Nga Ilir Levonja/
-ese-/
Më mbetën sytë tek një shishe uzo. Një shishe hollake me nuanca qielli dhe që thoshte se ishte prodhuar në Greqi. E mora në dorë dhe e tunda. Thjesht për atë zakonin e buburricave në pijen tonë tradicionale, rakinë. Shumë gjëra më vërshuan në mendje. E para mos diku aty ndodhej ndonjë grek?! Më afrohej e më fliste si fillim për uzon, pastaj për vlerat dhe virtytet e Greqisë, si vendi ku u shpik demokracia.? (E kam patur një radheje një hall të tillë me djathin e bardhë.) Mirëpo heshtje. Gondolat me malll pluskonin në një mërmërimë dritash plot qetësi. Asnjë grek nuk mu afrua. E dyta…, mbrëmjet e largëta në Shqipëri. Pah çfarë orësh, plot aromëra. Por le t’i përmendim nga pak. Le të lodrojmë ca sytë atyre viseve.
Mbaj mend se kur isha i vogël, im at’ më dërgonte shpesh të blija uzo. Ka qënë një dyqan në pazarin e vjetër të qytetit tim. Një aradhë shitoresh me stilin e një pazari Turqie. Me rrugën shtruar me gurë të bardhë, që dukeshin si sipërorja e kokës pa flokë. Ashtu krahas njëri-tjetrit tej e tej. Midis shitoreve diku, ndodhej dhe ajo e pijeve, ku një burrë plak në banak nuk e kishte problem të hapte njërën nga shishet e rafteve dhe të mbushte atë tënden për aq lekë sa ti kishe. E thënë ndryshe, kishe për tre dopio, tre të jepte. Nuk ishte nga ata shitsa që të thoshte, jo, jo nuk i prek shishet unë. Plaku quhej Lipe dhe kishte ca sy të butë që reflektonin paqe. Madje mund të them se qe një nga arsyet që unë vrapoja sapo më urdhëronte ime më që të shkoja. Pra paqja e syve dhe komunikimi i butë. ”Të mungon ndonjë metelik more bir? Nuk ka gjë, më jep sa ke se e rregullojmë atë punë”, thoshte ai. Se afërmendsh, ndonjëherë nga nxitimi, binte edhe ndonjë qindarkë rrugës.
Tje tër gjë që më vjen ndërmend…, janë ato tavolinat e sime mëje. Sidomos kur i vinte i ati. Më ka mbetur në mëndje si gjëja më e bukur e mbrëmjeve fëminore. Ajo sillej në atë kthinë të vogël duke bërë më të pamundurën. Për ne që kishim pak oborr, ndonjë kotec etj…, ishte karakteristike pula e fushës. Mezetë me të përbrendshmet ishin të parat. Të tjerat çfarë të ndodhej sipas stinës. Dimrit përshembull, sallata e ullinjëve me presh dhe lëfore portokalli, rigon e vaj ulliri. Buka e thekur, djathi… Kurse verës, pa diskutim sallata e domates, shalqini etj. Ato meze të vogla midis tim eti dhe gjyshit. Dy burra me nga një shishe në dorë. Shishe të vogla që mbanin rreth nga njëqind gram, ose njëmijë mililitër. Dhe ime më që dukej sikur edhe duart i ndrinin për shkak se në tavolinë kishte të atin dhe të shoqin. Dy burrat më të rëndësishëm në jetën e saj. Sapo ata i mbaronin ajo i kishte gati dy të tjerat, ato zbardhëdhonin sikur të ishin mbushur me qumësht. Ishte uji që e bentë uzon e bardhë. Gjithmonë ato shishka të vogla rrinin të pastra dhe seç kishin një lezet në duart e tyre. Sot burrat pinë me gota, por nuk e di…, ose nuk e shoh më atë, po e quaj lezetin e duarve të kohës.
Më vonë kur dola botës vura re se ashtu e pinin edhe në Greqi, edhe në Turqi. Diçka që mbeti në fëmijëri.
Tashmë kur e provojë edhe vetë, vërej se më shumë më shijon me ujë dhe ashtu e bardhë, se sa e qartë dhe e kthjellët. Ndofta edhe për hatër të memories? Ndaj dhe thelbi i kësaj sprove të rastësishme, është tek memoria. Kuadrati i kujtesës brenda njeriut. Ndërkohë janë edhe shumë probleme të tjera nga dita që mund të trajtohen. Raporti midis pronorit i imi, imja, jona, etj. Dhe faktit të jetuar. Tërësia ballkanike apo pellgu i Mesdheut në përgjithësi. T’i marrim me radhë.
Afrimitetet.1)Kur e pyeta një ditë një fqinjin tim turk se, a kishte gjëkundi ndonjë dyqan ushqimor, shkurt me ushqime të Turqisë. Ai ma ktheu gjithë qejf: ”Të ka vajtur mëndja për byrek? Kadaif.? Fol çfarë do.? Më ka ardhur mamaja, mërzitet vetëm. Po ashtu po e vë të bëj byrekë se vdes për këto. Të paktën shtyn edhe ditën”. Dhe ashtu u bë… 2)Diku afër kam një restorant grek. Shkojë ndonjë të shtune. Sapo futem në derë i zoti, një djalë nga Kreta ma bën menjëherë me dorë. Më vjen në tavolinë dhe gjëja e parë më ofron një gotë hollake me pak uzo, një pjatë nga ato të filxhanave të çajit me gjiro dhe fillojmë avazin me lajmet e fundit nga Ballkani ynë. Por dhe Mesdheu i madh…, qartazi sikur të jetojmë akoma atje. Dhe jo këtu në këtë vend kaba, të zhveshur nga pronori imi, i joti, i yni etj. Mua ndërkohë më kujtohet mezetë e sime mëje. Mbrëmjet me dy burrat e mëdhenj të memories sime. Lëngëzohem dhe them se me patjetër edhe ky burrë grek duhet të ketë patur kësisoj kujtimesh. E pyes dhe çfarë nuk më tregon. Copëza të arta. Biles në varësi të atyre ka ngritur dhe mban biznesin e tij. Madje ka sipër derës një parrullë të tillë…, ushqime safi prej Greqie. 3)Tek vendi i punës ku jam vet, gjithmonë u shërbej dy motrave të moshuara italiane. Për shkak se kanë një biznes të tyre, piceri e të tjera. Nga që kanë një jetë që vetëm aty punojnë, nuk flasin thuajse fare anglisht. Kështu sapo vinë, pyesin për mua. Dhe fjala e parë që më thonë është, Çiao paesano? Come va la vita? Pastaj më shpjegojnë se për çfarë gjënden aty dhe si gjithmonë më duhet t’i ndihmojë e tu shërbejë. Pastaj kur shtrohemi, më pyesin se çfarë ndodhi me mbretin e tyre dikur në Shqipëri. (Unë qesh se këtë pyetje ma blnte dikur edhe një napoletan i moshuar, ai që unë e quaj heroi im.) Atë që solli Duçja kur ato ishin fare të vogla. Unë u them se asgjë, veç e vumë të na gatuante makarona. Dhe ato kënaqen së qeshuri. Por nuk harroj t’u kujtojë se na ndërtoi edhe rrugë, ura, etj. 4)Dentinstin e kam nga Bejruti, madje i vjen mirë që unë shqiptari i jam një klient besnik. Jemi mesdhetarë më thotë, edhe pse krruhemi, prapë pak a shumë kemi të njëjtat rite. Deri diku të njëjtën soj guzhine etj. Ju i thoni kështu e ne ashtu, po në fund të fundit gjethe rrushi me oriz janë, apo jo?. Dhe i referohet memories se si në kohën e Turqisë, ata kishin guvernator një shqiptar. Unë i them se quhet Pasho Vasa, nga Shkodra kultura e vendit dhe se është poet i madh. ”Se edhe ju keni qënë kështu me Turqinë” më thotë ai duke vendosur dy duart përbri njëra-tjetrës dhe fërkuar gishtat tregues. I them kalimthi se jo Turqia, por Perandoria Osmane dhe në të’ nuk ishin vetëm shqiptarë. Por gjithfarësoj popujsh etj…, ndaj quhej Perandori. Por nuk ia vlen. Për ‘të ne kemi bashkëpunuar me Turqinë. Pastaj nxiton të tregojë për traditat, tu më thotë ai. Për ato grimca memorie, me qejf me kënaqësi. Dhe si pa dashur edhe origjinën e distilimeve dhe fermentive. Pastaj nxiton të plotësojë që këtu jemi ëngjuj për njëri-tjetrin. Kurse atje, fashistë, xhihadistë, kriminelë. 5) E njëjta gjë edhe me serbët, boshnjakët, kroatët, maqedonasit. E deri tek bullgarët. Kemi kaq shumë gjëra të bukur nga memoria, aq sa tërësia i duket një tryeze të shtruar nga një nënë. Përshembull aq sa edhe çorba si gjellë, më befasoi që për e rumunët ishte diçka e mëngjesit si paçja në mëngjesoret tona. Megjithatë në e kemi referim të problemit, këtë gjellë plot lëng, kur themi se na i bëri punët çorbë etj.
Jo vetëm vendet ballkanike apo ato rreth pellgut të Mesdheut, janë prirur historikisht në histori luftrash, dhune dhe pushtime. Dhe mbi të gjitha në një urrejtje tipike mes fqinjit me fqinjin. Por shumë syresh rreth e rreth botës. Njerëzimi kështu qënka ngatërruar. Problemet më të mëdha t’i ketë me fqinjët. E kam theksuar sipas rasteve, por në distancë…, ata vërejnë përmes memories, zakone, tradita, ushqime etj…, që kanë plot përbashkësi. Madje krenohen me to. Përdorin pronorin imi, jona, joni, yni. Madje me këmbungulje, i gëzohen edhe shijes. Por edhe asaj ndjesie përpjekjeje për të bërë më të bukur jetën tonë. Dhe vërejnë gjithashtu se, memoria jonë ka brenda saj një botë sa një qiell. Megjithatë ajo vërtitet si një kuvli në një qiell tjetër. Akoma më të madh se qielli i memories tonë. Ai i regresit të urrejtjes dhe Unit dominant. Dhe kjo të trishton për faktin se tek forcat revashnshiste, politikat ultranacionaliste, kuvlia e memories sot, ka zëvendësuar ushtarin e gjallë me Zotin vet. Kjo është akoma më e vështirë se edhe koha në luftrat e mëdha. Le të flasim për të përbashkëtat. Jo për tu lodhur, për tu shplodhur. Jo për tu grindur, për tu argëtuar. Jo për atë pjesë, gjetkë…, ku përkundet e hidhta Por thjesht për atë dashuri njerëzore që vjen edhe nga gjërat më të thjeshta. Pasi aty fillon në fakt e vërteta, koha reale. Ajo, që është më e madhe se vet njeriu. Në fund të fundit ne jemi tashmë, qytetarë të globalizmit.
Si ndihesh sot ti socialist
nga Ilir Levonja/
Përmbi të gjitha. Çfarë ka zënë prej ditësh. Përmbi të gjitha, çfarë po thonë studiove. Dijeni…, dhe thuajeni hapur, 21 Janari i vitit 2011, është faqja jonë e zezë.
Nuk e di se si ndihesh ti, sot, vëlla socialist. Se unë ndihem i shtrydhur. Edhe i përdorur. Dhe kokë mënjanë me ty. Pa të drejtën e dashurisë me njëri-tjetrin. Madje i privuar edhe nga krushqitë. Por dua të kujtojë midis të tjerave se, nuk po më duket, se është përvjetori i 21 Janarit. Jo. As mos e çoni nëpër mend. Biles mos bëj çudi që nuk e di se si në oborret tuaja, shërbehet akoma kafe. Dhe akoma ju i hidhni ujë shpresës për gjetjen e fajtorit. I hidhni ujë vështrimit të ngrysur duke shenjuar njëri-tjetrin me nofkën socialist apo demokrat. Megjithatë të paktën nuk vriteni nga poshtë. Dhe e dini pse-në. Sepse keni në fund të fund një farë sqime për njëri-tjetrin. Nuk i thoni as qelbësirë, as kriminel, as rrumpallë. Se po t’i thoshit sysh, do ishit vrarë masivisht. Dhe masivisht do ishit shojtur. Fjala vret njësoj si plumbi. Kështu thoshin të parët tanë. Po ne, si klasë e ”ulët” që jemi, zgjedhim turpin e heshtur. Shajmë njëri-tjetrin, por prapa krahëve. Se e thashë, po ta shanim në sy, rrugës kur shkëmbehemi. Do nxirrnin brezit koburet. Do i kthenim mjetet e punës në armë. Dhe normalisht, nuk do uleshim kurrë bashkë. Do i mungonim përjetësisht në gëzime shoqi-shoqit. Kurse pas krahëve, është ndryshe. Një soj fryme që është bërë e jetës, Do themi diçka zë ulët. Të pakëtn kështu, sharja ngjan me atë ajrosjen magjike. Mbi njerëzit. Ndaj në këtë aspekt, ne, ju, vetëm sa e cilësoni njëri-tjetrin, socialist apo demokrat. Edhe, edhe, më keq akoma. Por janë nga prapa. Zakon i ditës. Por vetëm kaq. Pak përbuzje dhe ca paragjykim.
Kurse ata në tribuna, edhe pse shajnë para e mbrapa. Me prag shtëpie. Me farë e me fis. Me fjalorin më të ulët të pas shpinës suaj. Nuk vriten asnjëherë. U vrasin ju. Madje edhe darkojnë sëbashku. Bëjnë deklarata po ashiqare, për tradhtarë të kombit, vrasës etj. Kurse ne vazhdojmë të ndajnë kafe. Ta shohim shtrëmbtas njëri-tjetrin. Eshtë përvjetori i llomotitjeve. Kësaj fryme turkoshake e kohës së dovletit. Eshtë faqja e zezë e gazetarisë shqiptare. Sepse ata që denoncuan, u dekoruan. Eshtë faqja e zezë e politikës për shkak të dështimit. Eshtë faqja e zezë e jonë që nuk u bëmë zot të vetes. Pranojmë tribunat. Dekorimet dhe daljet publike në krah të palltove të pushtetit. U shërbejmë kafe kur na vine oborr. Eshtë faqja e zezë e drejtësisë. Eshtë faqja e zezë e intelektualëve…, historian, mjekë, profesorë, akademikë, shkrimtarë, muzikantë, artistë pamorë e të skenës. Çfarë tjetër mund të përmend. Ka një battalion të tërë syresh pranë partive. Dhe shfaqen si gjithmonë nxënës shembullore të dështimit të Njëshit. Eshtë faqja e zezë e një fryme njerëzore që nuk ndjen aspak pendesë. Ka vrarë, vret dhe duket se do të vazhdojë kështu.
Eshtë faqja e zezë e një fund shekulli. Dhe e këtij fillim të ri.
Nuk e di se si ndiheni sot ju, familje. Ju që humbët njerëzit. Por siç e shikoni. Ndërsa ju çoni lule, I kujtoni… skena është po ajo. Dielli lind, shkon, perëndon. I pari do rrahi gjoksin, I pari premton. Kurse vazhdoni e vrituni!
Djali i mirë është edhe Gatja
Nga Ilir Levonja/
E ashtuqujtura lufta kundër drogës, që nisi në qershorin e 2014. Duket sikur mbaroi. Të gjithë webet informojnë pasaktësisht vitet e burgut. Megjithatë të gjithë janë të saktë tek fakti. Që është dënimi. Dhe mbi ‘të një emër burri. Ai quhet Gate një ndër kryefermerët. Ose El Chapo i Lazaratit. Një tjetër sukses i rremë. Pasi po t’i referohemi memories, ndofta zhgënjimin më të madh e ka i pari ai burrë pas hekurave. Se si u përdorua. Së pari ai, Lazarati dhe fermeri shqiptar i jugut. E kanë të qartë ata që shikojnë duart bosh kafeneve. E kanë të qartë edhe ata që kullosin bagëtinë plot dëshpërim nëpër pjerrinat me gurishta të thata në vendin tone. Pasi një kovë kanabis, vlen sa pesë kope.
Tek ne gjithmonë është bërë një politikë elektorale pasive. E syrit qorr dhe veshit shurdh. Madje me vetdije. Të sigurtë nëpër zyrat konsullore. Me idenë e thjesht, këta këshilttarë ka thënë gjithmonë. Me qetësi dhe kollajllëk…, lëri çfarë ke. Le të ushqehen.
Aq më tepër që janë edhe me ne.
Kështu Lazarati përfundoi deri atje, sa u bë ”parajsa” e jugut. Tashmë ata që rrugtonin me torba në shpinë. Nuk emigronin për në Greqi. Por në Lazarat. Tre muaj pune aty ishin sa për tre vjet në Lamia apo Patra. Fama e Lazaratit shkoi deri larg. Nga Parisi e quanin si kryeqyteti i kanabisit. Të rinj holandezë dridhnin cigare me gjethet magjike dhe postonin të qeshur statute në fb për miqtë e tyre. Londra alarmonte përmes BBC-së burimin e tregut të saj.
Vetëm ne i gëzoheshim suksesit të Lazaratit. Madje i morëm erzin edhe patriotizmit. Lazarati kështu, Lazarati ashtu.
Megjithatë, pos luftës klanore…, që sjell droga. Pos të gjitha këtyre syqorrje, informaliteti, veshshurdhje, krenari. Pos etheve të parave. Helikopterëve nga të katër anët e qiellit. Furisë së shtetit tepër të politizuar. Vdekjeve të dëshmorëve të atdheut. Ai neni çudibërës i drejtësisë shqiptare. Neni si ”djalë i mirë lagjeje” nuk u përfol aspak tek Gatja. Humbi diku shkresave dhe veladonëve të nxirë nga padrejtësitë. Në fakt Gatja i bie të jetë katërfish djalë i mire. Një kryefermer që ushqeu kaq e aq frymë.
Sot në botën ku droga ka lulëzuar bujshëm. Ku ka bërë histori. Duhet të dini se pjesa dërrmuese e njerëzve janë të dashuruar me kryefermerët. Kolumbianët e Rionegros, bëjnë kryq për Pablo Eskobarin. Po ashtu ata të La Tunas në Meksikë për Joakin Guzmanin dhe El Chapon etj. Pra nisur nga një fakt shqiptar. Nga Jurispudenca shqiptare. Me nuance nga fryma ideollogjike e diktaturës që mendojnë se e kanë mundur. Një nen i sojit unik…, ”djali i mire i lagjes”. Nuk u nxorr nga sëdukët. E megjithatë ne po vazhdojmë. Po përpiqemi, po luftojmë të reformojmë drejtësinë.
Në fakt a mbaroi aty lufta e shtetit me drogën. Asesi. Që nga qershori i 2014. Deri tek kjo orë e dhënies së dënimit për këta lazaratas. Shqipëria u kthye e tëra në një Fermë Lazarat. Nga skërkat e qosheve të saja. Si Vermosh, Dibër, etj. Deri tek serat moderne të Myzeqesë. Kjo tashmë jo më për ata syqorrje. Por etheve të arit, hendekut politik që po vazhdon të thellohet e zgjerohet. Mendjelehtësisë së burrave të shtetit që i bëjnë reformat për efekt emrash konkretë. Dhe jo për të mirën e Lazaratit dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Çfarë të zgjedh e t’ia dedikoj shqiptarëve
Shkruan:Ilir Levonja/Florida-USA/
Sot është 18 janar. Dita e Martin Luter Kingut. Dhe shumë rrjete kanë hedhur ofertën që të zgjedhësh një nga thëniet e tij. T’a shpërndash si dedikim për të drejtat civile. Për vendin tënd, shoqërinë apo miqësitë. Burrit që fillimisht e nisi, e mbërriti dhe e mbrojti të drejtën e madhe civile për klasën afro-amerikane. Pra njerëzit me ngjyrë. Por që sot, është kthyer në simbol i të drejtës mbarë njerëzore. Madje i mbarë racave, kombësive dhe shtëtësive. Ka me mijra, me miliona që sot e frymëzojnë vetveten me fjalën shpirtërore të tij. Madje edhe vet kundërshtarët e dikurshëm. Sot janë kthyer në promotorë të së drejtës. Ndofta për shkak të përbashkësisë shpirtërore. Të cilën asesi se kufizon dot ngjyra e lëkurës. Ndaj këto milionat pëshpërisin shpesh. Diçka prej tij…”Duhet të jetojmë bashkë si vëllezër se përndryshe do kalbemi si dështakë të përjetshëm”. Kam dëgjuar edhe njerëz të më thonë në sy, po fjalët e tia. Kështu drejtpërdrejtë…, ”Asnjëherë nuk kam për të pushuar së luftuari për të drejtën time”. Ose, ”Besimi hedh hapin gjithmonë edhe pse diku përpara nuk ekzistojnë shkallët”. Ose, ose, ”Errësira nuk mund të të nxjerrë nga errësira. Duhet dritë”.
Sa më shumë të zhbirosh aq më shumë i përvuajtuar ndihesh. E drejta, të drejtat. Të drejtat e mia dhe të tua-t.
A ka pasur dallim racor në Shqipëri? Sa të duash. A ka pasur dallim klasor në Shqipëri.? Sa të duash. A ka për çastin, po, po, tani? Dallim racor, klasor.? Apo dasime dhe ngujime. Kapje të shoqërisë. Së individit? Të liderit? Të së drejtësë civile? Të sigurisë? Të transaperencës? A ka terren për të mos ”ndalur së luftuari për të drejtën tënde?”. Të drejtën civile të njëriut formal. Dhe jo atij informal? A ka devijim në Shqipëri? Sa të duash.
Përshembull më vjen ndërmend plaku i urtë gjakovar Anton Çeta. Miti i çmitizimit të gjaqeve. Shpirti pajtues i shqiptarëve. Dhe makineria politike që i futi në gjak shqiptarët. Kush është Antoni sot? Dhe cila është makineria.?
Çfarë të zgjedh për dhuratë? Them se të gjitha na duhen ne. Por na duhen për t’i përjetësuar. Jo për të bërë garë me njëri-tjetrin se cili, kush, di më shumë. Jo për të luftuar njëri-tjetrin, por t’i shërbyer njëri-tjetrit.
Megjithatë po e bëj një zgjedhje. Dhe unë zgjodha këtë, që…,”Duhet të jetojmë bashkë si vëllezër se përndryshe do kalbemi si dështak të përjetshëm”.
Të lumtur që dështojmë
Nga Ilir Levonja-Florida/
Nga nëntori i vitit që shkoi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, u tha shqiptarëve midis të tjerave se…, ata që nuk e duan reformën, mbushin përditë xhepat me paratë tuaja. Këta janë ministra të korruptuar, deputetë të lidhur me krimin, gjykatës të paaftë, etj.
Dukej si një mllef i plasur shpirtit. Për shkak të këshillimeve të kahershme. Si një mllef që dilte nga sharmi diplomatik. Megjithatë, ai foli shqip. Shqip dhe troç. Ndofta për të shmangur njëhere e përgjithmonë, ato interpretimet sipas oreksit që shpesh selitë e partive u bëjnë deklaratave të diplomatëve.
Edhe atëhere, u paralajmërua për një lloj dështimi. Madje shenja e parë qe shtyrja e reformës në pranverë. Të tjerat rrodhën me festat e fundvitit. Përmbytja dhe të tjera skupe politike. Si pushimet prej milioneri të Kryeministrit në Miami. Vrasjet për larje hesapesh etj. Dhe së fundi, disa lajme …, që burojnë nëpër qoshe webesh. Ku shqiptarë të lumtur deklamojnë, deshtimin e Lu-së. Ku është Lu-ja, pyesin me qejfin më të madh.
E para dhe e fundit. Nuk ka dështuar Lu-ja. Nëse vërtetë zhurma për reformën u mbyll me kaq. Por kemi dështuar ne. Një shoqëri që i mban sytë tek të huajt, nuk mund të bëjë reforma të mirëfillta dhe dobiprurëse për vendin. Ndaj është fatkeqësi që lumturohemi me heshtjen e atij burri. I cili nuk është në Shqipëri për të reformuar vendin tonë. Por për t’i shërbyer së pari vendit të tij. Nëse flet hapur dhe është aktivist. E bën kur shikon se ka njerëz që vërtetë e duan reformimin. Pra për të ndihmuar reformatorët. Që fatkeqësisht aty janë me pakicë. Dhe kjo është karakteristikë e atij soji njeriu, i cili jeton me devizën, zot i fatit tënd.
A janë shqiptarët zotër të fatit të tyre.? Asesi. Diku padashur. Diku me dashje. Janë sot ato krijesa të ndara që grinden për gjithçka.
Deri grupime të verbta.
Përfundimi, kush fitoi nga dështimi i Lu-së dhe Vlahutin-it. Një dhe vetëm një kategori, ata që mbushin xhepat me djersën, gjakun dhe paratë tuaja. Kurse ju si gjithmonë, veç mbushni krahët me ndihma përmbytjesh dhe fatkeqësish.
- « Previous Page
- 1
- …
- 73
- 74
- 75
- 76
- 77
- …
- 102
- Next Page »