• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një ditë me fushatën e kandidatit Mark Gjonaj në Bronks

September 8, 2017 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI/ Zeri i Amerikes/

1 Mark GjonajMark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork është shqiptari i zgjedhur në postin më lartë politik në Shtetet e Bashkuara.Zoti Gjonaj, me origjinë nga Ulqini, po kandidon tani si demokrat për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut në distriktin 13 të Bronksit, një zonë ku tradicionalisht demokratët fitojnë. Është një zonë ku banojnë edhe shumë shqiptarë, raporton Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës, i cili ishte në Bronks për të ndjekur një ditë fushate të zotit Gjonaj.

Të martën këtu zhvillohen zgjedhjet paraprake brenda demokratëve dhe fushata ka hyrë në fazën më intensive.

Punonjësit e fushatës shkojnë shtëpi më shtëpi për të bindur njerëzit të votojnë për Mark Gjonajn.

“Pa ju, – u thotë atyre zoti Gjonaj, – kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Ju jeni fytyra dhe zëri im. Ju bëni ndryshimin në këtë fushatë dhe unë nuk do ta harroj kurrë këtë.”

Fushata mes kandidatëve demokratëve ka hyrë në fazën përfundimtare.

“Është shumë vështirë. Duhet të kesh një zell, një pasion dhe një dedikim të jashtëzakonshëm,” thotë Vera Mjeku, drejtore e komunikimit të fushatës.

Beteja për Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut është e ndërlikuar edhe pse kjo nuk duket shumë nga jashtë, sepse për të fituar, duhet të kesh mbështetjen e politikanëve të njohur apo të sindikatave, por sidomos duhet të njohësh komunitetin.

Marku është marrë prej vitesh me biznesin e pronave të patundshme dhe e njeh mirë zonën ku kandidon.

“Ai gjithmonë ka qenë shumë i përfshirë në të gjitha gjërat që kanë ndodhur në këtë komunitet, ku shumica janë italianë, hispanikë ose të tjerë,” thotë zonja Mjeku.

Kur e pyesim se çfarë e motivon, Mark Gjonaj thotë se Amerika ka bërë shumë për atë dhe familjen e tij dhe se ka ardhur koha që ai t’i kthejë borxhin:

“Është në natyrën tonë t’ua shpërblejmë të tjerëve, është pjesë e traditës sonë. Ne jemi njerëz shumë bujarë, bëjmë më shumë për të tjerët sesa për veten tonë,” thotë zoti Gjonaj.“Prindërit e mi kur imigruan këtu nuk dinin gjuhën, nuk kishin arsimin e duhur e megjithatë ata gjetën kushtet për të punuar dhe për t’u beguatuar në këtë vend të madh. Ata investuan në të ardhmen time dhe në arsimimin tim, më dhanë mua shansin, nga i cili unë përfitova.”

Në Distriktin 13 ku konkurron Marku ka mjaft shqiptarë.

“Kam 20 vjet që kam ardhur këtu dhe e njoh Markun, thotë biznesmeni Gac Hanxhari. Është shumë njeri i përgjegjshëm, punon shumë për komunitetin shqiptar, gjithmonë ka dhënë. …. Ai e meriton gjithçka, sepse është një nga shqiptarët, duhet me thënë të rrallë këto kohët e fundit, që ka kontribuar për komunitetin.”

Marku është ndër shqiptarët e pakët në Amerikë që kanë patur sukses në politikë. E ka arritur çdo gjë vetë, me durim dhe punë.

“Nuk është e mjaftueshme që të përparojmë vetëm për veten tonë, të shkojmë në shkollë, të gjejmë një punë. Komuniteti ka ardhur në një shkallë që duhet të kërkojë përfaqësim. Marku nuk është vetëm vetvetja, nuk përfaqëson vetëm veten e tij, por një zë i munguar për komunitetin shqiptar dhe është politikani i vetëm shqiptar i zgjedhur në poitikën amerikane,” thotë zonja Mjeku.

Në komunitetin shqiptar ka një dëshirë për të nxjerrë më shumë politikanë.

“Politika, – shpjegon zoti Gjonaj, – është shkalla e fundit, kur stabilizohesh dhe ke bërë diçka për vete, për familjen dhe komunitetin. Shpresoj se së shpejti do të ketë shumë më tepër shqiptarë të suksesshëm në politikë.”

Marku e ka mësuar shqipen në Amerikë dhe me shqiptarët bisedat i bën gjithnjë në shqip.

“Ne shqiptarëve na ka bërë krenar Mark Gjonaj, sepse është i vetmi shqiptar që po prin,” thotë Lekë Lumaj, i cili gjithashtu banon në Bronks.

Por Marku ka shumë dashamirës të tjerë në të gjithë distriktin. Kur shkuam në një treg të vogël lagjeje, vumë re se ai hynte lehtë në bisedë me njerëzit e të gjitha etnive.

“Ai ka një zemër të mrekullueshme, – thotë Edith Blitzer. Kur humba burrin një vit më parë ai erdhi në ceremonitë e përmortshme, erdhi në shtëpinë time. Për çfarëdo që të kisha nevojë, ai mu gjend pranë. Falenderoj Zotin që nuk pata ndonjë nevojë, por ai më ofroi ndihmë.”

Në një aktivitet lagjeje ku banojnë edhe shqiptarë, Marku i njeh thuajse të gjithë, pavarësisht nga etnia.

“Ai e di se çfarë duam ne dhe e arrin atë që ne duam…” tha Laurene Tauber, banore e lagjes.

Nëse zgjidhet në këshillin bashkiak, Mark Gjonaj do të ketë më shumë rast për të ndihmuar komunitetin, sepse në nivel lokal do të jetë më afër njerëzve.

Kur e pyetëm nëse qëllimi i tij përfundimtar është të sigurojë në të ardhmen një vend në Kongresin amerikan, Gjonaj u përgjigj:

“Aspak. Unë kam një plan në mendje: ta ndihmoj këtë komunitet për t’u bërë më i fortë, më i shëndetshëm dhe më i begatë. Ne kemi nevojë të zgjidhim çështjet lokale, na duhet një qendër komunitare, na duhet të ndihmojmë të moshuarit. Na duhet një program që të ndihmojë për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nuk e di se ku do të çojë rruga e politikës, por kemi shumë punë në nivel lokal.”

Në Sheshin Uestçester të Bronksit, ku Marku dhe të tjerë po mbanin një aktivitet që quhej Dita Ndërkombëtare e Familjes, shihje mes të tjerash edhe flamurët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Disa nga politikanët që po mbanin fjalime ishin kolegë të Markut: Michael Benedetto, përfaqësues në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut dhe Jeffrey Klein, senator në Asamblenë e këtij shteti. Që të dy e mbështesin fort kandidaturën e Markut për në Këshillin e Nju Jorkut.

Është kohë dreke, njerëzit që kanë ardhur nuk janë shumë, por ata shkojnë e vijnë.

Fushata e zotit Gjonaj kishte sjellë një grup valltarësh me kostume shqiptare që krijuan gjallëri në shesh.

“Mark Gjonaj është ndër zyrtarët e zgjedhur më të papërtuar që kam takuar ndonjëherë. Ai interesohet thellësisht për komunitetin, për larminë etnike në Broks. Ai është nga ata të cilët e jetojnë çdo ditë me arsyen e thjeshtë për të sjellë një ndryshim në jetët e njerëzve,” tha Jeffrey D. Klein, Senator në Distriktin e 34 të Bronksit.

Nga ana e tij, Mark Gjonaj tha se ka një mesazh të thjeshtë për shqiptarët:

“Vazhdoni të punoni fort, mos e harroni vendlindjen, mos e harroni jetesën e vështirë që kemi patur. Ta bëjmë këtë botë më mirë sesa e kemi gjetur.”(Vidion mund ta shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Ikonomi, Mark Gjonaj, me fushatën e kandidatit, në Bronks, nje dite

Esat Pashe Toptani i Ilir Ikonomit

January 25, 2017 by dgreca

esat-pasha-ballina

ikonomi

RRETH LIBRIT “ESAT PASHË TOPTANI (NJERIU, LUFTA, PUSHTETI)”  TË ILIR IKONOMIT/

Asllani 53

NGA ASLLAN BUSHATI/

Këto vitet e fundit janë botuar shume libra biografik, ose të karakterit historik, por që në qendër kanë një personalitet  politik. Në jetën shqiptare kjo pothuaj  nuk  është një dukuri e re,  sepse edhe më përpara  janë  shkruajtur  shumë libra për Skenderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Bushatëlinjtë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ded Gjoluli, Mic Sokolin, Azem e Shote Galicën, Hoxhë Kadrinë, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi,Cerciz Topullin, Avni Rustemin e shumë e shumë të tjera. Por e reja e botimeve të kohëve të fundit  është  se në qëndër janë vënë figura qëndrore ose komplekse  të politikës shqiptare si : Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe së fundëmi Esat  pashë  Toptani, për të cilat  sipas medias ,lexueshmëria ka qenë më e madhe  se sa pritej.

Para disa ditësh  në një të përditëshme shqiptare, lexova titullin e një artikulli  që afërsisht thonte: “… kush është i interesuar për ringjalljen e tradhëtarit  Esat pashë Toptanit”? Më erdhi për të qeshur  dhe nuk e lexova për dy arsye: së pari se kjo  më kujtoi  kohën e shtetit totalitar ,ku  cdo gjë servirej bardhë e zi (ose atdhetar ose tradhëtar), dhe së dyti,  sepse isha në përfundim të leximit të librit “Esat Pashë Toptani-njeriu, lufta,pushteti”, të studiuesit serioz dhe gazetarit të mirënjohur të  VOA-së Ilir Ikonomi.  Libri prej 550 faqesh më mjaftonte të kisha gjykimin tim  të painfluencuar nga artikulli i mësipërm  për autorin, personazhin historik, dokumentacionoin,stilin, fotografitë, lidhjen etj.

Tani i “cliruar” nga  cdo efekt anësor,  mund të them se studiuesi  Ilir Ikonomi, na  befasoi me materialin shumë voluminoz (shumica  i  pa njohur më parë) ,që paraqet para lexuesit për figurën komplekse të Esat pashë Toptanit. Personalisht mendoj se nuk kemi të bëjmë me një libër të theshtë biografik, por kemi të bëjmë  me  një punë të mirfilltë kërkimore  e shkencore ,  bazuar kjo  në qindra dokumenta autentike  e mijra citime . Libri (studimi) është paraqitur me një stil të shkruari të thjeshtë,pa përsëritje, pa ndërlikime frazore e me një fjalor letrar të pasur. Nga këndshikimi logjik, në asnjë rast nuk deklarohet ose theksohet se kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, por me fakte të drejpërdrejta dhe me burime të tjera shkresore  , autori e shtynë lexuesin të mendojë e gjykojë vetë.  Pra,  Esat pashë Toptani, pas leximit, nuk është më  i Ilir Konomit,por i lexuesit. Ky i fundit me materialin që merr,vetëdijen e tij  dhe me bagazhin që posedon , ka të drejtën e vet ta vlerësojë Esat Toptanin real  si gjeneral   e si politikan, si atdhetar apo si tradhëtar, si trim apo frikacak, si njeri i mprehtë apo injorant, si i besës apo si i pabesë, si opportunist apo si dinak, si babaxhan apo si dallaverexhi etj.  Por në të njejtën kohë studiuesi  Ilir Konomi, nuk është vetëm vëzhgues e  ofrues  faktesh . Ai  tërthorazi   cfaq  mendimin e vet, i  cili është llogjik e i bazuar në  dokumenta dhe u hap një hpsirë të re në radhë të parë historianëve për ta riparë  e rivlerësuar Esat Toptanin  në kontekstin e kohës që ka jetuar ,se sa ai i ka shërbyer kauzës së Kombit ose sa dëme i ka sjellë asaj. Nisur nga sa më lart autori me të drejtë shtron pyetjet për Esat pashë Toptanin se :”Ku e mësoi artin e të folurit,që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse sesa  belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?”. Autori e përshkruan Esat Toptanin në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës : ”Përballja me sultan Abdyl Hamitin,rrethimi i Shkodrës, rivaliteti me Ismail Qemalin, bashkëjetesa dhe ndarja me Princ Vidin,rikthimi në Durrës dhe qeverisja nën rrethimin e rebelëve të Shqipërisë së Mesme,lufta në Frontin e Selanikut, Konferenca e Paqes dhe vrasja nga Avni Rustemi në Paris”.

Tani pyetja shtrohet edhe për mua (si autor i këtyre rrshtave) se si e shoh sot Esat pashë Toptanin?  Para se ta lexoja botimin e Ilir Ikonomit , njohuritë e mija për këtë figurë ishin të pakta dhe kryesisht ato që ka shpalosur shtypi  zyrtar dhe historiografia shqiptare. E thënë shkurt tradhëtar dhe dallaverexhi, sinonim i njeriut që i ka bërë keq atdheut. Kurse mendimi që kam sot për të është  më i gjërë, më kompleks dhe nuk mund ta them  me nje ose disa epitete, por sipas kohës, rrethanave dhe  alternativave që ka patur në dispozicin, parë të gjitha nga këndshikimi i interesave kombëtare.

Esat pashë Toptani gjeneral, kryesues i delegacionit të Parlamentit turk prej katër vetash i komunikon padishahut sulltan Abdyl Hamiti i dytë se ka rënë nga froni, lajm që tronditi  Turqinë dhe gjithë botën e asaj kohe. Pyetja shtrohet pse nuk qenë në gjendje ta bënin  këtë gjeneralë të tjerë të cilët do të hynin në histori me këtë veprim? Mendoj se gjeneral Esat pashë Toptani  ishte trim, guximtar, por edhe avanturier  duke synuar poste më të larta. Tjetër, Esat pashë Toptani deputet në parlamentin turk mbron hapur kryengritjet në Kosovë dhe bën përgjegjëse qeverinë se ka qenë shkaktare e zemërimit të popullit shqiptar dhe se është sjellë me brutalitet duke ju drejtuar me gisht  e duke bërë debat të ashpër  me kryeministrin dhe  ministrin e luftës.  Kur zona më e nxehtë e luftës bëhet Shkodra, Esati emrohet komandant i trupave  shqiptare të përforcimit (rezerviste), domethënë zëvëndës komandant i frontit të luftës me Malin e Zi. Kur komandanti turk  (Hasan Rizai), vritet, Esati emrohet komandant i frontit të luftës post të cilin e mbajti jo vetëm shtatë muajt e rrethimit të Shkodrës, por deri kur pjesën turke të ushtrisë e përcolli me anije nga Durrësi. Dokumentat që sjellë Ilir Konomi  për kohën e rrethimit në Shkodër dhe veprimtarinë ushtarake e diplomatike të Esatit, janë mbresëlënëse. Ai  e ruajti ushtrinë dhe popullsinë e qytetit me rrethinave, në kushte ekstreme, deri në kafshatën e fundit të bukës nën kërcënimin serioz të luftës dhe urisë. Mbante lidhje (krahas prijësve vendor ) edhe me austriakët, italianët, francezët, britanikët,rusët ,grekët, serbët,  madje dhe me armiqt e frontit malazest,në një kohë që Stambolli nuk i dërgoi asnjë ndihmë ushqimore gjë e cila solli urinë duke përdorur edhe mish kali të ngordhur vetëm për të mbetur gjallë. Ushtarët turq shpesh nuk deshën të luftonin e të vriteshin për një qytet shqiptar  që nuk i përkiste më Turqisë, por Esati i bindi dhe e mbrojti Shkodrën. Pyetja shtrohet se me këtë a ka vend ti thuhet atij se është tradhëtar dhe se  e dorëzoi Shkodrën kur për të kishte edhe një vendim të fuqive të medha për ta marrë ata në drejtim? Esati akuzohet se ka gisht në vrasjen e komandantit turk dhe se mund të ketë përfituar mjete monetare në mënyrë të pa drejtë, por ato mbeten akuza të pavërtetuara e si të tilla mund të jenë ashtu sic mund të mos jenë të vërteta.

Esat pashë Toptanin, disa e akuzojnë si turkofil me lidhje të forta me xhonturqit, por  pyetjes së gazetarit të” Corriere della sera”në korrik 1913 se :’Besoni se Shqipëria mund të mbetet nën sovranitetin formal të Stambollit? Ai i përgjigjet:Aspak. E përjashtoi në mënyrë absolute cdo formë të sovranitetit osman në Shqipëri dhe bashkë me mua këtë e përjashtojnë të gjithë shqiptarët. Gjatë dominimit prej pothuaj pesë shekujsh,turqit nuk kanë lënë në tokën tonë kujtime të tilla, për të dëshiruar sadopak që sundimi i tyre të vazhdojë ende tek ne si emër apo si kujtim historik”.

Esati pati kontradikta me Ismail Qemalin, disa të drejta e disa qëllimkëqija. E pranoi formalisht ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, por për qëllime e ambicje personale edhe i vendosi gurë në rrota qeverisjes së tij, për të cilën mori ndëshkimin e largimit  forcërisht nga Shqipëria. Austriakët fillimisht e përkrahën,por jo vonë e braktisën si i pabesueshëm për to. Italianët e përkrahën me gjatë, por menduan se autoriteti i tij,  mund t’ju rrezikonte qëllimet e tyre për  mbikqyejen e Shqipërisë dhe pushtimin e Vlorës me rrethina. Malazezët  e luftuan  dhe në pamundësi për ta mundur kërkuan ta korruptonin. Serbët i pranuan me vështirësi planet dhe qëllimet e tij për sundimin në një shtet të vogël në mesin e Shqipërisë. Por e ndihmuan  kur Esati ishte në rrezik, dhe si shpërblim,  ky i fundit  i ndihmoi për të kaluar nëpër Shqipëri , e për tu imbarkuar në anije  në kohën që austriakët pushtuan Serbinë. Grekët deshën ta afronin, por i trembeshin autoritetit dhe arrogancës së  tij. Britanikët qenë pothuase skeptikë, francezët besuan  përgjithësisht tek Esati, e ndihmuan, e cuan në frontin e Selanikut, por nuk ja njohën meritën në shkallë ndërkombëtare  Shqipërisë si shtet fitues në krah të Antantës. Amerikanët e vlerësuan sa Presidenti Willson e priti në takim zyrtar, ku Esati   i deklaroi:”Protektorati  italian, i urryer nga të gjitha pikpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i  besohej një fuqiie të painteresuar,do të ishte dicka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”.

Nga dokumentat e paraqitura nga Ilir Ikonomi, del se  Esati , vec e vec, me  shumicën e aktorëve ka lidhur marrveshje dhe  i kanë  dhanë mjete monetare të shumta të cilat i përdori për mbajtjen e ushtrisë   e për interest e tij personale. Këto mjete shpesh diktuan qëndrimet dhe lëvizjet e tij nga një aktor tek një tjetër, por shtetit të ardhëshëm shqiptar nuk i mbeti barrë pagesa e ndonjë dokumenti  të Esat pashë Toptanit. Ai ishte mosbesues për këdo, por dhe të tjerët ishin mos besues ndaj tij. Koha nga shpallja e pavarsisë së Shqipërisë e deri në konsolidimin e shtetit nga Ahmet Zogu ishte shumë e vështirë.

Nga gjithsa më lart, duke e studiuar me kujdes botimin e Ilir Ikonomit, unë nuk mund të them me se Esat pashë Toptani ishte thjeshtë tradhëtar, ashtu sic nuk mund të them se ishte një hero i vërtetë. Ai ishte një ushtarak dhe një politikan me  të mira dhe  dobësi si shumë udhëheqes  të së shkuarës dhe të sotëm të Kombit Shqiptar. Unë pajtohem plotësisht me autorin kur thotë se:”Ky punim nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia”.

Gjej rastin ta falenderoj përzemërsisht studiusin dhe gazetarin e mirënjohur Ilir Ikonomi, për punën e madhe studimore që ka bërë me punimin”Esat pashë Toptani-njeriu, lufta, pushteti”, me të cilën na ndricoi një pjesë të historisë sonë të viteve të para  të jetës së Shtetit tonë Shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, esat Pashe Toptani, Ilir Ikonomi

ME 15 DHJETOR NDERROI JETE FAIK KONICA

December 15, 2016 by dgreca

1-faik-konica-6

Ne Foto: Faik Konica ne tetor 1909, i veshur me kostumin toske, me fustenelle, zbriti ne Boston…./

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Konica, Ilir Ikonomi, ME 15 DHJETOR, nderroi jete, Si Sot

“Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”

November 4, 2016 by dgreca

ILIR IKONOMIIlir Ikonomi sjell në Tiranë biografinë “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta, pushteti”/*1-ilir-ikonomi-esati

Një libër biografik prej 570 faqesh për Esat pashë Toptanin, botim i UET Press, është punimi më i ri i gazetarit të “Zërit të Amerikës” Ilir Ikonomi, i njohur për suksesin me Faik Konicën (2011) dhe Ismail Qemalin (2012). Ky libër, fryt i një studimi katërvjeçar, për herë të parë i sjell lexuesit një trajtim të paanshëm dhe neutral të Esat Pashës (1864-1920), të cilin autori e karakterizon si njërin ndër personazhet më enigmatikë të botës shqiptare. Qysh në krye, Ikonomi shtron pa mëdyshje pyetjet që ka marrë përsipër t’u përgjigjet në libër: A ishte Esati mercenari që shiste atdheun për një grusht para? Apo ishte pragmatisti që refuzonte të bëhej shërbëtor i të huajit? Përse i zemëronte disa qeveri dhe ia dilte të miqësohej me të tjera? Si arrinte ky njeri pa ndonjë shkollë të fuste në dilema edhe diplomatët e përpunuar në universitetet europiane? Ku e mësoi artin e të folurit, që i bënte intervistat e tij të tingëllonin më koherente dhe më bindëse, sesa belbëzimet e shumë prej udhëheqësve që njohim? Përse u vra dhe kush u gëzua nga vrasja e tij? Përse historianët shqiptarë nuk kanë dashur kurrë të merren seriozisht me të, por i bien shkurt dhe e shpallin tradhtar?
Përgjigja e autorit është komplekse, ashtu si vetë jeta e Esat Pashës. Në thelb, Ikonomi përpiqet që, nëpërmjet personazhit të tij, të na zhysë në periudhën e formimit së shtetit të ri shqiptar dhe të rrëfejë shumë nga misteret e asaj kohe, kur Shqipëria përballej herë me shpresat e ngritjes, herë me kaosin e rebelimeve dhe herë me fatalitetin e pushtimeve të huaja. Ai nuk moralizon, por thjesht paraqet faktet, duke e lënë në dorën e lexuesit të gjykojë mbi Esat Pashën, i cili edhe sot është objekt debatesh të ndezura. “Personalisht, – shkruan Ikonomi, – nuk më lidh asgjë me Toptanët dhe nuk kam ndonjë interes për të qëndruar në këtë, ose në atë anë të debatit. Aty nuk ka tradhtarë dhe heronj. Aty ka fakte të ftohta që mund ta bëjnë lexuesin të argëtohet ose të trishtohet nga çmenduria njerëzore, por kurrsesi të kalojë në indinjatë apo ekzaltim, kur ndeshet me një poshtërsi a me një heroizëm”. Autori sqaron se libri i tij i drejtohet publikut të gjerë e jo thjesht studiuesve të historisë. Megjithatë, shpjegon Ikonomi, studimi i Esat Pashës nuk mund të mos mbështetej mbi një burim të shëndoshë arkivor, të pandotur nga rrëfimet gojore dhe nga interpretimet subjektive. Për këtë arsye ai ka kërkuar në shumë arkiva për të nxjerrë një arsenal të tërë dokumentesh pak ose aspak të njohura deri më sot.
Por Esat Pasha që na sjell Ikonomi nuk është personazhi statik, që jeton i kyçur në një botë të veçuar, siç e kemi përfytyruar deri më sot. Mjeshtërisht, autori e bën Esatin të flasë dhe të komunikojë me lexuesin në terrenin shqiptar të kohës. Me kujdesin e tij të njohur për detajin, Ilir Ikonomi na zhyt natyrshëm në jetën e Esat Pashës, na bën të shohim dhe të prekim mjedisin ku ai jetonte, të kuptojmë psikologjinë e tij, të thithim të njëjtin ajër.
Libri ka shtrirje të gjerë, por përqendrohet kryesisht në ngjarjet e viteve 1912-1920, periudha më delikate e krijimit të shtetit shqiptar, kur ekzistenca e Shqipërisë ishte vazhdimisht në pikëpyetje. Në biografinë e Ikonomit, Esati rezulton si njeriu ambicioz që nuk e duron tutelën e askujt dhe dëshiron të mbretërojë në një Shqipëri larg ndërhyrjes së Fuqive. Por, shpjegon autori, ky ishte thjesht një iluzion në klimën e rivalitetit mes Fuqive europiane për influencë në Shqipëri. Kjo klimë ndërlikohej edhe më shumë nga synimet e fqinjëve ballkanikë për t’i shkëputur ndonjë copë trupit të dobët të shtetit të ri.
Libri të befason me galerinë e personazheve që lëvizin dhe e ndikojnë botën shqiptare të fillimshekullit të njëzetë: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit Libohova, Faik Konica, Princ Vidi, Leopold Berchtold, Sidney Sonnino, Carlo Aliotti dhe Nikolla Pashiç janë vetëm disa prej tyre. Esati jep e merr me ta, diku përfiton me zgjuarsinë e tij proverbiale, diku lëshon për t’u rikthyer në skenën politike.
Esat Pasha ruajti një hije dominuese në dekadën e parë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ndërsa të tjerët u bënë figura kalimtare, Esati arriti të qëndrojë dhe të qeverisë sa mundej në një Shqipëri pa institucione dhe pa miq të fuqishëm. Një ditë, tregon gazetari amerikan Gordon-Smith, duke pirë kafe me Esatin në Durrës, e pyeta për atë që thoshin njerëzit, se pashai sundonte me dorë të fortë. Esati u përgjigj: “Shqipërinë njeriu e qeveris siç mundet e jo siç duhet”.
Për disa, ai u bë një pasha i urryer, sepse bashkëpunoi me Serbinë dhe kërkoi ndihmën e saj për të shtypur rebelimin e Haxhi Qamilit. Për të tjerë, ai ishte prijësi që mbrojti Shkodrën, guxoi t’i kundërvihej rebelimit proturk dhe luftoi në anën e Antantës, bllokut fitues në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që rivalët e tij u rreshtuan me fuqinë humbëse, Austro-Hungarinë.
Ky punim, – sqaron Ikonomi, – nuk ka si qëllim “rehabilitimin” e Esat Pashës. Ai është shkruar për të dhënë rreth tij një vlerësim objektiv, të pandikuar nga ideologjia. Ikonomi ngrihet mbi meskinitetin e disa kritikëve të Esatit, të cilët nuk përfillin terrenin ekstremisht të mjerueshëm ku u ngrit dhe funksionoi shteti i ri shqiptar. Megjithatë, autori nuk mungon të nxjerrë në pah dobësitë në karakterin e Esatit, duke na dhënë përshkrime të balancuara, me teknikat e një studiuesi modern e të përmbajtur.
Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi Bejtullah Destani, autor i dhjetëra punimeve historike. “Libri, – shkruan Destani, – është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konciz dhe tërheqës.”
Biografia përmban rreth 60 fotografi të cilësisë së lartë, disa prej të cilave publikohen për herë të parë. Ajo është e pajisur me shënime në fund të faqeve, me një bibliografi të hollësishme dhe me treguesin e emrave.(Kortezi: Mapo)

 

Filed Under: Histori Tagged With: “Esat pashë Toptani: Njeriu, Ilir Ikonomi, Lufta, pushteti

OKB, përplasen Serbia me Kosovën

November 20, 2015 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI/
Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen akuza të ashpra në debatin e zakonshëm për Kosovën të zhvilluar të enjten pasdite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përplasën sidomos rreth çështjes së kandidaturës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, një votim që përfundoi me dështim për Prishtinën.
Në komentet e saj, zonja Çitaku, vendi i së cilës këtej e tutje do të përfaqësohet në këtë debat në nivel ambasadori, akuzoi Serbinë për fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, duke e quajtur këtë fushatë “shumë brutale, të pandershme, faktikisht të pasaktë dhe madje raciste.”
Nga Serbia, tha ajo, u përdor gjuha e urrejtjes e një niveli të paparë dhe të papranueshëm.
Ministri i Jashtëm serb i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur agresive komentet e ambasadores. Ai tha se zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm me gjuhën që përdorin. Zoti Daçiç gjithashtu e quajti të papranueshme pezullimin e marrëveshjes me Kosovën nga Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Ai tha se Serbia e do dialogun me Prishtinën jo sepse Kosova është e pavarur, por për të zgjidhur çështjet praktike mes dy palëve.
Ambasadorja e Kosovës, u përgjigj se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë. “Sa më shpejt ta kuptoni këtë, – tha ajo, – aq më mirë do të jetë për Serbinë.” Përsa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, zonja Çitaku tha se “ne nuk do të kërkojmë lejen tuaj për të ushtruar të drejtën tonë.” Herën tjetër, tha ajo, Kosova do t’ia dali të bëhet anëtare e UNESCO-s.
Në debatin me tone të ashpra, ambasadorja e Kosovës i bëri thirrje Serbisë të mos ndryshojë, siç tha ajo, “faktet e historisë.”
Para kësaj, dy përfaqësuesit shprehën pikëpamjet e tyre për dialogun mes dy vendeve.
Ministri i jashtëm serb kritikoi Prishtinën se sipas tij “ajo nuk respekton marrëveshjet dhe detyrimet që merr” dhe se nuk ka ndërmend për ta bërë më të mirë jetën dhe të drejtat njerëzore të serbëve në Kosovë.
Zoti Daçiç tha se kushtet politike, sociale dhe ekonomike në të cilën jeton komuniteti serb në Kosovë vazhdojnë të jenë shumë komplekse. Ai tha se Serbia pret që bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja në veçanti, të vazhdojë të ofrojë ndihmë për ndërtimin e besimit, i cili, theksoi ai, është baza e vetme solide për të siguruar një jetë normale për të gjithë në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se përpjekjet e njëanshme, të tilla si kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO janë hapa në drejtimin e gabuar dhe dëshmojnë për mospërfilljen e marrëveshjeve të arritura, siç ishte rasti i pezullimit të marrëveshjes për krijimin e asociacioneve në komunitetet me shumicë serbe.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Çitaku, tha se udhëheqësit në Kosovë përballen me shumë pyetje nga njerëzit dhe nga partitë politike lidhur me vlerën e dialogut, ndërsa Serbia vazhdon të ndryshojë qasjen e saj në varësi të rrethanave.
Në Kosovë, tha ajo, ka një trysni të fortë publike për të justifikuar angazhimin e qeverisë në dialogun me Serbinë. Vendimi i Presidentes së Kosovës për ta kaluar çështjen e asociacionit të komunave serbe në Gjykata Kushtetuese, do të krijojë qartësi, tha zonja Çitaku, e cila shtoi se duhet lejuar që Gjykata të bëjë punën e saj dhe të vlerësojë kushtetutshmërinë e marrëveshjes.
Zonja Çitaku tha se nganjëherë debati politik në Kosovë mund të jetë i ashpër, por askush nuk duhet të ketë dyshime për angazhimin e vendit ndaj vlerave dhe idealeve euroatlantike. E ardhmja evropiane e Kosovës është e pakthyeshme, tha ambasadorja.
Ajo kritikoi Serbinë se po e keqpërdor Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke u përpjekur të përhapë idenë se statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar dhe se pavarësia është e përkohshme.
Zonja Çitaku tha se nuk është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të mblidhet çdo tre muaj për të përsëritur të njëjtat qëndrime të vjetra.
Në seancë folën edhe përfaqësues të vendeve të tjera anëtare. Përfaqësuesi i SHBA tha se gjendja në parlamentin e Kosovës është shqetësuese dhe bëri thirrje për ndaljen e dhunës. “Ne, – tha përfaqësuesi i SHBA, – kërkojmë që qeveria e Kosovës ta zgjidhë këtë gjendje dhe të mos lejojë asnjë aktivitet kriminal në institucionet e saj demokratike. Populli i Kosovës pret që përfaqësuesit e tij të zgjedhur të kthehen në parlament menjëherë.”(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Ikonomi, OKB, përplasen Serbia me Kosovën

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT