Nga Astrit Lulushi/
“Kur, o Katilinë, do të pushosh të keqpërdorësh durimin tonë? Sa kohë do të vazhdosh me këtë çmenduri? Kur do t’i vijë fundi kapardisjes tënde si kjo tani? – kështu tha Ciceroni më shumë se 2000 vjet më parë, duke denoncuar një komplot në Senatin romak. Dhe ata e ndërprenë, apo vërtet e prenë, fizikisht.
Por ky shkrim ka të bëjë me daljen e njeriut në pension; ngjarje e dhimbshme dhe e lumtur – si dita e lindjes – tejkaluar vetëm nga vdekja.
Në demokraci ju keni një zgjedhje, duke votuar çdo 4 vjet – kur nuk jeni i kënaqur me udhëheqësin, ju votoni për një tjetër që garanton trajtim më të mirë – dhe ngadalë por me siguri, jeta juaj përmirësohet. Në regjim autoritar gjithashtu keni zgjedhje: votoni për tiranin; ikni, arratisuni; ose shkoni në burg. Disa njerëz guxojnë të dytë, dhe jeta e tyre merr për më mirë.
Por, “gjithcka që ju duhet në këtë jetë është injoranca dhe besimi, dhe pastaj suksesi është i sigurt”, thoshte Mark Twain me sarkazëm. Sepse të kujdesesh për për dije, apo cdo gjë tjetër, është akt pjekurie e cila fitohet me përvojë a moshë.
Ju urreni një punë që është nën kontroll të plotë të një njeriu i cili i bën lajka bosit, ndërsa shtyp të tjerët për t’i bërë ata të ndjehen të pafuqishëm dhe të krejtësisht të varur. Ju e kuptoni se ju kanë uzurpuar kur zemra shtrengohet, ajri që thithni duket borxh, dielli shkëlqen nga bujaria e tjetrit, i cili – si krimb është fshehur brenda sistemit – nga qëndrimi i tij arrogant patronizues bën të mendoni se pa ‘të ju jeni asgjë; trupi bëhet pajetë, lejohet të lëvizë vetëm kur ai zgjedh. Kjo e bën atë snob, dhe ty të armiqsuar.
Njerëzit janë të frikësuar. “Unë kam qenë këtu për një kohë të gjatë. Nëse flas, humbas vendin e punës”, thonë ata dhe tërhiqen. Njerëzit të tillë janë të prapambetur, mendërisht jetojnë në të kaluarën, zakonet e tyre të këqija janë bërë tashmë traditë a normë e sjelljes së tyre. Ata përdorin çdo mashtrim e komplot për të abuzuar tjetrin, për ta shtypur a hequr nga rruga.
“O Tempora o mores”, Ciceroni bërtiti me zë të lartë – “Oh çfarë kohësh! Oh çfarë dokesh!” Të gjithë kundër të gjithëve, dhe në këtë gjendje natyrore, Hobbes shkroi shkëlqyeshëm, frika dominon çdo aspekt të jetës; bota i thyen të gjithë, pastaj disa bëhen të fortë në vendet e thyera, pranon Hemingway në fund të romanit ‘Lamtumirë Armë’.
Dikush diku dikur ka thënë se përpjekja për t’ia mbyllur gojën tjetrit është nderi më i madh që i atij i bëhet, që do të thotë se superioriteti i tij ndaj teje është i padiskutueshëm.