• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRGJEGJE E VRARË APO CINIZËM VETVRASËS

April 12, 2021 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

        Ndërgjegjja personale është pjesë e një tërësie pa të cilën nuk mbijeton dot jashtë ndërgjegjes kolektive. Individi i ka caktuar vetë limitet e saj ndijor që rikthehen në limitet vlerësues kolektiv nacional. Parë nga kjo prizëm çdo shqiptar do duhej të ri-pyes vetën: ku jam unë në detyrimet ndaj personales e të përbashkëtës, njerëzores? Kur në histori shikohen rrjedhat e jetës së njeriut tonë, do shohim veten në raport me të tjerët, apo të tjerët në raport me ne. Këto  jenë të lidhura dhe të tërhequra njëra me tjetrën në ,,lojën e litarit”. Derisa të tjerët e luajtën lojën mirë ndaj nesh, apo të paktën kështu na duket ne, ne nuk ishim lojtarë të tillë. Jo vetëm dje por as sot.

Këtu do hynte njëra nga hallkat e të përbashkëtës, përgjegjësia e jonë në bërjen të njohura masakrat si elemente gjenocidi kundër popullit shqiptar. Apo siç e quajti hebreu guximtar Leo Frendling, qe para një shekulli veprën e tij “Golgota Shqiptare” e botuar në Vjenë më 1913. Apo dëshmitë nga Edit Durham mbi krimet serbe e malazeze të shprehura deri në kanibalizëm ndaj popullsisë shqiptare.

Si duket nuk u  mësuan, vlerësuan e as gjykuan në radhë të parë prej nesh ashtu si do duhej. Në kohë, çdo gjë që nuk dihet e nuk vlerësohet, nuk gjykohet ashtu si duhet edhe harrohet shpejt. Kjo ka për pasojë përsëritjen, tragjiken  në trevat tona shekuj me radhë qe nga antikiteti. Trojet tona u gjymtuan, tkurren ashtu siç është më keq. Kjo na përcolli deri këtu ku jemi aktualisht.

Masakrat e shekullit të kaluar ishin të ashpra. Nga ngulfatka që përjetuam sikur nuk patëm kohë të merremi me to. Pushtimi ishte i egër por edhe gabimet tona ishin shpesh herë fatale në historinë tonë aspak mike. Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

Fqinjët tanë grek e sllav ishin ata që u zgjeruan në territoret etnike shqiptare. Masakrat që ushtruan për ta dhanë fryte, fituan territor të ri, u zgjeruan dhe forcuan orekset grabitëse. Bile luftuan edhe mes veti, se cili do marr më shumë territor shqiptar. Për ta ky ishte vetëm një plaçkë e mbetur nga largimi i pushtimit shekullor turk në Ballkan.

A mund t’i numërojmë të krejt veprimet e tyre shfarosëse. Të gjitha dokumentet e masakrave më çnjerëzore që ushtruan serbet në trevat shqiptare në Toplicë, Vrajë, Medvexhë, Sanxhak, Kosovë, Tivar, Plavë e Gusi etj, nuk u hulumtuan dhe  nuk u denoncuan. Pushtuesit grek në Çamëri shkretuan çdo gjë shqiptare, masakruan barbarisht shqiptar dhe sot e luaj lojën e Epirit Verior në raport me shqiptarët e dobët nga të gjitha aspektet.  Masakrat e ushtrisë greke të prira nga krimineli Zerva, nuk u denoncuan asnjëherë faktikisht atje ku duhet, në gjyqet ndërkombëtare. Kjo do bëhej nga institucionet shtetërore, nga individët e dëmtuar, shoqatat, familjet e dëmtuara. Cili nga politikanët e lartë guxoi ti shtroi në bisedimet bilaterale me grekun gjenocidin mbi popullin çam? Bile, disa politikanë shqiptar    në momentet më të ndjeshme, siç janë zgjedhjet parlamentar, të presidentit, vrapojnë në Greqi që ta marrin bekimin e grekut për fitoren e tij ndaj rivalit, pa marr parasysh interesat kombëtare.  Fatkeqësisht kjo po përsëritet që nga pavarësia e një pjese dhe e  tragjikes së dy të tretave të territorit etnik shqiptar. Edhe tani njëqindvjetori i pavarësisë do duhej të na mobilizoj në mbledhje mend dhe korrigjimin e asaj çka është e mundur. Aq sa na bën krenar pavarësia, po aq na përkujton tragjiken e copëtimit të 93 mijë kilometrave dhe grabitjen nga armiqtë tanë shekullor.  Koha është të aktivizohemi në përkujtimin e të gjitha akteve gjenocide që u ushtruan në trevat shqiptare, të denoncohen në gjyqe dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pronës dhe dëmtimeve fizike tjera. Të dokumentohen pjesë të historisë sonë të trashëguar në breza. Nxjerrja e të vërtetës mbi historinë shqiptare dhe gjenocidin e gjithanshëm të ushtruar nga serbo-sllavët. Kjo nuk ishte e lehtë në faza të caktuara të historisë sonë. Këtë e dëshmon rasti i albanologut kroat Milan Shuflaj.

            Njëra nga masakrat më të përgjakshme ishte  Masakra e Tivarit në vitin 1945. Aty  u vranë shqiptarë, të gjithë djem të ri të pa armatosur dhe të marr peng nga falanga çetnike- komuniste. I vetmi faj i tyre ishte se  ata ishin shqiptar dhe jetonin në trevat e lashta stërgjyshore.  Tivari mbeti aty, kodra buzë deti me godinën  ku u ekzekutuan po aty. Derisa dje ishte temë e ndaluar dhe dikush do e pësonte fatin e Shuflajt, sot është shumë më lehtë që të organizohet një përkujtim, një simpozium, një përmendore, një lutje, një film. Kjo do duhej të ishte frymëzim i krijuesve shqiptar në thurjen e veprave letrare po edhe filmave.  Gjeneratat duhej të mësonin dhe edukoheshin jo për hakmarrje por në respekt të vlerës së jetës së shuar të aq shumë të rinjve shqiptar të pafajshëm. Le të mësohet e gjykohet drejt gjendja dhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh në etapat historike kur populli pësoj gjenocid e holokaust nga më të rëndit në glob.

            Vetëm në shekullin e kaluar trevat shqiptare u rrafshuan katër herë. Ato u ngritën si Feniksi nga dheu dhe u ringjall në truallin e lashtë ilir duke i treguar armikut se ne jemi e do mbesim këtu. Por ne ku jemi sot, në nxjerrjen e fakteve para opinionit botëror të pastrimeve etnike që i ushtruan serbet, grekët e bullgarët. Shqiptarët para një shekulli ishin në numër më të madh se serbët dhe grekët së bashku. Fakte këto nga burime të shumta pikërisht në arkivat e atyre vendeve. Vetëm Serbia ka hartuar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve qe nga viti 1844 me ,,Naçertania” deri tek Memorandumi i të ashtuquajtur ,,Akademi Serbe” e vitit 1986. Por holokausti shqiptar daton me shekuj dhe saktësisht siç shkruan ,,The Irish Times”para disa vitesh me titullin ,,Gjashtëqind vjet masakra të serbëve mbi shqiptarët”. Një fakt ky se shfarosja e shqiptarëve ishte gjenocid i përmasave biblike.

U shuan mbi 5oo fshatra nga rrethi i Nishit, Pllanës, Vranjes. Nipërit e mbesat e tyre që shpëtuan i gjejmë sot ,,muhaxhir” në vise të ndryshme në Ballkan e deri në Azi. Çamëria u shkretua nga greku i cili synon akoma pushtimin e viseve shqiptare. Nga fakte të pamohueshme vërtetohet se holokausti i parë në Europë ishte ai shqiptar. Disa e quajtën edhe ,,Golgota shqiptare” e pa krahasuar me asnjë popull në Europë. Zërit të hebreut Leo Frojndling nga Vjena, drejtuar Anglisë dhe Francës në emër të humanizmit dhe qytetërimit që t’i mbroj nga zhdukja shqiptarët nga gjenocidi kanibal serb, iu përgjigjen me copëtimin e trevave shqiptare, duke i shpërblyer kështu serbet kriminel me territore shqiptare. Kjo ishte Europa e qytetëruar e asaj kohe.  Në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve në shekuj na mbetet detyrë e ngutshme dhe detyrim ndaj brezave të tërë në shekuj.

       Tani me krijimin e rrethanave të reja do duhej të lëvizin gjërat në zbardhjen e krimeve, ndryshimin e qëndrimit tonë ndaj tyre. Do duhej një strategji kombëtar mbrojtëse nga masakrat e mundshme në të ardhmen. Mësimi i saj do duhej të fillonte shekuj më parë duke bashkuar energjitë në dokumentimin dhe shtruarjen e lëndëve para gjykatave përkatëse kudo në Europë, , veçan në Kosovë.

        Këtë po përpiqen ta bëjnë vetëm individë veprimtar dhe pak shoqata të shoqërisë civile. Ku zëri i tyre i vetmuar dhe i shterur nga mungesat materiale nuk dëgjohet më larg se matanë rrugës. Këtu do hynte shoqata ,,Ngrite Zërin” e cila aktivitetin e saj e ka shtri në disa komuna të Kosovës. Selia e saj  në Drenicën e martirizuar pareshtur në shekuj e  pret ndihmën nga ne. Atë që do duhej ta bëjnë organet shtetërore të Kosovë po përpiqet ta bëjë shoqata dhe njerëzit e saj vullnetmirë dhe patriot.

Një vepër me vlerë në këtë vazhdë është ajo e  Dr. Nysret Pllana, me punën e tij studimore e të faktuar me argumente në librin e tij të cilin e promovoi në disa qendra të Europës. Një promovim ky i vonuar pas sulmit  nga deputeti në PU – Dick Marti. Dhe kur u aktivizua ky zë ndjellakeq?  Atëherë kur Kosova bënte hapa e parë të lindjes. Ashtu sikur hienat që krimin e presin nga lindja e re, edhe armiqtë e përbetuar dhe veglat e tyre u sulën mbi Kosovën e posa lindur e të gjakosur pareshtur. Ky do duhej të ishte edhe një mësim për ne. Armiku nuk fle.

Një kapitull tjetër fare i pa hulumtuar dhe e pa denoncuar është masakra e Tivarit më 1 prill të vitit 1945 nga forcat çetnike-komuniste serbo-malazeze mbi të rinjtë shqiptar të marr peng nga të gjitha viset e Kosovës. Asnjë kurorë lulesh nga nënat shqiptare, asnjë drite qiriu, asnjë pllakë përkujtimor në vendin ku u vranë rreth 3ooo të rinj. A është kjo një absurditet i llojit të veçantë i vet shqiptarëve, disa nga të cilët e ndihmuan masakrën. Apo në jugun e trevave shqiptare, Çamërinë martire, krim makaber me përmasa biblike.

Kjo tregon dobësinë tonë në radhë të parë si komb e pastaj edhe si individ. Po nuk e denoncuam gjithanshëm gjenocidin mbi kombin tonë ai do përsëritët. Element tregues është sot qëndrimi serb, grek, maqedonas e malazez ndaj shqiptarëve. Fyerja dhe nënçmimi i përditshëm është prekës. Është koha që ne të shohim pak më larg ,,se hunda”, përndryshe do ngelim vetëm në iluzione që sjellin gjumë e shkatërrim të mëtejmë të qenies shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, Vinizem vetevrases

SHËNOHET SHEKULLI I REVISTËS“DJALËRIA” NË VJENË

February 13, 2021 by dgreca

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, shënon shekullin e gazetës “Djalëria” me botim të numrit festiv të saj./

Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë/

Para një shekulli Shoqëria Studentoree Shqiptarëve “Albania” në Vjenë, nxori në dritë revistën e saj “Djalëria” e cila tani mbushi një shekull. Ajo ishe vepër e figurave madhore kombëtare të kohës  JaniBasho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Nush Bushati, KolëMirëdia (Helenau), Raku Buda, Gjovalin Gjadri e shumë tjerë. Në rrugën e progresit kombëtar  “Djalëria” e Vjenës, ka peshën e saj historike e cila u bë strehë e mendimit shqiptar në përpjekjen për të ndihmuar nxjerrjen e kombit nga gjendja e rëndë e pushtimit pesëshekullor turk me moton e saj, S.K.S.K  ( Sa Kam Shpirt, Kam Shpresë). Ajo frymoi krahas simotrave të saja siç ishin revistat “Shqiptari” e NikollaNaços e vitit 1888 e pasuar nga revista e Faik Konicës “Albania” e vitit 1897; revista “Drita” e më vonë “Dituria” e Stambollit; revista “Dielli” në Boston, revista “Drita” e Sofjes etj.

Vjena si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, u bë vendstrehimpër shqiptarët të cilët kishin nevojë të madhe për shkollim në universitetet austriake  të njohura në Evropë e botë. Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendorët ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Austria të jetë një qendër e preferuar shekuj më parë për shqiptarët. Qe në vitin 1914 themeluesi i studimeve albanologjike NorberJokl bëri incizimin në pllakë gramafoni tingëllimet e fjalëve në shqip, e para gjuhë e incizuar e cila ruhet në fonotekën e Vjenës. Pak vite më vonë Shoqëria Studentore “Albania” e Vjenës mori rol me rëndësi në ecje drejtë aspiratave kombëtare. Studentët shqiptarë në Austri jetonin me hallet e Atdheut të tyre të copëtuar nga pushtuesit fqinj dhe nisur nga këto rrethana ata nga Vjenai shkruan letër në shqip dhe anglisht presidentit amerikan Z. Woodrow WILSON, të nënshkruar nga RemziBaçe, JaniBasho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda dhe Fuad Asllani ku i luteshin atij që ta marrë në mbrojtje Shqipërinë nga zhdukjanë Konferencën e Paqes në Paris. Kjo letër është e botuar në versionin shqip në “Djalërinë” festive. Pak rreshta nga letra: “Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vete Shqipërinë, por po thuaj se dy të tretat e vendeve që sipas drejtësisë duhej të njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj. Serbët morën gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të gjithë njerëzit jo-serbë. Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se ç’qe, vetëm me shqiptarë e me toka shqiptare, ku malazezët nuk numëronin 1/1000 të vendësve”, thuhet mes të tjerash në letrën e studentëve shqiptarë nga Vjena. Nga njohësit e rrethanave të asaj kohe kjo letër u quajte “Letra e cila shpëtoi Shqipërinë”.

                 Pa dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e shkrimeve të botuara nga studiues shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas një shekulli po shkëpusim disa thënie nga numri i parë i revistës me titull: “Me rastin e lindjes së “Djalërisë”: “Dëshira më e madhe e çdo shqiptari të vërtetë duhet të jetë lumturia e Shqipërisë. Gjithë ajo lumturi është edhe e studentëve shqiptarë. Djalëria shqiptare e sotshme nuk është në gjendjen e këndshme të asaj te kombeve të tjerë dhe nuk e ka trashëguar prej të parëve të saj bashkimin e plotë të kombit të vet, as lirinë e tërë tokave shqiptare… Zgjedha e rëndë dhe robëria e gjatë na bënë të mbetemi aq prapa, sa në ditë kritike kur ndahesh fati i kombit tonë nuk u dëftuam të zotët e kohës. Popujt e tjerë fqinjë në kondita të ngjashme, po edhe më të dobët se ne, por të ndihmuar prej fatit, na shkelën e këputën prej trupit të gjallë të kombit tonë pjesë, të cilat edhe sot i mbajnë ndër thonjtë e rëndë”.  Veçojmë shkrimet tjera: nga Kolë Mirëdita (Helenau) novela ”Burbuqet e trëndafilit”;  Xhevat Korça me shkrimin “Skënder Beu” dhe shkrimi nga redaktori i revistës, Nush Bushati, “Populli nerteorina e trajta shtetnor”.

       Numri i parë i “Djalërisë” mbyllet me  fjalimin nga JaniBasho: “Pse është karakteristike për ne, si shqiptarë, dita e themelimit të shoqërisë, se në atë duket një pjesë e psikologjisë së shqiptarit, i cili është gati kurdoherë për punë që kanë për qëllim të mirën e përgjithshme…”

       Padyshim “Djalëria” mbetet një shkëndijë në historinë e kulturës sonë. Shumë nga bashkëpunëtorët e saj aty e provuan artin e të shkruarit dhe parashtrimin e problemeve të shumta që e rëndonin shoqërinë shqiptare e cila i  vuante pasojat e një robërie të gjatë. Ky grup i studentëve shqiptarë që studionin në gjendje të vështirë ekonomike pjesërisht u përkrah nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Ahmet Zogu dhe nga veprimtarë tjerë siç ishin Hasan Prishtina e Bajram Curri.  Në vitin 1919, kur “Albania” bënte aktivitete me rëndësi, HasanPrishtina “kishte gjetur në studime një grup shqiptarësh të rinj, të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe nga pamundësia për t`i mbuluar shpenzimet e shkollimit. Atyre ua heq shpenzimet dhe ishte i interesuar për t`ua zgjidhur problemin e shkollimit në tërësi”. Shekulli i “Djalërisë” së Shoqërisë “Albania” erdhi me lajmin e mirë të riformimit të Shoqatës Studentore “SocietasAlbania” në Austri e drejtuar na kryesia e saj me kryetar studentin e dalluar FrancJakova. 

Nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mosiu” në Austrikjo ngjarje me rëndësi u shënua duke botuar numrin shënjues të revistës “Djalëria” në rrethana të renduara pandemie. Në përmbajtjen e saj gjejmë tema nga botimet e numrit të parë dhe shkrime tjera. Prej tyre shkrimi nga Dr. KurtGostentschnigg, albanolog dhe studiues i njohur me temën: “Shoqëria Studentore “Albania” në Vjenë dhe revista e saj “Djalëria”. Shkrime nga: PjetërLogoreci, VioletaAllmuça, ReshatSahitaj,Anton Marku, Shpresa Musaj, FrncJakova, Hazir Mehmti,  Shkrimi nga miku i madh i shqiptarëve të asaj kohe LeoFreundlich: “ Si përfunduan përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit –Skënderbeu në Vjenë”.  Pas një shekulli zbulohet letra e studentëve shqiptarë në Austri dërguar Presidentit Amerika Wilson, në versionin shqip.  Materiale tjera interesante janë fotografi të figurave madhore kombëtare që studiuan në Austri. biografia e shkurtër e themeluesve të “Djalërisë” JaniBasho, Nush Bushati, Fuad Asllani, Xhevat Korça. Në faqet e fundit botohen poezi nga disa numra të “Djalërisë” të shkruara nga Gjergj Fishta, HilëMosi, Helenau (Kolë Mirëdita) dhe LasgushPoradeci. Krejt  në faqen e fundit poezi aktuale nga disa autore/ë që krijojnë aktualisht në Austri.  Sot kemi arsye të ligjshme që të vlerësojmë me krenari veprën e tyre të madhe e brumosur në themelet e kombit dhe shtetit shqiptar.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: DJALERIA, Hazir Mehmeti, nje shekull

LEO FREUNDLICH, EMËR QË DUHET KUJTUAR

January 19, 2021 by dgreca

Hazir MEHMETI, Vjenë/

     LEO FREUNDLICH,  EMËR QË DUHET KUJTUAR /

Austriaku që denoncoi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve para një shekulli.

     Thyerje

     Të rrallë janë individët në histori që për një komb bëjnë aq shumë në momentet më kritike të jetë, në tehun e nyjës shekspiriane “të jesh apo të mos jesh“ (To be, or not to be),  siç ishte Leo Freundlich për shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar.   Lufta Ballkanike i gjeti shqiptarët e dërmuar nga robëria shekullore osmane pa të drejta, mbi të gjitha pa të drejtë shkolle në gjuhën e vet, si elementi i parë i identitetit kombëtar. Perandoria Osmane nuk mbajti asnjë premtim ndaj kërkesave shqiptar të cilët u organizuan ushtarakisht dhe çliruan shumicën e tokave shqiptare që në vitin 1911 nga pushtimi i gjatë turk dhe arritën të ngritin  flamurin shqiptar në Shkup, qendra e vilajeteve shqiptare, me 12 gusht të vitit 2012. Në anën tjetër, vendet fqinj grabitqare: Greqia, Serbia e Bullgaria tokat shqiptare i konsideronin plaçkë të tyre  dhe u vërsulen kundër trevave shqiptare nga të gjitha anët.  

       Masakrat 
       Akti më çnjerëzor që njeh Gadishulli ishte masakrimi dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga rajonet e Nishit, Leskovcit, Vranjes e Medvexhës, ishte i  përmasave biblike, i pa parë as në kalifate e as  gjatë kryqëzatave mileniumeve të historisë. Kjo do përsëritet në  Gadishullin Ilirik nga forcat serbe të mbështetura nga Rusia sërish disa dekada më vonë në Luftën Ballkanike të viteve 1910-1914, sipas memorandumeve serbe për asgjësimin e etnisë shqiptare në Kosovë, Sanxhak, Preshevë. Mbretëria Serbe tentonte t’i mbante të fshehta krimet e saj nga opinioni botëror, por kishte edhe personalitet që shënonin nga tereni dhe këto informata faktike i dërgonte në shtypin botëror dhe kancelaritë e fuqive të kohës. Njëri nga ata ishte  Leo Freundlich, publicisti i njohur austriak i cili raportet e tij i përcolli në shtypin botëror dhe qeverive të shteteve kryesore evropiane. Leo Freundlich mbajti lidhje me shumë personalitet shqiptare të kohës shumë nga të cilat janë figura të shquara të kombit si: Ismail Qemali, Dervish Hima, Fan Noli, Syrja Bej Vlora, Ahmet Zogun dhe albanolog austriak të njohur të kohës.   

      Publicistikë…

       Leo Freunlich vuri  kontakte me albanologët Franc Nopcen dhe Chlumecky-in nga të cilët mësoi mbi shqiptarët dhe rrethanat në Gadishull i cili për rreth tri dekada do jetë i mishëruar me rrjedha rreth shqiptarëve. Në vitin 1913, po thuaj se çdo ditë mblidhte fakte dhe shkruante raporte  nga trevat shqiptare të cilat i dërgonte në çarqet shtetërore të cilët kishin mundësinë e veprimit dhe në gazetat më prestigjioze të kohës. Ai  që nga fillimi ishte i afërt me Komitetin Shqiptar në Vjenë, ku dhe vet ishte anëtar i seksionit letrar, i cili e ndihmonte në përkthimet e nevojshme.  Nga këto lajme dhe raporte dërguar agjencive të njohura nxori në përmbledhjen “Korrespodenca shqiptare” (Albanische Korrespondenz), e cila paraqet gjithashtu, pasqyrimin e shtypit të kohës. Kjo veprimtari, sipas studiuesve, konsiderohet si agjenci e parë kombëtare shqiptare e lajmeve. 
      Raportimet e tij rreth krimeve serbe mbi popullin shqiptar të përmbledhura në– Golgota shqiptare (Albaniens Golgotha) janë fakte denoncimi të krimit serb për zhdukjen e shqiptarëve. Përvojën e publicistike e vazhdoi me “Korrespondencën Shqiptare” dhe themelimin e gazetës javore në gjuhën shqipe  Vëllazënija” ( janar 1916) e cila do luan një rol me rëndësi në informim gjatë disa viteve në dekadën e dytë dhe të tretë të shekullit që lamë pas. 

 Fakte nga akuza 

     Në  përmbledhjen e tij “Golgota shqiptare”, Freundlich iu referohet fakteve të kohës, mes tjerash ai do shkruan: “Historia e këtij kombi është një zinxhir i pakëputshëm luftërash të përgjakshme kundër shtypësve të dhunshëm. Por, këto tmerre të përgjakshme nuk ishin në gjendje ta shfarosin këtë racë të fuqishme”.
           Freundlich më tutje  në akuzën e tij shkruan: “Serbët në Shqipëri erdhën si vrasës e jo si çlirimtarë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kufijtë e Shqipërisë u vendosën të përcaktoheshin me nxitim sipas statistikave kombëtare ose statistikave të caktuara nga  komisioni i cili do të formohet në vend aty për aty. Serbët kanë nxituar t’i ndryshojnë këto statistika me grykën e mitralozave dhe bajonetave. Ata kanë bërë mizori që janë të papërshkrueshme. Deri tani, qeveritë kanë heshtur. Por tani është e qartë se heshtja e mëtejshme është e barabartë me bashkëfajësi. Për serbët, armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre”. 
          Leo Freundlich është zëri më i fuqishëm i kohës në protestë kundër zhdukjes masive të shqiptarëve etnik në territoret e tyre etnike. Ai i cilëson fuqitë e mëdha të Evropës në bashkëfajësi të cilat nuk intervenojnë. Në shkrimet e tij protestuese argumentoi vrasjet e mbi 300 mijë shqiptarëve.
             Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk u konsolidua si duhet që të mund t’i vlerëson e përkujton miqtë e shqiptarëve ashtu siç e meritojnë. As sot nuk ku asnjë këshill apo organ tjetër brenda institucioneve shtetërore për rehabilitimin, vlerësimin dhe kujdesin ndaj atyre që dhanë shumë për kombin shqiptar, ruajtjen dhe ndërtimin e lidhjeve.  Komunizmi urrente çdo gjë që ishte jashtë ideologjisë së tyre dhe dënonte patriotët e devotshëm të kombit. Në shoqërinë shqiptare pas komunizmit u krijua amulli anarkike në çdo sferë të jetës ku asgjë nuk zuri vendin e vet aty ku duhet, as miqtë e kombit shqiptar.
   Freundlich për disa vite ishte  përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Nisur nga kjo dhe meritat e tij, Mbreti Ahmet Zogu e dekoroi me titullin e lartë “Kalorës i Skënderbeut”. Leo Freundlich  jetoj në Shqipëri  gjerë në vitin 1939, deri kur vendi u pushtua nga Italia, vit kur  ai u shpërngul në Gjenevë deri në vdekjen e tij në vitin 1953.  Pa dyshim Leo  Freundlich  mbetet hebreu me rrënjë austriake i cili ndihmoi shumë kombin shqiptar në momentet tragjike të tij.
       Është koha që shoqëria shqiptare të ngrihet në nivelin e saj, në tabanin e moralit  kombëtar për vlerësimin e atyre që e meritojnë duke mos i harruar gjeneratave. Virtytet dhe edukata ndërtohet mbi vlerat praktike, andaj kemi nevojë më shumë se kurrë në përmirësimin e imazhit tonë kudo në botë.   Leo Frendlidh do jetë gur i fuqishëm lidhës mes dy popujve tanë gjeneratave.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Hazir Mehmeti, Leo Freundlich

VJENË- PJETËR LOGORECI: HISTORI SHKODRANE NË FOTOGRAFI

June 28, 2020 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

      Imazhi i trungut Logoreci jeton akoma në veprimtarinë për përparim kombëtar. Nipi i Mati Logorecit, Pjetër Logoreci në Vjenë dhe Fotoalbumi Historik me vlera kombëtare nga puna e tij 6 vjeçare në arkivat e Vjenës. 

       Pjetër Logoreci, pinjoll i familjes së madhe Logoreci, vazhdon traditën e shkëlqyer në shërbim të kulturës, artit dhe progresit kombëtar. Vjena, ku studiuan figura të njohura historike mes tyre edhe Logorecët, e ruan vazhdimësinë edhe në ditët tona nga pasardhësi i tyre, nipi i Mati Logorecit, Pjetër Logoreci. Të cilët një shekull ma parë, në Vjenë studiuen vëllezërit Kolë dhe Gjon Logoreci, i pari për ekonomi e financë dhe tjetri për agronomi.  

         Pjetri me lojën në skenën e Teatrit Popullor të Vjenës dha një shkëndi nga shkëlqimi i Aleksandër Moisiut një shekull më parë. Tani Pjetri krahas aktiviteteve të tij në institucionet e kulturës austiake, del me veprën e tij që është rezultat i kërkimeve të tij në arkivat austriake, të titulluar   “Histori e Shkodrane në Fotografi“.  Një album i mrekullueshëm e cilësorë i ndarë në 5 kapituj, duke filluar me Shkodrën, jetën, fasadat, personalitete e të përditëshmen e Shkodrës. 

          Në bisedën e tij, Logoreci, shprehë kënaqësinë e tij  mbi hulumtimet e bëra në Arkivin e Shtetit Austriak, Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, Arkivin e Bashkisë së Vjenës, Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit. Albumi i pasuruar me shumë foto të panjohura, që iu përkasin viteve 1908 deri 1916, është rezultat i një pune kërkimore 6-vjeçare. Çdo fotografi ka kartelën e vet, ku tregohet çfarë është, kush e ka bërë, kur është marrë dhe çfarë duket. 

         Veçohet kapitulli i dytë me fotografi nga pushtimi i Shkodres prej Malit të Zi, në të cilat pasqyrohet gjendja e mjerueshme e popullsisë, masakrat ndaj saj, plaqkitjet, vuajtjet në uri, bombardimi e shkatrrimi i qytetit nga pushtuesit. Në liber botohen fotografi nga skenat makabre, vrasjet, kufomat në këtë luftë për mbrojtjen e qytetit, ku çdo familje shkodrane kishte një person të mbetur në llogoret e Taraboshit në mbrojtje të territorit, dinjitetit dhe nderit shqiptar.  Në bisedën me Pjetrin ai shprehet i emocionuar duke i ndjerë në shpirtë ato momente vuajtjesh për të cilat flasin aq shumë ato fotografi të kohës.

“Kur kam parë fotografinë e Portalit të Katerdrales së Shkodrës që mban emrin Shën Stefan, të njëjtë si Katedralja e Vjenës, kam mbetur i shtangur. Portali është një vepër arti, i punuar nga dora e Kolë Idromenos, me financimin e Austrisë e cila ka financuar edhe në ndërtimin  Katedralës së Shkodrës. Për të shmangur abuzimet me financimet në ndërtimin e objekteve, konsullata austriake në Shkoder ka dokumentuar në fotografi të gjithë objektet e ngritura me këto donacione. Kështu gradualisht nga aty më lindi frymëzimi që të bëja një album për Shkodrën, edhe pse e dija që ishte vështirë, këkonte kohë, mund dhe shpenzime.”  

           Siç shihet nga dokumentet dhe fotografitë e panjohura që sjell libri, Idromeno kishte realizuar shumë vepra arti të cilat u dëmtuan në kohën e komunizmit, bie fjala tavani i Katerdrales i gdhendur me dru, shtatoret e ndryshme apo pikturat murale.  Përveç Katedrales, Shkodren e stolisin dhe shumë fasada të njohura e madhështore siç ështe shetitorja kryesore e qytetit apo objekte të tjera disa prej të cilave u shkatërruan në kohën e komunizmit.

Shumë ndërtime të bukuar që ka Shkodra dalin të ideuara dhe të punuara nga Kolë Idromeneo, por edhe nga Gjergj Fishta dhe qyteti ju detyrohet shumë këtyre njerëzve, sidmos Idromenos.  Logoreci shprehet i zhgënjyer nga indiferenca e pushtetarëve të Shkodrës dhe e shtetit,  ndaj varrit të Idromenos apo të Marubit e një sërë personalitetesh të tjera, në varrezen e Rrmajit, që janë lënë të degraduara plotësisht. Këto emra të mëdhej të kulturës e shqiptarizmës janë kyçi i kulturës shkodrane dhe nuk duhen lënë në harresë, duhet të gjendet mundësia që objektet ku eshtrat e tyre prehen në amshim, të restaurohen.

      Albumi është një kujtim me vlerë i një kohe të shkuar dhe homazh ndaj figurave madhore historike nga ajo periudhë.  Është porosi për brezat që vijnë mbi nevojën e vlerësimit dhe respektit të luftës heroike për liri dhe progres kombëtar ku Shkodra është dalluar gjithnjë për aktivitetin e ndihmesen e saj në themelimin e kulturës e tabanit kombëtarë.
         

Promovimi i veprës pritet të mbahet në Vjenë sapo të krijohen kushtet normale nga pandemia.  Secili mërgimtar ka nevojë ta ketë librin në bibliotekën e tij. Veprimtaria e Pjetër Logorecit në Vjenë është e vazhdueshme dhe me interes kombëtar. Vite më parë, ai ishte realizuesi i nxjerrjes dhe bartjes së eshtrave të Don Nikollë Kaçorrit, nënkryetarit të qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur të vitit 1912, e shpallur në Vlorë me kryetarin e saj të parë Ismail Qemalin.
            Pjeter Logorecin e urojmë për veprën dhe i dëshirojmë atij sukses në hulumtimet e radhës. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti, Histori shkodrane, Pjeter Logoreci, Vjene

SHEMBJA E TEATRIT KOMBËTAR, VRASJE E HISTORISË

May 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Hazir Mehmeti, Vjenë/Historia e një qyteti, veçan një kryeqyteti, nuk mund të jetë histori pa pjesën e saj, të lojës teatrore shekujve. Çdo epokë ka rrjedhat e saj me të cilat karakterizohet me të gjitha aktivitet e jetës. Edhe, me artin në përgjithësi dhe skenën e teatrit ku defilojnë artistë nga më të ndryshëm, bashkë me ta edhe mençuria e dramaturgëve shqiptarë e botërorë, aty defilon mençuria e filozofëve botërorë, aty ushqehen emocionet e njeriut, kënaqësitë e brengat e tij deri në lot përjetimi. Teatri ishte gjithmonë Tempull Shpirti shekujve. E kujtojmë këtu Lekën e Madh i cili gjatë gjithë marshimit të tij deri rrëzë Himalajeve me veti mbante aktorët dhe teatrin në krahun e djathtë të tij. Ai ndërtonte teatro sapo e zotëronte një vend që në ditën e parë, andaj sukseset i kishte të brumosura në frymëzimet shpirtërore të kohës. Themelet e atyre teatrove ruhen me xhelozi me gjithë historinë e aktorëve të tyre. Akili e Odiseu nuk do ishin të tillë, as Shekspiri me Otellon e tij pa historinë teatrore shekujve. Teatri është tempull i cili nuk rrënohet asnjëherë dhe në asnjë rrethanë.  Në ato mure janë të skalitura emrat e fjalët e aktorëve, djersa e tyre, janë të skalitura përjetimet e shikuesve moshash të ndryshme. 
       A është kështu edhe me Teatrin Kombëtar të shembur tani në një ditë pranvere! Arsyetimet e Kryeministrit Edi Rama janë pa bazë, cinike dhe qesharake. Aty fshihet inati  i tij mendjemadh dhe antikombëtar. Ai e din mirë historinë e teatrit, historinë e aktoreve e aktorëve, por ai jeton vet me “madhështinë” e tij egoiste.   Derisa në gjithë botën ndërtohen teatro të reja pranë atyre të vjetrave, biblioteka të reja pranë atyre të vjetrave historike, muze të rinj pranë atyre të vjetër, parlamente të reja pranë atyre të vjetra, në Shqipëri jo,  nuk ka hapësirë për histori. Ka hapësirë, mjerisht, për tempuj dogmash fetare aty pranë teatrit, ka vend aty pranë godinave të vjetra turke, greke, sllave e gjithfarë mbeturinash nga pushtuesit e kombit. Dhe kjo mu në kohën e tij, të Edi Rames si Krye bashkiak. 

      Edi Rama dhe stafi i tij kanë treguar se nuk e duan kulturën, artin dhe nuk punuan për te që ta ngritin imazhin e nëpërkëmbur të shqiptarëve, veçanërisht Shqipërisë nga vet politika e shqiptarëve dje. Kjo, mjerisht, vazhdon si traditë e hidhur, njollë e zezë në bazamentin e agresivitetit shqiptar  i cili gërryen në qenien e secilit shqiptar kudo që jeton.   Ku janë këshilltarët e kulturës të kryeministrit, apo janë vetë kapo sahanlëpirës edhe mbi krimin ndaj historisë së kulturës shqiptare. Ata nuk do duhej të drejtonin ekskavatorin e tyre shkatërrues që me rrezet  e para të agimit pranveror i cili u pluhuros keq mes kryeqytetit shqiptar.  Çfarë do shkruhet për historinë e teatrit të ri në librat e historisë mbi historinë e shembur të një Teatri. “U ndërtua nga i madhi  Edi Rama!” Historia fillon me Edi Ramën! Kështu ishte dje me Enver Hoxhen dhe mësuesit e Edi Ramës. “Historia fillon me Enver Hoxhën!”. Pak para tij: “Historia fillon me Ahmet Zogun!”.  Sipas këtij “marshimi” shqiptar do vjen historia e një “princi” tjetër që nuk i ha palla çka ka ndërtuar paraardhësi i tij, as Edi Rama. 
       Lakenjtë për rreth nuk ia prishin Edi Ramës, ai është babai i kafshatës së tyre, ani pse e ngjyer në krim. Historia është e pamëshirshme, këtë nuk e kuptojnë vetëm diktatorët me injorantët përreth. 

           Teatri Kombëtar shkoi bashkë me historinë e tij, nuk do ngritët më asnjë herë. Një satrap kulture dhe mbret i kokainës erdhi në pikë për dritë në Jug të Evropës. Bile tani do bartë pluhurin e Teatrit Kombëtar në karrigen e OSCE, aty ku çmohet historia, vlera e kulturave të vjetra e të reja. OSCE e kupton Z.Rama si njeri të një kombi të vogël me histori të vjetër e të vështirë shekujve. Përndryshe, Edi Rama do duhej larguar me gjithë pluhurin e tij nga karriget që ai nuk i meriton.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Hazir Mehmeti, Shembja e Teatrit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT