SHQIPTARËT NË FRANCË DHE MASAT QË MORI SHTETI FRANCEZ NË BETEJËN NDAJ COVID-19/
Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Vedat Eljezi mjek anestezist-reanimator në Qëndra Klinike Universitare Clermont Ferrand, Francë, dhënë gazetarit Sokol Paja./
Në betejën ndaj Covid-19 shteti francez renditet i katërti në botë me të infektuar dhe viktima si shkak i pandemisë botërore. Si Francën po ashtu edhe shumë shtete evropiane, vala e pandemisë i gjeti të përgjumur dhe reagimi me vonesë solli viktima dhe gati sa nuk solli kolaps shëndetësor total. Të dhënat e pasakta nga Kina dhe mosmarrja me seriozitet e valës së shpërthimit të Covid-19 bëri që pasojat në Europë të ishin katastrofike. Sistemi shëndetësor francez sot përballet me mungesa në bazë materiale, në personel shëndetësor, buxhet të pamjaftueshëm për shëndetësinë, mjete mbrojtëse,veshje, maska, pajisje respiratore etj.
SITUATA NË FRANCË
Mjeku shqiptar, anestezist-reanimator, Doktor Vedat Eljezi tregon se si trajtohen pacientët e prekur me Covid-19 në shtetin francez dhe se nga Franca më në fund vjen një dritë jeshile. Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjes dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojme njohuri të reja mbi virusinCovid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuaranga pandemia, jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, pas daljes nga karantina duhet shtuar vëmëndja dhe kujdesi në nivel akoma më të lartë.
Izolimi në formën e tij strikte nuk duhet të vazhdojë për kohë të gjatë të paktën për tre arsye :
- Pasojave ekonomike negative për çdo shtet dhe individ,
- Gjëndjes së rënduar psikologjike te njerëzit,
- Rritjes së dhunës dhe agresivitet në familje.
Sistemi shëndetësor francez ishte në krizë përpara se të fillonte pandemia botërore. Reduktimi i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, reduktimi i personelit shëndetësor, mbyllja e disa reparteve të reanimacionit, mbyllja e disa spitaleve te periferike sollën sistemin shëndetësorë francez në situatë aspak të favorshme. Goditja e fortë nga vala e pandemisë e nxorri këtë krizë akoma më mirë në shesh. Mirëpo sistemi shëndetësor francez nuk ra, falë punës së palodhëshme të personelit mjekësorë i cili diti të adaptohet në mënyrë të përkryer në këtë situatë të jashtëzakonshme. Megjithëse situata me furnizim me materiale dhe barna ka filluar të përmirësohet jemi akoma larg normalizimit të plotë të situatës. Dua të theksoj edhe problematikën e lënies pas dore të mjekimit të sëmundjeve tjera jo covid, sikurse pacientët që janë në listë të pritjes për tu operuar apo për të marrë mjekim tjetër. Kjo është një listë e gjatë e pacientëve që janë në pritje. Mungesa me materiale dhe barna na bëjnë të jetojmë me ankthin e përballimit të mundshëm të situatës nëse do kemi një valë të dytë të pandemisë nga Covid-19 në javët e ardhshme.
SI KANË REZULTUAR PROTOKOLLET E TRAJTIMIT
Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme.
Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19.
PREKJA E SHQIPTARËVE QË JETOJNË NË FRANCË NGA COVID-19
Nuk kam informata të sakta mbi numrin e shqipëtarëve qe jetojnë në Francë që janë të prekur nga infeksioni viral Covid-19. Grumbullimi i këtyre të dhënave është i pamundur në një popullësi 65 miljonëshe sikurse është Franca. Në qendrën ku punoj unë nuk ka pasur asnjë rast me pacient shqiptarë që ka pasë nevojë për reanimacion. Kam patur vetëm disa konsultime nga larg, nga shqipëtarë që jetojnë ne vende të ndryshme të Francës dhe që janë të prekur me Covid-19.
KONTRIBUTI I FEDERATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË EUROPIAN
Federata e mjekëve shqiptar europian me qëllim të ardhjes në ndihmë dhe informimit të të gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen ka vendosur një platformë on-line në ueb faqen e saj. Mjekët shqiptarë të shpërndarë kudo në europë ju dalin në ndihmë dhe ju shërbejnë vëllëzërve e motrave tona kudo ata ndodhen. Personalisht si mjek kam zhvilluar deri në 5 kosulta në ditë me bashkëkombas për probleme që lidhen qoftë me pandeminë e Covid-19 qoftë edhe për probleme të natyrave të ndryshme mjekësore.
MASAT E SHTETIT FRANCEZ DHE PËRDORIMI I MASKAVE
Edhe pse me masa të vonuara, prapë se prapë shteti francez e rimori veten dhe tani mund të themi se situata po shkon drejt normalizimit dhe kjo sidomos falë masava të izolimit. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Çdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shumë shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. Shteti francez do sigurojë maska për ata që s’kanë mundësi ti blejnë dhe kjo maskë do jetë e detyrueshme për ata që frekuentojnë ambjentet e transportin publik, për nxënësit nga klasa e pestë e lart dhe profesionet që kanë kontakte direkte me fëmijët e vegjël.
TESTET SEROLOGJIKE NË LIDHJE ME COVID-19
Gjithçka që na mundëson të kuptojmë më shumë per këtë pandemi është e mirëseardhur. Testet serologjike jane diçka shumë interesante dhe për mendimin tim do kenë rëndesi shumë të madhe për të ndjekur ecurinë pandemisë dhe për të kuptuar gjëra që ne akoma nuk i dijmë. Me lejoni të shpjegoj me dy fjalë çfarë janë realisht dhe për çfarë do të shërbejnë.
Pas kontaktit me virusin, organizmi jonë fillon të mbrohet duke prodhuar antikorpe që është çelësi i mbrojtes sonë imunitare, diçka e përkryer si sistem. Për tu mbrojtur nga agjentët patogjen, organizmi jonë prodhon antikorpe apo me emër tjetër njihen si imunoglobulina. Imunoglobulinat janë dy llojesh, IgM që zhvillohen të parat në fazën akute dhe IgG që zhvillohen më vonë. Këto antikorpe do të na mundësojnë të kuptojmë kush ka qenë në kontakt me virusin (i sëmurë apo asimptomatik); si do evoluojë imuniteti i një të prekuri në kohë; a do zhduken këto imunoglobulina pas disa muajsh gjëqë mund të mundësojë kthimin e infeksionit. Duhen afërsisht 15 ditë që titri i imunoglobulinave të jetë i mjaftueshëm që testi të jetë plotësisht i besueshëm. Testi serologjik nuk e zëvendëson aspak RT-PCR që ka për qëllim zbulimin e gjenomit të virusit, pra prezencen e virusit te nje person simptomatik apo asimptomatik. Ne këtë fazë prodhimi i imunglobulinave ndoshta akoma nuk ka filluar. Të dy këto analiza janë komplementare të njëra tjetrës. Testet stereologjike janë diçka fantastike për të vëzhguar ecurinë e pacientit 15 ditë pasi që është prekur me virusin Covid-19.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË SHBA
Të dashur bashkatdhetarë, njeriu është në vazhdimësi në luftë me sëmundjet. Ne nuk duhet të jetojmë me frikën dhe panikun e sëmundjeve por duhet të kujdesemi dhe të jemi të vëmendshëm ti largojmë ato sa më shumë. Mesazhi im është:“mbrojeni vetëveten dhe të tjerët nga Covid-19 duke respektuar në mënyre strikte masat kundër përhapjes së virusit dhe kthehuni jetës normale. Kontribuoni sa më shumë në ngritjen tuaj intelektuale dhe profesionale, jepni shembullin më të mirë të një shqipëtari të vlefshëm dhe bëni çmos për të ndihmuar bërjen e vendit tonë një shtet te fuqishëm në çdo aspekt.