• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sociologu Gëzim Alpion mbi shenjtërimin e Nënë Terezës

May 31, 2016 by dgreca

Në Tiranë, sociologu i njohur, Gëzim Alpion, biografi i Nobelistes së Paqes Nënë Tereza, mbajti një leksion publik mbi shenjtërimin e saj. Ai trajtoi një seri detajesh nga jeta e Nënë Terezës, ndërsa po shkruan edhe një libër të ri për të.Qendra e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillim Rajonal e Lokal organizoi në Tiranë një konferencë mbi vlerat dhe rëndësinë e figurës së Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu në prag të shenjtërimit nga Vatikani.

Dr. Gëzim Alpion, nga Universiteti i Birmingamit i Britanisë së Madhe mbajti leksionin publik “Nënë Tereza: Sfidat e studimit para dhe mbas shenjtërimit”.

Në një mori detajesh të kësaj figure të njohur, ai tërhoqi vëmendjen e një auditori të larmishëm me studentë, klerikë dhe diplomatë, qytetarë, studiues dhe besimtarë.

Dr. Alpion ka stidiuar në Universitetin e Kajros dhe mbrojti doktoraturën në Angli, ku ishte lektor në disa universitete, para se të emërohej në Universitetin e Birminghamit.

Libri i tij më i njohur është Nënë Teresa: E Shenjtë apo e Famshme, i botuar në Londër dhe Nju Jork, në Nju Delhi dhe në Romë.

Por dr.Alpion pohoi në Tiranë se ka në dorë një libër të ri për Nënë Terezën.

Leksionit publik të dr.Alpion iu bashkuan me kumtesa edhe studiues të tjerë si prof. Përparim Kabo dhe dr.Nevila Nika, të cilët theksuan aspekte të veçanta të veprimtarisë humanitare të Nënë Terezës, i pari besimin e saj të lartë fetar dhe e dyta lidhjen e saj me kombin shqiptar.

Kalvari i vuajtjeve të besimtarëve shqiptarë nën diktaturën komuniste zgjati afro gjysëm shekulli, kur u vranë dhe u burgosën mijëra klerikë dhe qytetarë të çdo besimi, sepse feja u ndalua me ligj.

Dr.Alpion beson se është me rëndësi që për Nënë Terezën dhe figura me përmasa të tilla të diskutohet sa më shumë me të rinjtë universitarë.

Pas monografisë “Nënë Tereza e Shenjtë apo e Famshme”, dr.Alpion ka botuar përmbledhje esesh, mes të cilave mbi qytetërimin nga Aleksandri i Madh te Nënë Tereza.

Ai është autor i studimeve mbi sociologjinë e fesë, kombit, mediave, racës dhe etnicitetit të botuara në revista shkencore të Anglisë, Amerikës, Australisë, Hollandës dhe Indisë.

I vlerësuar si studiuesi më i rëndësishëm në gjuhën angleze për Nënë Terezën, dr.Alpion është ftuar të zhvillojë mëse 50 leksione dhe biseda në konferenca ndërkombëtare dhe universitete të mirënjohura në 14 vende dhe pikëpamjet e tij citohen vazhdimisht nga mediat botërore në mbi 25 vende.

Mund ta ndiqni intervisten direkt ne Zerin e Amerikes 28 Maj 2016

Ne linkun http://www.zeriamerikes.com/a/nene-tereza-gezim-alpion/3350153.html

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Alpion, mbi shnjterimin e Nene Terezes

TRE VJETORI I PETICIONIT PËR RRUGËN E ARBËRIT

March 18, 2016 by dgreca

Nga Gezim ALPION/ Birmingham, Angli/

Përshëndetje Përkrahës të Peticionit,/

Sot tre vjet më parë filluam peticionin online për Rrugën e Arbërit.

Nuk kemi asgjë për tu gëzuar në këtë përvjetor. Ëndrra dibrane për rrugën është binjake me ëndrrën shqiptare për demokraci. Në çerek shekullin e fundit kaotik është e admirueshme që dibranët akoma kanë forcë të ëndrrojnë. Dhe mirë bëjnë.

Rruga e Arbërit është me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Kur të bëhet! Tani për tani, kjo rrugë në ndërgjegjen e shqiptarëve është treguesi më domethënës i nivelit të seriozitetit të shtetit, i mënyrës se si qeveris partia në pushtet, dhe i shkallës së efektshmërisë së opozitës.

Ja bilanci i rrugës, që filloi zyrtarisht në vitin 2005, edhe pse për të nuk kishte dhe akoma nuk ka një projekt serioz: Edhe ato segmente që quhen të përfunduara nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Në tre vitet e fundit qeveria aktuale ka arritur të përfundojë vetëm 464 metra. Fondet e rrugës nuk janë gjëkundi.

Siç premtuam në fillim, ne e kemi mbajtur dhe do ta mbajmë peticionin jashtë politikës. Për ne nuk ka rëndësi se cila parti apo aleancë politike është në pushtet.

Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë të takohemi me Kryeministrin. Dhe kjo jo thjesht për të dorëzuar peticionin, një akt formal që përbën obligim si për ne ashtu edhe për z. Edi Rama ndaj më shumë se 10,000 nënshkruesve online dhe në formularë. Takimi do të mundësoj edhe fillimin e një dialogu konstruktiv.

Ne do të kthehemi së shpejti në Shqipëri për të vazhduar dialogun që filluam në Maj 2014 me përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të Dibrës dhe drejtues të shtetit dhe politikës në Tiranë. Shpresojmë që një nga takimet të jetë edhe me Kryeministrin me të cilin jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë brenda këtij mandati.

Duke ju falenderuar për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, ne ju sigurojmë edhe një herë se nuk do të pushojmë së lobuari për këtë vepër deri sa të përfundohet.

Me respekt,

Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

Birmingham, Angli, 18 Mars 2016

_____________

Peticionin mund ta nënshkruani këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

 

Filed Under: Komente Tagged With: 3 vjet nga Peticioni, Birmingham, Gezim Alpion, Rruga e Arberit

Mediat e huaja përcollën simpoziumin për Nënë Terezën në Shkup

September 17, 2015 by dgreca

Më 12 shtator 2015 Komuna e Çairit, nën kujdesin e Kryetarit Izet Mexhiti, organizoi simpoziumin shkencor me temë “Shkupi Nderon Bijën e Saj Nënë Terezën”. Ky aktivitet u zhvillua në Shkup në Holiday Inn për të kremtuar 65 vjetorin e themelimit të urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë, që Nënë Tereza themeloi në Kalkuta të Indisë më 10 shtator 1950.

Në simpozium morrën pjesë studiues të Nënë Terezës nga Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Maqedonisë, intelektualë, politikanë, personalitete të komuniteteve fetare, dhe përfaqësues të mediave. Në këtë akivitet u mbajtën kumtesa nga Profesor Gëzim Alpion dhe Dr Dom Lush Gjergji. Sociolog në Universitetin e Birmighamit në Angli, Alpion është cilësuar nga kritika botërore si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Dom Gjergji është Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, aktivist i palodhur për faljen e gjaqeve, dhe biografi më i shquar i murgeshës shqiptare ne Ballkan.

Në fjalën e tij Alpion ndër të tjera theksoi se “rebelimi” i Nënë Terezës në vitin 1947 dëshmoi vizionin e kësaj vajze shqiptare për rolin e aktivitetit misionar në Indinë e pavarur.

Në kumtesën e tij Dom Gjergji u ndal në të veçantën dhe të përbashkëtën e murgeshës shqiptare kur ajo njihej si Gonxhe Bojaxhiu, Motra Terezë dhe Nënë Tereza.

Në fund Alpion dhe Gjergji iu përgjigjen pyetjeve të pjesëmarrësve në lidhje me tematikën e kumtesave të tyre, për aspekte të ndryshme të aktivitetit fetar dhe bamirës të Nënë Terezës si dhe të situatës në të cilën gjendet komuniteti katolik shqiptar në Shkup.

Simpoziumin e përshëndeti në emër to Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Hirësia e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Simpoziumi tërhoqi vëmendjen e disa mediave në Indi, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shkrimin me titull “Shkupi nderon bijën e tij Nënë Terezën”, botuar tre ditë para aktivitetit në New Delhi, C. M. Paul nxjerr në pah disa nga arritjet e murgeshës shqiptare gjatë aktivitetit të saj 69 vjeçar.

Në shkrimin e datës 16 shtator, të titulluar “Akademiku britanik shpjegon përse Nënë Tereza paraqitet si një fetare e lajthitur”, botuar në “Matters India”, theksi vihet veçanërisht në kritikën që Alpion i bëri në fjalën e tij në simpozium injorimit qe studiuesit i bëjnë fëmijërisë dhe adoleshencës së Nënë Terezës.

Ndërsa ish-gazetarja e BBC-së Rashmee R. Lall, e cila tani shkruan për disa gazeta ndërkombëtare si “The Guardian” dhe “The Economist”, në shkrimin e saj me titull “Feja dhe politika: Shkupi feston ditën e shënuar të Nënë Terezës”, thekson se sivjet 12 shtatori është i rëndësishëm pasi atë dite mësuam kush është udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste Britanike, dhe se për herë të pare Shkupi kremton një përvjetor të rëndësishëm që ka të bëj me Nënë Terezën.

Gazetarja britanike thekson se politika dhe feja janë të ndërlidhura pasi u japin njerëzve shpresë dhe mundësojnë ndryshim. Në këtë kontekst, nënvizon ajo, është mirë të kujtojmë fjalët e Mahatma Gandhi-t se “kush thotë se feja nuk ka të bëj fare me politikën nuk e ka idenë se çfarë është feja”.

Gazetarja Lall e gjen me interes komentin e Alpion se aktiviteti përkujtimor i Shkupit e vendos në kontekstin e duhur murgeshën trup vogël shqiptare pasi rrënjët kristiane të vendlindjes së saj datojnë që nga koha e apostujve.

Në shkrimet e tyre gazetarët i referohen edhe lobimit që Alpion po bën prej disa vitesh për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe ndërtimin e Rrugës sëArbërit, që do të shkurtoj distancën ndërmjet Tiranës dhe Shkupit, vendlindjes së misionares shqiptare. Alpion vizitoi disa vende në Maqedoni dhe Kosovë që patën influencë tek Nënë Tereza gjatë 18 viteve të para të jetes së saj. Ai vizitoi në Shkup varrin e babait të Nënë Terezës, Nikollë Bojaxhiu, vdekja e parakohshme dhe në rrethana misterioze e të cilit pati efekt të madh tek ajo. Në Kosove Alpion vizitoi kishën e Letnicës që Nënë Tereza e vizitonte çdo vit para se të bëhej murgeshë në vitin 1928 dhe ku në moshën 12 vjeçare vendosi të bëhej misionare. Ndërsa në kishën e Stubllës, Alpion vizitoi varrin e Dom Zef Ramaj, pagëzuesit të Nënë Terezës, i cili u vra nga serbët në Shkup më 25 dhjetor 1914.

Gjatë vizitës në Maqedoni Profesor Alpion pati takime me një numër politikanësh shqiptar. Alpion u prit edhe nga Ali Ahmeti, Kryetari i Bashkimit Demokratike për Integrim, me të cilin ndër të tjera u diskutua gjendja e arsimit të lartë në Maqedoni, çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit në territorin e Maqedonisë, shqetësimi për të ardhmen e Lumit Radika, si dhe mundësitë për investime në Dibër të Madhe.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Alpion, Mediat e huaja, Nene Tereza, percollen, Shkup, Simpoziumin

Kur historinë e shkruajnë historianët

July 8, 2015 by dgreca

Meditime për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”*/
Shkruan:Dr Gëzim Alpion/
Universiteti i Birminghamit, Angli/
Në leksionin me temën “Përse Shqipërisë i duhen ‘intelektualë publikë’”, që zhvillova në “Qendrën e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal” në Tiranë këtë vit, me 16 prill, një pjesëmarrës shprehu shqetësimin se në Shqipëri botimet shkencore nuk propagandohen sa duhet. Nuk mund të komentoj se sa bëhet në Tiranë në këtë drejtim. Ajo që di është se, ndërsa prezantimi i librave të prodhuar në masë dhe me cilësi të diskutueshme në Shqipëri është bërë diçka e modës, për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, që u vu në qarkullim nga “Botimet M&B” në Tiranë vitin që kaloi, deri tani, nuk është bërë ndonjë prezantim.
Duke parë zallahinë mediatike që bëhet në Tiranë për libra me tema të ndryshme, përfshirë botimet sensacionaliste për ndonjë figurë historike, nga autorë me kredenciale akademike dhe integritet profesional të diskutueshëm, Frashëri nuk e përmbajti dot habinë të përzier me një dozë pezmatimi të ligjshëm për heshtjen e plotë të mediave dhe Tiranës zyrtare ndaj librit të tij për Zogun. Dhe kjo, në një kohë kur, jo rrallë, mediat shqiptare, të politizuara deri në palcë, turren pas politikanëve që i financojnë kur këta të fundit duket se janë në konkurrencë se kush e kush të arrijë më parë në prezantime librash që kanë për autorë sejmenxhinj, busulla morale e të cilëve anon gjithmonë në kahun e pushtetmbajtësit të radhës.
Përse injorohen veprat e një studiozi skrupuloz si Frashëri dhe trumbetohen me të madhe botime që nuk kontribuojnë në zgjerimin e njohurive apo rritjen e shijeve estetike të lexuesve? Mos vallë në Shqipëri nuk ka auditor të etur për të kremtuar botime serioze që nuk i bëjnë fllad askujt dhe i qëndrojnë besnik vetëm paanësisë? Apo ndoshta shkalla e izolimit (më shumë e vetimponuar sesa e diktuar), zemërngushtësia dhe xhelozia akademike kanë arritur në një shkallë edhe më të frikshme dhe të dënueshme se ç’mendohet në këtë kohë kur Shqipëria po vuan një ngërç të stërzgjatur intelektual?
Nuk them që botimet e autorëve të kalibrit të Frashërit t’u nënshtrohen promovimeve bajate, qëllimi i të cilave është mbulimi me lëvdatë sa hipokrite, aq edhe të pamerituara, i autorëve dhe librave që trumbetohen si kanonike, megjithëse të gjithë e dinë, përfshirë autorët, se janë të destinuara për harresë. Po kështu, nuk po rekomandoj që të shkruhen recensa për vepra të dijetarëve cilësore si Frashëri, thjesht meqë paçavure të tjera të botuara lartësohen pa asnjë arsye. Unë do të preferoja që për një vepër cilësore më mirë të mos shkruhej gjë sesa të shkruhej pa cilësi dhe jo për motivin kryesor: pra, propagandimin e dijes pa asnjë kusht.
Pavarësisht pezmatimit të justifikueshëm të Frashërit për harresën dhe injorimin e veprës së tij, ky studiues, ashtu si disa autorë cilësorë në Shqipëri, nuk shkruajnë për t’u vënë re apo për të mbledhur lëvdata. Për këtë kategori studiuesish, vlerësimet e tepruara rezervuar për liliputët letrarë dhe studiues të paskrupujt janë ofendim për intelektin.
Ajo që më ka bërë përshtypje në lidhje me indiferencën ndaj studimit të Frashërit për Zogun është heshtja e historianëve. Historia, si disiplinë shkencore, dhe historianët, si studiues, nuk e kanë pasur asnjëherë të lehtë gjatë gjithë historisë së ekzistencës së shtetit shqiptar. Kjo për shumë arsye, të cilat nuk mund të përmenden të gjitha apo trajtohen në thellësi në këtë shkrim. Fatkeqësisht, historia e Shqipërisë si fushë studimi ka një traditë të palakmueshme; ajo vazhdon të përjetojë një kaos endemik si rezultat i trysnive direkte apo të tërthortë nga politikanë me mendësi ‘monarkësh absolute’. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka pasur apo nuk ka historianë të mirëfilltë. Frashëri dhe veprat e tij dëshmojnë më së miri se në një situatë të tillë anormale, zëri i arsyes, logjika e ftohtë dhe përkushtimi i paanshëm akademik ndaj së vërtetës, gjithmonë mbijetojnë. Problemi është se historianët e llojit të Frashërit nuk u vijnë për shtat satrapëve shqiptarë, gjë që shpjegon më së fundi edhe ‘preferencën’ që disa politikanë kanë manifestuar kohët e fundit për historianë të huaj.
Për sqarim, nga arsimimi formal, unë nuk jam historian dhe, për pasojë, i ‘pakualifikuar’ të gjykoj një monografi të karakterit historik. Justifikimi im më i mirë se përse po shkel pa leje në një fushë si historia është se, si sociolog, gjithmonë i kam qëndruar konsekuent parimit veberian se historia zë vend primar në çdo studim të shkencave sociale apo humane, veçanërisht ato sociologjike.
Figura historike kontroversale si Zogu shpjegojnë edhe interesin e vazhdueshëm që ata ngjallin, veçanërisht ndër historianë, po edhe autorë të fushave të tjera. Megjithatë, vetëm një historian i paanshëm është në gjendje të japë një panoramë objektive, pa politizuar çështjet, por në të njëjtën kohë pa nguruar t’i thotë gjërat troç, pavarësisht se kujt i pëlqen apo i djeg troçësia. Në këtë drejtim, monografia e Frashërit, megjithëse e shkurtër, është një tekst që do t’ju shërbejë si historianëve dhe studentëve të historisë, ashtu edhe lexuesit të zakonshëm. Frashëri shkruan me një stil joshës dhe gjuhë koncize, ndërsa analiza dhe konkluzionet mbështeten vetëm në dokumente historike të interpretuara me objektivitet.
Frashëri, me të drejtë, e vë theksin që në fillim në sajesat që vihen re në literaturën për Zogun. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të theksohet se, si çdo politikan me ego të fryrë, edhe Zogu, nëpërmjet historianëve të oborrit, filloi të arnojë pretendime donkishoteskë për gjenealogjinë e tij ‘pejgamberiane’ si pinjoll i vonë i Skënderbeut.
Një ndër meritat e Frashërit në këtë vepër është se ka arritur të trajtojë në mënyrë koncize, pa tendencë, dhe hapur shumë çështje të ndërlikuara dhe sensitive në lidhje me Zogun si njeri dhe politikan, ashtu si edhe pasojat negative afatshkurtra dhe afatgjata të regjimit të tij. Ajo që e bën lexuesin të mendojë dhe reflektojë nga ky libër është se sa të përbashkëta negative ka politika shqiptare në metodat që përdor për të uzurpuar pushtetin dhe për të qëndruar në fuqi me çdo kusht. Kjo, fatkeqësisht, është e vetmja ‘vazhdimësi’ e dukshme në historinë e fragmentuar të shtetit shqiptar gjatë monarkisë absolute, komunizmit totalitar dhe aktualisht demokracisë plutokratike.
Me të drejtë, Frashëri i kushton vëmendje në këtë libër veçanërisht dy momenteve kulmore të regjimit të Zogut që cënuan drejtpërdrejtë dhe rëndë integritetin kombëtar të shtetit shqiptar, sovranitetin territorial, dhe pavarësinë e vendit. Bëhet fjalë për shpërblimin që Zogu i bëri Pashiçit, duke i dhuruar territore nga trungu i atdheut për ndihmën vendimtare të Serbisë në kthimin e tij në pushtet pas Revolucionit të Qershorit, si dhe kapitullimin e regjimit zogist ndaj Musolinit. Largimit i Zogut nga Shqipëria një ditë para pushtimit, çështja e arit që mori me vete në mërgim, si dhe shpërndarja e qeverisë dhe mosorganizimi i saj në mërgim, e bënë Zogun përfundimisht një figurë që nuk mund të gëzonte kredibilitet në planin kombëtar dhe ndërkombëtar për të marrë përsipër drejtimin e rezistencën së Shqipërisë ndaj pushtuesve fashistë dhe nazistë. Konkluzioni që lexuesi nxjerr nga narracioni i Frashërit për këto aspekte të rëndësishme të regjimit zogist, si dhe për tendencën e Zogut për të mos debatuar me kundërshtarët e tij politikë, eliminimi fizik që Zogu u bëri disa prej tyre, përdorimi nga ana e tij e ryshfetin për të siguruar besnikërinë e sejmenëve në parlament dhe krahina anembanë Shqipërisë për të konsoliduar dhe përjetësuar pushtetin e tij absolut është se ata përkojnë me karakterin e një njeriu që nuk ka asnjë skrupull për të kënaqur egon e tij.
Ahmet Zogu në librin e Kristo Frashërit nuk është vetëm një figurë kontroversale apo thjesht negative. Ndër monografitë për Zogun që kam lexuar, kjo është një vepër që merr përsipër dhe arrin të realizojë me sukses identifikimin njëkohësisht jo vetëm të anëve të errëta të kësaj figure komplekse, por edhe aspektet pozitive të regjimit zogist. Frashëri thekson veçanërisht progresivitetin e reformave që u trashëguan nga qeveria e Lushjes si dhe të reformave që u inicuan dhe përpjekjet e lavdërueshme për aplikimin e tyre gjatë sundimit të Zogut në fushën administrative, juridike dhe arsimore. Përpjekja për të paraqitur me objektivitet figurën komplekse të Zogut dhe regjimin e tij bënë që monografia e Frashërit të veçojë nga shumë vepra të tjera për Zogun të karakterit fund e krye panegjirik, tërësisht demaskues apo thjesht grotesk.
Si çdo historian i mirë, Frashëri e zbulon figurën e komplikuar të Zogut nëpërmjet materialeve arkivorë, dhe një numër botimesh që kanë për autorë vetë Zogun, sejmenë që i thurrën lavde si shpërblim për përfitimet personale, një numër kundërshtarësh (si ata që u pezmatuan me Zogun, pasi ai ua drodhi, ashtu edhe opozitarin-bashkëpunues Konicën, vitrioli i të cilit nuk motivohej thjesht nga hatërmbetje personale), dhe autorë të huaj, veçanërisht studiuesin amerikan Bernd Fischer.
Mënyra se si Frashëri e trajton në librin e tij kontributin e Fischer-it për sa i përket studimit të Zogut dhe regjimit të tij përbën një shembull të shkëlqyer se si studiuesit shqiptar duhet të angazhohen me veprat e kolegëve të huaj. Frashëri e vlerëson objektivitetin e Fischer-it, por edhe ofron kritikë konstruktive në lidhje me ndonjë mangësi në veprën e tij, gjë të cilën e bën jo në mënyrë tendencioze dhe me qëlllim denigrues, por gjithmonë brenda etikës akademike, duke u përpjekur të shpjegojë se çfarë mund ta ketë kufizuar perceptimin e Fischer-it në kohën kur shkroi librin e tij për Zogun, të botuar për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 1984. Me qëndrimin e tij ndaj veprës së Fischer-it, Frashëri përcjell mesazhin në kohën e duhur se ndaj studiuesve të huaj nuk duhet të sillemi si inferiorë patologjikë, se studiuesit e huaj kanë po aq të drejtë sa studiuesit shqiptarë të merren me studimin e historisë dhe figurave historike shqiptare, dhe se të gjithë së bashku si studiues mund të përfitojmë nga arritjet dhe mangësitë e botimeve të njëri-tjetrit.
Përfundimisht, mund të them se unë e shijova leximin e monografisë së Frashërit për Zogun. Uroj që ky libër të tërheqë vëmendjen e lexuesve, veçanërisht të brezit të ri, që nuk di shumë për këtë figurë kontraversale, enigmatike dhe ekzotike si për ne shqiptarët, ashtu edhe për të huajt, një personalitet që është nxirë krejtësisht dhe padrejtësisht nga kundërshtarët e tij, si dhe lartuar kohët e fundit në një piedestal të diskutueshëm.
Edhe ndonjë mangësi e vogël e këtij studimi si, për shembull, përsëritjet që vihen re aty këtu, veçanërisht në lidhje me dy veprimet antikombëtare të Zogut apo të tre reformave progresive të përmendura më lart, mund të evitohen lehtë në një ribotim të edituar. Këto përsëritje nuk janë gabime stilistikore; ata dëshmojnë dëshirën e Frashërit për të bindur ata që e glorifikojnë plotësisht apo e përçmojnë në ekstrem Zogun se ai nuk është as kundër, as në favor të tij. Si historian me integritet dhe respekt për historinë si shkencë, qëllimi i parë dhe i fundit i Frashërit është të shikojë nëpërmjet mikroskopit të objektivitetit një figurë që luajti rol të rëndësishëm në fatet e vendit në një kohë kur përpjekjet e intelektualëve në diasporë për të sendërtuar ndërgjegjen kombëtar, për fat të keq nuk infektuan sa duhet drejtuesit e shtetit shqiptar që doli nga rrënojat e një kombi që kishte jetuar të shumtën e kohës ose i pushtuar, ose nën rrezikun konstant të pushtimit për afro 20 shekuj. Duke lexuar veprën e Frashërit, mendja nuk ka se si të mos të të shkojë në pazarllëkun e viteve të fundit të Tiranës me Greqinë në lidhje me kufirin detar, ryshfetin, që mbetet tipar dallues i kohës tone po aq se edhe gjatë regjimit zogist, dhe parlamentin shqiptar, dikur nje instrument oborri, ndersa sot nje kuvend kunatash grindavece te diplomuara ne vulgaritet. Monografia e Frashërit duhet tju shërbej si paralajmërim drejtuesve të Kosovës që të mos sillen si sekserë prostitutash në kurriz të vendit tani kur po diskutohen kufijtë. Asnjë kompromis me serbët dhe malazezët nuk vlen po qe se për çmim ka tkurrjen e mëtejshme të trojeve. Çdo kompromis i tillë ka vetëm një emër: tradhëti kombëtare.
Thuhet se Çërçilli dikur ka thënë se Ballkani gjeneron më shumë histori se ç’mund të përtypë. Ndoshta. Eshte me vend të kujtojmë këtu edhe klishenë se historia përsëritet ngaqë njerëzimi nuk nxjerr mësime nga gabimet. Kjo është e vërtetë, veçanërisht për gadishullin Ballkanik. Por gjërat duhet dhe mund të ndryshojnë, veçanërisht në Shqipëri. Një mënyrë për të sjellë këtë ndryshim është tua besosh historinë historianëve. Të kuptohemi drejt: historianëve që nuk kanë çmim. Libri i Frashërit për Zogun tregon se ka të tillë.
***
*Kristo Frashëri, “Ahmet Zogu: Vështrim Historik”, Tiranë: Botimet M&B, 2014, ISBN: 978-9928-172-22-8, Çmimi 1000 lekë.
*Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 1962. Ai ka studiuar në Kajro për BA dhe MA, dhe në 1997 mbrojti doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku aktualisht është Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisjes dhe Shoqërisë. Alpion është anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge.Fillimisht ai tërhoqi vëmendjen e mediave britanike me botimin dhe vënien në skenë në disa qytete angleze të dramave ‘Vouchers: A Tragedy’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008). Monografia ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ është botuar në gjuhën angleze nga Routledge në Londër dhe New York (2007), New Delhi (2008), dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë (2008). Kjo vepër dhe vëllimet me esë ‘Foreigner Complex’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, botuar në Indi (2008) dhe Amerikë (2009 dhe 2011) nga Transaction Publications, janë vlerësuar shumë nga kritika akademike. Autor i një numri studimesh në revista shkencore dhe përmbledhje akademike, Alpion konsiderohet si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Ai ka botuar artikuj në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘Hindustan Times’, ‘The Middle East Times’, and ‘The Hürriyet Daily News’.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zogu, Gezim Alpion, Kristo frasheri, Kur shkruajne historianet

Pezullim parazgjedhor i lobimit për Rrugën e Arbërit

June 6, 2015 by dgreca

Shkruan:Dr Gëzim Alpion/
Angli, 6 qershor 2015/
Siç vepruam një muaj para zgjedhjeve parlamentare para dy vitesh, edhe tani në prag të zgjedhjeve lokale, ne po e pezullojmë fushatën lobuese për Rrugën e Arbërit. Këtë po e bëjmë për t’i qëndruar konsekuent premtimit që bëmë kur filloi peticioni më 18 Mars 2013, se nismën tonë do ta mbajmë larg politikës deri në përfundimin me standarde të rrugës. Pra, edhe tani, si qeveria ashtu edhe opozita, nuk kanë asnjë arsye të na konsiderojnë si “aleatë” apo “kundërshtarë” politikë.
Megjithatë, siç do të përmendim më poshtë, kjo është hera e fundit që pezullojmë fushatën e lobimit para zgjedhjeve pasi ka ardhur koha t’i themi MJAFT maratonës 20 vjeçare të hezitimeve, premtimeve, zvarritjeve, mashtrimeve, abuzimeve dhe sabotimeve në lidhje me Rrugën e Arbërit.
Mesa duket, Rruga e Arbërit do të bëhet. Në mungesë të informacionit zyrtar, tani për tani nuk dihet nëse kjo do të jetë një vepër me standarde ndërkombëtare apo një “rrugë fshati”, që i shkon për shtat zonave të “largëta” të harruara deri në përçmim që nga themelimi i shtetit shqiptar. Po kështu, nuk kemi asnjë garanci nga qeveria se nuk do të ketë abuzime me fondet e kësaj vepre, abuzime të cilat ka kohë që janë shndërruar në një traditë të institucionalizuar neveritëse.
Ne jemi ndryshe nga zyrtarët që ua urojnë (kjo nuk është hera e parë) këtë vepër dibranëve pa u ndërtuar dhe, të cilët me “modesti” karakteristike, mesa duket, presin të falënderohen meqë po bëjnë punën për të cilën paguhen, punë që, deri tani, asnjëherë nuk është shoqëruara me transparencë, siç do të veprohej në një shtet serioz. Po kështu, ndryshe nga politikanët, si ata fjala e të cilëve ka peshë përsa i përket kësaj vepre, ashtu edhe “sejmeneve” provincialë që i rrethojnë, nuk i jemi futur kësaj pune për të marrë lëvdata. Me historinë e “baballarëve” dhe “varrmihësve” të kësaj rruge le te merret kush të ketë ngenë. Ne na intereson thjesht ndërtimi i saj brenda këtij mandati qeveritar dhe me cilësi të pakompromentueshme.
Ne që po lobojmë për këtë vepër si idealistë të pandreqshëm, do t’ia freskojmë vazhdimisht kujtesën Edi Ramës dhe deputetëve të Dibrës që të mos harrojnë premtimin elektoral të 2013-tës, se kjo vepër do të përfundojë brenda qershorit 2017. Po qe se ky premtim nuk mbahet, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë interesante, dhe jo vetëm në Dibër.
Është mirë që Shqipëria tu jap mundësinë vendeve ballkanike që të kenë akses në Adriatik dhe Jon. Por të jesh “internacionalist” (jo nga “vizioni” por nga trysni jashtë kontrollit të politikës shqiptare) kur afër një çerek milionë njerëz vuajnë izolim të përjetshëm në Dibër, Mat dhe Malësinë e Tiranës, sikur nuk shkon. Kjo nuk na bën ne lobuesve “nacionalistë” por, po të huazojmë një shprehje që Kristo Frashëri përdor në librin e tij për Ahmet Zogun (2014), “patriotë të kulturuar”. Në fund të fundit, nga Rruga e Arbërit, përveç zonave të lartpërmendura, do të përfitojnë jo vetëm Shqipëria dhe kombi në tërësi, por edhe disa vende fqinje.
Ne do ta rifillojmë lobimin pas shpalljes se rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Edhe një herë, ju falënderojmë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme për peticionin për Rrugën e Arbërit.

*****************
Peticioni për Rrugën e Arbërit mund të nënshkruhet në linkun që vijon:
HYPERLINK “https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit” https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Alpion, i rruges, Pezullim parazgjedhor, se Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT