Nga Qamil S. Llashtica-Toronto/
Me datën 11 dhe 12 prill të vitit 2015 kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” me seli në Nju Jork, – dr. Gjon Buçaj vizitoi degën e “Vatrës” në Toronto të Kanadës. Kjo degë në këtë qytet u themelue para afër dy vjetësh si themelatë e parë e këtillë në shtetin kanadez, pas viteve ’90, pasi me pare Vatar ka pase dy dege ne Kanada. Me këtë rast i informojme lexuesit se formimin e degës së Torontos e ndihmoi drejtpërdrejti dega e Detroidit. Asokohe në Kuvendin Themelues të degës sonë mori pjesë kryetari i saj z.Alfons Grishaj me vatranët – bashkëpunëtorë e tij.
Me kryetarin z.Buçaj kishte ardhun edhe i biri i tij, z. Lekë Buçaj. Ky djalosh i gjatë dhe mjaft simpatik, le e rritë në Amerikë, e flet shqipen për mrekulli; prania e tij në këtë mbledhje i entuziazmoi sidomos vatranët kosovarë. Ishte Leka i cili mori pjesë në fushatën ajrore të pranverës së vitit 1999 mbi Kosovë, prandaj unë u detyrova ta përqafoj tri herë këtë djalosh guximtar. Ndërsa ai vetë thotë se “ato ishin ditët ma të lumtuna të jetës sime – ditët e bombardimit”, Leka insiston të sqarojë se ishte pjesë e nji ekipi që fluturonte mbi Kosovë në kohën e bombardimevet, në mbështetje të bombarderavet, jo si pilot dhe aeroplani i këtij ekipi nuk lëshonte bomba, megjithëse kryente nji shërbim të randësishëm, të natyrës informative.
Me rastin e ardhjes së kryetarit të “Vatrës” në këtë qytet, mikpritësit e këtushëm organizuen nji takim pune të dielën me 12 prill. Në mbledhje merrte pjesë kryesia e degës së “Vatrës”, shumë nga anëtarët e saj si dhe mjaft simpatizues, disa nga të cilët në këtë rast u antarsuen në “Vatër”. Në mesin e të antarsuemëve ishte edhe atdhetari dhe veprimtari i njoftun i këtij qyteti, z.Faik Shabani, i lindun në Tërnovcin e madh të Kosovës. Ishte këtu edhe televizioni shqiptar i Kanadës “Pasqyra Shqiptare”, me këtë rast dr. Buçaj dha nji intervistë të shkurtë për shikuesit e këtij televizoni në Kanadë, ku spjegoi qellimin e kësaj vizite dhe se çka pritej me u realizue mbas kësaj vizite. Kryetari i Degës së “Vatrës” në Torontos, z.Tony Sufaj, e falenderoi ngrohtësisht z.Buçajn që kishte marrë mundimin me na vizitue neve këtu në Toronto. Ai foli për përpjekjet e vatranëve, punën dhe organizimin e tyne mbrenda këtyne dy vjetëve, për synimet, masovizimin e popullarizimin e “Vatrës”, në rajonin e gjanë të Torontos në të cilin llogaritet se jetojnë rreth 30-40 mijë shqiptarë. Sekretari i degës z. Roland Isai – nji veprimtar i shquem ndër shqiptarët e këtushëm, e hapi mbledhjen dhe i uroi mirëseardhje mysafirit të nderuem. Ai ma shumë foli për nevojën e organizimit në drejtimin politik e diplomatik, si këshilltar i kryeministrit kanadez që asht ai ka raporte të mira dhe vajtje-ardhje me shumë deputetë provincial, federal dhe lidhje të ndieshme në ministrinë e jashtme kanadeze. Z. Isai ka nji përvojë dhe aftësi të madhe oratorike, politike e diplomatike; ai kërkoi që edhe shqiptarët e Amerikës të punojnë ma shumë me politikanët, diplomatët, kongresistët e senatorët dhe në përgjithësi me gjithë popullin mik amerikan, krejt kjo për mbarvajtjën e çashtjes shqiptare.
Autori i këtij shkrimi, që asht nënkryetar i kësaj dege, ma shumë foli për shtrirjen e “Vatrës”, aktivitetet, veprimtarinë dhe punën patriotike me shqiptarët e Sanxhakut, Bosnës, Hercegovinës, Dalmacisë, etj. Këta shqiptarë të hapsinave shumë të mëdha janë gjysmë ose bukur shumë të asimiluem. Sa i përket Sanxhakut këtu ndjenja e përkatësisë shqiptare asht mjaft e dukshme ndërsa te ata të Bosnjës, etj po forcohet ndjenja se i përkasin gjakut ilir dhe kjo në këtë stad asht e mjaftueshme. Të punohet me ta si në emigracion ashtu edhe në vend, atje duhet të depërtojnë sa ma thellë shkencëtarët, studiuesit, gazetarët, kronistat, sidomos televizionet e Prishtinës, dhe të vërrshojnë drejt veriut e veriperëndimit, të gjejnë njerëz, informatorë, pleq, fakte, t’i fotografojnë dhe shënojnë vendet e ngjarjeve tragjike, të gjinden vendet dhe fushëbetejat ku luftuen vullnetarët shqiptarë për mbrojtjen e kufive dhe të kësaj popullate prej kohës së krizës lindore 1876-78 e deri në ditët e sotme. Këta janë njerëzit tanë, ata kanë humbun vetëm gjuhën. Akademitë dhe instuticionët shkencore shqiptare duhet të jenë shumë ma aktiv në këtë drejtim, për mos me thanë shumë ma agresiv.
Dr. Buçaj në ekspozenë e tij gjithpërfshirëse kapi shkurtimisht nji epokë mjaft të gjatë, që nga koha e Rilindjes Kombëtare madje edhe ma heret, me të cilën krenohet kombi i jonë, e deri më sot. Ai dhe të gjithë folësit e maparëm nuk e lanë pa e përmendun, pa u falun e pa u përkulun para figurave madhore të kombit tonë F.Konica e F.Noli. Gjatë kësaj kohe ma shumë se 100 vjeçare janë formue me dhjetëra ndoshta edhe me qindra organizata shqiptare patriotike që janë quejtun me emna të ndryshëm, si: grupe, klube, bashkësi, bashkime, shoqëri, shoqata, komitete, komunitete, gazeta, parti, etj. Mjerisht nji pjesë e madhe e tyne kanë pasun jetë jo aq të gjatë, janë krijue e mbas disa muejsh apo vjetësh janë shue dhe kanë pushue veprimtarinë e tyne për arsyena të ndryshme, ndërsa “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i qëndruen fortunave dhe stuhive mbi njishekullore dhe sot janë dhe veprojnë pashkëputshëm, prandaj duhet t’i bashkohemi “Vatrës” se ajo ka tregue vitalitet dhe u ka ba ballë dallgëve të kohës. Ajo ka ba shumë për Shqipninë por na ka mbetun edhe shumë punë me ba. Ma vonë dr. Buçaj na e tërhoqi vërejtjen seriozisht tue e thanë se “jetojmë në nji kohë të mbarsun me rreziqe, nuk dihet çka sjell e nesërmja, gjendja në Ballkan, në Europë ashtë relativisht në paqë, por duhet qyshë tash të mendojmë dhe të jemi të bashkuem dhe të përgaditun për çdo të papritun.
Fjalën e morën edhe mjaft të pranishëm të cilët, në rradhë të parë, e falenderuen dr. Gjonin dhe dhanë fjalën se për atdhe janë të gatshëm të bajnë çdo gja që asht e mundshme.
Në fund, kryetari i “Vatrës” së këtushme z.Tony Sufaj, këtë takim e vlerësoi mjaft të suksesshëm dhe të frytshëm, e falenderoj përzemërsisht kryetarin e “Vatrës” qendrore dr. Gjon Buçajn për vizitën që ia bani kësaj dege dhe i uroi atij jetë të gjatë dhe rrugë të mbarë.
VATRA, NJË JETË PËR HARMONINË FETARE- EKSTREMIZMI I PAPRANUESHEM PER SHQIPTARET
Nga Dr. Gjon Buçaj/Kryetar i Fderatës VATRA/*
Ne Foto: NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve./
Lajmet se në luftimet në Siri dhe në Irak marrin pjesë edhe shqiptarë, përkrah organizatave terroriste siç janë ISIS dhe Al-Nusra, kanë shkaktue shqetsime të thella në botën shqiptare në përgjithësi, si mbrenda trojevet ashtu edhe në diasporë. Prandej aktivizimi konkret i organevet ligjore e të sigurisë, sidomos këto ditë në Kosovë, asht përshëndetë me vlerësim si nga organet institucionale ashtu edhe nga publiku i gjanë.
Mediat njoftojnë se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka cilsue arrestimin e 40 personave të dyshimtë, si akt me qellim “që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurtë, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”.
Edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka theksue se “Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike të Kosovës, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”.
Ka premtime se ndjekja ligjore do të vazhdojë, me qellim për të shpëtue Kosovën nga rreziku i pallogaritshëm që mund t’i sjelli kjo doktrinë e hueja, e cila nuk ka të bajë me islamizmin e vërtetë, por përkrahet dhe financohet nga ambjente anmike të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Përvoja tregon se doktrinat ekstreme munden me u mjellë ma letë në mjedise ku vorfnia dhe papunësia janë të nalta; mjerisht të dyja janë të dukshme jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipni, kurse në botën arabe shto edhe primitivizmin; atje vrasin njeni tjetrin në menyrnat ma barbare, në emën të të njajtin Zot. Nuk asht punë për shqiptarët me u ndimue atyne në këtë lloj krimi të pakuptim.
Nji fjalë e urtë thotë: “Në se nuk të ndigjohet zani për mirë, asht ma mirë mos me t’u ndigjue aspak”. Mirëpo, asht edhe nji proverb tjeter negativ që,mjerisht, gjenë jehonë te nji pakicë: “Burri e ka me borxh me iu ndigjue zani, për mirë ja për keq”. Te kjo pakicë asht rrezik se mund të krijohen idhuj të gabuem, prandej rroli edukues i medias së shkrueme dhe i asaj elektronike asht me shumë randësi, krahas me vendosmëninë në veprim pa ekuivoke të institucioneve ligjore dhe fetare.
Përsa u përket besimevet tona, VATRA i ka dhanë randësi harmonisë ndërfetare, prandej ka ba thirrje që ajo të ruhet, tue përkrahë dhe tue mbrojtë institucionet dhe klerikët që e ushqejnë këtë ndjesi fisnike kombëtare. Kemi porositë mbrojtjen e tyne pse janë vrejtë raste violence nga radikalët agresivë kundër klerikëvet që mbajnë rrugën tradicionale të fesë e të kombit. Në fund të këtij shkrimi po sjellim për lexuesat disa citate që pasqyrojnë këtë qëndrim të Vatrës.
Kosova ka përballue probleme shumë ma të mëdha gjatë historisë së vet, prandej nuk ka dyshim se edhe këtë problem shqiptarëtdo t’a kalojë me dinjitet.
New York, 20 gusht 2014
“…..për interes të nji Shqipnie të lirë e të pavarun, të radhitun pranë kombeve tjera t’Europës, me një demokraci të modelit perëndimor ku respektohen liritë themelore të njeriut, ku ruhen e kultivohen traditat e mira civilizuese dhe harmonia mes shqiptarëvet vëllazën të një gjaku….”. (Kryeministrit Berisha me 23 shtator 2007).
******
“….Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicionale dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë përKombin….”.
(Editorial igazetës “Dielli” – 3 gusht 2013)
******
“….Kremtimet kryesore në New York do t’i fillojnë klerikët udhëheqës të besimevet tona me me nji lutje ndërfetare, për të dishmue harmoninë e bashkëjetesës së shqiptarëve të nji gjaku me besime të ndryshme…”. (Nga Libri Përkujtimor (Zhurnal) i 100 vjetorit, 2012)
******
“….në Vatër i apim shumë randësi bashkëjetesës në harmoni të shqiptarëvet me besime të ndryshme. Harmonia ndërfetare te na asht trashigue nga rilindësat, si nji shtyllë me randësi në themelin e kombit tonë të përbashkët….. Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare….Përkitas me temën e besimevet, po lejohem të theksoj se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me përpjekjet e shumë të tjerëve, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare.”.
(Intervistë me revistën “Shenja”, Viti III, Nr. 27. Korrik 2013).
******
“….Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar….”
Presidentit Nishani, 24 shtator 2013).
******
“Kërkojmë vëmëndje dhe vëlerësim më të madh për rëndësinë që ka harmonia ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trollit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje ma shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore”. (Kryeministrit Rama – 26 shtator 2013).
* NË FOTO: KLERIKËT SHQIPTARË NËN DREJTIMIN E PRIFTIT ARBËRESH Antonio Bellusci duke bekuar darkën e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me 29 Prill 2012 në prani të 1180 pjesmarrësve.
* U botua ne DIELLI, gusht 2014
LIBRA NË SHTËPINË E VATRËS PËR SHKOLLËN SHQIPE NË JACKSONVILLE
Gjatë nëj vizite punë që bëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zv/ Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Gjovalin Pali i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Qemal Cejku, vizituan edhe Shtëpinë e Vatrës. Ata u pritën nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj , anëtari i kryesisë Marjan Cubi dhe editori i Diellit Dalip Greca. Mysafirët shoqëroheshin nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Mehdi Lita.
Kryetari i Vatrës u prezantoi mysafirëve veprimtaritë më të fundit të Federatës Vatra, rruga e saj 102 vjecare si përpjekjet për fuqizimin e saj, duke synuar ngritjen e degëve nëpër shtetet e ndryshme të Amerikës së Veriut dhe në Kanada.
Po ashtu ai informoi mysafirët edhe me përpjekjet që po bëjnë disa nga degët për të kontribuar në ruajtjen e kulturës, gjuhës amtare dhe traditave kombëtare. Një shembull shumë të mirë po jep dega e Vatrës në Jacksonville me kryetar z. Adriatik Spahiu, e cila ka hapur edhe shkollën shqipe.
Me këtë rast mysafirët dhuruan një paketë me tekste shkollore që Vatra do t’ua përcjellë shkollës shqipe në Jacksonville.
Kryetari Bucaj i falenderoi mysafirët, të cilët dhuruan edhe disa dhurata simbolike Kombëtare. Mysafirët u ftuan në darkën që organizoi Vatra dhe organizatat e tjera të komunitetit shqiptar në Nju Jork, NJ, CT me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani dhe delegacionit që e shoqëronte.(Dielli)
TAKIM NË BOSTON I KRYETARIT TË VATRËS
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës, dr. Gjon Bucaj ishte me 1 dhe 2 tetor në Boston, ku u takua me një grup atdhetarësh për të organizuar degën e Federatës Panshqiptare të Amerikës, Vatra, dikur zemra e vatrnëve dhe vendthemelimi i Federatës.
Ky takim ishte i thirrur nga Adnan Mlika, i cili ëshët bërë inisiatori i rorganizimit. Takimi u organizuar në restorantin e një bashkatdhetari. Dr. Bucaj informoi për zhvillimet më të fundit në Vatër, për riorganizmin e degëve të saj në Shtetet e Bashkuara, riorganizim që ka filluar para 100 vjetorit të Vatrës dhe po shtrihet në shumë shtete. Kryetari Bucaj iu përgjigj pyetjeve të pjesmarrësve për zhvillimet dhe qëndrimet e Vatrës.
Të pranishmit në takim ia besuan riorganizimine degës z. Adnan Mlika, për t’ia lënë vendin një takimi të zgjeruar në të ardhmen e afërt.
Sot Kryetari i Vatrës ndodhet në Michigan, ku do të takojë vatranët e atjeshëm.(Korresp. i Diellit)
NË SHTËPINË E VATRËS MBAHET NJË TAKIM ME ARKIVAT E KOSOVËS
Duke filluar që nga ora 5 pasdite e së Martës të 30 Shtatorit, në Shtëpinë e Vatrës, po vazhdon takimi mes Federatës Vatra dhe përfaqësuesëve të Arkivave dhe Institutit të Historisë së kosovës.Prej një jave ky grup po punon në komunitetin shqiptar për të evidentuar dokumentacionin e Diasporës Shqiptare në SHBA, shoqatave dhe organizatave politike, që nuk e vazhdojnë aktivitetin, por edhe ato që e vijojnë në ditët e sotme. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj u uroi mirëseardhjen dhe tregoi për gjendjen e arkivit të Vatrës, historikun e saj dhe mundësitë që ka Vatra për të dërguar kopje të dokumentacionit të saj arkivor. Diskutuan studiuesi Idriz Lamaj, zv/ kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, Zef Balaj, Marjan Cubi,Tom Mrijaj etj.Editori i Dielli ekspozoi disa nga dokumentet origjinale, ndersa kryetari i vatres, d. Gjon Bucaj, dhuroi nje dokument origjinal te vitit 1920, Huaja Kombetare organizuar nga Vatra per Qeverine Shqiptare.
Nga mysafirët përshëndeti dhe tregoi qëllimin misionit që kanë institucionet e Kosovës për të tërhequr dokumentacionin arkivor, vecanërisht atë që ak të bëjë me Kosovën dhe Diasporën, por edhe me Shqipërinë, me marrdhëniet e Diasporës me Shtëpinë e Bardhë, politikën Amerikane etj.
Nga mysafirët përshëndeti dhe tregoi qëllimin e kësaj ekspedite, Drejtori i Arkivave, z. Ram Manaj, si dhe Prof. Shatri së bashku me specialistët që janë pjesë e grupit.Ata bënë thirrje edhe individëve që posedojnë dokumentacion arkivor, shkresor apo fotografik, t’ia dhurojnë Kosovës, me qëllim që të vihen në dispozicion të studiuesëve në mënyrë institucionale. Ata garantuan ruajtjen dhe privatësinë e dokumentacionit të dhuruar.
Vperimtaria po ndiqet edhe nga Televizioni Kultura Shqiptare, Adem Belliu, TV 21 Halil Mula.Të pranishëm edhe Gazetarët Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi, Luz Thaci, Klajd Kapinova si dhe gazeta DIELLI. Takimi vazhdoi per tre ore, ku u pane nga afer arkivat e Vatres dhe Idriz lamaj, Komiteti Shqiperia e Lire etj.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 16
- Next Page »