaj kohe, zotit Ilir Meta. Dëshirës ju dorëzua personalisht nga Presidenti Meta, diploma e anëtares së nderit të Albanian Excellence, duke qënë nga ai moment një pjesë e rëndësishmë e kësaj qëndre e cila vetëm i jep zë vlerave të shqiptarëve kudo janë.
Dy vite më parë kur pandemia botërore e Covid 19 ishte mes nesh, baritoni i njohur Kreshnik Zhabjaku, do të ftohej në Shqipëri në një tur koncertor në juglidje të Shqipërisë përfshirë dhe Dibrën e Madhe . Së bashku me sopranon e parë të Teatrit të Operas dhe Baletit, Eva Golemi, shoqëruar nga kuinteti i Albanian Excellence, drejtuar nga maestro Smerald Spahia, spala e orkestres Palma de Mayoca –Spanjë, Kreshniku, do të interpretonte në katër koncerte duke marrë duatrokitje të merituara nga publiku në Pogradec, Korçë, Dibër e Madhe por edhe duatrokitje nga fëmijët romë dhe fëmijët e korpusit Nehemia , ku dhanë një koncert enkas për ta.
Regjistruar nga Televizoni Shqiptar, ky koncert me këngë të juglindjes së vendit dhe zonës së Dibrës të risjella në një frymë të re nga Shpëtim Saraçi , është një dëshmi e gjallë se kur ekziston dëshira e mirë dhe mëndja e hapur, mund të organizohen bashkëpunime të tilla të suksesit me shqiptarët kudo janë, këtej apo andej kufirit, duke ndihmuar për të qënë sa më pranë.
Por dy këngëtarët e njohur me banim në Nju Jork, sopranoja Dëshira Ahmeti dhe baritoni , Kreshnik Zhabjaku së bashku me orkestrën Albanian Excellence në fund të vitit 2020 , ne kohën e Pandemisë Covid 19 , realizuan në Manhattan këngën e njohur Silent Night, si nje mesazh miresie dhe paqe, ndersa disa muaj më parë, Dëshira Ahmeti, interpretoi po me orkestrën Albanian Excellence, këngën “Lule borë”, si një mesazh falenderimi për të gjithë personelin mjeksor kudo në botë që ishin në luftë Covid 19.
Albanian Excellence e vijon misionin e saj të evidentimit, nderimit të suksesit shqiptar kudo në botë, si me tituj ashtu me çmimet e themeluara në nder të njerëzve që bëjnë historinë e kombit tonë, ashtu edhe në botimin deri më tani të të paktën 13 librave të cilat janë padyshim enciklopedia e suksesit shqipta.
Ky është mision fisnik aq edhe njerëzor i Albanian Excellence, i pranueshëm nga të gjithë si në ditën e 10 të të qershorit të vitit 2023 , kur me flamurin kuq e zi do të nderojmë suksesin e bashkëkombasve tanë në zemër të qëndres së botës në Manhattan –NYC/