• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Secili të fillojë nga vetja…

July 13, 2022 by s p

Gezim Zilja/

PD-ja duhet të zbërthejë e kuptojë e përfundimisht pse nuk u fitua beteja e rradhës me një qeveri super të korruptuar dhe antipopullore si ajo socialiste. Kjo mund të arrihet me një analizë të thellë e parimore, që PD- ja ka tridhjetë vjet që nuk e bën, as kur humb e as kur fiton. I pari që duhet të japë llogari për humbjet seriale të PD-së është Lulëzim Basha. Kishte mision shkatërrimin e strukturave të PD-së dhe pasurimin e tij, apo ishte një budalla dhe vepronte kuturu? Si qënka kjo punë, që dorëzon ditën me diell, pas katër humbjesh rradhazi ( dy lokale, dy parlamentare) për tetë vjet me rradhë një parti, aset kombëtar si PD-ja, tërësisht të shpartalluar dhe tani ha, pi, tall trapin, bën sehir e vazhdon të punosh kundër bashkimit të demokratëve?! Është e pamundur të organizohet një fushatë fituese nëse nuk nxirren shkaqet e katër humbjeve rradhazi të PD-së me moton: Secili të fillojë nga vetja. 

Duhet të zgjidhet gjendja e paqartë dhe absurde e  grupit parlamentar, që ia ul autoritetin, fuqinë vepruese, vendimmarrëse dhe asfikson PD-në. Nuk ka kuptim që grupi parlamentar të ndahet copash, të mos mblidhet të diskutojë, për gjendjen e krijuar, e të rivotohet për kryetarin e grupit. Nuk e ka luksin PD-ja të gjejë pas tridhjetë vitesh armiq të tjerë brenda rradhëve të saj. Kjo është pa kuptim dhe e turpshme. Duhet t’i bëhet e qartë Berishës, se ai ka vetëm një votë në grupin parlamentar e jo të imponohet me metodat e tij të dikurshme: Bujrum! PD-ja hapur e ka derën. Po kush është ai që e hap dhe e mbyll dyert e PD-së ? Dje Basha sot kush? Te kush duhet të marrë leje Jorida Tabaku, Flutura Açka, Dhurata Çupi, Alfred Rushaj etj ? Te Flamuri, Paloka!? E ç’të keqe ka që nuk janë dakord me Berishën? A nuk thotë statuti i ri, që në PD- lejohet mendimi ndryshe dhe fraksionet? Në PD duhet të zhduket mendimi vrastar, që po nuk je në një linjë me kryetarin e partisë je me Edi Ramën. Si mund të thuhen këto fjalë për mjaft bashkëluftëtarë dhe bashkëudhëtarë plot vlera të PD-së për vite e vite me rradhë? Çështja e bashkimit duhet të zgjidhet me qetësi, me diskutime e votime të hapura, sa më shpejt, jo me inate, me gërmëre, denigrim figurash e goditje poshtë brezit, që karrieristë e intrigantë pëdëistë i përdorin ende me sukses. Të diskutohet e shpjegohet se problemet e vulës në PD nuk zgjidhen me gjyqe pa kuptim por me votim në forumet e PD-së, duke zbatuar statutin e ri. Paditja në gjykatë është lojë e PS-së, e ka gjasa ( është një gjyq absurd tashmë) të vazhddojë me vite, duke e futur PD-në në qorrsokak. Me mënyrën sesi po veprohet sot nga Alibeu e Berisha, duke mos u ulur e biseduar, imponimi e mallkimet nuk do të funksionojnë. Grupi parlamentar duhet të rimëkëmbet duke kuruar plagët e veta, e jo të presë se çdo të vendos komandanti apo vulëmbajtësi me përkrahësit e tyre. Ata që nuk mendojnë si Berisha, nuk janë me Ramën, as tradhëtare, por ja që mendojnë ndryshe dhe kjo është demokracia brenda partisë. PD-ja dhe deputetët duhet të kuptojnë se janë para një detyre historike: Të shpëtojnë Shqipërinë nga gremina ku ku po e çon sekti Rama. 

Programi i PD-së për marrjen e pushtetit.

Mungon një program i qartë sesi PD-ja do të fitojë 200 mijë vota plus, që të marri pushtetin. Shtatë korriku ishte një sukses por nuk ngjalli dot frymën apo uraganin që presin shqiptarët. Pasi të ristrukturojë e unifikojë grupin parlamentar, PD-ja duhet të paraqesë para popullit brenda shtatorit një program të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë me objektiva të qartë. Nuk është program ai që deklaron Berisha në intervistat e tij të pafundme, por një dokument i diskutuar, i shkruar e miratuar sipas statutit të PD-së. Veç parullave fluturake e optimizmit populist, ku deklarohet se Rama i ka ditët të numërura, aksioni politik është në vend numëro. PD-të në rrethe edhe pse u zgjodhën me votë të lirë (me pjesëmarrje të dobët) janë fare apatikë dhe janë kthyer në agjenci lajmesh në fb. Ku janë njerëzit e rinj, vizionarë, të ndershëm nga ajka e intelektualëve brenda e jashtë vendit që do të rrisin forcën e PD-së? Pse po vonohet me reformën territoriale dhe atë zgjedhore? Ligji i vitit 2008 i projektuar nga Berisha e Rama me bekimin e Topit ishte një prapaktheu i madh për demokracinë. Me një ligj të tillë edhe një tuaf si Basha arriti ta kthejë PD-në në pronë private, duke injoruar strukturat e PD-së. Rama nuk është i interesuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ndoshta dhe Berisha, vetë nuk është interesuar për ndryshimin e ligjit se ia kufizon kontrollin mbi PD në zgjedhjet parlamentare. Edhe 24 orë në ditë të punojnë drejtuesit e PD-së prapë nuk mjafton, aq shumë probleme ka për tu zgjidhur. Atëherë çfarë pritet nga ekspertët e departamentet e PD-së? Do të vazhdohet me parullën e vjetër: I di marshalli këto punë! Si të thotë marshalli….

Prova e zjarrit për PD-në janë zgjedhjet lokale.

Ngelet më pak se një vit nga zgjedhjet lokale dhe për reformën territoriale po bëhet shumë pak. Ndarja territoriale, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiake që kemi sot, janë dhuratat e çmuara që Lul Basha me PD-në, u bëri socialistëve. Në se drejtuesit e PD-së nuk zgjidhin problemet e përmendura (nxjerrja e përgjegjësive për humbjet e zgjedhjeve, riformatimin e grupit parlamentar, reforma zgjedhore e atë territoriale, hartimin e një programi për të ardhmen etj.) zgjedhjet lokale do të jenë dështimi i rradhës. Edhe më keq do të jetë gjendja nëse këto i lihen në dorë vetëm Berishës dhe disa të besuarve të tij, duke injoruar strukturat dhe statutin e ri të PD-së. Kur do të shpallen garat për kryetarët e bashkive e anëtarët e këshillave bashkiake, brenda PD-ve në rrethe e Tiranë? Do të veprohet  si e ka statuti i ri me votim nga baza, se sy për “Qabe” deri tani nuk ka? Me këto ritme, e me daljen nëpër TV të përfaqësuesve  të PD-së, ku ca i bien fyellit (nuk ka unifikin të veprimeve) e ca mandolinës, duke u futur nëpër labirinthet djallëzore të emisioneve televizive, kashtë do të ketë me bollëk, po bereqet jo. Shumë tema duhet t’i përcaktojnë ekspertëtë e PD-së dhe jo moderatorët-shërbëtorë të pushtetit. Gjasat deri tani janë që statuti i ri të injorohet dhe gjithçka në zgjedhjet lokale t’i lihet në dorë Berishës dhe njerëzve afër tij, për çastet e fundit. Çdo minutë e humbur nga PD-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale largon fitoren e afron dështimin. 

PS.  U bë dhe mitingu. Fishekzare nuk pati madje as program të PD-së. Këto ditë në ekrane e portale demokratët e “vërtetë” flasin për madhështinë e mitingut, shpalljen e armiqve, zotësinë e Berishës dhe fitoren e sigurt. Por që Partia Demokratike të vijë në pushtet, duhet të kalojë shtatë dete e nëntë male. Kjo është e mundur vetëm nëse vihen në punë të gjitha kapacitetet materiale e mendore të Partisë Demokratike brenda e jashtë vendit.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Mazja

July 7, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Mazja, se kështu i thërrisnin shkurt Elmazit, mërgoi më shumë me këmbënguljen e gruas, se të qe për të, nuk kishte ndërmend të lëvizte nga qyteti. Kozeta, pasi mbaroi klasën e nëntë kreu një kurs rrobaqepësie dhe punoi  pak kohë në një fasoneri por shpejt e la; puna ishte e vështirë dhe paguhej fare pak. Në moshën 20 vjeçare u martua me Mazen dhe brenda vitit lindi dy binjakë të shëndetshëm, me të cilët merrej gjithë ditën. I vetmi vend aty pranë, ku mund t’i nxirrte ishte gomisteria, ku punonte i shoqi.  Kozeta shkonte te puna e të shoqit ku sundonte era e grasos dhe gomave të përdorura, ulej në një karrige shtrembaluqe, nxirrte gjinjtë  e bëshëm dhe  ushqente binjakët. Punonte Mazja, si gomist aty në lagje, te Sevo Qelbashi, një shëmtirë, që vërtetonte pa mëdyshje teorinë darviniane për prejardhjen njerëzore. Në fytyrë dallonin goja e madhe, dy sytë me madhësi të ndryshme, ku i vogli vinte i shtrembër, e që lëviznin gjithandej pa komandë. Sevua, një gomar i tërë, pa mbaruar as tetëvjeçaren, ia kishte dalë të hapte një gomisteri aty pranë shtëpisë në anë të rrugës. Sa herë Kozeta ushqente fëmijët, linte çdo punë, rrinte disa hapa larg në krah të saj dhe shikonte i zilepsur ndërsa syri i shtrembër fillonte e lotonte vetvetiu. Nuk ia ndante sytë asnjë çast derisa Kozeta mbaronte së ushqyeri binjakët, e fuste gjinjtë e mëdhenjë nën bluzën e hollë. Ndodhte që djemtë e vegjël luanin aty rrotull, e Mazja ishte i zënë me punë. Sevua i dilta nga pas dhe i fuste duart e tij kockanjare gjithë graso e vajra në kofshët e gruas së re, duke bërë ohoh, me gojën e stërhapur si një shimpanze, nga i dukeshin dhëmbët e krimbur e jargët, që i vareshin nga buzët e binin mbi kominoshet zgjyrë.  – Ik ore qurrash se do të mbys me duart e mia, ik ore plehrë! – e shtynte gruaja, që pasi merrte binjakët, zhdukej ditë të tëra por nga që e mbyste mërzia vinte sërish. Të shoqit nuk i thoshte për të shmangur ndonjë sherr. Sevua pastaj mund ta largonte dhe rroga e tij ishte e vetmja e ardhur. 

– Do të ikim në Greqi! Nuk ia dalim dot këtu! Mund të gjej dhe unë ndonjë punë andej, -i tha të shoqit. Donte të shkëputej nga ai ambjent mbytës, dhe nga Sevo Qelbashi, që i ishte qepur si ato këpushat e bagëtive e nuk i shqitej. Mazja gjeti punë shpejt te një pronar, që kishte ofiçinë, ku riparoheshin makinat bujqësore. Kozeta shkoi që javën e parë të shikonte, ku punonte i shoqi. Pronari ca i vjetër, i divorcuar po shumë i komunikueshëm dhe i sjellshëm menjëherë pikasi gruan e re. Mazen e paguante jo keq, dhe i propozoi Kozetës të bënte punët e shtëpisë, madje edhe të gatuante nëse dëshironte. Shpejt gruaja e ndjeu veten në punën e re si peshku në ujë. Brenda pak kohësh ndryshoi krejtësisht pamjen dhe sjelljen. Tashmë ajo ishte një grua plot energji e besim në vetvete, e kolme, me flokë të prera shkurt, që i nxirrnin në pah fytyrën bardhoshe dhe faqet me gropëza, me ca vidhje të kërcyera për merak e gjoksin madhështor, që kishte qejf ta vinte gjithmonë në dukje. I shoqi ishte i kënaqur; fëmijët ishin rritur e shkonin në shkollë, të ardhurat ishin të mira, ndonjë lek e vinin mënjanë dhe pronari nuk linte rast pa iu bërë dhurata fëmijëve e veçanërisht së shoqes…  

Dikur Mazja, shkoi në orarin e punës në shtëpinë e pronarit për të marrë një aparat saldimi. Nga dritarja e hapur, pa Kozetën shtrirë në divan, gjysmë të zhveshur, që ledhatonte gjithandej pronarin grek, që rënkonte nga kënaqësia. I tronditur nga ajo që pa nuk hyri brenda dhe shkoi drejt në shtëpinë e vet. Ishte njeri paqësor, punëtor i madh, nuk përzihej me punët e të tjerëve dhe këtë hata nuk e priste nga e shoqja.  Gjithë jetën kishte qenë korrekt me familjen  dhe rrogën ia dorëzonte pothuaj të gjithë Kozetës. Fillimisht i shkrepi në mendje t’i fuste një sopatë kokës siç kishte bërë një bashkëkombas, (për të ruajtur nderin, kishin thënë) që përfundoi me burg përjetë dhe fëmijët morën rrugët. Pastaj i tha vetes të divorcohej, ta dëbonte nga shtëpia si grua e pabesë por sërish bëri prapaktheu. Banonin në një nga shtëpitë e pronarit dhe ai që do ikte nga shtëpia ishte vet ai, sepse fëmijët do të rrinin me t’ëmën, me të cilën ishin shumë të lidhur. Makinën me të cilën shkonte në vendlindje dhe i shiste mend Sevo pocaqisë, greku ia kishte dhuruar Kozetës për ditëlindje, shkolla e fëmijëve, puna e tij, e gruas, pastaj … Dukej fare pa rrugëdalje. Vetëtimthi i lindën disa dyshime dhe filloi të arsyetojë pak i lehtësuar: Po sikur mos të ishte e vërtetë dhe t’i kishin bërë sytë? Po sikur mos të qe e shoqja por një grua tjetër se grekun e pa mirë që ishte? Po sikur ta kishte parë dikush tjetër? Po që ishte e shoqja me gjoksin e veçantë, që ai e njihte mirë… Lëmsh e kishte mendjen, kur dera u hap dhe Kozeta e buzëqeshur ia behu, duke shpërndarë në gjithë shtëpinë një aromë të rafinuar zambakësh. – Nuk i ke marrë ende fëmijë nga shkolla? Po shkoj vet s’ka problem. Dëgjoi zhurmën e makinës, që u largua. I dërrmuar  erdhi rrotull nëpër shtëpi një copë herë dhe vendosi: Ndarja me gruan ato çaste, do të ishte katastrofë për familjen. Por pa ia thënë atë që kishte parë nuk do e linte, se nuk ishte aq legen sa ta mbante në kurriz një turp të tillë! Po le ta dëgjonte një herë ç’do të thoshte Kozeta!? Apo të priste të rriteshin dhe pak fëmijët, të grumbullonte ca para, e të ikte përgjithmonë në Shqipëri!? Do ngrinte biznesin e tij, një gomisteri, për merak… 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”

June 29, 2022 by s p

Gezim Zilja

Në vitin 1944 Musineja botoi veprën e saj “ Dasmë…Sa u tunt jeta”. Me një gjuhë të pasur në dialektin e mrekullueshën të krahinës së Gjirokastrës, plot ngjyrime, hollësira e delikatesë, na shpalos ritet mahnitëse të një dasme gjirokastrite, kryesisht atë që bëhet në shtëpinë e nuses deri në çastin, që ajo del nga shtëpia dhe përcillet për në derën e burrit të ardhshëm. Dasmat zakonisht fillonin ditën e enjte dhe mbaronin ditën e diel. Ditët e dasmës jepen të emërtuara sipas traditës: Dita e Nishanit, (Ç’thanë për mua e për tinë/ Trëndelinë moj trëndelinë/Dojë të prishnin krushqinë/Dhanë e dhanë e dot se prishnë/Kot që vejnë e kot që vijnë/ Se ne kishmë dashurinë.) Dita e Nigjahut, (Moj dora me bezeliqe, /Ç’dolle në udhë e më prite/Diç më the më porosite/ Për një par’ vëthë nazike/Në Janinë ç’i porosite.) Dita e Vetullave, (Vetullatë pse tu nxinë/Sikur ke vënë mazinë?/Jo, jo, jo për perëndinë/Po kam vetë bukurinë.) Nata e Brumit, (Uromë baba uromë!/Gëzomë baba gëzomë!/Sonte që zëm brumëto/Me mjalt e me qumështo). Dita e Kënasë, (Erdhi koha për këna/Xhemile fat madhija/ Shkëputu nga vallija/ Lum babai që të ka /Vure Xhemile kënanë!/Se të rri nanaja pranë.) Nata e vajzës, (Dallandushe vogëlo/Dale, dale ref./Primë sa të rritemo!/Të bënem sa shoqeto/Sa Libohoviteto/Sa gjirokastriteto/Të vemi në kasaba/Të zëm’ shtëpi me qira/Me xhame e taraba/Jashtë e brënda me boja’.) Dita e nuses, (Ç’ke moj nuse që mejtone?/I mejtonem vashërisë/Se u’ vajzë s’bënem kurrë/Më thonë grua me burrë.). Këngët e vallet në këto katër ditë dalin nga shpirti i popullit shqiptar, ku vuajtjet ishin të shumta dhe gëzimet e ditët e lumtura të pakta. Në ritet e dasmës përfshihen babai, nëna, vëllai motra, dhëndëri, vjehri, vjehra, fisi e gjithë të ftuarit e tjerë. Sigurisht që motivi kryesor në këngët ku pikon malli për ndarjen e vajzës nga prindërit, janë besnikëria ndaj fjalës së dhënë: (A në prill a në maj/Gjersa vdekja të na ndajë), bukuria e vajzës dhe djalit, shtëpia që do të krijojnë, fëmijët që do të vijnë si bekim për familjen etj. Ditët e dasmës te  shtëpia djalit dhe e vajzës përcillen me valle e këngë popullore ku krijues e aktorë janë vetë dasmorët, pa përjashtuar as fëmijët, të cilët kanë rolin e tyre. Autorja shkruan: “Niset kënga nga Dita e Shënimit, tek Nata e Brumit me mashalla nëpër udhë me pishë të ndezura nga të vegjëlit në duar, si nga ana e djalit dhe ashtu e vajzës. Vepra 2, faqe 169” Janë rreth 5.000 vargje të zgjedhur me shumë kujdes, midis mijëra të tjerëve, të vendosur, plot sqimë, me një dialekt jugor, që tigëllon me një bukuri e muzikalitet të rrallë, (Tatëpjetë malit vije/Jelek verdha veshuro/Thaçë se vije tek unë/Dolla duke qeshuro/Me duar përveshuro/Ti vajte te kishe punë/Hira zemëruaro/Me duar lëshuaro/Mik në të mbeti qejfi/Kthenem në të shkuaro) sa është e pamundur ta mos shkëputesh për një çast nga leximi i tyre e të përfytyrosh atë mori njerëzish, që kërcejnë e këndojnë, japin e marrin me njëri-tjerin, (Bota janë vrarë e prerë e janë pajcuaro/Ne as vrarë as prerë jemi/Fjalë s’kemi ndërruaro.) plot optimizëm, humor e gëzim, sa ndjen edhe ti dëshirën të bashkohesh me ta,  për të kënduar e kërcyer, për të gëzuar jetën, që paraqitet aq natyrshëm, aq thjeshtë e plot dashuri, ku gjithkush ndihet aq mirë, duke lënë mënjanë urrejtjen, mëritë  e zënkat e kota. Këngët këndohen zakonisht nga gratë e fisit dhe të lagjes mes humorit,( Juve krushq hai e pini/Lugëtë mos i fshihni/Thela në xhep mos vini.) gëzimit, merakut për tu zbatuar me rreptësi gjithë zakonet, duke sajdisur veçanërisht njerëzit e pranishëm, të ftuar e të paftuar. Krahas humorit brilant nuk mund të mos vihet  re edhe nepsi për pak birek nga i dasmës për ata që nuk mund të ishin aty për arsye të ndryshme: (Lum ti more birek/E vë Haxhua nëpër xhep/E kanë porositurë/Haxho moj të keqenë/Birek nga të dasmësë.) Ndërsa dëgjon këto këngë të mrekullueshme ndjen që shpirti të mbushet plot hare e vetvetiu të vjen të buzëqeshësh e të thuash i mrekulluar: Sa bukur! Do të këndoj edhe unë e do të marr një valle se shpirtin e kam plot. E rritur në një shtëpi të pasur për kohën dhe e pajisur me dashuri për vendin dhe kulturën shqiptare, Musine Kokalari nuk mund të mos vinte re krahas të bukurës edhe varfërinë e sidomos jetën e mundimshme të gruas shqiptare për kohën kur jetonte. Kjo bijë e Gjirokastrës, plot ëndërra e dëshira për vendin e saj, krahas përshkrimit të gjallë e jetësor të riteve të mrekulleshme të dasmës gjirokastrite, ku shpalosen gëzimi dhe humori popullor, me të gjitha ngjyrimet, nuk mund të rrijë mospërfillëse e të mos vërejë varfërinë e zakonet e tjera, që shtypin, ndrydhin dhe kufizojnë të drejtat e gruas shqiptare. Pasi shpalos me pak fjalë bukurinë e dasmave, në faqet e fundit të librit, krahas trishtimt dhe dhimbjes, Musine Kokalari  thurr një himn madhështor për qytetin e lindjes, që nuk e kam parë në asnjë libër të shkruar i deri sot: “…Kush u martua dhe s’u gëzua? Dasmë pa mishra s’bënetë, dasmë pa hatëre të mbetura nuk ka. Gjirokastra bota e madhe pa funt që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra ime an’e mbanë me shkëmbinjë e udhët plot gurë. Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në zëmërat tona. E shkuara ëndërr e bukur… Gjirokastra e kujove dhe këngëve që buçitnin një herë e një kohë nga dritaret e mëdha të shtëpive buzë përronjëve ndënë hijen e rëndë të kalasë së Ali Pashës. Sa u tunt jeta, është ëndra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite, që pas asaj ajo vihet nën thundrën e vjehrës, rron nën tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit, që fjala e tij është urdhër për të…” 

Musineja thekson se kohët kanë ndryshuar për mirë dhe gruaja me guxim po kërkon të zerë vendin e duhur në shoqërinë shqiptare, si në të gjithë kombet e përparuara. Në mbylljen e librit ajo shprehet plot besim për të ardhmen, duke dhënë më vonë shëmbullin e saj, bashkë me pak gra të tjera, që u bënë kurban nga diktatura se kërkuan një rend shoqëroror demokratik, ku njerëzit të ishin të barabartë para ligjit dhe të shprehnin lirisht fjalën. Plot dhimbje e shpresë, plot 80 vjet më parë përfundon: “Gruaja sot nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë, për të drejtën që ka si pjesë e pandarë e asaj që është. Fq. 225-228.” Këto bindje të hershme të kësaj gruaje trime dhe të mençur, arsimuar në Itali, që Zoti veç të tjerave e kishte pajisur me një bukuritë mbresëlënëse, do të binin ndesh me pikëpamjet e udhëheqësve komunistë, që pllakosën si një murtajë mbi Shqipërinë, duke e  mbajtur nën terror për dyzetepesë vjet me rradhë. Pranoi çdo dënim dhe një jetë plot vuajtje, sakrifica e mundime, por nuk u dorëzua dhe nuk kërkoi ndjesë për bindjet e saj. Studimi “Dasmë sa u tund jeta” hyn në veprat më të mira të letërsisë shqiptare për historinë, këngën e traditat  e dasmës shqiptare. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, musine kokalri

Folklori si ruajtës i gjuhës dhe vlerave kombëtare

June 16, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Në shekullin e XV, kur Shqipëria i bëhej mburojë Evropës, duke u sakrifikuar me gjithësej, duke u kthyer në një tokë të djegur e të shkretuar,  kjo jetonte Rilindjen e saj, duke hapur shkolla, teatro, universitete, duke arritur majat më të larta të zhvillimit ekonomik artistik e kulturor. Me rënien e Arbërisë, shqiptarët u gjendën në  kushtet e një terrori të pashëmbullt; nga të gjithë popujt e pushtuar të Ballkanit vetëm ai shqiptar u ndalua të shkruante e të mësonte gjuhën amtare. Kjo hata e padëgjuar kurrë më parë zgjati deri ditën kur Shqipëria shpalli pavarësinë.  Në qiellin shqiptar për 450 vjet ndriçoi drita e zbehtë me ngjyrë meiti e gjysmë-hënës turke, që u ul këmbëkryq në ato troje të lavdishme, ku kodi i besës dhe i nderit ishin nenet themelore  të jetesës dhe organizimit shoqëror. Pushtuesit turq nuk u mjaftuan me rrafshimin e kështjellave dhe qyteteve por mëtuan të zaptonin, shkatërronin e të zëvendësonin kulturën, traditat, filozofinë, këngët, vallet, meloditë, kostumet e gjithçka tjetër, që shkakton zvetënimin dhe rënien e një kombi. Gjithë kjo orvajtje për të zëvendësur botën shpirtërore të shqiptarit (që nënkuptonte asimilimin e tij) me një kulturë tjetër shumë më pak të zhvilluar se e tyre, barbare dhe armiqësore, gjeti kundërshtimin tërësor  të banorëve të Arbërisë. Gjatë katërqind  vjetëve lufta do të zhvillohej sërish e egër por në një plan tjetër, atë shpirtëror. Në këtë betejë 450 vjeçare shqiptarët treguan se janë një popull i pamposhtur dhe tepër më superior se pushtuesit. Qëndrueshmëria dhe papërkulshmëria tashmë do të shpreheshin në mënyrë të shkëlqyer në ruajtjen me fanatizëm të gjuhës amtare, të riteve, zakoneve,  këngëve,  valleve, veshjeve, e gjithçka që dallon një komb nga një tjetër. Ruajtja e gjuhës dhe traditës u kthye një një mision historik, që do të bënte të pamundur depërtimin e kulturës së pushtuesit turk. Kënga e poezia popullore tashmë do të zhvillohej e do të kapte maja të papara. Në të gjithë atë perandori që shtrihej në tre kontinente vetëm gjuha shqipe u dënua me vdekje. Sulltanët njëri më i egër se tjetri ndaluan, që kjo gjuhë me të cilën kishin folur perënditë në vigjilje të njerëzimit, të shkruhej në libra e sidomos të mësohej në shkolla.  Gjithë “kujdesi” i pushtuesit  ishte që kjo gjuhë të mos kishte alfabetin e vet e të mos shkruhej. Edhe në fund të shek. XIX e fillimet e shek. të XX, kur bota ecte  me ritme të larta drejt zhvillimit e përparimit, pushtuesit turq ndonëse ishin armiq me grekofonët bashkëpunuan me ta, duke ndaluar përhapjen e shkollave dhe arsimit shqip. 

Në këto kushte kënga dhe poezia popullore zuri një vend qëndror në jetën e shqiptarit. Ajo kishte një qëllim final fisnik, të mbijetesës së gjuhës, traditës dhe  historisë. Kënga dhe poezia do të ishin elementët kryesorë, që interpretoheshin në mjediset familjare, në dasma, fejesa, mbas punës së përditëshme, në gostira me miq, në vaje e fatkeqësi. Ato do të ishin një kronikë e saktë e jetës shqiptare, asaj të përditëshme dhe asaj së shkuar. Në repertorin e këngëve do të ringjalleshin e shfaqeshin si kurrë ndonjëherë eposi i kreshnikëve, baladat e vjetra të murimit, Doruntinës, Ago Imerit, këngët që evokonin kohën e lavdishme të Skënderbeut, këngët e qëndresës kundër pushtimit turk, këngët e vajit, të trimave, kaçakëve, të kurbetit, këngët historike dhe ato të mrekullueshmet, këngët e dasmave, fejesave, të dashurisë, të bukurisë, të martesës, ninullat, këngët për natyrën, e ato humoristike; të gjitha ato këngë që tregonin se ata ishin shqiptarë, se gjysmëhëna ishte e huaj dhe nuk kishin asgjë të përbashkët me ta. Në librin e tij “Autografia e popullit tim në vargje” Ismail Kadareja do të shprehej: “Për shumë shekuj me rradhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij: historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare kumti i tejçuar nga brezi në brez. Ajo zëvëndësonte shkollën, botimet, gazetat, universitetin akademinë. f.12”. Vërtet në Shqipëri deri në shek. XIX nuk u vunë në skenë vepra teatrale, apo operistike, por kënga dhe vallja popullore vazhdoi të përsosej e transmentohej brez pas brezi si një shoqërues i pazëvendësueshëm i identitetit kombëtar. Edhe pasi gjuha shqipe u lejua të shkruhej e të botoheshin libra, kënga popullore e në përgjithësi folklori shqiptar nuk do ta humbte rëndësinë e tij, përkundrazi njohu një zhvillim të mëtejshëm. Ai vazhdoi të pasqyronte me vërtetësi, jetën e shqiptarit, varfërinë, kurbetin, qëndresën ndaj padrejtësive, këngët e dashurisë, pamundësisë për të zgjedhur njeriun e jetës, të mallit e ndarjes, duke sfiduar shpesh letërsinë dhe poezinë e shkruar. Edhe gjatë diktaturës kënga popullore e ruajti indentiten e saj megjithëse u ndodh nën trysninë e doktrinës komuniste, që duhet me patjetër t’i këndonte e thurte lavde diktatorit, partisë dhe “jetës së lumtur.” Madje dhe kuptimi i Atdheut dhe këngët për të, u rrudhën e mpakën sepse në plan të parë, e mbi çdo dashuri tjetër u vendos partia dhe udhëheqësi i saj. Megjithatë kënga popullore ruajti fizionominë dhe pavarësinë, duke u zhvilluar më shumë në drejtim të këngëve të dashurisë, kurbetit e sidomos ato të trimërisë e historike, duke mos u vunë tërësisht në shërbim të diktaturës. Ishin më të shumta këngët e poezitë kushtuar jetës së përditëshme, dashurisë, të kaluarës heroike, përpjekeve për liri e pavarësi, sesa ato që i thurrnin lavde diktaturës dhe diktatorit. Poezia dhe kënga popullore nuk shkoi paralel por “devijoi” nga kultura, letërsia dhe arti zyrtar, i diktuar nga teoria socialiste apo komuniste. Në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje” botim i Onufrit, viti 2002,  Ismail Kadereja shkruan: Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të regjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Po të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist këngës popullore. Me vështirësi mund të gjesh aty midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose  ninullë, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Midis atij deti këngësh e vallesh për partinë dhe Enverin (Marsho Dibra e Partisë/Fole shqipesh , buz’ kufinit/Ylli i Artë ç’të ndrin në gjoks/Moj kala gur’ rubinit.) ose (Brigada në punë/ shkon si vetëtimë/ këngën më të bukur/ këndon për partinë. ) tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” që edhe kur përmendeshin heronj të Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër duke u shndërruar në këngë propaganduese:  Është mjelëse me lopë/E dua shokë me kokë/E dua shokë e dua/Se ajo është për mua/Punëtore s’lodhet kurrë/Në çdo garë merr flamurë.) ose, Nënë më thërret partia/në aksion do shkojmë/Është e jona Shqipëria/Do ta zbukuromë/Atdheun dhe socializmin/Nëno do t’i mbrojmë/Armiku le të pëlcasë/Ne do të marshojmë.)  Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre: Oh, sa gëzim ka fshati/ U arrestua Reshati/Reshati armiku ynë/ Partia ia bëri mirë. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.”  Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne.  Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.

Filed Under: Sociale Tagged With: Gezim Zilja

Ndaleni marrëzinë e kryeministrit me portet e Durrësit

June 1, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Porti i Durrësit është projektuar, që të përpunojë rreth 8 milionë tonë mallra në vit. Edhe në vitet më të mira ky proces nuk e ka kaluar kurrë shifrën e përpunimit të katër milionë ton mallrave, pra nuk arrin të shfrytëzohen as 50% të kapaciteteve të tij. Tani na del “nevoja”  të ndërtojmë një port të ri në Porto Romano me kapacitet 50 milonë tonë në vit që sipas KM-së: “ky ishte qëllimi ndaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte rrëmujë e tërë, nuk kishte kapacitet për t’u zgjeruar, ndërkohë që porti i ri ka potencial, kapacitete dhe na bën portën hyrëse në gjithë Ballkanin Perëndimor. Zgjatimi i portit në Prishtinë është kryevepër. “ Sa i papërgjegjshëm është KM-ja ynë?! Porti ekzistues nuk shfrytëzohet as 50% e ky dërdëllit plot arrogancë për zgjerim kapacitetesh e investim miliardash, në një vend të varfër si Shqipëria! 

 Një vendim i tillë nuk ka ardhur si kërkesë e tregut apo nevojave, që ka sot aktiviteti portual, as e ndonjë studimi të veçantë, por ka ardhur thjeshtë si pasojë e vendimit të KM-së, me një mendjelehtësi marramendëse, delirante, të një plani faraonik për të hyrë në histori si një Keops. Qëllimi kryesor i tij është gllabërimi falas nga arabët i 80 ha tokë, në zemër të bregdetit shqiptar, 60 ha akuarium dhe katër km kalata të portit të Durrësit për ndërtime futuriste alla Dubai ( tashmë në formë shqiponje) pa asnjë mendim, studim inxhinierik dhe ekonomik të thelluar. Po me këtë mëndjelehtësi pa asnjë studim, KM-ja vendosi që  porti i Durrësit të kalojë në Porto Romano. Kjo thjesht me një të rënë të lapsit pa bërë asnjë konsultim me banorët e Durrësit, grupet e interesit dhe qarqet akademike, inxhinierike e detare të Shqipërisë. 

Qeveria shqiptare me këto veprime injoron plotësisht marëdhëniet dhe planet e zhvillimit të portit të Durrësit në marrëveshje me Bashkimin Europian. Ka një plan të transportit kombëtar, të financuar nga BE,-ja që është përfunduar në fund të vitit 2019. Ky plan nuk parashikon ndonjë projekt  për ndryshimin e destinacionit të këtij porti. Madje BE-ja ka ende projekte për zgjerimin e modernizimin e mëtejshëm të Portit të Durrësit. Në raportin e vitit 2021 të paraqitur nga ana e Komisionit Evropian për Shqipërinë (Raporti i Komisionit në Komitetin e Marëdhënieve me Jashtë 26.04.2022) theksohet sërish se projektet infrastrukturore, duke përfshirë dhe atë në Portin e Durrësit, duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së sa i përket prokurimit publik, të cilat janë përcaktuar në marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që zbaton me symbyllur urdhërat e KM-së dhe që as ia ka idenë ndërtimit të porteve, në interpelancën e para dy muajve në parlament pyetjes, përse u hartua një ligj i posaçëm për të shmangur konkurrencën, në kundërshtim me udhëzimet e Brukselit nuk iu përgjigj. Për gjysmë ore projekti i ndërtimit të portit në Porto Romano (rreth dy miliard euro) u aprovua, në 3D nga KM-ja. Theksojmë se specialistë të inxhinerisë dhe detarisë gjejnë mjaft mangësi në projektin hollandez dhe e quajnë gati të pamundur (kosto shumë e lartë, mosarritje e thellësisë së nevojshme, porta hyrëse etj.)  ndërtimin e një porti të përmasve të tilla në Porto Romano. Ato që përcaktojnë investimet janë tregu, fitimi, leverdia ekonomike. Osman Metalla, dekan në Universitetin e Durrësit dhe profesor në Departamentin e Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë, është shprehur:  “Vendime të tilla kërkojnë bazë të gjerë të dhënash. Një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e metodës top-doën, nga lart-poshtë. Nuk ka ardhur si kërkesë e tregut apo nevojave, që ka sot aktiviteti portual, por ka ardhur si pasojë e vendimit të një individi, i cili vendosi që portin duhet ta kalojmë diku tjetër.” Për ta mbyllur po shtroj disa pyetje, për parlamentarët shqiptarë, që hanë fara luledielli, bëjnë gër-mër ose i servilosen paturpësisht KM-së. 

  1. Pse do të çvendoset Porti i Durrësit në Porto Palermo, kur ai nuk shfrytëzohet as në 50% të kapacitetit të tij?
  2. Si mund të bëhet një projekt i tillë, për çvendosjen e të parit dhe ndërtimin e të dytit, pa studime fizibiliteti për të cilët kërkohen të paktën dy vite punë?
  3. Sa është vlera e ndërtimit të portit të ri dhe nga do të financohet ai në vlerën marramendëse të parashikuar nga specialistët shqiptarë? Pse projekti është pranuar pa garë, duke injoruar plotësisht vërejtjet e BE-së për tenderim dhe mosndryshim destinacioni të portit ekzistues?
  4. Si do të organizohet çvendosja, që të mos ndërpritet puna e të mos largohen klientët e përhershëm të portit ekzistues?
  5. Sa kohë do të zgjasë ndërtimi i Porto Romanos?
  6. Një port i përmasave të tilla ( më i madhi në Ballkanin Perëndimor sipas KM-së) pa ndërtuar më parë linja hekurudhore dhe autostrada, që të lidhin Porto Romanon me Prishtinën, Podgoricën, Shkupin, Sofien, Varnën, Lubjanën, Sarajevën, Beogradin është aventurë. Që këto të realizohen duhen të paktën dhjetë vite. Pa këtë infrastrukturë, ndërtimi i portit është si të shkosh për gjah pa çifte, vetëm me zagarët.  Ndërkaq në Greqi e Kroaci janë dy porte super modern, ai i Selanikut dhe Rijekës (në përfundim)  që pranojnë ankorimin e anijeve të gjeneratës së fundit. 
  7. Do të jetë porti më i madh dhe portë hyrëse për Ballkanin Perëndimor, tha KM-ja. Po portet moderne të mallrave të Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi e Sllovenisë nuk do të punojnë më? Porti mund të bëhet ( 50 milion tonë në vit) por ka një logjikë ekonomike e gjeografike mbi shfrytëzimin e porteve,  dhe mbi këtë bazë caktohet kapaciteti i tyre?! Mjafton për këtë vetëm dëshira e piktorit, alias KM-ja i Shqipërisë dhe jo mendimi i specialistëve?
  8. A ka dijeni qeveria e Prishtinës për “portin e thatë” të Prishtinës, është kjo një rritje shpenzimesh nga hollandezët  apo e parashikon Open Ballkani? 
  9. PS: Heshtja e deputetëve socialistë për aferën e porteve është tradhëti ndaj kombit. Ndërkaq opozita ka humbur rripin e pantallonave dhe akademikët e Akademisë së Shkencave janë nën urdhërat politikë të gjeneralit të ‘97-ës Skënder Gjinushi. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT