• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJËVE SHQIPTARË NË KOSOVË

March 19, 2020 by dgreca

  • Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyetje fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”.
  • Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili trajtoj me sukses fëmijët e helmuar, ai i cili trajtoj minatorët grevist në zgafellë tremijë metra në zemër të tokës shqiptare. Doktori trim e atdhetar i pa luhatshëm deri në ditët tona. 

Nga Hazir MEHMETI/ Vjene –Austri/

Nën harqet e Urës së Gurit në Vushtrri takohemi pas tridhjetë vjetëve me Dr.Shukri     Gerxhaliun, një ambient i cili flet mbi historinë e Lumit të qytetit dhe vet Vushtrrisë si vendbanimi urban ndër më të vjetrit në kontinent i njohur para njëzetë e katër shekujve në kohën e Ilirisë me emrin Vicianum. Thuhet se ishte vendbanim i njohur me proporcione të Londrës së asaj kohe.  Këto rikujtime nga leximet dhe e kaluara e ime këtej vinin fshehurazi nga miqtë e mi shoqërues Dr. Shukri Gerxhaliu dhe Prof. Bedri Tahiri. 
           Derisa kamerieri rregulloi karriget dhe mbulesën e tavolinës, filloi të frynte një erë ca më e theksuar, kjo mund te ishte pengesë në incizimet e intervistës në diktafonin japonez,  dhuratë nga Vlora,  vajza ime pas mbarimit të hulumtimeve atje. 
        – “Ju përgëzoj për këtë mund tuajin, kjo na nderon ne, ata që e pësuan nga helmimi, qytetin tonë dhe gjithë ne. Ky qenka edhe një dokument në paharresë të një akti kriminal të armikut serb kundër shqiptarëve”, e hapi bisedën Dr. Shukriu.  
           Urimi i tij më dha kurajë në vazhdimin e punës sime.  

           Faleminderit Doktor! E vlerësoj kohën tuaj me vlerë dhe nuk do doja të ju marrim shumë nga ajo, i them i përgatitur për bisedën dhe kureshtar të mësoj prej tij nga ajo kohë e ligë për ne. 
            Po, e filloi Dr.Shukri Gerxhaliu, ishte pranvera e vitit 1990, dhe zakonisht njerëzit i gëzohen pranverës, por kësaj radhe erdhi një hata për fëmijët dhe popullin e Kosovës e cila nuk do harrohet kurrë. U helmuan nxënësit dhe së pari ata i sollën mësimdhënësit në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri. Atë ditë kujdestar ishte Dr.Behrami, i cili na thirri të gjithëve, aty ishte me ne edhe Dr.Shaban Merovci, neuropsikiatri i njohur. Unë e propozova që të vinte Dr.Shabani i cili ishte më i vjetër dhe me përvojë. Ai arriti shpejtë, u bëmë së bashku: Dr.Behrami, Dr. Shabani, unë dhe policia serbe. Policët serb rrinin aty të pranishëm, kjo mua më befasoi dhe mendova: çka donë ata këtu? Në ndërkohë Dr.Shaban Merovci ishte ngatërruar me ta dhe u tha: A doni t’i kçyrni (kontrolloni) ju apo po i kçyri unë!  Ata serbisht thanë, ne po rrimë këtu. Dr. Shabani ua preu shkurt: Ju nuk guxoni të rrini kur unë jam këtu. Këta janë pacientë të helmuar me helme të luftës dhe u duhet ndihma, ju duhet të dilni jashtë. Kjo shtyrje fjalësh zgjati bukur shumë derisa ata u detyruan të dalin jashtë. Faktikisht ata i përzuri Dr. Shabani edhe pse kundërshtonin praninë e tyre i  gjithë personeli shëndetësor në ambulancë.  
                Si vepruat ju në nivel kolegjiumi mjekësor në këto rrethana? 
          Ata që i sillnin nxënësit e helmuar: arsimtarë, taksi, privat deri në Shtëpinë e Shëndetit ,  maltretoheshin nga policia serbe, thirrem Kolegiumin dhe u morëm vesh që disi ta ngremë një ordinancë të improvizuar disi në Qendrën Shkollore, aty më afër nxënësve që të mos kemi probleme gjatë rrugës. Pas bisedave në kolegjium u caktova të shkoj unë për të biseduar me drejtorin, ishte një malazez, Slobodan Dokniq. Unë pranova, edhe pse nuk ishte e lehtë, kur janë në pyetje fëmijët, atdheu dhe populli nuk hezitoj fare. Pa vonuar shkova në zyrën e tij, ai më njihte pasi ishte mësimdhënës i imi dikur. 
    Si ishte pritja e tij?

Më priti mirë, ia shpjegova situatën dhe rrethanat të cilat e kushtëzojnë nevojën e një ambulante te improvizuar diku në lokalet e Qendrës Shkollore. Ai më tha: “Televizioni dhe shtypi po thonë se këto janë aktrime dhe nuk janë helmime”. Unë ia ktheva: Profesor, këto nuk janë aktrime por nxënësit janë të sëmurë. Ai u kujtua pak dhe shtoi: Unë ty të besoj, por si t’ia bëjmë, çka duhet?  Ia shpjegova, se ne kërkojmë një hapësirë brenda shkollës  për një ambulantë të improvizuar ku do trajtojmë rastet e paraqitura të të sëmurëve të cilët rrugës deri në Shtëpinë e Shëndetit po vonohen e maltretohen. I them, ju sigurisht i keni parë nxënësit e sëmurë se çfarë gjendje të rëndë shëndetësore kanë kur po i kap helmi ose ataku gjatë helmit. Ai pa hezitim tha  po, i kam parë,  bënë, pajtohem.  Bënë, veç unë kam dëshirë të ma jepni me shkrim. Ai pak u kujtua dhe tha, po.  Drejtori menjëherë i tha sekretares ta shkruan vendimin, e nënshkroi dhe e vulosi. 
      Kjo diç e veçantë për atë kohë, po pastaj si rrodhi situata?

   Pastaj më ra ndër mend që ta kopjoj vendimin. Shkova tek Abit Fejza në zyrën e tij i cili e kishte një makinë kopjimi dhe i bëra disa kopje. Me këto kopje u ktheva në Kolegjium, u dhashë një kopje dhe i rekomandova që tani e tutje të shkonin rregullisht për kontrollimin e nxënësve pasi e kishin të lejuar. Kolegiumi më çdo kusht më caktoj mua edhe pse isha edhe te minatorët në zgafelle gjatë grevës së urisë për kontrolle mjeksore, edhe tani këtu. Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem, ju them në kolegjiumin e mjekëve në Shtëpinë e Shëndetit në Vushtrri.  
      A ju kujtohet kush ishte me ju në ndihmë nxënësve dhe sa kohë funksionoi puna e juaj? 

            Po, me mua vazhdimisht ishte Motra, Kimete Zekolli-Gubetini, së bashku kemi trajtuar nxënës të sëmurë disa kohë.  Gjatë asaj kohe kur nxënësit ishin të sëmurë erdhi një aktivist dhe i incizoi nxënësit e sëmurë, në ato momente kemi qenë unë dhe Motra Kimete. Gjatë asaj kohe problemet më mëdha i kishim me terapi. Simptomat ishin: humbje e vetëdijes (ngjashëm me epilepsinë), skuqje në fytyrë, zgjerim të bebëzave, lemerisje në zë të tmerrshëm. Vinin shumë raste përnjëherë dhe nuk dinim cilin përpara ta ndihmojmë, por për fat ishim aty në lokalet e shkollës. Shpesh u bënim disa veta për ndihmë, na ndihmonin gjithashtu profesorët të cilët nuk më kujtohen me emra dhe pedagogu i shkollës Sylejman Maxhuni. 
        Si ishte furnizimi me barnat elementare dhe kush ju ndihmonte në sigurimin e tyre?

Gjatë asaj kohe kishte një solidaritet të madh në popullatë dhe na furnizonin me barna. Nuk e harroj ndihmën e madhe nga Agim Osmani, i cili tani jeton në München të Gjermanisë. Furnizimi me barëra ishte shumë i vështirë. Ai sillte  barëra por edhe ushqime të domosdoshme, si  jogurt, byrekë, bukë, pije dhe ushqime tjera të cilat, ai e kishte një byrektore për nxënës e arsimtarë në Qendrën Shkollore.  Çdo ditë vinin policët serb, kishin mbetur edhe dy shqiptarë policë, të tjerët i patën larguar nga puna, kontrollonin, plaçkitnin çka gjenin: barëra, pije, ushqime, por ne prapë i siguronim disi. Ata shpesh pyetnin: Sa të helmuar i trajtuat sot, sa janë të sëmurë, çka po thonë… etj. Ne nuk pritnim mirë prej tyre dhe ishim të vendosur të vazhdojmë trajtimin pa marrë parasysh pasojat e mundshme personale. Por pasi e kishim vendimin nga drejtori nuk na largonin. 

Furnizuesi ynë ishte Agim Osmani (nga Bajra), ai  shkonte në Letnicë (Binçë) në Kishen tonë shqiptare ku motrat e nderit i jepnin barëra dhe ai me gjithë ato sakrifica i sillte tek ne.  Ajo ishte një shpëtim për ne, ishin barëra simptomatik (tonizime të kombinuara vitamina me glukozë), kundër temperaturës, kundër dridhjeve, rrallë herë edhe qetësues ose sedativ kur kishte situata dramatike, kur nuk mundnim kurrsesi t’i qetësojmë në situatat dramatike, sepse kishin dridhje, shpesh të vjella, skuqje, dridhje, kishin gjysmë vetëdije, me subkorteks mendonin derisa kalonte atakimi nga helmet. Tek epilepsia zgjatë një kohë të shkurtër dhe kthehet,  në këtë rast zgjaste gjysmë ore, shpeshherë edhe më shumë.  
            A ju kujtohet cilët fëmijë ishin më të prekur, çfarë pasojash pësuan dhe a janë takuar me ju ndonjëri nga të helmuarit?   

Shumica e të helmuarve ishin femra, por kishte edhe meshkuj. Po, kam pasur kontakte me shumë prej tyre edhe pas asaj kohe janë ardhur dhe janë falënderuar. Pasojat më të rënda ishin tek femrat, disa nga ato janë shëruar, disa kanë pasur pasoja gjatë gjithë jetës, bie fjala kurrë s’kanë mundur të kenë fëmijë. Disa nga të helmuarit janë dërguar jashtë vendit për shërim pasi kishin familjar atje. Në atë kohë na vizitoi Dr.Zekirija Cana, drejtues i Forumit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë. Atij i dhashë i mostra gjaku, vjellje, dhe deklaratat tona të cilat  ai i dërgon tek mjeku francez Bernard Bendetit në Francë.
         Po mjekët serb, si ishte veprimi i tyre? 
         Ata nuk janë përzier fare. Ata në çdo moment i kam bindur, se fjala është për helmim tipik nga helmet e luftës, nga sarini helmues. Mjekët dhe personeli serb janë bindur se saktësisht janë helmime e jo aktrime. Ka edhe njerëz që i kanë parë duke hedhur  pluhurin, thonë se fjala është për helm i hedhur ne formë pluhuri. Disa raste, ata serb që e kanë kundërshtuar ka ndodhë që janë helmuar vetë siç ishte rasti i dy policëve, njëri serb dhe tjetri shqiptar, kur vijnë në Qendrën Shkollore  për të kontrolluar edhe helmohen pastaj trajtohen nga unë dhe dërgohen për trajtim tutje. 
         Cili helm kimik mund të jetë përdorur nga sigurimi serb, sipas njohurive tuaja mjeksore?

Në ushtrinë jugosllave kam lexova shumë rreth helmimeve, efekteve, simptomave nga helmet e luftë pasi pata shërbye në repartin e efekteve të  helmeve së luftës. Një libër nga ajo kohë me detaje rreth helmeve dhe efekteve të tyre ia dhashë Dr.Zekirja Canes, aty shkruante  rreth simptomave tek të helmuarit të cilat përputheshin plotësisht me këto te fëmijëve tanë të helmuar. Sipas të gjitha simptomave helmi nga helmet e luftës të llojit sarin i hedhur formë pluhuri dhe i cili merrej përmes frymëmarrjes në organizëm. 

A keni mbajtur shënime mbi të helmuarit dhe ku mund të gjejmë shënime konkrete rreth të helmuarve?  

Po, unë kam mbajtur shënime në një fletore dhe të gjitha i kam të regjistruara. Shumë nga dokumentet janë humbur gjatë luftës. Shumicën e rasteve i kemi trajtuar aty në ambulancën e improvizuar, por disa raste të rënda i kemi dërguar në Prishtinë. Shumica e rasteve u trajtuan në shkollë, aty më afër dhe më shpejtë, më efektiv  dhe për këtë duhet ta falënderojmë Dokniqin në ketër rast. Ai ishte malazez dhe si duket e kuptonte situatën e rëndë.

         ( Pjesë nga libri: Helmimi i fëmijëve shqiptarë, krim serb i pafalshëm, nga Hazir Mehmeti) 

Dr. Shukri Gërxhaliu në punën e tij u dallua me zellin e tij, përkushtimin, etikën dhe mbi të gjitha guximin e tij në shërbim të pacientëve në situata të renda para, gjatë luftës dhe pas saj.  Ai ishte një ndër mjekët e parë që vizitoi minatorët e Trepçës në 1989  në grevën e urisë, njëri ndër doktorët e parë që u dha ndihmë  nxënësve të helmuar nga serbët gjatë vitit 1990. Dr. Shukri Gërxhaliu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmitar në  Gjykatën e Hagës, kundër kryetarit serb, kriminelit, Sllobodan Millosheviq duke argumentuar krimet serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.  Ai ishte doktori i të mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. 

Filed Under: Interviste Tagged With: 30 vjet, Hazir Mehmeti

Drama “Gjegj Kastriotit-Skënderbeut”

September 14, 2018 by dgreca

550 vjet nga Kryeheroi shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeu/1 skenderbeu 550 vjet

Drama “Gjegj Kastriotit-Skënderbeut” nga gjuha e dokumenteve/

Intervistë  me Aktorin dhe regjisorin e njohur Xhevat Limani/

1 xhevat

nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

“Mbi dyqind burime për këtë vepër të shkruar dhe çdo fjalë aty është e mbështetur në faktografi.  Një nga motivet kryesore që dua të sjell është mesazhi në politikën shqiptare është kjo, se Gjergj Kastriotit-Skënderbeu,  ka folur me diplomat të huaj pa protokoll, pa përkthyes në shtatë gjuhë.UÇK mori si elemente pozitive nga strategjia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu gjë që u çmua shumë në nivele botërore”.
Aktualiteti i një interviste me shkas plotësohet me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Aktori dhe regjisori i madh shqiptar, Xhevat Limani, ringjalli porosinë e kryeheroit tonë si autor i veprës dhe aktor që flet me zemër e shpirt të krye personazhit dhe siç e thotë ai “nuk i kemi dal borxhit kryetrimit”. Publiku shqiptar u rifreskua nga afër me veprën madhore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

Pyetje:   Së pari ju përgëzoj për lojën tuaj teatrale këtu në Vjenë. Ishte diçka tepër domethënëse dhe e fuqishme! Si po ndiheni pas shfaqjes suaj?  

Xhevat Limani: “Së pari e falënderoj publikun shqiptarë në Vjenë, kam pasur gjithmonë dëshirë dhe ëndërr që të prezantoj në Vjenë dhe më gjerë, jo vetëm me teatër por konkretisht SKËNDERBEUN për hir të atij borxhi të madh, të asaj Embleme, kur dihet se austriakët këtu mbajnë shpatën dhe përkrenaren e kryeheroit tonë kombëtar. Ia arritëm me disa mundime që ta sjellim këtu dhe më këtë rast dua të falënderoj zj. Drita Cacaj, Zj.Shpresa Kamberin dhe Z. Safet Sadikun. Ne sollëm shfaqjen në mesin e disa qyteteve të njohura nëpër Europë, por mendoj se Vjena është qytet simbol i artit klasik dhe të dëshmojmë para botës se shqiptarët nuk janë popull që pjestarët e tij të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë apo të shihen vetëm si viktima, apo të shihen vetëm si fajtor të problemeve në Ballkan siç duan të na japin etiketën, por fajtor janë të tjerët. Ne po paguajmë targën e rëndë për shkak të indolencës së shtetit shqiptar i cili nuk ka formuar një diplomaci pak më vigjilente për të ruajtur dinjitetin e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Mendoj, që tani me pavarësimin e Kosovës, diplomacia e saj po i plotëson disa vakume dhe dalë ngadalë do të ecin, dhe diplomacia shqiptare ka zënë t’i artikuloj kërkesat me tingull të qartë që edhe ne të radhitemi aty ku e kemi vendin në mesin e popujve të civilizuar dhe të lashtë të kontinentit.

Pyetje:Ju e thatë, se shpata dhe përkrenarja e Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, janë porosi për ne, drama e juaj e ringjall porosinë, si po pritet kjo nga publiku, veçanërisht gjenerata e re?

Xhevat Limani: Unë projektin e kam punuar me qëllim, jo për të treguar historinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, këtë punë e ka bërë Barleti, Wudvord Longfellou, Jon Winthkop,  Antonio Vivaldi, Kreçiq e shumë studiues e krijues arti, ku ka mbi dymijë e pesëqind vepra për Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si shpëtimtar që ka mbrojtur perëndimin dhe mendoj se sjellja ime në skenë është motivuar nga një dispencë për strategjinë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu që e kam gjetur në Westpoint, në akademinë më të madhe ushtarake, ku strategjia e Skënderbeut mësohet lëndë mësimore gjashtë muaj. Për fat të keq në shtetin shqiptar kjo mësohet vetëm nja katër orë.

Si duket ju keni hulumtuar rreth veprës së Gjegj Kastriotit-Skënderbeut.

Xhevat Limani:Po, jam hulumtues i Skënderbeut në arkivat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku më shumë më ka ndihmuar Piter Prifti, sekretar i Fan Nolit, i cili ka qenë 33 vjet profesor në Harvard University dhe më ka dhënë që nga historia e Gjon Butkokut dhe historian të tjerë të huaj që kanë  shkruar për Gjergj Kastriotit-Skënderbeun. Një nga motivet kryesore është mesazhi në politikën shqiptare që dua të sjell, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu  ka folur me diplomat të huaj pa protokoll, do më thënë pa përkthyes në shtatë gjuhë. Pra, ai nuk ishte vetëm luftëtar i krahut por ai ishte edhe i mendjes, edhe në akademinë ushtarake që ishte, të jeniçerëve që përgatiteshin. Turqia duhet të krenohet me  Gjergj Kastriotit-Skënderbeun, sepse ai për Turqinë ka marrë 17 vende duke ngritur flamurin e fitores gjerë në Eritre. Ndërsa, sa i përket Arbërisë apo Shqipërisë, mendoj se ai erdhi të mbroj pragun, apo erdhi nga ai dinjiteti që kishte; meqë Sulltani nuk e lejonte që të vij të ulet tek varri i të atit të tij Gjon Kastriotit, ashtu siç i ishte dhënë premtimi dhe kjo atë e detyroi nga ndjenja e brendshme atërore që të kthehet dhe ta mbrojë vendin e vet. Sot ka shumë dilema, shumë historian që thonë se ç’na duhet kjo mbrojtje kur zhduket gjysma e këtij populli, por ja që populli shqiptarë si popull i lashtë nga gjithë perandoritë tjera nuk është zhdukur dhe është ripërtërirë e cila ripërtëritje gjenetike, mendoj, ka të bëjë edhe me ambiciet dhe idealin e  Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, siç e thotë ai: “Me gen babe, me qumësht nëne; me sy shkabe dhe me dritë hëne.”

       Ju jeni ndër ata që e bënë të ringjallet, porosia e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me shfaqjen tuaj e cila do shumë mund e kohë të përgatitet dhe të shfaqet në shumë vende sipas projektit tuaj.

Xhevat Limani:Po, Gjegj Kastriotit-Skënderbeu kishte në ushtrinë e vet edhe austriak, pra ideja e NATO-së sot ka qenë ide e Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, kjo mësohet tani në West Point (Akademia më e madhe ushtarake në botë). Për ta mundur imperatorinë duhet të bëhen forca të bashkuara të popujve të ndryshëm që e duan lirinë. Ai thotë: “Në ushtrinë time kisha shtatëmbëdhjetë kombe duke u nisur nga gjermanet, galet, austriakët, venedikasit e tjerë dhe t i more edhe tribalet, të cilët janë sllavë dhe ata ishin frikacak, por unë në netët pa  hënë i mësova të këndonin dhe kështu e munden frikën e filluan të bëhen luftëtarë”.

       Pyetje:E keni vizituar muzeun ku gjenden shpata dhe përkrenarja e Gjegj Kastriotit-Skënderbeut?

Unë i kam vizituar edhe më përpara shpatën dhe përkrenaren këtu në Vjenë, kur qëndroj para tyre gjithmonë rimarr forcë dhe shtroj një pyetje sikurse që pyesin shumë prej nesh; shumë e madhe shpata!  Unë kur e kam shkruar veprën Gjegj Kastriotit-Skënderbeu, natyrisht që kam hulumtuar defterët të mbretërisë osman, arkivat romake, austriake, hungareze e shumë tjerë gjerë te Arkivat Nacional në Uashington, kam mbi dyqind burime për këtë vepër të shkruar dhe çdo fjalë aty është e mbështetur në faktografi, ashtu që shumë njerëz mendojnë se jam historian kur flas në tribuna. Unë jam aktor-regjisor, kam kryer përveç aktrimit dhe letërsinë, kam shkruar njëzet libra, po vazhdoj të shkruaj, dhe nuk shkruaj keq dhe mes tyre është edhe “Tragjedia e Skënderbeut”, të cilën e kam përkthyer në anglisht së bashku me një profesor amerikan i cili është edhe poet dhe do të luaj në Brodwey dhe New York në fund të nëntorit në anglisht, sepse dua që të sheh dhe bota, çfarë protagonisti është ky Gjegj Kastriotit-Skënderbeu. Nuk është ndonjë njeri imagjinar dhe një figurë imagjinare ashtu siç i fryjnë heronjtë. Ne ende nuk i kemi dal borxhit krye heroit tonë.

       Po rreth publikut, mund të thoni diçka?

Është kënaqësi dhe frymëzuese kur salla është e mbushur. Unë kam dashur që ta bëjë të ditur fuqinë e fjalës së tij, ndërsa dihet fuqia e shpatës së tij.  Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, mes tjerash ka qenë edhe filozof, ka qenë eruditë, njeri i mendimit, psikolog, ka qenë njeri cili ka ditur t’i dëgjoj e kumtoj dhe baza e kësaj shfaqjeje ka qenë në aftësinë oratorike të  Gjegj Kastriotit-Skënderbeut, si të flasim me ushtarë për fitore, si të flasim me ushtarët e mundur, si të flasim me tradhtarët. Dhe, ai jep jo rastësisht mesazhe shumë të fuqishme të cilat, mendoj, lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës i mori si elemente pozitive gjë që u çmua shumë në nivele botërore, kur thotë: mos vrisni robër lufte që dorëzohen. UÇK mes tjerash mund të krenohet me dy gjëra: nuk vrau robër që u dorëzuan dhe nuk vrau fëmijë e as gra e pleq. Kjo është ushtria e mirëfilltë e cila mësohet edhe në Westboyn, kjo është ushtria e mirëfilltë e idesë së madhe të  Gjegj Kastriotit-Skënderbeut. Jo rastësisht doktrina e NATO është ngritur mbi idenë e doktrinës së krye heroit tonë kombëtar.

     Pyetje:  Ideja e ngritjes së Teatrit Shqiptar në Vjenë e nisur nga regjisori i ri Safet Sadiku, e cila mendoj se do ishte një mburrje për ne, si e shpjegoni ju këtë nismë?

Po, unë dua ta përkrah regjisorin e ri Safet Sadiku për nismën e tij rreth teatrit shqiptar në Vjenë i cili duket i ri por ka shumë energji. Mes tjerash unë jam edhe nënpresident i artistëve shqiptarë në botë, jam pedagog dhe dua ta mbështes në format e mundshme. Fundi, më mirë është që shqiptarët të hapin teatro se sa të merren me gjëra negative që nuk i përkasin racës njerëzore.    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shfaqjen e bëjë me debat, pasi mbaron shfaqja dhe aty marrin pjesë shikuesit nga shumë kombe e rrethe sociale dhe ndodhë të ketë edhe ndonjë anglez, ndonjë irlandez, turk, kroat apo ndonjë serb, grek dhe jam i përgatitur nga arkivi im për debat i cili ndonjë herë zgjatë deri në katër orë.

Pyetje: Ju e thatë, se gjithë kjo Evropë ka origjinën e gjakut tonë, një thënie e bazuar apo.  

Xhevat Limani: Po, absolut. Kur gjaku ynë pellazgët zbritën në krah të shqiponjës para Ateu dhe Mëmëdheu dhe dymbëdhjetë mijë vjet më vonë Kadmi kur erdhi për t’i sjell shkronjat nga Fenekia, pra i martuar me Harmonin dhe kishte lindur djalin e parë Ilirin. Pastaj gjaku arbëror pësoi transformime të ndryshme, por nga gjithë këto tufane e vërshime nuk u nënshtrua, vazhdoi. Pra është një nga popujt e lashtë, popujt e zotit që ka vazhdimësi dhe për luftëra shkon, rritet shumohet po edhe vdesin, në fund mbijeton, pra një Feniks i çuditshëm. Unë besoj në ri shndritjen e shpirtit të gjenit shqiptar. Popujt tjerë ne na kanë dëmtuar shumë duke përkrahur popuj të pa qenë, siç ishte rasti me Greqinë. Grekët nuk kanë qenë fare në Luftën e Trojës, kanë ardhur gjashtëqind vjet pas Luftës së Trojës. Nuk ka pasur popull grek dhe nga njëmijë anije që shkuan në Luftën e Trojës, nëntëqind e gjashtëdhjetë prej tyre ishin luftëtarë pellazgë-ilir.  E kanë kot të tjerët që torturojnë historinë e një populli, ta mbulojnë me pluhur e baltë, por kristali është kristal dhe rri në thellësinë e tokës dhe për atë arsye është i rrallë, e qymyr ka në sipërfaqe të tokës sa të duash. Mendoj se shqiptarët janë një popull kristal dhe herët a vonë do të shkëlqejnë me tërë dritë rimën hyjnore para fakteve dhe dëshmisë civilizuese.  (Bisedoi Hazir Mehmeti)

Filed Under: Interviste Tagged With: 550 jet, Hazir Mehmeti, Interviste, Skenderbeu, Xhevat Limani

Konferencë profesionale e mësuesve të gjuhës shqipe në Suedi

May 27, 2018 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI/
Murat KociHalmstad, 17-18 maj 2018- Halmstadi me „Tri Zemra“ në Sheshin e Vjetër, tani për disa vjet është vendtakimi i mësuesve/ve shqiptarë në Suedi dhe ligjëruesve e zyrtarëve nga Shqipëria e Kosova. Shteti i Suedisë është shembulli më i mirë në organizimin e mësimit në gjuhën e origjinës. Krahas kombeve tjera edhe shqiptarët e organizuar në Lidhje e Shoqatat e tyre mbështetën fuqishëm me projektet e tyre.  Unbenannt
Konferenca u hap nga drejtuesi i Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Iliria” në Suedi, Murat Koci.  Ai përshëndeti mësuesit/et dhe mysafirët e rastit mes tyre Rexhep Mazreku, Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Nuhi Gashi, koordinator për mësimin shqip në diasporë nga Ministria e Arsimit të Kosovës (MASHTK), Veprimtari dhe ish deputeti i disa mandateve z.Hidajet Hyseni. Nga vendoret pjesëmarrësit i përshëndeti z.Kristen Jonson i cili mbajti kumtesë.  Nga vendlindja erdhe disa pedagog nga UN shqiptare, Dr.Rovena Vata dhe Prof. Kledi Shegani , kurse nga Austria mësuesi me përvojë, Hazir Mehmeti. “Me përmbajtjen e saj tashmë kjo konferencë ka krijuar fizionominë e sa në rrafshin didaktik”, një konstatim përvojash nga transformimi i konferencës drejtë programimit dhe drejtimit nga shoqatat e mësuesve shqiptarë.  Veprimtari dhe mësuesi me përvojë Nuhi Mazreku falënderoj të pranishmit, ai dha informata lidhur me historikun e shkurtër të qytetit të Halmstadit. Kumtesat ishin nga tema të ndryshme; Dinore Loshi u paraqit me kumesën nga përvoja profesionale “Mësimdhënia nxitëse dhe sfiduese”. Dr.Rovena Vata, pedagoge e hulumtuese, mbajti kumtesën “Roli i shkrimtarëve shqiptarë në zhvillimin e gjuhës shqipe”, kurse  mësuesja Fatmire Bunjaku kumtesën “Planifikimi pedagogjik”. Nga UN i Prishtinës Hydajet Hyseni ligjëratën e tij “Letërsia, politika dhe historia shqiptare në funksion të ruajtjes së gjuhës dhe identitetin kulturor e kombëtar të mërgimtarëve” e cila  u shoqërua diskutime. Pjesëmarrësit në konferencë, Halmstad   Premton Gërvalla, nga sektori i Entit Shtetëror, mbajti kumtesën “Mjetet digjitale në shërbim të gjuhës amtare…”, një përmbledhje interesante e të arriturave teknologjike bashkoohore si promotor në nxitje të ndryshimeve metodologjike e pedagogjike të domosdoshme.  Në ditën e dytë seancën e punimeve e filloi ligjëruesja nga UN i Tiranës, Prof. Kledi Shegani: “Gjuha shqipe, mjeti kryesor dhe më i rëndësishëm i identifikimit kulturor e etnik dhe mjeti më i rëndësishëm i ruajtës së zhvillimit të identitetit nacional e kulturor”. Nga MASHTK me kumtesë ngacmuese e nxitëse doli Nuhi Gashi, i cili ka dhe vet përvojë si mësues disavjeçar në diasporë. Pjesëmarrësit punuan në grupe ku ishte mundësia e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive në rrethe të ngushta kolegësh.  Me temën “Mësimi shqip në Austri, specifika e orës mësimore në klasë heterogjene” doli Hazir Mehmeti, mësues me përvojë në Vjenë. Ai dha ligjëratën e filloi me informata nga personalitete të shquara austriake me origjinë nga trevat shqiptare e pastaj duke dhënë shembullin metodologjik e didaktik të mbajtjes së një ore në klasë heterogjene. Ai iu përgjigj të interesuarve se A-B-C Fibel –Abetarja e standardëve të larta për alfabetizim të fëmijëve në mërgatë, e përdorshme për të ndihmuar alfabetizimin dygjuhësor, mund të porositet O-line tek botuesi i njohur Weber E.Verlag. Kjo abetare, e vetmja e botuar nga Ministria e Arsimit të Austrisë sipas standardeve të kohës është tani edhe pjesë e katalogut tani edhe në Gjermani, një rritje kërkese e theksuar.  Një temë tjetër me vlerë nga praktika mësimore ishte ligjërata “Mësimi përmes lojës” mbajtur nga mësuesi me përvojë dhe aktivisti i njohur Xhevat Isuafi. Loja tani është forma metodologjike bashkoohore më efikase diturinxënëse. Faqja e internetit e themeluar nga mësuesi Xhevat është e arritshme, kjo u provua me interesim nga pjesëmarrësit. Në pjesën “Prezantimi i librave të rinj” mbajtur nga Hazbi Lalica, mësues dhe autor tekstesh ishte një mundësi njohje e mësueseve e mësuesve me literaturën e caktuar, një alternativë e begatë në pasurimin e teksteve mësimore që mund të sigurohen lehtë në Suedi. Në konferencë veç ligjëruesve me diskutimet e tyre kontribuuan Adem Qerimaj, Lebibe Zogiani, Muhamet Zahiti, Shaban Gashi, Agim Morina, Hava Haliti, Sanije Selmani, Bekim Kaloresi, Qerim Raqi, Ymer Gërbeshi, Sefë Kryeziu, Qerime Gurguri, Ardiana Hasani, Shpresa Selmani, Fixhrije Syla, Merita Syla, Luljana Zahiti, Haki Behrami, Hafiz Xhemajli, Mejreme Gubetini, Bajram Kabashi, Anila Dervishaj, Faik Abdyli, Sylejman Berisha, Beqë Shala, Berta Lako, Zenel Zeneli.  Për pjesëmarrësit nga organizatori në mbrëmje ishte organizuar program muzikor burimor shqiptar të kënduar nga këngëtarja e njohur në Suedi, Afërdita Xani, kurse nga Kosova ishte e ftuar solo këngëtarja   Ardita Ukaj e cila interpretoj me mjeshtri disa këngë të bukura burimore shqiptare. Nuk munguan as vallet të cilat nxorën energji kohe e malli për vet jetën gurbeçare me shpresën për progres në vendlindjen për ku gjithmonë jetojnë ëndrrat. Në fund pjesëmarrësit me impulse të reja shkëmbimesh të njohurive drejtë auditorëve mbi regjistër shkruan: Mirupafshim sërish!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: gjuhe shqipe, Hazir Mehmeti, Konference Suedi, mesuesit

Krimi serb i helmimit të fëmijëve shqiptarë, krim që nuk falet

March 22, 2018 by dgreca

 * 18 –të pranvera pas helmimit të rinisë shkollore nga i cili pati dhe të vdekur,  akoma ndihen pasojat e saj tek të prekurit. Viktimë nga helmimi ishte nxënësja Selvie Hoti, për shkak se policia serbe nuk lejon dhënien e ndihmës me kohë. Unë autori i shkrimit, si mësimdhënës i shkollës së mesme jam dëshmitar i përjetimeve të ditëve më të rënda në jetën time, kur sheh që nxënësi bie përtokë para teje i alivanosur duke u përpëlitur me vdekjen./Ndihmë të helmuarve, mars 1990

 *  -23 marsi të shpallet Dita e Rikujtimit të Viktimave të Helmimit nga Serbia./Ndihmë të helmuarve, mars 1990- Prof.Dr.Mazllum Belegu

Nga   Hazir MEHMETI , Vjenë/
Pranvera e vitit 1990 do nis me helmin dimetil phosphoditionat, sarin, dhe helme tjera me ndikim në sistemin nervore mu në ditën  pranverës 21 mars dhe 23 mars në qytet kryesore të Kosovës: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri, Mitrovicë etj. duke vazhduar për shumë kohë me pasoja  8 mijë nxënës shqiptarë të helmuar. Ishte ky sulmi më antinjerëzor në kohën e pasluftës së Dytë Botërore.  Këtij akti gjenocidi i paraprinë rrethanat e shtetrrethimit pas ndryshimeve kushtetuese me dhunë nga pushteti okupues serb në Kosovë. Rezistenca popullore e vazhdueshme shekujve tani tregohej akoma më e fuqishme kundër pushtuesve sidomos nga viti 1989 kur hiqet autonomia e Kosovës nën shtypjen e tankeve.  Ishte koha kur shovinizmit serb ëndërronte në realizimin e qëllimit shovinizmit  i nxitur nga propaganda e vazhdueshme antishqiptare dhe represion permanent për dëbimin e shqiptarëve nga toka e tyre shekullore. Kjo politikë ishte e mbështetur edhe nga çarqet nacional-shoviniste brenda shtetit jugosllav i cili kishte nisur teposhtën drejtë shkatërrimit.

Akademikë famëkeq serb nuk e harruan detyrën e paraardhësve në shërbim të gjenocidit antishqiptar dhe pa nxitim ripërsëriten  memorandumin serb për zhdukjen e shqiptarëve nga territoret e tyre etnike në Kosovë, ashtu siç kishin bërë me 770 fshatra në Nish, Toplicë, Vranjë, Medvexhë një shekull pa ndërprerë. Ky memorandum nuk u bekua nga kisha ortodokse serbe e mbytur  në urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve autokton, kulturës e dokeve të tyre që jetonin mijëra vjet në tokat e tyre. Kjo detyrë kriminale iu ngarkua qeverisë shoviniste serbe, si pjellë e fobiste serbe ndaj shqiptarëve, e drejtuar nga kryekrimineli më i madh pas fashizmit, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në gjyqin e Hagës si kriminel lufte me pasoja vdekjen e gjysmë milioni njerëz.

Njëri nga aktet kriminale serbe ishte akti i helmimit të 8 mijë  nxënësve shqiptarë në shkolla, kopshte fëmijësh si dhe punëtor në fabrika e uzina në vitin 1990. Me datat 21 e 23 mars të këtij viti ishte helmimi i një shkalle të gjerë në qytet kryesore të Kosovës.   Siç do vërtetohet, helmimi i nxënësve shqiptarë u bë nga shërbimi sekrete ushtarak e policore serbe.    Paraprakisht propaganda armiqësore serbe përmes kishës ortodokse serbe, mediave publike e private nxiti urrejtje luftënxitëse. Kjo parapërgatiti segregacionin, duke ndarë nxënësit serb e malazez në lokale tjera shkollore nga nxënësit shqiptarë.

Populli i Kosovës i pa armatosur, i varfëruar nga padrejtësia në shtetin e sllavëve, ishte i  vendosur në realizimin e  përcaktimit kombëtar për liri e barazi me kombet tjera. Qëndresa e paparë në përballimin e pasojave të helmimit ishte një tregues se kombi shqiptar di të vepron edhe ndaj provokimeve të rënda. Kurse Prof. Dr. Masllum  Belegu i cili si specialist u përball me  të helmuarit në spitalin e Prishtinës, për mjetet e informimit tha: “Ky është helmim masovik, helmimi masovik është baras me luftën. Unë nuk kam mbërri të shoh diçka të tillë”.  (youtube.com/watch?v=7mzxXjLQJiI).  Akad. Prof. Dr. Idriz Ajeti:” Akti i helmimit është i tmerrshëm”. (Rilindja, 23 mars 1990).  Diplomati i njohur austriak Alber Rohan do deklaron: “ Gjatë viteve të 90-ta, autoritetet serbe vazhduan të diskriminonin kosovarët duke i përjashtuar nga të gjitha sistemet administrative, shëndetësore e arsimore  forcat jugosllave dëbuan mbi 800 mijë kosovarë nga shtëpitë e tyre drejt vendeve fqinje. Pas kësaj  NATO vendosi të ndërhyjë ushtarakisht ndaj Jugosllavisë”. (Bota Pres- 03.02.2018).

 

 

 

Murgesha nga Kroacia e cila kishte shërbyer në Binç të Kosovës,  shkruan një letër për gazetën kroate “Glas Koncila“, 6 maj, 1990 ku mes tjerash thuhet: “Njerëzit sillnin djemtë e vajzat e veta në dëshpërim të vërtetë, sepse spitali nuk deshi t’ua pranonte fëmijët. Është e tmerrshme se si vuajnë ata njerëz të rinj. Para dy ditëve një vajzë e kanë varrosur. Duket se helmi ishte i hedhur para shtëpisë, sepse tërë familja ishte helmuar. Veçse helmimi nuk ndikon njësoj te secili. Në TV nuk e kanë treguar këtë. Murgeshat tona japin ampula bedoksin dhe tableta novalgetol, por këto na kanë mbaruar, sepse për shkak të helmimit të madh, janë harxhuar në barnatoret e Ferizajit dhe Gjilanit. Se si do dalë kjo, vetëm zoti e di. Sa lot  janë derdhur”.

Gazeta e njohur austriake “Der Standard” Me 21 e 22 prill 1990 në artikullin e saj anlitik mes tjerash rreth helmimit shkruan: “ Për pak kohë 4000 nxënës shqiptarë u ballafaquan me helmim, shpjegoi  Xhemajli, dhe shkaktari deri sot nuk u zbulua. Mjekët në Prishtinë janë të bindur nga faktet, se kemi të bëjmë me një helmim të rëndë nga gazrat  psikotoksike  me të cilët duhej të ballafaqoheshin. Deri më tani tre fëmijë u shtruan për shërim  në Zvicër”. Argument rreth prodhimit të helmit sarin në Jugosllavi i cili u përdor në Kosovë është dokumenti nga Stipe Mesiq, Lider i DPK-së dhënë gazetës kroate “Slobodna Dalmacia.  “Dokumentet për APJ-në i dërgova më 1991 në Pentagon. Informatë, se APJ (Armata Popullore Jugosllave) prodhon gazin helmues sarin dhe bashkëpunon me irakianet e dërgova në Pentagon, ngaqë konsideroja se aktiviteti i tillë është rrezik për mbarë bashkësinë ndërkombëtare” Nga Suedia Goran Vasenius rreth helmimit shkuan një libër. Mes tjerash citojmë: “Me të dëgjuar se çfarë në të vërtetë po ndodhë me helmimin e fëmijëve të Kosovës, unë jam tmerruar prej atij realiteti. Librin e kam shkruar që bota të kuptojë realitetin se cfarë po ndodh në Kosovë, kam formuar një ekip të përbashkët europian, për viktimat e helmimeve të viteve 90-ta, për të demantuar propagandën e Millosheviqit. Dhe më vjen mirë që libri im zgjoi nga gjumi botën që ishte verbuar nga propaganda e Millosheviqit”  (zëri.info – 14 janar 2016 )

Propaganda serbo jugosllave ishte shumë e fuqishme krahasuar me mundësitë e nxjerrjes së vërtetës para opinionit botëror lidhur me shtypjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Kjo makineri propagandistike komuniste e nacional shoviniste antinjerëzore kishte aleat kryesor Akademinë e Shkencave Serbe, Kishën Ortodokse Serbe, Komitetin Qendror Federativ, Republikan, Komitetin Krahinor të Kosovës. Vepra antinjerëzore e saj u vërtetua me gjithë konglomeratin e saj të ndotur antinjerëzore e shkatërrues me rastin e helmimeve. Mjekësia serbe vepronte si dorë e zgjatur e krimit, ku mjekët serb nuk pranuan dhënien e ndihmës pacientëve shqiptarë. Diçka e tillë nuk është regjistruar ndonjëherë në historinë e mjekësisë njerëzore në thyerjen e Betimit të Hipokratit, ashtu siç ndodhi me mjekët serb në Kosovë.

A po harrohet ky akt kriminal serb?

Deri më tani nuk është e njohur se Kosova ka dërguar ndonjë ankesë kundër Serbisë rreth aktit kriminal të saj. As nga dëshmitarët e thirrur në gjykimet e Hagës nuk u shtrua ky argument i gjenocidit serb ndaj shqiptarëve. Ja deklarata e  Dr.Besnik Bardhi, organizator i simpoziumit “Kosova sprovë e ndërgjegjes mjekësore” me 9 qershor 1990 në Zagreb. “Unë u kam shkruar letër të hapur presidentit të Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaqi  dhe kryetarit të Parlamentit, ku kam kërkuar (është e botuar) që ti bashkëngjitet dosja e helmimeve, të merret parasysh dokumentacioni i helmimit të fëmijëve në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë”. ( Buimi: Emisioni RUBIKON, Adriatik Kelmendi KTV – emisioni, helmimet në Kosovë)

Krahas punës edukativo-arsimore  mësuesëve/eve iu shtua detyra e mbrojtjes së nxënësve dhe shkollës shqipe në vitet në vazhdim. Shumë prej tyre ishin të helmuar edhe pse helmi ishte efektiv kryesisht tek të rejat me organizëm të ndjeshëm. Represioni kundër mësuesve ishte i madh dhe me pasoja të rënda: vrasje, rrahje, arrestime, maltretime nga më të ndryshmet. Periudha e viteve nëntëdhjeta është sa e vështirë aq e lavdishme, andaj e meriton tretmanin e merituar nga qeveria dhe shoqëria kosovare sot.

Filed Under: Histori Tagged With: 18 vjet, Hazir Mehmeti, Helmimi i femijeve shqiptare, Krim Serb

“Ndërtim paqe, do të thotë të ndërtosh gjatë”

February 27, 2018 by dgreca

1 Lunacek copyUlrike Lunacek, Esse,  “Ndërtim paqe, do të thotë të ndërtosh gjatë”/

Ulrike Lunacek   “Frieden Bauen heißt weit bauen“/

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Promovimi u shoqërua me podium diskutimin me temë: Nga Brukseli në Kosovë dhe anasjelltas: Rruga e Kosovës drejt BE, bisedë rreth strategjisë së re për Ballkanin Perëndimor: Wolfgang Petritsch, ish-emisar i BE-së për Kosovën dhe Vedran Dzihic, ekspert për Ballkanin, autorja e librit Ulrike Lunacek, deputete në Parlamentin Evropian. Diskutimi u drejtua nga Karin Strobl, gazetare e njohur austriake dhe përfaqësuese për media e Partisë së të Gjelbërve në Parlament.
Në rrethanat festive të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Shtëpinë e Bashkimit Europian  në Vjenë, u bë promovimi i librit nga ish zëvendësja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek. Organizuar nga Parlamenti Europian dhe Komisariati Europian. Deputetja  Ulrike Lunacek është nga radhët e të gjelbërve në Austri, deputete në Parlamentin Evropian e caktuar si raportuese për Kosovën për tetë vjet radhazi. Ajo nga gjithë puna e saj rreth Kosovës nga detyra e raportueses, shkruan ese e ndërtuar mbi brumin e përpjekjeve programore të BE, Bruksel-Kosovë dhe anasjelltas.

Salla e njohur për publikun vendor ishte e mbushur si rrallë më parë nga diplomat, shkrimtarë, veprimtarë, studentë nga shumë kombe, mes tyre shumë shqiptarë. Ishin dhe  përfaqësuesit e ambasadave të Shqipërisë she Kosovës.
Ulrke Lunacek në fjalën e saj uroj për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës duke vazhduar me prezantimin e librit i përgatitur nga Wolfgang Machreich. Libri ndahet në 11 kapituj që nga viti 2010 me kapitullin “Vera Schatzi 2010” dhe duke përfunduar me “Tetë vjet raportuese në Parlamentin Europian për Kosovë”. “Më 17 shkurt të këtij muaji festohet 10-të vjetori i Republikës së Kosovës. Një rast për mua si raportuese shumëvjeçare e Parlamentit Europian për Kosovën të bëjë një bilance ngase dhjetë vjet nga deklarimi i pavarësisë përparimi në vet vendin dhe në rrugë drejtë anëtarësimit në Unionin Europian nuk janë zhvilluar sa u prit dhe u dëshirua në vitin 2008. Ky libër flet shkoqur për gabimet, dështimet dhe gafat trashanike të politikës kosovare të shkaktuara nga shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm… Ky libër tenton që në çdo kapitull të bëjë një hark prej politikës deri te qytetarët, gratë, burrat, fëmijët, për hir dhe në dobi të të cilave u munduan të gjitha programet, marrëveshjet, nismat, raportet, rezolutat etj.  që përmblidhen me termin “politika gjeruese e Unionit Europian” Mes tjerash  Lunacek shkruan: Jam plot besim se ky libër ofron argumente të mira  për një vazhdim të intensivuar të rrugës së anëtarësimit të këtij shteti më të ri europian.  Strategjia më e re e UE e paraqitur në shkurt të këtij viti është e nevojshme për të sinjalizuar: Kosova dhe shtete të Ballkanit Perëndimor janë një pjesë e rëndësishme e këtij kontinenti tonë.. Vetëm me zgjerimin e Unioonit Europian me të gjitha shtetet pasardhëse të Jugosllavisë dhe Shqipërinë koncepti europian për paqe do të jetë i plotësuar edhe për këtë pjesë të kontinentit”
Veçojmë njërën nga pyetjet në diskutim rreth deklaratës së zv.kancelarit Streche nga partia djathtiste, Partia e Lirisë së Austrisë (FPÖ)

Karin Strobl: Z. Petritsch, Si e vlerësoni ju deklaratat e fundi të Zëvendëskancelarit Strache? E shihni ju si qëndrim austriak në marrëdhënie të jashtme apo rreth Ballkanit Perëndimor, respektivisht zmbrapsje nga Strategjia për Ballkanin?

 

W.Petritsch: Unë me të vërtetë nuk mund të mendoj diçka të tillë. Natyrisht, kjo deklaratë është turp për Austrinë si njëri nga anëtarët më të lartë në qeveri bën deklarata të tilla.  Kjo shkatërron, ju e dini këtë dhe unë nisur nga kjo kam reaguar në forma të ndryshme, dje kam telefonuar në Bruksel: Po, në rregull,  ata dhe duhet të jenë ndonjëherë pjesë e regjimit, aty ne shohim një parti e cila tani është në qeveri, dhe këtë Republikë të Austrisë e vë në pikëpyetje. Gjithashtu Unionin Europian e vë në pikëpyetje. Ne jemi, sigurisht, pjesë përbërëse e përbashkët e Unionit Europian.

Në diskutime u tha se Unioni Europian aty ku lenë zbrazësi po rritet ndikimi nga jashtë Unionit, këtu është i shprehur ndikimi rus, kinez dhe ai arab. Investimet ruse, kineze e arabe në Serbi dhe disa vende nga Ballkani Perëndimor kanë qëllime në ndikimet strategjikë, veçanërisht të Rusisë e cila vendosmërisht e kundërshton forcimin e Unionin Europian me vende tjera, tenton ta pengon anëtarësimin në NATO të vendeve të Ballkant Perëndimor, ku si shembull ishte Mali i Zi, anëtarësimi i tij u tentua të pengohet nga çarqet ruso-serbe. Në diskutim u tha, se  strategjia rreth Ballkanit Perendimor duhet të jetë e qartë, e përgatitur mirë dhe me vendosmëri në formën e barabartë për të gjitha shtetet e rajonit. Ballkani Perëndimor e plotëson Unionin Europian, si pjesë natyrore e tij.
Ulrike Lunacek, U lind në Krems/Donau, Austri e Ulët. Zëvendëskryetare në Parlamentin Europian,  ku është tani e nëntë vjet deputete e të gjelbërve dhe raportuese për Kosovën. Flet disa gjuhë, kreu shumë detyra me rëndësi shoqërore duke filluar nga mësuese në Vjenë, zhurnalistë, deputete, kandidate kryesore e Partisë së Gjelbërve në Austri në zgjedhjet e vitit të kaluar deri në Autore e lirë.
Është i njohur qëndrimi i saj parimor rreth problemeve rreth Kosovës, kjo e ka ngritur imazhin e saj tek të gjithë shqiptarët kudo dhe tani flitet për njërin nga personalitet mike e Kosovës. Respekti për te do jeton gjeneratave.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Hazir Mehmeti, Ulrike Lunacek

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT