• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHENJTI PORTUGEZ I SHQIPTARËVE

June 13, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/

“Ne të lutemi o Zonja jonë, o shpresa e jonë ! Ti që je Ylli i detit na ndriço ne, të përplasur nga stuhia në detin e jetës ; Na ndriço në molo e n’orën e fundit na mbro me ngushëllimin e pranisë tënde, që të mund të arrijmë të gëzuar lumturinë pa fund.Këtë nder të na dhurojë Ai që ti e mbajte në prehërin e bekuar dhe i dhe qumështin me gjirin Tënd të Shenjtë. Atij nder dhe lavdi në shekujt e përjetshëm. Amen!”

Lutje Virgjëreshës Maria nga Shna Ndou

Që nga thënia e Marksit “Feja është opium për popullin” e deri në vetëshpalljen e Shqipërisë si i pari dhe i vetmi shtet ateist në planet, kaloi më shumë se një shekull. Qe një shekull që punoi për të realizuar, nëpërmjet luftërave botërore, sistemin komunist në botë. Një nga pikat më nevralgjike të strategjisë së tij qe lufta kundër besimevet fetare. Në Shqipëri ajo u shfaq në përmasa e mizori të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës. Martirizimi i klerit shqiptar, sidomos i atij katolik, nuk i pati zili aspak Neronit, mbasi i tejkaloi në cilësi e sasi mizoritë e tij.

U mbyllën të gjitha objektet e kultit, klerikët u përndoqën, herë herë edhe me çmimin e jetës së tyre dhe dy breza shqiptarësh e këmbyen emrin e Zotit me atë të Enver Hoxhës. Objektet e kultit u kthyen në pallate sporti, në shtëpi kulture socialiste apo stalla lopësh e një pjesë e mirë e tyre u shemb, duke groposur veprat artistike. Mbas 1990 ato u ringritën e shqiptarët rifituan të drejtën të luteshin hapur. Pas komunizmi nuk u tregua dorështrënguar me rivendosjen e besimeve fetare, sepse ata nuk rrezikonin perspektivat e paracaktuara mbizotëruese në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë demokratike për kastën e komunistëve të rinj.

Ndërmjet kishave, të shembura nga furia djallëzore e organizatave të Enverit, qe edhe ajo e Shna Ndout në Sebaste, Laç. Nga ajo kishë kishte mbetur vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e njerëzve. Ai vënd u kthye në një simbol të shpresës e të qëndresës. Pushteti i komunistëve i përdori të gjitha format e trysnive për të zhdukur nga përfytyresa e shqiptarëve atë vend të shenjtë dhe nga zemrat e tyre atë figurë madhështore të botës së krishterë. Por asgjë, as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rrjeshtuar, nuk qenë në gjëndje të ndalonin vargun e gjatë e të pashkëputur të shqiptareve e të shqiptarëve që, çdo 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij. Studjuesit e kësaj dukurie, unike në sistemin terrorist të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë përcaktuar motivin e vërtetë të thyerjes së regjimit përballë vullnetit të një populli, për të shfaqur haptas besimin në një nga shenjtët më të shquar në gjithë historinë e Kishës katolike. N’atë dështim të regjimit gjakatar, sigurisht, ishte fryma hyjnore që shfaqej, në gjithë shkëlqimin e saj, e që shprehej nëpërmjet mrekullive të “Shenjtit të mrekullive”.

Shna Ndou i Padovës (kështu njihet Ai në letërsinë kishtare) kishte lindur në Lizbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195. Dita e lindjes së Tij, nga një familje fisnikësh, përkonte me festën e Ngjitjes në qiell të Virgjëreshës Mari, Nënës së Jezu Krishtit. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, një dhuratë të Virgjëreshës dhe që së vogli e edukoi atë me kultin e saj. Fëmija i lutej çdo ditë Virgjëreshës e, në moshë të vogël, i premtoi asaj virgjërinë, për të qenë një adhurues i saj i përhershëm. Që herët u shfaq fuqia e Tij për të kryer mrekulli. Ai u rrit mes librave e lutjeve, duke patur në qendër të shpirtit të tij dashurinë për Jezu Krishtin dhe Nënën e Tij.

Tre parimet, mbi të cilët mbështetej formimi i mbrendshëm i Fernandit, ishin : përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, të njëjtat mësime kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15 – vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe u fut në një monastir të agostinianëve, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Në qetësinë e tij, djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studjuar veprat e Tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e thella të Etërve të Kishës mbi to, veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.

Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld, “ atje Fernandi bëri përparime të shpejta në përsosmërinë dhe në studimin e Fesë, në të cilën arriti në majat më të larta. “ Në kronikat e abacisë Fernandi “ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme.”

Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre Ai u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u vranë në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhërin e Fretërve minorë. Përballë jetës akademike të kanonikut agostinian Fernandi parapëlqeu atë të thjeshtën të Sh. Françeskut, duke ndërruar emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e eremitit të madh e Shenjtit me të njëjtin emër, që kishte jetuar në kuvendin e Oliveras. Por edhe qëndrimi në këtë kuvend qe i shkurtër dhe Antoni 25-vjeçar vendosi të largohet nga atdheu e të niset për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malarjes, nga të cilat u shërua mbas disa muajsh.

Mbas shërimit u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi anijen të zbarkonte në Siqili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna, në të cilët Ai shpalosi gjithë pregatitjen e Tij fetare e intelektuale, duke marrë titullin “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Montfort, arqipeshkvi i Boulogne-s. Të gjitha predikimet e Tij shoqëroheshin shpesh edhe me mrekulli të papara, që kishin krijuar tek njerëzit e thjeshtë një adhurim e besim të jashtzakonshëm. Madje vetë Shën Françesku, krijuesi i Urdhërit të ri të Kishës n’atë periudhë, e quante atë “më të diturin e bijve të Tij” dhe e dërgoi me mision në Francë më 1224, ku herezia kundër krishterimit ishte përhapur shumë.

Në Francë Ai shpalosi dijen, përkushtimin e talentin e Tij të spikatur në mjedise të molepsura, duke kundërshtuar herezinë e mungesën e besimit që kishte pllakosur Francën e jugut, duke predikuar në Montpellier, në Tuluzë, në Velay, në Lingadoca, Limoges, Arles. Në Limoges vuri në dukje edhe njëherë aftësinë e Taumaturgut, kur një furtunë e madhe po detyronte njerëzit e shumtë, jashtë kishës të largoheshin. Por Doktori i shkencave i siguroi se ata nuk do të lageshin, dhe ashtu ndodhi. Mbas tre vjetësh pune të një dobie të jashtzakonshme për ripohimin e doktrinës dhe kthimin në rrugën e drejtë të shumë heretikëve, Ai u largua nga Franca e cila, së bashku me Shën Dominikun, e konsideron ende një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues të jashtzakonshëm.

Në kthim Atë Antoni zbriti në Siqili e mandej, në udhëtimin drejt Umbrias, u ndal në Romë, në javën e Pashkës. Predikimet e Tij në kryeqytetin papnor u dëgjuan me shumë entuziazëm nga mijra pelegrinë, madje edhe nga vetë Papa Gregori IX, që e quajti Atë “Arka e gjallë e Biblës”. Pastaj Ai u shpërngul në veri-lindje të Italisë e ushtroi veprimtarinë ungjillore në gjithë bregdetin e Gjirit të Triestes, që nga Aquilea, Venediku, Gorizia dhe Udine. Në Vareze themeloi kuvendin, ndërsa në Ferrara, në një ceremoni kishtare, kreu një mrekulli që mbeti si një nga kryeveprat e Tij. Një grua fisnike, bashkëshortja e patricit Obizzi, akuzohej për tradhëti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkoi ndihmën e Taumaturgut. Ai, që i besonte asaj, “mbasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krahë, ngriti sytë nga qielli dhe tha : N’emër të fëmijës hyjnore të përgjërohem o vogëlush, të thuash publikisht, me fjalë të qarta e pozitive, se cili është autori i ditëve tuaja.

Atëherë fëmija, edhe se ishte në shpërgënj, u kthye nga i ati dhe shqiptoi qartë këto fjalë : Ja babai im!” Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të Donatellos dhe në nje reliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. (Eugenio Pilla : “Il Santo” F. 172)

Atë Antoni u dërgua në Firence për të paqtuar guelfët e gibelinët, kaloi në Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti që zgjodhi për jetën dhe fundin e saj, ishte Padova, në të cilin mbylli sytë më 13 qershor të vitit 1231, në moshën 36-vjeçare, mbasi kishte përballuar një tiran gjakpirës si Eselino III da Romano, duke bërë t’i bjerë në gjunjë e duke i treguar se nuk i trëmbej asnjë pushteti tokësor. Ai la edhe disa vepra të shkruara si “Panegjirikët e Shejtëvet”, “Bisedë mbi psalmet”, “Biseda mbi kohën”. Pa mbushur njëmbëdhjetë muaj nga ndërrimi jetë, Papa Gregori IX, me kërkesën e fuqishme të besimtarëve, e shpalli Shenjt Antonin e Padovës.             

Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, që u dha atyre kurajon për të përballuar vështirësitë e jetës, ndërmjet tyre edhe për të sfiduar diktaturën më mizore. Ajo kurajë e kishte zanafillën në vargun e mrekullive që i Plotfuqishmi, Jezui dhe Virgjëresha i jepnin mundësi Atij të kryente për njerëzit, mrekulli që vazhduan me shekuj në të gjithë botën, fatmirësisht edhe në Shqipërinë tonë. Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë një nga përbërësit më të rëndësishëm të jetës fetare e shpirtërore të popullit tonë.

Kisha e Shna Ndout në Sebaste u ndërtua rreth vitit 1300 dhe u shkatërrua më 1971. Në të shërbyen shumë rektorë e meshtarë, ndër të cilët emra të shquar të kishës e kulturës shqiptare si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Mons. Robert Ashta, Atë Zef Pllumi etj.

Prandaj ajo kishë e bukur, e rindërtuar në kodrën e Laçit nuk resht kurrë së prituri njerëz të gjitha besimevet, duke pohuar në vazhdimësi gjithësishmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor.

Qershor 2015Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, i shqiptareve, Shenjti Portugez

Paranoja e Serbisë karshi “bashkimit kombëtar Kosovë – Shqipëri”

April 8, 2015 by dgreca

Nga Arton Konushevci/
Ideja e bashkimit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë është më shumë paranojë e Serbisë dhe reagimet që vijnë nga Beogradi zyrtar janë më shumë në funksion të ikjes nga problemet reale të këtij shteti.
Në këtë formë mendojnë të paktën njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi.
Reagimet me zemërim të zyrtarëve serbë kanë pasuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “për bashkimin kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjete të shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”, në një intervistë dhënë një televizioni vendor në Kosovë.
Analisti Ismail Hasani, në Prishtinë, thotë se reagimet nga Serbia vijnë e bëhen më të ashpra, pasi që tani “është kuptuar tashmë se shqiptarët janë faktor në Ballkan”.
Ai i cilëson këto reagime si të natyrshme, deri diku, “për faktin se Serbia në një mënyrë është ndërgjegjësuar se entiteti shqiptar në Ballkan është faktor që nuk guxon të injorohet”.
“Do të thotë, tani shqiptarët në Ballkan, me potencialet që kanë, me resurset që kanë, me të arriturat që kanë shënuar, është e nevojshme për secilin shtet në ketë rast për Serbinë, të merren në konsideratë. Për fat të keq, Serbia si fqinje grindavece, këtë reagim e bën në mënyrë të ashpër, në mënyrë të vrazhdë, pa diplomaci dhe pa sens të maturisë. Dhe konsideron se ‘ja rreziku po vjen’, do të thotë, nëse ndodhë bashkimi i shqiptarëve atëherë, rrotullohet i tërë globi”, tha Hasani.
Ai tha se Serbia nuk ka frikë vetëm nga bashkimi kombëtar, por si shtet “vuan edhe nga një paranojë e pashpjegueshme, mbase si pasojë nga lufta”.
“Shteti serb, është bukur i ç’akorduar në kuptimin edhe të ndërtimit të klasës politike; krijimit të një bilanci shoqëror. Do të thotë, problemet e brendshme të shtetit serb, në përpjekje për t’i zhvendour, gjendet në një situatë që reagohet ndaj një fqinji, i cili gjoja se paska deklaruar diçka, e për të cilën edhe vetë serbët janë të vetëdijshëm se ato procese tani për tani nuk mund të ndodhin, me gjithë faktin se shqiptarët e duan këtë proces – procesin e bashkimit”.
“Por, ai nuk mund të ndodhë për shkak të konstalacioneve gjeostrategjike”, u shpreh zoti Hasani.
Edhe Dushan Janjiq, analist i çështjeve politike në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se reagimet e ashpra nga Serbia ndodhin për disa arsye, kur përmendet bashkimi kombëtar i Kosovës dhe Shqipërisë.
“ Arsyeja e parë është Kosova dhe ka marrë formë gjatë viteve të 90’ta, në kohën e konfrontimit, në kohën e politikës së Millosheviqit në Kosovë. Ishte ajo një politikë e paditurisë, një politikë e eliminimit të çdo ekzistence autonome të shqiptarëve të Kosovës, teritoriale apo politike, madje edhe mohimit të ekzistencës së tyre. Pra, kjo ishte një politikë e dështuar e apart’heidit, e cila përfundimisht u shndërrua në krijimin e një shteti të ri shqiptar, në aspektin etnik”, tha Janjiq.
Duke komentuar edhe qëllimet programore të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, [viti 2013], e në të cilin thuhet që “në të ardhmen të krijohen kushtet edhe për formimin e një shteti të përbashket të popullit serb në Serbi dhe Republikës Serbe [në Bosnjë]”, Janjiq thotë se njerëzit shpesh ngurrojnë ta thonë atë që vërtet mendojnë, ndërsa sulmojnë të tjerët kur e kërkojnë të njejtën gjë.
“Ideja, që edhe Serbia duhet të kompensohet, sepse po e humb Kosovën, është gjithnjë e gjallë, dhe atëherë Edi Rama shihet si një arsye e mirë për të porositur Evropën dhe të tjerët, atë që në fakt e ka thënë vetë Rama – ‘nëse ju nuk e ndiqni interesin tonë, atëherë ne shkojmë drejt një rruge tjetër’. Pra, ‘nëse shqiptarët nuk e ndjekin atë interes, pse po na e kundërshtoni politikën e Dodikut’“, tha Janjiq.
Kryeministri serb Vuçiq, i ka premtuar kryeministrit shqiptar Rama, se Kosova dhe Shqipëria, “nuk do të bashkohen kurrë, siç është thënë, në formën klasike”.
“U lutem liderëve shqiptarë që të ndalen së provokuari jostabilitetin në rajon”, ka thënë Vuçiq, në rrjetin social Twitter, të martën, më 7 prill.
Ndryshe, Bashkimi Evropian vlerëson se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, të përcaktuar nga ana e Bashkimit Evropian, në nivelin më të lartë.
Këtë vlerësim e ka dhënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “bashkim kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjetet e shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”.
“Të gjithë partnerët në rajon, kanë konfirmuar vetë zotimin në përmbushjen e këtij synimi dhe ambicien e tyre për të përmbushur kriteret e nevojshme, duke respektuar në tërësi parimet dhe standardet e BE-së”.
“Ata janë duke përparuar, secili me ritmin e tyre, në këtë rrugë dhe presim nga ta t’i vazhdojnë përpjekjet e nevojshme për të arritur përparimin e mëtejmë. Në këto zotime gjithashtu përfshihet bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore; çfarëdo deklaratash provokative në këtë kuadër, janë të papranueshme”, ka thënë zonja Kocijançiq, në një përgjigje me shkrim.(Europa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkimi Kombetar, i shqiptareve, paranoja serbe

Mos po perëndon dielli i shqiptarëve ? Jo!

August 4, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Kur dielli ikë, çdo gjë ikë !
Jemi apo nuk jemi ata që me dekada kemi trokitur ne dyert e shtetëve te cilivizuara për të pasur pak mirësi për ne, për popullin tonë të shkapërderdhur? Neve aspak nuk na takon që të nderhyjmë në punët e të tjerëve.Jemi ende në gëzhojen tonë dhe gjithësesi duhet ta ruajmë vetëvehten e të mos biejmë pre e ndikimeve mashtruese rajonale.
Iku drita dhe erdhi terri , i ulur jam. Nuk po mund të shoh rrugën time.
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan ?
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë? ….. Iku ngrhtësia , i ulur jam në të ftoftë të cilin vetëm eshtrat e mi po e ndiejnë.
Pa fole, pa zog, pa shpatë? .. Iku ushqimi i shpirtit , dhe unë vuaj për atë që dikur e kishe ( gjer më sot) Më humbi bukuria e nënës ,është terr nuk po e shoh.
Populli im , o i dashur popull, po t” bi ngjuj e t”lus me za, ta shpetojme , cka mund t” shpetohet, sepse kohe ma shume nuk ka…… klithë poeti në këtë muzg kombëtar..
Dhe disa minuta para se dielli të humbet në pafundësinë e tij , i mahnitur nga bukuria e tij dhe me dro se a do ta shoh përsëri . Bukauria e qiellit ndërron me të madhe e unë ulur mendoj :
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”……. Ka disa ditë që mediet shqipfolëse na vërshuan më një krim të tmerrshëm, ku shihet L. M. duke e ther në fyt adoleshentin diku në Siri. Ish punëtori fizik i Kampit të Bonstillit. Ai u bë heroi i ditës nga mediet shqiptare pa e vra asnjë armik të shqiptarëve, përkundrazi kërcënonte çlirimtarin tonë SHBA-të. (G. M.)…..
…..Nëpër xhamitë e Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë, ku predikojnë hoxhallarë me mjekra e pa mjekra, i përgatitën të rinjtë trushpërlarë të bëjnë krime, vazhdojnë t’i mbështesnin lukuninë e vrasësve edhe tash. Lufta fetare e grupeve shqiptare në Siri e Irak mbështetej edhe nga ndonjë mjeran i tipit të Lutfi Hazirit, i cili për të neutralizuar kritikët e kësaj lufte mesjetare bëlbezonte: ata që luftojnë në Siri, bëjnë të njëjtën gjë që bënin dikur shqiptarët në luftën e Spanjës!(G.M.) .. Shiko çfarë djallezie nga Dukagjini (Dugi) dëshiron që ta relativizoj gjestin e L.. Ky llum i (Dukagjini) shoqerisë civile i cili neve të tjerëve na zen njerëz primitv është i interesuar që populli i tij të jetoj në mjerim e skëterrë sepse vetem në të tilla gjendje ai dhe lloji i tij mund të jetojnë duke themeluar e udhëhequr mijëra e mijëra OJQ në emër të luftës kundër dukurive negative.. Por.dihet botërisht se rekrutimi i mercenarëve islamikë në Kosovë është bërë nëpër xhami që qeveriseshin nga Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa qeveria jonë e mbështeste pa rezerva këtë grup zyrtarësh të BIK-ut, duke shpërfill me arrogancë grupin e hoxhallarëve shqiptarë që e predikonin tolerancën në mes të feve dhe vëllazërinë e gjakut, pavarësisht fesë së ndryshme.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?……. “Perendimi e ka pranuar pavaresine e Kosoves , por jo vendet arabe. Sikur Izraeli te kishte patur aq ndikim atehere pse nuk e cfrytezoji ndikimin e vet ne pengimin e saj? Nese dikush beson ne ndikimin e Izraelit , gabim e ka. Kosova nuk eshte pranuar si etille fale shteteve arabe dhe muslimane ,dhe jo Izraelit Arabet e kane mbajtur qendrimine Serbise e jo Izraeli “ ( Mohamed Nabhan i Palestinës)).
Ka pesëmbdhjetë vite që ne kemi lejuar që nepër xhamitë tona dhe ambiente të tjera sociale të predikohet në mënyrë të papenguar dhe sistematike fanatizmi fetar islamik, që do të thotë predikimi sipas të cilit ka vetëm një mënyrë të drejtë dhe të lejuar të të jetuarit, e ajo është mënyra salafiste ( radikalizmi islamik) dhe të gjitha të tjerat janë të gabueshme dhe të pamoralshme, se shiitët janë devijant të poshtër të islamit, se hebrenjtë janë popull i mallkuar, se amerikanët janë djaj, se gratë duhen nënshtruar e përbuzur, se xhihadi është forma më e lartë e përkushtimit fetar, se të gjitha të këqijat e shoqërisë vijnë nga mungesa e fesë, e plot gjëra të ngjajshme, krejtësisht të paqëndrueshme. Ky lloj predikimi tanimë i ka arritur efektet e veta: prodhimin e militantëve, si puna e Muhaxherit dhe shokëve të tij.(Blerim Latifi)
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan..
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,….” Viktima më të mëdha të këtij manipulimi janë padyshim të rinjtë kosovarë, të cilët të kapluar nga frika e paperspektives bijnë lehtë pre e propagandës fetare.
Pyetja: Si funksion mekanizmi i kësaj propaganda tek të rinjtë?
Latifi: procesi i prodhimit të një fanatiku, qoftë ky fetar, ose fanatik i një ideologjie tjetër, kalon nëpër tri faza.
1) Faza e parë, faza e shpërlarjes së trurit
Në këtë fazë personit të kapur nga mekanizmi i propagandës i shpërlahet truri, që do të thotë i hiqet e gjithë dija dhe edukata e fituar më parë nga familja, shkolla e rrethi social.
Kjo bëhet përmes etiketimit të kësaj edukate si “e gabuar”, “e rrejshme”, “e pamoralshme”, “në kundërshtim me parimet e Zotit”, e të tjera.
2) Pas shpëlarjes së trurit fillon faza e dytë, faza gjatë të cilës në trurin e zbrazur injektohet dogma e re dhe modeli i ri i sjelljes
Papritur një djalosh që deri dje e keni parë me xhinse rrugëve të Prishtinës a Prizrenit, tash e shihni duke u mburrur me tunikën e tij arabe. (M.L)
… “ Flakët ishin përhapur nga të gjitha anët, duke shtënë tmerr në të zotërit dhe ata që shihnin, kur një grua fort e re dhe e tmerruar, me duart kryqëzuar, erdhi tek unë dhe duke qarë, më tha: “Aman Kapiten djalin tim se po digjet!” M’u drodhën mishrat në këtë dëgjim po ç’mund të bëja? “Nuk u porositëm të nxirrnit gjënë e gjallë?! – i thashë.
E mjera grua! Fatzeza nënë. Këpuste leshrat dhe bërtiste si e prishur menç: djalën dhe djalën!…Atëherë shpirtmiri dhe trimi Abdyl Mersini, i cili kishte edhe ai një djalë të vogël lënë në shtëpi të tij, lëshohet me rrezikun e jetës në mes të flakëve dhe hyn në dhomë, rrëmben djalin dhe ia sjell të dëshpëruarës nënë. Burrëria e Abdylit më mbushi plot gaz dhe e putha në ballë! E gjora nënë rrëmbeu djalin dhe as kujtonte që po i digjej shtëpia”.(Antikat kombëtare”, Mihal Grameno,)
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë; …. Por Kim Mehmeti mendon ndryshe “Më në fund, vetëdija për përkatësinë kombëtare është çështje individuale dhe shikuar nga ky këndvështrim, kthimin e tyre në gjirin kombëtar e shoh vetëm si të drejtë individuale. Andaj, nuk jam i prirë që këtë proces të mundshëm ta ngre në shkallën e ndonjë heroizmi me përmasa mbarëkombëtare. Njësoj siç nuk e kam trajtuar si tradhti edhe atë që ka ndodhur dikur dhe që është duke ndodhur edhe sot: që shqiptari ta mohojë përkatësinë e tij etnike! Dhe, nuk dua që këtë rikthim të disa shqiptarëve ortodoksë në gjirin kombëtar ta vulgarizojmë, duke i pritur ata me daulle e dekorata. Pra, dua që këtë dukuri ta lëmë aty ku e ka vendin: në rrafshin e vetëdijes individuale.”
:”O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë ,edhe pse…..Duke folur për Shkupin, gjatë promovimit të librit të tij ‘Shkupi’, shkrimtari Kim Mehmeti u shpreh, midis tjerash, se islami e ka shpëtuar shqiptarinë. Ndërkaq, duke folur për atë se si kanë arritur shqiptarët ta ruajnë identitetin, Mehmeti tha se kjo është arritur përmes islamit.
“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, tha Mehmeti.Kim Mehmetit “Vetëm në oborret e xhamive, e ndjejnë veten te sigurt, vetëm aty ende nuk është zgjatur gjithaq dora policore “…..
Përkundër të gjithave , edhe nata pa diell do të jetë e shkurtër….. Në mes tuaj kam qëndruar,E jam duke përvëluar,Që t’ju jap pakëz dritë,Natën t’jua bëj ditë.(thoshte Naimi)
Do të perëndoj për të humburit, sepse janë të destinuar për prishje, ndërsa për shqiptarët që kanë dashuri për komb, Atdhe dhe që kultivojnë paqen, dashurinë dhe mirëkuptimin midis njerëzëve është kohë e ringjalljejes dhe e dekontaminimit nga kalldrëmet mesjetare! Shqiptarët stuhit i patën vazhdimësi, por i tejkaluan pikërisht atëherë kur askush nuk e priste! Ne jemi popull i zgjedhur, këtë e dëshmon më së miri ëndërra e Shën Palit, që ishim të paracaktuar, përgëzuar dhe shenjtëruar nga Perëndia i gjallë! na inkurajon Erton Gashi.
. O Zot ! une isha zgjedhur te behesha viktima e nje kohe te rebeluar.e nje kohe kryeneqe dhe e disa njerezve te cmendur ,te cilet nuk kishte askush guxim as fuqi ti ndalte. .S,guxoja te arratisesha nga vendi ku isha strehuar .Fusha nga do ecja ishte e mbjellur me vdekje.I thash vetes me zerin qe me dridhej,, ,,qendro e patrembur, mos u dorezo para fatkeqesise!!.Nuk e dua me trishtimin ,e kurre nuk e kam dashur dhunen e as urrejtjen .Dua te jetoj si dua une e jo si thua ti Dua ti dua te gjithe qe me duan .sepse .,,Te jetosh e vdekur me mesin e te gjalleve qenka shume e rende ,,.DUA te jetoj ne mesin e te gjalleve sepse jam e gjalle .( nga Mimi Qiraxhiu )
Dhe dita e diellit shqiptar rifillon.

Filed Under: Opinion Tagged With: dielli, Fahri Xharra, i shqiptareve, Jo, Mos po perëndon

JEAN-CLAUDE JUNKER, I TREMBËDHJETI PRESIDENT I KOMISIONIT EUROPIAN, MIK I MIRË I SHQIPTARËVE

June 30, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Jean-Claude Junker, i rritur në vite e politikë me Europën e Bashkuar, ish kryeministri i madh i Luksemburgut të vogël, është mik i mirë ndihmatar i shqiptarëve të sotëm të Ballkanit në zhvillime e integrimet euro-atlantike.
Sivjet, po vjen si i trembëdhjeti President i Komisionit Europian. Ky personalitet elitar, kontributiv e aktiv, në detyrën e tij të re mandatore, me siguri do të jetë jo vetëm e sotmja po edhe e nesërmja e Europës së Bashkuar.
Jean-Claude Junker, në kohën pas rënies të Murit të Berlinit, është kryeministri ma jetëgjatë në pushtet (1995-2013) në shtetet antare të Bashkimit Europian. Nëse flasim edhe për shtete europiane që kanë statusin e Vendit Kandidat për në BE, atëherë politikani euro-atlantik Junker renditet i dyti, pas antishqiptarit Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, pasi ky i fundit e ka mandatin e shtatë si kryeministër dhe një mandat presidenti prej se nga viti 1991.
Jean-Claude Junker, në pesë mandate kryeministrore e ka ngjit Luksemburgun në lartësi të atilla zhvillimi të gjithanshëm saqë të jetë një nga vendet model edhe për Bashkimin Europian, edhe për Botën. Si vend demokratik. Si vend i zhvilluar. Si vend neutral, paqësor e tejet dashamirës ndaj Europës e Botës. Luksemburgu, sipas FMN në Uashington, në vitin e kaluar (2013) në treguesin të ardhurat për frymë të popullsisë zenë vendin e dytë në botë (pas Katarit) me 78.670 USD. Në këto zhvillime e arritje edhe shqiptaro-luksemburgasit nga Shqipëria, Kosova, etj. të cilët zënë vendin e katërt për nga popullsia, kanë kontributet e tyre. Si qytetarë luksemburgas, shqiptarët e atyshëm, kanë nderime të larta e lidhje të mira me Madhërinë e Tij, Henri-Duka i Luksemburgut, me ish kryeministrin luksemburgas, Jean-Claude Junker; me kryeministrin aktual, Xavier Bettel, etj. Në këtë vend të moçëm, monarkist, euro-atlantik, në një të ardhme të afërt, flitet e mundet që shqipja të jetë gjuha zyrtare e katërt, pas gjermanishtes, frengjishtes e asaj luksemburgase, pasi Luksemburgu, si rrallëkush e si rrallëkund, i flet kohës me gjuhën e Europës së Bashkuar.

2.
Luksemburgu në zemër të Europës do të ketë Junker të tretin kryeministër të tij të zgjedhur President i Komisionit Europian, pas Gaston Thorn (1981-1985) e, së vonit, Jacques Santer (1995-1999). Numrin ma të madh të presidentëve të KE qyshse nga themelimi i Bashkimit Europian e kanë pasë nga dy herë Franca e Italia, ndërsa Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Hollanda, Spanja, Portugalia vetëm nga një herë. Aktualisht, në Komisionin “Barroso II” (2010-2014), është Zv/Presidente një luksemburgase, Viviane Reding. Në këto nivele përfaqësimi Luksemburgu ndihet i nderuar, po nuk duhet të trajtohet si “i privilegjuar”.
Pse e themi këtë? Për disa arsye: Luksemburgu është një vend monarkist me një dinasti nga ma të vjetrat e botës, Duka i Luksemburgut, e cila është ende në drejtimin e shtetit. Njëherash është nga shtetet e para të botës që e kanë fitue lirinë e pavarësinë, qyshse në vitin 1815 kur doli nga okupimi i Perandorisë Franceze, sipas Traktatit të Parisit. Luksemburgu është një nga gjashtë shtetet themeluese të Bashkimit Europian, sëbashku me Francën, Gjermaninë Perëndimore (sot, RF të Gjermanisë të Merkelit), Italinë, Belgjikën e Hollandën. Luksemburgu është edhe një nga dymbëdhjetë shtetet themeluese të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO). Luksemburgu është themeluese e BENELUX sëbashku me Hollandën e Belgjikën. Luksemburgu është edhe një nga vendet antare të OECD, qyshse nga viti 1961.
Luksemburgu është një shembëllim edhe për Shqipërinë e vogël, që dëshmon se personalitete të saj në një të ardhme të afërt, me antarësimin në BE, mund të jenë edhe në detyra të larta të Bashkimit Europian.

3.
Ish kryeministri luksemburgas Jean-Claude Junker është një mik i sprovuar i shumëfishtë i Shqipërisë, i shqiptarëve në Ballkan. Historia është dëshmitare, e cila ma shumë do flasin në të ardhmen.
Me Shqipërinë, lidhjen e parë zyrtare e ka vendosë në vitin 1995 me njohje nga afër e të pandashme me Presidentin e Shqipërsië Sali Berisha në një takim të nivelit të lartë të OKB-së në Kopenhagën. Në vizitën e tij në Tiranë, më 25 shtator 2008, kryeministri Junker do të deklaronte botënisht në një konferencë shtypi për kolegun e tij, Sali Berisha: “Kam një miqësi të madhe me Kryeministrin, sepse ai iu jep një rëndësi të madhe lirive demokratike. Kam simpati për të, sepse ai është një njeri i guximëshëm, i cili ka vënë në zbatim reforma të vështira”. Vet kryeministri luksemburgas, Junker, pohon se me Sali Berishën se “nuk jemi ndarë më, pavarësisht nga funksionet që kemi pasur”, “Jemi miq të mirë”, etj.
Kryeministri luksemburgas, Jean-Claude Junker, gjatë vizitës në Tiranë (2008) deklaron: “Admiroj gjithashtu edhe popullin shqiptar, një popull i guximshëm që dëshiron ndryshimet dhe që i pranon realitetet e vështira që i sjellin të gjitha këto ndryshime”. Ai flet për këto zhvillime e ndryshime të shumta e në ecuri, të cilat i vlerëson të rëndësishme për “imazhin e Shqipërisë në botë” dhe “për vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior”. Në kohë mjaft të vështira si ato të viteve 1997-’98 kryeministri Junker dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jacques Santer (1995-1999), ish kryeministër luksemburgas, iu gjendën pranë Shqipërisë në kohën e duhur e në mënyrën e duhur. Ai, sikurse edhe disa liderë amerikanë e europianë, garantoi në Tiranë, në shtator 2008, se Shqipëria do të antarësohet në NATO në Samitin e prillit 2009 duke theksue se “Shqipëria më në fund dhe në mënyrë formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe europiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së kontinentit” (Thëniet marrë nga libri “Me Sali Berishën një epokë e re”. Botim i ACABS e AFCES. Tiranë, 2009, fq. 296-’98).
Një miqësi të mirë kanë ndërveti edhe kryetari PD-së e i Opozitës ë Djathtë e kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha me ish kryeministrin luksemburgas, Jean-Claude Junker, Presidenti i ri i Komisionit Europian, gjatë takimeve të tyre në kuadrin e tubimeve të Partive Popullor Europiane (EPP) në Bashkimin Europian. Kjo dëshmohet edhe në mesazhin e urimit të 27 qershorit 2014 ku lideri Basha i përcjell urime liderit paneuropian, Junker. Ai e cilësoj lajm të gëzueshëm “miratimin nga Këshilli Europian të kandidatit të PPE Jean Claude Juncker, për drejtimin e Komisionit Europian” si dhe i jep disa vlerësime meritore: “ Juncker është një politikan me përvojë të madhe dhe një europianist i palëkundur. Emërimi i Juncker është lajm i mirë për Europën dhe për Shqipërinë, pasi Jean Claude Juncker është mbështetës i integrimit europian të Shqipërisë.”
Luksemburgu është një shtet mik i Shqiptarëve në Ballkan në këto tre dekadat e fundit. Madhëria e Tij, Henri, Duka i Luksemburgut ishte më 28 maj 2014 për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku riafirmoi mbështetjen e Tij për Kosovën e Shqiptarinë.
Gjithmonë burrat e mëdhenj, edhe në dy vende të vogla si Luksemburgu me Shqipërinë e Kosovën, lidhin miqësi të mëdha. Ne, shqiptarët jemi vlla pa vlla në kit’ botë, ndaj na duhen miq të mëdhenj, miqësi të mëdha, që të ecim ma shpejt, që të jemi ma të fortë.

Shqipëri Etnike, 29 qershor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: europian, I KOMISIONIT, i shqiptareve, I TREMBËDHJETI PRESIDENT, JEAN-CLAUDE JUNKER, MIK I MIRË, Ramiz Lushaj

Berisha: Irinej, armiku i egër i shqiptarëve

June 2, 2014 by dgreca

Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij ne Beograd/
Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka dënuar deklaratën e Patriarkut Irineu të Kishës Ortodokse të Serbisë.
Berisha ka thënë se Irinej nuk duhej të ftohej kurrsesi në Tiranë ashtu dhe aktet provokuese tw ulta tw suitës se huliganeve serb qe e shoqëronin atë.
Më tej Berisha ka thënë se mesa duket Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij ne Beograd, 5 herë të shtyre deri tani nga pala serbe.
“Te dashur miq, duke vlerësuar si historike ne jetën shpirtërore te kombit tone shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit”, natyrisht dënoj si deklaratën e Irinej, këtij armiku te egër te shqiptareve qe nuk duhej te ftohej kurrsesi ne Tirane, ashtu dhe aktet provokuese te ulta te suitës se huliganeve serb qe e shoqëronin atë. Por këto akte nuk duhet te zbehin apo te përbaltin rendësin historik qe ka për kishën tone ortodokse autoqefale shenjtërimi i katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Ultranacionalisti Irinej, qe ka duar dhe shpirt te lyer me gjak shqiptaresh, i cili kurresesi nuk duhej ftuar, me deklaratat e tij, dhe huliganet qe e shoqëronin me aktet e tyre, deshmuan se kane ardhur me qellim pikërisht ta shndërrojnë ketë akt te madherueshem hyjnor ne një akt sherri te turpshëm.
Duke dënuar me ashpërsi deklaratën e kryepeshkopit Irinei, ftesën e tij ne këtë ngjarje te shenjte për shqiptaret si dhe rrugaçërinë e suitës se tij, shpreh dhe një here urimin tim me te përzemërt për te gjithë besimtaret ortodoks shqiptare për këtë ngjarje te madhe ne historinë shpirtërore te kombit tone. Mesa duket Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun te vizitës se tij ne Beograd, 5 here te shtyre deri tani nga pala serbe.
Une ftoj miqte e mi te mos konfondojne aktet primitive te Kryepeshkopit Irinej dhe huliganeve qe e shoqëronin me aktin e madhërishëm e hyjnor te shenjtërimit te katedrales “Ngjallja e Krishtit” ne Tirane, nje akt historik për Shqipërinë dhe shqiptaret”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Filed Under: Opinion Tagged With: Armiku, Berisha: Irinej, i egër, i shqiptareve, Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT