• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJAFT ME LËVDATAT PËR PUTININ, Z. TRUMP!

September 13, 2016 by dgreca

 

1-frankNga Frank Shkreli/

 Javën që kaloi, kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se nëqoftse zgjidhet president ai do të ketë marrëdhënie të mira me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Gjatë fushatës për president ai ka vazhduar të shprehet në mënyrë të favorshme për udhëheqsin rus, madje kohët e fundit, krahasoi presidentin amerikan Barak Obama me Vladimir Putin, duke thënë se Vladimir Putini është president më i mirë presdienti Obama. Deklaratat lavdëruese të Donald Trump-it për udhëheqsin rus kanë shkaktuar reagime të ashpra, përfshirë kandidaten e Partisë Demokrate për president, Hillary Clinton e cila i ka quajtur deklaratat e kundërshtarit të saj republikan në favor të Putinit, si “jo patriotike”.  Kritikat e ashpra kundër Donald Trump për qëndrimin e tij ndaj Vladimir Putinit po bëhen jo vetëm nga demokratët por edhe nga përfaqsues të lartë të Partisë Republikane. Gazeta Washington Post shkruan se udhëheqsi i Republikanëve në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, pa dashur të futej në hollësi në lidhje mbi këtë çështje,  u shpreh  se presidenti i Rusisë, Putin është  “një agresor, i cili nuk mbështetë interesat tona” dhe shtoi se presidenti rus sillet si një kundërshtar i yni. 

Ndërsa Senatori republikan Lindsey Graham i cili ishte kandidat për president i Partisë Republikane gjatë fushatës paraprake, u shpreh se deklaratat e kandidatit republikan për president në lidhje me Putinin, “e shqetësojnë atë deri në palc”.  Ai u citua nga media të jetë shprehurmë  ashpër ndaj deklaratave të Donald Trump për admirimin e tij për Putinin, duke thënë se ai e vlerson udhëheqsin rus si “Një gangster, diktator dhe udhëheqës autokrat, i cili vret përfaqsuesit e opozitës nepër rrugët e Rusisë.”  Senatori amerikan shtoi (duke iu referuar Donald Trump) se, “Nëqoftse bën fushatë për tu zgjedhur si udhëheqës i botës së lirë dhe njëkohsisht je admirues i Putinit, atëherë unë këtë nuk e kuptoj.”  Ai citohet nga Washington post të ketë thënë se Vladimir Putin, “Shkatërroi çdo instrument të demokracisë në vendin e tij, duke i zhdukur fizikisht kundërshtarët e tij politikë.”   Për më tepër,“Ai, me forcë ushtarake copëtoi vendet fqinje dhe po përfiton nga marrëdhëniet e tija me kasapin e Damaskut”, tha senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut.

Kritikat vazhdojnë  ndaj lavdërimit që Donald Trump i akordon Vladimir Putinit edhe nga media dhe qarqe të tjera.  Një koment që ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të publikut është ai i shkruar para disa ditësh nga dy ekspertë të sigurimit kombëtar të cilët kanë shërbyer gjatë viteve në detyra të larta qeveritare, si në administrata republikane ashtu edhe demokrate.  Michael Morell dhe Mike Vickers i drejtohen Donald Trump-it duke shkruar se, “Me gjithë respektin që kemi për ty si kandidat për president i Partisë Republikane, ti nuk mund të shërbejsh si kryekomandant i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, nëqoftse mbështetë presidentin rus, Vladimir Putin.” 

Në shkrimin e tyre drejtuar Donald Trump, ata nënvijojnë  se udhëheqsi rus ka treguar vazhdimisht se është një kundërshtar i vendosur i Shteteve të Bashkuara dhe se gjatë gjithë karierës së tij, ai ka ndjekur politika kundër interesave amerikane si dhe kundër interesave të aleatëve dhe partnerëve tanë.  Bashk-autorët Michael Morell dhe Mike Vickers përmendin ndërhyrjet e Rusisë në vendet fqinje, okupimin e Ukrainës dhe të Gjorgjisë, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë.  Qëllimi i Putinit ka qenë vazhdimisht që kombet e ish-Bashkimit Sovjetik të mos kenë lidhje të ngushta, në të ardhmen, me Europën dhe Perëndimin. Ata i kujtojnë Donald Trump një listë të gjatë veprimesh të mbrendshme dhe të jashtme të Rusisë së Putinit me të cilat ai nuk duhej t’i ishte dakort. Ata shkruajnë se Putini, “Ka burgosur dhe ka vrarë kundërshtarët politikë. Ai ka arrestuar dhe ka vrarë gazetarë. Ai ka neutralizuar median ruse deri në një pikë sa që tani ai ushtron kontroll të plotë mbi mesazhet dhe lajmet që i transmetohen popullit rus. Ai gëzon popullaritetin që ju admironi aq shumë vetëm e vetëm sepse ai vendosë se çfarë duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe të shikojnë rusët për veprimtarinë e tij dhe të qeverisë së tij”, shkruajnë dy ekspertët amerikanë të çështjeve të sigurimit kombëtar.

Më në fund, ata i kërkojnë Donald Trump që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan për president t’i kërkojë udhëheqsit rus që t’i japë fund , “Agresionit jashtë vendit. Dhe t’i kërkojë atij që t’u japë fund veprimeve diktatoriale mbrenda vendit.”  Ata i bëjnë thirrje kandidatit republikan për president që në vend të lavdërimeve, t’i komunikojëudhëheqsit rus, se ai Donald Trump, “Do të zbatojë angazhimet (e Shteteve të Bashkuara) ndaj aleancës euro-atlantike, NATO dhe se do të mbroni, nëqoftse paraqitet nevoja, shtetet baltike. I thuaj gjithashtu” udhëheqsit rus, shkruajnë ata, se natyrisht do të dëshironit të punonit me ‘të për të zgjidhur problemet e botës  — por për një gjë të tillë ai (Vladimir Putin) duhet të jetë më i sjellshëm” si mbrenda vendit ashtu edhe në fushën ndërkombëtare. “Kështu do të duhej të vepronte një kryekomand i vërtetë i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara”, sfidojnë kandidatin republikan për president,ish-zyrtarët e lartë amerikanë Michael Morell dhe Mike Vickers. 

Gazeta Washington Post shkruan se madje edhe mbështetsit më të zellshëm të Donald Trump do të dëshironin që në vend që ai të lavdërojë Vladimir Putinin, kandidati republikan të kritikojë marrëdhëniet e Hillary Clinton me Rusinë, gjatë mandatit të saj si Sekretare Amerikane e Shtetit.

Por, në mbrojtje të Donald Trump në lidhje me këtë çështje foli ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani i cili krahasoi Trump-in e Putin-in me ish-presidentin amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqsin sovjetik Mikhail Gorbaçov, të cilët duke bashkpunuar me njëri tjetrin në vitin 1986 arritën një marrveshje në Rejkjavik të Islandës për pakësimin e numrit tëarmëve bërthamore dhe eventualisht,  bashkpunuan me njëri tjetrin,për t’i dhanë fund luftës së ftohtë midis dy sistemeve të ndryshme politike.

Megjithë respektin dhe reputacionin që gëzon në vend Rudy Giulani,  ndryshimi midis Ronald Reagan dhe Donald Trump, si njerëz dhe si politikanë, është shumë i madh.  Donald Trump nuk është Ronald Reagan.  As Putini nuk është Gorbaçov.  Ronald Reagan që në fillim të mandatit të tij nuk lëvdoi Gorbaçovin as sistemin politik produkt i të cilit ishte ai, por përkundrazi e kishte shpallur ish-Bashkimin Sovjetik komunist si, “perandorinë e të këqiave” në këtë botë.Qëndrimi i Ronald Reagan-it ishte parimor dhe i qartë për të gjithë, përsa i përkiste komunizmit dhe udhëheqsve të atij sistemi, përfshirë Mikhail Gorbaçovin.  Pa marrë parasyshë deklaratën e Rudy Giulianit, nuk besoj se Ronald Reagan do të ishte i kënaqur me lëvdatat që Donald Trump i bën Vladimir Putinit, një ish-agjenti të policisë sekrete komuniste sovjetike KGB,i cili tani si udhëheqës i Rusisë po përpiqet me gjithçka mundet dhe me gjithçka di, që – ndryshe nga Gorbaçovi i cili me politikat e tija solli shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik —  të ri-krijojë madje edhe me forcë ish-Bashkimin Sovjetik në një formë ose tjetër, dhe të rivendosë përsëri influencën dhe kontrollin e Rusisë mbi ish-territorin e “perandorisë së keqe” komuniste, duke shpërbërë gjithçka që është arritur në Europë dhe në botë gjatë çerek shekullit të kaluar, si përfundim i shëmbjes së komunizmit në Europë dhe shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

Deklaratat lavëdruese të kandidatit republikan për president, Ronald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin, nuk janë pritur aspak mirë as nga një numër i konsiderueshëm amerikanësh me origjinë nga Europa Lindore.  Ndoshta, drejtuesit e fushatës së Donald Trump nuk e kanë menduar mirë se deklarata të tilla të favorshme në llogari të udhëheqsit rus, sidomos këtij udhëheqsi rus,  nuk priten mirë nga qindra mijëra votues me origjinë nga ish-vendet komuniste të Europës lindore të dominuara nga komunizmi rus për gjysëm shekulli  — votues të cilët normalisht mund të kenëvotuar për republikanët në të kaluarën pikërisht për qëndrimin historikisht të fortë të republikanëve kundër komunizmit – por që kësaj radhe mund të votojnë ndryshe ose mos të votojnë fare.

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Donald Trump, Frank shkreli, levdata, Mjaft, Putin

“LOGU I BJESHKËVE” I MALËSISË SË MADHE DHE AT GJERGJ FISHTA

September 11, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Disa javë më parë, ashtu si edhe çdo verë tjetër gjatë 17-viteve të fundit, në Kelmend të Malësisë së Madhe, u organizua një aktivitet kulturor me veshje, muzikë dhe valle tradicionale të Malësisë së Madhe.  Në përgjithësi, kjo është një ngjarje për të venë në dukje trashëgiminë historike të kombit shqiptar, si dhe bukurinë natyrore të Alpeve shqiptare, por edhe për të pasqyruar vlerat, traditat dhe bukurinë karakteristike të  grave dhe vajzave malësore të asaj treve.  Historikisht, kjo traditë mund të rrjedhë qyshë prej kohës së Ilirëve, por në të vërtetë, ky “log” e ka zanafillën në kishat katolike të famullive kryesore anë e mbanë  Malësisë së Madhe.  E mbaj mend se edhe ndër malësorët e rrethit të Ulqinit, kjo traditë kishte mbijetuar deri aty nga mesi i shekullit të kaluar.  Pas meshës, zakonisht Ditën e Pashkëve, organizohej një manifestim ku merrrnin pjesë të gjitha nuset e asaj zone që ishin martuar gjatë vitit, ndërkohë që banorët vendas mblidheshin për të përzgjedhur më të bukurën.  Duket se tashti, “logu” i nuseve është shëndërruar në logun e vajzave të reja të moshës 16-25 vjeç, që marrin pjesë në këtë konkurim vjetor, për tu përzgjedhur si më e bukura e Logut të Bjeshkëve.

      Organizatorët, me të vërtetë meritojnë lavdërime për këtë nismë vjetore, pasi kur të merren parasyshë rrethanat ekonomike dhe kulturore të asaj zone të shtypur egërsisht gjatë komunizmit dhe të lënë pas dore në periudhën post-komuniste — nuk është lehtë të organizohet një aktivitet i tillë për çdo vit.  Si nip i Vermoshit, mua më bëhet zemra mal kur shoh një manifestim të tillë të trashëgimisë historike dhe të kulturës dhe traditave të lashta të Malësisë së Madhe.  Është kënaqsi për të parë se “logu” tashti është shumë më i sofistikuar se dikurë dhe se vlera kombëtare e një aktiviteti të tillë në ato treva të harruara ka filluar të tërheq edhe vëmendjen e Tiranës zyrtare, diasporës dhe madje edhe vizitorëve të huaj.

      Fatbardhësisht, këtë vit organizuesit kishin gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës në realizimin e sivjetëm të këtij spektakli. Vihej re se e pranishme për herë të parë në këtë manifestim kulturor krahinor dhe kombëtar sivjet ishte edhe Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, e cila pohoi se vizitonte për herë të parë ato zona të Shqipërisë së Veriut.  Dhe shtoi se “ndjehem me fat që Ministria e Kulturës e mbështeti këtë ngjarje të jashtzakonshme që mbahet tani për shumë vite me rradhë në ato troje”.

      Ajo u shpreh gjithashtu para të pranishëmve në log, se nga ajo vizitë mbeti e befasuar sepse nuk kishte pritur të shikonte një bukuri aq madhështore të natyrës dhe të ishte njëkohsisht dëshmitare e një kulture “përrallore dhe legjendash”, por aq të dinjitetshme të malësorëve dhe malësoreve vendase.  Në fjalën e mbajtur me këtë rast,  Ministrja Kumbaro përshëndeti me ngrohtësi pjesëmarrësit dhe pjesëmarrset që ajo i cilësoi si, “Zanat e Malësisë së Madhe dhe malësorët”.

      “Tek shikoja dhe i dëgjoja, më kujtuan që gjithky vend, gjithkjo trevë e jashtzakonshme e Shqipërisë është shumë e mbarsur me legjenda, me gojëdhana, me përralla me të cilat edhe ne që nuk kemi pasur fatin të lindim në Malësi të Madhe, jemi rritë.   Dhe gjithmonë kur flasim për legjenda i mendojmë si të pavërteta”, u shpreh Ministrja Shqiptare e Kulturës.  “Pohoj që është hera e parë që vi këtu.  Por sot që erdha e kuptova që ato që unë i  kam ditë si legjenda në fakt qenkan të vërteta.  Sepse këto vajza, këto çika të Malësisë janë ato zanat e vërteta me të cilat është ushqyer gjithë imagjinata jonë.”    Ministrja Kumbaro shtoi se vizita e saj në Malësi i krijoi asaj një emocion të veçantë dhe se ndihej me të vërtetë me fat se ajo zgjodhi për të vizituar Malësinë.   

Për nga natyra, preferoj që në gjithçka të shikoj më së pari anën pozitive.  Në këtë frymë edhe e vlersova vizitën e Ministres së Kulturës në aktivitetin në fjalë.  Si rrjedhim, më erdhi shumë mirë për pjesëmarrjen e Zonjës Kumbaro në logun e Bjeshkëve të Malësisë së Madhe por edhe për faktin siç pohoi ajo vetë, se gjatë qendrimit atje, ajo zbuloi se “ato që unë kam ditë si legjenda, në fakt qenkan të vërteta.”   

      Pas zbulimit të këtyre të vërtetave vjen mbrojtja e këtyre vlerave.   Por,  mbrojtja e këtyre të vërtetave kombëtare – të përdhunuara dhe të harruara për një gjysëm shekulli — nevojitë më shumë se një ushtar dhe më tepër se një vizitë në Logun e Bjeshkëve.  Por, sidoqoftë ky është një hap i parë dhe si i tillë duhet të konsiderohet pozitiv.  

       Por, nëqoftse Ministrja Kumbaro dhe qeveria që ajo përfaqëson me të vërtetë janë serioz që të pasqyrojnë këto vlera arbërore të Malësisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë ata duhet të bëjnë më shumë se veç të vizitojnë njëherë në 17 vjetë, Logun e Bjeshkëve. Në formë sugjerimi,  në këthim e sipër nga Malësia për në Tiranë, Ministrja Kumbaro duhej tu kërkonte shoqëruesve që të ndaloheshin tek “shtëpia” rrënojë e At Gjergj Fishtës — e harruar nga të gjitha qeveritë post-komuniste — në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës.  “Shtëpinë” në rënim e sipër të atijj Fishte i cili në veprat e tija interpretoi, si askush tjetër, vlerat dhe traditat stërgjyshore të cilat Ministrja Kumbaro pohoi se i “zbuloi” në logun e Bjeshkëve, vlera këto që me shekuj kanë pasqyruar fisnikërinë dhe tiparet e pavdekshme të malësorit dhe të shqiptarit.  Por njëkohsisht të vizitonte “shtëpinë” e atij Fishte i cili gjithnjë edhe sot përndiqet dhe përdhunohet nga vetë institucionet e kombi i tij, atij kombi të cilit ai vetëm nam e lavdi u mundua t’i sillte.  Emëri i At Gjergj Fishtës është sinonim me Malësinë e Madhe, një emër që lartëson vlerat, trimëritë dhe traditat shekullore të shqiptarit, një emër i cili me veprat e tija, si Lahuta e Malësisë, edhe sot jep shpresën, ringjallë heroizmin dhe shton dashurinë ndaj Atdheut, veti këto që fatkeqsisht mungojnë sot në radhët e shqiptarëve.

       Rasti i “shtëpisë” së At Gjergj Fishtës.  Megjithë deklaratat retorike të përfaqsuesve të ndryshëm të qeverive shqiptare post-komuniste se shtëpia   e At Gjergj Fishtës do të rindërtohej dhe do të shëndërrohej një një muze, në përputhje me lartësinë e këtij personaliteti të kulturës dhe të politikës kombëtare, deri më sot asgjë nuk është bërë në këtë drejtim megjithë ofertat nga individë privat për të marrë përsipër shpenzimet e projektit.  As autoritetet qendrore as ato vendore nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se pse nuk autorizohet rikonstrukturimi i banesës së dikurshme të poetit.   “Shtëpia” e këtij Gjergj Fishte i cili si askush tjetër — me jetën dhe veprat e tija — gjithë jetën kultivoi dhe përjetësoi vlerat e Malësisë së Madhe dhe mbrojti si rrallë kush të drejtat e mbarë kombit shqiptar, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Ato “legjenda dhe përralla” për të cilat kishte dëgjuar më heret në jetën e saj e të cilat Ministrja Kumbaro tha se më fund i zbuloi në Logun e Malësisë së Madhe, se “në fakt qenkan të vërteta”, At Gjergj Fishta në epopenë kombëtare, Lahuta e Malësisë i pasqyron me protagonistë të vërtetë shqiptarë, si luftëtarë të lirisë, si mbrojtës të vlerave dhe të vërtetave historike iliro-trake dhe trashëgimtarë të vërtetë të traditave stërgjyshore.  Veç duhet të lexohet!  Siç ka shkruar edhe At Daniel Gjeçaj, Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, “Është kanga që të bën të thithish ajrin e kulluet të maleve arbënore, gjithmonë të lira.  Ashtë gurra që dikon nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret sado tërmeti të trondisë në themel alpet e mbjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit.”  Ai vazhdon duke thënë se, Lahuta e Gjergj Fishtës, “Ashtë shkolla e votrës stërgjyshore, ku rreth zjarmit mikëpritës u ruajt deri më sot ndera, burrnija, virtyti, besa, trimnija, dashunija ….me një fjalë bërthama e thalbi i nji kombi që nuk vdes derisa Lahuta të këndohet”, dhe për derisa të ndiqet dhe të mësohet për heroizmin dhe urtësinë e protagonistëve të saj.

     Fatkeqsisht, sot Lahuta e Malësisë nuk këndohet dhe as i madhi Gjergj Fishtë nuk njihet as nuk respektohet për meritat e tija si një zë i pashoqtë i ndjenjave dhe vlerave të shqiptarit.  Sot Lahuta nuk është e tija, pasi Gjergj Fishta nuk është më.  Por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, për vlerat kombëtare që përmban për brezat e tashëm dhe të ardhëshëm.  Këto vlera nuk janë vetëm të Malësisë së Madhe por të mbarë kombit shqiptar. Si i tillë, At Gjergj Fishta duhet të nderohet dhe të respektohet si i YNI.  Duhet t’i jepet fund, njëherë e mirë, përdhunimit historik të kësaj figure kombëtare dhe përjashtimit të tij nga letërsia dhe historia e kombit shqiptar! 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Frank shkreli, Logu i Bjeshkeve

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

SHUMË PAK DHE TEPËR VONË!

September 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar shënjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator, 2016. Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shënjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës së më të varfërve anë e mbanë botës. Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike. Festojnë të gjithë njerzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqës anë e mbanë botës. Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës.

Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës. Por ajo pikëspari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli. Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar. Përfaqsuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve. Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për shënjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar. Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar më 31 Gusht, 2016, — vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan — ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shënjtërimit të Nënë Terezës. Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shënjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti. Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më heret, për tu përgatitur për këtë ditë. Por mu duk si një vendim marrë me gjysëm zemër, pa bindje dhe vullnet serioz se me të vërtetë duhej bërë diçka me këtë rast.

Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mendë për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj. Në atë letër ajo shpreh kënaqësinë e saj që, "Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Në atë letër, Nëna Tereze i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike" dhe shton se, "Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat". Kërkesa e Nënë Terezes bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai, të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”.

Shqipëria e gjysëm shekulli më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën as për motrat e saja, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Kjo ishte atëherë, po sot pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli. Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me Çmimin Nobel për Paqë. Ndërkaq të djelën më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shënjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën.

Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste, Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerzish në këtë tokë, këtij kombi të quajtur shqiptar.

Jo vetëm, sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi –megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj. Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të çpikte një Nënë Tereze, dhe si të tillë duhej t’a mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet si bijë e këtij populli dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës. Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb i cili në venat e gjakut të tij ndjenë thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza — bijë e këtij populli — kishte përqëndruar veprimtarinë dhe jetën e saj. Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës, sidomos në këtë moment historik, kam drojë se madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, ve në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotëme për tu ngjitë në shkallët dhe për tu venë në radhët qytetërore me kombet si motra të botës së përparuar.

***

Ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës 3 – 10 shtator 2016 në BKSH

16-08-31-02-51-59big_nene_tereza_poster_nga_bksh

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë mes Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe shalli i saj, sot pronë e MHK.

Ju mirëpresim!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Nene Tereza, Teper vone

NËNA TEREZE, LUTU PËR KOMBIN SHQIPTAR !

August 30, 2016 by dgreca

1 Frank Shkreli okNga Frank Shkreli/

  Më 4 shtator në Vatikan zhvillohet ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Një Shënjëtëreshë shqiptare, por njëkohsisht Shënjëtëreshë edhe e botës, shënjtërimi i të cilës, pothuaj pa precedencë, po celebrohet jo vetëm në trojet shqiptare dhe nga Kisha Katolike, por edhe anë e mbanë botës.  Natyrisht se shënjtërimi i nobelistes për paqë Nënë Terezës konsiderohet si një ngjarje me rëndësi në historinë e Kishës Katolike, por është veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe mund të thuhet se është një ngjarje me rëndësi botërore, pasi veprimtaria e Nënë Tereza shtrihej në të gjitha kontinentet dhe si e tillë ajo i përkiste mbarë botës pa dallim feje ose ideologjie.  “Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara”, ishin fjalët që kishte përdorur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Quellar për të paraqitur murgeshën shqiptare para Asamblesë së përgjithshme të OKB-ës më 1985, për të pasqyruar faktin se, sipas tij, Nënë Tereza është modeli i punës dhe i veprimtarisë që në të vërtetë duhej të bënte Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë tokë, sa ishte gjallë Nënë Tereza — me lutjet, me veprimtarinë dhe me dashurinë e saj pa kusht dhe pa kufi për të gjithë, e sidomos për më të varfërit e kësaj bote — Nënë Tereza e Shqiptarëve dhe e mbarë botës frymëzoi të gjithë pa dallim, duke përhapur rreze drite e shprese në skutat më të errëta dhe më të harruara të botës, përfshirë edhe trojet shqiptare.  Anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare – në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë ,për disa ditë me radhë tashti po zhvillohen aktivitete fetare e kulturore me rastin e shënjtërimit të bijës së kombit shqiptar, Nënë Terezës, kësaj “Ikone të misionit në shekullin e XX”, siç e ka cilësuar Papa Gjon Pali i dytë.  

Shkrimtari britanik, Çarlës Dikëns ka thënë se, “ishte koha më mirë dhe ishte koha më e keqe”, duke iu referuar Revolucionit francez të vitit 1775.  Kjo thënje ndoshta i përshtatet edhe botës së sotëme shqiptare.  Nga një anë, mund të thuhet se koha e sotme mund të konsiderohet, historikisht, si më e mira për shqiptarët ndërkohë që në të gjitha trojet e veta ata gëzojnë si kurrë më parë kaq liri e pavarsi për veten e tyre.  Por nga ana tjetër, mund të thuhet  gjithashtu se për shqiptarët mund të jetë edhe një kohë e keqe, sepse mundësitë pozitive që paraqet kjo periudhë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk po përfillen me një kuptim më të plotë të realizimit të objektivava kombëtare, kryesisht për arsye të mosmarrveshjeve dhe përçarjeve politike në radhët e vetë shqiptarëve si edhe të mungesës së bashkpunimit midis tyre për një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhëshëm, ashtu siç do ta kërkonte e mbara e kombit dhe e drejta e të Madhit Zot. 

Kam drojë se, falë situatës aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, “kohët më të mira” për kombin shqiptar po na rrëshqasin nga dora për gjithmonë dhe se “burimi i shpresës” po thahet dhe se një “periudhë terri” e një dimëri të gjatë dëshpërimi të pa shpresë, do të karakterizojë fatin e kombit shqiptar në të ardhmen e afërt.

Por shpresa nuk vdesë kurrë.  Në këtë ditë përkujtimi të shënjtërimit të Nënë Terezës, kombi shqiptar duhet të reflektojë mbi të kaluarën, të tashmen si dhe mbi mundësitë që ofron e ardhmja.  Me shënjtërimin e saj të dielën që vjen, sidomos Shqiptarët do të kenë pajtoren dhe ndërmjetsuesen e vet para të Madhit Zot.  Si e tillë, të gjithë ne — në mënyrën e vet dhe sipas traditës — të kërkojmë prej sajë lutjet dhe ndërmjetsimin e saj që kjo periudhë në historinë e kombit shqiptar sot, të jetë një ndër etapat më të ndritura për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, të grumbulluar rreth një sofre të përbashkët. 

T’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Tereze që ajo, nga ana e saj, t’i lutet të Madhit Zot që kombi shqiptar të mënjanojë “kohërat e  këqia” dhe që udhëheqsit e tij, mbi të gjitha, të punojnë për fatet e Atdheut dhe të bashkombasve të vet në një frymë vëllazërimi dhe të mos bëhen vegëla të vërbëta të interesave të huaja që kurrë nuk i kanë shërbyer mirëqenjes së shqiptarëve.  Lutemi që shqiptari të mund të dallojë njëherë e mirë mikun prej armikut, por edhe mbështetsit e kombit shqiptar, nga ata që duan t’a shkatërrojnë atë dhe historinë e tij.  Të dallohen dashamirësit nga shkatrruesit.  Vëllazërimi me të huajt, në mungesë të vëllazërimit shqiptar, nuk ka asnjë vlerë. Ai që mohon veten dhe identitetin e vet, nuk u duhet gjë as të tjerëve.

Lutemi që udhëheqsit e sotëm të kenë guximin dhe bindjen që të rivendosin dhe të çmojnë vlerat e vërteta historike të atdhedashurisë, si dhe vlerat morale, intelektuale, shpirtërore dhe kulturore historike të kombit shqiptar.  Lutemi  gjithashtu që  me rastin e shënjtërimit, në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës për dashuri  dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzit pa dallim feje ose krahine — edhe shqiptarët së bashku, të mund  të bien dakort që të ndërtojnë një të ardhme politike dhe ekonomike në baza të shëndosha respekti e bashkpunimi, pikëspari me njëri tjetrin e pastaj me të tjerët.  Lutemi që çdo shqiptar ta ndjejë veten të lirë dhe të barabart, në një shoqëri të lirë e demokratike,  në një atdhe ku i gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin, bazuar në ligjet kombëtare dhe ndërkombtare.  Për të ndërtuar një të ardhme të tillë, është e nevojshme që shqiptari të trajtojë më mirë shqiptarin i cili ndoshta mendon ndryshe nga ai dhe që në procesin e jetës politike ta trajtojë atë si kundërshtar politik dhe jo si armik të përbetuar.   Ndryshe, Shqipëria e lirë, demokratike dhe anëtare e denjë e kombeve të përparuara, nuk bëhet. 

     Është krijuar një situatë fatzezë kur Shqipëria dhe Kosova, nga një anë, po pajtohen dhe bashkpunojnë me armiqtë dhe okupatorët shekullorë, madje duke i quajtur të huajt “vëllëzër” dhe “aleatë strategjikë” të shqiptarëve, ndërkohë që në trojet shqiptare nuk pajtohet vëllai me vëlla, kryesisht për arsye politike të kaluara dhe aktuale.  Nëna Tereze do të na këshillonte, se po të dëshirojmë paqën, së pari duhet të pajtohemi me më të afërmin tonë.  Nuk kemi askënd më të afërm se vëllain.  Duhet pranuar se historia tregon se shqiptari nuk është sjellur mirë me shqiptarin.  Fatkeqsisht, kjo situatë vazhdon edhe sot.  Historia na mëson gjithashtu se asnjë grup i vetëm, asnjë ideologji e vetme e çfarëdo ngjyre qoftë dhe asnjë individ sado diktator i egër të jetë, nuk mund të ndërtojë një shoqëri stabile dhe dhe një shtet me të vërtetë të lirë dhe të pavarur, ku të gjithë shqiptarët do ta ndjenin veten pjesë të pandarë të tij.  Ky është një mision i përbashkët, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë, përndryshe  bërja e Shqipërisë (kam parasyshë mbarë trojet shqiptare) do të mbetet një projekt i pa realizuar.  

     Prandaj, të shpresojmë se shënjtërimi i Nënë Terezës do të shërbejë si një rast për secilin prej nesh që të këthjellojmë mendjen, të shqyrtojmë ndërgjegjen dhe të heqim dorë nga paragjykimet, inatet, egoizmat dhe urrejtjet ndaj njëri tjetrit – duke filluar nga nivelet më të larta politike e deri tek bashkombasit më të thjeshtë – vese këto të këqia të cilat pengojnë rëndë ndjenjat vëllazërore që duhej të mbizotëronin në radhët e shqiptarëve pa dallim dhe përgjithmonë me qëllim për të krijuar kështu një atdhe ku të gjithë të ndihen të barabartë, me detyra dhe përgjegjësi për të kontribuar drejtë fateve më të mira të kombit.  Shënjtëresha jonë Nëna Tereze lutu për Shqiptarët – bashkombasit tuaj!   Lutu që ata “të ndezin dritën e dashurisë dhe të paqës” midis tyre si komunitet dhe me njëri tjetrin të “hapin zemërat” dhe “të shtrijnë dorën e shërbimit” vëllazëror, duke filluar me ata që janë më të afërmit e tyre.  Lutu Nënë Tereza që një vëllazërim aq i dëshirueshëm dhe aq i nevojshëm në këto kohëra të pasigurta në trojet shqiptare dhe në botë në përgjithësi — të sjellë më në fund midis të gjithë shqiptarëve pa dallim — një harmonizim pipkamjesh dhe veprimtarishë, në dobi të kombit dhe bashkjetesës shqiptare të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Me shpresën se siç ka thënë Papa Françesku në parathënien për librin, “Të duam të padashurin”, përmbledhje e fjalimeve të Nënë Terezës, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë ka shkruar se Shqipëria është vendi më i ri në moshë në Europë dhe si e tillë u bën thirrje të rinjve shqiptarë: “Fluturoni lartë si shqiponja, simbol i vendit të Nënë Terezës.”  Brezi i ardhëshëm i shqiptarëve nuk meriton asgjë më pak as më shumë se të fluturojnë lartë si shqiponja në çdo pikpamje të jetës dhe aktivitetit të tij.

 

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Frank shkreli, Lutu per Kombin Shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT