• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARGARET THATCHER, KAMPIONE E LIRISË

April 9, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ish-kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thetçer – e para dhe e vetmja grua kryeministre britanike — ndërroi jetë të hënën në moshën 87-vjeçare.  Ajo shërbeu në atë detyrë prej vitit 1979 e deri në vitin 1990, si gruaja e parë që udhëhoqi një vend të rëndësishëm perëndimor në kohërat moderne, në krye të Partisë Konservatore, duke fituar tre mandate një pas një – si asnjë politikan(e) tjetër britanik në shekullin e 20-tët, madje ajo shërbeu edhe më gjatë se Uinstën Çërçilli.

Kryeminsitri i tanishëm britanik Dejvid  Kameron reagoi ndaj njoftimit se ish-Kryeminsitrja Thetçer kishte ndërruar jetë, duke thënë se, “Ne kemi humbur një udhëheqse të madhe, një kryeministre të shquar dhe një britanike të dalluar.  Ajo i shërbeu vendit tonë dhe besoj se do të konsiderohet si kryeministri(ja) më e madhe në historinë britanike në kohë paqeje.”

Margaret Thetçer, mbi të gjitha, besonte në lirinë e individit dhe në lirinë në botë. Në një fjalim që pat mbajtur vite më parë, në universitetin Ashland të shtetit Ohio të SHBA-ve, Margaret Thetçer  nënvijoi fillozofinë dhe besimin e saj në lirinë, duke thënë se, “Liria është një cilësi morale, jo vetëm një cilësi qytetare, ose një cilësi kombëtare –por ajo është një cilësi morale”, theksoi ajo duke shtuar se, “Liria është një cilësi që na e bën të mundur ushtrimin e talenteve dhe përdorimin e mundësive që na ka dhënë Perëndia – dhe si e tillë, liria është një e drejtë, të cilën asnjë qeveri nuk mund dhe nuk duhet t’ia mohojë individit.   Ajo mbrojti kapitalizmin si sistem më i mirë në krahasim me socializmin, ndërkohë që luftoi sindikatat britanike të cilat ishin kundër privatizimit  të sektorëve të mëdhej të ekonomisë britanike – masë këjo për të cilën ajo u kritikua ashpër në atë kohë, sidomos nga elementë të majtë, të cilët e cilësuan atë si një “kapitaliste primitive”.  Por, kryeminstri britanik Kameron, tha se “Margaret Thetçër, jo vetëm udhëhoqi vendin tonë,  por ajo e shpëtoi vendin tonë”,  gjatë asaj periudhe, shtoi ai.  Megjithë kritikat dhe kundërshtimet e forta, ajo sy-patrembur, ndërmori reforma ekonomike të papara deri atëherë në Britaninë e Madhe  dhe  njlkohësisht mbështëti krijimin e tregjeve të lira edhe në vendet e botës së tretë, ku socializmi  në atë kohë, shikohej si një sistem më i preferuar ekonomik.  Ajo besonte se duheshin hequr kufizimet e rregulloreve dhe të ligjeve mbi ekonominë, duke ulur taksat dhe duke ngritur entuziazmin dhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, ashtuqë individi të jetë më i lirë për të marrë vendimet vet, për të mirën e vet dhe për rolin e tij në një shoqëri të lirë.   Ajo besonte  se qeveria duhet të luaj rolin sa më të vogël në ekonomi, duke lejuar tregjet të vendosin mekanizmat e ekonomisë.  Në një fjalim para udhëheqsve evropianë më 1979, ajo deklaroi se,  “Pa liri ekonomike, nuk mund të ketë as liri politike të vërtetë.”  Kryetari i Bashkisë së Londrës, zoti Boris Xhonson tha se politika dhe pikpamjet e ish-kryeministres Thetçer janë  justifkuar dhe provuar të vërteta, sidomos qendrimet e sajë në lidhje me komunizmin dhe sindikatat. Një shmebull për këtë mund të jetë Kina,   megjithse në emër komuniste, ka pëqafuar kapitalizmin si sistemin e saj të preferuar të ekonomisë, por pa lejuar liritë politike.

Ishte ekzaktërisht këjo ndjenjë dhe besim në lirinë individuale dhe në lirinë ekonomike, ajo që e bëri Margaret Thetçer  të adhuronte ish-presidentin amerikan Ronald Reagan, i cili gjithashtu ishte i vendosur në mbështetje të lirisë, demokracisë  dhe tregjeve të lira për të gjithë njerzit anë e mbanë botës.  Ishte ky besim i përbashkët në lirinë që eventualisht çoi në një aleancë e partneritet  të  jashtzakonshëm  midis dy udhëheqsve, për sigurimin e  lirisë dhe tregjeve të lira, anë e mbanë botës.

Marrëdhënjet e ngushta politike dhe përputhja e pikpamjeve të tyre filozofike, midis Presidentit Reagan dhe Kryeministres Thetçër, çuan gjithashtu në një ri-gjallërim të aleancës amerikano-britanike, në marrëdhënje që edhe sot konsiderohen si “të veçanta” midis dy vendeve.  Ajo u bashkua me Shtetet e Bashkuara për  të kundërshtuar komunizmin ndërkombëtar si dhe  shtypjet e mohimin e lirisë në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe përpjekjet e Moskës për të mbajtur në fuqi regjimet komuniste kukëlla sovjetike,  megjithë pakënaqsitë dhe kundërshtimet popullore ndaj tyre, anë e mbanë Evropës lindore.  Thetçër dhe Reagan ushtruan presion dhe sfiduan drejtë për së drejti përhapjen e influencës sovjetike anë e mbanë botës.

“Presidenti, Papa dhe Kryeministrja” është titulli i një libri i autorit  amerikan Xhon Sullivan, që i referohet Presidentit Reagan, Papës Gjon Palit II dhe Kryeministres Thetçër, si protagonistët kryesorë që sollën mbarimin e komunizmit në Evropë, por ata nuk ishin të vetëmit në këtë përpjekje të madhe historike.  Ata kishin mbështetjen e patundur edhe të Kancelarit të atëhershëm gjerman Helmut Kohl dhe Presidentit francez Fransua Mitterand, i cili megjithëse socialist dhe i majtë nga pikpamja ideologjike, e urrente dhe ishte i ashpër kundër komunizmit sovjetik.  Por Zonja Thetçer, përveç miqësisë dhe bashkpunimit me presidentin Reagan dhe me udhëheqsit francezë dhe gjermanë të kohës, kishte vendosur kontakte dhe lidhje të ngushta edhe me udhëheqsin sovjetik Mikhail Gobaçov.  Ish-zëdhënsi i saj, Sir Bernard, citohet në media se në takimin e parë që Kryeministrja Thetçer ka zhvilluar me zotin Gorbaçov në Londër, ajo i është drejtuar atij me këto fjalë: “Mirë se ke ardhë në Britaninë e Madhe. Dua që marrëdhënjet tona të kenë një fillim të mirë dhe njëkohësisht të mos kemi keqkuptime midis nesh –Unë e urrej Komunizmin”, i ka thënë ajo udhëheqsit të ri sovjetik.  Pas këtij takimi, Kryeministrja Thetçer i raportoi Presidentit Reagan dhe botës se Gorbaçovi “ishte një njeri me të cilin mund të punojmë.”

Vet zoti Gorbaçov reagoi me rastin e vdekjes së zonjës Thetçer ndërsa theksoi admirimin e tij për ish-kryeministren britanike, duke thënë se, ajo “ishte një politikane, fjalët e së cilës kishin peshë”.  Mikhail Gorbaçov vazhdoi komentin e tij se, “Më në fund ne mundem të arrinim në një mirëkuptim të përbashkët dhe ky mirëkuptim kontriboi në ndryshimin e atmosferës midis vendit tonë dhe Perëndimit dhe që më në fund çoi edhe në mbarimin e Luftës së Ftohtë.”

Adhurimet dhe reagimet me rastin e vdekjes së kësaj udhëheqseje frymzuese botërore erdhën menjëherë nga personalitete që kanë punuar me të gjatë viteve dhe udhëheqës që kanë qenë tepër të ri në kohën e saj.  Një ndër ta, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në deklaratën e tij tha se, “Bota ka humbur një prej kampioneve të lirisë dhe Amerika ka humbur një mike të vërtetë…Këtu në Amerikë, ne nuk do të harrojmë kurrë qëndrimin e saj, krah për krah, me Presidentin Reagan, duke i kujtuar botës se ne nuk shkojmë thjeshtë andej kah frynë era e historisë –por përpiqemi t’i japim historisë formën e një bindjeje morale, vullneti  dhe guximi të hekurt.”  Udhëheqsi amerikan i dërgon ngushëllimet e tija  familjes së zonjës Thetçer dhe popullit britanik, ndërkohë që bën thirrje siç u shpreh ai, “të vazhdojmë punën — të cilës ajo i kishte kushtuar jetën e saj – midis dy popujve të lirë, të bashkuar dhe të vendosur të përcaktojnë vetë fatin e tyre”, përfundoi mesazhin e tij presdienti Obama.  Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Zoti Ban Ki Moon tha se bota do të ndjejë mungesën e rolit të saj udhëheqës, duke e auqjtur atë si “pionere” për kontributet e saj për paqë dhe siguri në botë gjatë Luftës së Ftohëtë”.  Bashkshortja e ish-presdientit Reagan , zonja Nenci Reagan tha se me vdekjen e zonjës Thetçer, “Bota ka humbur një kampione të vërtetë të lirisë dhe demokracisë….Roni dhe Margaret kishin zhvilluar një marrëdhënje të veçantë polititike, gjatë njërës prej periudhave më të vështira të historisë moderne, dhe ishin të angazhuar për të mbrojtur lirinë dhe  ishin të vendosur t’i dhënë fund komunizmit… si përfundim, ajo ndihmoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik duke siguruar kështu lirinë për miliona njerëz”, shtoi Nenci Reagan.

Ngushëllimet dhe reagimet e shumëta nga e mbarë bota dhe  të personaliteteve të të gjitha ngjyrave politike, me rastin e vdekjes së Kryeministres së parë femër të Britanisë së Madhe, sjellin ndër mend rolin që luajti këjo grua jo vetëm në politikën dhe ekonominë e vendit të saj, por pa  rolin e saj vendimtar, një çerek shekulli më parë, sipas shumë ekspertëve dhe historianëve – bota sot mund të ishte krejtësisht  ndryshe.  Ish-Kryeministrja Thaçër jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj të çmuar në përpjekjet që çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik, por ajo, siç tha edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker,  “ndryshoi harkën e historisë, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në botë.”

Britania e Madhe dhe bota i japin lamtumirën e fundit, sipas ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush i vjetër, “njërës prej përkrahsve më të fortë të lirisë, demokracisë dhe tregjeve të lira të shekullit të XX – një udhëheqse me karakter dhe bindje të forta, parimet e së cilës më në fund kontribuan drejtë një bote më të lirë dhe më të mirë.”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, kampionia e lirise, Margaret Thacer

PROPAGANDË SERBE NË OKB

April 7, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Vuk Jeremiq, në kapacitetin e tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar mbajtjen e një debati mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës mbi Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi këtë të mërkurë, më 10 Prill.   Debatin  do ta hapë presidenti serb Nikoliq dhe në debat do të marrë pjesë edhe zevendës-kryeministri i parë i Serbisë, Vuçiq.

Më së pari një shpjegim se cili është roli dhe pse u krijua Gjykata  Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, 20-vjetë më parë.   Gjatë dy dekadave të fundit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka mbrojtur viktimat e luftës, ndërkohë që ka dënuar ata që kanë  kryer krime lufte mbi popullësinë e pafajshme civile, si edhe ata që kanë bërë abuzime të rënda të të drejtave të njeriut gjatë  dekadës së 90-ave të luftërave në ish-Jugosllavi.   Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, themeluar 10- vjetë më parë,  gjithashtu ka luajtur një rol me rëndësi për dënimin e  atyre që kanë bërë krime lufte, si dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.   Qëllimi i gjykatave ndërkombëtare, pra është, për të dënuar keqbërsit dhe për të promovuar  dhe mbrojtur të drejtat e viktimave të pafajshme  dhe konsolidimin e të drejtave të njeriut,  anë e mbanë botës.

Vendimi i Jeremiqit, që në emër të Serbisë të organizojë një debat, për atë që në humë qarqe ndërkombëtare po shikohet si një përpjekje propagandistike e Serbisë për të diskredituar punën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës – nuk është hera e parë që Beogradi është munduar të  bindë botën me versionet e tij, tani të diskredituara, për ato që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi gjatë 20 vjetëve të fundit.   Por ndryshimi me përpjekjet e përparshme të Serbisë,  është se tani Beogradi  ka njeriun e vet në Kombet e  Bashkuara,  i cili po përpiqet që pretendimeve të Serbisë t’u japë vulën zyrtare të ligjëshmërisë së OKB-së, pasi ai në kapacitetin e tij si president i Asamblesë së Përgjithshme, është i autorizuar të shkruaj raportin përfundimtar të debatit, natyrisht nga pikpamja e zyrtarëve të Beogradit dhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Kinës.    Këjo është një situatë e hapët e asaj që quhet si “konflikt interesi”, gjë që asnjë person ose organizatë me reputacion nuk ia lejon vetvetes.  Ky është një rast, ku një zyrtar i Kombeve të Bashkuara,  ndryshe nga obligimet e detyrës së  tijë, për t’i shërbyer organizatës për të cilën punon, po shfrytëzon  detyrën e tij për përfitime personale dhe të vendit të tij –dhe në dëm të së vërtetës dhe në përpjekje për të ndryshuar ose falsifikuar historinë  e dy dekadave të fundit.

Serbia është tepër e dëshpëruar se Gjyqi i Hagës liroi kohët e fundit ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ramush Haradinajn dhe dy anëtarë të tjerë të UÇK-së, gjë që sipas nën-kryeministrit serb Vuçiq, “ka tronditur të gjithë serbët”.   Zyrtari  i lartë serb tha gjithashtu  se qeveritë që në të kaluarën kanë mbështetur punën e Gjykatës Ndërkombëtare, sipas tij, na qenkan “shokuar nga vendimet përfundimtare të kësaj gjykate në lidhje me gjenralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, por edhe Haradinaj”, shtoi zyrtari serb Vuçiq për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Individë, shtete dhe organizata të ndryshme kanë shfaqur moskënaqinë e tyre në lidhje me debatin e OKB-së të sponsorizuar nga Serbia.   Ndër të parët që shprehu mos aprovimine tij për mabjtjen e këtij debate,  ishte Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, gjykatësi Theodor Meron.   Ai, sipas Radios Evropa e Lirë, foli para disa ditësh në Institutin Brookings në Uashington  ku kritikoi ashpër vendimin për debatin  në OKB, duke thënë se ky vendim për zhvillimin e debatit mbi punën e Gjykatës, parashtron pyetje dhe ven në dyshim, ”kushtet themelore të sundimit të ligjit”, duke shtuar se, ky nuk është  “një debat, në të cilin pjesmarrja ime do të jepte ndonjë kontribut të rëndësishëm ndaj normave ligjore në të cilat besoj unë.”   Gjykatësi Meron u tha pjesmarrësve në Institutin Brookings se, “shpallja e pafajësisë, ashtu si edhe shpallja e fajësisë, tregojnë se sistemi  është i shëndetshëm, se ai funksionon.”

Siç duket, Kroacia dhe Bosnja, ndër të tjera, kanë shprehur moskënaqsinë për këtë  debat të organizuar nga Vuk Jeremiqi dhe janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në të.  Radioja b-92 në Beograd  citon agjencinë Tanjug se as Uashingtoni zyrtar nuk ka mirëpritur këtë debat, ndërsa citon një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit se ka thënë që ai beson se debati i ardhëshëm  në OKB do të përdoret për qëllime propagandistike të Serbisë.

Por,  vendet që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë,  janë Rusia dhe Kina të  cilat vazhdimsiht kanë përkrahur agjendën serbe në OKB, sidomos kundër mos njohjes dhe mosantarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.   Sipas gazetës serbe Veçernje Novosti, Moska dhe Pekini kanë shprehur gatishmërnë e tyre për të marrë pjesë në debatin e OKB-së të organizuar nga Vuk Jeremiqi.

Ndër organizatat jo-qeveritare që kanë reguar ndaj mbajtjes së këtij debati janë edhe  Kongresi i Boshnjako-Amerikanëve të Amerikës Veriore dhe Këshilli Konsultativ për Bonsje-Hervegovinën, të cilët, në një letër drejtuar ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Susan Rajs  — shprehin shqetsimin e tyre në lidhje me atë që ata cilësojnë si agjendë e Jeremiqit në Kombet e  Bashkuara  dhe në të njëjtën kohë shprehen se,  “Vuk Jeremiqi, si president i Asamblesë së 67-të të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, po vazhdon të përdorë  Kombet e  Bashkuara si një platform të tijen për të përhapur agjendën nacionaliste serbe duke organizuar këtë debat dhe njëkohësisht është duke fyer rishtas viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci.”    Në letrën e tyre këto dy organizata boshnjake në Amerikë, me të drejtë thonë se, “Dokumenti  ‘zyrtar’ në lidhje me debatin që do të mbahet në Prill, pritet të përmbajë pikpamjet serbe  mbi luftërat në ish-Jugosllavi, në kurriz të fakteve tanimë të mirë dokumentuara dhe  të drejtësisë.”    Boshnjako-amerikanët theksojnë, në letrën e tyre drejtuar ambasadores amerikane pranë OKB-së, se “rishkrimi dhe falsifikimi i historisë është prioritet i agjendës së nacionalistëve serbë”,  dhe njëkohësisht ata i bëjnë thirrje  asaj, “Si shtetas amerikanë, por edhe si viktima të spastrimit etnik dhe  të gjenocidit, që mohuesit e gjenocidit të mos lejohen të përdorin Organizatën e Kombeve të  Bashkuara si paltformë të tyren për përhapjen e propagandës urrejtëse dhe gënjeshtarve.”

Ky është objektivi i vetëm i Vuk Jeremiqit për organizimin e këtij debati, por njëherazi është edhe një përpjekje e koordinuar mirë nga autoritetet zyrtare të Beogradit  për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare në të kaluarën, tani dhe më vonë ndaj serbëve të dëlnuar për krimet e tyre në luftërat e Ballkanit – por është  edhe një përpjekje nga ana e tyrepër të përmirësuar  reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.  Nën-Kryeministri serb Vuçiq u citua nga media serbe se debati në Kombet e Bashkuara, “është një rast i mirë për të paraqitur një pikpamje tjetër mbi gjëndjen në Ballkan, një pikëpamje tjetër mbi Serbinë”.

Është ablsolutisht e pa kuptueshme se si Organizata e Kombeve të Bashkuara lejon që  ajo të përdoret si platformë e nacionalizmit serb duke mundësuar zhvillimin e këtij debati.  Ky është një problem me të cilin këjo organizatë duhet të merret seriozisht, nëqoftse dëshiron që reputacioni i saj të mos keqësohet edhe më tepër në rajonin e Ballkanit, ku mos-angazhimi dhe mos veprimi i sajë përballë krimeve kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik nga forcat serbe gjatë luftërave në Ballkan mbahet, është një përvojë tepër e hidhur për tu harruar, sidmos nga populli boshnjak.   OKB-ëja, duke lejuar mbajtjen e këtij debati, është duke hedhur krip në varrët trupore dhe shpirtërore të qindëra mijëra viktimave të terrorit serb në Ballkan.   Këjo masë dëmton, për të mos thënë se minon, besimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një organizatë që sipas Kartës së OKB-së, “Zhvillon marrëdhënje miqësore midis kombeve, në bazë të respektit për parimin e të drejtave të  barabarta dhe të vetvendosjes së popujve.

Udhëheqsit serbë, siç tha edhe vet  nën-kryeministri serb Vuçiq, shpresojnë që  në fund të këtij debati, Ballkani dhe bota të ketë një “pikpamje tjetër për Serbinë”.   Mirëpo, këjo nuk mund të arrihet me përpjekje të njëanshme për debate në forume ndërkombëtare siç është edhe OKB-ëja, me qëllim shtrëmbërimi dhe falsifikimi të historisë së hidhur të 20-vjetëve të kaluara në atë rajon.   Popujt e Ballkanit dhe bota do të kenë pikpamje tjetër nga ajo që kanë sot për Serbinë, vetëm e vetëm kur Serbia të kërkojë falje për krimet që udhëheqsit e saj kanë bërë në emër të saj dhe njëkohësisht tu kërkojë falje viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, në Bosnje dhe Kroaci.   Vetëm atëherë, popujt e Ballkanit dhe bota mund të ndryshojnë pikpamjet e tyre mbi Serbinë si shtet dhe mbi serbët si popull.

Një gjë e tillë do të ishte më e pranueshme dhe më e vlefshme se sa çdo debat në OKB ose kudo tjetër, që më në fund do të çonte drejtë pajtimit eventual midis popujve të Ballkanit dhe në një paqë të qendrueshme në atë pjesë të botës, e cila ka aq shumë nevojë për një pajtim të tillë.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne OKB, propogande serbe

NJË GUR DREJTË ZBARDHJES SË MASAKRËS SË TIVARIT

April 2, 2013 by dgreca

Foto: Disa nga pjesëmarrësit para ndërtesës “Monopoli i Duhanit”, ku u ekzekutuan djemte e pafajshem te Kosoves/

Nga Frank Shkreli/

Fundin e javës që kaloi, me iniciativë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua në Ulqin, Konferenca Shkencore, “Masakra e Tivarit, 1945”.  Në këtë konferencë prej dy ditësh, sipas njoftimeve të këtij Këshilli, morën pjesë studies të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  (Lista e pjesëmarrësve i bashkangjitet shkrimit, si informacion i temave të trajtuara nga ekspërtët për këtë tragjedi kombëtare).  Pas përfundimit të konferencës së parë mbi këtë tragjedi kombëtare, organizatorët dhe ligjëruesit nga të gjitha trevat shqiptare u nisën drejtë Tivarit, për të bërë homazhe dhe për të vendosur kurora lulesh në vendin ku strukturat ushtarake dhe komuniste të ish-Jugosllavisë në bashkpunim të plotë me udhëheqsit e Partisë Komuniste Shqiptare të Tiranës, të cilët në vend që të kundërshtonin masakrimin e mijëra bashkombasve të tyre, fatkeqsisht lehtësuan dhe ndihmuan në realizimin e këtij krimi kundër njerëzimit.

Sipas të ndjerit Prof. Dr. Zekeria Canës dhe historianëve të tjerë, numëri i shqiptarëve të ekzektutuar  në Tivar dhe gjatë rrugës nepër veriun e Shqipërisë, është vetëm një pjesë e numrit më të madh të shqiptarëve që janë vrarë  duke kaluar nga Tivari e përgjatë bregdetit të Kroacisë deri  në Trogir.  Masakra e shqiptarëve në Tivar, ishte pjesë e një e një terrori të organizuar mirë dhe të një likuidimi në masë të shqiptarëve, përfshirë  edhe gra e fëmij, përpiluar  me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat, ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri.  Në këtë përpjekje, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe të dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin përkrahjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën.  Me pretendimin se mijëra rekrutë të rinjë shqiptarë nga Kosova do të dërgoheshin për të luftuar  — të çarmatosur — në frontin e luftës në Trieste, i detyrojnë ata të largohen nga Prizreni e nepërmjet terreitorit të Shqipërisë së Veriut për në Tivar, ku sipas historianëve gjetën vdekjen duke u masakruar rreth katër mija të rinjë shqiptarë, megjithëse ka mundësi që numëri i vërtetë i të vrarërve të mos dihet kurrë.  Por, ajo që dihet tani dhe që po del në dritë dal nga dalë nga studime të ndryshme, përfshirë edhe konferencën e Ulqinit, është se mijëra të rinjë shqiptarë të pafajshem u tradhëtuan, u vranë e u masakruan nga kriminelë të policisë dhe ushtrisë jugosllave, nën urdhërat dhe mbikqyrjen e partisë komuniste serbo-malezeze, por fatkeqsisht, edhe me dijeninë dhe bashkpunimin e plotë të shokëve të tyre në udhëheqjen e partisë komuniste shqiptare.
Para nja tre vjetëve, pata shkruar një artikull për Masakrën e Tivarit, ku në atë kohë shpreha shpresën për zhvillimin e një debati që do të çonte në, “hulumtime shkencore nga historianë të të gjitha trevave shqiptare për të hedhur poshtë pretendimet e historiografisë komuniste për këtë dhe tragjedi të tjera të kombit tonë, të kryera dhe të fshehura nga regjimi komunist shqiptar dhe bashkpuntorët e tyre serbo-malalzez.”

Konferenca e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit është  fillimi, është konferenca e parë e këtij lloji për këtë krim lufte që mund të radhitet me krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, por për shqiptarët është një ndër pikat më të zeza të historisë kombëtare, për nga numëri i të masakruarve shqiptarë me një rast dhe në një vend, por edhe për nga tradhëtia e udhëheqësve komunistë shqiptarë, të cilët miratuan dhe bashkpunuan në ekzekutimin e kësaj vepre makabër dhe pastaj heshtën duke mohuar se madje kishte ndodhur një gjë e tillë.  Këjo konferencë – që pritet të botojë të gjitha referatet në një botim të vetëm — duhet të shërbejë gjithashtu si një formë presioni e opinionit publik dhe në këtë rast, edhe nga studiuesit dhe ekspertët, ndaj autoriteteve shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë që  krime dhe masakra si këjo, kudo në trojet shqiptare, të mos trajtohen më si tabu dhe që njëherazi ata të mos kenë frikë nga e vërteta për zbardhjen e këtyre krimeve.

Para më shumë se dy vitesh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi, “Ngritjen e Komisionit Hetimor për Hetimin e Fakteve, Rrethanave dhe Përgjëgjësive të Masakrës së Tivarit, 1945”.   Nuk jam në dijeni nëse ky komision ka bërë ndonjë përparim ose nëse anëtarët e tij kanë patur ndonjë takim në lidhje me përgjëgjësitë që i ka caktuar Kuvendi shqiptar, në lidhje me këtë çështje.   Shekulli i kaluar do të mbetet si një prej shekujve më tragjik për njerëzimin, kur të merret parasyshë numëri i njërzëve të pafajshëm që janë vrarë, në emër të  idelogjisë komuniste.  Konferenca e Ulqinit për Masakrën e Tivarit, në një mënyrë — po të konsiderohet heshtja zyrtare mbi këtë dhe krime të tjera të komunizmit – na sjell në mend se fatkeqsisht lufta e ftohët, të pakën në trojet shqiptare ende nuk ka marrë fund.  Por na kujton gjithashtu se si komb i lirë tani, shqiptarët e kanë për detyrë të kujtojnë,  jo vetëm ata të cilët 68-vjetë më parë kanë humbur jetën në Masakrën e Tivarit, por edhe viktimat e tjera të pafajshme të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Mijëra të rinjët shqiptarë nga Kosova që u mobilizuan për të “luftuar” në frontin e luftës në veri të ish-Jugosllavisë,  u masakruan në Tivar—për të mos u këthyer kurrë më pranë familjeve të tyre në Kosovë.  Këta ndoshta ishin të parët ndër shqiptarët që përjetuan natyrën e vërtetë ç’njerëzore të komunizmit.   Komunizmi ka vdekur, por trashëgimia e këtij sistemi dhe përjetësimi i gënjeshtrave të atij sistemi vazhdon, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës që kanë përjetuar të njëjtin fat.

Çka është kombi pa kujtesë?  Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, ka thënë fillozofi Xhorxh Santajana, janë të dënuar t’a përsërisin.  Organizuesit dhe pjesëmarrësit, studjues dhe historianë nga të gjitha trojet shqiptare në Konferencën e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit, meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen mbarëkombëtare për nismën dhe kontributin e tyre të çmuar për të kujtuar, duke hedhur sado pak dritë mbi atë krim,  duke na kujtuar  rishtas atë periudhë të errët të historisë shqiptare. Por njëkohsisht Konferenca mbi Masakrën e Tivarit,  nënvijoi edhe rëndësinë e përgjegjësisë morale dhe profesionale që intelektualët  dhe akademikët shqiptarë kanë në zhvillimin e debatit të lirë, në një shoqëri të lirë – duke na kujtuar ato që janë harruar, qëllimisht.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: drejt zbardhjes, Frank shkreli, Nje gur, se masakres se Tivarit

KOMPLOTI TURK NË DËM TË HISTORISË SË KOMBIT SHQIPTAR

March 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ka disa vite tani që qeveria dhe shteti turk kanë venë në lëvizje përpjekje dhe presione të vazhdueshme të nxitura dhe të koordinuara mirë nga nivelet më të larta zyrtare të Ankarasë, përfshirë presidentin, kryeminsitrin dhe ministrin e jashtëm të Turqisë, për të detyruar bërjen e ndryshimeve në të shkruarit e historisë së Kosovës.   Një ndërmarrje këjo e çuditshme, shqetsuese dhe besoj e pa precendencë kur të merret parasyshë ndërhyrja e aktorëve të niveleve më të larta politikë turke për t’i bërë presion shtetit më të ri në Evropë, që të bëjë ndryshime në tekstet shkollore, përsa i përket periudhës otomane.   Ky nuk është thjeshtë një dialog i lirë midis historianësh e akademikësh.   Jo, këjo nismë ka bekimin dhe mbështetjen e plotë të fuqisë politike, diplomatike, besoj ekonomike dhe te mos themi edhe ushtarake të Turqisë, pasardhses së Perandorisë osmane.   Në të gjitha takimet me zyrtarët shqiptarë, udhëheqsit turq e kanë ngritur publikisht nevojën, sipas tyre, të ndryshimit të teksteve shkollore për fëmijt shqiptarë, për atë periudhë.   Këjo siç duket është pjesë e një strategjie afatgjatë e Turqisë në Ballkan, por presionet janë më të mëdha, veçanërisht ndaj trojeve shqiptare, pikërisht ndaj Kosovës.   Mediat në Kosovë shkruajnë se edhe diplomatët turq në Prishtinë e kanë bërë këtë çështje si përparsinë numër një të aktivitetit të tyre diplomatik, sikur Kosova nuk ka mjaft probleme të tjera.   Mediat në Kosovë, njoftojnë se megjithse Ministria e Arsimit në Prishtinë mohon të ketë ndonjë presion për ndryshimin e teksteve shkollore, ambasadorja e Ankarasë në Kosovë, Songul Ozan vazhdon presionet e saj.   Jo vetëm për ndryshimin e teksteve sipas dëshirës dhe urdhërave të pushtetarve turq, por ajo, sipas medias, po u bën presion edhe zyrtarëve dhe personave të cilët janë deklaruar kundër kësaj ndërhyrjeje nga Turqia, përfshirë edhe anëtarëve të Institutit të Historisë, duke venë në dukje si shembull të këtij presioni, takimin që ajo pati kohët e fundit me Ministrin e Ambijentit të Kosovës, Z. Dardan Gashi i cili ishte shprehur në një shkrim kundër ndryshimit të teksteve shkollore në Kosovë.

Zëvendës ministri i Arsmit, Zoti Nehat Mustafa u prononcua për median muajin e kaluar se prania e ekspertëve turq në Prishtinë nuk duhet të keq interpretohet, duke shtuar se, “Nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet tona, por këtë po e bëjmë thjesht për të treguar gatishmërinë tonë për të bashkpunuar jo veteëm me Turqinë por edhe me shtete të tjera.”

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë kërkese ose oreksi nga ndonjë shtet tjetër për të ndryshuar historinë e Kosovës, siç aludon zëvendës ministri Mustafa, por jam i sigurt se Serbia është gati të dërgojë në kohën e volitshme, “ekspertët” e saj për të “rishikuar” historinë e herëshe dhe moderne të Kosovës, me qëllim për të zhdukur çdo “shtrembërim” dhe “keq interpretim” të pushtimit serb në Kosovë, nga tekstet shkollore të shkruara historianët shqiptarë.

Diçkaje i vjen era në këtë mes dhe autoritetet qeveritare dhe akademike të Kosovës duhet të jenë më transparente në lidhje me këtë çështje.   Por ndërsa, nga ana e tyre, udhëheqsit më të lartë turq, janë treguar të vendosur dhe janë duke bërë çdo gjë që u vjen për dore në arritjen e objektivit të tyre, Prishtina dhe Tirana zyrtare heshtin.   Megjithë mos reagimet zyrtare ndaj këtij uzurpimi të të shkruarit të historisë së kombit shqiptar, fatbardhsisht ka elementë të shëndoshë të shoqërisë dhe të kombit shqiptar, që me të drejtë janë të shqetësuar në lidhje me këtë fenomen pothuaj të pashëmbëllt në marrëdhënjet midis shteteve, kur pesha diplomatike e një shteti të madh si Turqia i bën presion një shteti të vogël të posa lindur si Kosova, që të ndryshojë historinë e vet, për t’iu përshtatur orekseve dhe synimeve gjeostrategjike të diplomacisë turke.

Ndërsa heshtja zyrtare nga autoritet shqiptare mungon,  reagimet ndaj presioneve turke po marrin tani përmasa ndërkombëtare, gjë që është shumë e dobishme.   Deputeti gjerman në Parlamentin Evropian , Zoti Bernd Posselt i tha agjencisë së lajmeve ,DTT-net.com se presioni i qeverisë turke ndaj qeverisë dhe historianëve të Kosovës , “Është i papranueshëm, ndërsa një ish-fuqi pushtuese përpiqet të bëjë presion ndaj një kombi të lirë evropian, i cili ka qenë një ndër viktimat, shekuj me radhë, e interpretimeve të historisë së vjetër.   Populli i Kosovës duhet të jetë i pavarur të vendosë vet për tekstet shkolloe të historisë së vet dhe mënyrën e të mësuarit të historisë të rinjve të saj,” tha ai për DTT-net.com.

Zoti Posselt tha më tej se tekstet shkollore duhet të jenë të bazuar në të vërtetën dhe ai e përkrah Kosovën në këtë drejtim, ndërkohë që i bëri thirrje qeverisë turke që tua mësojë të vërtetën e historisë së saj të rinjve të shtetit të vet — jo të përpiqet t’ua ndryshoj historinë popujve të tjerë, shtoi deputeti Bernd Posselt, i partisë CDU të kryeministres gjermane, Zonjës Angela Merkel.

Ditët e fundit më ra në dorë një letër e hapur e nënshkruar nga një numër personalitetesh të historisë dhe kulturës shqiptare, drejtuar udhëheqësve të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës dhe për dijeni, iniciatorët e letrës së hapur, ia kanë dërguar edhe udhëheqsëve më të lartë të Tiranës zyrtare.  Në letrën e tyre, nënshkruesit thonë se, “Historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin.  Është histori kryengritjesh e luftërash për liri, histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kuturës e të identitetit. Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi dhe sovranitet kombëtar.   Është histori e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin, kulturën dhe identitetin e tyre si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të Evropës.”   Duke iu referuar presioneve turke për ndryshimin e teksteve shkollore në Kosovë, nënshkruesit thonë se, “pikësynimi i historisë gjithmonë duhet të jetë e vërteta dhe vendosja e së vërtetës historike në kontekstin e duhur e në përkim me parimet metodologjike që ka shkenca e historisë”, dhe jo thonë ata, “si rezultat i trysnisë së shtetit turk mbi qeverinë e Kosovës dhe mbi disa historianë të manipuluar e të painformuar me punime të mirëfillta shkencore.”   Nënshkruesit e peticionit, emëra të njohur dhe të dalluar të kulturës shqiptare, në letrën e tyre u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës duke thënë se, “Në emër të së vërtetës, i kërkojmë qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, institucioneve përgjegjëse kulturore dhe akademike si edhe historianëve që të mos tradhëtojnë ndërgjegjen e tyre profesionale dhe kombëtare, të rishikojnë këtë vendim arbitrar dhe terësisht antikombëtar, të anullojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe të lejojnë historianët të bëjnë punën e tyre të pavarur shkencore, sipas parimeve dhe metodologjisë së shkencës historike, dhe jo sipas interesave, urdhërave dhe vullneteve politike të qeverisë së sotëme të Turqisë.”

Këjo është një vjedhje që po i bëhet historisë kombëtare të shqiptarëve, por hajni nuk po hynë në shtëpi natën, por ditën për diell.   Është një rast dhe përpjekje e jashtzakonshme që të justifikohet dhunuesi dhe jo të mbrohet viktima.   Është një orvatje plot presion zyrtar për të harruar të kaluarën, por për më të tepër është një lëvizje që përpiqet të shtrëmbërojë dhe më në fund të mohojë atë histori fatkeqe, që duke mos e kundërshtuar, jo vetëm me letra të hapura, por edhe nga autoritetet më të larta shqiptare, do të çojë – heret ose vonë dhe me mënyra të tjera presionesh e shantazhesh — në përsëritjen e saj të hidhët.

S’ka dyshim se çdo historian i mirëfilltë thotë se historia gjithmonë ka nevojë për rishikim, rivlersëim dhe për ndryshim, por këjo në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet nen presionin e të huajve.   Shqiptarët kanë nevojë që historia e tyre të shkruhet nga vet shqiptarët dhe jo nga Stambolla e Beogradi, sidomos kur të merren parasyshë okupimet e këtyre pushtuesve të trojeve shqiptare gjatë shekujve.   Kosova dhe Shqipëria, si edhe shqiptarët kudo, kanë nevojë për miq të ri e të vjetër dhe gjithmonë kanë respektuar popujt e tjerë, kuturën dhe historinë e tyre, përfshirë edhe popullin turk.

Por ndërhyrja e Turqisë, nepërmjet udhëheqsve më të lartë të saj politikë e diplomatikë me qëllim të ndryshimit, korigjimit ose çfarë do qoftë tjetër të historisë së kombit shqiptar, duhet të jetë absolutisht e papranueshme për çdo shqiptar dhe nuk i ndihmon zhvillimit të mirëfilltë të një atmosfere miqësore midis dy popujve.   Këtë duhet ta thonë ata që sot janë ruajtës dhe mbrojtës të interesave kombëtare të Shqiptarëve.   Sepse për Shqiptarët nuk ka gjë më të rrezikshme dhe kërcnuese ndaj interesit kombëtar se sa synimet e të huajve, të cilët në emër të “rishikimit të historisë”, në të vërtetë kanë si objektiv të fshehtë rihabilitimin e një pushtimi pesë shekullor të trojeve shqiptare.   Interes më të madh kombëtar nuk ka se dalja zot dhe mbrojta e historisë dhe identitetit kombëtar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, komploti turk, ne dem te historise, se Kombit Shqiptar

KUR NË KOSOVË NDËRROI EPOKA

March 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Katërmbëdhjetë vjetë më parë, me 24 Mars të vitit 1999, Presidenti i  atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, njoftoi se forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre në NATO kishin filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për krimet njerëzore dhe për brutalitetin e një fushate ushtrake të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare, e cila përbënte më shumë se 90- për qind të popullësisë së Kosovës.

“Ne e ndërmorën këtë vendim”, tha presidenti Klinton, “për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshmëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake serbe në rritje e sipër…..Ne po veprojmë tani, në mbrojtje të vlerave dhe të interesave tona dhe në mbështetje të kauzës së paqës”, shtoi ish-Presidenti Klinton, duke i njoftuar botës fillimin e sulmeve ajërore kundër Serbisë për gjenocidin e ushtruar ndaj popullësisë shqiptare në Kosovë.

Operacioni ajror ushtarak i NATO-s– me pjesëmarrjen e 400- aeroplanëve luftarakë dhe disa anijeve ushtarake kundër Serbisë, ishte i pari i këtij lloji që aleanca atlantike kishte ndërmarrë ndonjëherë –kësaj rradhe në përgjigje të keqësimit të tragjedisë humanitare në Kosovë, e shkaktuar nga sulmet e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër popullësisë shqiptare të pa mbrojtur.Zyrtarë të lartë perëndimorë e kanë cilësua situatën e atëhershme në Kosovë si sfidën më të madhe ndaj paqës dhe sigurisë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Një ditë më vonë në Bruksel, më 25 Mars, Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s, Gjenerali amerikan Uesli Klark e përcaktoi misionin dhe objektivat e sulmit të njoftuar një natë më parë nga Presdenti Klinton, duke thënë se qëllimi, “I operacionit  ushtarak të NATO-s është për të  sulmuar forcat ushtarake dhe ato të policisë jugosllave si dhe objekteve të tyre, me një forcë të mjaftueshme për të degraduar kapacitetin e tyre….Qëllimi ynë është të rrezikojmë forcat ushtarake dhe policore serbe     t’i  shpartallojmë ato dhe më në fund t’i asgjësojmë, për derisa presidenti Millosheviç nuk zbaton kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.   Nga këjo pikëpmaje, operacioni ushtrarak i NATO-s do të jetë aqë i gjatë dhe aq i vështirë për Serbinë, për derisa ta ketë për qejf vetë Millosheviçi”, ka thënë 14 vjetë më parë ish-komandanti i NATO-s, Uesli Klark.

Më 3 Qershor, 1999, Millosheviçi u detyrua të pranonte kushtet e një plani ndërkombëtar për paqë duke u dhënë fund luftimeve, dhe aleanca e NATO-s ratifikoi marrveshjen me 10 Qershor të njëjtit vit duke pezulluar, si rrejdhim, operacionet sulmuese ajërore kundër Serbisë.   “The rest is history”, siç thotë fraza anglisht, ose pjesa tjetër është histori.

Më 17 Shkurt, 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj.   Shtetet e Bashkuara dhe një numër i madh vendesh perëndimore njohën menjëherë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.   Duke shpallur pavarësinë e saj, Kosova u angazhua për zbatimin e parimeve demokratike, përfshirë lirinë, demokracinë, tolerancën dhe drejtësinë për të gjithë.   Në atë kohë, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, tha se “Këto janë parime që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika pret nga një mik i saj”.

Gjatë këtyre 14 vjetëve të kaluar, zyrtarët më të lartë amerikanë, duke filluar nga presidentët dhe sekretarët amerikanë të shtetit, kanë deklaruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë afër Kosovës dhe popullit të saj, ndërkohë që ajo ndërton institucionet e saj qeveritare dhe shtetërore dhe ndërsa përpiqet të zhvillojë ekonominë e saj nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, dhe ndërkohë që ajo ndërton një shoqëri dhe qeveri të vendosur për zbatimin e ligjeve, pa të cilin një shoqëri si ajo e Kosovës, nuk mund të përparojë.

Është kritike që në këtë përvjetor, Kosova dhe autoritetet e saj qeveritare dhe shtetërore të reflektojnë ashtuqë të shënohen përparime të dukshme drejtë forcimit të shtetit ligjor, duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit në vend, me qëllim që të bindet pikëspari populli i Kosovës, por edhe miqët e saj të rëndësishëm se Prishtina zyrtare është serioze — që me ndihmën e miqëve të Kosovës — është e vendosur të thellojë demokracinë në vend dhe se është e bindur të shkojë përpara, drejtë integrimit të vendit në organizmat euro-atlantike,  në Bashkimin Evropian dhe NATON.

Me të drejtë është thënë se pavarësia e Kosovës – pas ndërhyrjes së NATO-s 14 vjetë më parë si dhe e luftërave dhe sakrificave të shqiptarëve gjatë dekadave e shekujve, përfshirë edhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës — ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.   Pavarësia e Kosovës ishte, pa dyshim, një triumf i përmasave historike për kombin shqiptar.   Por, Kosova, si çdo vend tjetër  pëballet me sfida e probleme të mbrendshme dhe të jashtme.   Në arenën ndërkombëtare, aleatët e Serbisë,  Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e shtetit të Kosovës dhe antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është OKB-ja, ku ato ushtrojnë veton në Këshillin e Sigurimit.   Por, mbrenda vendit, shteti dhe qeveria e Kosovës, por edhe e gjithë shoqëria e kanë, kryesisht, në dorë të vet fatin e tyre.   Sfidat janë të mëdha por edhe mundësitë janë po ashtu të mëdha.Historia e shqiptaraëve është e mbushur me sfida, por gjithmonë në kohë të vështira, shqiptarët janë nda me nder.

Ndërhyrja ushtarake e aleancës perëndimore të NATO-s 14 vjetë më parë në mbrojtje të popullësisë shqiptare në Kosovë, ndërroi epokën për Shqiptarët.   Tashti është në dorë të Shqiptarëve që të sigurojnë bashkpunimin dhe të fitojnë paqën me njëri tjetrin, me qëllim që të bëjnë historinë e kombit.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Kur ne Kosove, ndryshoi Epoka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT